ATV

Category: Lajme

  • Hezbollah lëshon 15 raketa drejt Izraelit gjatë natës

    Hezbollah lëshon 15 raketa drejt Izraelit gjatë natës

    Hezbollahu dyshohet se ka ndërmarrë një seri sulmesh me raketa ndaj Izraelit gjatë natës. Mediat shtetërore iraniane raportuan se grupi i mbështetur nga Teherani ka lëshuar 15 raketa drejt veriut të Izraelit “në përgjigje të sulmeve izraelite”.

    Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) nuk e kanë konfirmuar ende këtë shifër, por në kanalin e tyre në Telegram raportuan për disa sulme të tentuara gjatë natës.

    IDF nuk ka njoftuar për të plagosur, por bëri të ditur se një goditje është identifikuar në zonën e Kiryat Shmona, në veri të Izraelit.

    Ky zhvillim vjen pasi kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, njoftoi se trupat izraelite kanë kaluar në veri të lumit Litani, që është kufiri i mëparshëm i zonës tampon, duke zgjeruar operacionet ushtarake kundër Hezbollahut.

    Gjatë një vizite pranë kufirit verior të Izraelit, Netanyahu deklaroi: “Forcat tona kanë kaluar lumin Litani; ato kanë avancuar drejt pozicioneve strategjike. Ne po operojmë në Bejrut, në Luginën Bekaa, përgjatë gjithë vijës së frontit dhe po i shkaktojmë Hezbollahut një goditje shkatërruese.”

    Nuk është ende e qartë se sa kontroll ushtron Izraeli në këto zona të reja dhe çfarë roli po luan qeveria libaneze në terren.

    Lumi Litani konsiderohej më parë kufiri i zonës tampon që Izraeli synonte të krijonte në jug të Libanit. Gjithashtu, sipas Rezolutës 1701 të OKB-së, ai shërbente si vijë ndarëse e një zone të çmilitarizuar, e cila tani ndodhet nën kontrollin e forcave izraelite.

    Sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Libanit, më shumë se një milion persona janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre në jug të vendit, ndërsa mbi 3 mijë persona janë vrarë nga sulmet izraelite.

    Izraeli ka deklaruar se paralajmëron civilët përpara sulmeve dhe se objektivi i operacioneve është vetëm Hezbollahu, grupi i armatosur i mbështetur nga Irani.

    Korrespondentja speciale e Sky News, Alex Crawford, tha se ushtria izraelite ka lëshuar tashmë urdhra të detyrueshëm evakuimi për rreth 15% të territorit të Libanit.

    Ndërkohë, Irani ka bërë të qartë se çdo marrëveshje për t’i dhënë fund përballjes së tij me SHBA-të duhet të përfshijë edhe ndërprerjen e luftimeve mes Izraelit dhe Hezbollahut.

    Luftimet mes Izraelit dhe Hezbollahut në Liban duhej të ishin pezulluar në kuadër të një zgjatjeje të armëpushimit, pas përplasjes së fundit që nisi në fillim të muajit mars.

  • Vrasja në Breg të Diellit, Gjykata aprovon kërkesën e Prokurorisë për 1 muaj paraburgim për të dyshuarin

    Vrasja në Breg të Diellit, Gjykata aprovon kërkesën e Prokurorisë për 1 muaj paraburgim për të dyshuarin

    Gjykata Themelore në Prishtinë përmes një komunikate për media ka njoftuar se është vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit në çështjen penale ndaj të pandehurit A.P, për veprën penale Vrasje e rëndë.

    “Gjyqtari i procedurës paraprake ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit A.P., duke caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji”, thuhet në njoftim.

    “Pas mbajtjes së seancës dëgjimore, Gjykata vlerësoj se caktimi i masës së paraburgimit në këtë çështje penale është masë adekuate pasi që, ekziston rrezik real që nëse i pandehuri lihet në liri, mund të arratiset me qëllim të fshehjes dhe ikjes nga përgjegjësia penale dhe të pengoj në rrjedhën normale të procedurës penale.Gjykata gjithashtu konsideron se nëse i pandehuri lihen në liri ekziston rreziku që i njëjti do të pengoj rrjedhën e procedurës penale, duke asgjësuar, fshehur, e ndryshuar ose falsifikojë provat e veprës penale apo duke ndikuar në dëshmitarë”, thekson Gykata.

