ATV

Category: Lajme

  • Lulzim Hetemi i Leposavicit, i gatshëm ta përfundojë mandatin

    Lulzim Hetemi i Leposavicit, i gatshëm ta përfundojë mandatin

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Në këtë mënyrë, kryetari i Leposaviqit hyri në zyrë me 26 maj të vitit të kaluar, një ditë pasi u betua për këtë pozitë, në fshatin e tij, Bistricë.

    Në përcjellje të njësive elite të Policisë, Lulzim Hetemi u kthye përsëri në objektin komunal më 29 maj, për të mos dalë më nga aty për rreth 7 muaj.

    Ky ishte i vetmi nga kryetarët veriorë që mund t’i shihte nga dritarja protestuesit serbë, pasi dy homologët e tij nga Zubin Potoku e Zveçani, Izmir Zeqiri dhe Ilir Peci, kishin zgjedhur të punon nga zyra alternative.

    Që të vepronte edhe ky njësoj, Hetemi thotë se u përball me presion ndërkombëtar për ta liruar zyrën.

    “Vështirësitë kanë qenë të mëdha. Ju e dini se unë kam qëndruar i ngujuar rreth 7 muaj edhe ju kam thënë edhe evropianeve edhe amerikaneve që do të vijë një ditë kur komuna do të hapet dhe do të jetë funksionale. Ata nuk kanë besuar por ja kur po flasim komuna eshte duke funksionu mirë të gjitha zyrat janë të hapura dhe jepen shërbime për qytetarë”, tha Hetemi.

    Kryetari shqiptar i Leposaviqit beson që votimi për shkarkimin ose jo që mbahet të dielën do të dështojë. Ky beson se puna e tij ka nisur t’i pëlqejë edhe shumicës serbe në komunën më veriore të vendit.

    “Lista Serbe e ka humb kontrollin mbi veriun dhe e ka humb kontrollin edhe ne Leposaviq. Ne kemi punësuar këtu diku te ri e te reja te komunitetit serb dhe janë diku rreth 300 veta te punësuar. I kemi mbi 5000 aplikacione qe jemi duke i shqyrtuar për ndihma ne shëndetësi, bujqësi e gjera te tjera, andaj nuk besoj qe ka me kalu”, tha Hetemi.

    Qytetarët serbë në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok ndonëse nuk i pranojnë kryetarët shqiptarë, ka shumë mundësi që të dielën, të mos votojnë për largimin e tyre. Kjo, pasi Lista Serbe i ftoi për bojkot.

    Nëse votimi më 21 prill nuk rezulton i suksesshëm, procesi i ri nuk mund të organizohet pa kaluar 1 vit.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Publikohen qendrat alternative të votimit në komunat veriore

    Publikohen qendrat alternative të votimit në komunat veriore

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Ky objekt që u mor nën kontroll nga Agjencia Kosovare e Privatizimit në fshatin Banjskë të Zveçanit pas sulmit të 24 shtatorit, për herë të parë do të shfrytëzohet si qendër alternative e vendvotimit në këtë Komunë, meqë shkollat nuk u vunë në dispozicion për votimin e së dielës.

    E për shkak të mos lirimit të hapësirave shkollore nga serbët në komunat veriore, edhe komunat e tjera do të përdorin objekte tjera, më 21 prill, kur vendoset për shkarkim apo jo të kryetërave shqiptarë të veriut.

    Por për dallim nga zgjedhjet e 23 prill të vitit të kaluar, ku qendra të vendvotimit u bënë disa kontejnerë, kësaj radhe objektet janë me kushte më të mira.

    Nga 5 qendra të vendvotimit, në Mitrovicën e Veriut, dy prej tyre janë objekte alternative në të cilat qytetarët do të shkojnë për votim.

    Votueseve të Shkollës “Sveti Sava” do t’iu mundësohet ta ushtrojnë të drejtën e tyre në kolegjin privat IBCM.

