ATV

Category: Lajme

  • Nis shqyrtimi i opinionit për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës

    Nis shqyrtimi i opinionit për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës

    Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës ka njoftuar në faqen e saj zyrtare në X për nisjen e takimit të Komitetit për Politikë dhe Demokraci në Paris ku “do të shqyrtohet dhe votohet” draft-opinioni i raportueses greke, Dora Bakoyannis, për aplikimin e Kosovës.

    “Takimi i sotëm i Komitetit për Politikë dhe Demokraci në Paris takohet për të shqyrtuar dhe miratuar një draft-opinion mbi kërkesën e Kosovës për anëtarësim – është duke filluar tani”, thuhet në njoftim.

    Asambleja tha se rezultatin e takimit do ta njoftojë më vonë.

     

  • “E kam parë shoferin e kamionit duke vozit e tu lujt lojëra në telefon” – Njohësi i komunikacionit flet për gjobat ndaj kundërvajtësve në trafik

    “E kam parë shoferin e kamionit duke vozit e tu lujt lojëra në telefon” – Njohësi i komunikacionit flet për gjobat ndaj kundërvajtësve në trafik

    Në fillim të prillit pritet të fuqizohet Ligji i ri, për rregullat në trafik. Kështu, që nga 3 prilli, Policia do të fillojë të shqiptojë gjoba që janë dukshëm më të ashpra se ato paraprake.

    Iniciuesit e këtij ligji thanë se ndryshimet në rregulla dhe gjoba janë realizuar me qëllim që të rritet siguria në trafik dhe të ulet numri i aksidenteve, sidomos të atyre me fatalitet.

    Për të diskutuar rregullat e reja, dënimet e ashpra dhe ndikimin që do të kenë te ngasësit, i ftuar në emisionin “A LIVE”, ishte eksperti i komunikacionit, Bekim Ahmeti.

    Ahmeti duke analizuar disa prej kundërvajtjeve që pothuajse janë shumëfishuar me shumën dhe masat mbrojtëse, ai tha se ashpërsimi i këtyre gjobave ka qenë më se i nevojshëm.

    Madje, ai tha se për përdorim të telefonit gjatë ngasjes duhet të shqiptohet një gjobë më e ashpër, sesa ajo që pritet të fuqizohet.

    “Tek ne përdoret shumë telefoni. Kam pasur raste që ka parë se shoferi i kamionit shkrujke mesazh në telefon ose jam bukur i dyshimtë që ka qenë duke lujt lojëra në telefon. Mendoj që duhet me pasë dënime më të ashpra për shkelësit sepse nuk e kemi mbërri ende kulturën e Evropës gjatë vozitjes, sepse dënimi është i vogël në krahasim me dëmin që mundet me u shkaktua. Dhe për këtë shkelje mendoj që do të duhej të ishte gjoba minimumi 500 euro”, tha ai./atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • MINT-i mbështetë me 2.5 milionë euro ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme

    MINT-i mbështetë me 2.5 milionë euro ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka mbajtur konferencë për medie, në të cilën janë lansuar tri thirrje publike për përkrahjen e ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme për blerjen e makinerive prodhuese dhe përpunuese, raporton Ekonomia Online.

    Ministrja Hajdari, tha se vlera e programit është 2.5 milionë euro, ndërsa aplikimi do të bëhet përmes aplikacionit e-Kosova.

    “Janë grande, skema të reja që po i lansojmë sot si grant skema për blerjen e makinerive prodhuese dhe përpunuese, grant për certifikimin e produkteve dhe atë për digjitalizimin e bizneseve. Përkrahja dhe fuqizimi i bizneseve tona që janë shtytës kryesor të zhvillimit dhe transformimit socio ekonomik dhe mjedisor në vendin tonë, është një nga synimet kryesore të qeverisjes sonë. Vlera e mbështes është 2.5 milionë euro, aplikimi bëhet përmes aplikacionit e-Kosova. E gjithë kjo mbështetje përkthehet në zhvillimin e ekonomisë”, tha Hajdari.

