ATV

Category: Lajme

  • Kapet shtetasi turk në Prishtinë, dyshohet për keqpërdorim të kartelave bankare

    Kapet shtetasi turk në Prishtinë, dyshohet për keqpërdorim të kartelave bankare

    Një shtetas i Turqisë është arrestuar në Prishtinë, nën dyshimin se ka ndërhyrë në sisteme kompjuterike dhe ka keqpërdorur kartelat bankare të shtetasve të huaj.

    Sipas raportit policor, i dyshuari dyshohet se ka realizuar blerje të ndryshme online përmes kartelave bankare të keqpërdorura, duke zhvilluar aktivitet criminal.

    Gjatë operacionit, si prova materiale janë sekuestruar dy kompjuterë, dy telefona celularë, dy USB dhe disa dokumente të tjera relevante për rastin.

    Me vendim të prokurorit, pas intervistimit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

  • E goditi me veturë një person në Podujevë, arrestohet i dyshuari

    E goditi me veturë një person në Podujevë, arrestohet i dyshuari

    Një person është arrestuar në Podujevë, nën dyshimin se ka goditur me veturë një qytetar.

    Rasti ka ndodhur më 11 nëntor 2026, rreth orës 21:10, në rrugën “Ilir Konushevci”.

    Si pasojë e goditjes, viktima ka pësuar lëndime trupore dhe është dërguar në QKUK për trajtim mjekësor.

    I dyshuari është intervistuar nga policia dhe, me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje.

    “Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, nën dyshimin se ka goditur me veturë viktimën mashkull kosovar. Viktima ka pësuar lëndime trupore dhe është dërguar në QKUK për tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit, i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje”.thot raporti i PK.

  • Kaçanik: Arrestohet një i mitur nën dyshimin për dhunim të një të miture

    Kaçanik: Arrestohet një i mitur nën dyshimin për dhunim të një të miture

    Një i mitur është arrestuar në Kaçanik, nën dyshimin se ka kryer marrëdhënie seksuale me një vajzë të mitur.

    Rasti është raportuar më 11 nëntor 2026, rreth orës 16:00.

    Sipas raportit policor, viktima është dërguar për tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari është intervistuar nga organet e rendit.

    Tutje, Policia njoftoi se me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

  • Lushaku-Sadriu kritikon pushtetin: Mjerë Kosova për mendësinë dhe humbjet që po ia shkaktoni

    Lushaku-Sadriu kritikon pushtetin: Mjerë Kosova për mendësinë dhe humbjet që po ia shkaktoni

    Deputetja e LDK-se, Jehona Lushaku – Sadriu ka kritikuar pushtetin për qasjen ndaj procesit të integrimit evropian të Kosovës, duke e akuzuar se po përpiqet t’ia bartë Bashkimit Evropian përgjegjësinë për ngecjet në këtë proces.

    Lushaku-Sadriu ka thënë se gjatë seancës së djeshme parlamentare, e cila ishte thirrur për të kërkuar përgjegjësi për ngecjet në rrugën evropiane të Kosovës, përfaqësuesit e qeverisë e kishin orientuar kritikën drejt BE-së, në vend që të fokusoheshin te përmbushja e rekomandimeve.

    Ajo ka kritikuar edhe kërkesën e përfaqësuesve të pushtetit që Bashkimi Evropian të kërkojë falje dhe të korrigjojë raportin për Kosovën.

    “Është e turpshme deri ku ka arritur përpjekja për t’iu shmangur përgjegjësisë. Një pushtet që duhet t’i përmbushë rekomandimet, tash i kërkon llogari atij që na vlerëson”, ka shkruar ajo

    Mes tjerash, Lushaku – Sadriu ka shprehur shqetësimin për pasojat që, sipas saj, kjo qasje po i shkakton Kosovës në rrugën drejt integrimit evropian.

    “Mjerë Kosova për mendësinë dhe humbjet që po ia shkaktoni”.

  • Arrestohet zyrtari i Komunës së Prishtinës, dyshohet se i mundësoi një personi t’i regjistrojë tri prona në emër të tij me dokumente false

    Arrestohet zyrtari i Komunës së Prishtinës, dyshohet se i mundësoi një personi t’i regjistrojë tri prona në emër të tij me dokumente false

    Një zyrtar i Komunës së Prishtinës është arrestuar nën dyshimin se vërtetoi dokumente të dyshuara, duke i mundësuar një personi t’i regjistrojë tri prona në emër të tij.

    Sipas raportit 24 orësh të Policisë, rasti u iniciua si “Falsifikim i dokumentit” dhe “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”.

