ATV

Category: Lajme

  • Faturat e rrymës në Kosovë mund të shtrenjtohen edhe këtë vit, KEK konfirmon se ka propozuar rritje

    Faturat e rrymës në Kosovë mund të shtrenjtohen edhe këtë vit, KEK konfirmon se ka propozuar rritje

    Faturat e rrymës në Kosovë mund të shtrenjtohen… edhe këtë vit.

    Mundësia tanimë i ka shqetësuar disa qytetarë.

    “Çdo ngritje e çmimit të shërbimeve do të nënkuptonte më pak produkte ushqimore, sepse ato të luksit i kemi harruar”, thotë Bashkim Misini, punonjës në sektorin privat, për Radion Evropa e Lirë.

    “Katastrofë për ata që nuk kanë. Paratë e pensionit nuk po mjaftojnë as për ushqime, e lëre më për rrymë e mbeturina”, thotë pensionistja Mihane Berisha.

    Tash për tash, vetëm Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka propozuar rritjen e çmimit të energjisë së prodhuar.

    Për tarifat që duhet t’i paguajnë qytetarët vendos Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) deri më 1 prill, por njohësit e fushës thonë se nëse rritet çmimi i energjisë së prodhuar, mund të rriten edhe këto tarifa.

    Çka kërkoi KEK-u?

    KEK-u konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se ka propozuar rritjen e çmimit të energjisë së prodhuar.

    Dy termocentralet e kësaj korporate, Kosova A dhe Kosova B, prodhojnë sasinë më të madhe të energjisë, të nevojshme për plotësimin e nevojave në vend.

    Kjo energji më pas i shitet KESCO-s, kompanisë përgjegjëse për furnizim dhe inkasim.

    Në deklaratën me shkrim, KEK-u tha se marrëveshja e fundit mes tij dhe KESCO-s ka qenë e lidhur për periudhën “1 prill 2023 deri më 31 mars 2024”.

    KEK-u tha se kërkesa është që çmimi të rritet nga 29.50 euro sa kushton aktualisht një megavat në orë, në 31.50 euro.

    KEK-u tha se nuk ka informata nëse propozimi i tij është miratuar.

    KEK-u, po ashtu, nuk tregoi se përse ka kërkuar rritjen e çmimit. Por, në komentet që ia ka dërguar ZRRE-së, korporata thirret në rritjen e kostos së prodhimit dhe të inflacionit.

    Për këtë thuhet se ka inkurajuar ZRRE-në që në të hyrat e KESCO-s të përfshihet edhe kostoja e blerjes së energjisë nga KEK-u.

    ZRRE-ja nuk iu përgjigj pyetjes se a do të ketë rritje të tarifave të energjisë elektrike, por tha se është “në proces të analizimit dhe shqyrtimit të komenteve të dërguara nga palët e interesuara”.

    ZRRE-ja bën shqyrtimin dhe caktimin e përvitshëm të tarifave, të cilat shpallen çdo 1 prill.

    Vitin e kaluar, tarifat u rritën për 15 për qind për të gjitha kategoritë e konsumatorëve.

    Për konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovate në orë brenda një muaji, çmimi gjatë ditës është 7.79 centë për kilovat, ndërsa për ata që shpenzojnë më shumë se 800 kilovate, pjesa mbi këtë u llogaritet me çmim prej 14.45 centësh.

    Nga ora 22:00 deri në 7:00 të mëngjesit, çmimi për kilovat është 3.34 centë për ata që shpenzojnë deri në 800 kilovate dhe 6.81 centë për atë që shpenzojnë më shumë.

    Çka thonë ekspertët?

    Fadil Ismaili, ish-ministër i Zhvillimit Ekonomik të Kosovës, thotë se rritja e çmimit të energjisë së prodhuar elektrike mund të pasohet me shtrenjtimin e rrymës që paguajnë qytetarët.

    Megjithatë, ai thotë se kërkesa e KEK-ut është e justifikueshme.

    “Energjia elektrike është një mall sikurse çdo mall tjetër. Në një kilovat të prodhimit të energjisë elektrike, nevojitet shpenzim i naftës, thëngjillit, mirëmbajtje… Kështu, edhe çmimi i energjisë elektrike mund t’i nënshtrohet ngritjes së çmimeve të produkteve dhe shërbimeve të tjera”, thotë Ismaili për Radion Evropa e Lirë.

