ATV

Category: Lajme

  • Kuvendi mbledh deputetët për seancë të jashtëzakonshme

    Kuvendi mbledh deputetët për seancë të jashtëzakonshme

    Kuvendi i Kosovës sot mban seancë të jashtëzakonshme.

    Seanca pritet të fillojë nga ora 10:00.

    Ndërkaq, në këtë seancë pritet të shqyrtohet Propozim-rezoluta për numrin e madh të kontratave njëburimore të nënshkruara gjatë mandatit të Qeverisë Kurti.

  • “Zjarrvënie e qëllimshme” digjen dy zyra në gjykatën e Kaçanikut

    “Zjarrvënie e qëllimshme” digjen dy zyra në gjykatën e Kaçanikut

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Lëndët që ruheshin brenda këtyre zyrave në Gjykatën Themelore në Kaçanik, me gjasë nuk i konvenuan dikujt. Andaj dyshohet se disa persona qëllimshëm ia vunë flakën të martën pas mesnate.

    Por kush e bëri këtë vepër ende nuk dihet, megjithatë Policia po vazhdon hetimet.

    “Nga hetimet e para dyshohet se kemi të bëjmë me zjarrvënie nga 3 persona të panjohur, e që hetuesit policorë janë duke grumbulluar informacione në terren në zbardhjen sa më shpejt të këtij rasti”, thuhet në njoftimin e Policisë.

    Zyrat i përkisnin gjykatësve derisa në to kishte dosje të ndryshme.
    Çkado që është djegur nga dokumentet, sipas zyrtarëve të Gjykatës, do të rikthehet meqë janë të ruajtura edhe në mënyrë elektronike.

    Dëmet, sipas zyrtarëve të gjykatës, ishin vetëm materiale.

  • Takimi i mbajtur në Bruksel, “mollë sherri”, mes guvernatorit dhe deputetëve opozitarë

    Takimi i mbajtur në Bruksel, “mollë sherri”, mes guvernatorit dhe deputetëve opozitarë

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Për takimin që e mbajti në Bruksel për rregulloren për operacione me para të gatshme, guvernatorit të Bankës Qendrore iu kërkua llogari nga deputetët opozitarë.

    Gjatë raportimit të tij në Komisionin për Buxhet, Ahmet Ismaili tha se për këtë takim nuk kishte ftesë zyrtare nga emisari i BE-së, Miroslav Lajcak, por kërkesa erdhi nga Qeveria. Për këtë takim, deputeti Avdullah Hoti e paralajmëroi për pasoja, derisa guvernatori këtë e konsideroi kërcënim.

    Debati nuk përfundoi këtu, meqë Hoti tha se me këtë takim BQK-ja u bë pjesë e dialogut.

    Guvernatori u kritikua edhe për mungesë të raportit për këtë takim.

    Ismaili tha se rregullorja e re, e cila lejon vetëm përdorimin e valutës euro po tregon efekte pozitive dhe ajo nuk është miratuar për të shpërfaqur probleme.

    Sipas tij, deri më tani janë licencuar pesë banka për transportin e parave të gatshme me leje të veçantë nga BQK-ja.

  • Pas tetë vjetëve, Kurti vendos t’ia jap pronat manastirit të Deçanit

    Pas tetë vjetëve, Kurti vendos t’ia jap pronat manastirit të Deçanit

    Përgatiti: Haris Ademi

    Agjencia Kadastrale e Kosovës tashmë e ka lejen e qeverisë që ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, për pronat në favor të Manastirit Ortodoks të Deçanit.

    Këtë e tregoi kryeministri Albin Kurti, të mërkurën. Tha se është prirë nga arsyeja e shëndoshë, për ta përmbushur një nga kushtet në rrugën drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës.

    Për të treguar që po vepron jashtë vullnetit, e përsëriti qëndrimin e tij personal për 24 hektarët e kontestuar për shumë vite.

    “Nuk do ta ndryshoj qëndrimin ndaj këtij vendimi të dëmshëm asnjëherë, por në anën tjetër nuk ka dyshim që anëtarësimi i Kosovës në KiE, do të ishte fitore historike dhe hap gjigand për Kosovën drejt njohjes nga pesëshja evropiane që mundëson anëtarësimin në NATO dhe BE”, tha Kurti.

    Më 2016, Gjykata Kushtetuese vendosi pro Manastirit të Deçanit si pronare e tokës dhe pyllit, që pretendohej se ishin të kompanive shoqërore “Apiko” dhe “Iliria”.

    Ky vendim i organit më të lartë kushtetues, sipas Kurtit, e lë institucionin që ky e drejton, pa mundësi për ta anuluar.

