ATV

Category: Lajme

  • Joseph: Kosova duhet t`i ketë prioritet qëndrimet e ShBA-së

    Joseph: Kosova duhet t`i ketë prioritet qëndrimet e ShBA-së

    Profesori amerikan në Universitetin John Hopkins, njohës i zhvillimeve në Ballkan, Edward Joseph ka deklaruar se Kosova ia ka borxh pavarësinë e vet Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

    Ai në një intervistë për RTK, tha se SHBA-të do të jenë gjithmonë mike të Republikës së Kosovës megjithatë theksoi qeveria me disa veprime po i rrezikon marrëdhëniet mes dy vendeve.

    “Pa mbështetjen e SHBA-së Kosova nuk do të ishte e pavarur dhe disa prej vendimeve apo veprimeve të qeverisë po e vënë marrëdhënien në rrezik. Jo në aspektin strategjik, sepse shtetet e bashkuara gjithmonë do të jenë mike të Kosovës, por që jemi në një periudhë tejet të rrezikshme, lufta në Ukrainë, jostabiliteti. Kosova është vend i vogël dhe po them diçka shumë qartë, nuk ka një gjë të tillë si vetëvendosje absolute, dhe këtë po e them qëllimisht sepse është emri i partisë politike që udhëheq shtetin, nuk ekziston ndonjë gjë si fjala vetëvendosje absolute”, deklaroi Joseph.

    Ai gjithashtu tha se Kosova nuk mund ta projektojë vetveten në botë dhe nuk mund të mbrohet pa SHBA-të dhe NATO-n.

    “Secili qytetar i Kosovës duhet t’ia bëj vetës këtë pyetje: Si të mbrojmë interesat tona kombëtare, duhet të kemi marrëdhënie të mira me Shtetet e Bashkuara. Kjo nuk do të thotë se të bëjë çdo gjë që SHBA-të e kërkojnë, por duhet gjithsesi që të merrni parasysh qëndrimet e Shteteve të Bashkuara më së pari”, theksoi profesori amerikan.

    E duke komentuar deklarimet e zyrtarëve të lartë amerikan për çështjen e dinarit në Kosovë, Edward Joseph tha se pjesa më e madhe e kritikave janë të arsyeshme, por që sipas tij nuk është e arsyeshme pse SHBA-të nuk i kërkojnë llogari presidentit serb.

    “Banka Qendrore është llogaridhënëse dhe kritikat ndaj vendimit janë korrekte. E kuptoj që vendimi vjen nga një qëllim i arsyeshëm por që të marrësh një vendim të tillë pa një konsultim të mirëfilltë jo vetëm me SHBA-të por më e rëndësishmja me qytetarët, është gabim”, tha Joseph.

    “Republika e Kosovës ka të drejtën sovrane që t’a mbrojë vetën dhe të vendosë rregullore e të dijë se çfarë valutash hyjnë apo dalin nga vendi dhe normalisht të shpall valutën e vet. Dhe pastaj ka edhe përgjegjësinë e qeverisë e kjo përfshinë edhe Bankën Qendrore. Pra të dyja kanë përgjegjësi për të marrë parasysh të drejtat e qytetarëve. Pra edhe qytetarët që jetojnë në Leposaviq, Zveçan e Zubin Potok janë pjesë e qytetarëve të Kosovës. A janë konsultuar ata”, shtoi tutje profesori amerikan.

    Kjo sipas Joseph do të ishte edhe një mundësi e mirë për të treguar dallimin mes Prishtinës e Beogradit.

    “Do të ishte një mundësi për të thënë se Kosova bën të kundërtën me atë që Vuçiqi ua bën qytetarëve në Luginën e Preshevës”, theksoi ai.

    Por sipas Edward Joseph, Kosova nuk ka nevojë ta anulojë vendimin e BQK-së.

    “Nuk ka nevojë të anulohet vendimi. Vet vendimi është korrekt, është i njëjtë si vendimi për tabelat e veturave. Por e rëndësishme është se si qeveria i merr këto vendime, a i dëgjon qytetarët. Vendimi mund të rishikohet, e përmirësohet”, tha mes tjerash Joseph.

    E duke folur për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe vendimin për pronat e Manastirit të Deçanit profesori amerikan tha se vendimi i qeverisë ishte vendimi i duhur dhe hap i madh i pritur gjatë.

