ATV

Category: Lajme

  • FSK paralajmëron lëvizje konvojesh drejt Gjakovës – nis ushtrimi “Ujku i Pamposhtur 01”

    FSK paralajmëron lëvizje konvojesh drejt Gjakovës – nis ushtrimi “Ujku i Pamposhtur 01”

    Forca e Sigurisë së Kosovës ka njoftuar qytetarët për lëvizje të konvojeve ushtarake drejt rajonit të Gjakovës në kuadër të një ushtrimi fushor që do të zhvillohet ditëve në vijim.

    Sipas njoftimit zyrtar, nga 31 maji deri më 5 qershor 2026 do të mbahet ushtrimi validues “Ujku i Pamposhtur 01”, i cili përfshin aktivitete të ndryshme stërvitore në terren.

    Gjatë kësaj periudhe, pritet lëvizje e konvojeve të FSK-së nga bazat ushtarake në drejtim të Aeroportit të Gjakovës dhe poligonit në Babaj të Bokës.

    FSK ka bërë thirrje për mirëkuptim nga qytetarët, duke theksuar se të gjitha lëvizjet dhe aktivitetet janë pjesë e planit stërvitor dhe kanë për qëllim ngritjen e gatishmërisë operacionale të forcës.

    Ushtrimi pritet të zgjasë disa ditë dhe përfshin skenarë të ndryshëm trajnimi në kushte reale terreni.

  • Katër raste të armëbajteve pa leje brenda 24-të orëve

    Katër raste të armëbajteve pa leje brenda 24-të orëve

    Gjatë 24-të orëve të fundit në vendin tonë janë shënuar katër raste të armëbajtjeve pa leje.

    Sipas raporti policor rastet janë raportuar në qytetet e Lipjanit, Prishtinës, Malishevës dhe Gjakovës.

    Lipjan / 19.05.2026 – 21:50. Njësiti policor me 28.05.2026 me urdhër të prokurorit nga i dyshuari mashkull kosovar kanë konfiskuar një pistoletë e cila kishte qenë me leje por i dyshuari nuk kishte bërë kërkesë për vazhdimin e lejes. Lënda e rastit procedohet në procedurë të rregullt.

    Prishtinë 28.05.2026, 18:00. Është shoqëruar në stacionin policor i dyshuari mashkull kosovar pasi që gjatë kontrollit në veturën e tij është gjetur dhe sekuestruar një armë me një karikator dhe 10 fishekë. Me vendim të prokurorit pas intervistimit rasti procedohet në procedurë të rregullt.

    Malishevë / 28.05.2026 – 07:10. Njësiti policor ka ndaluar automjetin me traga të shtetit të Austrisë të cilën kishte qenë duke e drejtuar i dyshuari mashkull kosovar, ku gjatë kontrollit në automjet është gjetur dhe konfiskuar një revole me 4 copë fishekë. Në konsultim me prokurorin lënda e rastit procedohet në procedurë të rregullt.

    Gjakovë 28.05.2026, 22:00. Është shoqëruar në stacionin policor i dyshuari mashkull kosovar, pasi që gjatë kontrollit në veturën e tij është gjetur dhe sekuestruar një armë dhe 43 fishekë. Me vendim të prokurorit pas intervistimit rasti procedohet në procedurë të rregullt.

  • Raporti i IKD-së: 25 kandidatë për deputetë të përfshirë në raste penale, prin VV-ja

    Raporti i IKD-së: 25 kandidatë për deputetë të përfshirë në raste penale, prin VV-ja

    Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka publikuar një raport lidhur me kandidatët e certifikuar për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, duke bërë të ditur se 25 prej tyre rezultojnë të përfshirë në raste penale.

