ATV

Category: Lajme

  • Kthim prapa në dialog, një vit pas dakordimit “Nuk ka marrëveshje”

    Kthim prapa në dialog, një vit pas dakordimit “Nuk ka marrëveshje”

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Një vit pas dakordimit në Ohër, diskutimi qendror në rundin e ri të bisedimeve në nivel kryenegociatorësh në Bruksel ishte se a ka apo jo marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

    Pas takimeve, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi tha se Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së, Miroslav Lajcak, kuptoi brengën e Kosovës se mungesa e nënshkrimit ndikoi në mos-zbatim dhe tensione në terren.

    Referuar diskutimeve në takim, ai theksoi se kryenegociatori i Serbisë doli haptas kundër marrëveshjes.

    “Në fakt, na u tha që Serbia nuk e njeh marrëveshjen si të tillë dhe po ashtu na u tha që për Serbinë është e pamundshme të nënshkruhet një marrëveshje me Kosovën. Pastaj, kur pala serbe vetë iu referua marrëveshjes së vitit 2013, të cilën e kanë nënshkruar, Petkovic tha se ne nënshkruajmë vetëm marrëveshje që nuk kanë të bëjnë me statusin dhe se ato që prekin statusin apo njohjen de-fakto ne nuk i nënshkruajmë. U konstatua nga z. Lajcak që Serbia e ka problem të lëvizë në këtë drejtim, rrjedhimisht kjo duhet të diskutohet në një takim të ardhshëm me krerët e shteteve, meqë dukej qartazi që kryeneogciatori i Serbisë nuk kishte kurrfarë mandati të diskutonte për këtë”, tha Bislimi.

    Megjithatë, Bislimi kumtoi se një hap u bë lidhur përudhën kalimtare për zbatimin e rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës

    “U dakorduam që deri të premten secila palë të sjell propozimin e saj se si sheh zgjidhjen afat-shkurtër dhe si të fillohet me zgjidhjen afat-gjatë, e pastaj javën tjetër të mblidhemi sërish që të diskutojmë sa a mund të gjejmë një hapësirë ku këto dy propozime mund konvergjojnë drejt një propozimi të vetëm, që do të ishte i pranueshëm për palën kosovare”, tha Bislimi.

    Dokumenti për termat e referencës për çështjen e personave të zhdukur me dhunë, ishte po ashtu një nga temat e takimit.

    Tema ishin edhe mos-zbatimi i plotë nga Serbia i udhërrëfyesit për energjinë si dhe shqetësimet e Kosovës lidhur me telekomunikacionin.

    Zëvendëskryeministri Bislimi tha se i ka kërkuar Lajcakut që të dërgojë një letër në Këshillin e Evropës për të qartësuar se ky dialogu nuk ka lidhje me procesin e anëtarësimit.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Arrestohet një person, dyshohet se përvetësoi mbi 2 milionë euro duke mashtruar qytetarët

    Arrestohet një person, dyshohet se përvetësoi mbi 2 milionë euro duke mashtruar qytetarët

    Prokuroria Themelore në Mitrovicë, njoftoi se është arrestuar personi i dyshuar me iniciale J.M., nën dyshimin për mashtrim.

    Sipas prokurorisë, ai dyshohet se në periudha të ndryshme nga viti 2021 e gjer në muajin korrik 2023, ka mashtruar qytetarë të ndryshëm, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete, dhe dyshohet se vlera e përfitimit është rreth 2 milionë euro.

    Tutje, u bë e ditur se i dyshuari, me vendim të prokurorit gjendet në ndalim 48 orësh dhe në afatin e paraparë ligjor Prokuroria Themelore në Mitrovicë ndaj të dyshuarit do të paraqes kërkesë për caktimin e masës së sigurisë – masës së paraburgimit.

  • Konjufca takoi kryetarët e komisioneve parlamentare

    Konjufca takoi kryetarët e komisioneve parlamentare

    Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, takoi kryetarët e komisioneve parlamentare, për të diskutuar për mbikëqyrjen e zbatimit të ligjeve.

    Pjesë e këtij takimi ishin edhe përfaqësuesit e NDI-it, e cila së bashku me USAID-in e ka mbështetur Kuvendin në hartimin e doracakut për procesin e mbikëqyrjes së zbatimit të ligjeve nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.

