ATV

Category: Lajme

  • Ende ka mbetur pezull tenderi për ndërtimin e stacionit të Policisë në lagjen ‘Kodra e Trimave’

    Ende ka mbetur pezull tenderi për ndërtimin e stacionit të Policisë në lagjen ‘Kodra e Trimave’

    PËRGATITI: KRENARE MULLIQI 

    Para 4 vjetësh u hap tenderi për herë ta parë. Në këtë vend në lagjen Kodra e Trimave në kryeqytet planifikohej nisja e ndërtimit të një stacioni policor.

    Kompania fituese për ndërtimin e këtij stacioni, punimet as nuk i filloi derisa u tërhoq menjëherë pas pandemisë me arsyetimin se çmimet ishin shtrenjtuar.

    Vetëm në tetor të viti 2022 u hap sërish tenderi, por ai është pezulluar në shkurt të këtij viti, pasi në Organin Shqyrtues të Prokurimit, pati ankesa nga një operator ekonomik.

    Andaj nga Sindikata e Policisë po kërkohet që ky organ të jetë më feksibil në trajtimin e kësaj ankese.

    Imer Zeqiri nga Sindikata e Policisë thotë se ndërtimi i këtij stacioni duhet të fillojë sa më parë, meqë kushtet e policëve, në objektin ku aktualisht qëndrojnë nuk janë të përshtatshme.

    Për këtë foli edhe drejtori i përgjithshëm i Policisë, i cili tha se janë në pritje.

    Para rreth dy vitesh, policia u largu nga objekti që ishte në “Kodrën e Trimave” dhe qëndron në një objekt në Lagjen “Arbëria”./atvlive.tv/

  • PDK-ja “gati për zgjedhje” të parakohshme, aderon Rrahman Rama

    PDK-ja “gati për zgjedhje” të parakohshme, aderon Rrahman Rama

    PËRGATITI: FATLUM JASHARI

    Në një përgjigje ndaj deklaratës së kryeministrit Albin Kurti, kryetari i Partisë Demokratike, Memli Krasniqi, përsëriti gatishmërinë për zgjedhje të parakohshme parlamentare.

    Pasi tha se Qeveria ka dështuar në të gjitha premtimet e saj, kreu i partisë më të madhe opozitare theksoi se, për të, qysh nesër mund të dakordohet shpërndarja e legjislaturës së Kuvendit dhe data e zgjedhjeve të reja.

    “Të kthehemi te verdikti i qytetarëve, ata janë fjala e fundit për vendimmarrjen e qeverisë së ardhshme. Dhe, unë jam i bindur, po ashtu, që ditën që shpallen zgjedhjet, do të fillojë numërimi së prapthi për Albin Kurtin si kryeministër”, deklaroi kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.

    Në kontekst të përgatitjeve për këtë proces, Krasniqi prezantoi anëtarin e ri të partisë, ish-komandantin e FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama.

    “Një jetë kushtuar përpjekjeve për liri dhe për shtetndërtim. Komandat në ZOSH në vitet e lavdishme të luftës për çlirim, 1998-99. Komandant i TMK-së pas përfundimit të luftës, e nga viti 2015 deri më 2021 komandat i FSK-së”, shtoi tutje Krasniqi.

    Ushtaraku Rama tha se në rrugëtimin e ri politik do të angazhohet për integrimin euro-atlantik të Kosovës.

    “Partia Demokratike është parti shtetformuese, shtetndërtuese. Pavarësisht situatës në të cilën gjendet sot, unë mendoj se japim kontribut dhe do t’i tejkalojmë edhe këto sfida që i ka vendi. Qëllimi im kryesor është t’i shërbejë këtij vendi”, tha Rrahmani.

    Të enjten, PDK-ja do të mbledhë Këshillin Drejtues me qëllim të riorganizimit të kryesisë dhe mobilizimit të strukturave të saj./atvlive.tv/

  • Familja Berisha në kërkim të familjarëve të pagjetur

    Familja Berisha në kërkim të familjarëve të pagjetur

    PËRGATITI: ARMAND HOTI

    Gramoz Berisha erdhi përsëri tek varrezat ku pushojnë eshtrat e familjarëve që iu vranë nga forcat serbe, më 26 mars të 1999-ës.

    Në atë të premte marsi, forcat serbe ekzekutuan 49 anëtarë të familjes Berisha nga Suhareka.

    Pesë nga ta u vranë tek shtëpitë e Berishëve, kurse pjesa tjetër e familjes, përfshirë 15 fëmijë, u vra, ose të paktën kështu menduan forcat serbe, në këtë lokal, që sot shërben si muze.