    Megjithatë ai tha se anëtarësimi në Këshillin e Evropës nuk do të duhej të përdorej për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

  • Ministri kroat i Mbrojtjes sot në Kosovë

    Ministri kroat i Mbrojtjes sot në Kosovë

    Ministri i Mbrojtjes së Republikës së Kroacisë, Ivan Anusiq sot do ta vizitojë Kosovën, ku ndër të tjera do ta vizitojë edhe Ministrinë e Mbrojtjes së Kosovës.

    Sipas njoftimit, ai do të jetë në ministri në orën 16:30.

  • Ministrja Hajdari mban sot konferencë për media

    Ministrja Hajdari mban sot konferencë për media

    Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, sot pritet të mbajë konferencë për media.

    Aty do të lansohen tri thirrje publike për përkrahjen e ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme për blerjen e makinerive prodhuese dhe përpunuese.

    Konferenca pritet të fillojë nga ora 14:00.

  • Sot shqyrtohet raporti për Kosovën në Këshill të Evropës, priten rezultate pozitive

    Sot shqyrtohet raporti për Kosovën në Këshill të Evropës, priten rezultate pozitive

    Sot do të mblidhet Komiteti për Politikë dhe Demokraci të Këshillit të Evropës, ku pritet të votohet raporti i Dora Bakojanis, raportuese për Kosovën në KiE. Në Kosovë presin që raporti të marrë dritën e gjelbër dhe të kalojë për shqyrtim në Asamblenë Parlamentare, i cili do t’i hapte rrugë më pas vendimit final nga Komiteti i Ministrave të Punëve të Jashtme.

    Nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës janë optimistë se Kosova do të anëtarësohet në Këshill të Evropës në muajin maj, ndërkaq lajme pozitive presin edhe nga opozita dhe shoqëria civile.

    Për mbledhjen është deklaruar edhe Kryediplomatja e Kosovës Donika Gërvalla nga Nju Jorku.

    Ajo ka thënë se nëse nesër ka kuorum, pra deputetë të mjaftueshëm, raporti i raportueses Dora Bakoyannis do të miratohet.

    “Ne mendojmë se nëse nesër krijohet kuorumi i nevojshëm për trajtimin e kërkesës për Kosovën, atëherë mendojmë që një kërkesë e tillë, pra raporti do të mund të miratohet” ka thënë Gërvalla.

    Çështja e kuorumit është ngritur për shkak të mundësisë që deputetët të mos udhëtojnë në Paris për shkak të festës së Pashkëve.

    Ndërsa zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, ka thënë për KosovaPress se rekomandimi i raportueses për Kosovën, Dora Bakojanis është që Kosova të bëhet anëtare e plotë e Këshillit të Evropës. Sipas tij, në raport theksohet se Kosova ka plotësuar të gjitha kushtet derisa hiqet edhe fusnota në referimin ndaj Kosovës.

    “Në fund të raportit rekomandimi, opinioni i zonjës Bakojanis është që Kosova të bëhet anëtare e plotë e kësaj organizate. Për më tepër po hiqet edhe fusnota. Kosova është trajtuar me fusnotë që nga fillimi i raporteve me Këshill të Evropës, do të kemi denominim sikurse çdo vend të tjetër. Po ashtu nuk ka parakushte pasi janë plotësuar të gjitha ato, këto reflektohen edhe në opinionin e zonjës Bakojanis”, thotë ai.

    Krahas kësaj, Ahmeti thotë se janë duke lobuar intensivisht që Kosova të marrë votat e nevojshme për anëtarësim në KiE, derisa shton se sot kanë konfirmuar votën pro edhe të Malit të Zi, përkundër paralajmërimeve se deputetja, Maja Vukiçeviq, që është kryetare e delegacionit malazias në Asamblenë Parlamentare, do të votojë kundër pranimit të Kosovës në këtë organizatë.

    “Ne sot kishim konsultime politike me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Malit të Zi, delegacionet e të cilave i pritëm. Mali i Zi do të votojë në favor të anëtarësimit të Kosovës dhe në këtë nuk ka asnjë dilemë. Çfarë mund të bëjë qëndrime ndonjë deputetë brenda delegacionit në Asamblenë Parlamentare është çështje e orientimeve të partive të tyre. Unë nuk shoh asnjë arsye që të kemi më pak mbështetje sesa që kishim me 24 prill, ku ambasadorët me udhëzimet e këtyre ministrave na votuan në favor me më shumë vota që ishin e nevojshme minimalisht. Jam optimist se do të kalojmë edhe në maj, kjo nuk është garanci. Askush nuk mund të garantojë as për kalimin dhe as dështimin apo shtyrjen. Asnjë shtet nuk mund t’i përfaqësojë 45 shtete të tjera. Pasi të kalojmë fazën e Asamblesë Parlamentare do të jemi në një fazë të re të lobimit dhe betejës diplomatike që Kosova të anëtarësohet”, theksoi Ahmeti.