  • McKinney viziton Kosovën, theksohet bashkëpunimi në fushën e sigurisë

    McKinney viziton Kosovën, theksohet bashkëpunimi në fushën e sigurisë

    Gjenerali Chris McKinney, zëvendësdrejtor i Komandës Evropiane të SHBA-së (USEUCOM) për Strategji, Plane dhe Politika, ka zhvilluar këtë muaj vizitën e tij të fundit në Ballkanin Perëndimor.

    Gjatë qëndrimit në Kosovë, ai u takua me komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, të cilin e falënderoi për bashkëpunimin dhe koordinimin shumëvjeçar në funksion të forcimit të sigurisë në Evropën Juglindore.

    McKinney theksoi se progresi i arritur së bashku pasqyron angazhimin e përbashkët për një rajon më të sigurt, më të qëndrueshëm dhe më të begatë.

    “Përparimi që kemi arritur së bashku pasqyron forcën e angazhimit tonë të përbashkët për një Evropë Juglindore të sigurt, të qëndrueshme dhe të begatë”, ka deklaruar ai.

    Në takim u ritheksua mbështetja e vazhdueshme e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për modernizimin e mbrojtjes së Kosovës dhe avancimin e bashkëpunimit rajonal në fushën e sigurisë.

  • Magyar dhe Rutte flasin për angazhimin hungarez në KFOR

    Magyar dhe Rutte flasin për angazhimin hungarez në KFOR

    Kryeministri hungarez, Peter Magyar, të enjten ka zhvilluar një takim me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, ku përpos tjerash, ka folur edhe për angazhimin e vendit të tij në misionin e Aleancës në Kosovë, KFOR.

    Përmes një postimi në Facebook, Magyar tha se vendi i tij do të rikthehet si partner i besueshëm i aleancës më të fuqishme ushtarake dhe mbrojtëse në botë.

    Po ashtu, ai tha se bashkë me sekretarin Rutte janë pajtuar që “ushtarët hungarezë po i kryejnë detyrat e tyre mirë brenda misionit paqeruajtës së NATO-s në Kosovë”, raporton “United24Media“.

    “Për momentin, bashkëpunimi mes Budapestit dhe NATO-s mbetet i kufizuar në pjesëmarrjen e misionit paqeruajtës të aleancës në Kosovë”, shkroi kryeministri hungarez.

    Për më tepër, ai tha se Rutten e ka informuar edhe me vendimin e vendit të tij për të mos dërguar as armatim e as pajisje luftarake në luftën Rusi-Ukrainë.

  • Një muaj paraburgim për Arben Spasollin, që dyshohet se vrau 37-vjeçarin në Mitrovicë

    Një muaj paraburgim për Arben Spasollin, që dyshohet se vrau 37-vjeçarin në Mitrovicë

    Gjykata Themelore në Mitrovicë ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj Arben Spasollit, i dyshuar për vrasjen e 37-vjeçarit Erduan Ibrahimi.

    Sipas njoftimit zyrtar të gjykatës, masa është caktuar nga gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin për Krime të Rënda, pas dyshimeve për kryerjen e veprave penale “Vrasje e rëndë”, “Vrasje në tentativë” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

    Në vendim thuhet se paraburgimi ndaj të dyshuarit do të zgjasë një muaj, duke filluar nga data 27 maj deri më 26 qershor 2026.

    Rasti lidhet me ngjarjen e rëndë që ndodhi në Mitrovicë, ku mbeti i vrarë Erduan Ibrahimi, ndërsa organet e drejtësisë po vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rastit.

  • KQZ akrediton 761 vëzhgues për zgjedhjet e 7 qershorit, refuzon dy organizata

    KQZ akrediton 761 vëzhgues për zgjedhjet e 7 qershorit, refuzon dy organizata

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhjen e mbajtur të premten ka akredituar 761 vëzhgues për vëzhgimin e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 7 qershor 2026, ndërsa ka refuzuar akreditimin e dy organizatave për shkak të mosplotësimit të kritereve ligjore, raporton Ekonomia Online.