    Gramozi i cili në atë kohë ishte vetëm tetë vjeç, shpëtoi duke u shtirur si i vdekur.

    Bashkë me nënën e tij, Vjollcën, dhe kushërirën Shyhreten, u hodhën nga mjeti ku po transportoheshin kufomat e të vrarëve.

    “Na kanë pru te lokali ku ka ndodhur masakra, te piceria “Kalabria”, aty kanë filluar gjuajtjet derisa nuk ka lëvizur askush. Jam bërë si i vdekur në momentin kur kanë filluar të kapin, pastaj na kanë bartur na kanë futur në kamion dhe kamioni u nis në drejtim të Prizrenit. Gjatë rrugës për Prizren mami më ka kapur mua, fillimisht gruaja xhaxhait, Shyhretja, është hedhur nga kamioni më pas edhe mami me mua, të plagosur jemi hedhur”, tha Gramoz Berisha, i mbijetuar i masakrës.

    Hysni Berisha u angazhua për të mbledhur gjësendet që mbetën nga më të dashurit e tij, duke i ekspozuar ato,në lokalin ku u krye masakra.  

    “Më 1 shtator të ‘99-ës kemi shkuar t’i hapim varrezat për herë të dytë. Në mesin e dokumenteveqë janë gjetur është gjetur edhe fletorja e Miratit, ai ka qenë në klasën e parë dhe e ka marrë lapsin dhe çantën me vete, duke mendu që do kthehet”, deklaroi Hysni Berisha, familjar i të masakruarve.

    Kur lufta mbaroi e ushtria serbe doli nga Kosova, ai u takua sy më sy me atë që urdhëroi gjenocidin në Kosovë. Ishte koha që ai të dëshmonte në Hagë kundër Millosheviqit.

    Në një moment ai thotë se unë kam punë me këtë dëshmitar më së shumti, sepse ky është dëshmitar i përgatitur”, deklaroi tutje Hysni Berisha.

    25 vjet pas luftës, familja Berisha vazhdon të jetë në kërkim të 24 familjarëve të pagjetur.

    “Edhe rasti i familjes Berisha, edhe përpjekja në kuptim të ndriçimit të fatit të më shumë se 20 personave, do të mbetet një nga zotimet tona, ose një nga prioritetet tona”, tha Jushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për të pagjeturit.

    Pas luftës së fundit në Kosovë, mbi 1600 personavazhdojnë të jenë të pagjetur./atvlive.tv

  • Ministri Sveçla e tre deputetët deklarohen të pafajshëm për gazin lotsjellës

    Ministri Sveçla e tre deputetët deklarohen të pafajshëm për gazin lotsjellës

    PËRGATITI: ARIAN HAJDARAJ 

    Qysh në fillim të seancës, Gjykatësi Sabit Sadiku u jep një njoftim pozitiv katër të akuzuarve për hedhje të gazit lotsjellës në Kuvend.

    Njëra nga dy veprat penale me të cilat ngarkohen Xhelal Sveçla, Salih Zyba, Drita Millaku e Fitore Pacolli, është parashkruar para 5 ditësh.

    “Pengimi i personit zyrtar e ka arritë parashkrimin me 21.03.24. Seanca sot vazhdon veç për përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm. Megjithatë, ndaj të akuzuarve do të vazhdojë gjykimi për veprën penale “përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm”, tha Sabit Sadiku, kryetar i Trupit Gjykues.

    Përballë kësaj aktakuze, ministri e deputetët u deklaruan të pafajshëm, por që në deklarimin rreth fajësisë, e akuzuara Fitore Pacolli foli më gjatë.

    Kundërshtimin e provave avokatët e caktuar, sipas detyrës zyrtare, thanë se do ta bëjnë më vonë.

    Sipas aktakuzës që e posedon ATV-ja, ministri Sveçla dhe tre deputetët e Vetëvendosjes, më 21 mars 2018, kishin ndezur disa bombola të gazit lotsjellës, të cilat i kishin hedhur brenda sallës së Kuvendit, ku po mbahej seanca plenare./atvlive.tv/

  • Treni godet një këmbësore në Arbëri, në gjendje të rëndë transportohet në QKUK

    Treni godet një këmbësore në Arbëri, në gjendje të rëndë transportohet në QKUK

    Një këmbësore ka marrë lëndime trupore, pasi është goditur nga treni, sot pasdite, në Prishtinë.

