ATV

Category: Lajme

  • (VIDEO) Edi Rama shtyn gazetaren, refuzon të përgjigjet

    (VIDEO) Edi Rama shtyn gazetaren, refuzon të përgjigjet

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama po raportohet se ka shtyrë me duar një gazetare pasi doli para mediave.

    Sipas raportimeve në media, Rama përdori kontakt fizik ndaj gazetares, e cila po bënte një pyetje lidhur me financimin e portit të ri të Durrësit.

    “Ju lutem mos më prekni më,” iu drejtua gazetarja, ndërsa Rama u largua pas incidentit fizik.

  • KMDLNj: ZRrE-ja do ta vazhdojë keqbërjen ndaj qytetarëve të Kosovës

    KMDLNj: ZRrE-ja do ta vazhdojë keqbërjen ndaj qytetarëve të Kosovës

    Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka deklaruar se Zyra e Rregullatorit të Energjisë Elektrike të Kosovës është duke i dëmtuar dhe vjedhur qytetarët e vendit me mbi 40 milionë euro.

    Në njoftimin e lëshuar thuhet se Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vërtetuar vendimet e gjykatave tjera duke i kërkuar ZRrE-së t’ua kompensojë qytetarëve të Kosovës shumën prej 40 milionë eurove.

    Sipas KMDLNj-së, ZRrE-ja në mënyrë të kundërligjshme ka vjedhur në periudhën 2012 – 2017 për t’ua paguar rrymën qytetarëve të katër komunave në veri të Kosovës të cilët asnjëherë nuk e kanë paguar rrymën, që nga përfundimi i luftës, deri më sot.

    “ZRrE e ka pranuar këtë vendim por se nuk është deklaruar për mënyrën e kompensimit. Fillimisht bëhej fjalë për 100 milionë të vjedhura e që me alkiminë e këtij rregullatori zhvatës u zvogëlua në 40 milionë. Qeveria aktuale e Kosovës për këtë vendim e ka zgjedhur gjuhën e peshkut – të heshtjes ndonëse nuk ka lënë pa kritikuar vendimet tjera”.

    “Pas hetimeve, KMDLNj mendon se kjo shifër do të dali shumë më e lartë. Me një qeveri që është aleate e ZRrE, me nje Prokurori jovepruese, me një opozitë të rraskapitur fare dhe e ngarkuar me mëkate nga e kaluara për çështjen e vjedhjes përmes faturave të fryera, qytetarët e Kosovës jo që nuk do të zhdëmtohen për dëmet që u janë bërë dhe po ua bënë ky Rregullator i kriminalizuar dhe i veshur me përkrahje politike por këtë keqbërje do ta vazhdojë edhe në të ardhmen”, thuhet në njoftim.

  • Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, dëshmitari i 51-të thotë se UÇK-ja ia arrestoi vëllanë dhe nuk u gjet kurrë

    Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, dëshmitari i 51-të thotë se UÇK-ja ia arrestoi vëllanë dhe nuk u gjet kurrë

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, ka filluar dëshminë dëshmitari i 51-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar me kodin W04446 në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

    Sipas përmbledhjes së lexuar nga prokurorja Bega Joviça, u tha se dëshmitarit i ishte arrestuar vëllai i tij nga UÇK-ja e që kufoma e tij nuk u gjet më kurrë.

    “Dëshmitari W04446 mësoi nga një i afërm se vëllai i tij ishte i arrestuar nga UÇK-ja. Kur W04446 shkoi që të kërkonte vëllanë, ushtarët e UÇK-së i thanë që të fliste me një komandant të UÇK-së i cili e konfirmoi se vëllai i W04446 ishte aty dhe se çështja e tij po hetohej duke qenë se UÇK-ja besonte se ishte bashkëpunëtor i okupatorit. W04446 e anëtarë të tjerë të familjes shkuan sërish që të pyesin për vëllanë e tij disa herë, në një moment të caktuar W04446 e kuptoi se vëllai i tij nuk ndodhej më në komandën e UÇK-së dhe e kërcënuan që të mos kthehej më. Kufoma e vëllait të W04446 nuk u gjet kurrë”, tha prokurorja.