    Ai shton se, nëse kjo ndodh, efekti zinxhiror do të jetë i pashmangshëm, pasi “çdo ndryshim i tarifave të rrymës ndikon edhe në koston e biznesit, sidomos tek industria prodhuese, duke i rritur çmimet e artikujve tjerë”.

    Skender Krasniqi, kryetar i Bordit Drejtues të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Prishtinë, e justifikon po ashtu kërkesën e KEK-ut, por thotë se ZRRE-ja nuk duhet të lejojë që ajo të reflektohet në faturat e qytetarëve.

    Nëse rritet çmimi i rrymës, thotë ai, disa biznese prodhuese edhe mund të mbyllen dhe kompanitë tjera, pastaj, i rrisin çmimet.

    “Nëse kjo ndodh, nevojitet mbështetje financiare nga Qeveria për bizneset… sepse kjo do të ishte e papërballueshme për disa”, thotë Krasniqi për Radion Evropa e Lirë.

    Çmimet e energjisë, gjetiu në botë, kanë nisur të marrin hov në fillim të vitit 2022, kur Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës dhe inflacioni ka nisur, po ashtu, të rritet me shpejtësi.

    Për rrjedhojë, Qeveria e Kosovës ka ndarë në disa raste subvencione. Në një periudhë, ajo i ka subvencionuar konsumatorët që kanë kursyer së paku 5 për qind të rrymës në muaj, krahasuar me muajin e njëjtë të vitit paraprak. Këta konsumatorë kanë përfituar dyfishin e përqindjes së kursyer.

    Shtrenjtohen edhe faturat e mbeturinave

    Pas tetë vjetësh, ndryshime në shkurt të këtij viti pësuan edhe faturat e mbeturinave.

    Zyrtarë të Kompanisë Rajonale Pastrimi konfirmuan për Radion Evropa e Lirë se për klientët e amvisërisë, faturat u rritën nga 4.70 në 6.20 euro. Kurse, për bizneset e vogla dhe të mesme, faturat u shtrenjtuan për 2, respektivisht 3 euro.

    Kompania Pastrimi, përveç në komunën e Prishtinës, operon edhe në komunën e Fushë Kosovës, atë të Obiliqit, Lipjanit, Drenasit dhe Podujevës.

    Zëdhënësja Arbnora Ademi thotë se nga inflacioni i viteve të fundit është atakuar edhe kompania Pastrimi, duke përmendur shtrenjtimin e derivateve të naftës dhe makinerive të ndryshme për grumbullimin dhe deponimin e mbeturinave.

    “Gjithçka është shtrenjtuar. Tmerr, tmerr…”, thotë pensionistja Mihane Berisha, e cila jeton me bashkëshortin në Prishtinë dhe të dy marrin 200 euro në muaj pensione.

  • Vdes në moshë të re profesori i gjimnazit në Lipjan

    Vdes në moshë të re profesori i gjimnazit në Lipjan

    Është ndarë nga jeta në moshë të re, profesori i gjimnazit ‘Ulpiana’ në Lipjan, Blerim Krasniqi.

    Lajmin e ka bërë të ditur Komuna e Lipjanit, të cilët i kanë dërguar telegram ngushëllimi familjes së të ndjerit.

    “Vdekja e papritur e Blerimit është një lajm i trishtë që përjetohet me dhembje nga të gjithë qytetarët e komunës sonë dhe më gjerë. Ai ishte një profesor i shkëlqyeshëm, i urtë dhe bashkëpunëtor i mirë e profesional. Puna dhe angazhimi i tij edhe pse për një kohë të shkurtër lanë gjurmë në gjimnazin “Ulpiana” në Lipjan”, thuhet në njoftimin e komunës së Lipjanit.

  • Gjendet i vdekur një 54-vjeçar në Prishtinë

    Gjendet i vdekur një 54-vjeçar në Prishtinë

    Një 54-vjeçar është gjetur i vdekur të enjten në Prishtinë, ka konfirmuar Policia e Kosovës.

