ATV

Category: Lajme

  • NATO-ja mirëpret interesimin e Sllovenisë për të dërguar më shumë trupa në Kosovë

    NATO-ja mirëpret interesimin e Sllovenisë për të dërguar më shumë trupa në Kosovë

    Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka mirëpritur interesimin e Sllovenisë për të dërguar më shumë trupa në Kosovë.

    Për këtë është diskutuar në një takim që të enjten Stoltenberg e ka zhvilluar me kryeministrin e Sllovenisë, Robert Golob, i cili thuhet se ka shprehur interesim për të dërguar më shumë trupa në misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR.

    Siç shpjegoi Golob, ende nuk janë përcaktuar plane konkrete në këtë drejtim, por se sipas tij Sllovenia është e interesuar për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor, gjegjësisht të Bosnje e Hercegovinë dhe Kosovë, ku është e pranishme edhe me ushtarët e saj.

    Në takim Stoltenberg e Golob, përveç për Ballkanin Perëndimor, kanë biseduar edhe për Ukrainën dhe Lindjen e Mesme.

  • Rusia: Do të hakmerremi nëse BE-ja armatos Ukrainën me përfitimet nga asetet tona

    Rusia: Do të hakmerremi nëse BE-ja armatos Ukrainën me përfitimet nga asetet tona

    Rusia do të ndërmarrë masa hakmarrëse në përputhje me interesat e saj dhe do të përdorë të gjitha mekanizmat ligjorë që ka në dispozicion, nëse Bashkimi Evropian përdor përfitimet nga asetet e ngrira ruse për të blerë armë për Ukrainën, tha Kremlini më 21 mars.

    Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, i bëri këto deklarata para takimit të liderëve të BE-së në Bruksel, ku pritet të diskutohet edhe për këtë çështje.

    “Natyrisht, ne do të përdorim të gjithë mekanizmat e mundshëm ligjorë, ato që i kemi në dispozicion tani, dhe të gjitha ato që do t’i kemi në dispozicion në të ardhmen. Bazuar në parimin e reciprocitetit, ne do të hakmerremi për këtë, por do të zgjedhim metoda të ndryshme në përputhje me interesat tona”, tha ai për gazetarët.

    Udhëheqësit evropianë kanë deklaruar se synojnë të përdorim përfitimet nga asetet e ngrira ruse për të ndihmuar Ukrainën, e cila që nga viti 2022 po përballet me pushtimin në shkallë të gjerë të nisur nga Rusia.

    Zyrtarët e Perëndimit po shkojnë drejt konfiskimit të aseteve të ngrira financiare të Rusisë, në vlerë rreth 300-350 miliardë dollarëve, për ta mbështetur Ukrainën.

    Pothuajse shumica e gati 210 miliardë eurove të rezervave ruse të bllokuara në BE – para së gjithash obligacionet dhe llojet e tjera të garancive në të cilat kishte investuar Banka Qendrore e Rusisë – po mbahen në depozituesin e quajtur Euroclear në Bruksel./REL/

  • ​BDI: Skandaloze mbështetja ruse në Maqedoninë e Veriut

    ​BDI: Skandaloze mbështetja ruse në Maqedoninë e Veriut

    Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar pas rezultateve të fundit të zgjedhjeve ruse edhe në territoret jashtë Rusisë, duke theksuar se diktatori Putin, në zgjedhjet ruse të zhvilluara gjithandej, mbështetje më të madhe ka marrë në Maqedoninë e Veriut.

    BDI thekson se sipas Komisionit zgjedhor të Rusisë, 88.1% e qytetarëve të Rusisë që jetojnë në Maqedoni të Veriut, kanë votuar për Putinin.