    Sipas hulumtuesit të lartë të IKD-së, Gzim Shala, në zgjedhjet e 7 qershorit do të marrin pjesë 21 subjekte politike me gjithsej 902 kandidatë të certifikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

    “Në zgjedhjet e parakohshme të 7 shkurtit do të marrin pjesë 21 subjekte politike të cilat janë certifikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e në të cilat bëjnë pjesë gjithsej 902 kandidatë. Nga këta 902 kandidatë, bazuar në të dhënat e Institutit të Kosovës për Drejtësi, rezulton se 25 prej tyre janë të përfshirë në raste penale. Shprehur në përqindje i bie se 2.77% e totalit të listave të kandidatëve janë persona të cilët kanë ose dënime të formës së prerë ose aktakuza aktive”, tha ai.

    Ai tha se nga ky numër, 25 kandidatë kanë ose aktakuza aktive ose dënime të formës së prerë nga e kaluara.

    “15 prej tyre janë me aktakuza aktive, ndërkaq 13 të tjerë janë persona të cilët në të kaluarën kanë pasur dënime penale. Ndërkaq janë evidentuar edhe 3 raste, 3 kandidatë të cilët përpos aktakuzës aktive në të njëjtën kohë kanë edhe dënime penale”, tha ai.

    Sipas raportit, Lëvizja Vetëvendosje ka numrin më të madh të kandidatëve me probleme me ligjin, gjithsej 13 kandidatë.

    “Sa i përket subjekteve politike, numrin më të madh të kandidatëve të cilët kanë probleme me ligjin e mban Lëvizja Vetëvendosje me gjithsej 13 kandidatë, që në raport me listën e përgjithshme prej 902 kandidatëve pjesëmarrja e këtij subjekti është 1.44%. AAK dhe Lista Serbe kanë nga 3 kandidatë të cilët kanë probleme me ligjin që përbën 0.33% të listës së përgjithshme. PDK-ja me 2 kandidatë që përbën 0.22% të listës së përgjithshme, ndërkaq katër subjekte të tjera kanë të përfshirë nga 1 kandidat i cili ka probleme me ligjin”, tha ai.

    IKD-ja bëri të ditur se veprat penale që dominojnë janë ato që lidhen me korrupsionin zyrtar, ndërsa përdorimi i armës është vepra penale më e shpeshtë në mesin e kandidatëve të përfshirë në raste gjyqësore.

    “Sa i përket kapitujve të veprave penale për të cilat ose janë dënuar ose akuzohen kandidatët në fjalë, sipas kapitujve dominojnë veprat penale të korrupsionit zyrtar, ndërkaq sipas veprave penale, vepra më e shpeshtë është vepra e përdorimit të armës”, tha ai.

  • Supremja refuzon kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë ndaj grupit të dyshuar për narkotikë dhe pastrim parash

    Supremja refuzon kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë ndaj grupit të dyshuar për narkotikë dhe pastrim parash

    Gjykata Supreme e Kosovës ka refuzuar si të pabazuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë në një rast penal që lidhet me një grup të dyshuar për krim të organizuar, trafikim të narkotikëve dhe pastrim parash.

    Sipas vendimit, kërkesa ishte paraqitur nga mbrojtja e njërit prej të pandehurve, por gjykata ka vlerësuar se nuk ka shkelje esenciale të procedurës penale në vendimet e mëparshme të gjykatave më të ulëta.

    Rasti përfshin disa persona të dyshuar për pjesëmarrje në grup kriminal të organizuar, blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të narkotikëve, si dhe për veprën penale të shpërlarjes së parave.

    Gjykata Supreme ka konstatuar se ekzistojnë prova dhe dyshime të bazuara që lidhen me aktivitetin e të pandehurve, përfshirë komunikime dhe të dhëna hetimore të siguruara përmes bashkëpunimit ndërkombëtar.

    Po ashtu, në vendim theksohet se vazhdimi i paraburgimit është i justifikuar për shkak të rrezikut të ikjes, ndikimit në dëshmitarë dhe mundësisë së pengimit të procedurës penale.

