ATV

Category: Lajme

  • Gjilan, nëna raporton zhdukjen e vajzës

    Gjilan, nëna raporton zhdukjen e vajzës

    Një grua në Gjilan ka raportuar në polici se vajza e saj është zhdukur.

    Sipas ankueses, vajza ishte nisur për në shkollë dhe që nga ajo kohë nuk dihet më asgjë për vendodhjen e saj.

    “Rr. Medllin Olbrajt, Gjilan / 12.03.2024 – 10:00. Më 13.03.2024 ankuesja femër/kosovare, ka raportuar se vajza e saj viktima femër/k, ishte nisur për në shkollë, dhe nga ajo kohë nuk dihet për vendndodhjen e saj. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori. Rasti po hetohet nga njësitet relevante policore ”, thuhet në raportin e policisë.

     

  • Vejvoda: Për dinarin duhet zgjidhje kompromisi

    Vejvoda: Për dinarin duhet zgjidhje kompromisi

    Ivan Vejvoda, nga Instituti për Shkencat Humane në Vjenë, thotë se për çështjen e përdorimit të dinarit serb në Kosovë, Prishtina dhe Beogradi duhet të gjejnë një zgjidhje kompromisi.

    Sipas tij, trysnia e bashkësisë ndërkombëtare mbi Kosovën është e justifikueshme, marrë parasysh se vendimi për ta ndaluar dinarin serb, ishte i autoriteteve të Kosovës.

    Duke folur në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Vejvoda lë të kuptohet se Prishtina zyrtare duhet të konsultohet dhe t’i marrë parasysh këshillat e partnerëve ndërkombëtarë.

    “Qeveria e Kosovës mund të marrë çfarëdo vendimi që do, por ajo nuk jeton në vakum, jeton në juglindje të Evropës, me partnerë të cilët duan që ajo t’i bashkohet BE-së dhe NATO-s”, thotë Vejvoda.

    Sipas tij, vonesat në zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për tokën e Manastirit të Deçanit, nuk i kanë ndihmuar imazhit të Kosovës.

    “Trysnia që është bërë mbi Qeverinë e kryeministrit Kurti, po jep tani rezultate, sepse të qenët kundër ka çuar, padyshim, në rrugë qorre”, thotë ai.

  • Gazeta gjermane: Një manastir serb supozohet t’i hap rrugën Kosovës drejt Këshillit të Evropës

    Gazeta gjermane: Një manastir serb supozohet t’i hap rrugën Kosovës drejt Këshillit të Evropës

    Gazeta gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung (FAZ), ka shkruar një artikull rreth zhvillimeve të fundit që kanë të bëjnë me Manastirin e Deçanit dhe mundësinë që Kosova të jetë pjesë e Këshillit të Evropës.

    Artikullin e ka titulluar “Një manastir serb supozohet të hapë rrugën drejt Këshillit të Evropës”.

    “Qeveria e Kosovës po ndërhyn në emër të një manastiri ortodoks serb në një mosmarrëveshje që vazhdon për më shumë se një dekadë. Arsyeja është se Kosova dëshiron të anëtarësohet në Këshillin e Evropës”, shkruan kjo gazetë gjermane.

    “Në qendër të mosmarrëveshjes ishin 24 hektarë pyje dhe tokë bujqësore në afërsi të Manastirit të Deçanit në Kosovën perëndimore. Manastirit i takonte toka sipas disa vendimeve më të larta të gjykatës së Kosovës. Megjithatë, edhe pse Gjykata Supreme (2009) dhe Gjykata Kushtetuese (2016) kishin konfirmuar pretendimin e kishës për tokën, zyra përgjegjëse e regjistrimit të tokës, nën ndryshimin e qeverive kosovare, refuzoi të bënte regjistrimet e regjistrit të tokës në favor të kishës për çështje politike. Arsye”, shkruan kjo gazetë.