    “Kjo dëshmon se politika ruse është prezente, nuk ka hequr dorë dhe vazhdon të përpiqet çdo ditë e më shumë të rrezikojë rrugën evropiane të Maqedonisë së Veriut dhe të rrënojë çdo të arritur të vendit vitet e fundit. Në skenarin rus të Putinit, ka kohë që janë renditur zëshëm parti politike në Maqedoni, ndërsa të njëjtat, së fundmi – po ndihmohen edhe nga opozita shqiptare, e cila për çdo ditë shpif, fyen dhe dezinformon qytetarët se BDI është e keqja e vendit dhe jo VMRO dhe Levica. Bashkimi Demokratik për Integrim nuk dëshiron të besojë se opozita shqiptare me vetëdije i është bashkangjitur skenarëve ruse, por i apelon të reflektojë dhe të bëjë fushatë demokratike dhe evropiane, duke marrë shembull BDI-në dhe Presidentin në ardhje, Bujar Osmani. Gjithashtu, sigurojmë qytetarët se, ashtu siç ndodhi me anëtarësimin në NATO dhe udhëheqjen e suksesshme me Misionin e OSBE-së, Bashkimi Demokratik për Integrim do të jetë çelësi kryesor edhe në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Kështu që, ashtu siç konstatojnë të gjitha sondazhet, më 24 prill dhe më 8 maj, opozita shqiptare e koordinuar tashmë me politikat ruse në Maqedoni, do të marrë goditjen e fundit nga qytetarët, shumica e të cilëve i kanë thënë hapur “PO Europës, JO Rusisë”, thuhet në reagim.

  • Vuçiq në takim me Macronin: E njoftova për situatën me Kosovën

    Vuçiq në takim me Macronin: E njoftova për situatën me Kosovën

    Presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka njoftuar se është takuar me presidentin e Francës Emmanuel Macron në samitin e parë global për energjinë bërthamore në Bruksel.

    Ai në një njoftim në Instagram thotë se me të ka folur rreth çështjes së Kosovës.

    Ai tregon se i është ankuar Macronit për siç ka shkruar presionin në rritje ndaj popullit serb.

    “Një takim i përzemërt me Emmanuel Macron, me të cilin shkëmbyem mendime për një sërë çështjesh të rëndësishme, si dhe për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të partneritetit ndërmjet Serbisë dhe Francës. E njoftova për zhvillimin e situatës në Kosovë, si dhe për presionin në rritje ndaj popullit serb, i cili është vënë në pozitë jashtëzakonisht të vështirë pas lëvizjeve të fundit të Prishtinës”, thuhet në profilin e Instagramit.

  • Komandanti i KFOR-it në Prizren, viziton ushtarët turq që zbarkuan në Kosovë më 29 shkurt

    Komandanti i KFOR-it në Prizren, viziton ushtarët turq që zbarkuan në Kosovë më 29 shkurt

    Komandanti i KFOR-it, gjenerali Ozkan Ulutas, ka vizituar ushtarët turq të Rezervës Operacionale të cilët janë vendosur në kampin e KFOR-it turk “Sulltan Murat” në Prizren.

    KFOR ka publikuar një video të vizitës së Ulutas në kampin e ushtarëve turq në Prizren.

    Ky kontigjent i ushtarëve turq kishte arritur më 29 shkurt në Kosovë si zëvëndësim i një kontigjenti italian që ishin vendosur në Kosovë më herët si pjesë e Forcës Rezervë.

  • RrGK: Ngacmuesit seksual të largohen nga UP

    RrGK: Ngacmuesit seksual të largohen nga UP

    Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) ka shprehur shqetësimin e thellë në lidhje me numrin alarmues të rasteve të ngacmimeve seksuale në institucionet e arsimit, veçanërisht në Universitetin e Prishtinës.

    RrGK ka thënë se raportimi i ngacmimeve seksuale nga 27 studente të fakultetit të mjekësisë shkakton shqetësim të madh për sigurinë dhe integritetin e të gjithë studentëve.

    Rrjeti i Grave të Kosovës ka kërkuar nga Këshilli Etik që të trajtojë këtë çështje në mënyrë emergjente, duke respektuar rregulloret dhe ligjet në fuqi dhe duke siguruar mbështetje të plotë për viktimat.

    Po ashtu, kanë bërë thirrje edhe në drejtim të rektoratit të Universitetit të ndërmerren masa të menjëhershme për zbardhjen e këtyre rasteve dhe për të krijuar mekanizma të besueshëm për raportimin e ngacmimeve seksuale, dhe që Universitetet duhet të jenë ambiente të sigurta dhe të mbështetjes për studentët, jo vende ku abuzimet tolerohen ose mbulohen.

    RrGK kërkon që ky rast të trajtohet me seriozitet nga institucionet e drejtësisë dhe të arsimit, duke ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për adresimin e tij dhe dënimin e personit përgjegjës.