    Në anën tjetër, optimiste është edhe deputetja e PDK-së, njëherësh anëtare e delegacionit të Kosovës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Ariana Musliu, e cila thotë se Kosova meriton të jetë pjesë e Këshillit të Evropës.

    “Kosova si shtet demokratik, në çdo hap te saj, nga viti 1999 ka qenë dhe është e përkushtuar në rrugëtimin dhe integrimin euroatlantik. Shpallja e pavarësisë, miratimi dhe mbikëqyrja e zbatimit te ligjeve, ndërtimi institucional, respektoni i të drejtave të njeriut, sundimi i ligjit, të drejtat e minoriteteve, zhvillimi i demokracisë janë dëshmi që Kosova është meritore të jetë pjesë e familjes së Këshillit te Evropës”, thotë ajo për KosovaPress.

    Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës do të mblidhet në muajin prill, derisa Komiteti i Ministrave të Punëve të Jashtëm në maj.

    Përkushtimin për anëtarësim në Këshill të Evropës e dëshmuan edhe tre liderët e institucioneve të Kosovës, përmes një letre dërguar raportueses për Kosovën, Dora Bakojanis, ku zotohen se do t’i zbatojnë të gjitha zotimet e marra përsipër nga dialogu i Brukselit, përfshirë Asociacionin.

    Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshill të Evropës në vitin 2022.

  • Gruaja që mbeti e plagosur në Prishtinë ishte kalimtare e rastit – ndodhet në gjendje kritike

    Gruaja që mbeti e plagosur në Prishtinë ishte kalimtare e rastit – ndodhet në gjendje kritike

    Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sonte në rrugën ‘Jeronim De Rada’ në Prishtinë, ku si pasojë e të shtënave me armë zjarri ka humbur jetën i riu, Egzon Haziri, ndërsa kanë mbetur të plagosur dy persona.

    Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se një nga viktimat është një grua, e cila ishte kalimtare e rastit në momentin kritik.

    Ajo bashkë me viktimën tjetër, që ndodhej me tashmë të ndjerin Haziri, janë dërguar me urgjencë në Emergjencën e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës për tretman mjekësor.

    Sipas informacioneve të para, gruaja ndodhet në gjendje kritike, ndërsa viktima tjetër është jashtë rrezikut për jetë.

    Rastin tashmë e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës, të cilët thanë se janë marrë veprimet e nevojshme hetimore për të identifikuar të dyshuarit dhe për të zbardhur rrethanat në të cilat ka ndodhur ngjarja.

    “Ndërkohë që e plagosura është dërguar në QKUK për trajtimin e nevojshëm mjekësor, policia po vijon punën e saj me veprime të ekzaminimit të vendngjarjes si dhe me veprime të tjera operativo-hetimore me qëllim identifikimin e të dyshuarve të implikuar në rast, si dhe sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”, thuhet në përgjigjen e Policisë.

  • Vdes njëri nga të plagosurit në Prishtinë

    Vdes njëri nga të plagosurit në Prishtinë

    E.H. ka humbur jetën, ndërsa dy të tjerë kanë mbetur të plagosur si pasojë e të shtënave sonte në Prishtinë, raporton Gazeta Sinjali.

    Viktima E.H. nuk ka arritur që t’i përballojë plagët e marra dhe si pasojë ka ndërruar jetë.

    Në anën tjetër, dy të plagosurit janë dërguar në emergjencë dhe sipas informacioneve të para, njëri nga ta është jashtë rrezikut për jetë, ndërsa një grua ndodhet në gjendje kritike.

    Fillimisht ishte raportuar për dy të plagosur, mirëpo më pas u konfirmua se nga të shtënat janë plagosur tre persona – një prej tyre tashmë i vdekur.

  • Të shtëna me armë zjarri në Prishtinë, vritet një person ndërsa plagoset një tjerë

    Të shtëna me armë zjarri në Prishtinë, vritet një person ndërsa plagoset një tjerë

    Një person ka humbur jetën, ndërsa një tjetër ka mbetur e plagosur si pasojë e të shtënave sonte në Prishtinë.