    Sipas Policisë, rasti është iniciuar si “hetim mbi vdekjen”.

    Njoftimi i plotë i Policisë:

    Sot në stacionin policor jugu në Prishtinë, është iniciuar një rast hetim mbi vdekjen, ku viktimë është një person mashkull, 54 vjeç. Vdekjen e tij e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendngjarje.

    Aktualisht policia në koordinim me prokurorinë, po ndërmarrin të gjitha veprimet e duhura hetimore dhe ato forenzike – të ekzaminimit, që do të ndihmonin hetimin e ngjarjes si dhe sqarimin dhe ndriçimin e plotë të rastit, ndërkohë që trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion.

  • Osmani: Në Ditën Botërore të Sindromës Down, le të riafirmojmë angazhimin për gjithpërfshirje dhe mbështetje

    Osmani: Në Ditën Botërore të Sindromës Down, le të riafirmojmë angazhimin për gjithpërfshirje dhe mbështetje

    Në kuadër të Ditës Botërore të Sindromës Down, janë zhvilluar aktivitete të ndryshme.

    Presidentja e vendit Vjosa Osmani ka ndarë një foto me fëmijët me Sindromën Down.

    Osmani tha se secili person meriton vlerësim, respekt dhe mundësi të barabartë.

    “Sot, në Ditën Botërore të Sindromës Down, le të riafirmojmë angazhimin tonë për gjithpërfshirje dhe mbështetje për personat me Sindromën Down. Secili person meriton të vlerësohet, respektohet dhe t’i jepet mundësi e barabartë”, ka shkruar Osmani në rrjetin social Facebook.

    Ndryshe, në dhjetor 2011, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së shpalli 21 Marsin si Ditën Botërore të Sindromës Down.

  • KGjK e ShKK pranojnë donacion me pajisje audio-vizuele nga ShBA-ja: Regjistrohen seancat gjyqësore e rritet transparenca

    KGjK e ShKK pranojnë donacion me pajisje audio-vizuele nga ShBA-ja: Regjistrohen seancat gjyqësore e rritet transparenca

    Ndihmës Sekretari Amerikan për Byronë Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit, Todd D. Robinson, Kryetari i KGJK-së Albert Zogaj si dhe Drejtori i Burgjeve të Kosovës Ismail Dibrani, kanë nënshkruar marrëveshje për pranimin e donacionit nga SHBA përmes programit INL. Donacioni përmban pajisje audio-vizuele për Gjykatat në vend, të cilat do të mundësojnë regjistrimin e seancave gjyqësore, raporton Ekonomia Online.

    Aty u tha se përmes këtij donacioni viktimat do të kenë mundësinë që të paraqiten në seanca gjyqësore online, “duke u ndjerë më të sigurta”.

    Kryetari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Albert Zogaj, tha se më këtë donacion Gjykatat do të kenë më shumë transparencë, llogaridhënie e integritet.

    “Dy dekada më parë ne bashkë me partneret ndërkombëtar ndërtuam institucionet e pavarura, përfshirë sistemin e drejtësisë dhe gjyqësorin. Konsoliduam bashkë sistemin e drejtësisë dhe pranuam vlerat më demokratike për sistemin gjyqësorë. Jemi të vetëdijshëm që një shoqëri demokratike nuk mund të funksionojë pa një shtet ligjor. Ndihma e INL ndihmon transparencën e gjyqësorit. Kjo ndihmë është një investim kapital për Gjyqësorin prandaj ne do të kujdesemi që pajisjet që janë instaluar në gjykata të vendit të shfrytëzohen nga gjykata”, tha ai.

    Drejtori i Burgjeve të Kosovës, Ismail Dibrani, tha se ky donacion është ndër donacionet më të rëndësishme për Shërbimin Korrektues.

    “Sot Shërbim Korrektues nga shumë organizata vlerësohet si storie suksesi, kjo fal mbështetjes së SHBA-së. Donacioni i sotëm është ndër donacionet më të rëndësishme për SHKK dhe sistemin e drejtësisë në përgjithësi pasi që përmes këtij sistemi do të zvogëlojmë nevojën për transport të personave nga gjykata në burgje dhe anasjelltas, duke bërë që proceset gjyqësorë të jene më të sigurta”, ka thënë ai.