    ”Ngacmimi seksual i vajzave dhe grave në shoqërinë tonë mbetet ndër brengat kryesore, për të cilën duhet të ngrisim zërin të gjithë ne, vazhdimisht dhe pa asnjë kompromis. Kurse, reagimi i duhur institucional ndaj këtyre rasteve ndikon në luftimin e tyre dhe krijimin e një shoqërie ku vajzat dhe gratë gëzojnë një jetë të barabartë dhe pa dhunë me bazë gjinore”.

  • Policia në aksion, gjobit veturat e parkuara në trotuare

    Policia në aksion, gjobit veturat e parkuara në trotuare

    Këmbësorët të cilët qarkullojnë në rrugën “Rrustem Statovci”, në Prishtinë, e kanë pothuajse të pamundur qarkullimin nëpër trotuare, pasi ato janë të zëna nga veturat.

    Zyrtarët policor në mesditën e së enjtes, kanë dal në aksion, për t’i gjobitur veturat të cilat janë parkuar në trotuare të kësaj rruge që gjendet afër parkut të qytetit.

  • Mjekët e QKUK-së kryejnë për herë të parë procedurën e kateterizimit në zemër tek një fëmijë i moshës 14-vjeçare

    Mjekët e QKUK-së kryejnë për herë të parë procedurën e kateterizimit në zemër tek një fëmijë i moshës 14-vjeçare

    Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës ka njoftuar se për herë të parë, në Qendrën Klinike Univerisitare të Kosovës, nga stafi i mjekëve të QKUK-së, është kryer procedura e kateterizimit në zemër tek një fëmijë i moshës 14 vjeçare.

    Procedura është kryer nga mjekët e Klinikës së Pediatrisë, në bashkëpunim me ata të Klinikës së Kardiologjisë.

    “Fëmiu L.S. ishte diagnostikuar me hipertension arterial të ngritur dhe është bërë ekzaminimi invaziv hemodinamik, me qëllim të zbulimit të ndonjë ngushtimi të arterieve. Ekzaminimi Invaziv është kryer ne sallën e Hemodinamikës të Klinikës së Kardiologjisë . Ekzaminimi është kryer vetëm nga stafi vendor i mjekëve dhe infermierëve dhe procedura ka kalur pa komplikime”, thuhet në njoftim.

    Fëmiu pas procedurës, është transferuar, në Klinikën e Pediatrisë.

  • Osmani: Anëtarësimi i Kosovës në INTERPOL, i pamundur pa mbështetjen e SHBA-së

    Osmani: Anëtarësimi i Kosovës në INTERPOL, i pamundur pa mbështetjen e SHBA-së

    Anëtarësimi i Kosovës në Organizatën Ndërkombëtare të Policisë (INTERPOL) është i pamundur pa mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara.

    Kështu tha presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pasi u takua në Prishtinë me ndihmës sekretarin amerikan të Byrosë Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit, Todd Robinson.

    Sipas saj, anëtarësimi në INTERPOL do të rriste kapacitetet e Kosovës në mënyrë që institucionet të përmirësonin përgjigjen “ndaj krimit dhe duke fuqizuar angazhimin tonë në drejtim të sigurisë publike për secilin qytetarë të Republikës sonë, pa dallim”.

    “Të vetmit që përfitojnë nga mosanëtarësimi i Kosovës në INTERPOL janë kriminelët, në veçanti grupet kriminale transnacionale. Është dëshirë dhe vullnet i përbashkët i Kosovës dhe i SHBA-së që ata t’i luftojmë deri në fund dhe pa kompromis”, tha Osmani.

    Kosova ka nisur përpjekjet që të anëtarësohet në INTERPOL që nga viti 2010. Por, atëbotë kërkesa e saj nuk ishte marrë parasysh nga Komiteti Ekzekutiv i kësaj organizate. Më 2015 dhe 2016, Kosova s’arriti të futej në agjendën e Asamblesë së Përgjitshme të INTERPOL-it, ndërkaq në vitet pasuese Prishtina nuk ka tentuar që të anëtarësohet për shkak të mungesës së mbështetjes së mjaftueshme.

    Osmani falënderoi Byronë amerikane të Narkotikëve dhe Çështjeve të Zbatimit të ligjit për mbështetjen dhe tha se ky institucion ka ndihmuar në themelimin e shumë institucioneve në Kosovë, përfshirë Policinë e Kosovës dhe Agjencinë e Forenzikës.

    “Mbështetja e SHBA-së për Kosovën ka qenë prezent në çdo sektorë në çdo hap të shtetndërtimit”, tha Osmani.

    Ndërkaq, ndihmëssekretari Robinson tha se SHBA-ja mbështet Kosovën që të përmirësojë strukturat e saj gjyqësore dhe të sigurisë.

    “Fakti që jam këtu është për të treguar mbështetjen për atë që po bëni ju, për atë që po bën policia juaj, atë që po bëjnë shërbimet tuaja të sigurisë për qytetarët e thjeshtë të Kosovës. Mesazhi im për ta dhe për të gjithë ju është se SHBA-ja është këtu për të mbështetur përpjekjet tuaja për strukturat jetike të sigurisë dhe gjyqësorit. Ne po punojmë për një Kosovë më të mirë sot, por po ashtu po punojmë për një Kosovë më transparente, më të fortë dhe më të sigurt nesër për qytetarët e Kosovës”, tha ai, duke shtuar se gjatë vizitës do të takohet me zyrtarë nga Qeveria dhe nga sektori i drejtësisë.

    Megjithatë, një takim me mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe ndihmës sekretarit Robinson nuk është paralajmëruar nga ekzekutivi kosovar. Por, zyrtari amerikan pritet të takohet me zyrtarë të gjyqësorit.

    Raportet mes Qeverisë Kurti dhe Qeverisë amerikane janë tendosur për shkak të vendimit të autoriteteve të Kosovës për të ndaluar që dinari serb të përdoret për pagesa në Kosovë.

    SHBA-ja po i kërkon Kosovës që të pezullojë zbatimin e vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës, e cila parasheh euron valutën e vetme për kryerjen e pagesave. Por, Qeveria Kurti nuk ka dhënë sinjale se do të tërhiqet nga ky vendim.

    Ditë më parë, i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, gjatë një interviste për Radion Evropa e Lirë u pyet nëse Uashingtoni do të vendosë ndonjë masë ndaj Kosovës për shkak të shpërfilljes së kërkesës amerikane.

    “Po kalojmë në vitin e dytë, ndoshta edhe vitin e tretë, dhe nuk ka pasur takime të nivelit të lartë mes askujt në Qeverinë e Kosovës dhe dikujt në administratën amerikane”, tha ai.

    Në fillim të marsit, Kosovën e vizitoi Erin Elizabeth McKee, ndihmës administratorja në Byronë për Evropë dhe Euroazi të USAID-it. Ajo, u takua me presidenten Osmani, por jo edhe me Kurtin.

    Agjencia për Zhvillim Ndërkombëtar e SHBA-së (USAID) kontribuon në zhvillimin e shumë sektorëve në Kosovë.

    Vetëm në shtator të 2023-tës, USAID-i ka ndarë një grant prej 35 milionë eurosh për Kosovën, për ta ndihmuar në fushën e integrimeve.

  • Delegacioni i Forcave të Armatosura shqiptare viziton Komandën e Forcave Tokësore të FSK-së

    Delegacioni i Forcave të Armatosura shqiptare viziton Komandën e Forcave Tokësore të FSK-së

    Një delegacion i Forcave të Armatosura të Shqipërisë, i kryesuar nga Gjeneralmajor Ilir Xhebexhia, e ka vizituar Komandën e Forcave Tokësore të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

    Delegacioni u prit nga Hysen Dreshaj, nga komandant i KFT-së së FSK-së.

    Gjatë këtij takimi, Dreshaj e njoftoi Xhebexhian me të arriturat dhe sfidat e KFT-së, ngritjen e kapaciteteve luftarake.

    “Me këtë raste të dy gjeneralët me shtabet e tyre diskutuan për mundësit e bashkëpunimit në mes të dy forcave me fokus trajnimet dhe stërvitjet e përbashkëta”, thuhet në njoftim.

    “Gjeneralët shprehën gatishmërinë e tyre për një bashkëpunim në fusha të interesit të përbashkët, në ngritjen e kapaciteteve dhe kontributin e tyre në të mirë të të dyja vendeve dhe interesit të përgjithshëm në të mirë të paqes në rajon dhe më gjerë”.