    Aksidenti ka ndodhur, rreth orës 16:30, në afërsi të shkollës “Xhevdet Doda” dhe Varrezave Ortodokse, raporton Ekonomia Online.

    Në vendin e ngjarjes ka dalë Policia, e cila po heton rrethanat e aksidentit. Ndërsa, një auto-ambulancë e ka transportuar të lënduarën në QKUK.

    Flora Ahmeti, zëdhënëse e Policisë për rajonin e Prishtinës, ka njoftuar se këmbësorja është dërguar për tretman mjekësor.

    “Rreth orës 16:30 kemi pranuar informatën për një aksident në lagjen Lakrishtë. Aksidenti ka ndodhur në hekurudhë ku kanë qenë të përfshirë një tren dhe një këmbësore. Si pasojë e aksidentit lëndime të rënda trupore kanë pësuar këmbësorja e cila është dërguar për tretman mjekësor. Me rastin po merret Njësiti i Trafikut”, deklaroi Ahmeti.

  • Publikohet lista për dy ndeshjet e marsit në hendboll

    Publikohet lista për dy ndeshjet e marsit në hendboll

    Selektori i Kosovës në hendboll, Agron Shabani, ka shpallur të martën listën e lojtareve në të cilat llogarit për dy ndeshjet shumë të rëndësishme me Poloninë.

    Kosova e Polonia takohen në kuadër të fazës kryesore kualifikuese për “Euro 2024”.

    Ndeshja e parë është më 4 prill nga ora 17:45 në Prishtinë. Ndeshja e dytë zhvillohet më 7 prill në Zielona Gora të Polonisë.

    Kosova e Polonia janë në Grupin 8, ku bënë pjesë edhe Danimarka. Danezet i kanë fituar të gjitha katër ndeshjet e deritashme dhe tashmë janë kualifikuar në Evropian.

    Polonia llogaritet favorite ndaj Kosovës. Por vajzat tona do të japin maksimumin për të shënuar një fitore, që me shumë mundësi do të mjaftonte për kualifikim në Evropian.

    Kombëtarja pritet të ketë përkrahje të madhe në ndeshjen në Prishtinë, ku synohet të befasohet Polonia.
    Grumbullimi i Kombëtares është më 29 mars në Prishtinë. Deri në ditën e ndeshjes Kombëtarja i ka nga dy stërvitje në ditë.

    Selektori Shabani është bazuar në grupin e lojtareve tashmë të konfirmuara, ndërsa rastin ua ka dhënë edhe disa lojtareve të reja. Për shkak të obligimeve personale, në këtë grumbullim mungon aloja Fitore Aliu.

  • Plagoset një person në Kolovicë, policia jep detaje

    Plagoset një person në Kolovicë, policia jep detaje

    Një rast i rëndë ka ndodh sot rreth orë 13:40 në rrugën “Haxhi Zeka”, në Prishtinë, ku një person ka mbetur i plagosur nga arma e zjarrit.

    Rastin e ka konfirmuar edhe Policia e rajonit të Prishtinës, e cila ka dhënë detajet e fundit për të shtënat me armë në mes të ditës.

    “Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që konsistojnë në hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen”.

    “Bazuar në të dhënat fillestare dyshohet se me armë zjarri është plagosur një person. Hetuesit policor në koordinim me prokurorinë, po ndërmarrin veprimet hetimore për arrestimin e personave të dyshuar ( të cilët janë identifikuar) si dhe ndriçimin e plotë të rastit”, ka thënë për Sinjalin, Flora Ahmeti, zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës.

  • Frank Schwabe: Kosova i ka plotësuar kushtet për KiE

    Frank Schwabe: Kosova i ka plotësuar kushtet për KiE

    Në prag të prezantimit të raportit për Kosovën, në intervistë me Deutsche Welle-n flet Frank Schwabe, kryetar i delegacionit gjerman.

    Në prag të prezantimit të raportit faktmbledhës ( 27.03.24) Dora Bakojanis, raportuese e Këshillit të Evropës (KiE) për Kosovën, në Komisionin e Çështjeve Politike, deputeti gjerman socialdemokrat Frank Schwabe është optimist. Në një intervistë me Deutsche Welle-n ai flet për shansin historik të anëtarësimit të Kosovës në këtë institucion.

    “Unë jam një nga ata që dëshirojnë që Kosova të bëhet anëtare tani, sepse nuk e dimë se çfarë do të ndodhë me zgjedhjet në SHBA, si do të ndryshojë situata politike. Pra, Kosova është dukshëm më përpara në aspektin e demokracisë dhe të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit sesa disa shtete të tjera që tani janë anëtarë të Këshillit të Evropës. Në këtë aspekt, do të thoja se Kosova në thelb i plotëson këto kushte. Por me vendimin që do të marrim do të ketë një listë të tërë, disa faqe, të obligimeve që Kosova duhet t’i përmbushë dhe t’i marrë” ka thënë Schwabe.

