ATV

Category: Lajme

  • Tri ditë kohë për propozimet lidhur me dinarin – Çfarë pritet të ndodhë javën tjetër në Bruksel?

    Tri ditë kohë për propozimet lidhur me dinarin – Çfarë pritet të ndodhë javën tjetër në Bruksel?

    Kosova dhe Serbia, deri më 22 mars, do t’i dorëzojnë propozimet e tyre për përdorimin e dinarit serb në Kosovë, ndërsa javën e ardhshme do të takohen sërish në Bruksel për diskutimin e opsioneve, tha kryenegociatori i Kosovës në bisedimet me Serbinë, Besnik Bislimi.

    Ai dhe kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, u takuan të martën me ndërmjetësimin e përfaqësuesit të posaçëm të BE-së, Mirosllav Lajçak.

    “Jemi pajtuar që me këtë çështje të vazhdojmë të hënën e ardhshme”, shkroi Lajçak në platformën X.

    Ishte hera e parë që zyrtarë të Qeverisë së Kosovës morën pjesë në bisedime të tilla, prej se Kosova, me një rregullore të Bankës Qendrore që hyri në fuqi më 1 shkurt, ndaloi përdorimin e dinarit serb, duke e bërë euron mjet të vetëm pagese.

    Çështja, pos që zemëroi Serbinë, nxiti mospajtime edhe mes Qeverisë së Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare, pasi komuniteti serb në Kosovë, prej vitesh, merr pagesa në dinarë nga buxheti i Serbisë.

    Diplomatë perëndimorë i kërkuan Kosovës që ta pezullojë rregulloren, për t’iu dhënë kohë qytetarëve të prekur që të përshtaten me praktikën e re.

    Çka u tha tjetër në Bruksel?

    Petkoviq tha se gjëja e parë për të cilën këmbënguli pala serbe, ishte themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, sepse kjo, sipas tij, “do ta zgjidhte edhe çështjen e financimit të të gjitha institucioneve serbe në Kosovë”.

    Petkoviq tha se është gjithashtu e rëndësishme që të gjendet një zgjidhje, e cila do të mundësonte vazhdimin e funksionimit të bankës së Serbisë në Kosovë, Kursimorja e Postës.

    Ai shtoi se pret që bisedimet të vazhdojnë “në frymë konstruktive”.

    Petkoviq tha, po ashtu, se bashkëbiseduesi i tij nga Prishtina ka insistuar gjatë gjithë kohës për një lloj formalizimi të Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

    Por, delegacioni serb, sipas tij, ka folur për domosdoshmërinë e themelimit të Asociacionit, sepse marrëveshja për të, kujtoi ai, është nënshkruar tashmë edhe nga Beogradi, edhe nga Prishtina, ashtu si edhe nga BE-ja.

    Bislimi tha se mund të ketë një takim mes liderëve të Kosovës dhe Serbisë, për t’u deklaruar rreth Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve që u arrit vitin e kaluar.

    Ai u tha gazetarëve se pala serbe konfirmoi se nuk është e gatshme ta zbatojë plotësisht atë.

    Sipas Bislimit, kryenegociatori serb, duke iu përgjigjur pyetjeve të shumta të Lajçakut, tha se marrëveshja me Kosovën “është problematike” për shkak të pjesës që ka të bëjë me statusin e Kosovës.

    “Lajçak konstatoi se Serbia e ka problem të lëvizë në këtë drejtim dhe, rrjedhimisht, kjo do të duhej të diskutohej në një takim të ardhshëm me krerët e shteteve”, tha Bislimi.

    Në postimin në X, Lajçak konfirmoi shkurtimisht se marrëveshja do të duhej të adresohej nga udhëheqësit.

    Një ditë më herët, Bashkimi Evropian paralajmëroi se do të shtojë trysninë mbi të dyja vendet për të zbatuar marrëveshjen e arritur në shkurt të vitit të kaluar në Bruksel.

    Në mars të po atij viti, në Ohër, u ra dakord edhe për aneksin e zbatimit, por palët nuk bënë shumë hapa në praktikë.

    Marrëveshja, mes tjerash, kërkon marrëdhënie të mira fqinjësore, njohje reciproke të dokumenteve dhe simboleve shtetërore, si dhe respektim reciprok të sovranitetit dhe tërësisë territoriale.

    Marrëveshja kërkon po ashtu nga palët që të mos e pengojnë njëra-tjetrën në proceset integruese, por nuk kërkon njohje të ndërsjellë.

    Sipas saj, palët duhet t’i zbatojnë edhe marrëveshjet e arritura më herët në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve – proces ky i nisur qysh në vitin 2011.

  • Për 24 orë, policia ka shqiptuar mbi 2 mijë gjoba në trafik

    Për 24 orë, policia ka shqiptuar mbi 2 mijë gjoba në trafik

    Policia e Kosovës njofton se për 24 orë, ka shqiptuar 2061 gjoba në trafik.

    Sipas policisë, gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar disa aksidente në trafikun rrugor, ku 23 aksidente kanë qenë me lëndime, ndërsa 37 me dëme materiale.

    Policia njofton se janë arrestuar 17 persona, ndërkaq 10 të tjerë janë dërguar në mbajtje, ndërsa 3 persona janë persona në vuajtje të dënimit.

  • Turqia goditet nga një tërmet i fortë

    Turqia goditet nga një tërmet i fortë

    Mëngjesin e së mërkurës Turqia është goditur nga një tërmet.

    Raportohet se fuqia e dridhjes së tokës ishte katër shkallë të Rihterit.

    Sipas kohës lokale kjo ka ndodhur rreth orës 08:55 minuta, në një thellësi prej tetë kilometrash, shkruan EMSC.

    Epiqendra e tërmetit llogaritet 30 kilometra nga Besni, 55 kilometra nga Kahramanmaras.

    Deri më tani nuk raportohet për të lënduar apo dëme materiale.

    Në shkurt të 2023-tës, Turqia ishte goditur nga një tërmet i madh, ku mbetën të vdekur mbi 50 mijë persona.

  • Dyshohet se goditi me veturë tre persona, arrestohet i dyshuari në Deçan

    Dyshohet se goditi me veturë tre persona, arrestohet i dyshuari në Deçan

    Është arrestuar dje një person në Isniq të Deçanit, pasi dyshohet se kishte goditur me veturë një burrë dhe dy gra e më pas ishte larguar në drejtim të panjohur.

    Siç njoftoi Policia, rasti ka ndodhur më 17 mars, ndërkohë që viktimat kanë pranuar tretman mjekësor.

    Tutje, në raportin policor thuhet se i dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

  • Vazhdon gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Vazhdon gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë, sot do të vazhdojë gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

    Ndryshe edhe sot vazhdon dëshminë, dëshmitari i ZPS-së me kodin w04571, i cili ka filluar dëshminë dje përmes video-lidhjes.

    Sipas përmbledhjes së shkurtër të lexuar nga ZPS-ja në sallë të gjyqit, ky dëshmitar është shqiptar i Kosovës, i cili pretendon se ishte arrestuar dhe mbajtur nga anëtarë të UÇK-së në gusht 1998 ose rreth kësaj date.

    Ky është dëshmitari i 52-të i ZPS-së deri më tani.

  • Austriakes i vidhet vetura në Prishtinë

    Austriakes i vidhet vetura në Prishtinë

    Një shtetase e Austrisë ka njoftuar policinë se persona të panjohur i kanë vjedhur veturën e saj me targa të Austrisë.

    Policia ka nisur hetimet për rastin.

    “Rr. Ymer Alushani, Prishtinë 14.03.2024-08:00. Ankuesja femër shtetase austriake ka raportuar se, nga persona të panjohur i është vjedhur vetura e saj me targa të Austrisë. Lidhur me rastin është informuar edhe prokurori, ndërsa njësitet policore janë duke hetuar rastin”, thuhet në njoftim.

  • Arrestohen tre persona për vjedhje në Ferizaj

    Arrestohen tre persona për vjedhje në Ferizaj

    Janë arrestuar tre persona në Ferizaj, nën dyshimin se kanë kryer veprën penale vjedhje e rëndë.

    Sipas policisë, të dyshuarit kanë kryer vjedhje në një objekt banesor.