    Sipas kësaj gazete, kjo mospërfillje e Gjykatës së saj Kushtetuese kohët e fundit ka penguar edhe shanset e suksesit të aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, të cilin shteti ballkanik e ka paraqitur në maj të vitit 2022.

    “Të mërkurën, megjithatë, Ministria e Jashtme e Kosovës ka njoftuar Këshillin e Evropës se Zyra e Regjistrimit të Tokave ka bërë regjistrimet e regjistrit të tokës në favor të manastirit me udhëzim të qeverisë. Në të njëjtën kohë, Konsullata e Përgjithshme e Kosovës në Strasburg i dërgoi Këshillit të Evropës një kopje të ekstrakteve të regjistrit të ri të tokës”, shkruan kjo gazetë.

    Gazeta gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung, njofton se pritet që Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës tash te votojë që Kosova të pranohet në Këshillin e Evropës.

    “Nëse kjo ndodh, Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës mund të marrë vendimin përfundimtar për pranimin.

    Kreu i qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të qartë të mërkurën se pa ndërhyrjen në emër të manastirit do të ishte bllokuar rruga e Kosovës drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës.

  • Vdes Ragip Jashari, bashkëluftëtari i Adem Jasharit

    Vdes Ragip Jashari, bashkëluftëtari i Adem Jasharit

    Ragip Jashari, njëri nga bashkëluftëtarët e momenteve të fundit të Adem Jasharit, ka ndërruar jetë.

    Lajmi u bë i ditur nga familjarët e tij në rrjetin social Facebook.

    “Familjar, miq, bashkëluftëtarë, shokë e dashamirë, me pikëllim te thellë ju njoftojmë se sot me (14.03.24) ka ndrru jetë axha, Ragip Jashari”, thuhet në njoftimin e familjarëve.

    Ragip Jashari nga Prekazi, kishte luftuar përballë forcave serbe së bashku me Adem Jasharin.

  • Sekuestrohen narkotikë në Prizren, arrestohet një i dyshuar dy të tjerë në arrati

    Sekuestrohen narkotikë në Prizren, arrestohet një i dyshuar dy të tjerë në arrati

    Policia e Kosovës ka gjetur dhe sekuestruar 12.49 gramë substancë narkotike marihuanë dhe 1.49 gramë kokainë në një banesë në Prizren.

    Sipas policisë i dyshuari është arrestuar pas kontrollit të banesës së tij.“Po ashtu në cilësi të provave materiale janë sekuestruar edhe 3 telefona celularë, një thikë, një sprej, një veturë dhe 137 euro para të gatshme”, thuhet në raportin e policisë.

    Në njoftim është bërë e ditur se gjatë zhvillimit të rastit janë identifikuar edhe dy persona të tjerë të dyshuar që ndodhen në arrati. Ndërkaq rasti mbetet nën hetime.

  • Vendimi për manastirin, Shoshi: E pafalshme humbja që Albini me armatën e tij ia bëri Kosovës

    Vendimi për manastirin, Shoshi: E pafalshme humbja që Albini me armatën e tij ia bëri Kosovës

    Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi ka reaguar ndaj vendimit të qeverisë për Manastirin e Deçanit.

    Ajo e quajti të pafalshme, “humbjen” që kryeministri i vendit Albin Kurti ia bëri Kosovës.

    “Vazhdoj të mendojë që duhet të ketë ETIKË edhe në politikë, madje të lartë! E pafalshme humbja që Albini me armatën e tij ia bëri Kosovës afër një dekadë drejtë anëtarësimit në Këshill të Evropës, liberalizim të vizave, e progresin drejt rrugës euroatlantike. PSE? Për kauza të rrejshme vetëm e vetëm me ardh në pushtet!”, ka shkruar ajo.

    Tutje Musliu-Shoshi tha se në pushtet mund të vihet me gënjeshtra.

    “Në pushtet edhe vjen me propagandë, e gënjeshtër POR me vazhdu me jetu me rëndesën e veprimeve tua që ja ke shkaktuar një populli është shkatërruese në masën që as pushteti i tillë nuk të duhet!”, përfundoi ajo.

