ATV

Category: Lajme

  • Robinson: Po ndihmojmë Kosovën për përfshirje më të lehtë në integrimet euro-atlantike

    Robinson: Po ndihmojmë Kosovën për përfshirje më të lehtë në integrimet euro-atlantike

    Ndihmëssekretari për Byronë Ndërkombëtare për Narkotikë dhe Sundim të Ligjit të SHBA-së, Todd D. Robinson, në emisionin CONTEXT në ATV, tha që së bashku me partnerët, janë duke punuar që ta ndihmojnë Kosovën të arrijë qëllimin për të përfshirë në integrimet euro-atlantike.

    Ai tha se Byroja për Narkotikë dhe Zbatim të Ligjit është prej programeve më të mëdha të SHBA-së për Kosovën dhe Shqipërinë.

    “Është njëri prej programeve tona më të mëdha dhe mendoj se në të dyja shtetet, posaçërisht në Kosovë jemi duke bashkëpunuar me Policinë e Kosovës me shpresën t’i bëjmë pjesëtarët më efektivë, jemi duke bashkëpunuar me sistemin e drejtësisë. Sot kisha mundësi të jashtëzakonshme që t’u dhuroj pajisje audio-vizuele që do t’i mundësojnë sistemit të burgjeve dhe gjykatave të punojnë bashkë për të krijuar audiencën në gjykata më transparente dhe më efikase por edhe më të sigurt. Jemi duke punuar që të ndihmojmë Kosovën të arrijë qëllimin për t’u përfshirë më lehtë në integrime euro-atlantike dhe jemi me fat që kemi partnerë të jashtëzakonshëm në këtë”, tha Robinson.

    Ai thotë se pas rikthimit në Kosovë dhe Shqipëri pas më shumë se një dekade, tani po i sheh të dy shtetet që kanë avancuar dukshëm.

    “Përshtypja e parë është që shumë gjëra kanë ndryshuar. Disa për të mirë, disa jo edhe aq. Mendoj se përfundimisht po i shohim dy shtete që kanë avancuar dukshëm por kanë edhe synime sepse e duan më të mirën për popujt e tyre dhe ne jemi këtu t’i ndihmojmë të arrijnë aty”, tha Robinson. /atvlive.tv

    Intervistën e plotë të ndihmëssekretarit për Byronë Ndërkombëtare për Narkotikë dhe Sundim të Ligjit të SHBA-së, Todd D. Robinson dhënë për emisionin CONTEXT në ATV, e gjeni në videon më poshtë:

  • SHBA-ja dhuron pajisje audio-vizuele në vlerë prej 6 milionë dollarëve

    SHBA-ja dhuron pajisje audio-vizuele në vlerë prej 6 milionë dollarëve

    Përgatiti: Nora Luta

    Çdo proces gjyqësor që do të zhvillohet në Gjykatën Themelore të Prishtinës, tash e tutje do të incizohet. Kjo është mundësuar nga pajisjet audio-vizuele që janë dhuruar nga Byroja për Narkotikë dhe Zbatimit të Ligjit e SHBA-së.

    Për këtë donacion në vlerë prej 6 milionë dollarëve, të mërkurën në sallën e gjykimit në Pallatin e Drejtësisë, u nënshkrua marrëveshja mes Ndihmës Sekretarit Amerikan, Tod Robinson, kryesuesit të KGJK-së dhe drejtorit të Shërbimit Korrektues.

    Sipas tyre, funksionimi i këtyre pajisjeve do të rritë transparencën, e do të lehtësojë qasjen në drejtësi.

    Pajisjet ndër të tjera u tha se do të ndihmojnë edhe për mbajtjen e gjykimeve në distancë.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Rrugët e qyteteve, pistë garash e veturave

    Rrugët e qyteteve, pistë garash e veturave

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Ani pse është qendër qyteti, rrugë si kjo po përdoren edhe për pistë garash me vetura.

    Njëri prej tyre është edhe Gjilani. Për të zhvilluar këto gara, organizatorëve nuk u mjaftuan dy korsitë e parapara për lëvizje të veturave, ata shfrytëzuan edhe shtegun e lëvizjes për këmbësorë.

    Zëdhënësi i policisë në këtë komunë, Ismet Hashani, thotë se për videon e cila u shpërnda në rrjete sociale, janë duke bërë hetime dhe ende nuk ka ndonjë të dyshuar. Hashani shton se rastet e tilla nuk janë të rralla.

    “Ka arritur në disa raste t’i ndalojë këto gara, madje para 2 muajve janë arrestuar 3 persona pikërisht sepse ka pasur dyshime se kanë qenë të involvuar..”, tha Hashani.

    Ndaj këtij fenomeni kanë reaguar ashpër edhe njohës të komunikacionit.

    Sipas tij, duhet të aplikohet ashpërsim i dënimeve.

    Ligji i ri për Rregullat e Trafikut i ashpërson dënimet për persona që bëjnë gara të tilla. Derisa në të kaluarën gjoba ka qenë 150 euro, me ligjin që do të hyjë në fuqi më 3 prill, për këto gara parashihet gjobë 500 euro. Përveç gjobës, shqiptohen edhe masa shtesë, si ndalim i të drejtuarit të mjetit me veprim motorik në kohëzgjatje prej dymbëdhjetë muaj, si dhe vendosen pesë pikë negative në patentë-shofer.

    Në dhjetor të vitit të kaluar, në një garë të tillë në autostradën “Ibrahim Rugova”, humbën jetën edhe 3 të rinj, të cilët ishin duke e shikuar garën.

  • Nënshkrimi mbetet parakusht për formalizimin e marrëveshjes bazë

    Nënshkrimi mbetet parakusht për formalizimin e marrëveshjes bazë

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Nënshkrimi mbetet parakusht i Qeverisë së Kosovës për çfarëdo forme të formalizimit të marrëveshjes bazë dhe shtojcës.

    Pasi konfirmoi se të martën në Bruksel i janë prezantuar disa opsione për formalizim pa nënshkrim, në një intervistë për ATV-në, zëvendëskryeministri për dialog, Besnik Bislimi, përmendi një element.

    “Propozimet e z. Lajcak flasin për sesi kjo marrëveshje do të depozitohet në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, por edhe ne pajtohemi me këto propozime, me njërin prej tyre, por në atë moment kur marrëveshja nënshkruhet”, tha Bislimi.

    Ai tregoi se në diskutime është versioni i nëntë i dokumentit të sekuencimit të zbatimit, por shtoi se ai nuk ka kuptim pa formalizimin e marrëveshjes.
    Teksa deklarimet se mund të shkaktohet krizë humanitare te komuniteti serb nga zbatimi i rregullores së BQK-së i quajti propagandë, Bislimi tregoi se për çfarë janë propozimet që palët duhet t’i paraqesin të premten.

    “Ajo që do të dorëzojmë nesër nuk janë propozime për rregulloren, por janë ide se si transferi i mbështetjes financiare të Serbisë drejt qytetarëve të komunitetit serb, është i mundshëm brenda kësaj rregulloreje”, tha Bislimi.

    Referuar takimit të paralajmëruar për të hënën, ai theksoi se nëse shteti fqinj ka vullnet çështja mund zgjidhet shpejt.

    Në intervistën, e cila transmetohet e plotë në emisionin Context, kryenegociatori flet edhe për pengesat që Serbia po bën në raport me të zhdukurit, linjat e interkonjeksionit, borxhin që, sipas tij, BE-ja duhet t’ia paguajë Kosovës për rrymën në veri, artefaktet e vjedhura dhe interferimet në frekuencat e telekomunikimit.

  • Osmani kërkon mbështetjen e SHBA-së për anëtarësim në Interpol

    Osmani kërkon mbështetjen e SHBA-së për anëtarësim në Interpol

    Përgatiti: Armand Hoti

    Presidenca hapi dyert të enjten për një tjetër zyrtar të lart të Administratës amerikane.

    Këtë herë Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, u takua me Ndihmës-sekretarin amerikan të Byrosë Ndërkombëtare për Narkotikë dhe Sundim të Ligjit, Tod D. Robinson.

    Pas takimit njëorësh me dyer të mbyllura, e para e shtetit, përmendi nevojën e mbështetjes amerikane për anëtarësim të Kosovës në INTERPOL.

