ATV

Category: Lajme

  • Hoxha: Derisa Radojiçiqi dhe grupi i tij janë të lirë, rreziku mbetet i lartë

    Hoxha: Derisa Radojiçiqi dhe grupi i tij janë të lirë, rreziku mbetet i lartë

    Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka deklaruar se rreziku është aktiv, derisa grupi i Radojiçiqit vazhdon të qëndrojë në kufi të Kosovës, raporton Ekonomia Online.

    Ai tha se kanë vërejtur lëvizje të forcave serbe në kufirin e vendit, për çka shtoi se i kanë monitoruar në bashkëpunim edhe me KFOR-in dhe EULEX-in.

    Ai nuk komentoi deklarimet e kryeministrit Albin Kurti, veçse shtoi se në afërsi të kufirit të Kosovës ka pasur lëvizje të forcave serbe.

    “Tash ne nuk mundemi me i komentu definimet e subjekteve politike në këtë rast edhe të kryeministrit. Ajo se çka mundemi me thënë është se Policia e Kosovës i ka kapacitetet e veta edhe në funksion edhe të ngritura në nivelin më të lartë të gatishmërisë me qëllim që çdo sulm, tentativë, stabilizim të vendit me i dal ballë dhe me e kry detyrën me sukses. Ka pas lëvizje të forcave serbe në kufi të Republikës së Kosovës ne i kemi vërejtur dhe i kemi monitoruar. Faktikisht ne jemi duke punuar me KFOR-in dhe EULEX-in atje kemi batoni të përbashkëta KFOR-i ka shtuar prezencën e vetë dhe me ushtarët atje dhe me teknikë kështu që duhet me shpresu që të mos kemi telashe serioze. Sidoqoftë derisa Radojiçiq dhe grupi i tij terrorist vazhdon të jetë i lirë dhe vazhdon të qëndrojë në kufi të Kosovës rreziku është akoma më aktiv”, u shpreh Hoxha pas përfundimit të Komisionit”, tha Hoxha pas raportimit në Komisionin për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes.

    Në takimin e djeshëm të Ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe Sindikatës së Policisë së Kosovës, Hoxha tha se kanë diskutuar për adresimin e 14 kërkesave.

    Drejtori i PK-së tha se po punojnë për përmirësimin e kushteve, përfshirë uniformën, ushqimin e transportin.

    “Dje kemi pas takim me ministrin Sveçla dhe me kryetarin e Sindikatës së Policisë së Kosovës kemi diskutuar për anëtarësimin e kërkesave çështjeve që i ka ngritur Sindikata që është një numër prej 14 dhe po punojmë që në vazhdimësi adresime të çështjeve Sindikatës dhe Policëve tanë duke filluar nga kushtet e punës, uniformës, ushqimit, transportit dalëngadalë që ato t’i adresojmë në mënyrë që policët tanë me qenë të motivuar për më i kry punët e veta po punohet në shumë drejtime dhe shumë prej tyre janë adresuar dhe shumë do të adresohen muajve në vijim. Te çështja e gomave të dimrit tash e kemi kaluar edhe sezonën shumica e gomave të Policisë janë ndërruar disa kanë pasur probleme edhe për shkak të veturave të larta gomave specifike që kanë qenë autoriteti ka qenë të autoriteti qendror  i prokurimit sepse ata kanë bërë këtë, kërkesat janë bërë me kohë, jo Policia dhe ne nuk mundemi ne të japim llogari për dikë që nuk kemi kontraktuar vetëshërbimin”.

    Ai foli edhe për Ligjin e ri për Rregullat në Trafik, për çka tha se siguria në trafik është një nga prioritetet e Policisë së Kosovës.