    Autoritetet gjyqësore kanë vlerësuar se masa e paraburgimit mbetet e nevojshme duke marrë parasysh peshën e veprave dhe rrezikun e përsëritjes së tyre.

  • Humbi ndjenjat dhe ra në tokë, vdes një person në Kamenicë

    Humbi ndjenjat dhe ra në tokë, vdes një person në Kamenicë

    Një person derisa ishte duke punuar në Kamenicë ka humbur ndjenjat dhe ka rënë në tokë.

    Policia, përmes raportit 24 orësh bën të ditur se viktima është dërguar në QKMF ku mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e tij.

    Ndërsa, me vendim të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion.

    Njoftimi i plotë:

    VDEKJE E DYSHUAR

    Kamenicë 28.05.2026, 17:46. Është raportuar se viktima mashkull kosovar derisa ishte duke punuar ka humbur ndjenjat dhe ka rënë në tokë. Viktima është dërguar në QKMF ku mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e tij. Me vendim të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion.

  • Pesë persona sulmojnë me thikë katër të tjerë në Lipjan, tre nga të dyshuarit arratisen ndërsa dy arrestohen

    Pesë persona sulmojnë me thikë katër të tjerë në Lipjan, tre nga të dyshuarit arratisen ndërsa dy arrestohen

    Dy persona janë arrestuar pasi që të njëjtit pas një mosmarrëveshje së bashku me tre të dyshuar të tjerë të cilët janë arratisur, kanë sulmuar fizikisht me thikë katër persona të tjerë.

    Në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se ngjarja ka ndodhur të enjten rreth orës 20:00, në Lipjan.

    Tutje bëhet e ditur se njëri nga të dyshuarit dhe dy viktimat kanë pranuar tretman mjekësor.

    “Lipjan 28.05.2026, 20:00. Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë pasi që të njëjtit pas një mosmarrëveshje së bashku me tre të dyshuar të tjerë, të cilët kanë ikur në drejtim të panjohur, kanë sulmuar fizikisht me mjet të mprehtë (thikë) katër viktimat meshkuj kosovarë. Njëri nga të dyshuarit dhe dy viktimat kanë pranuar tretman mjekësor, ndërsa me vendim të prokurorit pas intervistimit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje”, thuhet në raport.

  • Rutte: Sjellja e Rusisë është rrezik për të gjithë – NATO do të mbrojë çdo centimetër të territorit aleat

    Rutte: Sjellja e Rusisë është rrezik për të gjithë – NATO do të mbrojë çdo centimetër të territorit aleat

    Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka dënuar ashpër “sjelljen e pamatur të Rusisë”, duke e cilësuar atë si një rrezik të drejtpërdrejtë për sigurinë e vendeve anëtare të Aleancës.

    Në një deklaratë publike, Rutte tha se i ka siguruar presidentit të Rumanisë, Nicușor Dan, se NATO është plotësisht e gatshme të mbrojë “çdo centimetër të territorit aleat”.

    Ai theksoi se Rusia vazhdon sulmet ndaj civilëve dhe infrastrukturës në Ukrainë, duke shtuar se pasojat e luftës nuk kufizohen vetëm brenda territorit ukrainas.

    Sipas tij, incidentet e fundit tregojnë se rreziku i konfliktit po shtrihet përtej kufijve, ndërsa NATO do të vazhdojë të forcojë mbrojtjen kolektive dhe të mbështesë Ukrainën në përballje me agresionin rus.

  • FSK merr pjesë në konferencën e ushtrive evropiane në Gjermani

    FSK merr pjesë në konferencën e ushtrive evropiane në Gjermani

    Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) po merr pjesë në konferencën e ushtrive evropiane, e cila po mbahet në Gjermani, në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.

