ATV

Category: Lajme

  • Zogaj: Duhet përfundimisht të pranohet koncepti i pavarësisë së institucioneve të gjyqësorit

    Zogaj: Duhet përfundimisht të pranohet koncepti i pavarësisë së institucioneve të gjyqësorit

    Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se se duhet që përfundimisht të pranohet koncepti i pavarësisë së institucioneve të pavarura në mënyrë të veçantë të gjyqësorit.

    “Ajo që pritet të jetë në zhvillim, është fuqia e institucioneve dhe mbështetja që duhet të kenë institucionet. Kjo nënkupton që duhet të konsolidohet dhe duhet përfundimisht të pranohet koncepti i pavarësisë së institucioneve të pavarura në mënyrë të veçantë të gjyqësorit, duhet të mbështetet koncepti në kuptimin përmbajtjesor të fjalës dhe kjo nënkupton që institucioni që administron me drejtësi në këtë rast Këshilli duhet të jetë me kapacitete të plota dhe në përgjegjësi të plotë të ushtrimit të përgjegjësive nga brenda gjyqësorit, buxheti duhet të jetë një prej çështjeve serioze që duhet të mbështetet nga Qeveria dhe institucionet tjera dhe natyrshëm është edhe zhvillimi i politikave”, tha Zogaj.

    Ai tha se Kosova i ka të gjitha kapacitetet për të përballuar të gjitha sfidat në kuptimin edhe nacional, por edhe në kuptimin rajonal dhe global.

    “Edhe në takimin e sotëm, por edhe më herët me zyrtarët e agjencive shtetërore të SHBA-së , por edhe BE-së dhe partnerëve seriozë që e mbështesin gjyqësorin, prej vitit 2013 e kemi pranuar konceptin e strukturave bashkëkohore të gjyqësorit, prokurorisë, dhe ajo që është evidente nga diskutimi dhe vlerësimet është se realisht ne e kemi strukturën adekuate të gjyqësorit për t’i përballuar të gjitha sfidat në kuptimin edhe nacional, por edhe në kuptimin rajonal dhe global”, tha Zogaj. /atvlive.tv

  • Kina dërgon dhjetëra avionë luftarakë mbi Tajvan

    Kina dërgon dhjetëra avionë luftarakë mbi Tajvan

    Përgatiti: Gjelbrim Berisha

    32 avionë luftarakë të ushtrisë kineze janë detektuar përreth ishullit të Tajvanit. Ministria e Mbrojtjes e Tajvanit tha se avionët e ushtrisë kineze u kapën duke fluturuar gjatë 24 orëve të fundit dhe se ky numër i fluturakeve kineze llogaritet të jetë i dytë më i lartë për nga numri që ka ndodhur gjatë këtij viti.

    Përveç kësaj, Ministria e Mbrojtjes Kombëtare të Tajvanit, po ashtu, tha se në 24 orët e fundit janë detektuar edhe pesë anije të Marinës së Kinës përreth Tajvanit.

    Trembëdhjetë avionë “kanë kaluar vijën e mesme në Ngushticën e Tajvanit”, që njihet si kufiri jozyrtar mes Kinës dhe Tajvanit, u tha në deklaratën e Ministrisë së Mbrojtjes.

    Forcat e armatosura të Tajvanit kanë “monitoruar situatën dhe kanë dislokuan një avion patrullues, anije të Marinës, dhe sisteme të mbrojtjes raketore si përgjigje ndaj aktiviteteve të detektuara”.

    Detektimi i këtyre avionëve pasoi zgjedhjet presidenciale të 13 janarit, të cilat i fitoi zëvendëspresidenti aktual, Lai Ching-te, të cilin Pekini e kundërshton.

    Muajin e kaluar, Tajvani tha se 11 luftanije kineze u detektuan përreth ishullit – numri më i madh gjatë këtij viti, teksa Tajpei dhe Pekini u përplasën rreth një incidenti vdekjeprurës të një anijeje peshkimi. Anija kineze e peshkimit, me katër persona në bord, u fundos më 14 shkurt afër Tajvanit, teksa po ndiqej nga rojet bregdetare tajvaneze. Gjatë këtij incidenti, dy persona u vranë dhe dy të tjerë shpëtuan.