    KQZ miratoi rekomandimin e Zyrës për grupin e parë të organizatave vëzhguese për monitorimin e procesit zgjedhor.

    Drejtori i Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontroll Financiar të Subjekteve Politike, Besnik Buzhala, tha se organizatat e akredituara kanë përmbushur kriteret ligjore për vëzhgimin e zgjedhjeve.

    Ndërkaq, ai bëri të ditur se dy organizata nuk janë akredituar pasi nuk kanë përmbushur kriteret e parapara.

    “Advocacy Center for Democratic Culture , ka aplikuar për tu akredituar me qëllim të vëzhgimit të Zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, datë  07.06.2026. Zyra, pas shqyrtimit dhe vlerësimit të dokumentacionit të paraqitur nga kjo organizatë joqeveritare, ka konstatuar se dokumentacioni i dorëzuar nuk është në përputhje me nenin 54, paragrafi 1 të Ligjit Nr. 08/L-228 për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës. Nga analiza e statutit, dhe fushë veprimtarisë së organizatës në fjalë, rezulton se ajo nuk zhvillon veprimtari që ndërlidhen me proceset zgjedhore, apo mbrojtjen e të drejtave të njeriut, siç kërkohet shprehimisht nga dispozitat ligjore në fuqi për akreditimin e vëzhguesve të zgjedhjeve. Zyra i rekomandon KQZ-së, refuzimin e kërkesës për akreditim të “Advocacy Center for Democratic Culture” për Zgjedhjet e Parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat do të mbahen më 7 qershor 2026”, tha ai.

    Po ashtu, Buzhala tha se Zyra ka rekomanduar refuzimin e akreditimit edhe për organizatën “Odbor za kontrolu i opservaciju”, pasi ka përdorur terminologjinë “Kosovë dhe Metohi”, formulim ky që bie ndesh me rendin kushtetues dhe juridik të Republikës së Kosovës.

    “Odbor za kontrolu i opservaciju, ka aplikuar për tu akredituar me qëllim të vëzhgimit të Zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, datë  07.06.2026. Zyra, gjatë shqyrtimit dhe vlerësimit të dokumentacionit të paraqitur nga kjo organizatë ndërkombëtare, ka konstatuar se në dokumentacionin zyrtar të saj i është referuar Republikës së Kosovës me terminologjinë “Kosovë dhe Metohi”, formulim ky që bie ndesh me rendin kushtetues dhe juridik të Republikës së Kosovës. Përdorimi i një emërtimi të tillë cenon drejtpërdrejt subjektivitetin shtetëror, integritetin kushtetues dhe rendin juridik të Republikës së Kosovës, siç përcaktohet me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, përkatësisht me nenin 1 të saj, ku përcaktohet se Republika e Kosovës është shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik dhe i pandashëm”. Përdorimi i kësaj terminologjie është në kundërshtim edhe me parimet themelore kushtetuese mbi sovranitetin, identitetin shtetëror dhe respektimin e rendit juridik të Republikës së Kosovës nga çdo subjekt që kërkon akreditim dhe ushtrim të aktivitetit në territorin e Republikës së Kosovës. Për rrjedhojë, duke u bazuar në dispozitat kushtetuese dhe ligjore në fuqi, si dhe në obligimin institucional për mbrojtjen e rendit kushtetues dhe ligjor të Republikës së Kosovës, Zyra vlerëson se nuk janë plotësuar kushtet ligjore për aprovimin e kërkesës për akreditim të kësaj organizate. Zyra i rekomandon KQZ, refuzimin e kërkesës për akreditim të “Odbor za kontrolu i opservaciju” për Zgjedhjet e Parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat do të mbahen më 7 qershor 2026”, tha ai.

    Vëzhguesit e akredituar përfaqësojnë 5 organizata joqeveritare, 1 organizatë ndërkombëtare, 13 media vendore, 7 media ndërkombëtare, 2 ambasada dhe 1 institucion vendor.

