ATV

Category: Lajme

  • Kaq mjekë dhe profesorë e deklaruan pasurinë në AKK, Buleshkaj jep detaje

    Kaq mjekë dhe profesorë e deklaruan pasurinë në AKK, Buleshkaj jep detaje

    Shumica e mjekëve dhe profesorëve i janë përgjigjur pozitivisht obligimit ligjor për deklarimin e pasurisë në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit. Kështu thotë drejtori i AKK-së, Yll Buleshakaj në një intervistë për KosovaPress derisa potencon se rreth 2 mijë e 100 mjekë dhe profesorë kanë deklaruar pasurinë e tyre brenda periudhës së rregullt kohore, e cila filloi me 12 shkurt dhe përfundoi dje me 12 mars.

    Ndërkaq, Buleshkaj tregon se vetëm 90 persona nga këto dy kategori nuk kanë bërë ende deklarimin e pasurisë. Ai shton se këto ditë janë në proces të pastrimit të listës, për të parë nëse dikush prej mjekëve dhe profesorëve që nuk iu janë përgjigjur thirrjes, është në mesin e atyre që e kanë deklaruar pasurinë, por si pjesë të një detyre tjetër të tyre.

    Buleshkaj për KosovaPress thotë se pas përfundimit të pastrimit të listës, janë të obliguar të shqiptojnë një gjobë prej 30 për qind të pagës së tyre mujore për secilin që është vonuar.

    Përveç kësaj, ai tregon se të njëjtëve u jepet një afat shtesë prej 15 ditëve për ta kryer këtë obligim dhe nëse nuk e bëjnë, Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit në mënyrë automatike do të përgatisë kallëzime penale dhe do t’i dërgojë ato në prokurorinë e shtetit.

    “Pasurinë e kanë deklaruar nga numri i mjekëve dhe profesorëve rreth 2100. Ndërsa, nuk e kanë kryer këtë obligim rreth 90. Në mesin e 90-ve, po besojmë që mund të ketë plot, të cilët për shkak të detyrave të tjera, kanë mundur ta deklarojnë si pjesë të detyrës tjetër. Për shembull, ka plotë profesorë të universitetit të cilët punojnë edhe mjekë, apo në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës dhe ata nuk kanë pasur nevojë ta bëjnë deklarimin dy herë… Këto ditë do të jemi në proces të pastrimit të kësaj liste, të shohim nëse dikush nga këta që rezultonin në data bazë që nuk e kanë kryer këtë obligim, është në mesin e atyre që e kanë deklaruar pasurinë, por si pjesë të një detyre tjetër të tyre…Pas përfundimit të pastrimit të listës, ne jemi të obliguar sipas ligjit të shqiptojmë për secilin që është vonuar një gjobë prej 30 për qind të pagës së tyre mujore. Pastaj u jepet një afat shtesë prej 15 ditëve për ta kryer këtë obligim. Në qoftë se nuk kryhet obligimi edhe në afatin 15 ditor, atëherë agjencia në mënyrë automatike do të përgatisë kallëzime penale dhe do t’i dërgojë këto në prokurorinë e shtetit, për shkak se konsiderohet vepër penale”, thotë Buleshkaj.

    Ndërkaq, është raportuar në media se mbi 300 mjekë kanë nënshkruar një peticion dhe e kanë dërguar tek Institucioni i Avokatit të Popullit për të kundërshtuar vendimin për deklarimin e pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsion.

    Lidhur me këtë, drejtori i AKK-së, Yll Buleshkaj thotë se është e drejtë e secilit që të dërgojë raste tek Avokati i Popullit, porse sipas tij deklarimi i pasurisë nuk shkel të drejtë të njeriut, sepse nuk është në kundërshtim me parimet bazë të njeriut.

    Ai shton se ka plotë kategori të cilët paguhen më pak se mjekët dhe profesorët, e të cilët janë të obliguar ta bëjnë deklarimin e pasurisë.