  • Gjendet një granatë dore në Prishtinë

    Gjendet një granatë dore në Prishtinë

    Policia e Kosovës është njoftuar për gjetjen e një mjeti të dyshimtë.

    Njësia për Trajtimin e Mjeteve Eksplozive dhe Njësia K9 e kanë atë pa ndonjë incident.

    “Rr. Lidhja e Pejës, Prishtinë / 13.03.2024 – 21:34. Policia ka pranuar një informatë për gjetjen e një mjetit të pashpërthyer. Patrulla policore e ka siguruar vendin e ngjarjes derisa ka dalë Njësia për Trajtimin e Mjeteve Eksplozive dhe Njësia K9 që e kanë tërhequr mjetin e dyshimtë (granatë dore) pa ndonjë incident. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori”, njofton Policia e Kosovës.

  • Vdekje e dyshimtë në veri të Mitrovicës

    Vdekje e dyshimtë në veri të Mitrovicës

    Një person është gjetur pa shenja jete në Mitrovicë të Veriut.

    Rastin, Policia e Kosovës e ka cilësuar si “vdekje e dyshimtë”.

    Në raportin 24-orësh të policisë thuhet se trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

    “Mitrovicë Veri / 12/13.03.2024 – 18:00/10:50. Raportohet se në banesën e tij, është gjetur pa shenja jetë viktima mashkull/k. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse ndërsa me vendim të prokurorit trupi i pa jetë është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në raport.

  • Pas tërmetit të fortë 5.4 ballë, Mali i Zi goditet sërish nga disa tërmete më të vogla

    Pas tërmetit të fortë 5.4 ballë, Mali i Zi goditet sërish nga disa tërmete më të vogla

    Një tërmet i fuqishëm ka tronditur Malin e Zi mëngjesin e sotëm në orën 4 e 6 minuta.

    Departamenti i sizmologjisë i Institutit për Hidrometeorologji dhe Sizmologji të Malit të Zi regjistroi një tërmet me epiqendër 5 km në jugperëndim të Çaragjesë, afër Nikshiqit.

    Fuqia e këtij tërmeti në hipoqendrën (pika e nxehtë) ishte 5.4 njësi të shkallës Rihter, që korrespondon me intensitetin epiqendror të shkallës VII të shkallës Mercalli (MCS). Fokusi i këtij tërmeti është vendosur në një thellësi prej 14 km, sipas faqes së internetit.

    Siç shtojnë ata, bazuar në modelin numerik të ndryshimit të intensitetit me distancën në këtë rajon, magnitudës së tërmetit dhe thellësisë së hipoqendrës, ky tërmet mund të kishte shkaktuar disa dëme materiale në zonën epiqendrore!

    Sipas të dhënave të para të publikuara në faqen e EMSC, tërmeti ka ndodhur 75 km në veriperëndim të Podgoricës, 32 km larg Nikshiqit dhe qytetarët raportojnë se është ndjerë edhe në qytete në veri të vendit.

    Toka në atë zonë nuk ndalet së pushuari, kështu që pas tërmetit të madh pati disa tërmete më të vogla.

    Në orën 4 e 30 minuta, një tjetër tërmet më i vogël me magnitudë 3.1 u ndje në të njëjtin vend dhe në orën 5:38 një tërmet i tretë me magnitudë 2.5. E treta u regjistrua në orën 6:05 të mëngjesit me 3 gradë.

    Ende nuk ka të dhëna për dëme të mundshme, ndërsa sipas informacioneve të ZHMS-së mund të jetë shkaktuar në zonën epiqendrore.

    “Bazuar në modelin numerik të ndryshimit të intensitetit me distancën në këtë rajon, magnitudës së tërmetit dhe thellësisë së hipoqendrës, ky tërmet mund të kishte shkaktuar disa dëme materiale në zonën epiqendrore”, theksohet në deklaratën e Institutit.