    “Si kryeministër i Kosovës nuk më pëlqen ai vendim i çuditshëm, e i padrejtë e ndërkohë ka edhe procese gjyqësore tjera pezull për këtë çështje teksa ne si qeveri nuk kemi më mjete legale e juridike për të anuluar vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, tha Kurti.

    Kurti shtoi se vartësja e saj, kryediplomatja Donika Gërvalla, tashmë i ka dërguar notë verbale njoftuese Këshillit të Evropës. Muajt në vijim do të jenë determinues për anëtarësimin e Kosovës në këtë institucion evropian, ku kishte aplikuar në maj të 2022-ës.

    Kundër kryeministrit doli kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj, i cili tha se AKK-ja tashmë e ka zbatuar vendimin.

    “Deçani përsëri goditet padrejtësisht, kësaj radhe nga një Urdhër Ekzekutiv i Kryeministrit të Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti! Vendimi i Gjykatës Kushtetuese i vitit 2016, për 24 hektar të pronave, i cili vendim u zbatua sot, nga Agjencioni Kadastral i Kosovës me urdhëresë të Kryeministrit. Qe tri vite po pres që ky Kryeministër të më takojë një herë të vetme, për të diskutuar edhe për këtë temë për të cilën dha Urdhër Ekzekutiv sot!”, thuhet në reagimin e Ramosajt.

    Kritika patën edhe deputetët opozitarë, që e akuzuan Kurtin për ndryshim të qëndrimit të kahershëm. Ndryshe nga këta, vendimin e përshëndeti edhe emisari amerikan, Gabriel Escobar, që qëlloi në Prishtinë në kohën kur u kumtua.

    “Ishte një hap i vështirë, por i nevojshëm, ne i falënderojmë institucionet e Kosovës për gjithë bashkëpunimin në këtë çështje”, ka deklaruar Escobar.

    Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian vazhdimisht kanë kërkuar nga Kosova zbatimin e aktgjykimit të Kushtetueses.

    Prandaj shefi i Zyrës së BE-së në Prishtinë, Tomas Szunyog, tha se u bë realitet pritja e gjatë. Edhe ambasadori gjerman, Jorn Rohde, tha se zbatimi i vendimit është shumë i vonuar, por shënon hap të rëndësishëm në sundimin e ligjit.

    Dioqeza Rashkë-Prizren dhe Manastiri i Deçanit nuk kanë reaguar për këto zhvillime, deri pasditen e së mërkurës.

  • Mjetet e deklaruara si sponsorisim s’u transferuan te klubet sportive

    Mjetet e deklaruara si sponsorisim s’u transferuan te klubet sportive

    Përgatiti: Armand Hoti

    Në Administratën Tatimore të Kosovës, u deklaruan si sponsorisim. Edhe pse u raportuan si të tilla, mbi 490 mijë euro, në të vërtetë nuk u transferuan kurrë te klubet sportive në Kosovë.

    Këto të dhëna i bëri publike Zyra Kombëtare e Auditimit, në raportin “Efektiviteti i fondeve për financimin e sportit”, që mbulon periudhën kohore 2020-2024.

    “Sponsorizimi dhe lirimi i 30% të tatimit në fitim për kompanitë private, ka rezultuar me shmangie tatimore. Nga 45 mostrat e testuara kemi gjetur se mbi 490 mijë euro nuk janë transferuar fare te klubet sportive si sponsorizim nga kompanitë private, edhe pse në Administratën Tatimore të Kosovës kompanitë kishin raportuar se i kishin dhënë këto mjete për sponsorizim. Për më tepër këto kompani sponsorizuese janë liruar nga tatimi dhe si rrjedhojë nuk i kanë paguar tatim shtetit”, tha Vlora Spanca, auditore e përgjithshme.

    ZKA-ja konstaton se gjatë kësaj periudhe, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ka subvencionuar organizatat sportive me 3.5 milionë euro.

    Megjithatë, ata që i pranuan paratë nuk i raportuan Ministrisë si u shpenzuan.

    “Organizatat sportive gjatë viteve 2020-2022, nuk kanë raportuar për shpenzimet e subvencioneve në vlerë prej 3.5 milionë eurove, të financuara nga MKRS-ja. Përveç financimeve me memorandume dhe me thirrje, MKRS-ja financon organizatat sportive edhe pa thirrje publike, vetëm me kërkesa drejtuar Ministrisë, formë të cilën nuk e ka të paraparë në ligje dhe rregullore”, tha Spanca.

    Kështu, ZKA-ja dha disa rekomandime për MKRS-në dhe ATK-në.