    Dëshmia e këtij dëshmitari është duke vazhduar në sesion privat për publikun, për shkak se ai është me masa mbrojtëse.

    Sipas kryetarit të trupit gjykues, Charles Smith III dëshmia e këtij dëshmitari pritet që të zgjasë rreth katër orë. Ai tha se ZPS-ja ka paraparë rreth një orë për pyetje, ndërsa ekipet mbrojtëse rreth tri orë e 15 minuta për kundërpyetje./BetimipërDrejtësi

  • Opozita përplaset me Rozeta Hajdarin, shkak inspektorët e tregut

    Opozita përplaset me Rozeta Hajdarin, shkak inspektorët e tregut

    Në Komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti u diskutua të martën për çështjen e inspektorëve komunalë që ministrja e Industrisë, Rozeta Hajdari, ka thënë se kompetenca për ta do të jetë e nivelit qendror, duke shtuar se ligji e definon kompetencën e tyre, raporton Ekonomia Online.

    Sa i përket këtij projektligji, opozita pati pakënaqësi i përket sistemimit të inspektorëve komunal, ku sipas tyre më këtë Projektligj nuk saktësohet sistematizimi i tyre.

    Në lidhje më këtë, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, e cila tha se është punuar shumë dhe janë konsultuar të gjitha grupet e interesit dhe kanë nxjerrë këtë draft të inspektoratit te tregut që e bënë me efektiv.

    “Ne kemi punuar shume ne projektligjin që po e prezantojmë. Kemi konsultuar të gjitha grupet e interesit dhe kemi nxjerrë këtë draft që do ta bëjë inspektoratin e tregut më efektiv. Konsideroj që i kemi vënë vëmendjen e duhur duke i dhënë një infrastrukturë ligjore që i ka munguar”, ka thënë ajo.

    Ndërsa, drejtori i Zyrës Ligjore, Rexhep Bllaca, ka deklaruar se ata do t’i barten nivelit qendror, por problemi mbetet me Ministrinë e Financave, duke shtuar se ajo “s’e lejon bartjen e inspektorëve nga niveli lokal në qendror”.

    “Por, kjo mbetet të trajtohet. Gjithçka do të jetë në nivelin qendror”, ka thënë ai.

    Në lidhje më këtë cështje ka pyetur edhe deputetja e VV-së, Mimoza Kusari Lila.

    Edhe deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, ka thënë se në këtë projektligj nuk ka qartësime për inspektoret, pasi sipas tij, përderisa nuk ka marrëveshje me komunat ky projektligj nuk do të funksionoj.

    “Mendoj që kjo çështje është mirë që është ardhur në tavolinë por duhet t’i qartësojmë gjërat. Me këtë ligj nuk e keni saktësuar saktë se si bëhet bartja fizike, bartja e kompetencave dhe çfarë marrëveshje keni me komunat, me Ministrinë e Financave edhe Ministrinë e Tregtisë. Derisa nuk qartësohen këto, ka gabime”, ka thënë ai.

    Ndërsa, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ferat Shala, ka shtuar se në bazë të kësaj, kompetencat ministrja Hajdari po i mban larg.

    “Çfarë roli dhe funksioni mund të kryejnë ata (inspektorë) nëse ju merrni kompetencat”, ka shtuar ai.

    Detaje për temën e inspektorëve ka kërkuar se deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Driton Hyseni, duke kërkuar që me ligjin e ri, inspektorati të avancojë “në krahasim me ligjin paraprak”.

    “Ju dhatë një lloj përshkrimi se si do të zbatohet kjo rregullore. Mendoj se sa i takon procedurave që nuk përmbushin standardet dhe cilësinë e keni bë një punë të mirë. Me ligjin e ri sa avancon kjo”, u shpreh Hyseni.

    Ndërsa, ministrja Hajdari ka thënë se në hyrje të ligjit të ri do të rregullohet çështja e sistematizimit të inspektorëve.