    Schwabe mes tjerash ka shtuar se, ne jemi Këshilli i Evropës dhe jo Bashkimi Evropian, që do të thotë se ne nuk simulojmë negociatat. Për shembull, Serbia nuk është as në tavolinë kur flasim për marrëdhëniet e Këshillit të Evropës me Kosovën. Ka gjëra që Kosova duhet t’i bëjë gjithsesi, pavarësisht marrëdhënieve me Serbinë. Çështja e Manastirit të Deçanit ishte një prej tyre: Ishte një manastir ortodoks serb, por ishte një çështje e brendshme e Kosovës. Ishte e rëndësishme të zgjidhej kjo. Kishte një vendim gjykate në Kosovë, i cili nuk zbatohej. U zgjidh me rastin e këtij anëtarësimi të mundshëm. Nëse ky sjell një dinamizëm më të madh në procesin e negociatave ndërmjet BE-së, SHBA-së, Kosovës dhe Serbisë, atëherë do ta mirëprisja shumë këtë. Shpresoj që të gjithë duhet të punojnë në mënyrë konstruktive për këtë, sepse ka një shans historik për zgjidhje.

    “Unë po angazhohem që të ketë një shumicë prej dy të tretash, si në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, dhe besoj se do t’ia dalim. Kjo është detyria im e drejtpërdrejtë sepse unë jam kryetar i delegacionit gjerman por edhe i gruipit më të madh parlamentar në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Unë shpresoj që në më pas kjo shumicë prej dy të tretash të arrihet në nivelin e Komitetit të Ministrave të Jashtëm të 46 shteteve, që do të mblidhet në maj.  Por konstatoj se ka shtete që duan ta kombinojnë të gjithë situatën me negociatat që po zhvillohen në nivel të BE-së dhe me SHBA-në dhe Serbinë. Unë jam nga ata që mendoj se duhet të shikojmë vetëm situatën në Kosovë. Dhe kushtet për anëtarësim tani janë plotësuar. Jam shumë i sigurt se do të arrijmë një shumicë prej dy të tretash në nivel parlamentar dhe shpresoj që këtë do ta marrim edhe në nivel qeverie”, ka thënë ai.

    “E vetmja gjë që mund të them është se është në interesin e Serbisë që Kosova të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës. Pse? Sepse nëse një shtet është anëtar i Këshillit të Evropës, aty automatikisht përfshihet mbrojtja e të drejtave të pakicave. Dhe nëse zoti Vuçiq sheh kërcënime në Kosovë, sigurisht që duhet të flasim për këtë, çfarë të drejtash kanë pakicat serbe në Kosovë? Atëherë ai duhet të ketë shumë interes që ata të bëhen anëtarë të Këshillit të Evropës, sepse në një proces monitorimi çështja e pakicave kombëtare do të luajë menjëherë një rol të madh: Për shembull, në çështjen e zgjedhjeve. Ne do të vëzhgojmë zgjedhjet, duke përfshirë edhe nivelin lokal. Dhe besoj se në fund kjo është edhe në interes të Serbisë. Prandaj ne të gjithë duhet të jemi në favor të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës në mënyrë që të kemi mundësi të kemi ndikim atje”, ka shtuar Schwabe.

    Frank Schwabe është deputet socialdemokrat në Parlamentin Gjerman (Bundestag). Ai është  ndër të tjera kryetar i delegacionit gjerman në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe njëherazi kryetar i grupit parlamentar partiak më të madh në të.

  • Shqipëria dhe Kosova, “me tren” drejt tranzicionit të gjelbër / Pse nuk zbatohet vendimi për investime në infrastrukturën hekurudhore?

    Shqipëria dhe Kosova, “me tren” drejt tranzicionit të gjelbër / Pse nuk zbatohet vendimi për investime në infrastrukturën hekurudhore?