    “Ne kemi një situatë jo të favorshme për sigurinë në trafik, siguria në trafik është një nga prioritetet e Policisë së Kosovës, ne për këto 24 vite pas luftës, 25 po bëhen kemi humbur mbi 2 800 persona. Më shumë jemi duke humbur njerëz se në çdo formë tjetër të krimit, andaj duhet me qenë prioritet siguria në rrugë edhe mendoj se ashpërsimi i masave do të arrijë efektin e vetë dhe vetëdijesimi i qytetarëve tanë e ka efektin më të madh mirëpo ata që nuk vetëdijesohen me fushata dhe me masa të buta do të ndëshkohen dhe të marrin dënimet e merituara sipas masave që do jenë në të ardhmen, Nuk e di saktë se nuk jam ekspert i trafikut po kemi kërkuar edhe ne, kërkesë ka qenë e Policisë së Kosovës që barra të jetë të pronari i automjetit dhe jo te vozitësi. Kështu që do të na mundësojë ne si Polici që të shqiptojmë gjoba dhe mjetet tona bashkëkohore, radarët dhe patrullat smart që i kemi në përdorim në mënyrë që të mos humbin shumë kohë duke i kërkuar shoferët ku janë tek janë por do të i shkojë gjoba”, u shpreh Hoxha.

  • Rohde në Krushë të Madhe: Kjo dhe masakrat tjera treguan se ishte koha që NATO-ja të ndërhynte

    Rohde në Krushë të Madhe: Kjo dhe masakrat tjera treguan se ishte koha që NATO-ja të ndërhynte

    Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, tha se masakrat si ajo në Krushë të Madhe të Rahocecit 25 vjet më parë treguar se kishte ardhur koha për ndërhyrjen e NATO-s.

    Rohde foli për masakrën që la rreth 250 viktima dhe rreth 60 të zhdukur që prej atëherë, ndërsa tha se qëndrojnë pas vendimit se intervenimi ushtarak i NATO-s “ishte gjëja e duhur”.

    “Kjo si dhe masakrat tjera, vetëm treguan se kishte ardhur koha tashmë që NATO të ndërhynte për ta shmangur atë tragjedi humanitare si dhe spastrimin etnik i cili po ndodhte këtu”, tha Rohde.

    Ambasadori gjerman kërkoi që autorët e kësaj masakre të dalin para drejtësisë.

    “Shumica e atyre që i kanë kryer këto krime janë ende në arrati dhe krejt çka mund të them, është që kjo nuk do të duhej të lejohej”, tha ai.

    Në fund, Rohde uroi që Kosova të anëtarësohet në BE së shpejti.

    “Shpresoj që Kosova bashkë me të gjithë fqinjët e saj, së shpejti do t’i bashkohet familjes europiane”, tha ai.

  • Kurti: Me Institutin për Krimet e Kryera gjatë luftës po përmbushet obligimi për drejtësi

    Kurti: Me Institutin për Krimet e Kryera gjatë luftës po përmbushet obligimi për drejtësi

    Kryeministri Albin Kurti ka thënë se nëpërmjet funksionalizimit të Institutit për Krimet e Kryera gjatë luftës po përmbushet një nga obligimet ndaj kujtimeve të popullit dhe kërkesës për drejtësi.

    Duke kujtuar 25-vjetorin e masakrës së forcave serbe në fshatrat Krushë e Madhe, Krushë e Vogël dhe Padalishtë, Kurti ka shkruar në Facebook se këto janë dëshmi të gjenocidit serb “që më forcat policore e ushtarake, u përpuq të shfarosë shqiptarët në Kosovë”.

    “Në pranverën e vitit 1999, Serbia po realizonte planin gjenocidal “Patkoi” për shfarosjen e popullsisë shqiptare vendase në Kosovë. Në paraditën e 26 marsit, forcat e Serbisë sulmuan fshatrat Krushë e Madhe dhe Krushë e Vogël. I detyruan gratë dhe fëmijët të largoheshin për në Shqipëri. Burrat dhe djemtë i ndaluan. Ua konfiskuan letërnjoftimet dhe artikujt me vlerë. Pastaj hapën zjarr me mitraloz mbi ta. Të shtënat zgjatën disa minuta. Atë ditë, forcat serbe vranë 243 civilë shqiptarë në masakrën në Krushë të Madhe dhe 113 në Krushë të vogël”.

    Ai ka përkujtuar edhe masakrën në familjen Berisha në Suharekë, ku u vranë 48 anëtarë të familjes Berisha, përfshirë 11 fëmijë.