    Leposaviqi, nga 8 qendra të votimit, 4 prej tyre janë alternative, ndërkaq Zubin Potoku qendër të reja të votimit janë Mala Jabuka dhe tek Ura e Bubës.

    Për mbajtjen e këtji procesi gjithçka është gati, por sipas kryesuesit të kuvendit komunal në Mitrovicën e Veriut, Nexhat Ugljanin, ka rrezik që numri i votuesve do të jetë shumë i ulët.

    Për asamblistin nga “Iniciativa Qytetare Mitrovicës”, Betim Osmani, serbët do ta bojkotojnë këtë votim meqë e dinë së nuk i kanë numrat e mjaftueshëm.
    Në katër komunat veriore të drejtë votë kanë 46 mijë e 556 votues.

    Për tu shkarkuar kryetari i Leposaviqit duhen 6 mijë e 837 vota, në komunën e Mitrovicës së Veriut duhen 9 mijë e 279 vota, Zveçan duhen 3 mijë e 605 vota, ndërkaq në Zubin Potok duhen 3 mijë 439 vota.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Pahor konfirmon ambicien për ndërmjetësim të dialogut

    Pahor konfirmon ambicien për ndërmjetësim të dialogut

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Borut Pahor ia ka vënë syrin kësaj karrige, ku tash ulet Miroslav Lajcak.

    Ish-presidenti i Sllovenisë synon të emërohet ndërmjetësues në dialogun Kosovë-Serbi, pasi Lajcak do ta lirojë këtë pozitë më 31 gusht. Pahor vlerëson se ka ngecje në dialog, por tani për tani nuk tregon çfarë planesh ka.

    “Dialogu është në ngërç, ka mungesë besimi dhe ne duhet të gjejmë një mënyrë për të ecur përpara me besim më të madh”, ka thënë Pahor.

    Lehtësuesi aktual i BE-së në këtë proce, Lajcak, tha fjalë të mira për Pahorin, si pasardhës i mundshëm i tij.

    “Me Pahorin jemi takuar dhe kemi diskutuar për situatën në Ballkanin Perëndimor në disa raste, e di se ai është shumë i interesuar në rajon dhe ka njohuri për rajonin. Sigurisht se ky është një faktor i rëndësishëm”, ka thënë Lajcak.

    Ardhja potenciale e sllovenit në postin e lehtësuesit po mirëpritet nga ish-ambasadori i Kosovës në Slloveni, Avni Kastrati.

    “Mendoj qe kishte me qenë zgjidhja më e mirë e mundshme për momentin. Ketë po e them për arsye se kam pasur shumë biseda me zotin Borut Pahor është shume i sinqertë shume dashamires i Kosovës dhe një element tjetër është se shteti slloven është pro Kosovës dhe sigurisht e ka ma lehte ai me veprua”, tha Kastrati.

    Pahor njihet edhe si mik i shtetit të Kosovës. Kur e vizitoi Prishtinën si president, në shtator të 2022-ës, homologia e tij, Vjosa Osmani, ia kërkoi ndihmën e Lublanës për rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në BE dhe NATO.

    Gjatë kësaj vizite, Pahor e kishte përmendur çështjen e themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, për çka kishte kërkuar zgjidhje për marrëveshjen e arritur në Bruksel.

    Kastrati thotë se mënyra e punës së ish-presidentit slloven i përshtatet edhe vetë Josep Borrelit, përfaqësuesit të Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri.

    Ish-ambasadori beson se procesi i dialogut nën udhëheqjen e Pahorit do të jetë më dinamik, meqë sipas tij, Miroslav Lajçak shpesh nuk ishte në krye të detyrës. Megjithatë, Kastrati nuk pret marrëveshje finale se shpejti.

    “Zotëri Lajçak e ka pasur një problem që ka ardhur prej një shteti i cili nuk na njeh dhe ai sigurisht ka pasur për obligim me u sjell në kornizat e kërkesës së shtetit të vet pavarësisht qe ka përfaqësuar Bashkimin Evropian kurse Pahori do te ishte në një pozitë krejt tjetër dhe besoj se procesi i dialogut do të jetë më dinamik. Por varet prej palëve nëse dëshirojnë marrëveshje ose jo.. sepse kam bindje qe nuk dëshirojnë”, tha Kastrati.