    Ky incident ndodhi në kohën kur tensionet mes Kinës dhe Tajvanit janë të larta.
    Në fund të janarit dhe në fillim të shkurtit, ministria e mbrojtjes së Tajvanit kishte detektuar 33 avionë luftarakë kinezë rreth ishullit.

    Kina e konsideron Tajvanin pjesë të saj dhe nuk e përjashton mundësinë që një ditë të marrë kontrollin e tij, qoftë edhe me forcë.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Robinson: Kosova është partner solid në përpjekjet për ta bërë botën vend më të sigurt

    Robinson: Kosova është partner solid në përpjekjet për ta bërë botën vend më të sigurt

    Ndihmëssekretari për Byronë Ndërkombëtare për Narkotikë dhe Sundim të Ligjit të SHBA-së, Todd D. Robinson, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se Kosova është një partner solid i koalicionit global në luftën kundër narkotikëve.

    “Kosova është partner solid në këto përpjekje, vërtetë e bënë dallimin sepse përpos pozitës ofron edhe ekspertizën e saj me shtetet e tjera në botë për ta bërë botën vend më të sigurt”, tha Robinson.

    Ai tha se problemi me narkotikë është problem në mbarë botën, andaj sipas tij, për këtë shtetet duhet t’i bashkohen këtij koalicioni global.

    “Para një viti kishte 0 shtete në koalicion sot janë më shumë se 155 shtete, prej tyre 40 organizata ndërkombëtare. Aq sa unë kuptoj është se shtetet e njohin këtë si problem dhe është problem në SHBA fillimisht me fentanilin, në Evropë është metamfetamina ndërkaq në Afrikë është tramadoli dhe ketamina ndërkaq në Azi është metamfetamina dhe fentanili. Rrjetet që trafikojnë këto droga janë globale janë në hemisferën perëndimore, janë në Evropë dhe në Azi. Nuk respektojnë kufijtë, gjykatat”, tha Robinson.

    Ai tha se ideja e koalicionit global për luftë kundër narkotikëve ishte diskutuar edhe në Vjenë.

    “Janë të fokusuara vetëm në fuqi dhe para dhe ideja e koalicionit global dhe ajo çfarë përpiqeshim të diskutonim në Vjenë ishte struktura që mund të përdorim dhe negociojmë që t’i ndjekim këto rrjete për të larguar këto droga e helme nga komunitetet”, tha Robinson. /atvlive.tv

    Intervistën e plotë të ndihmëssekretarit për Byronë Ndërkombëtare për Narkotikë dhe Sundim të Ligjit të SHBA-së, Todd D. Robinson dhënë për emisionin CONTEXT në ATV, e gjeni në videon më poshtë:

  • Nënshkruhet kontrata për rregullimin e rrugës Kijevë – Dollc

    Nënshkruhet kontrata për rregullimin e rrugës Kijevë – Dollc

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Ministria e Infrastrukturës ka përzgjedhur kompanitë fituese për rregullimin e rrugës Prishtinë – Pejë, konkretisht segmenti Kijevë – Dollc.

    Sipas njoftimit për dhënie të kontratës, kostoja e punimeve kap shifrën e 32 milionë eurove.

    Megjithatë, në njoftimin për kontratë mungon lloti i parë, ndërsa i dyti që kap vlerën e 6.2 milionë eurove, dhe u është dhënë një konsorciumi të kryesuar nga kompania “Empreus” Sh.P.K.

    5.4 milionë llogaritet vlera për llotin e tretë në të cilin do të punojnë një grup operatorëve, në krye të së cilës është kompania “Lika Trade”.

    Ndërkaq, lloti 4 me vlerën më të madhe prej 9.3 milionë eurove do të udhëhiqet nga kompania “Famis Co-HC”, bashkë me disa nënkompani.

    Ndërkaq, pjesa tjetër nga Dollci në Zahaq, sipas zv.ministrit të infrastrukturës, së shpejti do të hyjë në fazën e tenderimit.

    “E kemi ndarë buxhetin që të vazhdojmë nga Dollci deri në Zahaq dhe do të fillojmë procedurat e tenderimit për ndërtimin e komplet rrugës, ky do të thotë është zgjerim i rrugës me katër korsi komplet rruga N9 Prishtinë – Pejë me të njëjtat parametra, në mënyrë që ta përfundojmë komplet këtë segment të rëndësishëm të rrugës Prishtinë – Pejë”, tha zv.ministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi.