    “Për adresimin e këtyre çështjeve të trajtuara në raport, nga ZKA-ja janë dhënë 10 rekomandime për dy institucione. 6 rekomandime për MKRS-në, 2 rekomandime për ATK-në dhe 2 të përbashkëta për të dy institucionet”, tha Spanca.

    Ndërkaq, në raportin “Menaxhimi i licencave në Komisionin e Pavarur për Media”, thuhet se shumica e mediave veprojnë pa i përmbushur obligimet financiare të tarifave vjetore gjatë viteve, dhe masat ligjore ndaj tyre nuk zbatohen nga Komisioni i Pavarur i Mediave.

    Në mars, Auditori i Përgjithshëm ka publikuar gjithsej pesë raporte.
    ZKA-ja synon që gjatë vitit 2024, të realizojë 123 auditime që do të mbulojnë fusha të ndryshme.

  • Ngritet aktakuzë ndaj Tush Frrokajt për vrasjen e Anton Prelajt

    Ngritet aktakuzë ndaj Tush Frrokajt për vrasjen e Anton Prelajt

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Brenda këtij lokali në qendër të Klinës në gusht të 2023-tës, ishte vrarë Anton Prelaj.

    Ndaj të dyshuarit kryesor Tush Frrokaj, i cili ishte dorëzuar në polici një javë pas rastit, vetëm tani është ngritur aktakuzë e cila e rëndon për disa vepra penale.

    “Për shkak të dyshimit të bazuar mirë se i njëjti ka kryer 4 vepra penale: vrasje e rëndë. Armëmbajtje pa leje. Shtrëngim. Marrja në posedim e pasurisë së paluajtshme”, tha prokurori Ersan Qavolli.

    I pandehuri dhe viktima kishin për bashkëshorte, motrat e njëri-tjetrit. Por, sipas aktakuzës Tush Frrokaj ishte i ndarë nga gruaja e tij dhe në tentativë për t’u bashkuar e kishte takuar viktimën.

    Por, çka u bisedua në këtë takim?

    “Në orën 16:26 minuta, në atë lokal shkon i pandehuri Tush, e shikon të ndjerin që të dalë jashtë lokalit, ku edhe bisedojnë për rreth 20 minuta, më pas i ndjeri në ora 16:47, kthehet në tavolinën e tij ku i thotë i dëmtuarit Fatmir, “Tushi po dëshiron që të bashkohet prapë me gruan e vet që ishin ndarë…”.

    Pas largimit nga vendi i ngjarjes, Frrokaj e kishte zhdukur armën, e cila ende nuk është gjetur.

    “Fatkeqësisht armën nuk e kemi gjetur. Por me rastin e ekzaminimit balistik, ka rezultuar një model i armës, të cilën e ka pranuar i pandehuri. Fakti që arma nuk është gjetur, do të përdoret si rrethanë rënduese nëse i njëjti shpallet fajtor”, tha prokurori Ersan Qavolli.

    Krahas armës, si rrethanë rënduese do të llogaritet edhe e kaluara kriminale e të pandehurit, i cili ishte dënuar dy herë për shpërdorim të pasurisë së huaj.

    Bazuar në të dhënat që posedojnë, Prokurori është i bindur se i akuzuari duhet të shpallet fajtor.

    “Jemi mëse të bindur se me provat e siguruara, duhet të shpallet fajtor…”, tha Qavolli.

    Gëzim Baloku, avokat i të pandehurit, nuk ka pranuar të deklarohet lidhur me aktakuzën. Gjatë kohës sa ishte në arrati, 49-vjeçari përkohësisht ishte strehuar edhe në këtë objekt në fshatin Burojë të Skenderajt.

  • Kurti kritikon heshtjen e ndërkombëtarëve ndaj sulmit të Natasa Tomaniqit

    Kurti kritikon heshtjen e ndërkombëtarëve ndaj sulmit të Natasa Tomaniqit

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Në fjalimin e tij hyrës, në mbledhjen e qeverisë, kryeministri Albin Kurti pati kritika ndaj bashkësisë ndërkombëtare.

    Fillimisht kritikoi heshtjen ndaj djegies së një prone private të nënkryetares së komunës së Zveçanit, Natasha Tomaniq, më 8 mars.

    “Sa vjen e bëhet edhe më shurdhuese. Një heshtje e tillë është sa dekurajuese aq edhe inkurajuese. Dekurajuese për njërën palë, viktimën, inkurajuese për palën tjetër agresore”, tha Kurti.

    2 ditë pas, më 10 mars u publikua një fotografi në të cilën shihet ambasadori i Serbisë në ShBA, Marko Gjuriq, dhe ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq, i kërkuar nga drejtësia ndërkombëtare. Kjo nuk ishte e rastësishme, sipas kryeministrit.