    OJQ VENDORE:

    1.         INTERNEWS KOSOVA – 23 vëzhgues;

    2.         BIRN KOSOVO – 45 vëzhgues;

    3.         Demokracia për Zhvillim (D4D) – 6 vëzhgues;

    4.         Kosova Democratic Institute – 305 vëzhgues;

    5.         Syri i Vizionit – 153 vëzhgues.

    ORGANIZATË NDËRKOMBËTARE:

    1.         Nacional Democratic Institute – 14 vëzhgues.

    MEDIA VENDORE:

    1.         Urgjent Inc. – 3 vëzhgues;

    2.         Albswiss Media SHPK – 2 vëzhgues;

    3.         VIM INFO DOO – 14 vëzhgues;

    4.         Telegrafi – 6 vëzhgues;

    5.         Lajmi.net – 4 vëzhgues;

    6.         KoSSev – 5 vëzhgues;

    7.         Zëri – 3 vëzhgues;

    8.         Gazeta Ekskluzive – 2 vëzhgues;

    9.         Kontakt Kosvska Mitrovica/Kontakt Plus – 4 vëzhgues;

    10.       TV DUKAGJINI – 38 vëzhgues;

    11.       RTV PULS D.O.O – 7 vëzhgues;

    12.       Radio Kim – 3 vëzhgues;

    13.       KOHA – 23 vëzhgues.

    MEDIA NDËRKOMBËTARE:

    1.         The Associated Press – 8 vëzhgues;

    2.         Novinska agencija Tanjug i Tanjug televizija – 4 vëzhgues;

    3.         Top News – 5 vëzhgues;

    4.         European Pressphoto Agency (EPA Images) – 1 vëzhgues;

    5.         Mondo Inc doo – Kurir televizija – 2 vëzhgues;

    6.         Radio Evropa e Lire – 3 vëzhgues;

    7.         GERMAN RADIO &TV ARD – 3 vëzhgues.

    PËRFAQËSI DIPLOMATIKE:

    1.         Ambasada e Japonisë në Kosovë – 4 vëzhgues;

    2.         Ambasada e Italisë në Prishtinë – 4 vëzhgues.

    INSTITUCION VENDOR:

    1.         Institucioni i Avokatit të Popullit – 67 vëzhgues.

    Në këtë mbledhje, KQZ-ja miratoi edhe rekomandimin për pezullimin e partisë politike të regjistruar “EKO LËVIZJA E GJELBËR”.

    Sipas Buzhalës, pezullimi është rekomanduar për shkak të mosmbajtjes së kuvendit zgjedhor të partisë brenda afatit shtesë të dhënë nga KQZ-ja.

  • Zjarr i madh në Dolak, përfshihet nga flakët shtëpia e familjes Pllana

    Zjarr i madh në Dolak, përfshihet nga flakët shtëpia e familjes Pllana

    Një incident i rëndë ka ndodhur në orët e vona të natës në fshatin Dolak të Vushtrrisë, ku një zjarr ka përfshirë shtëpinë e Driton Pllanës, djalit të martirit Sabri Hashim Pllana.

    Pas kësaj, familja Pllana është përballur me dëme të konsiderueshme materiale.

    Sipas banorëve të zonës, prej një kohe të gjatë janë ngritur ankesa lidhur me problemet në rrjetin elektrik të lagjes. Ata pretendojnë se kanë kërkuar vazhdimisht ndërhyrje nga institucionet dhe ekipet përgjegjëse, të cilat, sipas tyre, kanë evidentuar probleme teknike gjatë inspektimeve në terren.

    Banorët thonë se shqetësimet e tyre nuk janë trajtuar me seriozitetin e duhur dhe kërkojnë që rasti të hetohet deri në fund për të sqaruar shkakun e zjarrit.

    “Nëse paralajmërimet e qytetarëve do të trajtoheshin me kohë, pasojat do të mund të shmangeshin. Dëmet nuk janë vetëm materiale, por prekin drejtpërdrejt jetën e familjeve”, thuhet në reagimet e bëra publike.

    Deri tani nuk ka një version zyrtar mbi shkaqet e incidentit, ndërsa pritet që autoritetet kompetente të dalin me informacione shtesë pas hetimeve.