    Autori Arlis Alikaj, raportoi nga Shqipëria

    Autorja Jeta Selmonaj Muji, raportoi nga Kosova

    Rivitalizimi i hekurudhave në Shqipëri ka qenë një ëndërr e mbetur në sirtar prej një kohe të gjatë tashmë. Simbol i ekzistencës së hekurudhave kanë mbetur vetëm lokomotivat e ndryshkura. Trenat janë thjesht relike e së shkuarës për qytetarët e Librazhdit, por edhe të rajonit të Elbasanit, të cilët kanë udhëtuar me tren që prej viteve 1900…

    Si Shqipëria ashtu edhe Kosova kanë nevojë urgjente për të investuar në zhvillimin e infrastrukturës së tyre hekurudhore për tranzicionin drejt një ekonomie të gjelbër. Ndërtuar fillimisht pas Luftës së Dytë Botërore, rrjetit hekurudhor të Shqipërisë i mungojnë lidhjet ndërkombëtare. Kredia prej 36.9 milionë eurosh për 120 km hekurudhë, ofruar nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (EBRD) është një hap i jashtëzakonshëm dhe i mirëpritur për vitalizimin e infrastrukturës hekurudhore në vend, e cila do të ndikonte në aksesueshmëri, në uljen e ndotjes dhe në bashkëpunimin mes komuniteteve lokale në rajon, si dhe do ta vendosë Shqipërinë e Kosovën në një rrugë më të sigurt drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Mirëpo, që nga dhënia e kredisë, projekti ka hasur sfida të mëdha të lidhura me elektrifikimin, infrastrukturën e degraduar dhe shtyrjet e herëpashershme…

    Transport ekonomik dhe miqësor me mjedisin? Qytetarët e vuajnë prej vitesh mosekzistencën e tij

    “Jam djali i një familjeje që ka jetuar falë punës në hekurudhë. Në të kaluarën, një pjesë e madhe e punës për ndërtimin e hekurudhave është bërë vullnetarisht, si një kontribut i qytetarëve për zhvillimin industrial në vendin e tyre. Ku ka rrugë hekurudhore, ka përparim bujqësor, kulturor, shoqëror dhe industrial, ndaj mungesa e këtij transporti të mirëfilltë ka qenë një minus për ekonominë shqiptare. Po të kemi rrjetin hekurudhor shqiptar, do të jemi si të gjitha vendet e Europës”, thotë Ahmet Mehmeti, ekspert mjedisi në Klubin Ekologjik të Elbasanit.

    Inxhinieri Genc Ligori fajëson pushtetet politike që kanë ardhur e kanë ikur. “Institucioni i Hekurudhës është parë vetëm si vend punësimi ku punojnë patronazhistët e partisë; ky institucion nuk ka pasur kurrë në krye një njeri vizionar. Në kohën e komunizmit, hekurudhat inaguroheshin me ceremoni dhe përdoreshin për propagandë nga ana e sistemit, ndërsa tani përdoren vetëm për vende pune dhe jo për të transportuar njerëz”, përfundon inxhinieri Ligori. Një pension rural në Shqipëri është afërsisht 80 $ dhe në kushtet e mbijetesës, kur një shqiptar jeton me më pak se 5$ në ditë, transporti është jetik për lëvizshmërinë. “E bëj disa herë në muaj rrugën Elbasan-Tiranë, për shkak të kontrolleve mjekësore. Me pensionin tim të ulët, prej vetëm 8,000 lekësh, e kam të pamundur të përballoj biletat e furgonëve. Bileta vajtje-ardhje në Tiranë kushton 2,000 lekë se do marrësh edhe taksi nga terminali, ndërsa në Elbasan të ikin 1,000 lekë. Po të kishte tren, rruga do të bëhej më shpejt dhe mund të paguaja vetëm 100 ose 200 lekë, ose do të përfitoja nga mundësia e abonimit, siç përfitojnë edhe të afërmit tanë jashtë shtetit. Përse nuk bëhet edhe këtu? A duhet të jemi edhe ne si Evropa?”, pyet Bekja.

    Ndërsa Greta, një tregtare ambulante, thotë se i shet produktet e saj të bulmetit çdo ditë në Elbasan dhe në fshatra. Sipas saj, për shkak të rritjes së çmimeve të transportit, më shumë humb sesa fiton. ‘‘Qeveria shqiptare e ka qejf rrëmujën dhe është me privatin, jo me të mirën publike. Përse nuk na i bën si bota trenat e t’i lidhë qytetet? U torturuan njerëzit. Nisen makinat kur duan. Treni është zgjidhja më e mirë për ne popullin e thjeshtë!’’, përfundon Greta.

    Megjithëse pa asnjë investim për 30 vite, duket se kohët e fundit jemi pranë rizgjimit të hekurudhës e shumë shpejt do të kemi kantiere ndërtimi kudo, pasi ky projekt ka fituar vëmendjen e qeverisë, thotë drejtorja e përgjithshme në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjetikës, Erjola Muka, në një intervistë për transmetuesin publik shqiptar.