    “Gjatë këtyre viteve ne kemi praktikën jo të mirë sa i përket raportimi të inspektorëve komunalë. Ata inspektorë asnjëherë nuk kanë raportuar. Kanë raportuar te kryetarët e komunave, kanë marrë vendime pa dakordim e koordinim me Ministrinë. Disa prej tyre nuk i kanë pasur as mjetet e duhura te punës. Edhe 27 inspektorë shtesë që janë shtuar me Ligjin e Buxhetit për vitin 2024, por jo të gjithë janë punësuar. Ne synojmë rritjen e tyre. Do të hapim shpallje në këtë pranverë. Deri më tash me gjithë këto kapacitet të ulëta ne kemi arritur shifër rekord sa i përket Inspektimeve mbi 3 mijë”, ka thënë Hajdari.

    E ky sqarim i ministres bërë që të ketë replika ndërmjet deputeti të AAK-së Pal Lekaj dhe deputetit të VV-së Driton Hyseni.

    Deputeti Lekaj tha se ministrja është konfuze sa i përket kësaj çështje. Ai kritikoi edhe qeverisjen aktuale për mos implementimin e ligjeve.

    “Ministrja është e pak konfuze. Ligjet janë për të rregulluar dhe jo për të bërë mish-mash. Ju po e bënë një centralizim klasik. Kemi me u mbajt mend për krejt këto që nuk keni bërë”, ka thënë ai.

    Ndaj këtyre deklaratave reagoi deputeti Hyseni, i cili tha se Lekaj është duke kaluar më çështje politike.

  • Osmani: Rinia – kapitali jonë i çmuar, potenciali pa të cilin Kosova s’mund të bëjë hapa përpara

    Osmani: Rinia – kapitali jonë i çmuar, potenciali pa të cilin Kosova s’mund të bëjë hapa përpara

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ditën e djeshme qëndroi në Lipjan, ku bashkë me të parin e kësaj komune, Imri Ahmeti, zhvilluan disa aktivitete.

    E para e shtetit pos tjerash, pati edhe bashkëbisedim me të rinjtë e kësaj komune si dhe me gratë ndërmarrëse.

    Përmes një postimi në Facebook, ajo tha se rinia është kapitali jonë i çmuar, dhe potenciali pa të cilin Kosova nuk mund të bëjë hapa përpara.

  • Dëmtohen disa pajisje të antenës së Policisë në Mitrovicë

    Dëmtohen disa pajisje të antenës së Policisë në Mitrovicë

    Një punëtor i PTK-së ka njoftuar se disa persona të dyshuar kanë bërë disa dëmtime në pajisjet e antenës së policisë si dhe janë këputur kabllot furnizuese të rrymës.

    Në raportin 24-orësh të Policisë bëhet e ditur se ngjarja ka ndodhur të hënën rreth orës 20:30 në fshatin Melanicë, në Mitrovicë.

    Bëhet e ditur se në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse policore.

    Ndërkaq, lidhur me rastin është njoftuar prokurori, dhe sipas udhëzimeve të tij, rasti kualifikohet si “Nxitje e urrejtjes dhe përçarjes”.

  • Pjetër Shalës i vazhdohet paraburgimi

    Pjetër Shalës i vazhdohet paraburgimi

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) është marrë vendim për vazhdimin e masës së paraburgimit për Pjetër Shalën.

    Vendimi është marrë më 18 mars 2024 nga kryetarja e trupit gjykues, Mappie Veldt-Foglia, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    “Paneli përmes kësaj: a. URDHËRON vazhdimin e paraburgimit të të akuzuarit; b. URDHËRON ZPS-në dhe avokatin e viktimave, nëse dëshiron, të paraqesin parashtresa për shqyrtimin e radhës të paraburgimit të të akuzuarit jo më vonë se e premtja, 3 maj 2024; c. URDHËRON mbrojtjen që të paraqesë parashtresa për shqyrtimin e radhës të paraburgimit të të akuzuarit, nëse dëshiron, jo më vonë se e premtja, 10 maj 2024; dhe d. VENDOSET që çdo përgjigje, nëse ZPS-ja dhe avokati i viktimave dëshirojnë, do të dorëzohet jo më vonë se e marta, 14 maj 2024”, thuhet në vendim.