    Kryetari Konjufca tha se përveç miratimit të ligjeve edhe mbikëqyrja e zbatimit të tyre është shumë e rëndësishme për shoqërinë dhe shtetin e Kosovës.

    Kryetari i Kuvendit inkurajoi kryetarët e komisioneve parlamentare që të hartojnë edhe miratojnë projektligje sa më përmbajtësore, por njëkohësisht të fokusohen edhe në aktivitetet mbikëqyrëse të Kuvendit.

    Kryetari Konjufca, po ashtu, kërkoi nga kryetarët e komisioneve parlamentare që raportet e mbikëqyrjes së zbatimit të ligjeve t’i publikojnë me kohë.

    Kryeu i Kuvendit falëndëroi USAID-in dhe NDI-në për mbështetjen e vazhdueshme, duke vlerësuar se doracaku për procesin e mbikëqyrjes së zbatimit të ligjeve do ta plotësojë boshllëkun sa i përket metodologjisë së procesit mbikëqyrës që ka ekzistuar në Kuvendin e Kosovës.

    Përfaqësuesi i NDI-së, Valon Kurhasani, tha se mbikëqyrja e zbatimit të ligjeve është sfidë jo vetëm për Kuvendin, por edhe për kuvendet e shteteve të tjera.

    Kur Hasani theksoi se gjatë hartimit të doracakut janë marrë praktikat e disa vendeve evropiane dhe se pas një periudhe kohore të pilotimi së bashku me Kuvendin do të vlerësohet nëse është e nevojshme që të plotësohet apo jo.

    Gjatë diskutimit, kryetarët e komisioneve parlamentare folën për përvojat dhe sfidat e procesit të mbikëqyrjes së zbatimit të ligjeve në Kosovë.

    Doracaku i hartuar me mbështetjen USAID-it dhe NDI-së, u vlerësua lartë edhe nga kryetarët e komisioneve parlamentare.

    Ishte konkluzion i përbashkët që Kuvendi duhet të shtojë dinamikën e mbikëqyrjes së zbatimit të ligjeve në Kosovë.

  • Duhani në lokale, Ministria e Shëndetësisë paralajmëron gjoba deri në 3 mijë euro

    Duhani në lokale, Ministria e Shëndetësisë paralajmëron gjoba deri në 3 mijë euro

    Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se po vazhdon pa kompromis zbatimi i Ligjit për Kontroll të Duhanit, në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Sipas MSH-së nga tani e tutje gjobat për të gjithë ata që shkelin Ligjin për Kontrollin e Duhanit, do të jenë nga 1 mijë deri në 3 mijë euro.

    MSh-ja po ashtu bënë të ditur se nga janari deri me datë 14.03.2024 janë shqiptuar gjithsej 1328 gjoba.

    “Muajin e parë të vitit gjobat kanë qenë minimale, me qëllim që të nxisim bashkëpunim të ndërsjellë pa i ngarkuar bizneset, ndërsa tash e tutje gjobat për ata që thyejnë ligjin do të jenë maksimale, prej 1000 deri në 3000 euro”, thuhet në njoftimin e MSH-së.

    Ndryshe, duhani vret më shumë se 8 milionë njerëz çdo vit në botë, duke përfshirë rreth 1.3 milionë jo-duhanpirës të cilët janë të ekspozuar ndaj tymit të dorës së dytë;

    Në çdo 6.5 sekonda një njeri vdes në botë nga pasojat e duhanpirjes;

    Duhani vret gjysmën e përdoruesve të tij. Është shkaktari i dytë i vdekjeve në botë;

    Pirja e duhanit vlerësohet se shkakton: 67% të gjitha vdekjeve nga kanceri i mushkërive; 34% të vdekjeve nga sëmundjet kronike të frymëmarrjes dhe 8% të vdekjeve nga sëmundjet kardiovaskulare.

  • Haradinaj: Qeveria e sotme nuk po e respekton dhe përkrah Deçanin në kërkesat jetike në shërbim të qytetarëve

    Haradinaj: Qeveria e sotme nuk po e respekton dhe përkrah Deçanin në kërkesat jetike në shërbim të qytetarëve

    Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka vizituar sot kryetarin e komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj.

    Ai ka thënë se shkaku i qeverisë aktuale, shumë projekte kanë mbetur pa buxhetin e domosdoshëm për t’i përfunduar ato.

