ATV

Category: Lajme

  • Trump kërkon që fytyra e tij të vendoset në kartëmonedhën 250 dollarëshe

    Trump kërkon që fytyra e tij të vendoset në kartëmonedhën 250 dollarëshe

    Në Shtetet e Bashkuara ka nisur një debat i ri politik pasi është propozuar që në një kartëmonedhë të re prej 250 dollarësh të vendoset portreti i ish-presidentit Donald Trump.

    Sipas deklarimeve të Sekretarit të Thesarit, Scott Bessent, Shtëpia e Bardhë ka kërkuar nga Kongresi miratimin e këtij projekti, i cili lidhet me shënimin e 250-vjetorit të pavarësisë së SHBA-së.

    Megjithatë, realizimi i kësaj nisme kërkon ndryshime në ligjin federal, i cili aktualisht ndalon vendosjen e figurave të gjalla në monedhat amerikane.

    Propozimi ka shkaktuar reagime të menjëhershme në skenën politike, ku përfaqësues të opozitës e kanë kritikuar idenë si të papërshtatshme dhe simbolikisht të diskutueshme për traditën amerikane.

    Debati pritet të vazhdojë në Kongres, ku vendimi përfundimtar do të përcaktojë nëse projekti do të kalojë në fazën e realizimit apo do të bllokohet.

  • Itali: Hetime për rrëmbimin dhe dhunimin e një turisteje – pesë persona në pranga

    Itali: Hetime për rrëmbimin dhe dhunimin e një turisteje – pesë persona në pranga

    Autoritetet italiane kanë arrestuar pesë persona nën dyshimin për përfshirje në rrëmbimin dhe abuzimin seksual të një turisteje 32-vjeçare nga Kolumbia, në periferi të Romës.

    Sipas hetimeve paraprake, ngjarja dyshohet të ketë ndodhur pasi viktima kishte takuar një burrë pranë stacionit “Roma Termini”, i cili e kishte joshur me pretekstin e blerjes së drogës. Më pas ajo dyshohet se është dërguar në një ndërtesë të braktisur në zonën Tor Cervara.

    Autoritetet thonë se gruaja është mbajtur për rreth 72 orë kundër vullnetit të saj dhe gjatë kësaj kohe dyshohet se është abuzuar në mënyrë të përsëritur nga disa persona.

    Viktima ka arritur të arratiset dhe është gjetur nga një kalimtar, i cili e ka dërguar menjëherë në spital. Mjekët kanë konstatuar lëndime të rënda dhe kanë njoftuar policinë.

    Policia italiane ka identifikuar dhe arrestuar pesë të dyshuar, ndërsa hetimet po vazhdojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe për të identifikuar persona të tjerë të mundshëm të përfshirë në këtë rast të rëndë.

  • Aksident në Gjermani: Përplasen dy tramvaje në Hanover, plagosen 12 persona

    Aksident në Gjermani: Përplasen dy tramvaje në Hanover, plagosen 12 persona

    Një aksident hekurudhor urban ka ndodhur në qytetin Hanover të Gjermanisë, ku dy tramvaje janë përplasur me njëri-tjetrin, duke lënë të plagosur të paktën 12 persona.

    Sipas autoriteteve lokale, shumica e të lënduarve kanë pësuar plagë të lehta dhe disa prej tyre janë transportuar me urgjencë në spital për trajtim mjekësor.

    Policia gjermane dyshon se shkak i aksidentit mund të ketë qenë një defekt në sistemin e kontrollit të binarëve, i cili ka bërë që njëri prej tramvajeve të devijojë nga linja e tij.

    Pas përplasjes, të dy tramvajet kanë dalë nga shinat, ndërsa një pjesë e platformës në një stacion është dëmtuar nga goditja.

    Shërbimet emergjente kanë ndërhyrë menjëherë në vendngjarje, duke evakuuar pasagjerët dhe duke rikthyer më pas tramvajet në shina me pajisje të specializuara.

    Autoritetet kanë nisur hetimet për të sqaruar rrethanat e plota të aksidentit, ndërsa qarkullimi i tramvajeve është rikthyer në normalitet pas disa orësh ndërprerjeje.

  • KQZ mban mbledhje për përgatitjet e zgjedhjeve të 7 qershorit 2026

    KQZ mban mbledhje për përgatitjet e zgjedhjeve të 7 qershorit 2026

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të zhvillojë mbledhjen e radhës, ku në rend dite janë përfshirë disa çështje që lidhen me përgatitjet për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat janë caktuar të mbahen më 7 qershor 2026.