    “Sulmi ndaj nënkryetares Tomaniq nuk ndodhi në vakum, njësoj si pamjet e kriminelit, terroristit Millan Radoiçiq duke terrorizuar komunitetin serb dhe pastaj takim me ambasadorin serb në SHBA që nuk ndodhën në vakum”, tha Kurti.

    Kritika po vazhdon të ketë edhe se Serbia nuk është përballur me asnjë pasojë për përfshirjen e saj direkte në sulmin terrorist në Banjskë.

    “Se përfshirja e saj direkt është bërë publikisht dhe botërisht”, tha Kurti.

    Pas fjalimit të kryeministrit në mbledhjen e 193-të të ekzekutivit u vendos edhe për blerjen e objekteve për nevojat e misioneve diplomatike në Romë, Paris, Otavë e Ankara.

    Gjithashtu, u mor vendim për të ndarë 520 mijë euro për renovimin e kulmit dhe hapësirave të brendshme të objektit të Institutit të Mjekësisë Ligjore pas dy zjarreve në këtë objekt.

  • Ulutas takon Kurtin: Koordinimi i institucioneve të sigurisë me KFOR-in është çelës për siguri

    Ulutas takon Kurtin: Koordinimi i institucioneve të sigurisë me KFOR-in është çelës për siguri

    Komandanti i KFOR-it, Ozkan Ulutas, është takuar sot me kryeministrin, Albin Kurti, ku u theksua se koordinimi dhe bashkëpunimi i vazhdueshëm ndërmjet KFOR-it dhe institucioneve në Kosovë janë çelësi për sigurinë e qëndrueshme.

    Tutje, thuhet se komandanti i KFOR-it përsëriti mbështetjen për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

    “KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të ofruar një mjedis të qetë dhe të sigurt për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme. #KFOR është reaguesi i tretë i sigurisë, pas Policisë së Kosovës dhe misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX), përkatësisht, me të cilët punojmë në koordinim të ngushtë”, thuhet mes tjerash në një njoftim në Facebook.

  • ​Tejkaloi shpejtësinë, gjobitet me 300 euro shoferi në Ferizaj

    ​Tejkaloi shpejtësinë, gjobitet me 300 euro shoferi në Ferizaj

    Policët e Njësisë së Komunikacionit Rrugor më 12 mars 2024 rreth orës 21:52 në rrugën magjistrale Ferizaj-Kaçanik, në Fshatin e Vjetër, kanë ndaluar shoferin S.G. (21), i cili me veturë ka bërë tejkalimin e shpejtësisë, ku në zonën e kufizimit 80 km/orë ka zhvilluar shpejtësi 146 km/orë.

    Ndaj tij policia i shqiptoi një gjobë kundërvajtëse sipas ligjit të komunikacionit rrugor me dënim 300 euro, tri pikë negative dhe tre muaj masë mbrojtëse, heqje e patentë-shoferit.

    Policia Rajonale në Ferizaj apelon te shoferët e automjeteve të respektojnë shpejtësinë dhe shenjat e komunikacionit rrugor, pasi veprimet e tilla rrezikojnë direkt jetën e tyre dhe pjesëmarrësve tjerë në trafik.

    Ajo njëherësh fton qytetarët të bashkëpunojnë me policinë dhe të raportojë të gjitha kundërvajtjet në trafik në stacionin më të afërt apo përmes aplikacionit digjital “Lajmëro Policinë” dhe numrat kujdestarë 192, 0290/326-250, 0290/322-406. Të dhënat do të ruhen në konfidencialitet të plotë.

  • Ramosaj: Kurti me Urdhër Ekekutiv goditi Deçanin

    Ramosaj: Kurti me Urdhër Ekekutiv goditi Deçanin

    Kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj, thotë se kryeministri Albin Kurti goditi këtë vend nëpërmjet Urdhërit ekzekutiv për tokën e Manastirit të Deçanit.

    Ramosaj thotë se ka tri vite që ka pritur një takim me kryeministrin Kurti për këtë temë dhe ka një porosi për të: ’Kur nuk je i zoti të bësh hajr në vend, mos bëj as sherr’.

    Kujtojmë se në mbledhjen e sotme të Qeverisë, kryeministri Albin Kurti ka bërë të ditur se ka kërkuar nga Agjencia Kadastrale ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për dhënien e tokës së Manastirit të Deçanit.

    Kurti tha se Kosovës i është bërë e qartë që të zgjedhin mes dy opsioneve, të zbatojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për të ecur përpara drejt anëtarësimit në Këshill të Evropës këtë vit, apo të hiqet dorë nga çështja e Kosovës nga agjenda e anëtarësimit.

    Postimi i plotë i Ramosajt: