Përgatiti: Arton Hamiti
Në këtë mënyrë, kryetari i Leposaviqit hyri në zyrë me 26 maj të vitit të kaluar, një ditë pasi u betua për këtë pozitë, në fshatin e tij, Bistricë.
Në përcjellje të njësive elite të Policisë, Lulzim Hetemi u kthye përsëri në objektin komunal më 29 maj, për të mos dalë më nga aty për rreth 7 muaj.
Ky ishte i vetmi nga kryetarët veriorë që mund t’i shihte nga dritarja protestuesit serbë, pasi dy homologët e tij nga Zubin Potoku e Zveçani, Izmir Zeqiri dhe Ilir Peci, kishin zgjedhur të punon nga zyra alternative.
Që të vepronte edhe ky njësoj, Hetemi thotë se u përball me presion ndërkombëtar për ta liruar zyrën.
“Vështirësitë kanë qenë të mëdha. Ju e dini se unë kam qëndruar i ngujuar rreth 7 muaj edhe ju kam thënë edhe evropianeve edhe amerikaneve që do të vijë një ditë kur komuna do të hapet dhe do të jetë funksionale. Ata nuk kanë besuar por ja kur po flasim komuna eshte duke funksionu mirë të gjitha zyrat janë të hapura dhe jepen shërbime për qytetarë”, tha Hetemi.
Kryetari shqiptar i Leposaviqit beson që votimi për shkarkimin ose jo që mbahet të dielën do të dështojë. Ky beson se puna e tij ka nisur t’i pëlqejë edhe shumicës serbe në komunën më veriore të vendit.
“Lista Serbe e ka humb kontrollin mbi veriun dhe e ka humb kontrollin edhe ne Leposaviq. Ne kemi punësuar këtu diku te ri e te reja te komunitetit serb dhe janë diku rreth 300 veta te punësuar. I kemi mbi 5000 aplikacione qe jemi duke i shqyrtuar për ndihma ne shëndetësi, bujqësi e gjera te tjera, andaj nuk besoj qe ka me kalu”, tha Hetemi.
Qytetarët serbë në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok ndonëse nuk i pranojnë kryetarët shqiptarë, ka shumë mundësi që të dielën, të mos votojnë për largimin e tyre. Kjo, pasi Lista Serbe i ftoi për bojkot.
Nëse votimi më 21 prill nuk rezulton i suksesshëm, procesi i ri nuk mund të organizohet pa kaluar 1 vit.
Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

Leave a Reply