    E Ndihmës Sekretari Amerikan për Byronë Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit, Todd D. Robinson, tha se ky donacion shërbej si mjet jetik që do të përmirësoj sigurinë e gjykatave dhe burgjeve.

    Ai tha se ky donacion do ta zvogëloj transferimin e panevojshëm të të burgosurve në gjykata dhe kjo do të shtoj më shumë sigurinë në gjykata dhe burgje.

    “Jam i nderuar që po marr pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të donacionet me pajisje audio- vizuele sepse këto pajisje mendojmë që mund të shërbej si mjet jetik që do të përmirësoj sigurinë e gjykatave dhe burgjeve. E përgëzoj KGJK dhe Shërbimin Korrektues për përpjekjet e tyre që ky projekt të realizohet. Digjitalizim i gjykatave është e ardhmja”, u shpreh ai.

  • Bullgaria dërgon një kontingjent prej 100 trupash në misionin e NATO-s në Kosovë

    Bullgaria dërgon një kontingjent prej 100 trupash në misionin e NATO-s në Kosovë

    Një kontingjent prej rreth 100 ushtarësh bullgarë u dërgua me një ceremoni në Yambol të enjten për të marrë pjesë në Forcën e Stabilizimit të NATO-s në Kosovë (KFOR). Në ceremoni morën pjesë zëvendësshefi i Mbrojtjes, gjenerallejtënant Mihail Popov dhe komandanti i Forcave Tokësore, gjeneralmajor Dejan Deshkov.

    Kontingjenti është kryesisht nga Brigada e Dytë e mekanizuar Tundzha dhe misioni i tyre do të zgjasë gjashtë muaj, tha Popov para gazetarëve.

    “Rreziku është gjithmonë i pranishëm, por rreziku në rajon është i ulët. Këto janë veprime parandaluese të NATO-s për të parandaluar përshkallëzimin e tensioneve”, tha ai.

    Sipas tij, ushtarakët janë të përgatitur mirë pasi e dinë saktësisht se çfarë detyrash do të kryejnë në zonën e misionit.

    “Jam i sigurt se edhe një herë do të dëshmojmë se jemi një partner i besueshëm dhe i përgatitur mirë”, tha Popov.

    Si ndihmës komandant kombëtar i kontingjentit shërben majori Svetlin Simeonov nga menaxhmenti i Brigadës së Dytë të mekanizuar të Tundzha, ndërsa komandant i kompanisë së sigurimit u emërua toger Sllavi Sllavçev nga Batalioni 38 i Mekanizuar. /BTA

  • Haradinaj për Qeverinë Kurti: Më e korruptuara që ka pasë ndonjëherë Kosova

    Haradinaj për Qeverinë Kurti: Më e korruptuara që ka pasë ndonjëherë Kosova

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se Qeveria Kurti është qeveria më e korruptuar që e ka pasur Kosova ndonjëherë, raporton Ekonomia Online.

    “Qeveria Kurti është qeveria më e korruptuar që e ka pasur Kosova, këtë e thotë matematika, nuk ka pasur ndonjëherë më shumë se gjatë kësaj qeverie kontrata njëburimore”, ka thënë Haradinaj në eventin e organizuar nga qeveria studentore e Institutit të Teknologjisë Rochester (A.U.K.), me rastin e 25-vjetorit të bombardimeve të NATO-s.

    I pyetur në lidhje me vendimin e ministrit të Bujqësisë, Faton Peci për lirimin e objektit ku gjendet partia e tij, Haradinaj tha se “do veprojmë ashtu siç thotë ligji”.

  • Sarrazin dhe Rohde takohen me Kurtin, flasin për Procesin e Berlinit dhe temat aktuale

    Sarrazin dhe Rohde takohen me Kurtin, flasin për Procesin e Berlinit dhe temat aktuale

    Emisari gjerman për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, po qëndron për vizitë zyrtare në Kosovë.

    Këtë mëngjes ai është takuar në rezidencën e ambasadorit gjerman me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

    Në takim siç ka bërë të ditur ambasadori gjerman është folur për rrugën përpara sa i përket procesit të Berlinit dhe gjithashtu edhe për çështjet aktuale.