    Borut Pahor, tani 60 vjeçar, ishte President i Sllovenisë nga viti 2012 deri në vitin 2022, pasi shërbeu si Kryeministër nga 2008 deri më 2012. Kurse paraprakisht, për katër vjet, ishte anëtar në Parlamenti Evropian.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Babai ushtronte dhunë ndaj nënës, djali nga Istogu e denoncon rastin në Polici

    Babai ushtronte dhunë ndaj nënës, djali nga Istogu e denoncon rastin në Polici

    Një person nga Banja e Istogut ka bërë një gjest të rrallë.

    Ai ka denoncuar në Polici babain e tij. Sipas djalit, i ati kishte ushtruar dhunë psikologjike në nënën e tij.

    Në media është raportuar se pas intervenimit të Policisë në shtëpinë e çiftit është gjetur edhe një armë.

    I dyshuari është shoqëruar në stacion policor, ku ka dhënë deklaratën e tij lidhur me atë që kishte ndodhur, ndërsa arma dhe municioni janë sekuestruar.

    Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor nën dyshimin për veprën penale “Dhunë në familje”.

  • Abazoviq: Serbia të mos merret me anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, të ecë përpara

    Abazoviq: Serbia të mos merret me anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, të ecë përpara

    Ish-kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, konsideron se vendet e rajonit duhet të përpiqen të arrijnë një marrëveshje, duke qenë se siç thotë ai, i kanë shteruar të gjitha resurset e tjera dhe se pa rezultate.

    Ai tha se Serbia duhet të pranojë çështjen e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, t’i japë fund atij procesit të kundërshtimit.

    Duke komentuar mundësinë e anëtarësimit të Kosovës në KiE, Abazoviq tha se “votimi kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës nuk do të ishte i mundur nën mandatin e tij”.

    “Dhe tani do të flasim përsëri për Këshillin e Evropës, do të flasim përsëri për disa rezoluta të tjera e kështu me radhë. Derisa t’i japim fund disa gjërave, ne do të vazhdojmë ta përsërisim këtë pas pesë vjetësh dhe pas dhjetë. Ko është këshilla më miqësore dhe më vëllazërore, t’u jepet fund këtyre çështjeve dhe të vazhdohet më tutje”, tha Abazoviq.

  • Kurti vazhdon ta mbajë banesën 67 metërshe, deklaron 1.551 euro në bankë e kredinë deri në 2052-në

    Kurti vazhdon ta mbajë banesën 67 metërshe, deklaron 1.551 euro në bankë e kredinë deri në 2052-në

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka deklaruar pasurinë e tij në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit.

    Kreu i qeverisë ka deklaruar se pasuri të paluajtshme e ka vetëm një banesë me sipërfaqe prej 67 metrash katrorë, e blerë në vitin 2018 përmes kredisë në shumë prej 400 mijë euro, e që e cila figuron në emrin e bashkëshortes së tij.

    Kurti nuk ka deklaruar se ka pasuri të luajtshme, ndërsa ka thënë se para të gatshme në emrin e tij i ka vetëm 1 mijë e 551 euro e 72 cent, ndërsa në emër të gruas së tij, para të gatshme në bankë i ka deklaruar 2 mijë e 500 euro.

    Ai tha se ka detyrime ndaj bankës 270 mijë euro për blerjen e banesës, kredi për të cilën tha se i përfundon më 1 janar të vitit 2052, ndërsa ka thënë se paguan edhe qira të shtëpisë në vlerë prej 250 euro.

    Kurse sa i përket të ardhurave, Kurti ka thënë se ai merr pagë vjetore si kryeministër në vlerë prej 19 mijë e 43 euro, kurse gruaja e tij, tha se pagën vjetore te punëdhënësi “NUPI”, i merr 528 mijë krona suedeze apo 45 mijë e 201.8 euro.

  • Siguria në Kosovë mes trazirave globale

    Siguria në Kosovë mes trazirave globale

    Në një realitet të mbushur me sfida të forta dhe të shumëfishta të sigurisë, udhëheqja e Kosovës do të bënte mirë që t’i mirëmbante partneritetet dhe t’i forconte lidhjet me rëndësi strategjike, sidomos me Shtetet e Bashkuara dhe vendet e NATO-s, thotë eksperti i sigurisë, Adrian Shtuni.

    “Siç u pa në rastin e Izraelit, partneritetet dhe koalicionet janë jetike për mbrojtjen e vendit”, thotë studiuesi i radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, me bazë në Uashington.

    Duke folur për Radion Evropa e Lirë, Shtuni i referohet kështu përgjigjes që i dha Izraeli bashkë me aleatët e tij sulmit të Iranit me raketa dhe dronë, natën mes 13 dhe 14 prillit.

    Shtuni thotë se ky konfrontimi “i paprecedentë” e bëri situatën në Lindje të Mesme edhe “më të paparashikueshme” dhe nuk e përjashton mundësinë që ajo, në një mënyrë ose tjetër, të ketë implikime edhe në Ballkanin Perëndimor.

    “Rajoni është duke kaluar një situatë të trazuar. Ka polarizim politik shoqëror. Ka pasur edhe sulme të drejtpërdrejta, që kanë përfshirë armatime të nivelit ushtarak”, thotë Shtuni, duke përmendur rastin e Banjskës.

    Në këtë fshat në veri të Kosovës, shtatorin e kaluar, grupe të armatosura serbësh sulmuan policinë e Kosovës, duke vrarë një polic.

    Kosova fajësoi aparatin shtetëror të Serbisë për këtë sulm. Edhe SHBA-ja tha se po i heton lidhjet e shtetit serb me të.

    Derisa Serbia u distancua, përgjegjësinë e mori ish-politikani serb nga Kosova, Millan Radoiçiq, i cili është ende i lirë dhe ka dyshime se gjendet në Serbi.

    “Për sa kohë që autoritetet serbe – të cilat i kanë në territorin e tyre të gjithë eksponentët që morën pjesë në atë sulm – nuk veprojnë, jo vetëm për t’i arrestuar dorasit, por edhe për t’i vënë para përgjegjësisë planifikuesit dhe financuesit e sulmit, ekziston rreziku që personat e njëjtë t’i kryejnë aktet e njëjta”, thotë Shtuni.

    Për më tepër, shton ai, “mund të ketë edhe individë, që nuk kanë qenë të përfshirë në sulmin e Banjskës, e që, nëse nuk ndodh ndëshkimi apo vënia para përgjegjësisë, mund ta marrin mesazhin se ‘është në rregull ta bësh të njëjtën gjë’”.

    Shtuni thotë se “ka vend për shtim të vigjilencës nga bashkësia ndërkombëtare”, por edhe “për mirëmbajtje dhe forcim të partneritetit dhe aleancave të rëndësishme” të Kosovës, sidomos me Shtetet e Bashkuara dhe NATO-n.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, prej kohësh, përsërit se Serbia paraqet kërcënim për sigurinë e Kosovës. Një sondazh i publikuar këtë javë nga Instituti Ndërkombëtar Republikan në SHBA, nxori në pah se për gjysmën e qytetarëve të Ballkanit, “rreziku më i madh është Serbia”.

    Por, mes Kurtit dhe aleatëve ndërkombëtarë kishte disa mospajtime së voni – sidomos për çështjen e përdorimit të dinarit në Kosovë – të cilat çuan në disa paralajmërime se Kurti po vë në rrezik marrëdhëmiet me aleatët, edhe pse ai këmbënguli në të kundërtën.

    Pas sulmit të Iranit në Izrael, Kurti mblodhi Këshillin e Sigurisë së Kosovës në takim, ku, siç tha, u diskutuan edhe implikimet e mundshme të zhvillimeve në Lindjen e Mesme në paqen dhe sigurinë globale dhe rajonale.