    Qendra Sizmologjike Evropiane Mesdhetare (EMSC) njoftoi më herët se magnituda e tërmetit ishte 5.3 ballë të shkallës Rihter. Në këtë zonë u regjistruan edhe dy tërmete më të lehta me magnitudë 3.1 ballë.

    Tërmeti i parë është ndjerë edhe në Kosovë, Bosnje dhe Hercegovinë, në Bilecë, Mostar, Sarajevë, Zenicë.

  • Dinari dhe dialogu, emisari amerikan sot takohet me kryeministrin Kurtin

    Dinari dhe dialogu, emisari amerikan sot takohet me kryeministrin Kurtin

    Emisari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, sot do të takohet me kryeministrin Albin Kurti

    Se kryeministri Kurti, do të takohet sot me Escobarin e ka konfirmuar dje, zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.

    Dje emisari Escobar takoi të parën presidenten Vjosa Osmani në vizitën zyrtare të nisur në Kosovë. Në orën 10:00 ai arriti në Presidencë ku zhvilloi takimin me Osmanin, me të cilën më vonë doli në konferencë për media.

    Në krye të fjalimit të tij, Escobar i kushtoi disa fjalë presidentes që duket se ishin mesazh për kryeministrin. Atë e quajti garantuesen kryesore të marrëdhënieve Kosovë-SHBA.

    “Faleminderit zonja Presidente për mikpritjen e ngrohtë në Kosovë. Ju jeni garantuesja kryesore dhe trashëgimia e marrëdhënieve bilaterale mes SHBA-së dhe Kosovës dhe faleminderit për këtë. Dua të them se kjo trashëgimi është e bazuar në një përkushtim të qëndrueshëm për sigurinë, integritetin territorial dhe pavarësinë e Kosovës. Pra, ne do të vazhdojmë t’i thellojmë marrëdhëniet tona në të gjitha linjat e interesave”.

    Ndërsa nga ora 19:00 ka takuar krerët opozitarë në një takim të përbashkët.

    Por, ndërkohë që po zhvillonte takimin me Osmanin u dha një lajm nga kryeministri Kurti në mbledhjen e Qeverisë, të cilin më pas do ta komentonte Escobar.

    Kurti njoftoi se i kanë kërkuar Agjencionit të Kadastrit që ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese që t’ia regjistrojë tokën Manastirit të Deçanit.

    Këtë vendim, emisari amerikan e cilësoi si të vështirë, por të nevojshëm. Ai me këtë rast përmendi institucionet e Kosovës.

    “Dua ta përmend sa me rëndësi është vendimi i sotëm për Manastirin. Ishte vendim i vështirë, por i nevojshëm dhe i falënderojmë institucionet për gjithë bashkëpunim”.

    Një ditë para se të vijë në Kosovë, të martën Escobar nga Brukseli pati disa vërejtje të ashpra për komunikimin diplomatik me Kurtin, duke pranuar se ka çarje.

    “Partneriteti në mes të Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës është mes popullit amerikan dhe atij të Kosovës, nuk depërton përmes një njeriu në Kosovë, apo një partie. Mirëpo, më duhet të them që aktualisht kemi probleme në komunikim me kryeministrin”.

    Madje, Escobar shtoi se jo vetëm SHBA-ja ka probleme në komunikim, por është problem që e ka Kosova edhe me BE-në, NATO-n, Mbretërinë e Bashkuar dhe më shumë partnerë, përfshirë Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

    Emisari amerikan zbuloi arsyen e vizitës së tij në Kosovë kur u pyet se pse nuk po shkon në Maqedoninë e Veriut.

    “Situata në Kosovë është e tmerrshme, prandaj më duhet ta vizitoj Kosovën”.

    Këtu ai iu referua edhe situatës me dinarin, vendimin për të cilin e cilësoi “katastrofik” dhe “jokompetent”.

    Escobar ka përsëritur që Shtetet e Bashkuara nuk e kundërshtojnë legjitimitetin e vendimit, mirëpo kanë probleme me mënyrën e zbatimit dhe për ndikimin që ka te komuniteti serb.