    “Prishtinë 2022-2023. Me datë 11.11.2026 DHKEK, njësia për hetimin e falsifikimit të dokumenteve, me autorizim të prokurorit kanë arrestuar të dyshuarin mashkull kosovar, zyrtar komunal i Prishtinës, me dyshimin e bazuar se i njëjti kishte vërtetuar dokumente të dyshuara duke mundësuar që i dyshuari mashkull kosovar, të regjistroi tri prona komunale në emrin e tij. I dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, njofton Policia.

  • Kurti udhëton drejt Irlandës, merr pjesë në Samitin e Komunitetit Politik Evropian

    Kurti udhëton drejt Irlandës, merr pjesë në Samitin e Komunitetit Politik Evropian

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar drejt Republikës së Irlandës, ku do të marrë pjesë në Samitin IX të Komunitetit Politik Evropian (EPC).

    Në margjina të Samitit dhe gjatë vizitës në Dublin, Kurti do zhvillojë takime bilaterale me liderë e përfaqësues shtetesh, si dhe institucionesh e organizatash ndërkombëtare.

    Kjo vizitë e Kurtit vjen pas vizitës që pati në shtetin e Francës.

  • Rritet numri i refuzuesve të shërbimit ushtarak në Gjermani

    Rritet numri i refuzuesve të shërbimit ushtarak në Gjermani

    Shërbimi ushtarak në Gjermani mbetet vullnetar. Megjithatë, kontrolli mjekësor për meshkujt është i detyrueshëm. Këtë vit numri i refuzimeve të shërbimit ushtarak për arsye ndërgjegjeje po rritet ndjeshëm.

    Që nga hyrja në fuqi e të ashtuquajturit Ligj përModernizimin e Shërbimit Ushtarak në janar, numri i kërkesave për refuzimin e shërbimit ushtarak për arsye ndërgjegjeje në Gjermani është rritur ndjeshëm. Vetëm në tetor u paraqitën edhe gati 1.900 kërkesa të tjera, sipas të dhënave të Zyrës Federale për Familjen dhe Shoqërinë Civile (BAFzA), që i ka në dispozicion gazeta Rheinische Post.

    Nga 1 janari deri më 31 tetor, Zyra ka marrë gjithsej 16.869 kërkesa për refuzimin e shërbimit ushtarak për arsye ndërgjegjeje, njoftoi një zëdhënëse e saj. Kështu, që nga vera numri pothuajse është trefishuar: deri në fund të qershorit 2026, Zyra Federale kishte raportuar 5.862 kërkesa të marra. Më 30 shtator, ajo numëronte tashmë 14.977 kërkesa, tha zëdhënësja në përgjigje të një pyetjeje.

    Një numër dukshëm më i lartë aplikimesh se më parë

    Në vitet e kaluara, Zyra Federale kishte regjistruar shumë më pak kërkesa për refuzimin e shërbimit ushtarak për arsye ndërgjegjeje: në 2025 ishin vetëm 3.879, një vit më parë vetëm 2.249. Kërkesa për refuzimin e shërbimit ushtarak nuk paraqesin vetëm rezervistët dhe ushtarët aktivë, por edhe ata që nuk e kanë kryer shërbimin.

    Shërbimi i detyrueshëm ushtarak në Gjermaniështë pezulluar prej vitit 2011. Me hyrjen në fuqi të ligjit të re, prej fillimit të këtij viti vizita mjekësore-ushtarake është e detyrueshme për burrat nga 18 vjeç. Por, edhe pse detyrimi mbetet i pezulluar, shërbimi ushtarak mund të refuzohet paraprakisht për arsye ndërgjegjeje, sipas nenit 4, paragrafi 3, të Ligjit Bazë.

    Sipas të dhënave nga qeveria federale, Ligji për Modernizimin e Shërbimit Ushtarak ishte bërë i nevojshëm për shkak të situatës së re në lidhje me politikën e sigurisë në Evropë.

    Rritjen e numrit të kërkesave për refuzimin e shërbimit ushtarak ekspertët e shpjegojnë me situatën e tensionuar të sigurisë përballë kërcënimit rus. Sipas vëzhguesve, një rol luajnë edhe raportimet për sjellje të papërshtatshme seksuale në Bundeswehr. /DW

  • Komisioni për Legjislacion shqyrton sot kthimin e Ligjit për Specialen në Kuvend

    Komisioni për Legjislacion shqyrton sot kthimin e Ligjit për Specialen në Kuvend

    Komisioni për Legjislacion i Kuvendit të Kosovës do ta shqyrtojë sot vendimin e presidentes Justina Shiroka-Pula për kthimin në Kuvend të Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

    Mbledhja e Komisionit është caktuar të nisë në orën 9:30.

    Ndryshimet në Ligjin për Specialen ishin miratuar nga Kuvendi më 6 tetor, ndërsa më 22 tetor presidentja Shiroka-Pula e kishte kthyer atë për rishqyrtim, pas një kërkese të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), e cila kishte iniciuar këto ndryshime.

    Kjo kërkesë e PDK-së për rishqyrtimin e ligjit para dekretimit nga presidentja nuk ishte mbështetur nga të gjithë deputetët e kësaj partie.

    Ndryshimet ligjore ishin votuar rreth dy javë pasi Gjykata Speciale dënoi me gjithsej 81 vjet burgim katër ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçin, Jakup Krasniqin, Kadri Veselin dhe Rexhep Selimin.

  • Senatorja amerikane i shkruan presidentes Shiroka-Pula: Do të jeni forcë stabilizuese për Kosovën

    Senatorja amerikane i shkruan presidentes Shiroka-Pula: Do të jeni forcë stabilizuese për Kosovën

    Senatorja amerikane Jeanne Shaheen i ka shprehur mbështetje presidentes së Kosovës, Justina Shiroka-Pula, duke e cilësuar forcë stabilizuese për vendin.

    Në një letër drejtuar presidentes, Shaheen ka ritheksuar përkushtimin e saj për marrëdhëniet ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kosovës, si dhe për të ardhmen euroatlantike të vendit.

    Senatorja amerikane, anëtare e Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë të Senatit amerikan, ka falënderuar Shiroka-Pulën për mikpritjen gjatë vizitës së saj në Kosovë dhe për nderimin që i është bërë.

    Duke iu referuar zhvillimeve politike, Shaheen ka shprehur shpresën se presidentja dhe Qeveria e re do ta drejtojnë Kosovën drejt një periudhe me më shumë prosperitet dhe siguri.

    “Si përkrahëse e fuqishme e marrëdhënieve të SHBA-së me Kosovën dhe popullin e saj, si dhe e së ardhmes euroatlantike të Kosovës, unë do të vazhdoj të jap kontributin tim në mbështetje të Kosovës. Mbetet ende shumë punë për t’u bërë, por jam e bindur se ju do të jeni një forcë stabilizuese për Kosovën”, thuhet në letrën e senatores Shaheen.

    Në fund të letrës, senatorja ka falënderuar presidenten për partneritetin dhe mikpritjen, duke shprehur gatishmërinë për të vazhduar mbështetjen ndaj Kosovës edhe në të ardhmen.

  • Kurti për “Le Monde”: E dimë kush i humbi zgjedhjet në Serbi, por s’e dimë kush i fitoi

    Kurti për “Le Monde”: E dimë kush i humbi zgjedhjet në Serbi, por s’e dimë kush i fitoi

    “Agresioni rus ndaj Ukrainës tregon se historia po rikthehet në skenën botërore me më shumë forcë se kurrë në këtë shekull”, thotë për “Le Monde”, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

    E mesazhi, sipas medias franceze, është i qartë: “Kosova ndihet e cenueshme në një kohë kur situata gjeopolitike po tensionohet”, shkruan ky medium.

    Megjithatë, thotë se 51-vjeçari Kurti nuk shfaq shenja shqetësimi.

    Kurti po qëndron për tri ditë në Paris, ku do të marrë pjesë në Forumin e nëntë të Parisit për Paqe, por mbi të gjitha për të zhvilluar dy takime me presidentin francez, Emmanuel Macron. Fillimisht, një takim kokë më kokë në Pallatin Elize, e më pas, të mërkurën, një takim me delegacionet përkatëse të Francës dhe Kosovës.

    “Le Monde” raporton se Qeveria e Kosovës po kërkon mbështetjen e Parisit për disa çështje, përfshirë organizimin e Lojërave Mesdhetare të vitit 2030 në Prishtinë. Kosova, thotë gazeta, ka siguruar një kredi prej 60 milionë eurosh nga Agjencia Franceze për Zhvillim (AFD), për ndërtimin e fshatit ndërkombëtar të sportistëve.

    Më tej, thuhet se Kurti synon ta shohë vendin e tij nën ombrellën e Bashkimit Evropian dhe NATO-s.

    Gazeta franceze thotë se shkalla e autonomisë që Qeveria Kurti u ofron serbëve të Kosovës, të cilët përbëjnë rreth gjashtë për qind të popullsisë, mbetet një nga çështjet kryesore të mosmarrëveshjeve me Beogradin, por edhe, në një masë më të vogël, me Brukselin.

    “Serbia vazhdon të jetë një fqinj armiqësor, që mund të llogarisë në mbështetjen e Rusisë. Krahas saj, Kosovën nuk e njohin edhe pesë shtete anëtare të BE-së: Spanja, Qiproja, Greqia, Rumania dhe Sllovakia. Për arsye të ndryshme, por të gjitha të lidhura me zhvillimet e brendshme politike, këto vende kanë refuzuar ta njohin pavarësinë e shpallur nga Prishtina në vitin 2008”, shkruan “Le monde”.

    Megjithatë, në këtë intervistë, Kurti thotë se Sllovakia është vendi që po paraqet rezistencën më të madhe. Kryeministri sllovak, Robert Fico, nuk e fsheh afërsinë ideologjike me presidentin rus, Vladimir Putin, si dhe me ish-kryeministrin hungarez, Viktor Orban.

    Madje, së fundmi, Fico u shfaq përkrah liderit nacionalist serb, Alleksandar Vuçiq, gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare të tetorit, të cilat përfunduan me fitoren e opozitës.

    Për shkak të këtyre pengesave, Kosova ende nuk e ka marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Sipas Kurtit, Kosova është i vetmi vend evropian, në mesin e atyre që janë përkushtuar ndaj procesit të zgjerimit, që nuk e ka fituar këtë status.

    Pas liberalizimit të vizave për zonën Shengen, të arritur tre vjet më parë, “Le Monde” thotë se Prishtina synon ta kalojë edhe këtë fazë të re, por pa kërkuar trajtim të privilegjuar.

    “Ne nuk duam rrugë të shkurtra, procedura të përshpejtuara apo dyer të pasme drejt Bashkimit Evropian, por një proces të bazuar në meritë”, thekson Kurti. Për të, procesi i integrimit evropian është po aq i rëndësishëm sa vetë anëtarësimi. “Ne duhet t’i përfundojmë reformat në drejtësi, administratë publike dhe arsim. Këto janë tri prioritetet tona për katër vjetët e ardhshme”, thotë ai.

    Kurti shfaq një optimizëm pragmatik. Ai e mirëpret humbjen e Vuçiqit, i cili, sipas tij, “u premtonte serbëve të Kosovës ndarjen” e vendit të tij.

    Megjithatë, ai mbetet i kujdesshëm sa u përket mundësive për afrimin me “listën studentore” serbe, e cila doli fituese në zgjedhjet parlamentare të tetorit, por që në programin e saj vazhdon të kundërshtojë fuqishëm sovranitetin e Kosovës.

    “Ne e dimë se kush ka humbur, por ende nuk e dimë se kush ka fituar”, ka thënë Kurti në këtë intervistë, duke shprehur qëndrimin e përgjithshëm të vëzhguesve të huaj për rezultatin e zgjedhjeve në Serbi.

    Në aspektin ekonomik, Kurti, i cili pozicionohet si i majtë në spektrin politik në Kosovë, “Le Monde” thotë se po përpiqet të tërheqë investime të huaja në sektorët e energjisë dhe infrastrukturës.

    Më 10 nëntor, grupi francez “Akuo Energy” fitoi një tender publik për ndërtimin e turbinave me erë, me kapacitet prej 98 megavatësh (MW).

    Kosova, një vend malor dhe i pasur me burime ujore, po kërkon gjysmë miliard euro për të financuar ndërtimin e pesë digave, të cilat synojnë të përmbushin nevojat e industrisë, bujqësisë dhe ekonomive familjare.

    Një tjetër prioritet i Prishtinës për t’i dhënë fund izolimit gjeografik është transporti hekurudhor. Kurti, sipas gazetës franceze, po kërkon financime për ndërtimin e tri linjave hekurudhore dhe modernizimin e një të katërtës.

    Sipas tij, Kosovës i nevojitet mbështetja e Parisit për t’u integruar në Rrjetin Trans-Evropian të Transportit (TEN-T).

    I shqetësuar për situatën gjeopolitike, Kurti e sheh transportin hekurudhor jo vetëm si një mjet për zhvillimin ekonomik të Kosovës, e cila nuk ka dalje në det, por edhe si një çështje me rëndësi thelbësore për sigurinë.

    “Shikojeni Ukrainën: atje udhëtohet me tren, jo me aeroplan. Prandaj, treni është mjeti më rezistent i transportit”, përfundon kryeministri i Kosovës.