    “Diskutim i mirë këtë mëngjes me emisarin gjerman për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, dhe kryeministrin Albin Kurti, për rrugën përpara në procesin e Berlinit si dhe çështje të tjera aktuale”, ka shkruar ambasadori Rohde, në platformën “X”.

  • Ministri Krasniqi prezanton projektin që do të mbështes komunat me rreth 30 milionë euro

    Ministri Krasniqi prezanton projektin që do të mbështes komunat me rreth 30 milionë euro

    Komitetit drejtues i projektit Demos III, ka zhvilluar takimin e radhës ku është diskutuar për sistemin e menaxhimit të performancës komunale, grantin e performancës, zhvillimin e politikave dhe ngritjen e kapaciteteve.

    Ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi ka shkruar në Facebook se koordinimi me partnerët donatorë, ambasadën e Zvicrës, Norvegjisë dhe zyrën e BE-së në Kosovë, është i rëndësishëm për arsye të proceseve të cilat janë të rëndësishme në mënyrë që sistemi i grantit të performancës, të jetë i bazuar në transparencë, të dhëna të sakta dhe garë të barabartë.

    “Demos III, është projekt i cili do të mbështes komunat në vlerë rreth 30 milionë euro”, ka shkruar ai.

  • ​Zgjerimi, në rend dite në samitin e BE-së

    ​Zgjerimi, në rend dite në samitin e BE-së

    Liderët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian zhvillojnë të enjten dhe premten në Bruksel samitin e radhës, në të cilin, mes shumë temave tjera, do të jetë edhe procesi i zgjerimit.

    Temat kryesore të këtij samiti kanë të bëjnë me vazhdimin e ndihmës Ukrainës që të përballet me agresionin e Rusisë, me situatën në Lindjen e Mesme, me forcimn e kapaciteteve të mbrojtjes së BE-së dhe me përgatitjen e bllokut për zgjerimin e ardhshëm.

    Pritet që gjatë këtij samiti, liderët e BE-së të japin dritën e gjelbër për nisjen e negociatave të anëtarësimit me Bosnje e Hercegovinën, sipas një rekomandimi të bërë nga Komisioni Evropian para dhjetë ditësh. Një vendim i tillë është përfshirë në draftin e konkluzave që do të duhet ta miratojnë liderët në këtë samit, draft të cilin e ka siguruar edhe Radio Evropa e Lirë.

    “Bazuar në rekomandimin e Komisionit Evropian nga 12 marsi i vitit 2024, Këshilli Evropian vendos të hapë negociatat e anëtarësimit me Bosnje e Hercegovinën. Këshilli Evropian fton që të miratohet korniza negociuese kur të ndërmerren hapat relevantë të caktuar, në rekomandimet e Komisionit nga 12 tetori i vitit 2022”, thuhet në draftin e këtyre konkluzave.

    Sipas këtij formulimi, nëse liderët do të miratonin vendimin, atëherë nisja e negociatave do të varej nga miratimi i kornizës negociuese, pasi Bosnje e Hercegovina të përmbushë kriteret e caktuara. Miratimi i kornizës është i domosdoshëm për të nisur negociatat e anëtarësimit me një shtet kandidat. Këshilli Evropian është niveli më i lartë i BE-së, ai i shefave të shteteve apo qeverive të vendeve anëtare. Ndërsa Këshilli i BE-së është niveli i ministrave dhe nivelet tjera. Sa i përket temave tjera të zgjerimit, në këto konkluza do të përmenden vetëm Ukraina, Moldavia dhe Gjeorgjia. Aty po ashtu përmendet edhe nisja e debatit të brendshëm në BE për reformat në prag të zgjerimit.

    “Këshilli Evropian shqyrtojë përgatitjet për zgjerim dhe reformave të brendshme duke rikujtuar se në të dy binarët duhet të avancohet paralelisht, për të siguruar që edhe vendet e ardhshme anëtare edhe BE-ja të jenë gati me kohë për anëtarësim. Këshilli Evropian do të adresojë reformat e brendshme në takimin e radhës me synimin që të miratojë deri në verën e vitit 2024 konkluzat për udhërrëfyesin për punën në të ardhmen”, thuhet në këtë draft./REL/