    “Është e drejtë e secilit që të dërgojë raste tek Avokati i Popullit. Avokati i Popullit merret me raste të cilët i shkelin të drejtat e njeriut. Po besoj që deklarimi i pasurisë nuk shkel të drejtë të njeriut, sepse nuk është në kundërshtim me parimet bazë të njeriut. Ka plotë kategori të cilët edhe paguhen më pak se mjekët dhe profesorët, e të cilët janë të obliguar ta bëjnë deklarimin e pasurisë dhe marrin më pak nga paraja publike sesa këto kategori. Por, është e drejtë e tyre, ndërsa është obligim i yni që ta zbatojmë ligjin dhe të kërkojmë që të gjithë mjekët dhe gjithë profesorët e universiteteve publike të bëjnë deklarimin e pasurisë saktë dhe në kohë”, potencon Buleshkaj.

    Ndërkaq, më 1 mars ka filluar edhe deklarimi i rregullt i pasurisë për të gjithë zyrtarët publikë që e kanë kryer këtë obligim edhe vitin e kaluar.

    Buleshkaj thekson se nga 10 mijë zyrtarë publikë që janë të obliguar ta deklarojnë pasurinë, deri më tani mbi 1 mijë të tillë i janë përgjigjur pozitivisht thirrjes.

    Për këtë, Buleshkaj thotë se po ndodhë për herë të parë, që deklarimi i pasurisë të bëhet në fillim të afatit, ngase sipas tij trendi ishte që deklarimi të bëhej në fund të periudhës së caktuar.

    “Më 1 mars ka filluar deklarimi i rregullt i pasurisë për të gjithë zyrtarët publikë që e kanë kryer këtë deklarim edhe vitin e kaluar, për periudhë nga fillimi nga 1 janari i viti 2023 deri në fund të viti 2023. Dhe ky proces po shkon, c’është e vërteta, fillimisht po duket që po shkon mjaftë mirë . I kemi rreth 1 mijë të cilët e kanë kryer në javët e para deklarimin e pasurisë, sepse historikisht ka qenë që në javën e fundit ka qenë grupi më i madh i deklarimit. kemi një trend më pozitiv, ndoshta edhe pse është shumë më lehtë për ata që e kanë deklaruar më herët. Vetëm duhet t’i përmirësojnë ndryshimet të cilat kanë ndodhur gjatë vitit të kaluar me pasuritë e tyre. Ta llogarisin pagën nëse ka qenë ndryshe me vitin pararak, apo të shtojnë apo të largojnë nëse pasuritë, qofshin të luajtshme apo të paluajtshme ka pasur ndryshime… Janë rreth 10 mijë, i kemi 10 për qind që e kanë deklaruar javën e parë, që nuk ka ndodhur në historinë e agjencisë që të ketë një numër kaq të mirë”, thekson Buleshkaj për KosovaPress.

    Mbi 2 mijë mjekë dhe profesorë në Kosovë për herë të parë kanë qenë të obliguar që ta deklarojnë pasurinë e tyre në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit. Brenda afatit një mujor, i cili ka përfundua dje më 12 mars, 1500 mjekë nga spitalet rajonale dhe të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), duke përfshirë edhe 800 profesorë nga shtatë universitetet publike, kanë qenë të detyruar ta kryejnë këtë obligim ligjor.

  • Escobar e konsideron Osmanin si garantuesen kryesore të raporteve ShBA-Kosovë

    Escobar e konsideron Osmanin si garantuesen kryesore të raporteve ShBA-Kosovë

    Emisari amerikan, Gabriel Esocbar, i është drejtuar presidentes Vjosa Osmani me disa fjalë në fillim të fjalimit të tij në konferencën e përbashkët për media pas një takimi që mbajtën.

    “Faleminderit zonja Presidente për mikpritjen e ngrohtë në Kosovë. Ju jeni karakteri kryesor dhe trashëgimia e marrëdhënieve bilaterale mes SHBA-së dhe Kosovës dhe dua të them se kjo trashëgimi është e bazuar në një përkushtim të qëndrueshëm për sigurinë, integritetin territorial dhe pavarësinë e Kosovës”, ka theksuar mes tjerash emisari amerikan.