    Rregullimi i rrugës po mirëpritet edhe nga banorët e asaj zone, meqë thonë se do ta lirojë qarkullimin.

    “Do të jetë një fatbardhësi e madhe sepse do të lehtësohet komunikacioni, sepse në këtë aks rrugor ka pasur edhe shumë aksidente me fatalitet”, thotë një qytetar.

    E gjithë rruga që lidh Prishtinën deri në Pejë, sipas Ministrisë së Infrastrukturës, do të kushtojë rreth 90 milionë euro.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Robinson: Qeveria e Kosovës ka kontribuuar shumë në luftën kundër trafikimit të narkotikëve

    Robinson: Qeveria e Kosovës ka kontribuuar shumë në luftën kundër trafikimit të narkotikëve

    Ndihmëssekretari për Byronë Ndërkombëtare për Narkotikë dhe Sundim të Ligjit të SHBA-së, Todd D. Robinson, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se Qeveria e Kosovës ka kontribuuar shumë është trafikimi i narkotikëve, sidomos atyre sintetike.

    “Siç e dini Kosova ishte ndër anëtarët e parë të Koalicionit global kundër drogës sintetike dhe kjo temë është diçka që qartë ka zënë vëmendjen e SHBA-së, kemi me mijëra amerikanë që vdesin çdo vit nga droga sintetike dhe nuk duam që kjo të ndodhë këtu andaj punojmë me autoritetet këtu që të parandalojmë problemin në vend se të lejojmë të ndodhë”, tha Robinson.

    Ai përmendi se Byroja Ndërkombëtare për Narkotikë dhe Sundim të Ligjit ka zyrat në 90 shtete të botës, ndërsa në Ballkanin Perëndimor janë të përqendruar në disa elemente, por se nuk kanë ballafaqime në baza ditore.

    “Do të thosha që shumëçka ndodhë këtu por shumëçka ndodhë edhe në botë. Kam kaluar ditën duke menduar për gjëra si bandat në Haiti, lufta në Ukrainë apo lufta në Lindje të Mesme, edhe këto janë çështje me të cilat ne punojmë dhe nuk e di nëse e dini por, Byroja jona na zyra në 90 shtete të botës dhe në shumë mënyra detyrat edhe të shefit tim, Sekretarit amerikan të Shtetit dhe shefit të tij, presidentit amerikan janë detyra në të cilat duhet të përqendrohemi. Ndërkaq Ballkani Perëndimor, ka elemente në të cilat jemi të përqendruar por nuk është diçka me të cilën ballafaqohemi në baza ditore”, tha Robinson. /atvlive.tv

    Intervistën e plotë të ndihmëssekretarit për Byronë Ndërkombëtare për Narkotikë dhe Sundim të Ligjit të SHBA-së, Todd D. Robinson dhënë për emisionin CONTEXT në ATV, e gjeni në videon më poshtë:

  • Robinson: Sistemi i drejtësisë të mos ketë ndërhyrje të jashtme

    Robinson: Sistemi i drejtësisë të mos ketë ndërhyrje të jashtme

    Ndihmëssekretari për Byronë Ndërkombëtare për Narkotikë dhe Sundim të Ligjit të SHBA-së, Todd D. Robinson, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se në takimet e sotme me gjykatës dhe zyrtarë të institucioneve të drejtësisë, një ndër temat të cilat i biseduan ishte që në sistemin e drejtësisë të mos ketë ndërhyrje të jashtme.

    “Njëra prej çështjeve për të cilën biseduam ishte kjo, ndërhyrjet nga jashtë dhe sulmet e vazhdueshme ndaj sistemit të drejtësisë. Mendojmë se për këtë kanë nevojë për përkrahjen tonë. Ata po bëjnë punë të madhe në shumë aspekte. Ta respektojmë ligjin, të reformojnë institucionet të lehtësojnë jetët e njerëzve dhe ne mendojmë që duhet të përkrahen, kështu mendon edhe bashkësia ndërkombëtare. Aq sa kam kuptuar Policia është në mesin e institucioneve më të besueshme në vend nga qytetarët dhe këtë e duam për gjithë sistemin e drejtësisë dhe për këtë jemi duke punuar”, tha Robinson. /atvlive.tv

    Intervistën e plotë të ndihmëssekretarit për Byronë Ndërkombëtare për Narkotikë dhe Sundim të Ligjit të SHBA-së, Todd D. Robinson dhënë për emisionin CONTEXT në ATV, e gjeni në videon më poshtë:

  • Pako me 80 produkte për foshnjat e porsalindura në Kamenicë

    Pako me 80 produkte për foshnjat e porsalindura në Kamenicë

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Pamje Kartolina “Kur të rritesh, shpresojmë që ta shikosh këtë kartolinë dhe ta ndjesh se sa i rëndësishëm je për ne”.