    “Në orët e hershme të mëngjesit të 26 marsit, tanket serbe rrethuan oborrin e familjes Berisha në Suharekë. I dëbuan familjarët nga shtëpitë dhe i çuan në një kafene. Pastaj hapën zjarr. Hodhën edhe eksplozive. Forcat serbe aty i vranë 48 anëtarë të familjes Berisha, përfshirë 11 fëmijë. Mes tyre, Dorentinën 3 vjeҫare, Ismetin 2 vjeҫar, ndërsa Eroni dhe Redoni ishin vetëm 1 vjeҫ. Trupat e tyre u dërguan në varrezë masive në Batajnicë, afër Beogradit. Kësaj masakre i mbijetuan vetëm Shyhrete Berisha dhe Vjollca me të birin, Gramoz Berisha.”

    Në të njëjtën ditë, Kurti ka thënë se forcat serbe sulman fshatin Padalishtë të Skenderajt, duke masakruar 19 anëtarë të familjes Imeraj, fshatin Landovicë të Prizrenit ku u vranë 23 banorë, Gjakovën ku u vranë 6 burra.

    “Po atë mëngjes, forcat serbe e sulmuan fshatin Padalishtë të Skenderajt, duke masakruar 19 anëtarë të familjes Imeraj, nga mosha 2 deri 76 vjeçe. Në mesin e tyre 11 gra dhe pesë fëmijë. Në Landovicë të Prizrenit, më 26 mars 1999, u vranë 23 banorë të këtij fshati dhe fshatrave tjerë, përfshirë gjashtë fëmijë dhe një grua shtatzënë. Në mbrëmje, në qytetin e Gjakovës, në një shtëpi në rrugën “Ymer Grezda”, forcat e Serbisë vranë me armë zjarri të gjashtë burrat shqiptarë që ishin në atë shtëpi.”

    Kurti ka thënë se këto janë dëshmi të gjenocidit të Serbisë.

    “Këto janë dëshmitë e gjenocidit të Serbisë, që me forcat policore e ushtarake, u përpoq të shfarosë shqiptarët në Kosovë. “Kujtesa e Kosovës” titullohet vëllimi i librave me dëshmitë e rrëfimet të mbijetuarve të masakrës së Krushës së Madhe, që u promovua mbrëmë, me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Kujtesa e Kosovës është e freskët.”

    Kryeministri Kurti ka përmendur edhe themelimin e funksionalizimin e Institutit për Krime Lufte.

    “Themelimi dhe funksionalizimi i Institutit për Krimet e Kryera Gjatë Luftës ka për qëllim dokumentimin e të gjitha krimeve të luftës së fundit në Kosovë, krimeve kundër njerëzimit dhe veprimeve gjenocidale nga Serbia. Ky është një nga obligimet e shumta që po përmbushet ndaj kujtimeve tona si popull dhe kërkesës për drejtësi. Si institucione të Republikës, jemi të përkushtuar që brezi aktual i fëmijëve dhe brezat e ardhshëm, që s’kanë lindur ende, të mos kalojnë nëpër këto vuajtje që i kaluam ne. Si institucione e qytetarë të Republikës, po angazhohemi bashkë, që fëmijët të gëzojnë lirinë dhe të kenë të ardhme të ndritshme në Kosovën tonë. Përkulemi me shumë dhembje, dashuri dhe krenari para kujtimit të të gjithë të vrarëve. Rënien e tyre me flijim e me sakrificë, e kemi udhërrëfim se si të ecim përpara. I përjetshëm qoftë kujtimi për ta! E paçin të përhershme lavdinë!”

  • Hajnat futen në tri shtëpi në Rogovë të Gjakovës, vjedhin mijëra euro dhe stoli ari

    Hajnat futen në tri shtëpi në Rogovë të Gjakovës, vjedhin mijëra euro dhe stoli ari

    Një fenomen mjaft shqetësues për qytetarët e Kosovës janë bërë vjedhjet e shpeshta nëpër shtëpi, që po shkaktojnë ankth e pasiguri, sidomos kur mbesin pa përkujdesje. Së fundmi, ka pasur plot raste, kur hajnat kanë kryer vjedhje nëpër fshatra, duke funksionuar si grup, raporton Gazeta Sinjali.

    Kështu dyshohet se ka ndodhur edhe mbrëmë, në fshatin Rogovë të Gjakovës, ku hajnat u futën në tri shtëpi.