  • Qeveria ndan 520 mijë euro për renovimin e IML-së

    Qeveria ndan 520 mijë euro për renovimin e IML-së

    Qeveria e Kosovës ka ndarë sot 520 mijë euro për renovimin e kulmit dhe hapësirave të brendshme të objektit të Institutit të Mjekësisë Ligjore pas dy zjarreve në këtë objekt.

    Ministri i Financave, Hekuran Murati se ndarja e këtyre mjeteve vjen pas kërkesës nga Ministria e Drejtësisë.

    “Nga MD-ja kemi pranuar kërkesë për ndarjen e mjeteve buxhetore prej 520 mijë eurove dhe kjo kërkesë ndërlidhet për renovimin e kulmit dhe rikonstruksionin e hapësirave në objektin e brendshëm të IML-së, pas zjarrit dhe dëmeve që kanë ndodhur në atë objekt. Mjetet nga kjo pikë merren nga shpenzimet e paparashikuara, kategoria e shpenzimeve kapitale dhe transferohen në Ministrinë e Drejtësisë, tek Instituti i Mjekësisë Ligjore”, ka thënë ai.

  • Escobar përshëndet vendimin e Qeverisë për pronat e Manastrit të Deçanit

    Escobar përshëndet vendimin e Qeverisë për pronat e Manastrit të Deçanit

    Emisari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka përshëndetur vendimin e Qeverisë së Kosovës që Manastirit të Deçanit t’i jepen tokat sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhje të Qeverisë ka deklaruar se ka urdhëruar bartjen e pronave.

    E Escobar në konferencë të përbashkët për media në Prishtinë me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përshëndetur vendimin.

    “Dua të përmendi se është shumë i rëndësishëm vendimi i sotëm për Manastirin, ishte i vështirë, por i domosdoshëm. Falënderojmë institucionet për këtë hap”, ka thënë Escobar.

    Ai ka thënë se me presidenten e Kosovës ka pasur bisedë të hapur e të sinqertë edhe për sulmin terrorist në Banjskë më 24 shtator, ku u vra rreshteri policor Afrim Bunjaku. Escobar e ka quajtur Osmanin garantuese kryesore të raporteve mes SHBA-së dhe Kosovës.

    “Jemi të shqetësuar për ngjarjet e 24 shtatorit. Presim dhe e ftojmë Serbinë që të gjithë përgjegjësit të dalin para drejtësisë e të marrin dënimin e merituar. Kemi shumë për të diskutuar për sfidat, përfshirë edhe vendimin e fundit të Bankës Qendrore të Kosovës, për të gjetur mënyra për të ecur para me dialogun. Këtu përfshihet edhe Asociacioni, por jo vetëm. Siç e përmendi presidentja Osmani, të dyja palët duhet të vazhdojnë me zbatimin e plotë për të pasur marrëveshje historike. Ftojmë Serbinë të vazhdojë me zbatimin. Nuk duhet vetëm përpjekja unilaterale e Kosovës dhe marrja e vendimeve të zorshme e të vështira nga ajo, që marrëveshja e Ohrit të bëhet realitet”, ka thënë Escobar.

    LEXONI EDHE:

    https://cms.atvlive.tv/kurti-i-kam-kerkuar-agjencise-kadastrale-ta-zbatoje-vendimin-per-manastirin-e-decanit/

  • Osmani për largimin e kryetarëve në veri: Presim që ky proces të realizohet brenda parametrave kushtetues dhe ligjor

    Osmani për largimin e kryetarëve në veri: Presim që ky proces të realizohet brenda parametrave kushtetues dhe ligjor

    Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, ka deklaruar se procesi i largimit të katër kryetarëve të komunave në Veri të Kosovës është duke u realizuar konform procedurave të përcaktuara me ligj dhe udhëzim administrativ, raporton Ekonomia Online.

    Në një konferencë për media së bashku me emisarin amerikan Gabriel Escobar, Osmani tha se pret që procesi i largimit të kryetarëve të realizohet brenda parametrave kushtetues dhe ligjor dhe sipas afateve të parapara.