    Kjo është dhurata e parë që do ta marrë tash e tutje, një fëmijë i porsalindur në Kamenicë. Për çdo foshnjë, komuna ka vendosur t’i dhurojë edhe nga 80 produkte tjera.

    Pakoja përfshin shtratin e parë, rroba për të gjitha stinët dhe gjëra tjera të nevojshme për fëmijën. Mirëpo, është menduar edhe për nënën.

    Sipas kryetarit të komunës, Kadri Rahimaj, kjo po bëhet që asnjë foshnjë e posalindur të mos ketë mungesë të gjërave elementare.

    “Ideja ka ardhur sepse e shohim që të gjithë fëmijë të kenë një start të barabartë dhe meritojnë të rriten në mënyrë të barabartë brenda familjes dhe shoqërisë. Jemi kujdesur që produktet të jenë shumë cilësore, përmbajnë pambuk organik, përmban pako të kujdesit edhe për nënën. Vetë pako mund të shfrytëzohet si shtrati i parë i bebes, sepse mban 10 kilogram”, tha Rahimaj.

    Edhe pse prindërit janë bërë gati paraprakisht me rroba të vogla, e mirëpresin dhuratën komunale për fëmijët e tyre.

    “Patjetër është një vendim shumë i qëlluar i komunës, sepse është një trajtim i barabarta dhe gjithsesi është një fillim i mirë edhe për fëmijët edhe për prindërit. Kjo po më gëzon shumë e më ndihmon shumë e vlerësoj shumë vendimin që e ka marr komuna”, thotë një qytetare.

    “Më ka pëlqye shumë mua si nëne që jam, kam pa që janë bazat esenciale për një nëne dhe i ndihmojnë shumë në fazën e parë të lindjes”, thotë një qytetare tjetër.

    Përveç kësaj, komuna ndan edhe nga 200 euro për fëmijën e parë, 250 për të dytin si dhe 300 për fëmijën e tretë.

    Ndërkaq, Komuna e ka në plan të bashkëpunojë edhe me organizata ndërkombëtare si UNICEF, për të shtypur fletushka për këshilla prindërore.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Robinson thotë se policët dhe gjykatësit e dorëhequr në veri, duhet të kthehen

    Robinson thotë se policët dhe gjykatësit e dorëhequr në veri, duhet të kthehen

    Ndihmëssekretari për Byronë Ndërkombëtare për Narkotikë dhe Sundim të Ligjit të SHBA-së, Todd D. Robinson, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se është me rëndësi që policët dhe gjykatësit e dorëhequr në veri, duhet të kthehen në vendet e tyre të punës.

    “Fillimisht mendojmë se është me rëndësi për të gjitha institucionet qofshin ato të drejtësisë, korrektuese apo policia e gjykatat, konsiderojmë që është me rëndësi që ato të jenë të qasshme për të gjithë kosovarët andaj është me rëndësi që ata policë të kthehen. Është me rëndësi që ata gjykatës të kthehen në sistem. Kjo ka rëndësi edhe për shkak të integrimeve euro-atlantike por akoma më e rëndësishme për çdo qytetar që të dinë se janë të përfaqësuar në ato institucione, për të krijuar demokraci më të mirë, më të sigurt, më transparente”, tha Robinson. /atvlive.tv

    Intervistën e plotë të ndihmëssekretarit për Byronë Ndërkombëtare për Narkotikë dhe Sundim të Ligjit të SHBA-së, Todd D. Robinson dhënë për emisionin CONTEXT në ATV, e gjeni në videon më poshtë:

  • Robinson: Kosova tashmë ka njësi kundër korrupsionit, përse të mos e fuqizojmë atë?

