ATV

Category: Lajme

  • Vrasja me eksploziv në Smolicë të Gjakovës, lirohet nga akuza Dodë Gjikolaj

    Vrasja me eksploziv në Smolicë të Gjakovës, lirohet nga akuza Dodë Gjikolaj

    Gjykata Themelore në Gjakovë, ka shpallur aktgjykim lirues ndaj të pandehurit D.Gj., i cili sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore të Prizrenit, akuzohet për veprën penale “Vrasja e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

    Trupi gjykues, pas mbajtjes së 16 seancave gjyqësore, dëgjimit të 10 dëshmitarëve, administrimit dhe analizimit të të gjitha provave personale dhe materiale, këqyrjes dhe rikonstruksionit të vendit të ngjarjes, si dhe analizimin e 3 ekspertizave, 2 vendore dhe 1 ndërkombëtare (nga Instituti i Forenzikës së Cyrihut në Zvicrë), ka ardhur në përfundim se nuk është vërtetuar se i akuzuari ka kryer veprat penale si në aktakuzë.

    I pandehuri D.Gj., akuzohej se “me datën 14 tetor 2018 rreth orës 07:48 minuta në fshatin Smolicë të Gjakovës, ka privuar nga jeta tani të ndjerin H.A. nga fshati Smolicë i Gjakovës, dhe me atë rast vë në rrezik jetën e të dëmtuarit A. K., në atë mënyrë që ditën kritike i pandehuri D.Gj., rreth orës 02.30 minuta ka vendosur një materie eksplozivi në shtyllën e dyerve të oborrit të shtëpisë tani së të ndjerit

    H.A., në momentin kur tani i ndjeri rreth orës 08:02 minuta, del nga dyert e oborrit e pikërisht kur tenton të mbyll dyert, i pandehuri nga një largësi e panjohur, përmes teledirigjimit e aktivizon atë materie eksplozivi dhe nga shpërthimi, mbetet në vend i vdekur H.A., dhe lëndime trupore merr i dëmtuari A.K.” .

    Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej tridhjetë (30) ditëve nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar.

    Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 5 gusht 2022, nga Prokuroria Themelore në Prizren, Dod Gjikolaj, po akuzohet se më 14 tetor 2018, në fshatin Smolicë, të Komunës së Gjakovës, ka privuar nga jeta tani të ndjerin H.A.

    Sipas aktakuzës, Dod Gjikolaj, atë e kishte bërë në atë mënyrë që në ditën kritike, kishte vendosur një material eksploziv, në shtyllën e dyerve të oborrit të shtëpisë së tani të ndjerit, në momentin kur i ndjeri rreth orës 08:02 minuta, del nga dyert e oborrit, pikërisht kur tenton t’i mbyll dyert e oborrit, i pandehuri nga një largësi e panjohur, përmes teledirigjimit e aktivizon materialin eksploziv, ku me këtë rast mbetet i vdekur në vend, H.A., dhe lëndime trupore merr i dëmtuari A.K.

    Me këtë rast, sipas aktakuzës, ai po akuzohet se ka kryer veprën penale të “Vrasjes së rëndë” nga neni 179, paragrafi 1, pika 1.5 të Kodit Penal.

    I njëjti po akuzohet edhe për veprën penale të posedimit të pa autorizuar të materialit eksploziv, të tipit, dhe të natyrës së panjohur nga neni 374, paragrafi 1 të Kodit Penal.

  • Nga nesër lejohet kalimi i veturave në rrugën “Xhorxh Bush”, deri te parkingu nëntokësor

    Nga nesër lejohet kalimi i veturave në rrugën “Xhorxh Bush”, deri te parkingu nëntokësor

    Drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, Bekim Brestovci, ka njoftuar se nga dita nesër (e enjte) do të hapet për vetura një korsi në rrugën “Xhorxh Bush” duke lejuar kalimin deri te hyrja kryesore e parkingut nëntokësor.

    Brestovci i tha Insajderit se janë duke u kryer detajet e fundit, si sinjalizimet deri tek hyrja e parkingut.

    “Po është e vërtetë e kemi liruar rrugën dhe të enjten në mëngjes e hapim atë deri te hyrja kryesore e parkingut”, u shpreh ai.

  • Manastiri i Deçanit regjistron 24 hektarë tokë

    Manastiri i Deçanit regjistron 24 hektarë tokë

    Manastiri i Deçanit ka regjistruar në emër të tij 20 hektarë tokë.

    Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë konfirmoi se Manastiri i Deçanit ka regjistruar në emër të tij 20 hektarë tokë në Kadastrën qendrore të Kosovës, në Prishtinë.

    “Në bazë të ekstraktit kadastral mund të konfirmojmë që është zbatuar vendimi i Gjykatës Kushtetuese i vitit 2016 dhe Manastiri edhe në kadastër njihet si pronar i tokës së kontestuar më herët. Me këtë ne mundemi konkludojmë se procesi i kahershëm ligjor që është zhvilluar rreth 24 hektarëve tokë të Manastirit të Deçanit më në fund është zgjidhur”, thuhet në njoftim më 20 mars.

    Më 13 mars, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njoftoi se i kishte kërkuar Agjencisë Kadastrale që të transferojë 24 hektarë tokë në emër të Manastirit të Deçanit. Ai tha se zbatimi i vendimit të Kushtetueses do të ishte vendimtar për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, gjatë Asamblesë Parlamentare të këtij institucioni, që do të mbahet në prill.

    Vendimi i Qeverisë së Kosovës ishte kritikuar nga zyrtarët lokalë në Deçan dhe një shoqatë e historianëve në këtë komunë, që e kanë cilësuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese si të padrejtë.

  • BE-ja do të vendosë për nisjen e negociatave të anëtarësimit me Bosnjën

    BE-ja do të vendosë për nisjen e negociatave të anëtarësimit me Bosnjën

    Udhëheqësit e Bashkimit Evropian gjatë samitit të së enjtes dhe së premtes në Bruksel do të vendosin për nisjen e negociatave të anëtarësimit me Bosnje dhe Hercegovinën dhe do të bëjnë ftesë që të përgatitet korniza negociuese e bllokut për këto negociata.

    Vende anëtare veçse janë pajtuar që kjo të përfshihet në draftin e konkluzave të përgatitura për miratim në këtë samit, të cilin e ka parë Radio Evropa e Lirë.

    “Bazuar në rekomandimin e Komisionit Evropian nga 12 marsi i vitit 2024, Këshilli Evropian vendos të hapë negociatat e anëtarësimit me Bosnje e Hercegovinën. Këshilli Evropian fton që të miratohet korniza negociuese kur të ndërmerren hapat relevantë të caktuar, në rekomandimet e Komisionit nga 12 tetori i vitit 2022”, thuhet në draftin e këtyre konkluzave.

    Miratimi i kornizës është i domosdoshëm për të nisur negociatat e anëtarësimit me një shtet kandidat.

    Këshilli Evropian është niveli më i lartë i BE-së, ai i shefave të shteteve apo qeverive të vendeve anëtare. Ndërsa Këshilli i BE-së është niveli i ministrave dhe nivelet tjera. Pra, pas vendimit që pritet që të enjten nga niveli më i lartë të vazhdojë puna në Këshill para se të nisin negociatat e anëtarësimit me Bosnje e Hercegovinën.

    Më herët, shtatë shtete anëtare të BE-së, përmes një letre, kërkuan që në samitin e 21 dhe 22 marsit të miratohej vendimi për nisjen e negociatave të anëtarësimit me Bosnje e Hercegovinën. Ky grup shtetesh po ashtu ka tërhequr vërejtjen se dështimi për të miratuar një vendim të tillë do të dëmtonte besueshmërinë e bllokut evropian në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

    Radio Evropa e Lirë ka pasur qasje në letrën e dërguar bashkërisht nga shtatë shtetet anëtare që kërkojnë nisjen e negociatave me Sarajevën.

    Letra është nënshkruar nga ministrat për Çështje Evropiane nga Austria, Kroacia, Greqia, Italia, Çekia, Sllovakia dhe Sllovenia.

    Përmes kësaj letre, këto shtete kanë argumentuar se Bosnje e Hercegovina në muajt e fundit ka bërë më shumë përparim në reforma sesa në disa vjet dhe se procesi i reformave po vazhdon me një ritëm të shpejtë.

    “Duke pasur parasysh këtë, mendojmë se është e domosdoshme të shfrytëzojmë këtë mundësi dhe të vendosim për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Bosnje e Hercegovinën”, u tha në letër.

    “Një vendim i tillë do ta forcojë rrugën e Bosnje e Hercegovinës drejt BE-së dhe ta sjellë një hap më afër në integrimin në bllok. Nëse dështojmë të bëjmë këtë, atëherë kjo do të dobësonte rolin e BE-së në Ballkanin Perëndimor dhe do të dërgonte një sinjal negativ për gjithë rajonin, të cilit i kemi premtuar para 20 vjetësh se e ardhmja e tyre është në BE”, u tha në fund të kësaj letre.

    Bosnja e Hercegovina ka marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE në dhjetor të vitit 2022. Në samitin e dhjetorit të vitit 2023, BE-ja kishte shprehur gatishmërinë për të nisur negociatat e anëtarësimit me Bosnje e Hercegovinën, me disa kushte. Ndërsa me 12 mars të këtij viti, Komisioni Evropian dha rekomandimin që të merret vendimi për nisjen e negociatave të anëtarësimit me Bosnje e Hercegovinën.

    Temat e tjera të samitit të BE-së

    Sa i përket temave tjera të zgjerimit, në këto konkluza do të përmenden vetëm Ukraina, Moldavia dhe Gjeorgjia.

    “Pas paraqitjes së draftit të kornizës negociuese për Ukrainën dhe Moldavinë, Këshilli Evropian fton Këshillin e BE-së që të vazhdojë punën”, thuhet në këtë draft.

    Propozimin për kornizën negociues për këto dy vende e ka paraqitur Komisioni Evropian. Por, ajo tani duhet të miratohet nga Këshilli, në mënyrë që të nisin negociatat e anëtarësimit.

    Sa i përket Gjeorgjisë, në konkluza thuhet se “Këshilli Evropian merr në dijeni vazhdimin e përpjekjeve aktuale dhe inkurajon këtë vend që të avancojë në reformat e mbetura si prioritet”.

    Gjeorgjia ka statusin e vendit kandidat, por jo edhe rekomandimin për nisjen e negociatave të anëtarësimit.

    Gjatë samitit dyditor, liderët e BE-së do të diskutojnë edhe për reformat që blloku duhet t’i bëjë para se të jetë në gjendje të pranojë vende të reja anëtare. Edhe kjo do të përfshihet në konkluzat që pritet të miratohen gjatë këtij samiti.

    “Këshilli Evropian shqyrtojë përgatitjet për zgjerim dhe reformave të brendshme duke rikujtuar se në të dy binarët duhet të avancohet paralelisht, për të siguruar që edhe vendet e ardhshme anëtare edhe BE-ja të jenë gati me kohë për anëtarësim. Këshilli Evropian do të adresojë reformat e brendshme në takimin a radhës me synimin që të miratojë deri në verën e vitit 2024 konkluzat për udhërrëfyesin për punën në të ardhmen”, thuhet në këtë draft.

    Në procesin e zgjerimit formalisht ndodhen dhjetë shtete. Nëntë prej tyre kanë statusin e vendit kandidat ndërsa. Kosova mbetet i vetmi shtet i cili ka aplikuar për anëtarësim në BE, por kjo kërkesë ende nuk është shqyrtuar formalisht.

  • Osmani: Serbia s’mund të jetë kurrë anëtare e NATO-s, ende fle mbi varret masive

    Osmani: Serbia s’mund të jetë kurrë anëtare e NATO-s, ende fle mbi varret masive

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se shteti i Serbisë nuk mund të jetë pjesë e NATO-s përderisa ka shkelur vlerat me të cilat është ndërtuar NATO-ja.

    Osmani ka thënë se Serbia është një shtet që fle mbi varreza masive dhe se nëse dikush e konsideron atë si aleate të NATO-s, nuk i ofendon vetëm shtetet anëtare të kësaj organizate, por të gjitha “viktimat e Serbisë së Millosheviqit”.

    “Serbia është një shtet që akoma fle mbi varreza masive. Kushdo që e konsideron Serbinë afër NATO-s, nuk i ofendon vetëm shtetet anëtare, por edhe viktimat e Serbisë së Millosheviqit”, tha ajo.

    Këtë deklaratë për medie, Osmani e ka bërë pas adresimit në ditën e dytë të konferencës “Java e Gruas 2024”.

  • Sot fillon stina e pranverës

    Sot fillon stina e pranverës

    Sot është ekuinoksi pranveror, kur sipas astronomisë shënohet dita e parë e pranverës.

    Në kohën e ekuinoksit, dy hemisferat e Tokës marrin rrezet e diellit në mënyrë të barabartë. Shpesh thuhet se nata dhe dita janë të barabarta në gjatësi. Në fakt, fjala ekuinoks vjen nga latinishtja aequus (e barabartë) dhe nox (natë).

    Edhe pse shumë njerëz mësuan në shkollë se pranvera fillon më 21 mars, në dy dekadat e fundit pranvera na vjen më 20 mars. Ekspertët kanë zbuluar se pranvera ka ardhur një ditë më herët për njëzet vjet, për shkak të dy metodave të ndryshme për përcaktimin e fillimit dhe fundit të stinëve: meteorologjike dhe astronomike.

    Meteorologët vëzhgojnë uljen dhe ngritjen e temperaturës dhe gjendjen e atmosferës dhe stina meteorologjike është e koordinuar sipas kalendarit dhe çdo stinë zgjat tre muaj. Me këtë metodë pranvera zgjat nga 1 marsi deri më 31 maj.

    Metoda e dytë bazohet në stinët astronomike dhe i referohet pozicionit të orbitës së Tokës në raport me Diellin. Kalendari astronomik përcakton stinët sipas asaj se kur boshti i rrotullimit të Tokës është në 23,5 gradë në raport me orbitën rreth Diellit, kështu që vitet e fundit pranvera na ka ardhur më 20 mars.

    Pranvera simbolizon rilindjen e Hemisferës Veriore të Tokës kur gjithçka në natyrë po zgjohet. Shumë kultura kanë festivale pranverore, por Japonia, India dhe Nepali dallohen. Ardhja e pranverës festohet me valle e këngë dhe pjesëmarrësit e festivalit i hedhin ngjyra të ndryshme njëri-tjetrit. Festat shënojnë gjithashtu fitoren e së mirës mbi të keqen.

  • 12 të vdekur nga shembja e minierës në Pakistanin jugperëndimor

    12 të vdekur nga shembja e minierës në Pakistanin jugperëndimor

    Të paktën 12 minatorë u vranë dhe tetë të tjerë u shpëtuan pas një shpërthimi në një minierë qymyri në Pakistanin jugperëndimor të mërkurën, thanë zyrtarët.

    Incidenti, i fundit në një seri aksidentesh të ngjashme, ndodhi në distriktin Harnai të provincës jugperëndimore të Balochistanit, u tha gazetarëve Abdul Ghani Baloch, kryeinspektori provincial i minierave.

    Rreth 20 minatorë u bllokuan në minierë kur një shpërthim i gazit metan ndodhi gjatë natës, tha ai, duke shtuar se 12 trupa janë gjetur, ndërsa të mbijetuarit u transportuan në spital.

    Pakistani ka një histori të gjatë aksidentesh në minierat e qymyrit, kryesisht për shkak të infrastrukturës së dobët dhe mungesës së standardeve të sigurisë.

    Në maj të vitit 2018, rreth 23 minatorë u vranë në dy shpërthime në një minierë qymyri pranë kryeqytetit provincial Quetta.

    Numri vjetor i vdekjeve nga aksidentet në minierat e qymyrit është mesatarisht rreth 200, sipas Federatës Qendrore të Punës të Minierave të Pakistanit.

    Kryeministri Shehbaz Sharif, në një deklaratë, shprehu “dhimbje dhe pikëllim të thellë për humbjen e jetëve të çmuara”./AA/

  • Gjermania po bën shumë pak për të luftuar varfërinë në vend

    Gjermania po bën shumë pak për të luftuar varfërinë në vend

    Sipas Këshillit të Evropës pabarazia sociale në Gjermani po rritet. Në raportin përkatës, Këshilli i Evropës i bën thirrje qeverisë gjermane të bëjë më shumë për ta luftuar atë.

    Një raport i Këshillit të Evropës mbi politikën sociale të Gjermanisë nuk i jep vendit një notë e mirë. Në raport Këshilli i Evropës bën thirrje për më shumë përpjekje për të luftuar varfërinë, problemet me të pastrehët dhe personat me afësi të kufizuara.

    Niveli i lartë i varfërisë dhe disavantazhit social është në disproporcion me pasurinë e vendit, thuhet në raport. Komisionerja e Këshillit të Evropës për të Drejtat e Njeriut, Dunja Mijatovic, përshëndeti masat e marra nga qeveria gjermane, si reformimi i sistemit social për ta bërë atë më të aksesueshëm, për të rritur përfitimet e sigurimeve shoqërore dhe për të ofruar më shumë mundësi trajnimi për të papunët. Megjithatë nevojiten përpjekje të mëtejshme për të luftuar “pabarazinë në rritje”.

    Lufta kundër racizmit

    Varfëria është një problem i madh, veçanërisht për fëmijët, të moshuarit dhe personat me aftësi të kufizuara. Nevojiten hapa vendimtarë për të thyer ciklin e varfërisë së fëmijëve, thuhet në raport. Edhe të drejtat e fëmijëve duhet të forcohen dhe të koordinohen me një autoritet qendror. Ndryshe nevojat e fëmijëve dhe të rinjve do të anashkaloheshin në vendimet politike – si për shembull gjatë pandemisë së koronës. Gjithashtu, duhet të ndërmerren veprime kundër shkallës së lartë të varfërisë në mesin e të moshuarve. Prandaj, vëmendje e veçantë duhet t’i kushtohet racizmit në rritje, i cili ka potencialin të minojë kohezionin social dhe të destabilizojë institucionet demokratike, thotë raporti.

    Nga Berlini u tha se qeveria federale “aktualisht po punon për një strategji të re” me një “qasje gjithëpërfshirëse” që duhet të përfshijë qasje “represive” dhe “parandaluese”. “Luftimi i fenomenit të të pastrehëve me të gjitha mjetet” tregoi për rritjen e numrit të personave që nuk kanë kulm mbi kokë. Mijatovic është e shqetësuar. Për fat të keq, ekziston vetëm një njohje e kufizuar e së drejtës për strehim si një e drejtë njerëzore për të gjithë. Për të parandaluar dhe eliminuar të pastrehët, nevojiten masa gjithëpërfshirëse dhe afatgjata. Gjermania duhet të përdorë të gjitha mjetet në dispozicion, duke përfshirë ndërhyrjet në tregun e banesave dhe ndryshimet në tregun e banesave.

    Shqetësimet e autoriteteve

    Qeveria federale deklaroi se ajo është dakord me “shqetësimet e Komisionerit në lidhje me numrin në rritje të njerëzve të pastrehë në Gjermani”. Në të njëjtën kohë, thuhet se për herë të parë është vendosur që të miratohet një plan kombëtar veprimi për tejkalimin e problemit të të pastrehëve. Plani synon të ndihmojë në kapërcimin e të problemit të të pastrehëve deri në vitin 2030.

    Këshilli i Evropës u themelua në vitin 1949 për të mbrojtur demokracinë, të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit në Evropë. KE është i pavarur nga Bashkimi Evropian dhe përfshin 46 vende evropiane. Raporti i publikuar tani pason një vizitë të Mijatovic në Gjermani në fund të vitit të kaluar. Ajo u takua me ministra dhe përfaqësues federalë në nivel lokal dhe të shoqërisë civile./DW/

  • Policia parandalon kalimin ilegal të kufirit dhe kontrabandimin me mallra në veri të Mitrovicës

    Policia parandalon kalimin ilegal të kufirit dhe kontrabandimin me mallra në veri të Mitrovicës

    Policia e Kosovës ka parandaluar kalimin ilegal të kufirit dhe kontrabandimin e mallrave në veri të Mitrovicës. Policia në vazhdën e aktiviteteve për luftimin e veprave të kundërligjshme, e në veçanti kontrabandës dhe kalimit ilegal të kufirit, dje në veri të Mitrovicës ka iniciuar dy raste të ndara.

    Në njoftim thuhet se dje rreth orës 18:50, derisa njësia policore ka qenë duke realizuar patrullim rutinor, kanë ndaluar një veturë me targa të huaja, të cilën ishte duke e drejtuar i dyshuari M.V (1993) shtetas serb.

    “Policia e Kosovës kishte informacione paraprake për këtë automjet, si i dyshuar për aktivitete ilegale të kontrabandimit me mallra dhe gjatë kontrollimit të veturës është gjetur mall i kontrabanduar; vegla pune dhe ngjyra të ndryshme, për të cilat nuk është dëshmuar dokumenti mbi prejardhjen”, thuhet në njoftim.

    Automjeti me mallin e kontrabanduar është dërguar në Terminalin Doganor në Mitrovicë për procedura të mëtutjeshme, ndërsa ndaj vozitësit janë ndërmarr veprimet policore lidhur me kalim ilegal të kufirit.

    Më tej thuhet se të martën rreth orës 19:50, nga njësiti policor përmes kamerave të sigurisë është vërejtur një automjet duke hyrë ilegalisht nga territori i Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës.

    “Njësitë policore kanë ndërmarrë menjëherë veprimet e nevojshme ku ka bërë ndaljen e veturës BMË ngjyrë e zezë me targa te huaja të cilën e drejtonte vozitësi A.H (2002) shtetas serb. Vetura dhe personi janë dërguar ne stacionin policor për procedura te zakonshme qe zbatohen ne këto raste”, thuhet në njoftim.

    Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar ne kryerjen e detyrave policore, ne veçanti parandalimit te kontrabandimit te mallrave dhe menaxhimit efektiv te kufirit shtetëror.

  • Hovenier takohet me Bislimin

    Hovenier takohet me Bislimin

    Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, do të takohet sot me zëvendëskryeministrin e vendit, Besnik Bislimin.

    Po ashtu në njoftimin e ambasadës amerikane thuhet se pas takimit, Hovenier do të ketë një adresim për media rreth orës 11:40 përpara ndërtesës së qeverisë.

    Ky takim ven pas takimit të Bislimit me emisarin special të BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, dhe kryenegociatorin serb, Petar Petkoviq në Bruksel.