    Në këtë takim pritet të diskutohen dhe miratohen një sërë vendimesh të rëndësishme për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, përfshirë akreditimin e vëzhguesve, caktimin e këshillave në vendvotime dhe ekipeve të numërimit, si dhe miratimin e planit operacional për ditën e zgjedhjeve, bëhet e ditur nga zyra për informim e KQZ-së.

    Gjithashtu, në agjendë janë edhe çështje teknike dhe organizative që lidhen me administrimin e procesit zgjedhor, me qëllim garantimin e një procesi të rregullt, të sigurt dhe transparent.

  • Prishtina pritet të zgjedhë sot projektin fitues për shtatoren e Adem Jasharit

    Prishtina pritet të zgjedhë sot projektin fitues për shtatoren e Adem Jasharit

    Komuna e Prishtinës pritet që sot të shpallë projektin fitues për shtatoren e komandantit legjendar Adem Jashari, e cila do të vendoset në kryeqytet.

    Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, gjatë një deklarimi publik, ku është theksuar se procesi i përzgjedhjes po shkon drejt përfundimit.

    Sipas komunës, ky projekt është pjesë e nismës për krijimin e një sheshi monumental kushtuar Adem Jasharit, për të nderuar figurën e tij historike dhe rolin në historinë e Kosovës.

    Më herët, zyrtarë komunalë kanë zhvilluar edhe takime konsultative me përfaqësues të familjes Jashari lidhur me lokacionin dhe konceptin e projektit.

    Shpallja e fituesit pritet të hapë fazën e realizimit të projektit në terren në periudhën e ardhshme.

  • Publikohen çmimet e reja të derivateve në Kosovë – kaq do të kushtojë nafta, benzina dhe gazi sot

    Publikohen çmimet e reja të derivateve në Kosovë – kaq do të kushtojë nafta, benzina dhe gazi sot

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit ka bërë publike çmimet e reja maksimale të lejuara për derivatet e naftës për ditën e sotme.

    Sipas vendimit të publikuar, çmimi maksimal i naftës është caktuar 1.55 euro për litër, ndërsa benzina do të shitet deri në 1.49 euro për litër.

    Ndërkaq, qytetarët do ta paguajnë gazin me çmim maksimal prej 0.74 euro për litër.

    Këto çmime vlejnë për 24 orë dhe janë të obligueshme për të gjitha pikat e shitjes së derivateve në vend.

  • Shefi i spiunazhit rus pretendon se NATO-ja po planifikon një “konflikt të madh në lindje”

    Shefi i spiunazhit rus pretendon se NATO-ja po planifikon një “konflikt të madh në lindje”

    Shefi i spiunazhit të Rusisë, Sergei Naryshkin ka akuzuar NATO-n se po përgatitet për një “konflikt të madh në lindje”, sipas agjencisë shtetërore ruse të lajmeve RIA.

    Sergei Naryshkin, kreu i shërbimit të inteligjencës së jashtme ruse SVR, ka pretenduar se aleanca po bën përgatitje praktike për një konflikt të tillë.

    Ai është cituar gjithashtu të ketë thënë se Bashkimi Evropian po armatoset me shpejtësi dhe po shndërrohet në një aleancë ushtarake “të drejtuar kundër Rusisë”.

  • Gjykata e Lartë rrëzon kërkesën, Erion Veliaj mbetet në burg

    Gjykata e Lartë rrëzon kërkesën, Erion Veliaj mbetet në burg

    Gjykata e Lartë në Shqipëri ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” për Erion Veliajn, duke rrëzuar kësisoj rekursin e kryebashkiakut.

    Me këtë vendim, Veliaj do të vazhdojë të qëndrojë në qelitë e paraburgimit të Durrësit, raporton A2CNN.

    Shqyrtimi i këtij rekursi vjen vetë tre ditë pasi Gjykata Kushtetuese pranoi pjesërisht ankimin e kryebashkiakut kundër masës “arrest në burg” të caktuar në 3 shkallët e gjyqësorit.

    Kushtetuesja ktheu çështjen për rigjykim në Gjykatën e Lartë, pasi konstatoi se kjo gjykatë nuk kishte arsyetuar në vendim disa nga pretendimet e Veliajt.

  • Në korrik nis gjykimi ndaj 21 të akuzuarve për masakrën e Reçakut

    Në korrik nis gjykimi ndaj 21 të akuzuarve për masakrën e Reçakut

    Në Gjykatën Themelore në Prishtinë më 20 korrik 2026 pritet të mbahet seanca fillestare ndaj 21 të akuzuarve për masakrën e Reçakut.

    Kështu konfirmoi për “Betimi për Drejtësi“, Mirlinda Gashi, zëdhënëse e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

    Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 30 dhjetor 2025 ka ngritur aktakuzë, me propozim për gjykim në mungesë, ndaj 21 personave për veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile”, konkretisht për masakrën e Reçakut. Ata akuzohen për vrasjen e 42 civilëve më 15 janar 1999.