    “Në takim Ndihmës-sekretarin e informova për synimin strategjik të Kosovës për anëtarësim në INTERPOL, anëtarësim i cili do të jetë i pamundur pa mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ky anëtarësim do të ndikonte thelbësisht në rritjen e kapaciteteve tona, duke përmirësuar përgjigjen tonë institucionale ndaj krimit dhe duke fuqizuar angazhimin tonë në drejtim të garantimit të sigurisë publike të të gjithë qytetarëve tonë pa dallim”, tha Osmani.

    Osmani shprehu mirënjohje për asistencën e vazhdueshme që byroja që udhëhiqet nga Ndihmës-sekretari Robinson, ka ofruar për rritjen e kapaciteteve të institucioneve të sigurisë së Kosovës.

    “Disa nga arritjet më të rëndësishme të institucioneve tona e kanë pikërisht vulën e Byros që udhëheq Ndihmës-sekretari Robinson, duke përfshirë edhe vetë themelimin e Policisë së Kosovës, e cila sot gëzon besimin e mbi 95% të qytetarëve të Kosovës”, tha Osmani.

    Ndërkaq, Ndihmës-sekretari Robinson, garantoi mbështetjen amerikane për sigurinë e kosovarëve.

    “Fakti që jam këtu për të treguar mbështetjen tonë për atë që po bëni ju, për atë që policia po punon, për shërbimet e sigurisë, për qytetarët e rëndomtë kosovarë. Porosia ime do të ishte që SHBA-ja është këtu për t’ju mbështetur në përpjekjet tuaja, për të ndërtuar institute jetike të sigurisë dhe struktura të gjyqësorit, të drejtësisë. Po punojmë për një Kosovë më të mirë dhe për një Kosovë më të fortë dhe transparente në të ardhmen”, tha Robinson.

    Paraprakisht, zyrtari i lartë amerikan qëndroi në Tiranë, ku përveç takimeve me udhëheqës të sistemit të drejtësisë, u takua edhe me kryeministrin Edi Rama dhe me ministra të kabinetit qeveritar, gjë të cilën nuk e bëri në Kosovë, pasi këtu nuk takoi askënd nga ekzekutivi.

  • Rasti “Drenica 1” kalon në departamentin special të gjykatës në Prishtinë

    Rasti “Drenica 1” kalon në departamentin special të gjykatës në Prishtinë

    Përgatiti: Nora Luta

    Sylejman Selimi e kishte vuajtur dënimin prej tetë vjetësh burgim, pasi ishte shpallur fajtor për krime lufte në rastin “Drenica 1” dhe “Drenica 2”.

    Por ish-komandanti i UÇK-së, gati një dekadë pas, do t’i duhet të paraqitet sërish në Gjykatë, këtë herë në atë të Prishtinës.

    Gjykata ka konfirmuar për ATV-në, se rasti për krime lufte ndaj Selimit, i cili u kthye në rigjykim në vitin 2018 nga Supremja, është bartur nga Gjykata e Mitrovicës në Departamentin Special.

    Lënda, e cila u trajtua nga EULEX-i, mbeti në sirtarët e gjykatës së shkallës së parë në Mitrovicë të Veriut që nga 2018-ta.

    Ish-komandanti i përgjithshëm i UÇK-së do të vazhdojë ballafaqimin me drejtësinë vetëm për një pikë të aktakuzës, e cila pretendon se ai maltretoi disa civilë në Likoc të Skenderajt.

    Pjesë e aktakuzës është edhe Jahir Demaku.

    E në rast se shpallet fajtor, Selimi nuk do të shkojë në burg.

    Në mesin e 13 rasteve që janë bartur nga Gjykata e Mitrovicës në Departamentin Special, janë edhe katër raste të tjera për krime lufte, gjithashtu të trajtuara nga gjyqtarë e prokurorë të EULEX-it.

    Tri raste janë ndaj Zoran Vukotiqit, dhe një tjetër ndaj Lulzim Ademit, i cili ishte dënuar me 20 vjet burgim, por rasti ishte kthyer në rigjykim, e Ademi ishte arratisur nga burgu në vitin 2000.

  • Flet dhëndri i Trump për investimin në Shqipëri: Sazani është në zemër të Mesdheut, uji si në Maldive

    Flet dhëndri i Trump për investimin në Shqipëri: Sazani është në zemër të Mesdheut, uji si në Maldive

    Jared Kushner, dhëndri i Donald Trump, ka folur për “New York Post” lidhur me investimet e fundit që do të bëjë në Shqipëri, konkretisht në ishullin e Sazanit që nga një bastion ushtarak dikur, do të kthehet në një komunitet luksoz me resorte.

    Përpjekja e Kushnerit në rajon vjen ndërsa firma e tij e kapitalit privat me bazë në Majami, Affinity Partners, angazhohet në diskutime të avancuara për investime që tejkalojnë 1 miliard dollarë, me shpresën për të riformuar peizazhin e turizmit dhe pasurive të paluajtshme në Evropën Juglindore.

    Për NYP, Kushner ka treguar se pse zgjodhi pikërisht Shqipërinë, ishullin e Sazanit, për të investuar në resorte luksoze.

    “Aftësia për të zhvilluar 3 milje vijë bregdetare të bukur dhe një ishull 1400 hektarësh në mes të zemrës së Mesdheut është unike. Uji është blu kristal si Maldivet. Është e bukur. Plazhet janë të pabesueshme dhe është vetëm një nga këto vende të veçanta”, është shprehur Kushner për NYP.

    Duke u bashkuar me miqtë Ric Grenell, ish-ambasadorin e SHBA-së në Gjermani dhe zhvilluesin e NYC, Asher Abehsera, Kushner tërhiqet nga sektori i turizmit në zhvillim të Shqipërisë, i nxitur nga rritja e tij e shpejtë dhe vlerësimi ndërkombëtar.

    Veçanërisht, Ksamili i Shqipërisë renditet ndër destinacionet kryesore globale në Airbnb, duke reflektuar daljen e vendit nga e kaluara e tij komuniste për t’u bërë një pikë e nxehtë për udhëtarët që kërkojnë bukuri të paprishur dhe intriga historike.

    E quajtur “Koreja e Veriut e Evropës”, Shqipëria ka pësuar një evolucion dhe tani krenohet me stabilitetin makroekonomik, një industri turistike në rritje dhe një tërheqje në rritje për investitorët ndërkombëtarë.

    Pas largimit të tij nga qeveria, Kushner themeloi Affinity, një firmë e kapitalit privat që ka grumbulluar asete prej 3.1 miliardë dollarësh.

    Firma siguroi mbështetje të konsiderueshme nga investitorët e mbështetur nga shteti i Lindjes së Mesme, veçanërisht duke marrë rreth 2 miliardë dollarë nga Fondi i Investimeve Publike të Arabisë Saudite.

    Megjithëse investimi i madh ka ngritur vetullat, Kushner mbrojti financimin gjatë një samiti në Majami të sponsorizuar nga kompania mediatike Axios muajin e kaluar duke thënë se ai ndoqi çdo ligj dhe rregull të etikës.

    “Nëse më pyesni për punën që kemi bërë në Shtëpinë e Bardhë, për kritikët e mi, ajo që them është një vendim i vetëm që morëm që nuk ishte në interes të Amerikës”, tha Kushner.

  • Inspektorati i Kryeqytetit me aksion për largimin e shitësve ambulant nga sheshet e Prishtinës

    Inspektorati i Kryeqytetit me aksion për largimin e shitësve ambulant nga sheshet e Prishtinës

    Inspektorati i Kryeqytetit ka zhvilluar sot një aksion për largimin e shitësve ambulant nga sheshet qendrore të Prishtinës.

    Në njoftimin e Inspektoratit thuhet se këto aktivitete duhet t’i ushtrojnë në hapësirat e dedikuara enkas për veprimtari të tilla dhe jo ne sheshet e Kryeqytetit.

    “Inspektorati i Kryeqytetit sot ka zhvilluar një aksion për largimin e shitësve ambulant nga sheshet qendrore të Prishtinës. Sheshet janë të dedikuara për qytetarët, ndërkohë, me gjithë mirëkuptimin për nevojën e disa qytetarëve për të zhvilluar dhe punuar, aktivitetet e tyre ata duhet t’i ushtrojnë në hapësirat e dedikuara enkas për veprimtari të tilla dhe jo ne sheshet e Kryeqytetit”, thuhet në njoftim.