  • ​Clark: Jam krenar për gjithçka në Kosovë

    ​Clark: Jam krenar për gjithçka në Kosovë

    Ish-komandanti i përgjithshëm i NATO-s, Wesley Clark ka deklaruar se 25 vjet pas ndërhyrjes së NATO-s për t’i dhënë fund spastrimit etnik në Kosovë, ndihet shumë krenar për gjithçka që Kosova ka bërë në aspektin ekonomik, politikë, si dhe hapat drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe NATO.

    Clark në konferencën për 25 vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, me temë “ Demokracia, të drejtat e njeriut dhe ndërtimi i paqes” e organizuar nga Universiteti i Prishtinës së bashku me Universitetin e Arkansasit të SHBA-së, nëpërmjet një video mesazh, tha se shpreson se Kosova do të anëtarësohet në BE dhe NATO.

    “25 vjet më parë, unë isha komandant i NATO-s kur filluam operacionet për t’i dhënë fund spastrimit etnik në Kosovë. Ishte një thirrje e ashpër për NATO-n, ishte një thirrje e ashpër për Presidentin e Shteteve të Bashkuara dhe ishte një thirrje e ashpër për popullin e Kosovës. Sot, 25 vjet më vonë, unë jam shumë krenar për gjithçka që Kosova ka bërë gjatë gjithë progresit ekonomik, progresit politik, për pavarësinë, për punën që ka bërë për të vendosur veten si një anëtar i Bashkimit Evropian dhe një anëtar i NATO-s, të cilat shpresoj se do të ndodhin. Gjithashtu, mbani mend viktimat e humbjeve, gabimet në fushatën ajrore dhe shqetësimet që të gjithë ne kemi për të kryer punën siç duhet për t’u kujdesur për popullin e Kosovës dhe për t’i dhënë fund spastrimeve etnike serbe”, është shprehur Clark.

    Ai ka shtuar se kur sheh shqiptarët e Kosovës, kujton rëndësinë e lirisë, guximin, vendosmërinë dhe luftën për mbrojtjen e familjeve dhe vlerave.

    “Ju jeni një shembull i shkëlqyer i vlerave të demokracisë, dhe në një botë të trazuar, Amerika ka nevojë për të gjithë miqtë e saj, si dhe Kosova ka nevojë për ndihmën e Amerikës, kështu që unë mendoj se është një partneritet potencialisht me të vërtetë i fortë që do të forcohet dhe unë thjesht dua të them nga thellësia e zemrës sime, gjithë këto vite e kam vlerësuar mbështetjen, ndjenjat e mbështetjes nga populli i Kosovës. Kur udhëtoj nëpër botë, kur shkoj në Kosovë dhe kur shkoj në Nju Jork dhe madje kur më shohin shqiptarët e Kosovës më kujton rëndësinë e lirisë, rëndësinë e guximit dhe vendosmërisë dhe luftën për mbrojtjen e familjeve, mbrojtjen e vlerave. Pra, zemra ime është me ty, shpirti im është me ty Kosovë dhe të uroj gjithë të mirat”, ka shtuar Clark.

  • Miftaraj ia numëron sukseset dhe dështimet qeverisë Kurti në drejtësi: Kampion të ndërhyrjes në institucione

    Miftaraj ia numëron sukseset dhe dështimet qeverisë Kurti në drejtësi: Kampion të ndërhyrjes në institucione

    Drejtori i Institutit Demokratik të Kosovës, Ehat Miftaraj ia ka bërë balancën, ndërmjet sukseseve dhe dështimeve të Qeverisë Kurti, në drejtësi. Krejt kjo pasi vet Kurti shkori në Facebook për drejtësinë në tri vitet e tij të qeverisjes, ku numëroi vetëm sukeseset, gjithmonë sipas tij.

    Miftaraj ndonëse ia njeh disa sukese, siç është vullneti politik për vettingun, ai ka renditur edhe një sërë dështimesh në këtë dikaster të qeverisë.