    Në këtë ngjarje, FSK përfaqësohet nga zëvendëskomandanti i saj, gjeneralmajor Enver Cikaqi, i cili po merr pjesë së bashku me përfaqësues të lartë ushtarakë nga vendet evropiane dhe aleatët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

    Sipas njoftimit zyrtar, konferenca organizohet nga Ushtria amerikane për Evropë dhe Afrikë dhe shërben si platformë për koordinim dhe diskutim mbi sfidat aktuale të sigurisë në Evropë dhe më gjerë.

    Në këtë takim të nivelit të lartë, komandantë të forcave tokësore dhe zyrtarë ushtarakë trajtuan çështje që lidhen me bashkëpunimin ndërmjet ushtrive dhe forcimin e marrëdhënieve në kuadër të aleancave ekzistuese.

    FSK thekson se pjesëmarrja në këto forume ndërkombëtare kontribuon në rritjen e bashkëpunimit dhe zhvillimin profesional të institucionit në arenën ndërkombëtare.

  • Von der Leyen: Sulmi me dron në Rumani shënon përshkallëzim të ri të luftës së Rusisë

    Von der Leyen: Sulmi me dron në Rumani shënon përshkallëzim të ri të luftës së Rusisë

    Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka deklaruar se lufta e Rusisë në Ukrainë ka kaluar “një kufi tjetër”, pas incidentit ku një dron rus goditi një ndërtesë banimi në Rumani dhe la të plagosur dy persona.

    Në një reagim në rrjetin social X, von der Leyen theksoi se sulmi ka ndodhur në territor të Bashkimit Evropian dhe e cilësoi ngjarjen si një përshkallëzim serioz të konfliktit.

    Ajo shprehu solidaritet të plotë me Rumaninë dhe qytetarët e saj, duke paralajmëruar se BE do të vazhdojë të forcojë masat e sigurisë dhe mbrojtjes në kufijtë lindorë të unionit.

    Sipas saj, incidenti tregon rrezikun në rritje të zgjerimit të pasojave të luftës përtej territorit të Ukrainës dhe nevojën për vigjilencë të shtuar nga vendet anëtare të BE-së.

  • Millanoviq, Vuçiqit: Mos e frikëso popullin, s’ka aleancë me shqiptarët për të sulmuar Serbinë

    Millanoviq, Vuçiqit: Mos e frikëso popullin, s’ka aleancë me shqiptarët për të sulmuar Serbinë

    Presidenti kroat Zoran Millanoviq tha të enjten se “do të ishte komike nëse nuk do të ishte shqetësuese” që presidenti serb Alleksandar Vuçiq i frikëson vazhdimisht qytetarët e tij se Kroacia po krijon një aleancë ushtarake kundër Serbisë.

    Ministri kroat i Mbrojtjes, Ivan Anushiq nënshkroi një Deklaratë për Bashkëpunim në Fushën e Sigurisë dhe Mbrojtjes me homologët e tij nga Kosova dhe Shqipëria vitin e kaluar, dhe pas kësaj, Vuçiq filloi të kritikonte Zagrebin për krijimin e një aleance ushtarake me Prishtinën dhe Tiranën kundër Beogradit.

    “Presidenti i vendit tonë fqinj nuk po heq dorë nga frikësimi i qytetarëve të tij me perspektivën e një sulmi nga Kroacia dhe shqiptarët ndaj Serbisë. Kjo do të ishte komike, nëse nuk do të ishte e pavlerë dhe shqetësuese në fakt”, tha Millanoviq në një akademi ceremoniale me rastin e Ditës së Forcave të Armatosura Kroate, raporton N1.

    Ai shtoi se, duke pasur parasysh që deklarata të tilla vijnë nga kreu i një shteti, njerëzit po pyesin veten nëse është e vërtetë.

    “Dhe e di që është inferiore ta shpjegosh dhe ta justifikosh vazhdimisht, por unë e bëj këtë për hir të popullit tonë. Dhe pjesërisht për hir të serbëve, në mënyrë që ata të kuptojnë se çfarë lloj çështje e kotë është”, tha presidenti kroat.