    Robinson: Kosova tashmë ka njësi kundër korrupsionit, përse të mos e fuqizojmë atë?

    Ndihmëssekretari për Byronë Ndërkombëtare për Narkotikë dhe Sundim të Ligjit të SHBA-së, Todd D. Robinson, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se modeli për luftën kundër korrupsionit ka funksionuar në Shqipëri dhe sipas tij, ky model mund të funksionojë edhe në ndonjë vend tjetër.

    Ai tha se Kosova tashmë ka njësi kundër korrupsionit.

    “Çfarë do të thosha është ‘përse të mos e fuqizojmë atë çfarë Kosova tashmë e ndërtoi vet’. Mendojmë se kjo mënyrë funksionon dhe këtu do të mund të ndihmonim shumë dhe mendojmë se duhet përkrahur”, tha Robinson.

    Ai tha se edhe pse SHBA dhe Kosova janë partnere dhe se jo çdo herë do të pajtohen për gjithçka, por sipas tij, ajo çfarë ka rëndësi është që Kosova të vazhdojë të luftojë për atë që është e drejtë.

    “Ne jemi miq, jemi partnerë dhe në mesin e këtyre dyja, jo gjithmonë do të pajtohemi për gjithçka por ajo çfarë ka rëndësi është që të jeni të gatshëm të flisni për këto çështje për shembull lufta kundër korrupsionit dhe duhet pasur marrëveshje në mes të SHBA-së dhe Kosovës por akoma më e rëndësishme në mes të Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare. Andaj derisa të jeni në gjendje të flisni për këto çështje dhe të luftoni për atë çfarë është e drejtë do të arrijmë përparim”, Robinson.

    Ndihmëssekretari amerikan foli edhe për takimet e sotme me gjykatës të Gjykates Kushtetuese, presidenten, anëtarë të KGJK-së, duke thënë se SHBA konsideron që është me rëndësi që të respektohen vendimet e Gjykatës Kushtetuese.

    “Konsiderojmë se është me rëndësi të përkrahen këto institucione të drejtësisë që duan përfundimisht t’i bëjnë jetët më të lehta e më transparente për kosovarët e zakonshëm dhe për këtë jemi këtu andaj duam të jem partner me ju”, tha Robinson. /atvlive.tv

    Intervistën e plotë të ndihmëssekretarit për Byronë Ndërkombëtare për Narkotikë dhe Sundim të Ligjit të SHBA-së, Todd D. Robinson dhënë për emisionin CONTEXT në ATV, e gjeni në videon më poshtë:

  • 1.8 milion për çizmet e ushtarëve të FSK-së

    1.8 milion për çizmet e ushtarëve të FSK-së

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Pas zvarritjeve disavjeçare, procesi i tenderimit për t’i furnizuar me çizme pjesëtarët e Forcës së Sigurisë, mori epilog. Për tenderin afër dy milionësh, Ministria e Mbrojtjes shpalli fituesin të mërkurën.

    Furnizimi me çizme për ushtarët iu besua grupit të operatorëve ekonomikë, që udhëhiqen nga kompania RUNWAY SH.P.K.

    Por, tenderi mund të përfundojë në Gjykatën Komerciale, meqë disa nga kompanitë pjesëmarrëse nuk pajtohen me vendimin e Autoritetit Kontraktues.

    “Duhet të theksohet se vendimi ka favorizuar një firmë, e cila ka qenë rreth gjysmë milioni më e shtrenjtë se oferta jonë. Përveç kësaj, shume fakte tjera hedhin dyshim të madh mbi integritetin dhe transparencën e procesit të tenderimit dhe në veçanti vendimit të OSHP-së, për të mos e trajtuar në mënyrë të duhur ankesën tonë. Në këtë situatë dhe pas refuzimit të ankesës sonë nga OSHP-ja, ne do t’i drejtohemi Gjykatës Komerciale”, tha Furkan Rada.

    Tenderi për furnizim me çizme ushtarake për pjesëtarët e FSK-së ishte hapur në qershor të vitit 2022. Organi Shqyrtues i Prokurimit e kishte kthyer dy herë në rivlerësim.

    Sidoqoftë, brenda 36 muajve ushtarët pritet të pajisjen me 8500 palë çizme verore dhe 8500 palë çizme dimërore.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë: