ATV

Category: Lajme

  • 3 persona plagosën me thikë nga një person që bërtiste ‘Allahu Ekber’ në një stacion treni afër Cyrihut

    3 persona plagosën me thikë nga një person që bërtiste ‘Allahu Ekber’ në një stacion treni afër Cyrihut

    Tre persona kanë mbetur të plagosur pasi një burrë i ka sulmuar me thikë në një stacion treni në qytetin zviceran Winterthur, pranë Cyrihut, ka bërë të ditur policia lokale të enjten.

    Policia ka thënë se sulmi ka ndodhur rreth orës 06:30 dhe se autori i dyshuar, një shtetas zviceran 31-vjeçar, është arrestuar.

    Tre viktimat e sulmit po marrin kujdes spitalor, sipas deklaratës së policisë.

    Gazeta zvicerane Blick ka thënë se ka siguruar një video që tregon një burrë duke vrapuar jashtë hollit të stacionit duke bërtitur “Allahu Akbar”, një frazë arabe që do të thotë “Zoti është i madh”.

    Gazeta citoi një dëshmitar okular i cili ka thënë se burri mbante një thikë, ndërsa njerëzit përreth tij bërtisnin dhe iknin. Incidenti ka shkaktuar një operacion të madh policor, shkruan gazeta.

    Policia ka thënë se motivi i sulmit po hetohet.

  • Haxhiu pret në takim kryesuesin dhe sekretaren e përgjithshme të Këshillit Konsultativ për Komunitete

    Haxhiu pret në takim kryesuesin dhe sekretaren e përgjithshme të Këshillit Konsultativ për Komunitete

    U.d. presidentja e Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka pritur sot në një takim kryesuesin dhe sekretaren e përgjithshme të Këshillit Konsultativ për Komunitete.

    Në takim u diskutua për rolin e këshillit si mekanizëm i rëndësishëm i komunikimit ndërmjet komuniteteve dhe institucioneve të republikës, si dhe për nevojën që shqetësimet, propozimet dhe prioritetet e komuniteteve të trajtohen me kujdes të rregullt institucional.

    Haxhiu theksoi se barazia merr kuptim kur qytetarët kanë qasje në institucione, në shërbime dhe në vendimmarrje.

    Ajo konfirmoi përkushtimin e presidencës për bashkëpunim të vazhdueshëm me këshillin, në shërbim të të drejtave, përfaqësimit dhe pjesëmarrjes së të gjitha komuniteteve në jetën publike të Republikës së Kosovës.

  • Arrestohet një grua në Prishtinë, dyshohet se sulmoi me thikë një burrë

    Arrestohet një grua në Prishtinë, dyshohet se sulmoi me thikë një burrë

    Një grua është arrestuar në Prishtinë pasi dyshohet se sulmoi me thikë një burrë

    Sipas raportit 24 orësh të Policisë, rasti u iniciua si “Lëndim i rëndë trupor”, kurse e dyshuara fillimisht u dërgua për trajtim në Psikiatri e më pas në mbajtje.

    “Prishtinë 27.05.2026 – 13:30. Është arrestuar e dyshuara femër kosovar pasi që dyshohet se ka sulmuar me thikë viktimën mashkull kosovar i cili është dërguar për tretman mjekësor. Lidhur me rastin e dyshuara është dërguar për tretman mjekësor në spitalin psikiatrik dhe më pas me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, njofton Policia.

  • Kallas thotë se ShBA-ja dhe Irani janë në një ‘gjendje të çuditshme midis luftës dhe paqes’

    Kallas thotë se ShBA-ja dhe Irani janë në një ‘gjendje të çuditshme midis luftës dhe paqes’

    Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme, Kaja Kallas, ka deklaruar se situata në Lindjen e Mesme do të jetë në fokus të diskutimeve të ministrave të jashtëm të BE-së, në një takim që po mbahet në Qipro.

    Duke folur për gazetarët me të mbërritur në takim, Kallas ka thënë se Bashkimi Evropian kishte pritur nënshkrimin e një marrëveshjeje, por deri tani kjo nuk ka ndodhur.

    “Ne po prisnim nënshkrime në marrëveshje, deri tani nuk i kemi”, ka deklaruar ajo.

    Ajo është ndalur edhe te situata në Ngushticën e Hormuzit, të cilën e ka përshkruar si të paqëndrueshme.

    “Në këtë moment, Ngushtica e Hormuzit është në një gjendje të çuditshme mes luftës dhe paqes”, ka thënë Kallas.

    Sipas saj, liria e lundrimit është në interes të të gjithëve, ndërsa ka paralajmëruar se bota po paguan një “çmim shumë të lartë” për zhvillimet aktuale në rajon.

  • Policia kërkon ndihmën e qytetarëve për identifikimin e të dyshuarit për mashtrim me kartela bankare

    Policia kërkon ndihmën e qytetarëve për identifikimin e të dyshuarit për mashtrim me kartela bankare

    Policia e Kosovës ka kërkuar bashkëpunimin e qytetarëve për identifikimin e një personi të dyshuar për veprën penale “Keqpërdorimi i kartelave të bankës apo të kreditit”, në Prishtinë.

    Në kuadër të këtij rasti, Policia ka publikuar edhe fotografinë e të dyshuarit.

    “Sektori i Hetimeve të Kryeqytetit, me autorizim nga prokuroria kompetente, kërkon ndihmë nga qytetarët në ofrimin e informatave, të cilat do të ndihmonin në identifikimin e personit që shihet në fotografi. Personi i dyshuar kërkohet për përfshirje në veprën penale ‘Keqpërdorimi i kartelave të bankës apo të kreditit’”, thuhet në njoftim.

  • Gati 500,000 ushtarë rusë të vrarë në luftën në Ukrainë, thonë nga agjencia britanike e inteligjencës

    Gati 500,000 ushtarë rusë të vrarë në luftën në Ukrainë, thonë nga agjencia britanike e inteligjencës

    Pothuajse 500,000 ushtarë rusë janë vrarë që kur ajo filloi pushtimin e saj të plotë të Ukrainës në vitin 2022, sipas agjencisë më të madhe të spiunazhit në Mbretërinë e Bashkuar.

    Numrat u zbuluan nga drejtoresha e GCHQ, Anne Keast-Butler në fjalimin e saj publik përurues, teksa parashtronte kërcënimet me të cilat përballet Mbretëria e Bashkuar dhe masat që ajo beson se duhen marrë për t’u përballur me to.

    Shefja e spiunazhit paralajmëroi se Mbretëria e Bashkuar është në një “moment pasojash” me Rusinë që “shënjestron pa pushim” infrastrukturën kritike në të gjithë vendin, transmeton Telegrafi.

    Ajo gjithashtu fajësoi Kremlinin për një varg komplotesh spiunazhi në tokën britanike dhe, së fundmi, për një ‘luftë hibride’ të pashpallur kundër Britanisë së Madhe dhe vendeve të tjera të NATO-s.

    Ndërsa Kievi dhe Moska kanë publikuar rregullisht vlerësimet e humbjeve të palës tjetër, ata kanë hezituar të detajojnë të tyret.

    Megjithatë, në shkurt, presidenti Volodymyr Zelensky tha se Ukraina kishte humbur 55,000 ushtarë që nga viti 2022.

    BBC News Russian ka numëruar humbjet ruse të luftës së bashku me median e pavarur Mediazona dhe një grup vullnetarësh që nga shkurti i vitit 2022.

    Mbahet një listë e individëve me emër, vdekjet e të cilëve u konfirmuan duke përdorur raporte zyrtare, gazeta, media sociale dhe përmendore dhe varre të reja.

    BBC deri më tani ka qenë në gjendje të konfirmojë emrat e 223,539 ushtarëve dhe oficerëve, të vrarë duke luftuar për palën ruse në Ukrainë.

    Numri real i vdekjeve besohet të jetë shumë më i lartë dhe ekspertët ushtarakë që janë konsultuar besojnë se analiza jonë e varrezave, memorialeve të luftës dhe nekrologjive mund të përfaqësojë 45-65% të totalit.

    Duke folur nga Bletchley Park, shtëpia e thyerjes së kodeve gjatë Luftës së Dytë Botërore, Keast-Butler veçoi Rusinë për “shënjestrimin e infrastrukturës kritike, proceseve demokratike, zinxhirëve të furnizimit dhe besimit publik”. Kremlini i ka mohuar akuzat.

    Keast-Butler paralajmëroi gjithashtu se Rusia dhe Kina po investojnë shumë në hapësirë, për qëllime paqësore dhe ushtarake.

    GCHQ po punon pa u lodhur për të shmangur sulmet kibernetike, tha ajo, si dhe kundër asaj që ajo e quajti “sabotazh i pamatur dhe tentativa për vrasje”.