    Në arsyetimin e këtij vendimi, thuhet se Paneli ka konstatuar se ekziston rreziku për pengim të procesit të procedurave pranë DhSK-së si dhe rreziku për kryerjen e krimeve të mëtejshme nga i akuzuari.

    Ndërsa, sa i përket lirimit në arrest shtëpiak e cila ishte kërkesë e mbrojtjes së të akuzuarit, Paneli ka konstatuar se në atë mënyrë nuk mund të ofrohet monitorim efektiv i komunikimeve të tij.

    Sipas tyre, kjo gjë është e mundshme vetëm në objektet e paraburgimit në DhSK.

    “Në këtë drejtim, Paneli rikujton konsideratat e tij të mëparshme në lidhje me lirimin me kusht, duke përfshirë vlerësimin e tij për kushtet alternative të propozuara nga mbrojtja. Në mënyrë të veçantë, duke pasur parasysh faktorët e rrezikut të identifikuar më lart, Paneli konsideron se kushtet e propozuara nga mbrojtja, duke përfshirë vendosjen e të akuzuarit në arrest shtëpiak në rezidencën e tij në Belgjikë: (i) nuk trajtojnë mundësinë që i akuzuari të përdorë pajisje komunikimi që i përkasin të tjerëve ose duke u kërkuar të tjerëve që të përdorin pajisjet e tyre për këto qëllime; dhe (ii) nuk mund të sigurojë monitorimin efektiv të komunikimeve të të akuzuarit. Përkundrazi, garanci dhe masa të tilla janë të mundshme vetëm në objektet e paraburgimit të DhSK-së”, thuhet në vendim.

  • ShBA-ja shkatërron raketa dhe dronë të Huthëve

    ShBA-ja shkatërron raketa dhe dronë të Huthëve

    Ushtria amerikane tha se ka shkatërruar shtatë raketa dhe tre dronë në zonat në Jemen që kontrollohen nga rebelët e Huthit, të cilat tha se paraqisnin rrezik për anijet tregtare dhe ato të Marinës amerikane.

    Rebelët e Huthit, që mbështeten nga Irani, që nga nëntori po sulmojnë anijet në Detin e Kuq, për siç kanë thënë, në shenjë solidariteti me palestinezët pas nisjes së luftës në Gazë mes Izraelit dhe Hamasit, grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

    Forcat e Komandës Qendrore të SHBA-së vepruan “në vetëmbrojtje” kur u përfshin dhe shkatërruan raketa dhe dronë, por edhe tre kontejnerë me armë në zonat e kontrolluara nga Huthët, tha komanda përmes një postimi në X, që më herët njihej si Twitter.

    “U përcaktua se këto armë paraqisnin rrezik të menjëhershëm për anijet tregtare dhe ato të Marinës amerikane që gjenden në rajon. Këto veprime u ndërmorën për të mbrojtur lirinë e lëvizjes dhe për t’i bërë ujërat ndërkombëtare më të sigurta për Marinën amerikane dhe anijet tregtare”, tha Komanda Qendrore amerikane.

    Sulmet e Huthëve kanë detyruar anijet që kalojnë përmes rrugës kyçe tregtare në Detin e Kuq, që të ndryshojnë rrugëtimin e tyre, duke rritur kostot, në mënyrë që të shmangin sulmet.

    SHBA-ja dhe Britania kanë kryer sulme të vazhdueshme ndaj caqeve të rebelëve të Huthit në Jemen në përgjigje të sulmeve ndaj anijeve./REL

  • Arrestohet një person në Podujevë, dyshohet se sulmoi seksualisht një grua

    Arrestohet një person në Podujevë, dyshohet se sulmoi seksualisht një grua

    Një burrë është arrestuar në Podujevë pasi që i njëjti dyshohet se ka sulmuar seksualisht një grua.

    “SULM SEKSUAL/ Podujevë 17.03.2024. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti dyshohet se ka sulmuar seksualisht viktimën femër kosovare”, thuhet në raportin 24-orësh të Policisë.