    Kjo sjellje e tillë e qeverisë ndaj Deçanit sipas Haradinajt, duhet të ndërpritet dhe t’i ofrohet përkrahja e merituar në projektet që kanë mbetur pezull.

    Postimi i plotë:

    “Sot qëndrova në Deçan ku zhvillova një diskutim me kryetarin, z. Bashkim Ramosaj dhe autoritetet tjera lokale për të gjitha zhvillimet e fundit në Deçan e më gjerë. Deçani, si çdoherë ka nderuar Kosovën e gjithë kombin në të gjitha çështjet e ndjeshme, dhe do të vazhdojë të jetë në shërbim të qytetarëve dhe në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, për t’i respektuar vendimet e institucioneve qendrore të Kosovës, sepse është shteti ynë dhe shtet tjetër nuk kemi.
    Por, qeveria e sotme e Kosovës nuk po e respekton dhe nuk po e përkrah Deçanin në kërkesat jetike në shërbim të qytetarëve. Shumë projekte kanë mbetur pa buxhetin e domosdoshëm për t’i përfunduar ato. Kjo sjellje e tillë e qeverisë ndaj Deçanit duhet të ndërpritet dhe t’i ofrohet përkrahja e merituar në projektet që kanë mbetur pezull”.

  • Navalnaya i bën thirrje botës të mos e njohë Putinin si lider legjitim

    Navalnaya i bën thirrje botës të mos e njohë Putinin si lider legjitim

    Yulia Navalnaya, e veja e politikanit opozitar rus, Aleksei Navalny, i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të refuzojë njohjen e presidentit Vladimir Putin si lider “legjitim” të shtetit, pas zgjedhjeve të fundjavës që “nuk kanë asnjë rëndësi”.

    Duke folur për mbështetësit e saj, përmes një video-mesazhi të publikuar në rrjetet sociale, më 19 mars, Navalnaya ka bërë thirrje që të mos ketë dorëzim në të bërit opozitë ndaj Putinit, i cili lehtësisht i ka fituar më shumë se 87 për qind të votave në mungesë të rivalëve pasi ata janë burgosur, ose u është ndaluar gara.

    “Rezultatet e këtyre zgjedhjeve nuk kanë asnjë kuptim. Putini dëshiron t’i tregojë botës se ka shumë mbështetje”, ka thënë Navalnaya.

    “Këto zgjedhje janë kryer, por asgjë nuk është përfunduar. E kundërta, ne duhet të mbledhim forcën dhe të punojmë më fortë sesa më parë”, ka shtuar ajo.

    Putin e ka shpallur fitoren për mandatin e pestë presidencial, pas zgjedhjeve të mbajtura më 15-17 mars, të cilat janë dënuar prej Perëndimit, duke u cilësuar si as të drejta, as të lira.

    Besohet që përmes këtyre zgjedhjeve, Putin ka tentuar të fitojë përkrahje për luftën e nisur në Ukrainë dhe politikat e tij gjithnjë e më shtypëse.

    Putin, 71-vjeçar, i cili ka udhëhequr në Rusi, qoftë si president, apo si kryeministër, prej vitit 2000 – pritet të tejkalojë udhëheqësinë 30-vjeçare të Josef Stalinit, nëse do ta përfundojë këtë mandat të ri.

    Kështu, ai do të mund të bëhet lideri rus që ka shërbyer më së gjati në dy shekujt e fundit.

    Vëzhguesve të pavarur u është ndaluar pjesëmarrja në zgjedhje, për herë të parë në historinë post-sovjetike të Rusisë, kanë thënë ekspertët.

    Në video, Navalnaya i ka lavdëruar rusët që kanë marrë pjesë në protestën e 17 marsit, që është organizuar nga ndihmësit e Navalnyt në Rusi dhe vende tjera.

    Ajo aktualisht është duke jetuar jashtë Rusisë, mirëpo është zotuar se do ta vazhdojë luftën e burrit të saj “për një Rusi të mrekullueshme në të ardhmen”.

    Burri i saj, Aleksei, ka vdekur më 16 shkurt, në një prej burgjeve më famëkeqe të Rusisë, në rrethana të dyshimta.