    Sinjali mëson se në shtëpitë ku të dyshuarit janë futur, kanë arritur të vjedhin para të gatshme dhe stoli ari, duke shkaktuar dëme deri në 7 mijë euro.

    Si rezultat i denoncimit, njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit.Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rastet janë cilësuar si ‘Vjedhje e rëndë’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të kapen të dyshuarit.

  • Netanyahu thotë se Izraeli s’i pranon kërkesat e Hamasit për armëpushim

    Netanyahu thotë se Izraeli s’i pranon kërkesat e Hamasit për armëpushim

    Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë të martën se autoritetet izraelite nuk do t’i pranojnë kërkesat e Hamasit – grupit të shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – për një armëpushim në Rripin e Gazës.

    Netanyahu i bëri këto deklarata pasi grupi radikal palestinez nuk e pranoi propozimin e Izraelit për armëpushim.

    Hamasi e hodhi poshtë propozimin më të fundit të Izraelit të hënën mbrëma, duke e akuzuar atë se i shpërfilli kërkesat kryesore të grupit, që përfshijnë përfundimin e luftës dhe largimin e plotë të ushtrisë izraelite nga Gaza.

    Netanyahu tha se Izraeli nuk do të dorëzohet para kërkesave “joreale” të Hamasit dhe do ta vazhdojë punën për t’i shkatërruar armatimin e tij ushtarak dhe aftësitë qeverisëse, si dhe për t’i liruar pengjet e mbetura në Gazë.

    Të hënën, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara e miratoi një rezolutë për të kërkuar armëpushim të menjëhershëm mes Izraelit dhe Hamasit në Rripin e Gazës.

    Ministri i Jashtëm i Izraelit, Israel Katz, tha për Army Radio të martën se rezoluta e Këshillit të Sigurimit për armëpushim në Gazë dhe për lirim të pengjeve, e nxiti Hamasin ta refuzojë propozimin e Izraelit.

    Ai e kritikoi edhe SHBA-në, aleatin kryesor të Izraelit, pse nuk përdori veto kundër rezolutës, pasi në të nuk dënohej Hamasi dhe sulmi i tij më 7 tetor në Izrael.

    Rreth 1.200 njerëz u vranë dhe mbi 250 të tjerë u rrëmbyen më 7 tetor, kur pjesëtarët e Hamasit kryen një sulm befasues në jug të Izraelit, duke e nxitur këtë luftë. Besohet se Hamasi ende po i mban rreth 100 pengje izraelite.

    Më shumë se 32.000 njerëz janë vrarë në territorin e rrethuar palestinezë dhe mbi 74.000 te tjerë janë plagosur, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë, e cila nuk e bën dallimin mes civilëve dhe luftëtarëve kur i numëron viktimat. Sipas saj, dy e treta e të vrarëve janë gra dhe fëmijë./REL

  • Zëvendëskryeministri Bislimi mirëpriti eurodeputetët nga Parlamenti Evropian

    Zëvendëskryeministri Bislimi mirëpriti eurodeputetët nga Parlamenti Evropian

    Zëvendëskryeministri i Parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, mirëpriti eurodeputetët nga Parlamenti Evropian, Thijs Reuten dhe Ladislav Ilcic.

    Zëvendëskryeministri Bislimi pranoi simbolikisht nga eurodeputeti Reuten, i cili ishte dhe raportues mbi çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën, penën me të cilën u nënshkrua me 19 prill të vitit të kaluar, vendimi final për procesin.

    Gjatë takimit, u bisedua mbi rrugëtimin e Kosovës drejt integrimit në Bashkimin Evropian, ku zëvendëskryeministri përmendi aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE dhe nevojën për ecjen tutje në këtë proces, angazhimin e vendit sa i përket Planit të Rritjes dhe punës për reformat indikative, por edhe performancën e vendit përmes indikatorëve ekonomikë.

    U ngritën dhe çështje që ndërlidhen me fusha si energjia, shëndetësia, arsimi. U adresuan dhe masat ndëshkuese ndaj Kosovës, ku zëvendëskryeministri ritheksoi se ato janë të padrejta dhe duhet të hiqen sa më parë.