    Tutje, Policia njoftoi se i dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

  • Shahini: Shqetësuese rënia e fuqisë blerëse e mungesa e punëtorëve, jemi bërë konsumatorë të produkteve të huaja

    Shahini: Shqetësuese rënia e fuqisë blerëse e mungesa e punëtorëve, jemi bërë konsumatorë të produkteve të huaja

    Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, thotë se gjendja e bizneseve nuk është e mirë për shkak të krizave të shpeshta. Ai thotë se kosovarët janë bërë konsumatorë të produkteve të huaja për shkak të përqindjes së lartë të importeve.

    Ai thotë se këtë vit ka rënë edhe fuqia blerëse dhe se kjo po shihet si brengë për shtetin.

    Shqetësuese e sheh edhe mungesën e punëtorëve, teksa ka kritika edhe për mënyrën se si po adresohet kjo çështje nga institucionet.

    “Bizneset e Kosovës janë në gjendje jo të mirë për shkak të krizave të njëpasnjëshme por edhe për shkak të rënies së fuqisë blerëse e cila ka rezultuar që këtë vit të kemi më pak konsumatorë dhe kjo është një breng për të gjithë qytetarët e vendit dhe vet shtetin e Kosovës duke u varfëruar çdo vit. Pothuajse në gjithë sektorët ka kërkesa të vazhdueshme për punëtoret por zakonisht bizneset kërkojnë punëtorë të lirë por nuk ka më punëtorë të mirë, ata janë punëtorë të cilët duhet të paguhen, aftësohen për tregun e punës dhe bashkërisht të kemi fuqi të punës më aktive e produktive duke i dhënë shtytje zhvillimit ekonomik të vendit”, thotë Shahini.

    Shahini ka treguar edhe për ndikimin që kanë pasur luftërat në për botë në ekonominë vendëse.

    “Luftërat të cilat po ndodhin në Ukrainë-Rusi, Palestinë-Izrael janë vende që po ndikojnë në mënyrë indirekte në Kosovë, sidomos lufta në Ukrainë ka ndikuar në çrregullimin e tregjeve globale dhe ato kanë pësuar rritje të çmimeve rënieve të produktivitetit dhe sanksionet që janë marrë në vendet tjera kanë ndikuar që të kenë mungesë të produkteve dhe shtrenjtim të tyre.

    I pyetur rreth qasjes institucionale drejtuar bizneseve në vend, Shahini deklaroi se po mungon një “hallkë lidhëse” e cila po tërheq probleme tjera.

    “Partneriteti mes sektorit privat dhe publik nuk është në nivelin e duhur, mungon një hallkë lidhëse mes sektorit privat dhe institucioneve qendrore, me qeverisje lokale kemi raporte mira e po ashtu edhe bizneset, por shumicën e rasteve dhe problemeve prodhohen nga qendra, nga institucionet qendrore dhe bizneset kanë probleme të njëpasnjëshme, me zvarritje të licencave, leje të punës, ndryshimet ekonomike ato fiskale, dhe këto probleme besoj se do të filloj të mendon për sektorin privat më mirë dhe të jetë nxitës i zhvillimit  ekonomik të prodhimit vendor e po ashtu edhe investimeve të huaja”.

    Shahini i ka quajtur qytetarët e Kosovës si konsumatorë të produkteve të huaja. Thotë se importet aktualisht janë 90 për qind.

    “Qeveria ka fuqi të nxit zhvillim në vend, nxit prodhimtari vendore, stimuloj këtë formë që të kem më pak importe. Aktualisht importet e Kosovës janë rreth 90 për qind e ky trend nuk po zbritet dhe neve na mbetet të jemi konsumatorë të produkteve të huaja. Kosova brenda vitit të kaluar ka importuar mbi 5.7 miliardë euro produkte të ndryshme dhe këto produkte janë në konsum të qytetarëve të vendit, mendoni sikur këto të ishin në qarkullim të brendshëm dhe sa do fuqizohej ekonomia e vendit prandaj strategjia e zhvillimit ekonomik për bizneset dhe ekonominë e brendshme mungon, ashtu sikur ligji për tregti të brendshme”, thotë ai.