    “Rr. Rr. Reçaku, Ferizaj  31.01.2024, 00:05. Pas një pune hetimore nga njësia e hetimeve janë identifikuar dhe arrestuar tre të dyshuar meshkuj kosovarë të cilët dyshohet se kanë kryer vjedhje në një objekt banesor. Me vendim të prokurorit pas intervistimit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftim.

  • ​KQZ kërkon mjete shtesë buxhetore nga Kuvendi

    ​KQZ kërkon mjete shtesë buxhetore nga Kuvendi

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka drejtuar një kërkesë tek Kuvendi i Kosovës për mjete shtesë buxhetore për vitin 2024.

    Kjo kërkesë, shuma e të cilës ende nuk dihet, do të shqyrtohet sot në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere, komision ky i cili pritet të shqyrtojë edhe raportin vjetor financiar të Komisionit Qendrorë të Zgjedhjeve për vitin 2022.

    Ky komision i cili nis mbledhjen në orën 11:00, do të shqyrtojë edhe raportin vjetor financiar të Avokatit të Popullit për vitin 2022, raportin vjetor financiar të KOSTT-it, për vitin 2022 dhe raportin vjetor financiar të Këshillit Prokurorial të Kosovës për vitin 2022. Gjithashtu, në këtë mbledhje do të formohet grupi punues për KASH-in, e Kuvendit të Kosovës për vitin 2025-2027.

  • Publikohet lista e vendeve më të lumtura në botë! Zbuloni ku renditet Kosova

    Publikohet lista e vendeve më të lumtura në botë! Zbuloni ku renditet Kosova

    Lista e vendeve më të lumtura dhe më të palumtura në planet u publikua nga Rrjeti i Zgjidhjeve të Zhvillimit të Qëndrueshëm të OKB-së , ku Finlanda zë vendin e parë për të shtatën vit radhazi, ndërsa nga ana tjetër, Afganistani ishte në vendin e fundit.

    Tetë vende evropiane janë në dhjetëshen e vendeve më të lumtura, ku Danimarka qëndron në vendin e dytë në listën e 140 vendeve dhe Islanda në të tretën. Në dhjetëshen e parë gjejmë edhe Suedinë, Izraelin, Holandën, Norvegjinë, Luksemburgun, Zvicrën dhe Australinë .

    Britania ra në renditje , e cila ishte në vendin e 20-të pas vendeve si Lituania ose Republika Çeke, si dhe SHBA-të , të cilat ranë tetë vende në krahasim me vitin 2023. Në 2023 SHBA-të ishin në vendin e 15 ndërsa këtë vit në vendin e 23-të.

    Sipas kësaj liste, Kosova qëndronte në vendin e 29-të, ndërsa një vit më parë ishte renditur në vendin e 34. Shqipëria renditet në vendin e 87-të, duke rënë 5 vende në krahasim me vitin 2023 kur ishte në vendin e 83-të të listës. Ndërsa Greqia renditet në vendin e 58-të.

    Studiuesit zbuluan gjithashtu se ata që kanë lindur para vitit 1965 janë më të lumtur se ata të lindur pas vitit 1980.
    Në këtë kontekst, studiuesit argumentojnë se evropianët e rinj dhe amerikanët e veriut po kalojnë një fazë që i ngjan një “krize të moshës së mesme”.

    Hulumtimi i Raportit të Lumturisë Botërore bazohet në përgjigjet dhe vlerësimet e qytetarëve të vendeve në lidhje me jetën e tyre dhe emocionet pozitive dhe negative që ata përjetojnë./TCH

  • Osmani sot mban adresim në konferencën “Java e Gruas 2024”

    Osmani sot mban adresim në konferencën “Java e Gruas 2024”

    Në Kosovë po vazhdon të mbahet konferenca “Java e Gruas 2024”.

    Në lidhje me këtë konferencë, presidentja e vendit, Vjosa Osmani, nga ora 10:10 do të mbajë adresimin mbi temën “Avancimi i lidershipit gjithëpërfshirës si domosdoshmëri strategjike në adresimin e sfidave të shekullit 21”.

    Pas Osmanit, në kuadër të konferencës “Java e Gruas”, diskutim të hapur do të mbajë edhe zëvendëskryeministrja, Emilja Rexhepi.