    Navalnaya dhe shumë qeveri perëndimore e fajësojnë Putinin për vdekjen e kritikut të Kremlinit./REL/

  • Fillon takimi trepalësh në Bruksel

    Fillon takimi trepalësh në Bruksel

    Përfaqësues të Kosovës dhe Serbisë ndodhen sot në Bruksel për takimin e radhës në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

    Aktualisht, delegacionet e Kosovës dhe Serbisë, të kryesuara nga Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, janë në takim të përbashkët, me ndërmjetësimin e përfaqësuesit të posaçëm të BE-së, Mirosllav Lajçak.

    Paraprakisht, Lajçak priti veç e veç Bislimin dhe Petkoviqin.

    Bashkimi Evropian paralajmëroi një ditë më herët se do të shtojë trysninë mbi dy vendet për të zbatuar marrëveshjen e arritur një vit më parë për normalizimin e marrëdhënieve. Bisedimet, megjithatë, mund të mbeten nën hijen e ndalimit të dinarit serb në Kosovë – temë kjo, po ashtu, e paralajmëruar nga BE-ja. Me një rregullore të Bankës Qendrore, Kosova e ndaloi përdorimin e kësaj valute më 1 shkurt, duke e bërë euron mjet të vetëm pagese. Diplomatë perëndimorë i kërkuan Kosovës që ta pezullojë rregulloren, për t’iu dhënë kohë qytetarëve të prekur që të përshtaten me praktikën e re./REL/

    Rundi i ri i dialogut Kosovë – Serbi: Kryengociatorët sot në Bruksel diskutojnë edhe për dinarin

  • Banka Botërore i ndan Kosovës 90 milionë euro mbështetje për reformat ekonomike

    Banka Botërore i ndan Kosovës 90 milionë euro mbështetje për reformat ekonomike

    Bordi i Bankës Botërore dje ka miratuar Marrëveshjen për Financimin e Politikave Zhvillimore për Politikën Fiskale, Konkurrueshmërinë dhe Rritjen e Gjelbër ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Botërore, me një vlerë prej 90 milionë euro.

    Kjo marrëveshje në njoftimin zyrtar të Ministrisë së Financave thuhet se vjen si rezultat i veprimeve të realizuara të Republikës së Kosovës në forcimin e stabilitetit fiskal dhe makroekonomik, rritjen e efikasitetit të shpenzimeve publike, krijimin e një ambienti të favorshëm për investime dhe fillimin e tranzicionit drejt një ekonomie të gjelbër.

    Përmes marrëveshjes së re, e cila do të nënshkruhet muajin që vjen gjatë Takimeve Pranverore në Washington DC, janë realizuar një varg veprimesh siç janë reforma ligjore në fushën e edukimit në fëmijërinë e hershme, përmirësimi i efiçiencës së energjisë, zvogëlimi i barrës administrative, rritja e investimeve të huaja direkte, dixhitalizimi dhe lehtësimi i të bërit tregti.

  • Presidentja Osmani priti në takim presidentin e Komitetit Paralimpik Ndërkombëtar, Andrew Parsons

    Presidentja Osmani priti në takim presidentin e Komitetit Paralimpik Ndërkombëtar, Andrew Parsons

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim presidentin e Komitetit Paralimpik Ndërkombëtar, Andreew Parsons, të shoqëruar nga presidentja e Komitetit Paralimpik të Kosovës, Njomza Emini.

    Kosova do të përfaqësohet për herë të parë në Lojërat Paralimpike “Paris 2024”, ndaj Presidentja Osmani e ka cilësuar këtë moment historik, duke shpresuar në përfaqësim të denjë të sportistëve tanë në këto gara ndërkombëtare.

    Presidentja Osmani ka falënderuar për mbështetjen e deritashme presidentin Parsons dhe ka shtuar nevojën e vazhdimit të bashkëpunimit në funksion të krijimit të kushteve sa më të mira për parasportistët.

    Kurse presidenti Parsons e ka ftuar zyrtarisht Presidenten Osmani që të jetë prezente në ceremoninë hapëse të Lojërave Paralimpike “Paris 2024”, më 28 gusht.

  • Pas Bislimit, Lajçak takohet me Petkoviqin

    Pas Bislimit, Lajçak takohet me Petkoviqin

    I dërguari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka takuar delegacionin e Serbisë, të kryesuar nga Petar Petkoviq në Bruksel.

    Takimi i përbashkët trepalësh nuk është ende e sigurt se do të ndodhë, ndërsa pak kohë më parë Lajçak e ka takuar edhe zëvendëskryeministrin, Besnik Bislimi.