    TRENI NUK NISET AS NË VITIN 2024 – PROGRES I NGADALSHËM DHE AFATE QË SHTYHEN

    Auditimi i Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH) për treguesit ekonomikë dhe financiarë të periudhës 2019-2022 tregon se ekziston një situatë e vështirë financiare dhe detyrime që nuk janë shlyer në kohë, përfshirë kredi afatgjata dhe afatshkurtra.

    Afatet e përfundimit të projektit për hekurudhën Tiranë-Rinas-Durrës vazhdojnë të shtyhen me deklaratën zyrtare të Hekurudhës Shqiptare për një shtyrje deri në tremujorin e parë të vitit 2025. Realizimi i vetëm 60% të punimeve, sipas HSH, është vlerësuar i pranuar nga institucioni, edhe pse afati i mëparshëm ishte për marsin e vitit 2024. Këshilltarja e Energjisë, Belinda Balluku, kishte deklaruar se punimet do të përfundonin në verën e vitit 2023, por ky afat u shty për shtatorin e të njëjtit vit. Këto shtyrje rrisin shqetësimet e qytetarëve për kohën dhe koston financiare. Gjithashtu, ndërtimi i stacionit të trenit në Tiranë bën pjesë në projektin e rehabilitimit Tiranë-Durrës, me linjën e re që pritet të ofrojë shpejtësi prej të paktën 100 km/h dhe çmim biletash 1-1.2 euro. Projektet e financimit nga Bashkimi Evropian dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për nënshkrimin e një granti dhe një kredie përfshijnë përfundimin e një linje të re prej 5 km nga Tirana drejt Rinasit. Ndërtimi aktual financohet nga INC S.P.A, me një ofertë prej 69.69 milionë eurosh, megjithatë, sfidat financiare dhe shtyrjet e bëjnë të pamundur përfundimin e projektit në afatin e caktuar në vitin 2025.

    ELEKTRIFIKIMI MBETET SFIDË. QEVERIA NË GJUMË LETRAGJIK PËR INVESTIMET HEKURUDHORE

    Eksperti i hekurudhave, Dritan Spahiu, thotë se modernizimi i infrastrukturës hekurudhore në Shqipëri do të sjellë një rrjet të rivitalizuar brenda 10 vitesh. “Elektrifikimi i rrjetit mbetet një sfidë, por do sillte përfitime mjedisore dhe lidhje të mëtejshme me tregun rajonal. Projektet e investimeve në linjat hekurudhore si Vorë-Hani i Hotit dhe Durrës-Prishtinë janë cilësuar të jashtëzakonshme nga Spahiu, i cili ka theksuar rëndësinë e transportit hekurudhor për ekonominë dhe lidhjet ndërkombëtare. Spahiu përmendi gjithashtu se investimet për rehabilitimin e linjës Fier-Vlorë dhe lidhja e mundshme Fier-Durrës janë hapa pozitivë drejt një rrjeti hekurudhor të modernizuar në jug të vendit. “E vetmja linjë që bën transport mallrash në vend, është ajo Fier-Vlorë, me mbi 500 mijë ton/në vit”, thotë Spahiu. Ndërsa eksperti mjedisor Ahmet Mehmeti është i mendimit se qeveria shqiptare është zgjuar vonë nga gjumi letargjik, duke marrë kredi për ta ringjallur sistemin hekurudhor shqiptar. “Hekurudha sjell përfitime të jashtëzakonshme, siç është shpejtësia e transportit, ndotja më e ulët e mjedisit për shkak të trenave elektrikë dhe më pak shpenzime se transporti ynë informal publik nëpërmjet furgonave dhe taksive. Megjithëse një sfidë është mungesa e krahut të punës, nëse investohet mjaftueshëm, brenda pesë vitesh jam optimist se mund të ndërtojmë në bazë të kapaciteteve ekzistuese, megjithëse të degraduara.

    Më përpara lidheshim vetëm me Malin e Zi. Tani, nëpërmjet Shkodrës, synohet Mali i Zi, Serbia dhe Evropa Qendrore. Nevojiten specialistë profesionistë dhe jo partiakë për të bërë projekte. Hekurudhat janë element jashtëzakonisht i fuqishëm për zhvillimin ekonomik të një vendi.