    “Siç e dini në kuadër të punës sonë të përbashkët edhe procesi i largimit të kryetarëve të katër komunave nga veriu i Kosovës është duke u realizuar konform procedurave të përcaktuara me ligj dhe me udhëzim administrativ në mënyrë që qytetarët e komunave të veriut të mund ta realizojnë të drejtën e tyre të garantuar në ligjin për vetëqeverisje lokale. Presim që ky proces të realizohet brenda parametrave kushtetues dhe ligjor dhe sipas afateve të parapara”, tha Osmani.

  • Kurti: Heshtja ndërkombëtare për rastin e djegies së pronës së nënkryetares së Zveçanit sa shkon e bëhet më shurdhuese

    Kurti: Heshtja ndërkombëtare për rastin e djegies së pronës së nënkryetares së Zveçanit sa shkon e bëhet më shurdhuese

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në fjalën e tij në mbledhje të Qeverisë së Kosovës ka folur për rastin e djegies se dyqanit të nënkryetares së Zveçanit, Natasha Tomaniq. Kurti ka thënë se bazuar në prova, zjarrvënia ka qenë e qëllimshme dhe sipas tij ky akt ka për qëllim frikësimin e serbëve lokalë që duan integrim në institucionet e Kosovës, raporton Ekonomia Online.

    Kurti tutje ka kritikuar faktorin ndërkombëtar në vend, duke thënë se heshtja e tyre dhe mos reagimi për këtë rast edhe përkundër që kanë kaluar 5 ditë nga ngjarja, vetëm shkon duke u bërë edhe më shurdhuese. Sipas Kurtit kjo heshtje është dekurjaim për viktimën dhe inkurajim për agresorin.

    “Natasha Tomaniq 8 marsin e nisi me lajmin se pronës së saj i është vënë zjarri. Provat flasin për zjarrvënie të qëllimshme. Dëmi llogaritet të jetë 40 mijë euro. Qëllimi nuk ishte financiar. Frikësimi dhe terrori ishin synimet dhe për serbët në veri të vendit, që duan integrim në institucionet e Kosovës.

    Pavarësisht se bëhet fjalë për një grua nga komuniteti serb në Kosovë që bartë pozitë zyrtare, në institucionet publike, heshtja e komunitetit ndërkombëtar, edhe pesë ditë pas sulmit, sa vjen e bëhet edhe më shurdhuese.

    Një heshtje e tillë është sa dekurarjuese aq edhe inkurajuese> Dekurajuese për viktimën, inkurajuese për agresorin. Sulmi ndaj Tomaniq nuk ndodhi në vakum, njëjtë siç pamjet e kriminelit Radojicic duke terrorizuar serbët e Kosovës dhe më pas takimin me ambasadorin e Serbisë në SHBA nuk ndodhen në vakum”, ka thënë Kurti.

  • Kurti: I kam kërkuar Agjencisë Kadastrale ta zbatojë vendimin për Manastirin e Deçanit

    Kurti: I kam kërkuar Agjencisë Kadastrale ta zbatojë vendimin për Manastirin e Deçanit

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sot ka njoftuar se i ka thënë Agjencionit Kadastral të Kosovës që ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me tokën rreth Manastirit të Deçanit, raporton Ekonomia Online.

    “Megjithëkëtë për të arritur një qëllim shumë më madhor që ia kemi borxh shtetit e që hap mundësi të papara më herët ne duhet të bëjmë një hap përpara me maturi e përgjegjësi si një vend i pavarur e sovran. Andaj, sot i kemi thënë Agjencionit Kadastral të Kosovës që ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, ka deklaruar Kurti në mbledhjen e Qeverisë.

  • Kryeministri Kurti përkujton viktimat civile të vrara në Masakrën e Tregut të gjelbër në Mitrovicë

    Kryeministri Kurti përkujton viktimat civile të vrara në Masakrën e Tregut të gjelbër në Mitrovicë

    “Në këtë përvjetor të 25-të, kemi ardhur në Mitrovicë për të nderuar kujtimin e civilëve të vrarë nga forcat e Serbisë në Masakrën e Tregut të gjelbër në vitin 1999. Teksa shprehim dhembjen dhe nderimin tonë për jetët e humbura, theksojmë domosdoshmërinë për drejtësi për viktimat e kësaj masakre dhe qindra masakrave të tjera të kryera nga Serbia në Kosovë”, tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti.