  • Kurti në Ditën Botërore të Sindromës Down takon disa nga të punësuarit e Masës 1.6 të Mbështetjes së personave me aftësi të kufizuara

    Kurti në Ditën Botërore të Sindromës Down takon disa nga të punësuarit e Masës 1.6 të Mbështetjes së personave me aftësi të kufizuara

    Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka takuar sot e disa nga të punësuarit nëpërmjet Masës 1.6. Mbështetja e Personave me Aftësi të Kufizuara.

    Sipas njoftimit zyrtar thuhet se aty i i ndanë përvojat në vendet e punës, si dhe të praktikës me arsimin dual: Vjosa Asllani, Hanife Raci, Genc Beqiri dhe Agron Bilalli.

    Mes tjerash u bisedua për punën që bëhet në pesë qendrat e Down Syndrome Kosova, në Prishtinë, Prizren, Ferizaj, Mitrovicë dhe Gjilan, ku përfitues direkt të shërbimeve janë mbi 300 persona me sindromë Down dhe aftësi të tjera të kufizuara intelektuale.

    “Për neve si shoqatë nuk ka qenë fare rrugëtim i lehtë për të arritur deri këtu. Kemi arritur bashkë me mbështetjen e institucioneve, miqve e bashkëpunëtorëve”, tha Sebahate Hajdini Beqiri, Drejtore Ekzekutive e shoqatës Down Syndrome Kosova.

    “Shteti dhe Qeveria duhet të dëshmohen më së shumti e më së pari aty ku nevojat janë më të mëdha, e mundësitë më të pakta. Andaj, dëshirojmë që të bashkëbisedojmë se si mund të bëjmë edhe më mirë e edhe më shumë se deri më tani”, tha Kurti.

    Ndërsa zëvendësministri i Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, Agon Dobruna, ritheksoi përkushtimin e MFPT-së për mbështetje të mëtejme për jetësimin e të drejtave për personat me Sindromën Down dhe ata me aftësi të kufizuara.

    Në takim u theksua qëllimi i gjithëpërfshirjes dhe barazisë në edukim, për çfarë Qeveria ka punësuar 250 asistentë për fëmijë me nevoja të veçanta në shkolla, e deri në fund të mandatit planifikojmë t’i jenë 500.

    U theksua se përderisa studimet janë bërë falas, janë ndarë bursa për 13 studente me aftësi të kufizuara. Ndërsa, nëpërmjet masës 1.6 Mbështetja e punësimit të personave me nevoja të veçanta, janë punësuar 239 persona, prej tyre 119 burra dhe 120 gra.

    Kryeministri Kurti falënderoi Down Syndrom Kosova për bashkëpunimin, kontributin edhe në formën e ideve edhe të aktiviteteve që zhvillon.

  • Ngrihet aktakuzë kundër 18 personave për rastin e njohur si “Subvencionet V”

    Ngrihet aktakuzë kundër 18 personave për rastin e njohur si “Subvencionet V”

    Prokuroria Speciale (PS), ka ngritur sot aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, kundër tetëmbëdhjetë (18) të pandehurve me inicialet K.Z, L.S, S.SH, A.U, V.H, B.P, A.GJ, G.A, K.S, B.S, V.I, F.J, F.Y, A.N, A.S, A.T, B.O dhe M.M në rastin e njohur si “Subvencionet V”.

    Prokuroria Speciale njofton se aktakuza kundër të pandehurve të lartcekur është ngritur për veprat penale ‘’Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’’ nga neni 414 KPRK-së, ‘’Marrja e ryshfetit’’ nga neni 421 të KPRK-së, ‘’Dhënia e ryshfetit’’ nga neni 422 të KPRK-së, ‘’Ushtrim i ndikimit’’ nga neni 424 të KPRK-së, si dhe ‘’Mashtrim me subvencione’’ nga neni 324 të KPRK-së.

    Aktakuza është ngritur kundër tetë (8) pandehurve si persona zyrtar, prej tyre katër (4) të pandehur janë nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, dy (2) të pandehur zyrtarë nga Regjioni i Gjilanit në kuadër të AZHB-së, një (1) zyrtarë në Komunën e Kllokotit, një (1) zyrtarë në Komunën e Vitisë dhe ndaj dhjetë (10) të pandehur të tjerë qytetar.

    Po ashtu, Prokuroria Speciale ka propozuar që të konfiskohet dobia pasurore e sekuestruar nga të pandehurit e fituar me kryerjen e veprave penale në vlerë 184,000.00€.