    VETËM PËR ITINERARIN TIRANË – AEROPORT, GATI TENDERI PËR NDËRTIMIN E STACIONEVE PËRGJATË LINJËS

    Projekti më i afërt i realizueshëm duket se do të jetë nga qendra e Tiranës drejt Rinasit, ku ndodhet dhe aeroporti ndërkombëtar “Nënë Tereza”. “Sigurisht, ne do ta ndërtojmë hekurudhën vetëm aty ku vijnë e ikin ndërkombëtarët. Gjithçka e bëjmë sa për sy e faqe para tyre”, thotë për Portalin Vizon, inxhinieri i hekurudhave, Genci Ligori, një ndër inxhinierët e paktë të ndërtimit të saj dhe autor i librit “Kantiereve të ndërtimit gjatë kohës së diktaturës”, që flet për peripecitë që kalonin specialistët nga agjentura e sistemit të atëhershëm. “Shqipëria e vërtetë është jashtë Tiranës. Nuk duhet të bëjmë propagandë politike vetëm me një segment që nuk i shërben kombit. Po ndiqet e njëjta skemë që u përdor me rrugët automobilistike që kanë qenë gjithnjë të asfaltuara dhe me standarde kur ikën për në aeroport, por periferia e Tiranës mbetet me gropa”, përfundon inxhinier Ligori. Në faqen zyrtare të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), një nga institucionet financiare që po ofron mbështetje për këtë projekt, u bë publik njoftimi për këtë procedurë. HSH, sipas shpalljes, po kërkon operatorë për punë dhe konsulencë në përputhje me kontratat e ardhshme.

    “Klienti i mësipërm (HSH) synon të përdorë një pjesë të kredisë të menaxhuar nga BERZH për koston e projektit të caktuar. Informacioni shtesë mbi financimin përfshin: BERZH me 49.569 milionë euro, BE dhe VVBIF me 40.7 milionë euro, qeveria shqiptare me 16.1 milionë euro, Iniciativa Italiane për Evropën Qendrore me 0.5 milionë euro dhe fondi special i aksionarëve të BERZH me 0.4 milionë euro.”

    Gazetari i Portalit Vizion, Arlis Alikaj, iu drejtua autoritetit të Hekurudhave Shqiptare me një kërkesë për informacion nëse ka momentalisht ndonjë projekt ndërkombëtar për të zhvilluar infrastrukturën dhe për të modernizuar hekurudhat shqiptare? Në përgjigjen e saj, HSH përgjigjet se, në kuadër të përfshirjes së Hekurudhës Shqiptare sh.a. në Projektet Rajonale të Transportit Hekurudhor Evropian, nëpërmjet zgjerimit të rrjetit hekurudhor në Ballkanin Perëndimor, momentalisht, rrjeti hekurudhor shqiptar po i nënshtrohet rikonstruksionit të linjës hekurudhore Durrës-Tiranë dhe lidhjes hekurudhore me Aeroportin e Rinasit. Financimi i këtij projekti në vlerën 69.7 milionë euro, bëhet nga Struktura e Investimeve të Ballkanit Perëndimor (VVBIF) dhe BERZH (Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim), në formën e një granti 50% dhe kredie 50%. Linja hekurudhore Durrës – Tiranë bën pjesë në Projektin Prioritar Hekurudhor të Ballkanit Perëndimor ROUTE 2 (Rruga 2), në drejtimin Podgoricë (Mali i Zi – Durrës/Tiranë (Shqipëri).

    SHUMË PROJEKTE PËR STUDIME FIZIBILITETI PËR REHABILITIMIN, SI DHE PËR SHËRBIME KONSULENCE, POR ASNJË INVESTIM KONKRET…

    Ne e pyetëm gjithashtu institucionin e Hekurudhës Shqiptare për planin e zhvillimit afatgjatë dhe i kërkuam të na e vinte në dispozicion, por në përgjigjen e tij institucioni shprehej në vija të përgjithshme, duke thënë se “Strategjia e Hekurudhës Shqiptare sh.a. për të siguruar financime dhe zhvillime afatgjata, është përfshirja e saj në projekte rajonale të transportit hekurudhor evropian, të cilat favorizojnë Hekurudhën Shqiptare, nisur nga pozicioni i saj i favorshëm gjeografik në Ballkanin Perëndimor për transportin tranzit të mallrave. E gjithë gjurma e rrjetit hekurudhor shqiptar ndodhet në hartën e zhvillimit të rrjetit hekurudhor të transportit TEN-t dhe atij të Europës Juglindore”. Ndër të tjera na u vunë në dispozicion edhe dokumentet ku vërehet se janë bërë shumë studime fizibiliteti dhe shërbime konsulence, por megjithëse iniciativat duken shumë ambicioze, asgjë nuk është bërë konkretisht që qytetarët të udhëtojnë me tren. Momentalisht, Shqipëria ka vetëm një linjë: Tiranë – Durrës – Elbasan, por edhe kjo është komerciale dhe merr gjysmë dite udhëtim. Gjithashtu, megjithëse në media është trumbetuar se mes Kosovës dhe Shqipërisë do të ketë tren shumë shpejt, autoriteti i Hekurudhëa e quan atë thjesht një projekt–ide. “Në kuadër të përpjekjeve për të realizuar lidhjen hekurudhore Shqipëri-Kosovë, qeveria shqiptare, së bashku me qeverinë e Kosovës, kanë rënë dakord për të realizuar studimin e fizibilitetit dhe projekt-idenë, për lidhjen hekurudhore Shqipëri-Kosovë”, thotë autoriteti Shtetëror i Hekurudhave Shqiptare. Studimet e fizibilitetit dhe planet e HSH të siguruara nga Portali Vizion, i gjeni të bashkëngjitura më poshtë.