    “Përballë një agresioni dhe kaosi të tillë, GCHQ po punon pa u lodhur me partnerët e inteligjencës dhe mbrojtjes për të degraduar dhe zvogëluar kërcënimin rus”, shtoi ajo.

    Kremlini, i cili mohon akuzat, është fajësuar për vrasjen e ish-oficerit të KGB-së, Alexander Litvinenko, pasi polonium radioaktiv iu fut në çaj në një hotel në Londër në vitin 2006.

    Ai u fajësua gjithashtu për tentativën për vrasjen e një ish-oficeri të inteligjencës ushtarake ruse, Sergei Skripal, në Salisbury në vitin 2018, pasi agjenti nervor vdekjeprurës Novichok u lyer në dorezën e derës së tij të përparme.

    Kohët e fundit, që nga pushtimi i plotë i Rusisë në Ukrainë dhe mbështetja e vazhdueshme e Mbretërisë së Bashkuar për Ukrainën, Moska është akuzuar për një “luftë hibride” kundër vendeve perëndimore.

    Në fjalimin e saj, shefi i GCHQ shtoi: “Ndërsa ne mbetemi të palëkundur në mbështetjen tonë për Ukrainën, Putini po shkon prapa në fushën e betejës”.

    Qindra anije të ashtuquajtura “flota hije” ruse kanë hyrë gjithashtu në ujërat e Mbretërisë së Bashkuar që kur kryeministri kërcënoi se do t’i kapte në fillim të këtij viti, sugjeroi një analizë e BBC Verify. /Telegrafi/

  • Vdes zyrtarja policore, sindikata e policisë shpreh ngushëllime

    Vdes zyrtarja policore, sindikata e policisë shpreh ngushëllime

    Është ndarë nga jeta zyrtarja policore, Hatixhe Potera.

    Sindikata e Policisë së Kosovës ka shprehur ngushëllime për vdekjen e së ndjerës.

    “Me rastin e vdekjes së zyrtares policore, Hatixhe Potera, familjes, miqve dhe gjithë pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, ju shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta” , thuhet në telegramin e ngushëllimit.

  • Kosova merr nën kontroll hekurudhën në veri, Sveçla: Është pjesë e rrjetit tonë

    Kosova merr nën kontroll hekurudhën në veri, Sveçla: Është pjesë e rrjetit tonë

    Ministrat në detyrë, Dimal Basha, Xhelal Sveçla dhe Artane Rizvanolli morën pjesë në aksionin e policisë për marrjen nën kontroll të stacioneve hekurudhore në Zveçan dhe Leposaviq.

    Në këto dy komuna, stacionet e trenit kishin tabela në cirilik, tabela këto që u zëvendësuan me emërtimin në gjuhën shqipe dhe serbe, bashkë me stemën dhe emërtimin e Republikës së Kosovës, shkruan IndeksOnline.

    Objektet tani e tutje do të menaxhohen nga Infrakos-i, nën autoritetet e Kosovës.

    Pas aksionit në njërën prej komunave, Sveçla deklaroi se u mor nën kontroll edhe një tjetër institucion paralel serb, me Kosovën që planifikon të përshtatë dhe rifillojë punën në këtë stacion.

    “Kjo është pjesë e rrjetit tonë dhe, siç theksoi ministri i Infrastrukturës, kjo do të jetë edhe pjesë e projekteve të rindërtimit të të gjithë rrjetit hekurudhor të Republikës së Kosovës”, tha Sveçla.

  • Shpërthen zjarri në një shkollë në Kenia, humbin jetën 16 nxënës

    Shpërthen zjarri në një shkollë në Kenia, humbin jetën 16 nxënës

    Gjashtëmbëdhjetë nxënës kanë humbur jetën në një zjarr që shpërtheu në një shkollë me konvikt në Gilgil, rreth 120 kilometra në perëndim të kryeqytetit kenian Nairobi, ka bërë të ditur një polic për gazetarët në vendin e ngjarjes.

    Sipas tij, edhe 74 nxënës të tjerë po marrin trajtim në spital si pasojë e lëndimeve të marra.

    Zjarri në shkollën “Utumishi Girls” ka nisur në orët e hershme të mëngjesit të së enjtes, kur nxënëset po flinin, sipas Kryqit të Kuq të Kenias dhe policisë.

    Policia ka bërë të ditur se operacionet e kërkim-shpëtimit janë duke vazhduar, ndërsa ende nuk është përcaktuar shkaku i zjarrit. Kryqi i Kuq i Kenias ka njoftuar se ekipet emergjente janë në terren për të ofruar ndihmë, raporton BBC – transmeton Sinjali.

    “Është një situatë e dhimbshme dhe tronditëse”, ka deklaruar komandanti i policisë Masoud Mwinyi, duke folur para prindërve dhe qytetarëve të mbledhur jashtë shkollës.

    Zjarret në shkollat me konvikt në Kenia nuk janë të rralla, me disa incidente vdekjeprurëse të regjistruara në vitet e fundit. Mbipopullimi në konvikte dhe mosrespektimi i rregullave të sigurisë shpesh janë përmendur si arsye për numrin e lartë të viktimave.

    Sipas policisë, zjarri ka shpërthyer rreth orës 01:00 sipas kohës lokale dhe ka përfshirë një bllok konvikti ku jetonin rreth 220 nxënës.

    Komandanti Mwinyi ka thënë se hetimet janë duke vazhduar, ndërsa shkolla është rrethuar dhe në të lejohen të hyjnë vetëm prindërit.

    Një familjare e një nxënëseje ka treguar se familjarët që mbërritën në vendngjarje janë përballur me kaos dhe frikë, pasi fillimisht është raportuar për viktima dhe të lënduar.

    Ajo ka thënë se disa nxënës janë lënduar pasi janë hedhur nga kati i sipërm i konviktit gjatë përpjekjeve për t’u shpëtuar flakëve. Sipas saj, mbesa e saj ka mbijetuar, por ka thyer këmbën.

  • Nis fushata për zgjedhjet e parakohshme, KQZ tregon rregullat e procesit

    Nis fushata për zgjedhjet e parakohshme, KQZ tregon rregullat e procesit

    Ka nisur zyrtarisht këtë të enjte fushata zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë, e cila do të zgjasë deri më 7 qershor, në orën 07:00, kur edhe hapen Qendrat e Votimit.

    Sipas të dhënave të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), në këtë proces zgjedhor janë certifikuar 21 subjekte politike, ndërsa në garë për ulëse në Kuvend janë gjithsej 902 kandidatë për deputetë.

    Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi për Ekonomia Online ka bërë të ditur se kohëzgjatja e fushatës është e përcaktuar me ligj dhe do të zhvillohet për 10 ditë e shtatë orë. Ai ka rikujtuar se, bazuar në ndryshimet ligjore të miratuara në vitin 2023, fushata përmbyllet në momentin kur hapen qendrat e votimit në ditën e zgjedhjeve.

    “Për 10 ditë e 7 orë, 21 subjektet politike me 902 kandidatët për deputetë do të mund të zhvillojnë aktivitetet e tyre në kuadër të fushatës zgjedhore. Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, i miratuar në vitin 2023, fushata zgjedhore përfundon me hapjen e qendrave të votimit në ditën e zgjedhjeve. Pra, ashtu si në zgjedhjet parlamentare dhe lokale të vitit 2025, dita e shtunë nuk do të jetë heshtje zgjedhore”, tha  Elezi.

    Elezi ka sqaruar gjithashtu se trajtimi i ankesave për shkelje eventuale gjatë fushatës nuk është kompetencë e KQZ-së, por e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).

    Megjithatë, sipas tij, KQZ do të ketë rol monitorues gjatë gjithë periudhës së fushatës, përmes angazhimit të monitoruesve në të gjitha komunat e vendit, të cilët do të përcjellin aktivitetet e subjekteve politike dhe do të hartojnë raporte lidhur me organizimin e tubimeve, reklamave dhe materialeve promovuese.

    “Sipas ligjit, KQZ nuk i trajton ankesat për shkelje gjatë fushatës zgjedhore, pasi kjo është detyrë e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa. Megjithatë, KQZ ka rol në monitorimin e organizimit të takimeve, fushatave reklamuese dhe materialeve të tjera promovuese. Përmes Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike, do të angazhohen monitorues në të gjitha komunat e Kosovës, të cilët do të përgatisin raporte për aktivitetet e subjekteve politike. Këto raporte do të shfrytëzohen si burim informacioni për evidentimin dhe krahasimin me të dhënat e deklaruara në raportin financiar të fushatës, të cilin e dorëzojnë subjektet politike”, tha Elezi.