    Nga ana e tyre, eurodeputetët Reuten dhe Ilcic nënvizuan se Parlamenti Evropian e mbështet Republikën e Kosovës në objektivin e qëllimin e saj në rrugëtimin integrues drejt Bashkimit Evropian, duke theksuar dhe mirënjohjen për qëndrimin parimor e mbështetjen ndaj qasjes evropiane kundrejt agresionit të pajustifikuar rus në Ukrainë.

    Duke i falënderuar eurodeputetët për përkrahjen e vazhdueshme të tyre dhe të Parlamentit Evropian ndaj Republikës së Kosovës, zëvendëskryeministri Bislimi vlerësoi pikëpamjet e ndara dhe diskutimet gjithmonë produktive.

    Në këtë takim, ai shoqërohej dhe nga ambasadori i Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami.

  • Përurohet Muzeu i masakrës në Krushë të Madhe

    Përurohet Muzeu i masakrës në Krushë të Madhe

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani mori pjesë në përurimin e Muzeut të masakrës së Krushës së Madhe të Rahovecit, raporton Ekonomia Online.

    Muzeu përmban ekspozitën me 200 videointervista me të mbijetuarit e masakrës, 60 artefakte nga të vrarët, të zhdukurit e të mbijetuarit, narracione audiovizuele tematike mbi humbjen, dhimbjen, përjetimin e të mbijetuarve dhe rrëfime për mbijetesën pas luftës.

    Më 25-27 mars në këtë fshat u masakruan mbi 200 civil e u dogjën mbi 800 shtëpi.

    64 persona nga Krusha e Madhe vazhdojnë të jenë të pagjetur.

    Masakra në Krushë të Madhe u bë një pjesë e aktakuzës për krime lufte kundër Slobodan Milosheviçit dhe udhëheqësve të tjerë serb politikë dhe ushtarakë.

  • 25-vjetori i Masakrës në Krushë të Madhe, ambasadorët në Kosovë kërkojnë drejtësi

    25-vjetori i Masakrës në Krushë të Madhe, ambasadorët në Kosovë kërkojnë drejtësi

    Ambasadorët e vendeve mike në Kosovë, e kanë cilësuar masakrën e Krushës së Madhe si pikënisje e ndërhyrjes së NATO-s mbi shtetin serb. Në 25-vjetorin e masakrës në këtë fshat të Rahovecit, ambasadorët kërkuan që kryerësit të dalin para drejtësisë, raporton Ekonomia Online.

    Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tha se inaugurimi i Muzeut të Masakrës së Krushës së Madhe të Rahovecit, i dokumenton këtë ngjarje dhe mundëson që faktet historike mos të kontestohen.

    “Ky muze do t’i ndihmojë të gjithë atyre që vijnë ta shohin atë, ta mësojnë atë që ne tanimë e dijmë, të mos lajthitet se faktet historike janë të pakontestueshme. NATO-ja veproi pikërisht për shkak të krimeve të tmerrshme si ky që kishte ndodhur këtu. Të njëjtën ditë, sekretarja e atëhershme e shtetit, Marilyn Albright tha: “e kemi të pamundur të negociojmë përderisa Millosheviqi shton numrin e forcave, i sulmon civilët dhe i djeg fshatrat në Kosovë”.

    “Aksionet e NATO-s kanë synim të shtyejnë paqen dhe sigurinë në Evropë dhe t’i jap fund mizorive dhe krizës humanitare. Si aleancë ne u bëmë bashkë për të reaguar vetëm pasi i kishim shterrur të gjitha alternativat për të ndalur gjakderdhjen”, u shpreh Hovenier.

    Ai ka shprehur ngushëllimet e tij dhe solidaritetin me familjet e viktimave në cilësinë e përfaqësuesit të presidentit amerikan në Kosovë.

    Hovenier ka thënë se e kupton që familjet dhe të mbijetuarit e kësaj masakre kanë kërkuar themelimin e muzeut qe 25 vjet, teksa është shprehur krenar për kontributin amerikan në proces.

    “Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndihen krenare që i kemi mbështetur deri diku përpjekjet e juaja, përmes trajnimit të 30 kosovarëve për shkathtësi të intervistimit, etikë të historisë gojore dhe arkivimit si pjesë e historisë gojore të Bibliotekës Kombëtare me të mbijetuarit e masakrës së Krushës së Madhe”, ka deklaruar ambasadori amerikan.