    “Të pandehurit O.S.,R. M., K.J., G. R., Ž.T., B. J., M. L., R. M., D. DJ., B.M., D. J., M. Š., D. A., S. V. , B. M., Z. S., M. J., G. P., D. N., Č. A. dhe Z. J., akuzohen se gjatë një operacioni të foracve policore serbe, më 15 janar 1999, në fshatin Reçak të Komunës së Shtimes, kanë vrarë dyzet e dy (42) civilë”, thuhej në njoftimin e Prokurorisë.

    Të akuzuarit ngarkohen se si pjesëtarë të Ushtrisë së ish-Jugosllavisë dhe si pjesëtarë të MUP-it serb, kanë kryer edhe trajtim çnjerëzor, shkatërrim të pasurisë, dëbim masiv dhe spastrim etnik të popullsisë civile.

    “Sipas aktakuzës, në periudhën 1998 – 1999, të pandehurit, në bashkëkryerje, si pjesëtarë të Ushtrisë së ish-Jugosllavisë, Brigadës ‘’243 të Mekanizuar ’’, Armatës së III- të, e njohur si ‘’Korpusi i Prishtinës’’, si dhe pjesëtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MUP), kanë kryer edhe trajtim çnjerëzor, shkatërrim të pasurisë, dëbim masiv dhe spastrim etnik të popullsisë civile”, thuhej në njoftim.

    Sipas PSRK-së, hetimet kanë vërtetuar se të pandehurit kanë ushtruar dhunë fizike ndaj civilëve, duke i rrahur me kondakë armësh, shqelma, dru, zinxhirë dhe mjete të tjera të forta.

    “Të pandehurit fillimisht e rrethuan fshatin Reçak nga vendet e quajtura ‘’Pishat“, ‘’Gështenjat“ dhe ‘’Çesta“. Më pas, nga distanca e granatuan fshatin me mjetet ushtarake, kontrolluan shtëpi më shtëpi, dhe ndanë burrat nga gratë dhe fëmijët, ku i detyruan të largohen nga fshati, ndërsa burrat e ndaluar i ekzekutuan. Hetimet kanë vërtetuar se të pandehurit kanë ushtruar dhunë fizike ndaj civilëve, duke i rrahur me kondakë armësh, shqelma, dru, zinxhirë dhe mjete të tjera të forta. Rreth 20.000 civilë të fshatrave Reçak, Topill, Petrovë, Kraisht, Mullapolc, Dremjak ishin dëbuar nga shtëpitë e tyre”, njoftoi PSRK.

    Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, bazuar në Kodin e Procedurës Penale, i ka propozuar Gjykatës Themelore në Prishtinë mbajtjen e gjykimit në mungesë, meqenëse të pandehurit janë të paarritshëm për organet e drejtësisë. /BetimipërDrejtësi

  • Parlamenti i Ukrainës miraton paketën historike të ndihmës së BE-së me vlerë 90 miliardë euro

    Parlamenti i Ukrainës miraton paketën historike të ndihmës së BE-së me vlerë 90 miliardë euro

    Parlamenti i Ukrainës miratoi të enjten një kredi prej 90 miliardë eurosh nga Bashkimi Evropian, sipas Komisionit Evropian.

    Mbështetja me kredi pritet t’i sigurojë Ukrainës fonde kritike për mbrojtjen e saj, veçanërisht për të forcuar mbrojtjen e saj ajrore.

    Këshilli Evropian e kishte miratuar marrëveshjen në prill, pasi Hungaria dhe Sllovakia i hoqën kundërshtimet e tyre, duke i dhënë fund një periudhe të zgjatur mosmarrëveshjesh që kishte bllokuar paketën më të madhe financiare të BE-së për Kievin.

    Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, duke iu referuar miratimit, foli për “një nga votat më të rëndësishme” , duke falënderuar deputetët që e ratifikuan shpejt marrëveshjen.

    Pagesa në dy këste vjetore

    Financimi do të shpërndahet në dy këste vjetore prej 45 miliardë eurosh , me afërsisht dy të tretat që do të shkojnë për shpenzimet e mbrojtjes dhe pjesa tjetër për buxhetin e shtetit.

    BE-ja e ka paraqitur ndihmën si një kredi, por Ukraina do ta shlyejë atë vetëm nëse merr kompensim në të ardhmen nga Rusia – një skenar që konsiderohet i pamundur. BE-ja do të mbulojë gjithashtu interesin, shkruan Euronews.al.

    Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se pagesat e para priten në qershor.