    Ne u interesuam dhe në disa bashki të qarkut të Elbasanit dhe në kushtet e anonimatit, disa prej drejtuesve bashkiakë pranojnë se transporti publik është tërësisht informal dhe ka probleme me qendrat e nisjes, oraret apo biletat. Ata e konsiderojnë si një barrë në kurriz të tyre këtë çështje dhe thonë se vendosja e linjave të trenit do rregullonte tregun, si dhe do të ishte më e favorshme për xhepat e qytetarëve.

    Leonard Albrahimi, ekspert mjedisi në Qendrën Mjedisore Për Studime dhe Zbatime, një organizatë lokale në Librazhd, thotë se lëvizja me tren mund ta përmirësojë mjedisin në disa mënyra të rëndësishme. Lëvizja me tren redukton emetimin e gazrave që ndotin ajrin. Gjithashtu, përdorimi i trenave ul numrin e makinave në rrugë dhe rrit qarkullimin e njerëzve në një hapësirë më të vogël, duke ndihmuar në uljen e trafikut. Nuk duhet të harrojmë edhe përdorimin e energjisë së rinovueshme. Disa sisteme trenash përdorin burime të energjisë së rinovueshme, siç janë energjia e erës ose e diellit, duke ulur ndikimin e tyre mbi mjedisin dhe duke ndihmuar në zhvillimin e një infrastrukture mjedisore më të qëndrueshme, përfundon eksperti i mjedisit.

    “Sot, shinat e trenave kanë rënë pre e vandalizmit nga shtresat më të varfra të popullsisë, siç është komuniteti rom, që i shesin për skrap. Në vend që hekurudhat të shihen si investime që lidhin njerëz, komunitete e kombe dhe të krijojnë vende pune, deri më tani janë parë thjesht si shpërdorime fushatat e fondesh të Bashkimit Evropian. Duhet vullnet politik dhe strategji. Më përpara kanë dhënë jetën njerëz dhe materialet cilësore që janë përdorur për hekurudhat nuk gjenden as sot. Njerëzit kanë nostalgji dhe nevojë emergjente për të udhëtuar me tren”, përfundon inxhinieri Genc Ligori.

    S’na mbetet veçse ta mbyllim këtë shkrim me fjalët e Ahmet Mehmetit: Gjendja, mentaliteti dhe zhvillimi i një vendi janë njësoj si gjendja e hekurudhës së tij. Hekurudha na tregon në çfarë niveli është qytetërimi ynë i sotëm.

    Si paraqitet situata në Kosovë? Klikoni linkun⤵️

  • Nga janari, më shumë se 144 mijë aplikime për t’u pajisur me pasaporta

    Nga janari, më shumë se 144 mijë aplikime për t’u pajisur me pasaporta

    Nga janari i këtij viti, e deri më sot, numri i aplikimeve për pasaportë të Kosovës është 144 mijë e 225.

    Zyra për Komunikim Publik e Ministrisë së Punëve të Brendshme, thotë se numri i aplikimeve për pasaportë për herën e parë është 8 mijë e 38, dhe prej tyre dominues është grupmosha 0-18 vjeç, pastaj 45-65 vjeç.

    Së fundmi, Agjencia e Regjistrimit Civil ka rritur kapacitetet e prodhimit, për çka zyrtarë nga Ministra e Punëve të Brendshme theksojnë se kanë material të mjaftueshëm për dokumente, derisa thonë se janë duke punuar në eliminimin e pritjeve të qytetarëve për t’u pajisur me pasaportë.