ATV

Category: Lajme

  • Qeveria anulon vendimin për pronën private që ia dha “Trepçës”

    Qeveria anulon vendimin për pronën private që ia dha “Trepçës”

    PËRGATITI: ARMAND HOTI

    Në janar, me nënshkrim të kryeministrit, Qeveria e Kosovës ia dha njësisë veriore “Trepçës” për shfrytëzim, këtë tokë në Leposaviq, për nevoja të flotacionit.

    Mirëpo, mbrëmë ky vendim u anulua, meqë toka doli të mos jetë pronë e shtetit. 

    Parcela e cila thuhej se menaxhohej nga Agjencia Pyjore e Kosovës, ishte në pronësi private të një banori të komunitetit serb, për çka ATV-ja raportoi të hënën.

    Edhe pse në tokë të huaj, njësia veriore e ndërmarrjes që udhëhiqet nga serbët, eksploatoi material argjilor që aty.

    Madje, këtë e bëri jashtëligjshëm, pasi nuk u pajis me licencë nga Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale.

    KPMM-ja aktualisht është duke bërë hetime për përgatitjen e një raporti, të cilin do t’ia dorëzojëpolicisë.

    Të hënën, nga Agjencia Pyjore e Kosovës thanë për ATV-në, se prona që menaxhohet nga APK-ja është fqinje me parcelën, e cila me vendim të Qeverisë iu dha “Trepçës” në janar.

    Rasti për këtë pronë, sipas burimeve të ATV-së, po hetohet nga Policia e Kosovës./atvlive.tv/

     

     

     

     

     

  • Kalon afati në aktgjykim, ZRrE-ja ende s’ka vendosur për formën e kompensimit

    Kalon afati në aktgjykim, ZRrE-ja ende s’ka vendosur për formën e kompensimit

    PËRGATITI: FATLUM JASHARI

    E mërkura e 27 Marsit ishte afati i fundit për zbatim të vullnetshëm të aktgjykimit për kompensimin e konsumatorëve nga 34 komuna për dëmin e shkaktuar nga faturat e fryra të energjisë elektrike, si mbulesë për veriun.

    Aktgjykimi i vërtetuar nga Gjykata Kushtetuese, obligon Zyrën e Rregullatorit për Energji që të detyrojë KEDS-in që t’u kthejë konsumatorëve shumën shtesë të faturuar “në afat prej 15 ditësh nga momenti i pranimit të aktgjykimit, nën pasojat e ekzekutimit me detyrim”.

    Në ZRRE përsëritën se janë duke punuar për gjetjen e një forme të përshtatshme, dhe në pajtim me ligjin, për kompensimin në vlerë totale 40.8 milionë euro.

    Edhe pse e vlerëson vendim të drejtë, juristi Valdet Hoxha vlerëson se zbatimi mund të marrë më shumë kohë për shkak të ndërlikueshmërisë.

    “Por, një vendim i tillë është vështirë i implementueshëm, sepse ka specifika të veçanta dhe nuk dihet shuma e saktë e cila i është ngarkuar qytetarit, në këtë rast konsumatorëve shqiptarë. Por, besoj në vullnetin e mirë të ZRRE-së dhe KEDS-it për t’i kompensuar qytetarët. Në të kundërtën kam frikë se qytetarët do të detyrohen, që përmes padive individuale dhe angazhimit të ekspertëve financiarë t’i realizojnë të drejtat e tyre përmes gjykatës kompetente”, deklaroi avokati Valdet Hoxha.

    Ekspertë të sektorit energjisë kanë përmendur të paktën tri forma: kompensimin direkt në fatura; përshtatjen në tarifa; dhe, subvencionimin nga Qeveria.

    Nga Shkurti 2012 e deri në fund të Tetorit 2017, konsumatorët nga 34 komuna, përmes faturave të fryra të energjisë, paguan për qytetarët nga Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok. Kjo ndryshoi më 2017, kur barra i kishte kaluar KOSTT-it.

    Në një llogaritje jo-zyrtare, një konsumator i cili gjatë kësaj periudhe ka paguar mesatarisht 30 euro në muaj, mund të kompensohet në total rreth 70 euro./atvlive.tv/

  • Nga 160 çerdhe të premtuara nga Qeveria, u ndërtuan vetëm 4/ Komuna e Deçanit pa asnjë çerdhe publike

    Nga 160 çerdhe të premtuara nga Qeveria, u ndërtuan vetëm 4/ Komuna e Deçanit pa asnjë çerdhe publike

    PËRGATITI: KASTRIOT TAHIRI

    Në rrjete sociale, kryeministri i Kosovës Albin Kurti numëroi sukseset e qeverisë së tij, derisa shënoi 3 vjet në pushtet.

    Në vazhdën e sukseseve të arritura, kryeministri Kurti numëroi edhe ndërtimin, rinovimin dhe adoptimin e çerdheve duke rrumbullakuar numrin në 34. Por premtimin, që për çdo vit të qeverisjes të ndërtohen nga 40 çerdhe nuk ndodhi ngase që nga 2021-ta, u ndërtuan vetëm 4 nga 160 sa u tha.

    Njëra nga komunat që do ta kishte një çerdhe, nëse gjithçka do të shkonte, sipas planit, do të ishte komuna e Deçanit, e cila ende nuk e ka asnjë çerdhe publike.

    “Në komunën e Deçanit nuk e kemi asnjë çerdhe publike, edhe pse kemi bërë kërkesë për ndërtim të çerdheve ende s’kemi marrë asnjë përgjigje. E kemi dëgjua ministren që ka thanë që komunat nuk kanë qenë të gatshme, por ne komuna e Deçanit jemi kanë të gatshëm dhe të gjitha dokumentet i kemi përcjellë për në ministri, por ende s’kemi marrë asnjë përgjigje nga Ministria as pro e as kundër”, deklaroi Besnik Hulaj nga drejtoria e Arsimit në Deçan.

    Deklarimin e Ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci, se komunat janë fajtore për mosndërtimin e çerdheve, po e kundërshton nënkryetari i Asociacionit të Komunave.

    “Përgjegjësia duhet të bartet në komuna e jo të jetë nën përgjegjësinë e nivelit qendror. Nëse niveli qendror mendon që të bartë këtë përgjegjësinë në nivelin lokal, atëherë komunat do të jenë më të përgjegjshme, por derisa kjo mundësi ekziston vetëm në nivelin qendror nuk mund të fajësohet niveli lokal”, tha Sazan Ibrahimi, nënkryetar i Asociacionit të Komunave të Kosovës.

    Krejt ky mosrealizim i premtimeve për çerdhet po shihet me shqetësim edhe nga njohësit e arsimit.

    “Fusha e arsimit ka nevojë të madhe për investime që të përmirësohet gjendja, fatkeqësisht në bazë të parametrave qeverisja aktuale nuk ka përmbushë aspak premtimet. Premtimet, fjalët kanë qenë shumë të bukura, por jo punët sepse ka çaluar në realizimin e tyre, këto investime kanë qenë shumë të vogla më tepër kanë qenë sa për sy e faqe, Kryeministri mundohet që adaptimin e objekteve të vjetra mundohet me paraqitë si rezultat”, u përgjigj njohësi i arsimit, Argjend Osmani.

    Sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, nëntë komuna nuk kanë asnjë çerdhe publike, 18 prej tyre e kanë vetëm nga një, ndërsa 7 komuna kanë nga dy e më shumë.

    Sipas një raporti për Kosovën nga BE-ja, pjesëmarrja e fëmijëve në edukimin dhe kujdesin parashkollor mbetet e ulët, në 6,7% nën mesataren në rajon./atvlive.tv/

  • Mandl: Kosova duhet ta përmbushë obligimin për themelimin e Asociacionit por duke e gjetur mënyrën e duhur

    Mandl: Kosova duhet ta përmbushë obligimin për themelimin e Asociacionit por duke e gjetur mënyrën e duhur

    PËRGATITI: HARIS ADEMI

    Eurodeputeti austriak, Lukas Mandl, thotë se Kosovës i duhet ta përmbushë obligimin që ka marrë në dialog me Serbinë, për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe.

    Sipas tij, duhet të gjendet mënyra e duhur e zbatimit, sipas kornizave kushtetuese të Republikës.

    “Ka shumë marrëveshje dhe ka disa obligime që pala serbe nuk i ka përmbushur në të kaluarën, dhe i ka shtyrë sërish, dhe janë po ashtu obligime për palën kosovare. Kosova ka përmbushur shumë obligime në të kaluarën, dhe kemi në pyetje Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Nuk është në pyetje se si duhet të implementohet ky asociacion, pasi ka marrëveshje për këtë, pyetja është si do të implementohet. Unë vetëm mund të kërkoj propozime të mira si të zbatohet, sepse do të duhet të bëhet, dhe duhet të bëhet pa probleme dhe në asnjë mënyrë të vërë në pikëpyetje, apo në dyshim shtetësinë e Republikës së Kosovës”, deklaroi Mandl.

    Politikani i njohur si mik i Kosovës, po qëndron në Prishtinë, për shkak të punimeve të Komisionit parlamentar për stabilizim-asociim BE-Kosovë.

    Nga këtu, thotë se BE duhet t’i heqë sa më shpejt masat e vendosura ndaj Kosovës, të cilat i quan shaka të keqe dhe absurde. Ai shton se çështja e masave nuk duhet të përzihet me themelimin e Asociacionit.

    “Masat padyshim që nuk janë zgjidhja e duhur dhe shpresoj që do të hiqen së shpejti. Po ashtu, ky është qëndrimi i shumicës së Parlamentit Evropian”, shtoi tutje eurodeputeti Mandl.

    Për më tepër, i bën thirrje BE-së ta përshpejtojë aplikimin e Kosovës për anëtarësim, të paktën deri te zyrtarizimi si vend kandidat.

    “Ka një rrugë të gjatë përpara, sikurse për të gjithë kandidatët tjerë, por Kosova ende nuk është zyrtarisht vend kandidat, kështu që është mirë të ecet përpara. Kjo është ajo që e rekomandoj për institucionet e tjera të Bashkimit Evropian”, tha Mandl.

    Aplikimin për anëtarësim në Union, Kosova e ka dorëzuar në dhjetor të 2022-ës, në të njëjtin vit me Ukrainën. Mandl thotë se me të drejtë, shumica po flet për vendin që është në luftë me Rusinë, mirëpo nuk duhet të lihet anash as shteti i vogël ballkanik./atvlive.tv/

     

  • Mirëpritet mbështetja financiare e Kosovës për Luginën e Preshevës

    Mirëpritet mbështetja financiare e Kosovës për Luginën e Preshevës

    PËRGATITI: ARIAN HAJDARAJ

    Ulja e buxhetit të shtetit serb për komunat e banuara me shumicë shqiptare në Luginë, nxiti Qeverinë e Kosovës që të martën mbrëma t’i ndajë 30.000 mijë euro për Këshillin Kombëtar Shqiptar. Mbështetja financiare konsiderohet si fillim i ekzekutimit të buxhetit 3–milionësh të ndarë nga qeveria për këtë rajon.

    Megjithatë, politikanë nga Lugina kanë kritika për shpenzimin e mjeteve që ndahen nga Qeveria.

    Sipas Kushtrim Kadriut nga Partia Vatra, Qeveria e Kosovës duhet të angazhohet për unifikim të shqiptarëve.

    Sipas regjistrimit të popullsisë në vitin 2022, në Serbi jetojnë 61.687 shqiptarë. 41 mijë prej tyre me vendbanim në Bujanoc./atvlive.tv/

  • Policia i shpall në kërkim dy të dyshuarit për vrasjen e mbrëmshme në Prishtinë

    Policia i shpall në kërkim dy të dyshuarit për vrasjen e mbrëmshme në Prishtinë

    Policia e Kosovës ka kërkuar ndihmën e qytetarëve për identifikimin dhe arrestimin e dy të dyshuarve për vrasjen e rëndë që ka ndodhë mbrëmë, në rrugën ‘Jeronim de Rada’, në Prishtinë.

    Në faqen zyrtare në Facebook, Policia ka publikuar foto të të dyshuarve, derisa tashmë ka lëshuar kërkesë për bashkëpunim për kapjen e tyre.

    Ndryshe, mbrëmë si pasojë e të shtënave i riu Egzon Haziri ka mbetur i vrarë mbrëmë si pasojë e të shtënave me armë zjarri në rrugën ‘Jeronim De Rada’, ndërsa u plagosë edhe një kalimtare e rastit Zejnie Gashi, 48-vjeçare, e cila u dërgua me urgjencë në spital për tretman mjekësor, por vdiq sot.

    Dy të dyshuarit, vëllezërit Naim dhe Ahmet Berisha janë arratisur nga vendi i ngjarjes dhe tashmë janë shpallur në kërkim nga Policia.

  • Miratohet raporti, Kosova një hap para drejt anëtarësimit në Këshill të Evropës

    Miratohet raporti, Kosova një hap para drejt anëtarësimit në Këshill të Evropës

    Komisioni për Politikë dhe Demokraci i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës ka miratuar raportin (draft-opnionin) e Dora Bakoyannis.

    Raporti u miratua me 31 vota për, 4 kundër dhe një abstenim.

    Raporti i ish ministres së Punëve të Jashtme të Greqisë, aktualisht raportuese për Komisionin e Çështjeve Politike të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës thotë që Asambleja i rekomandon Komitetit të Ministrave që ta ftojnë Kosovën që të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës.

    Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti në një postim në Facebook ka bërë të ditur se Kosova e ka kaluar suksesshëm votimin në Komitetin e Asamblesë Parlamentare të KiE.

    “Sapo është miratuar opinioni i raportueses Bakoyannis në Komitetin për Çështje Politike dhe Demokraci të Këshillit të Evropës. Ky opinion rekomandon anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës pa asnjë parakusht shtesë. Asnjë nga zotimet që duhet t’i marrë përsipër Kosova nuk kërkohet të realizohen para anëtarësimit. Madje në pikën 11 thuhet qartë se zotimi duhet të adresohet pas anëtarësimit”, ka shkruar Ahmeti.

    Ai shtoi se të gjitha propozimet që të vendosen parakushte të reja janë refuzuar nga shumica e anëtarëve të Komitetit, gjë që tregon se Kosova duhet të bëhet anëtare në maj të këtij viti dhe parakushtet e reja do të ishin të padrejta.

    “Për më tepër, opinioni kërkon largimin e fusnotës nga denominimi i Kosovës, fusnotë e cila është përdorur që nga viti 2008 në çdo raport dhe komunikim mbi dhe me Kosovën. Gjithashtu, rekomandohet që Kosova të ftohet si shtet (state), sipas nenit 4 të Statutit të KiE, dhe jo si vend (country), sipas nenit 5. Suksesi i sotëm hapë rrugën për votimin e opinionit në sesionin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, i cili do të mbahet në Strasburg në javën e 15 prillit. Pas votimit të suksesshëm aty, opinioni do t’i dërgohet Komitetit të Ministrave të cilët duhet të votojnë për anëtarësimin e Kosovës në ministerialin e radhës që do të mbahet në maj të këtij viti”, ka shkruar Ahmeti.

    Ahmeti ka theksuar se anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës do të ketë ndikim të jashtëzakonshëm në promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të të gjitha komuniteteve të vendit.

    Pas miratimit në Komision, draft opinioni duhet të diskutohet dhe miratohet nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës që pritet të mbahet në prill.

  • Hamza premton ndaljen e migrimit dhe rritje të punësimit

    Hamza premton ndaljen e migrimit dhe rritje të punësimit

    Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryeministër, Bedri Hamza, ka deklaruar se përkrahja e tij për këtë post do të jetë nga të gjitha profilet. Ai tha se premtimet do të mundohet t’i realizojë, raporton Ekonomia Online.

    Hamza tha se do të punojë që ta ndalë migrimin e qytetarëve, duke premtuar më shumë vende pune e jetesë më të mirë në Kosovë.

    “Shëndetësia përkrahja me furnizim me barna personel, shërbyes civil, ushtarë të ushtrisë, zjarrfikësit dhe të gjithë ata që fitojnë nga buxheti besoj fort se kandidaturën time do ta përkrahin. Sigurisht se e din të gjithë që këto kategori qe i përmenda i realizoj e kalkuloj saktë, nganjëherë duket e madhe por e realizoj”, tha Hamza.

    “Institucionet do e kryejnë punën e tyre, sektori i sigurisë do të ketë përkrahjen dhe trajtim të veçantë deri këtu Kosova ka arrit me përkrahjen e ShBA-së dhe BE-së dhe shumë vende tjera mike nga e gjithë bota dhe ne do t’i thellojmë këto bashkëpunime në baza ditore. Kosovës i duhet paqja, stabilitetit dhe njerëzit në Kosovë do të jenë të punësuar, nuk do ta kenë opsion migrimin por jetesën në Kosovë. Programi do jetë i matshëm dhe konkret me një ekip profesional dhe punë ekipore që garanton sukses. Në këtë punë do përfaqësoj interesat e qytetarëve dhe mediat do jenë të respektuara e do ta kenë vendin e vetë. Do ia dalim synimit që e kemi”, shtoi tutje ai.

  • Memli Krasniqi propozon Bedri Hamzën kandidat të PDK-së për kryeministër: Do t’i japim Kosovës drejtim të ri

    Memli Krasniqi propozon Bedri Hamzën kandidat të PDK-së për kryeministër: Do t’i japim Kosovës drejtim të ri

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka njoftuar se Bedri Hamza do të jetë kandidat i PDK-së për kryeministër të Republikës së Kosovës.

    Kryetari Krasniqi, në një konferencë për media, tha se Hamza është njeriu i duhur për këtë pozitë dhe për kohën në të cilën po kalon Kosova, andaj edhe i ka kërkuar që të marrë këtë përgjegjësi.

    “Unë, sot jam krenar dhe shumë i lumtur që ta prezantoj para jush Bedri Hamzën, kandidatin tonë për Kryeministër të Republikës së Kosovës. Njeriu që do ta ringjallë ekonominë tonë, njeriun që do ta udhëheqë ekipin më të denjë për ta rikthyer Kosovën në rrugën e zhvillimit dhe integrimit. Bedriu është i dëshmuar, është i provuar, është i përkushtuar dhe i gatshëm. Bedri Hamza është njeriu i duhur për këtë detyrë. Arritjet e tij në të kaluarën si Ministër i Financave, si Guvernator i Bankës Qendrore të Kosovë, por edhe të arriturat e tanishme si Kryetar i Mitrovicës, flasin më së miri për punën e tij. Në secilën detyrë publike, Bedriu ka shkëlqyer dhe ka lënë prapa rezultatet të mëdha. Ai ka dëshmuar se gjithmonë i ka shërbyer të mirës së përbashkët dhe është siguruar që askush të mos mbetet prapa”, tha ai.

    Duke kërkuar që zgjedhjet e reja të mbahen sa më parë, sepse është dëshmuar se çdo ditë e Qeverisë Kurti në pushtet është ditë e humbur për Kosovën, Krasniqi tha se modelit aktual të udhëheqjes nga një njeri, PDK do t’i vë përballë modelin e udhëheqjes nga një ekip.

    “Ekonomia dhe mirëqenia e qytetarëve është dështimi më i madh i kësaj qeverie dhe gjendja po përkeqësohet dita-ditës. Megjithatë, të dashur bashkëqytetarë, sot nuk është koha për dëshpërim apo dorëzim. Është koha për veprim, për bashkim dhe për vendosmëri të palëkundur për të mundësuar ringjalljen e Kosovës, rikthimin e besimit dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve tanë. Në këtë fushë do të jetë edhe beteja për qeverinë e re. Për ta ndaluar rënien e mëtejme dhe për të sjellë prosperitet për të gjithë, pa dallim”, shtoi ai.

    Kryetari Krasniqi tha se një detyrë e tillë artë kërkon qëndrueshmëri, përkushtim, transparencë, drejtësi, por mbi të gjitha përvojë dhe kompetencë.

    “Kjo detyrë kërkon në ballë një shërbyes publik të dëshmuar, me përvojë, dhe të përkushtuar për të rikthyer Kosovën në binarët e zhvillimit. Një udhëheqës që kurrë nuk është lëkundur në besnikërinë dhe angazhimin e tij ndaj shtetit tonë. Një lider që u ofron qytetarëve para-shikueshmëri dhe siguri. Dhe Kosova e ka një personalitet të tillë”, potencoi ai.

    Krasniqi tha se ky vendim nuk nënkupton se ai si Kryetar i partisë po e shmang një përgjegjësi, por sot Kosova është në udhëkryq mbi të gjitha për shkak të ekonomisë së rënduar e të stagnuar, theksoi se pesha e vendimeve tona definon fatin e saj.

    “Gjithmonë e kam parë veten si një lider politik i cili mundëson frymën e bashkëpunimit dhe suksesit, pa konsideruar ambicien personale si prioritet. Sepse, sot nuk është koha e ambicieve personale. Sot nuk është koha e protagonizmave liderist. Sot është koha për të mbledhur në një vend të gjitha potencialet e vendit tonë, për t’i dhënë Kosovës një qeveri të re, kompetente, vizionare dhe që mendon për secilin qytetar. Një qeveri që udhëheqë me modesti e pa arrogancë, me frymë ekipore e gjithëpërfshirëse. Kjo është mënyra se si unë e perceptojmë shërbimin publik. Ne jemi këtu për të shërbyer, jo për të na shërbyer. Dhe në këtë drejtim, do të bashkëpunojmë me të gjithë ata që dëshirojnë t’i japin Kosovës një drejtim të ri. Unë dhe PDK jemi të përkushtuar për këtë qëllim. Kjo është arsyeja pse sot e shpalli Bedri Hamzën si kandidatin tonë për kryeministër të ardhshëm të Kosovës. Përtej PDK-së, Bedriu na bashkon të gjithëve. Dhe Bedriu do të punojë për të gjithë. Unë dhe të gjithë ne në PDK, e jam i bindur se edhe shumë qytetarë, përtej dallimeve politike, do të punojmë shumë për t’u siguruar se Bedri Hamza do të jetë Kryeministri i ardhshëm i Kosovës”, theksoi kryetari Krasniqi.

  • Grabitet një këmbimore në Ferizaj, Policia jep detaje

    Grabitet një këmbimore në Ferizaj, Policia jep detaje

    Një person i maskuar nën kërcënimin e armës së zjarrit ka grabitur një shumë të parave në një këmbimore në rrugën “Sali Qeku”, në Ferizaj dhe se i njëjti është larguar në drejtim të panjohur.

    Rastin e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për këtë rajon, Kanun Veseli, i cili tha se në momentin e grabitjes ka qenë duke punuar një punëtor i moshës 30-vjeçar dhe nuk raportohet për lëndime.

    Tutje, ai shtoi se Policia ka ndërmarrë masat e nevojshme të hetimit për identifikimin dhe kapjen e të dyshuarit.

    “Me datën 27.03.2024 rreth orës 12:20 kemi pranuar një informacion se në një këmbimore, e cila gjendet ne rrugën” Sali Qeku” në Ferizaj, dyshohet se një person i maskuar dhe nën kërcënimin e armës së zjarrit ( pistolet) arrinë të marrë (grabitë)një shumë të caktuar të parave dhe të largohet në drejtim të panjohur. Menjëherë ekipe të policisë, policë të rendit, hetues të stacionit, si dhe hetuesit dhe krimteknikët rajonal kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe janë marrë masat e nevojshme të hetimit për identifikimin dhe kapjen e të dyshuarit e kësaj ngjarje. Për të gjitha këto veprime është njoftuar edhe prokurori kujdestar nga Prokuroria Themelore në Ferizaj. Në momentin e grabitjes ka qenë duke punuar një punëtor, i moshës 30 vjeçar dhe nuk raportohet për lëndime. Për informata tjera do të njoftoheni me kohë”, ka deklaruar ai.