    Zyra e Kurtit tha se dronët që i përdori Irani kundër Izraelit, i posedon edhe Serbia, ndonëse Ministria e Mbrojtjes e Serbisë mohoi se ka dronë Shahed në një prononcim për Radion Evropa e Lirë.

    Por, për rrezikun e një konflikti të gjerë rajonal, me implikime ndoshta edhe globale, tërheq vërejtjen edhe Alex Vatanka, drejtor i Programit për Iranin në Institutin e Lindjes së Mesme.

    “Po arrijmë në një pikë, ku po hiqen dorezat”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

    “Është një konflikt mes shtetesh – Iranit dhe Izraelit – dhe kjo nënkupton një epokë të re”, shton Vatanka.

    Tensionet mes Izraelit dhe Iranit janë të larta prej vitesh dhe të përshkuara shpesh me një luftë në hije – qoftë nëpërmjet ajrit, detit, tokës apo sulmeve kibernetike.

    Ato u përshkallëzuan pas shpërthimit të luftës në Gazë, tetorin e kaluar. Izraeli nisi një fushatë të ashpër bombardimesh atje, pasi Hamasi – grup i shpallur terrorist nga SHBA-ja dhe fuqi të tjera, i cili kontrollon Gazën – sulmoi i pari Izraelin.

    Grupet militante, si Hezbollahu dhe Huthi, të mbështetura nga Irani, sulmojnë vazhdimisht territorin izraelit, kurse Izraeli kryen atentate kundër figurave iraniane në rajon.

    Vatanka thotë se një luftë e plotë konvencionale do të ishte shkatërruese për të dyja palët dhe shumë destabilizuese për botën.

    Derisa Forca e Mbrojtjes e Izraelit renditet në mesin e ushtrive më të fuqishme në botë, Vatanka thotë se Irani ka “ka arsenalin më të madh në Lindjen e Mesme me dronë e raketa”.

    “Ekzistojnë, po ashtu, mijëra e mijëra milici pro-iraniane në vende si: Siria, Libani dhe gjetiu në rajon. Pra, Irani nuk është me duar bosh”, thotë Vatanka.

    Ndikimi i këtij konfrontimi në vendet e largëta, sipas tij, tash për tash mund të jetë më shumë ekonomik, apo nga bllokimi i anijeve në Detin e Kuq.

    Prej muajsh, rebelët Huthi pengojnë transportin detar në Kanalin e Suezit, që është rruga më e shpejtë detare midis Azisë dhe Evropës dhe përmes së cilës kalon rreth 15 për qind e tregtisë detare globale.

    Radio Evropa e Lirë ka raportuar në janar se kjo krizë ka pasur ndikim edhe në Kosovë, duke i rritur çmimet e disa produkteve.

    Shtuni thotë se në një situatë të tillë, është me rëndësi që kapacitetet mbrojtëse brenda Kosovës, të shtohen.

    “Shqetësimi vjen kur sheh që disa qarqe të caktuara brenda disa vendeve, kanë tendenca të përfitojnë nga situatat e tilla të sigurisë në botë, për të ndërmarrë veprime destabilizuese”, thotë Shtuni, duke marrë Serbinë si shembull.

    Për sigurinë në Kosovë, krahas institucioneve vendore, kujdeset edhe misioni paqeruajtës i NATO-s, KFOR.

    Javën e kaluar, komandanti suprem i NATO-s për Evropën, gjenerali Christopher Cavoli, fajësoi Rusinë për nxitje të tensioneve ndëretnike në Ballkan dhe tha se Serbia dyshohet se është e përfshirë në këto operacione ndikimi.

    Ai tha se ka autorizuar dërgimin e më shumë trupave të NATO-s në Kosovë, por edhe në Bosnje e Hercegovinë.