    Kryeministri Kurti theksoi se është detyrë e jona që të mos e harrojmë kurrë të kaluarën e errët dhe të punojmë për Republikën tonë demokratike, ku parimet kryesore janë respektimi i të drejtave të njeriut dhe drejtësia.

    “Granata supozohet që është shkrepur nga një objekt ushtarak ku ishin të vendosura forcat serbe gjatë luftës 1998-99. Aty sot qëndron Kampi i Policisë së Republikës së Kosovës, që bartë emrin e heroit Enver Zymeri, e që garanton sigurinë, si e mirë publike që u ofrohet të gjithë qytetarëve pa dallim”, theksoi Kryeministri Kurti.

    Në këtë ditë të kujtimit, s’ka si të mos na vije në mendje masakra në tregun Markale në Sarajevë, që ishte një nga krimet më të rënda gjatë rrethimit të qytetit në vitet 1992-1995, tha Kryeministri, duke shtuar se këto masakra në Kosovë dhe Bosnjë e Hercegovinë, janë dëshmi e veprimeve gjenocidale të Serbisë.

    Së bashku me Ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, Drejtorin Ekzekutiv të Institutit për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, Atdhe Hetemi, si dhe deputetë të Kuvendit, Kryeministri Kurti vendosi lule para pllakës përkujtimore të kësaj masakre.

    Më 13 mars 1999, në masakrën e Tregut të gjelbër në Mitrovicë, me hedhje granatash nga forcat serbe janë vrarë shtatë civilë: Abaz Mecinaj (1944), Ahmet Strana (1941), Elizabeta Hasani (1994), Ragip Bajrami (1946), Rrahim Peci (1934), Sevdije Selani (1949) dhe Valdete Strana (1977); si dhe janë plagosur 128 të tjerë, shumë prej të cilëve mbetën invalidë.

  • Zjarri në Gjykatën e Kaçanikut, dyshohet se u shkaktua qëllimisht nga disa persona

    Zjarri në Gjykatën e Kaçanikut, dyshohet se u shkaktua qëllimisht nga disa persona

    Sot rreth orës 04:00 të mesnatës është përfshirë nga zjarri objekti i Gjykatës Themelore në Kaçanik, me ç’rast janë dëmtuar dy zyre të kësaj gjykate.

    Sipas një komunikate dërguar mediave nga kjo gjykatë bëhet e ditur se dyshohet për zjarrvënie nga disa persona, deri më tani të panjohur.

    Tutje, në komunikatë thuhet nga ky zjarr janë shkaktuar dëme materiale por pa pasoja në njerëz./ATVLIVE.TV/

    LEXONI EDHE:

    https://cms.atvlive.tv/perfshihet-nga-zjarri-objekti-i-gjykates-themelore-ne-kacanik/

     

  • ​Superliga e Kosovës, ndeshje interesante mes Malishevës e Llapit

    ​Superliga e Kosovës, ndeshje interesante mes Malishevës e Llapit

    Superliga e Kosovës i rikthehet aksionit sot me tri ndeshje interesante, të vlefshme këto për xhiron e 25 të këtij sezoni.

    Të gjitha ndeshjet do të zhvillohen në orar të njëjtë me fillim nga ora 13:00, ku e gjithë vëmendja do të jetë te dueli mes Malishevës e Llapit, raporton KosovaPress.

    Po ashtu, ndeshje sot zhvillojnë edhe Ballkani e Gjilani.

    Kampioni luan si mysafir kundër Fushë Kosovës, kurse Gjilani e pret në shtëpi skuadrën e Lirisë.

    Ndeshjet e sotme:

    13:00 Fushë Kosova – Ballkani

    13:00 Gjilani – Liria

    13:00 Malisheva – Llapi