  • Haradinaj: E habitshme se si liderët institucionalë të Kosovës kanë shpërfillur kërkesat e ShBA-së dhe BE-së

    Haradinaj: E habitshme se si liderët institucionalë të Kosovës kanë shpërfillur kërkesat e ShBA-së dhe BE-së

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë  e Kosovës, Ramush Haradinaj ka reaguar lidhur me letrën që krerët e vendit ia kanë dërguar raportueses së KiE-së, Dora Bakojanis duke thënë se mund të jetë standard para aplikimit për anëtarësim në Këshillin e Evropës, por kurrsesi nuk mund të cilësohet formalitet, siç e quan pushteti.

    “E kuptueshme që letra e tre krerëve shtetëror dërguar raportueses së KiE, Dora Bakojanis, mund të jetë standard para aplikimit për anëtarësim në Këshillin e Evropës, por kurrsesi nuk mund të cilësohet formalitet, siç e quan pushteti, sepse gama e zotimeve në atë letër është shumë e gjerë dhe përfshinë obligime konkrete. Ata zotohen se do të zbatojnë të gjitha nenet e marrëveshjeve të Brukselit e Ohrit, duke përfshirë edhe Asociacionin. Pyetja është, pse kanë pasur nevojë që deri me tash ta zhagisin zbatimin e kësaj marrëveshjeje e të thonë herë e zbatojmë herë nuk e zbatojmë. Psh. thuhet se liderët institucionalë zotohen se “do të respektohet pavarësia e gjyqësorit dhe do të hiqet dorë nga “kritikat e tepruara ndaj gjyqësorit”. Kjo dmth se këta zotohen të heqin dorë nga diçka që e kanë aplikuar deri me tash”, ka shkruar Haradinaj.

    Kryetari i AAK-së ka shtuar se, aty thuhet “Të përmbahemi nga përdorimi i policisë speciale në veri të Kosovës për detyra të zakonshme policore e të sigurohemi se ato dislokohen vetëm në rast nevoje”, që i bjen se deri më tash nuk e kanë zbatuar këtë standard që aq shpesh është kërkuar nga aleatët tanë.

    Zotohen për shpronësimet në veri, për mbrojtjen e pronave të Kishës Ortodokse Serbe, për integrimin e pakicave; për gjuhët e tyre, shkollimin tekstet … e kështu me radhë.

    “Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës është ngjarje e madhe dhe hap i rëndësishëm drejt integrimit në BE dhe ndoshta letra e zotimeve drejtuar Bakojanis përfshihet në këtë kuadër, por është e habitshme se si liderët institucionalë të Kosovës, deri me tash kanë shpërfillur kërkesat e njëjta nga nivele shumë të larta të ShBA dhe BE, dhe pikërisht për këtë sot jemi edhe nën sanksione, edhe në marrëdhënie shumë të acaruara me ShBA e BE, edhe të detyruar t’i përsërisim zgjedhjet në veri, edhe të merremi me dinarin, edhe në pozitën më të keqe të mundshme në procesin e dialogut me Serbinë”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

  • Rasti tragjik në ShBA, Haradinaj: Bashkëndjejmë me familjet e të prekurve dhe popullin amerikan

    Rasti tragjik në ShBA, Haradinaj: Bashkëndjejmë me familjet e të prekurve dhe popullin amerikan

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka reaguar pas rastit tragjik në Baltimore të Shteteve të Bashkuara një urë e madhe është shembur pasi u godit nga një anije e madhe të martën në mëngjes, dhe si pasojë disa vetura ranë në lumin nën të.

    Haradinaj ka thënë se qytetarët e Kosovës bashkëndjejnë me familjet e të prekurve nga kjo tragjedi.

    “Në këto momente lutemi për të gjithë të prekurit nga aksidenti tragjik i shembjes së urës “Francis Scott Key Bridge” në Baltimore, Merilend, ShBA. Qytetarët e Republikës së Kosovës bashkëndjejnë dhe solidarizohen me familjet e të prekurve dhe popullin amerikan nga kjo tragjedi”, është shprehur Haradinaj.