    Këtë javë, Komisioni për Çështje të Jashtme i Senatit amerikan miratoi një projektligj, që synon angazhim më të shtuar të SHBA-së në Ballkanin Perëndimor, ndërkohë që kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve në SHBA, Mike Johnson, duke folur në mbështetje të ndihmës për Ukrainën, tha se nëse Putin lejohet, ai “mund të shkojë edhe në Ballkan”.

    Shtuni thekson edhe rëndësinë e një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, teksa thotë se “vëmendja dhe kapacitetet e vendeve kryesore që garantojnë sigurinë, vihet nën presion kur ka aq shumë vatra zjarri për t’u shuar nga një numër i limituar zjarrfikësish”.

  • Ministrja Rizvanolli ka 195 mijë euro para të gatshme në bankë dhe një veturë në vlerë 16 mijë euro

    Ministrja Rizvanolli ka 195 mijë euro para të gatshme në bankë dhe një veturë në vlerë 16 mijë euro

    Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e ka deklaruar pasurinë e saj në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit.

    Rizvanolli ka deklaruar 195 mijë euro para të gatshme të ruajtura në banka.

    Ndërsa në emër të bashkëshortit ka deklaruar mbi 13 mijë euro para të gatshme.

    Rizvanolli ka ndeklaruar se posedon banesë në vlerë 66 mijë euro.

    Ajo nuk ka deklaruar veturë në emër personal, kurse ka deklaruar se bashkëshorti i saj ka një veturë të tipit Renault në vlerë 16 mijë euro.

  • Ambasada amerikane bën thirrje: Dhuna në familje është krim, mos duroni

    Ambasada amerikane bën thirrje: Dhuna në familje është krim, mos duroni

    Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë ka bërë thirrje që të raportohet dhuna në familje.

    Përmes një shkrimi në faqen e tyre zyrtare në rrjetin social, Facebook, Amasada e SHBA-së në Kosovë shkroi se dhuna në familje është krim.

    Ambasada u është referuar raporteve dhe hulumtimeve të organizatave të shoqërisë civile, sipas të cilave dhuna në familje është ndër krimet më të paraportuara në Kosovë.

    Ndër tjerash, ambasada publikoi edhe numrat e kontaktit për raportim të këtyre rasteve.

    “Bazuar në raporte dhe hulumtime të ndryshme të organizatave të shoqërisë civile, dhuna në familje vazhdon të jetë një nga krimet më të paraportuara në Kosovë. Dhuna në familje nuk duhet parë si një çështje private apo si një çështje familjare. Dhuna në familje është KRIM. Mos e duroni, raportoni: 0800 11 112 ose 192”, shkruhet në postimin e tyre.

  • Pasuria e ministrit Sveçla, aksionar në biznes, shtëpi dhe lokale

    Pasuria e ministrit Sveçla, aksionar në biznes, shtëpi dhe lokale

    Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, e ka deklaruar pasurinë e tij në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit.

    Sveçla ka deklaruar se ka një shtëpi të përbashkët në vlerë 600 mijë eurove dhe po ashtu edhe një lokal po ashtu të përbashkët në vlerë të 650 mijë eurove.

    Ai ka deklaruar gjithashtu se është aksionar 100 për qind në biznesin “Dhomi”, dhe 50 për qind me bashkëshorten e tij, në “Dental Advanced Services, Dhomi”, i cili kap vlerën e 100 mijë euro.

    Para të gatshme, Sveçla ka deklaruar 762 euro kursime në një bankë në Kosovë dhe mbi një mijë e 500 në një tjetër.

    Kurse në emër të gruas ka deklaruar kursime rreth 7 mijë euro.

    Ka deklaruar se ka dy kredi për të shlyer një në vlerë 15 mijë euro dhe një tjetër në vlerë 5 mijë euro.

    Ndërsa ka deklaruar poashtu një kredi në vlerë mbi 28 mijë euro për të shlyer në emër të gruas.

    Pagën vjetore si ministër e ka deklaruar në vlerë 16 mijë e 630 euro, mëditje nga udhëtimet 2 mijë e 280 euro.