  • Dështon seanca në rigjykimin ndaj Cedomir Aksiqit për krime lufte, mungoi avokati mbrojtës

    Dështon seanca në rigjykimin ndaj Cedomir Aksiqit për krime lufte, mungoi avokati mbrojtës

    Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të premten, ka dështuar të mbahet seanca në rigjykim ndaj të akuzuarit për krime lufte, Cedomir Aksiq, për arsye shëndetësore të mbrojtësit të të akuzuarit, avokatit Ymer Berisha.

    Ky proces po zhvillohet pas vendimit të Gjykatës së Apelit, e cila e ktheu lëndën në rigjykim, duke kërkuar plotësimin e kushteve për gjykim në mungesë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Mbrojtësi i të akuzuarit Aksiq, avokati Ymer Berisha, më 29 maj 2026, ka njoftuar Gjykatën se për shkaqe shëndetësore nuk mund të prezantojë në seancën e së premtes, duke bashkëngjitur edhe raportin shëndetësor, në të cilin i propozohet regjim shtrati.

    Prezentë në sallën e gjykimit ishin: prokurorja Habibe Salihu dhe përfaqësuesi i viktimave, Ibrahim Terstena.

    Në mungesë të kushteve ligjore, për shkak të mungesës së avokatit mbrojtës, seanca e së premtes u shty për një datë tjetër.

    I akuzuari Aksiq u shpall fajtor dhe u dënua nga Gjykata Themelore në Prishtinë me 15 vite burgim, më 26 dhejtor 2024, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Ndryshe, më 20 nëntor 2023 në Gjykatën Themelore në Prishtinë kishte nisur gjykimi në mungesë ndaj të akuzuarit Çedomir Aksiq, i akuzuar për krime lufte. Gjykimi në mungesë parashihet me Kodin e Ri  të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës.

  • Tornado e fuqishme godet Meksikën, shkakton dëme të mëdha

    Tornado e fuqishme godet Meksikën, shkakton dëme të mëdha

    Një tornado e fuqishme shkaktoi dëme të konsiderueshme në shtetin e Coahuila në Meksikën veriore, duke lënë pas imazhe kaosi dhe dëme të mëdha në objektet bujqësore dhe blegtori.

    Fenomeni ekstrem i motit me erëra të forta që rrëzuan çatitë, shkatërruan strukturat dhe shkaktuan dëme të rënda në ferma, stalla dhe infrastrukturë tjetër në zonë.

    Videot që qarkullojnë në rrjetet sociale kapin momentin kur tornado “gëlltit” gjithçka në rrugën e saj, duke krijuar skena paniku midis banorëve.

    Autoritetet lokale mbeten në gatishmëri dhe po kryejnë kontrolle për të vlerësuar plotësisht dëmet, ndërsa ekipet kanë filluar tashmë operacionet për të regjistruar dhe riparuar dëmet, shkruan Euronews.al.

    Deri më tani, nuk ka raportime për të lënduar ose viktima, megjithatë, autoritetet po u bëjnë thirrje qytetarëve të qëndrojnë të kujdesshëm për shkak të mundësisë së ngjarjeve të reja ekstreme të motit në zonë.

  • Zelensky: Ukraina e gatshme të mbështesë Rumaninë në çdo mënyrë të nevojshme

    Zelensky: Ukraina e gatshme të mbështesë Rumaninë në çdo mënyrë të nevojshme

    Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se Ukraina është e gatshme të ofrojë mbështetje për Rumaninë “në çfarëdo mënyre që është e nevojshme në këto rrethana”.

    Në një postim në rrjetet sociale, Zelensky theksoi gjithashtu nevojën për rritjen e presionit ndërkombëtar ndaj Rusisë, me qëllim që lufta “të mos zvarritet apo të zgjerohet më tej”.

    Ai u shprehu urime për shërim të shpejtë të lënduarve dhe theksoi rëndësinë e masave të reja të Bashkimit Evropian, duke kërkuar që sanksionet ndaj Rusisë të jenë sa më të forta.

    Sipas tij, këto masa duhet ta bëjnë Rusinë të ndiejë pasoja të konsiderueshme për shkak të sulmeve të saj.