ATV

Category: Lajme

  • Katër komunat e veriut janë anëtare të Asociacionit të Komunave të Kosovës

    Katër komunat e veriut janë anëtare të Asociacionit të Komunave të Kosovës

    Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK), organizatë që përfaqëson pushtetin lokal në Kosovë, njofton se katër komunat e veriut janë anëtare të Asociacionit të Komunave të Kosovës.

    “Me qëllim të informimit të opinionit publik Asociacioni i Komunave të Kosovës konfirmon se katër komunat e pjesës veriore të Kosovës janë anëtare në Asociacion dhe nuk ka pasur asnjë refuzimin të kërkesave të tyre. Ato nuk janë tërhequr nga Asociacioni asnjëherë zyrtarisht me vendime të Kuvendit Komunal të komunave përkatëse”, thuhet në njoftimin e AKK-së.

    “Prandaj Asociacioni i Komunave të Kosovës, nuk ka mundur të shqyrtojë, të ripranojë sepse ato nuk kanë bërë tërheqje zyrtare. Në shtator kanë bërë vendime, në nëntor na kanë ardhur vendimet e tyre. Nëse nuk janë tërheqë nga Asociacioni zyrtarisht me vendime të Kuvendit Komunal, nuk mundemi m’i pranu, ato janë të pranuar. I kemi involvuar, edhe sot kanë qenë të ftuar të marrin pjesë në takim të Këshillit të Kryetarëve, gjithashtu e kanë konfirmuar se do të vijnë në një vizitë që e kemi javën e ardhshme. Ne nuk mundemi të shqyrtojmë diçka që ata janë veç të pranuar”, thuhet në njoftimin e AKK-së.

    Asociacioni i Komunave të Kosovës, bën me dije se ky sqarim bëhet pas pretendimeve në mbledhjen e Këshillit të Kryetarëve kinse për mos trajtim të kërkesave të tyre.

    Po ashtu Asociacioni i Komunave të Kosovës, ka publikuar deklaratën e z.Nenad Radosavleviq, ish-kryetar i komunës së Leposaviqit dhe ish nën/kryetar i AKK-së për anëtarësim në AKK.

    z. Nenad Radosaveloviq, ish-kryetari i Komunës së Leposaviqit, njëherë dhe ish-nënkryetar i AKK, në një postim të tij, kishte treguar rreth procesit të anëtarësimi të Komunave Leposaviç, Zubin Potok dhe Zveçan në Asociacion të Komunave.

    “Një ditë pasi kuvendet komunale të Leposaviqit dhe Zubin Potokut votuan për anëtarësim në Asociacionin e Komunave të Kosovës, e njëjta gjë është bërë edhe në Zveçan. Asociacioni i Komunave në Kosovë është formuar në vitin 2001 dhe në të janë anëtarë të gjitha komunat e veriut të Kosovës. Unë si kryetar i komunës së Leposaviqit kam qenë nënkryetar i asaj shoqate, ndërsa kryetar ka qenë Lutfi Haziri, atëherë kryetar i komunës së Gjilanit”, shkruan ai.

  • ​Osmani: Gratë mund të jenë të suksesshme në udhëheqje të shtetit

    ​Osmani: Gratë mund të jenë të suksesshme në udhëheqje të shtetit

    Kudo që ka udhëheqje gjithëpërfshirëse, aty ka përparim, mirëqenie dhe demokracia lulëzon në mënyrën më të mirë. Dita ditës kuptojmë se mund të kemi sukses të grantuar qoftë në udhëheqjen e shtetit, të një kompanie apo në organizmin në komunitet, atëherë kur vajzat dhe gratë janë prezente, përfshihen, kanë rol aktiv, u dëgjohet zëri dhe marrin vendime në një platformë të barabartë.

    Kështu tha presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në ditën e dytë të konferencës “Java e Gruas 2024”, derisa potencoi se rikthimi në javën e gruas gjithnjë është sikur të kthehesh në shtëpi. Osmani theksoi se sfidat e grave janë të mëdha dhe komplekse, porse duhet angazhuar në ndërtimin e një shoqërie e cila vlerëson dhe e shfrytëzon plotësisht kontributin e secilit individ, përfshirë gratë.

    Ndër të tjera, Osmani tha se më përjashtimin e grave dhe vajzave nga vendimmarrja dhe gjithëpërfshirja, komunitete të tëra dështojnë.

    “Rikthimi në javën e gruas gjithnjë është sikur të kthehesh në shtëpi…Kudo që ka udhëheqje gjithëpërfshirëse, aty ka përparim, mirëqenie dhe demokracia lulëzon në mënyrën më të mirë. Të gjithë e diimë se sfidat para nesh janë të mëdha dhe komplekse. Ne jetojmë në një kohë të jashtëzakonshme, në një periudhë të transformimit global dhe sfidave të pa precedentë… Përballja me sfidat e shekullit 21 kërkon një ndryshim të botëkuptimit se si i organizojmë shoqëritë tona. Nuk mund të vazhdojmë më të mbështetemi në modelet e vjetra të mendimit dhe veprimit të cilat kanë prodhuar vazhdimisht pabarazi. Në vend të kësaj, duhet të angazhohemi për ndërtimin e një shoqërie e cila vlerëson dhe e cila shfrytëzon plotësisht kontributin e secilit individ. Kjo është e pamundur, pa përfshirë në tërësi kontributin e vajzave dhe grave. Dita ditës kuptojmë se mund të kemi sukses të grantuar qoftë në udhëheqjen e shtetit, të një kompanie apo në organizmin në komunitet, atëherë kur vajzat dhe gratë janë prezente, atëherë kur ato përfshihen, kanë rol aktiv, u degjohet zëri, edhe ato marrin vendime në nje platformë të barabartë. Kur i përjashtojmë vajzat dhe gratë, komunitete të tëra dështojnë”, tha Osmani.

    Ndërkaq, zëvendës udhëheqësja e Misionit dhe Konsulle në Ambasadën e Kanadasë në Kroaci dhe Kosovë, Nathalie Niedoba tha se me largimin e diskriminimit, gratë mund të kenë qasje, të jenë të gjithmbarshme dhe pozitive në familjet e tyre.

    Niedoba theksoi se vizioni i Kandasë është një botë ku të gjitha gratë dhe vajzat janë të fuqizuara, kanë kontrollë mbi jetën e tyre, të jetojnë të lira nga dhuna dhe të marrin pjesë në vendimmarrje në shoqëritë e tyre.

    Ajo shtoi se kryeministri i Kanadasë ka paralajmëruar disa miliarda dollarë për të promovuar të drejtat e grave, fëmijëve dhe adoleshentëve.

    “Kandaja ka qenë një avokate afatgjate për barazinë gjinore dhe për mbrojtjen dhe ruajtjen e të drejtave të njeriut. Këto çështje janë prioritete kyçe të Kanadasë dhe politikat e Kanadasë. Vizioni i Kandasë është një botë ku të gjitha gratë dhe vajzat janë të fuqizuara, kanë kontroll, mbi jetën e tyre të jetojnë të lira nga dhunës dhe te marrin pjese na vendimmarrje në shoqëritë e tyre dhe të kontribuojnë për përfitimin dhe prosperitetin…Kur kemi diskutime në baza sociale, nëse i largojmë ato diskriminime gratë kanë qasje në kapital dhe mund të hyjnë të gjithmbarshme, pozitive në familjet e tyre. Kur gratë kanë të drejta reproduktive, të shëndetit reproduktiv familjet lulëzojë. Barazi gjinore është një prioritet për qeverinë e Kanadasë dhe është e theksuar në planin e veprimit të Kanadasë për gratë, paqen dhe sigurinë, përfshirjen e tyre në poltikat e jashtme dhe asistencat ndërkombëtare. Për këtë arsye që nga viti 2015 kryeninistri Trudo e ka mbajtur një kabinet me balanc gjinor…kryeminstrininkandasë ka parajëmruar rreth disa miliarda dolrë për të promuvuar të drejtat e grave, fëmijëve dhe adoleshentëve”, theksoi Niedoba.

    Ndërsa, drejtoresha e programit në Institutin Demokratik Kombëtar, Pranvera Lipovica tha se duke ndërtuar mbi parimet themelore të demokracisë me temën kryesore “Udhëheqje dhe gjithëpërfshirje, ndërthurja e politikës me ekonominë”, përmes adresimeve dhe sesioneve të planifikuara synojnë një diskutim të frytshëm që qëndron gjininë dhe reflekton mbi përvojat unike të jetuara të grave.

    Ajo potencoi se përfshirja e grave dhe komuniteteve të nënpërfaqesuara në proceset vendimmarrëse rrit legjitimitetin dhe besueshmërinë e institucioneve publike.

    Lipovica tha se “Java e Gruas” mbetet një platformë e veçantë me shumë rëndësi për dialog me temat që prioritet kanë individët dhe grupet e ndryshme të shoqërisë të cilën e kanë parë të konceptohet, zhvillohet dhe marrë formën që ka sot, përgjatë këtyre 12 viteve.

    “Përfshirja e grave dhe komuniteteve të nënpërfaqesuara në proceset vendimmarrës rrit legjitimitetin dhe besueshmërinë e institucioneve publike. Kjo përmirëson ndjeshëm bashkëpunimet mes qytetarëve dhe përfaqësuesve të tyre, dhe në të njëjtën kohe duke njohur rëndësinë e diversitetit në një mjedis shoqëror dhe duke inkurajuar gjithëpërfshirës. Dhe angazhimin aktiv në sferën politike, ekonomike dhe sociale forcohet tutje një shoqëri më e shëndoshë, më e drejtë për të gjithë qytetarët e saj. Java e Gruas mbetet një platformë e veçantë me shumë rëndësi për dialog me temat me prioritet për individët dhe grupet e ndryshme të shoqërisë të cilën e kanë parë të konceptohet, zhvillohet dhe marrë formën që ka sot përgjatë këtyre 12 viteve”, potencoi Lipovica.

    Instituti Demokratik Kombëtar ka mbajtur edhe dje (e martë) konferencë me rastin e “Javës së Gruas 2024”./kp

  • Komisioni për Buxhet miraton kërkesën e KQZ-së për mjete shtesë, kërkohet “amini” i Muratit

    Komisioni për Buxhet miraton kërkesën e KQZ-së për mjete shtesë, kërkohet “amini” i Muratit

    Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere, ka miratuar kërkesën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për ndarjen e mjeteve shtesë buxhetore për vitin 2024, raporton Ekonomia Online.

    Shuma e kërkuar nga KQZ-ja është mbi 1.5 milion euro dhe ka të bëjë me procesin e zgjedhjeve në qendrat komunale të numërimit.

    Kryeshef Ekzekutiv i Sekretariatit të KQZ-së, Burim Ahmetaj, shpjegoi në detaje për kërkesën për buxhet shtesë. Tha se kërkesa ka të bëjë me blerjen e kamerave në secilin vendvotim dhe për blerjen e pajisje harduerike dhe softuerike për transparencë.

    “Në kuadër të transparencës KQZ ka paraparë të blejë kamera vëzhguese për secilin vendvotim, që i bjen rreth 2 mijë e 500 vendvotime për të blerë nga një kamerë, po ashtu edhe pajisjet tjera softuerike të cilat janë në shërbim të transparencës dhe për këtë janë rreth 1 milion e gjysmë euro të cilat i kemi në buxhet për vitin 2024 dhe të cilat do t’i zhvillojmë gjatë këtij viti. Janë të ndara pjesa kapitale dhe mallra dhe shërbime, sepse disa pjesë janë softuerike, disa janë pajisje që duhet blerë, por sidoqoftë janë 500 mijë euro për procesin e transparencës, janë edhe 750 mijë euro që do të blihen pajisje harduerike dhe softuerike për transparencë, si dhe një milion euro janë për blerjen e kamerave për secilin vendvotim, që në total e kalojnë 1.5 milion euro vetëm për procesin e transparencës në qendrat komunale të numërimit për gjithë vendin”, tha Ahmeti.