    “Kampion të ndërhyrjes në institucione të pavaruara”, e “amnistim të zyrtarëvet të saj”, janë disa nga kritikat e Miftarajt për drejtësinë në qeverinë Kurti.

    Postimi i plotë:

    Sukseset dhe dështimet e qeverisë Kurti në drejtësi të përmbledhura në tre vite:

    Sukseset:

    1. Vetting-u, meritat i takojnë qeverisë për vullnetin politik për të realizuar këtë proces jetik për sundimin e ligjit. Edhe pse Vettingu do jetë gjysmak dhe edhe pse ende nuk është miratuar Amandamenti Kushtetues në Kuvendin e Kosovës, prapë se prapë mund të konsiderohet si një sukses i kësaj qeverie.
    2. Themelimi dhe funksionalizimi i Gjykatës Komerciale. Ky nuk mund të konsiderohet sukses i qeverisë së Kurtit, pasi ligji për gjykatë është ligj që është inicuar nga qeveria e kaluar, politike e përcaktuar me Strategjinë për Sundimin e Ligjit. Funksionalizimi i Gjykatës Komerciale është sukses i plotë i Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe USAID. KGJK dhe USAID kanë udhëheq me këtë process, të cilin e kanë finalizuar me sukses. Qeveria nuk ka ndarë buxhetin e nevojshëm për funksionimin e duhur të kësaj gjykatë. Shto obligime, mos jep buxhet, krijo probleme të reja.
    3. Miratimi i ligjeve për Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit dhe atë për Deklarimin e Pasurisë, është sukses i kësaj qeverie. Sidoqoftë, qeveria s’ka ndarë buxhet të mjaftueshëm për Agjencinë për parandalimin e korrupsionit, duke marr për bazë kompetencat shtesë të përcaktuara me ligj. Shto obligime, mos jep buxhet, krijo probleme të reja.
    4. Janë miratuar ligje të rëndësishme si Kodi i Procedurës Penale dhe ligje tjera.

    Dështimet:

    1. Reformimi i sistemit të drejtësisë penale, civile dhe administrative.

    Tre vite të shkuara dëm. Edhe pas tre viteve reforma në sistemin prokurorial është në fazën ZERO. Projekt-ligji për KPK është në Kuvend. I njejti projektligj është konsideruar nga Komisioni i Venecias dhe Gjykata Kushtetuese se i cenon parimet e sundimit të ligjit. Të shpresojmë që së paku gjatë vitit 2024 ky ligj të miratohet dhe të hyj në fuqi. Me hyrjen në fuqi të këtij ligji, përbërja e KPK do të ndryshoj tek pas dy ose tre viteve. Pra, reforma në KPK nuk do të arrijë të realizohet në mandatin e kësaj Qeverie.

    Ligji për Byronë Shtetërore për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme është në Gjykatën Kushtetuese. Draftin e parë të këtij Ligji Komisioni i Venecias e kishte konsideruar në tërësinë e tij si ligj kundër standardeve që garantojnë dhe promovojnë drejtat dhe liritë e njeriut.

    Drejtesia Civile:

    Për miratimin e Kodit Civil nuk ka vullnet politik nga partia në pushtet që i njëjti të votohet. Kodi Civil konsiderohet si ligji më i rëndësishëm për të drejtat e qytetarëve menjëherë pas Kushtetutës.

    Drejtesia Administrative:

    Reforma në drejtësinë administrative poashtu është vonuar shumë. Projektligji është miratuar në qeveri. Janë dashur tre vite që projekt ligji të hartohet dhe miratohet në qeveri.

    Premtimi elektoral se do të ngritet padi për gjenocid ka mbetur premtim në letër, premtim fiktiv dhe i parealizueshëm.

    Forcimi i kapaciteteve të PSRK, është poashtu premtim fiktiv. Kësaj prokurorie i janë ndarë buxhet për pak pozita për prokurorë dhe disa staf mbështetës. Rezultatet në trajtimin e krimeve të luftës janë të papërfillshme.