    Siç raporton gazeta Sinjali, viktima është E.H, rreth 30-vjeç.

    Raportohet se viktima E.H u nis me urgjencë për në spital, mirëpo i njëjti s’ka arritur që t’i përballojë plagët e marra dhe si pasojë ka ndërruar jetë.

    Në anën tjetër, e plagosura, kalimtare e rastit është dërguar në Emergjencë dhe sipas informacioneve të para, ndodhet në gjendje kritike.

  • Qeveria e Kosovës ndan mbi 31 mijë euro për avokim për shqiptarët e Luginës

    Qeveria e Kosovës ndan mbi 31 mijë euro për avokim për shqiptarët e Luginës

    Në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës, të mbajtur online, u miratua vendimin për ndarjen e mjeteve buxhetore për mbështetje të Këshillit Nacional Shqiptar dhe përfaqësuesve të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, në vlerë prej 31,530.00 eurosh.

    Këto mjete do të shfrytëzohen me qëllim të përkrahjes së aktiviteteve avokuese për çështjen e popullit shqiptar të Luginës së Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, para institucioneve të Bashkimit Evropian, dhe kompensimit të mjeteve të zvogëluara nga Qeveria e Serbisë përmes ndarjes buxhetore për Këshillin Kombëtar Shqiptar.

    Në mbledhje gjithashtu është miratuar vendimi për anulimin e Vendimit të Qeverisë  Nr. 14/186 të datës 24 janar 2024.

  • Publikohet projektligji për banimin social dhe të përballueshëm

    Publikohet projektligji për banimin social dhe të përballueshëm

    PËRGATITI: ARTON HAMITI

    Ishte një nga premtimet kryesore të Qeverisë Kurti. Madje, kryeministri Albin Kurti ishte i bindur që projekti për ndërtimin e katër mijë banesave me çmim të përballueshëm për të sapomartuarit, do të niste në vitin 2023.

    Por, vetëm me 25 mars të këtij viti, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor publikoi Projektligjin për banimin social dhe të përballueshëm.

    Nisur nga kjo, zor që projekti do të nisë edhe në vitin 2024, meqë deri në miratimin në Kuvend të projektligjit që tash është i hapur për komente për 15 ditë janë edhe disa procedura.

    Arbër Thaçi nga Instituti Demokratik i Kosovës nuk beson që ky projektligj do të jetësohet brenda kësaj legjislature.

    Projektligj për Banimin Social dhe të Përballueshëm ka për qëllim krijimin e programeve të banimit, për familjet dhe individët në nevojë.

    Grupet përfituese, sipas projektligjit, janë familjet apo individët me gjendje jo të mirë ekonomike, familjet e mëdha me shumë fëmijë dhe familjet me një prind, të papunët, familjet e dëshmorëve, të të zhdukurve të UÇK-së dhe invalidët e UÇK-së të cilët janë në gjendje të rëndë ekonomike./ATVLIVE.TV

  • 2023-ta, vit sfidues për policinë/ Policia menaxhoi raste komplekse veçanërisht në veri të vendit

    2023-ta, vit sfidues për policinë/ Policia menaxhoi raste komplekse veçanërisht në veri të vendit

    PËRGATITI: DRITON SADIKU  

    2023-ta ishte një vit i ngarkuar për policinë. Policët u përballën me situata nga më të ndryshmet, deri në konfrontim direkt me terroristët serbë më 24 shtator në Banjskë.

    Teksa raportoi para deputetëve në Komisionin për Siguri, drejtori i Policisë tregoi për punën që bëri institucioni që udhëheq.

    Por jo vetëm, në komunat e banuara me shumicë serbe, pjesëtarët e policisë menaxhuan edhe qindra protesta.

    Për punën në veri mori lëvdata nga të gjithë deputetët, por për ata në qytetet tjera pati edhe kritika.

    Shefi i policisë foli për shumë çështje, por më e rëndësishmja, situata aktuale në veri u diskutua pa praninë e mediave. Megjithatë, pas komisionit, Hoxha iu përgjigj shkurt gazetarëve.

    Hoxha, po ashtu, foli edhe për dorëheqjet e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, derisa tha se 77 zyrtarë policorë kanë lënë punën vetëm vitin e kaluar./atvlive.tv/