    Kryetari KQZ-së, Kreshnik Radoniqi derisa ka raportuar në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere ka thënë se buxheti i përgjithshëm i KQZ-së për vitin 2022 ishte 6 milionë e 24 mijë e 134 euro, ndërsa ka theksuar se prej kësaj shumë është shpenzuar 93.2 për qind.

    “Me ligjin e buxhetit për vitin 2022 të miratuar nga Kuvendi i Kosovës, KQZ është akorduar një fond prej mbi 5 milion e 913 mijë me qëllim të funksionimit të institucionit dhe për të përmbushur detyrimet ligjore. Pas shpalljes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar të katër komunave në pjesën veriore të vendit, si dhe pas vendimit të Qeverisë, buxheti i përgjithshëm i KQZ-së për vitin 2022 ishte 6 milion e 24 mijë e 134 euro. Pjesa më e madhe e këtij buxheti, shuma prej 4 milion e 200 mijë euro i takon kategorisë së subvencioneve dhe transferove, Në përgjithësi buxheti është shpenzuar 93.2 për qind, apo në shumën prej 5 milion e 617 mijë euro. Edhe një raport tjetër e kemi dorëzuar ku e kemi pasqyruar shpenzimin e buxhetit për vitin 2022, kjo ka qenë me raportin vjetor të punës së KQZ-së, i cili është dërguar Kuvendit të Kosovës vitin e kaluar”, tha Radoniqi.

    Deputeti nga Vetëvendosje, Visar Korenica ka thënë se është zhgënjyese që gjatë raportit llogaritë e arketueshme nuk janë paraqitur siç duhet, për çfarë ka kërkuar të eliminohen këto probleme në të ardhmen.

    “Raporti i auditimit të cilin e kemi pranuar po paraqet që nuk është gjendje e mirë e mbajtjes së llogarive në këtë institucion. Raporti është i kualifikuar, që është për më tepër zhgënjyese që mos të paraqitet si duhet llogarite e arketueshme. Kuptoj që keni pas mundësi të keni ndonjë problem me pasurinë për regjistrimin e stoqeve, por që me pas probleme me llogaritë arketueshme nuk po e shoh të arsyeshme”, tha Korenica.

    Ndërsa, për këtë Radoniqi ka thënë se e kanë trajtuar këtë çështje, porse ka të bëjë me disa gjoba që janë shqiptuar disa subjekteve politike që nuk ekzistojnë më dhe nuk kanë subjektivitet, derisa shtoi se nuk ka asnjë mundësi KQZ t’i inkasojë këto mjete.

    Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku, pati kritika për raportin e vitit 2022, përderisa tha se jemi në vitin 2024.

    “Ne jemi duke e trajtuar një raport të vitit 2022 dhe jemi në vitin 2024, në vend se të mendojmë për raportimin e vitit 2023, ne ende para dy viteve merremi me raportet e institucioneve të pavarura, nuk është vetëm ky komision. Ne e kemi miratuar në Kuvendin e Kosovës një rregullore dhe goxha jemi krenuar që kemi bërë një ndryshim, dhe kemi sjellë një burokraci më të tepruar dhe një barrë më ë madhe sa i përket llogaridhënies së institucioneve dhe një vonesë, ku çdo vonesë është edhe në mundësinë e përmirësimit të gjendjes. Është mirë që të bëjmë një kërkesë kryesisë së Kuvendit që këtë rregullore të ndryshojmë në sensin që mos të ketë burokraci në miratimin kohor të rregullores dhe llogaridhënia të jetë më e shpejtë”, tha Lushtaku.

  • Paqartësitë rreth anëtarësimit të tri komunave veriore, Asociacioni i Komunave del me një tjetër deklaratë

    Paqartësitë rreth anëtarësimit të tri komunave veriore, Asociacioni i Komunave del me një tjetër deklaratë

    Asociacioni i Komunave të Kosovës ka reaguar sërish lidhur me çështjen e anëtarësimit të tri komunave veriore, Zveçan, Leposaviq e Zubin Potok.

    Në një postim në Facebook, AKK ka ri-shpërndarë një deklaratë të ish-kryetarit të Leposaviqit, Nenad Radosavleviq, njëherit edhe ish-nënkryetar i AKK-së.

    Sipas AKK-së, Nenad Radosaveloviq, në një postim të tij, ka treguar rreth procesit të anëtarësimi të Komunave Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan në Asociacion të Komunave.

    “Një ditë pasi kuvendet komunale të Leposaviqit dhe Zubin Potokut votuan për anëtarësim në Asociacionin e Komunave të Kosovës, e njëjta gjë është bërë edhe në Zveçan. Asociacioni i Komunave në Kosovë është formuar në vitin 2001 dhe në të janë anëtarë të gjitha komunat e veriut të Kosovës. Unë si kryetar i komunës së Leposaviqit kam qenë nënkryetar i asaj shoqate, ndërsa kryetar ka qenë Lutfi Haziri, atëherë kryetar i komunës së Gjilanit”, kishte deklaruar Radosaveloviq.

    Çështja e anëtarësimit të tri komunave veriore, Zveçan, Leposaviq e Zubin Potok në Asociacionin e Komunave të Kosovës, së fundmi ka nxitur reagime.

    Kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj akuzoi AKK-në se tash e shtatë muaj po refuzon që të shqyrtojë kërkesën e këtyre komunave për anëtarësim.

    Lidhur me këto akuza drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK), Sazan Ibrahimi në një prononcim për Telegrafin, gjatë ditës së djeshme ka thënë se këto komuna vazhdojnë të jenë pjesë e AKK dhe se të njëjtat nuk janë tërhequr zyrtarisht.

    “Nuk janë tërheq nga AKK dhe këshilli i kryetarëve nuk mundet me pranu diçka që nuk është tërheq, ata janë anëtarë tonë. Ata zyrtarisht nuk janë tërhequr”, tha Ibrahimi.

  • Kërcënimet e Vuçiqit për luftë, Hovenier: Aleanca më e fortë në histori është këtu

    Kërcënimet e Vuçiqit për luftë, Hovenier: Aleanca më e fortë në histori është këtu

    Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, i është kundërpërgjigjur kërcënimeve për luftë të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

    Hovenier ka thënë se nuk ndihen të shqetësuar dhe as populli i Kosovës nuk duhet të ndihet i shqetësuar nga kërcënimet e presidentit serb Aleksandar Vuçiq.

    Ai ka thënë se aleanca më e fortë ushtarake është në Kosovë, duke iu referuar NATO-s.

    “SHBA ka qëndruar fuqishëm për paqen e njerëzve në Kosovës. Mund të them që jemi të përkushtuar për sigurinë e Kosovës. Ne nuk e humbim gjumin natën duke u shqetësuar për atë kërcënim sepse ne besojmë që NATO është e gatshme dhe e përgatitur. Dhe nuk mendoj që as njerëzit e Kosovës duhet të mbesim pa gjumë sepse aleanca ushtarake më e suksesshme në histori ka një prezencë të fuqishme dhe është e gatshme të bëjë të nevojshëm”, tha Hovenier.

  • Hovenier: Me rëndësi të ndryshohet mënyra e zbatimit të vendimit për dinarin, mund të gjendet zgjidhja

    Hovenier: Me rëndësi të ndryshohet mënyra e zbatimit të vendimit për dinarin, mund të gjendet zgjidhja

    Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier doli më optimist nga takimi i sotëm me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

    Jashtë ndërtesë së Qeverisë, Hovenier tha se dje në takimin e kryenegociatorëve në Bruksel pati “disa shenja pozitive” për ta zgjidhur çështjen e dinarit.

    Hovenier kujtoi se e respektojnë vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës, por përsëriti se janë të shqetësuar për ndikimin që mund të ketë rregullorja e re në komunitetin serb.

    “Siç tha kolegu im dje, jemi të shqetësuar për atë se kjo mund të ndikojë në popullatën e cenueshme, posaqërisht komunitetin serb të Kosovës dhe mendoj që është me rëndësi që të ndryshohet mënyra e zbatimit dhe bisedimet tona për këtë çështje vazhdojnë”, tha ambasadori amerikan.

    Hovenier tha se ka mundësi për t’u gjendur një zgjidhje.

    “Është mirë të shohim që ka mundësi që të dy palët ofrojnë rrugëzgjidhje se si mund të bëhet kjo, si dhe përgjegjësitë e zotit Lajçak”, tha ai.

  • Mungojnë përfaqësuesit, shtyhet raporti vjetor financiar i KPK-së

    Mungojnë përfaqësuesit, shtyhet raporti vjetor financiar i KPK-së

    Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere, në mbledhjen e mbajtur të mërkurën ka votuar raportin vjetor financiar të KOSTT-it, për vitin 2022, ndërsa ai për Këshillin Prokurorial të Kosovës për vitin 2022 është shtyrë më mbledhjen e radhës, për shkak të mungesës së përfaqësuesve të KPK-së, raporton Ekonomia Online.

    Për mungesë të tyre, kritika pati deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj.

    “Është një injorance për këtë praktike, e t’i dërgojnë zyrtarët e thjesht që nuk kanë përgjegjësi. Nuk duhet të pranohen dhe të raportohen këtu”, tha ai.

    Edhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Halili, kritikoi mungesën e tyre.

    “Ne do te ishim mirëkuptues nëse nuk mund të jenë me agjendë sot por nuk e justifikon dëshirën ose jo me ardhë këtu”, tha ai.

  • Kosova dhe Gjermania nënshkruajnë Deklaratën e partneritetit për klimën dhe energjinë

    Kosova dhe Gjermania nënshkruajnë Deklaratën e partneritetit për klimën dhe energjinë

    Ministrja e Ekonomisë e Republikës së Kosovës, Artane Rizvanolli, Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu dhe Ministrja gjermane e Shtetit, Anne Luhrmann, kanë nënshkruar Deklaratën e përbashkët të synimit për krijimin e një partneriteti dypalësh për klimën dhe tranzicionin energjetik.

    Kjo marrëveshje ka për qëllim të thellojë bashkëpunimin mes dy shteteve tona për çështjet e mjedisit dhe energjisë, dhe fokusohet në:

    • Planifikimin e Politikave Net Zero dhe Zbatimin e Ligjit të Kosovës për Ndryshime Klimatike;
    • Tranzicionin e shpejtë dhe të drejtë të energjisë;
    • Pjesëmarrjen e Kosovës në proceset ndërkombëtare klimatike si UNFCCC dhe COP;
    • Ngritjen ndërgjegjësimit për ndryshimet klimatike Deklarata është nënshkruar në Berlin gjatë Konferencës Dialogu i Tranzicionit të Energjisë në Berlin 2024 (BETD).

    Sipas deklaratës, Kosova dhe Gjermania rikonfirmojnë përkushtimin e fuqishëm për të avancuar zbatimin e Konventës Kornizë të Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike (UNFCCC), Marrëveshjen e Parisit dhe vendimet e marra nga konferencat përkatëse të palëve (COP), si dhe Deklaratën e Sofjes mbi Agjendën e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor, objektivat e energjisë dhe klimës për 2030, miratuar nga Këshilli Ministror i Komunitetit të Energjisë dhe Deklaratën e Përbashkët të Synimit ndërmjet Liderëve të Gjashtës së Ballkanit Perëndimor dhe Republikës Federale të Gjermanisë për Partneritetin Rajonal të Klimës (“Deklarata e Përbashkët Rajonale”), miratuar në Samitin e Procesit të Berlinit në Tiranë në tetor 2023.

    Në deklaratë janë të parapara Objektivat, Çështjet që mbulon Partneriteti, Krijimi i dialogut dhe format e bashkëpunimit, Zbatimi dhe drejtimi i Partneritetit, Burimet dhe Dispozitat përfundimtare të Deklaratës.

  • “Gabim në Protokoll…” – Reagon kryetari Ferit Idrizi, pasi Kryeministri Kurti nuk e ftoi në përurimin e rrugës në Vushtrri

    “Gabim në Protokoll…” – Reagon kryetari Ferit Idrizi, pasi Kryeministri Kurti nuk e ftoi në përurimin e rrugës në Vushtrri

    U promovua autostrada Prishtinë  – Mitrovicë, aksi prej Stanocit deri te Gojëbula në Vushtrri, ku në këtë promovim ishte i pranishëm kryeministri Albin Kurti, ndërkohë që nuk ishte i ftuar kryetari i komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi.

    E në lidhje me këtë, Idrizi ishte optimist dhe po e cilësonte gabim në protokoll, ani pse ftesën tha se e ka pritur.

    “…Ndoshta ka qenë ndonjë gabim në protokoll, nuk e besoj që e kish lanë kryeministri pa më ftu… Ftesë nuk kam pasë… Unë mora vesh më herët se do të jetë promovimi dhe e prita ftesën por nuk e mora…”, theksoi ai.

    Vlen të theksohet që në fund të vitit të kaluar, në prani të shumë personaliteteve, afaristëve e qytetarëve nga Vushtrria, u përurua “Shtëpia e qëndrimit ditor për të moshuar” e ndërtuar në bashkëfinancim mes Komunës së Vushtrrisë dhe Shoqatës Bamirëse “Jetimat e Ballkanit”.

    Për ta dëgjuar intervistën e plotë të Ferit Idrizit, klikoni në linkun e mëposhtëm:

  • Shtatë të vdekur pas fundosjes së një cisterne në Japoni

    Shtatë të vdekur pas fundosjes së një cisterne në Japoni

    Shtatë persona kanë vdekur pasi një anije e Koresë së Jugut u fundos afër një ishulli në jugperëndim të Japonisë, thanë rojet bregdetare, duke shtuar se anija kishte nëntë anëtarë në ekuipazh.

    Rojet bregdetare ende po kërkojnë edhe dy persona që gjendeshin në cisterne me lëndë kimike, e cila u përmbys pasi kishte njoftuar se ishte përballur me kushte të këqija në det. Për njërin prej tyre thanë se është ende gjallë, ndërkaq gjendja e tjetrit ende nuk dihet.

    Rojet bregdetare thanë cisterna Keoyoung Sun kërkoi ndihmë, pasi kishte raportuar se anija po anohej teksa po përballej me kushte të këqija të motit afër ishullit japonez, Mutsure.

    Ishulli gjendet pranë ishullit kryesor në jugperëndim të Japonisë, Honshu, rreth 1.000 kilometra larg Tokios.

    Derisa ekipet e shpëtimit arritën në skenë, anija veçse ishte fundosur, thanë rojet bregdetare. Pamjet e shfaqura nga televizioni NHK treguan anijen krejtësisht të kthyer përmbys.

    Kapiteni i anijes ishte jugkorean, ndërkaq në ekuipazh kishte edhe një tjetër anëtar nga Koreja e Jugut, një shtetas kinez dhe tetë nga Indonezia, thanë autoritetet.

    Cisterna po bartte 980 tonë acid akrilik, thanë zyrtarët. Deri më tani nuk është vërejtur se ka pasur rrjedhje të lëndëve kimike, përderisa autoritetet thanë se duhet të ndërmarrin masa për mbrojtjen e mjedisit në rast se do të ketë rrjedhje të lëndëve kimike.

    Acidi akrilik përdoret në plastikë, rrëshirë dhe veshje dhe mund të irritojë lëkurën e sytë, sipas Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit në Shtetet e Bashkuara.

    Autoritetet nuk kanë dhënë më shumë detaje se si anija u fundos./REL/