    Ndërhyrjet e papërshtatshme të ekzekutivit dhe legjislativit në pavarësinë e gjykatave të rregullta dhe Gjykatës Kushtetuese. Partia në pushtet është kampion për të ndërhyrë në mënyrë të papërshtatshme në institucionet e pavarura. Raportet e ekspertëve eminentë të Këshillit të Evropës i kanë trajtuar si shqetësuese ndërhyrjet e Qeverisë ndaj prokurorëve dhe gjykatësve individual si dhe sistemit të drejtësisë. Kjo është e papranueshme për një shtet që aspiron të bëhet pjesë e Këshillit të Evropës.

    Dhe krejte ne fund, kjo qeveri e ka fuqizuar kulturen e pandeshkueshmerise ne luften kunder korrupsionit ne rastet kur zyrtare te kesaj qeverie jane perballur me hetime penale per korrupsion. Si rralle ndonjehere, vet Kryeministri apo ministrat e tij ka akuzuar organet e ndjekjes kur kane arrestuar apo filluar hetimet per korrupsion, si rasti Martin Berishaj, rasti i KEK, rasti i rezervave shteterore e shume raste tjera.

  • ​Memli Krasniqi propozon Bedri Hamzën për kryeministër

    ​Memli Krasniqi propozon Bedri Hamzën për kryeministër

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi pritet ta propozojë sot Bedri Hamzën kandidat për kryeministër të ardhshëm të Kosovës.

    Kreu i PDK-së ka ftuar sot konferencë për media, ndërsa sipas burimeve brenda PDK-së, lideri i kësaj partie pritet që në këtë konferencë do të dalë me propozimin zyrtar që kryetari aktual i Mitrovicës, Bedri Hamza të jetë kandidati i PDK-së për kryeministër në zgjedhjet e reja parlamentare.

  • ​Hovenier: Rruga e Kosovës drejt BE-së me mirëbesim dhe zbatim të të gjitha zotimeve nga dialogu

    ​Hovenier: Rruga e Kosovës drejt BE-së me mirëbesim dhe zbatim të të gjitha zotimeve nga dialogu

    Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier ka deklaruar se rruga e vetme për integrimin e Kosovës në institucionet evropiane dhe euroatlantike është përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja, pasi nuk ka rrugë tjetër.

    Hovenier i ka bërë këto komente në konferencën për 25 vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, me temë “ Demokracia, të drejtat e njeriut dhe ndërtimi i paqes” e organizuar nga Universiteti i Prishtinës së bashku me Universitetin e Arkansasit të SHBA-së, ku theksoi se presin zbatim të plotë të të gjitha zotimeve që ka marrë Kosova në kuadër të dialogut.

    Ai shtoi se SHBA përsërit shumë qartë vizionin e tyre për një Evropë të tërë të lirë dhe në paqe, e ku shumë qartë edhe Kosova.

    “25 vjet më parë bota dëshmoi një fushatë të tmerrshme të spastrimit etnik të kryer nga regjimi monstruoz këtu në Kosovë… Ne kishim shteruar të gjitha përpjekjet dhe rrugët diplomatike për t’i dhënë fund brutalitetit të regjimit të Millosheviqit, dhe siç tha presidenti Clinton më 23 mars 1999, një ditë para se NATO të fillonte operacionin Forcat Aleate “Nëse presidenti Millosheviq nuk është i gatshëm të bëjë paqe, ne jemi të gatshëm të kufizojmë aftësinë e tij për të bërë luftë në Kosovë”. Operacioni Forca Aleate hapi rrugën për t’i dhënë fund armiqësive dhe për të krijuar kushte për kthimin e refugjatëve të të gjitha etnive që e quajnë Kosovën shtëpi. Ne e pranojmë dhe shprehim vlerësimin tonë për përkushtimin dhe sakrificat e NATO-s, këtu gjatë 25 viteve të fundit dhe ndërsa përkujtojmë trimërinë e atyre që qëndruan kundër spastrimit etnik dhe atyre që vazhdojnë të ruajnë paqen sot, ne përsërisim shumë qartë vizionin tonë për një Evropë të tërë, të lirë dhe në paqe. Dhe kjo është një Evropë që përfshin shumë qartë Kosovën”, ka thënë Hovenier.

    Hovenier theksoi se nuk ka rrugë tjetër në integrimin e Kosovës në institucionet evropiane dhe euroatlantike, përveç dialogut të lehtësuar nga BE-ja, dhe konkretisht Kosova ka bërë zbatim të plotë të të gjitha zotimeve në kuadër të dialogut.

    “Rruga e vetme për integrimin e Kosovës në institucionet evropiane dhe euroatlantike është përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja, nuk ka rrugë tjetër, dhe konkretisht mirëbesim dhe zbatim të plotë të të gjitha zotimeve që ka marrë Kosova në kuadër të dialogut… Ne shikojmë nga kjo qeveri ashtu siç kemi kërkuar nga të gjitha qeveritë e mëparshme të Kosovës që të punojnë në partneritet me ne, ndërsa ne vazhdojmë në përpjekjet tona së bashku për të ndërtuar një rajon të qëndrueshëm, të begatë, multietnik dhe të sigurt të Ballkanit Perëndimor.. Më shumë se 25 vjet që nga Operacioni i Forcave Aleate dhe pothuajse 25 vjet nga Çlirimi i Kosovës, populli i Shteteve të Bashkuara ka qenë, është dhe do të vazhdojë të jetë krenar të qëndrojë krah për krah me popullin e Kosovës”, ka shtuar Hovenier.

    Në këtë konferencë nuk mungoi as një video nga Wresley Clark, komandanti suprem i aleatëve në Evropë i NATO-s gjatë viteve 1999-2000.

  • Policia për vdekjen e 48-vjeçares: Është qëlluar derisa ndodhej në automjet pranë shtëpisë së saj

    Policia për vdekjen e 48-vjeçares: Është qëlluar derisa ndodhej në automjet pranë shtëpisë së saj

    Policia e Kosovës ka dhënë detaje shtesë për vrajsen e mbrëmshme që ndodhi, në Prishtinë. Për rastin e vrasjes me armë zjarri në rrugën “Jeronim De Rada”, Policia ka bërë të ditur se përpos njërit që ka vdekur në vendin e ngjarjes, një tjetër ka vdekur gjatë ditës së sotme në QKUK.

    Sipas PK-së, viktima e dytë Z.G, femër, 48 vjeç, është qëlluar nga arma e zjarrit derisa ndodhej në automjet pranë shtëpisë së saj dhe se nuk ishte e pjesë e palëve të përfshira në rast.

    Në këtë rast, PK-ja ka bërë të ditur se katër persona kanë marrë lëndime nga arma e zjarrit (dy nga ta lëndime të rënda), ndërsa një person tjetër ka pësuar lëndime nga goditja e njërit prej automjeteve të përfshira në rast.

    Komunikata e plotë:

    Vriten dy persona në Prishtinë

    Mbrëmë rreth orës 21:15, policia ka marrë informatën për të shtëna me armë në rrugën Jeronim De Rada në Prishtinë.

    Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që konsistojnë në hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen.

    Në këtë rast katër persona kanë marrë lëndime nga arma e zjarrit (dy nga ta lëndime të rënda), ndërsa një person tjetër ka pësuar lëndime nga gotitja e njërit prej automjeteve të përfshira në rast.

    Si pasojë e plagëve nga arma e zjarrit njëri nga personat e plagosur :

    E. H,  mashkull, 30 vjeç, ka vdekur mbrëmë, ndërsa sot rreth orës 11:00 nga QKUK jemi njoftuar se edhe viktima e dytë Z.G, femër, 48 vjeç, ka vdekur.

    E ndjera është qëlluar nga arma e zjarrit derisa ndodhej në automjet pranë shtëpisë së saj ,nuk ishte e pjesë e palëve të përfshira në rast.

    Hetuesit policor në koordinim me prokurorinë, po ndërmarrin veprimet hetimore për ndriçimin e plotë të rastit dhe janë në kërkim të dy peronave të dyshuar të cilët tashmë janë identifikuar nga ana e policisë.

  • “Ka lëndime serioze dhe është e varur nga aparatura mjekësore”, Uka flet për gjendjen e 21-vjeçares që u godit nga treni

    “Ka lëndime serioze dhe është e varur nga aparatura mjekësore”, Uka flet për gjendjen e 21-vjeçares që u godit nga treni

    Shefi i Intensivës Qendrore në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Shaqir Uka, ka thënë se gjendja e 21-vjeçares që u godit të martën nga treni është stabile por që lëndimet i ka jashtëzakonisht të rënda.

    Uka ka thënë 21-vjeçarja vazhdon të jetë e fjetur me barna dhe e varur nga aparatura, ndërsa shtoi se pacientja ka lëndime në regjionin e kokës dhe të gjoksit.

    “Po gjendja e pacientes e cila ka marrë plagë nga lëndimi me goditje nga treni është sjellë për trajtim të mëtutjeshëm mjekësor për shkak të gjendjes shumë të rëndë dhe vazhdon të marrë tretmanin në Njësinë e Mjekimit Intenziv Qendror. Lëndimet e saj janë kryesisht në regjionin e kokës, në regjionin e gjoksit dhe në regjionin e qafës.Lëndimet janë mjaftë serioze, vazhdon të mbetët edhe më tutje e fjetur me barna dhe e varur nga aparatura mjekësore. Një gjendje prezantohet për momentin të jetë relativisht stabile, përkundër asaj që lëndimet janë jashtëzakonisht shumë të rënda. Po pacientja e cila është e lënduar nga goditja e trenit është e moshës 21 vjeçare”, ka thënë Uka për EO.

  • Tajlanda afër legalizimit të martesës ndërmjet personave të gjinisë së njëjtë

    Tajlanda afër legalizimit të martesës ndërmjet personave të gjinisë së njëjtë

    Tajlanda e ka bërë një hap më afër drejt barazisë martesore, pasi të mërkurën dhoma e ulët e Parlamentit e miratoi në lexim të dytë një projektligj për lejimin e martesës ndërmjet personave të gjinisë së njëjtë.

    Ky projektligjit duket të kalojë në Senat dhe ta marrë pëlqimin e mbretit, për t’u bërë ligj.

    Ai u mbështet nga të gjitha partitë e mëdha të Tajlandës, duke i marrë 400 vota nga 415 deputetë të pranishëm, dhe vetëm 10 kundër.

    “Ne e bëmë këtë për të gjithë popullin tajlandez, për ta zvogëluar pabarazinë në shoqëri dhe për të filluar të krijojmë barazi”, tha Danuphorn Punnakanta, kryetar i komisionit parlamentar, para se deputetët të votonin.

    “Dua t’ju bëj thirrje të gjithëve ta shkruani historinë”, shtoi ai.

    Kalimi i këtij projektligji shënon hap të rëndësishëm drejt vulosjes së qëndrimit të Tajlandës si njëra prej shoqërive më liberale aziatike për çështjet e homoseksualëve, lezbikëve, transgjinorëve dhe biseksualëve (LGBT), duke qenë e hapur për bashkëjetesë me vlerat tradicionale dhe konservatore budiste.

    Tajlanda për një kohë të gjatë ka qenë vend tërheqës për çiftet e gjinisë së njëjtë, falë një skene të gjallë shoqërore e komunitetit LGBT për vendësit dhe mërgimtarët, si dhe ka bërë fushata për t’i joshur vizitorët e komunitetit LGBT.

    Ky ligj mund të futet në fuqi brenda 120 ditëve pas miratimit mbretëror.

    Kështu, Tajlanda do të bëhej vendi u tretë në Azi, pas Tajvanit dhe Nepalit, që e legalizojnë martesën ndërmjet personave të gjinisë së njëjtë./REL/