ATV

Category: Lajme

  • Konfiskohen produkte ilegale farmaceutike në Mitrovicë të Veriut

    Konfiskohen produkte ilegale farmaceutike në Mitrovicë të Veriut

    Ministria e Shëndetësisë përmes mekanizimit të saj Inspektoratit Farmaceutik në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, të martën (16.04.2024) ka realizuar një aksion inspektues në subjektet të cilat operonin me produkte dhe pajisje medicinale në Mitrovicë të Veriut.

    Këto subjekte ushtronin veprimtarinë e barnatorës edhe pse ishin të pa licencuara sipas dispozitave ligjore në fuqi të Republikës së Kosovës, duke përfshirë këtu edhe një pikë karburanti.

    Në pikën e karburantit “WOL Group” në Leshak, janë konfiskuar produkte ilegale me banderolë të Serbisë.Gjithashtu, është realizuar inspektim edhe në disa barnatore si: Barnatorja “Moja Apoteka” në Leshak, Barnatorja “Moja Apoteka” në Leposaviq dhe Barnatorja “Tilia “.

    Ato barnatore, iu është ndërpre veprimtarinë e tyre farmaceutike, dhe të njejtit janë udhëzuar se si të arrijnë të licencojnë veprimtaritë e tyre sipas legjislacionit në fuqi në vend.

    Kurse në pikën e karburanteve i’u është ndaluar veprimtaria farmaceutike.

    Rrjedhimisht, ligjshmëria do të zbatohet, e aktivitetet të cilat dëmtojnë shëndetin e qytetarëve tanë do të sanksionohen, në të gjithë territorin e vendit, pa dallim.

  • Ministrja Gërvalla deklaron pasurinë: Aksionare në tri biznese, 17 mijë euro pagë vjetore dhe 14 mijë euro meditje

    Ministrja Gërvalla deklaron pasurinë: Aksionare në tri biznese, 17 mijë euro pagë vjetore dhe 14 mijë euro meditje

    Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, e ka deklaruar pasurinë e saj në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit.

    Gërvalla ka deklaruar si pasuri të paluajtshme një truall me vlerë të 20 mijë eurove, një arë 15 mijë euro, një pyll që kap vlerën e 10 mijë eurove dhe një shtëpi që kushton 80 mijë euro.

    Te pasuritë e paluajtshme, ajo ka deklaruar një veturë në pronësi të saj, e cila kushton shtatë mijë euro dhe dy vetura të tjera, të bashkëshortit dhe fëmijëve.

    Gërvalla po ashtu ka deklaruar se ka aksione në tri biznese. Në “Albingua” ajo ka 100 për qind të aksioneve në vlerë të 500 eurove.

    Ajo është bashkëpronare në “Live is Live”, ku ka 25 për qind të aksioneve, si dhe bashkëpronare në “Promicle”, ku ka 33 për qind të aksioneve.

    Gërvalla ka deklaruar para të gatshme rreth 2 mijë e 200 euro.

    Ajo ka deklaruar se merr pagë vjetore si ministre rreth 17 mijë e 800 euro dhe ka marrë mëditje 14 mijë e 400 euro.

    Ndërsa pagën e bashkëshortit, ajo e ka deklaruar mbi 78 mijë euro

  • Murati: Kosova bëhet me Vlerësim Kreditor nga Agjencia Ndërkombëtare për Vlerësim Kreditor

    Murati: Kosova bëhet me Vlerësim Kreditor nga Agjencia Ndërkombëtare për Vlerësim Kreditor

    Ministri i Financave, Hekuran Murati, përmes një video nga Uashingtoni ku po qëndron ka njoftuar se për herë të parë në historinë e vendit, Kosova bëhet me Vlerësim Kreditor nga Agjencia Ndërkombëtare për Vlerësim Kreditor, Fitch Ratings.

    Ai ka falënderuar USAID për mbështetjen e ofruar përgjatë këtij procesi.

    Postimi i tij:

    Kosova e merr Vlerësimin Kreditor (“Credit Rating”) nga Fitch Ratings

    Edhe një lajm tjetër i mirë për vendin nga Washington DC, ku po mbahen takimet pranverore të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar.

    Për herë të parë në historinë e vendit, Kosova bëhet me Vlerësim Kreditor nga Agjencia Ndërkombëtare për Vlerësim Kreditor, Fitch Ratings.

    Falenderim i veçantë shkon për USAID Kosovo për mbështetjen e ofruar përgjatë këtij procesi.

    Gjithashtu, e falenderoj stafin e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve për punën e palodhshme, si dhe të gjitha institucionet tjera që kanë dhënë kontribut në këtë vlerësim pozitiv.

  • Konjufca për gati 100 mijë herë më shumë para në banka se Kurti e Osmani

    Konjufca për gati 100 mijë herë më shumë para në banka se Kurti e Osmani

    Kryetari i kuvendit, Glauk Konjufca, e ka deklaruar pasurinë e tij në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit për vitin 2024.

    Konjufca ka deklaruar se pasuri të paluajtshme posedon në vlerë prej 310 mijë e 773 euro, ku vlerën më të madhe të kësaj pasurie e kanë dy banesa, njëra në emër të tij për të cilën ka deklaruar se e ka blerë në vitin 2018, e që ka sipërfaqe prej 99.41 metra katrorë, vlera e së cilës është 60 mijë e 793 euro, dhe banesa në emër të prindit të tij, në sipërfaqe prej 115 metra katrorë në vlerë prej 92 mijë euro, e blerë në vitin 2008.

    Kreu i kuvendit e ka deklaruar edhe një banesë tjetër, e cila po ashtu është në emër të prindit të tij, që ka sipërfaqe prej 59 metra katrorë, e blerë në vitin 2021 në shumë prej 44 mijë euro, njofton Klankosova.tv.

    Ai ka deklaruar se ka edhe tokë në emër të prindit të tij, e për të cilën ka thënë se është e trashëguar, në sipërfaqe prej afro 90 ari me vlerë prej 62 mijë e 480 euro.

    Konjufca më tej tha se posedon edhe një shtëpi në emër të prindit të tij me sipërfaqe prej 130 metrash katrorë në vlerë prej 45 mijë eurosh, të ndërtuar në vitin 2013 me kredi e kursime, e po ashtu edhe një depo afro 4 metra katrorë, të blerë në vitin 2017 në vlerë 500 euro dhe një parking, të blerë në vitin 2017 në shumë 6 mijë euro.

    Ndërsa, nga krerët e shtetit, Konjufca del që ka më shumti para në banka, plot 101 mijë e 815 euro.

    Ai tha se në emër të tij, në bankë, para të gatshme i ka 9 mijë e 100 euro, ndërsa ka deklaruar se në emër të prindit, nëpër xhirollogari bankare i ka 44 mijë e 825 euro, të cilat janë “kursime nga të ardhurat personale”, kurse 47 mijë e 884 euro, Konjufca i ka deklaruar si para të gatshme të prindit të tij, prejardhja e të cilave ka thënë se janë nga pagesa për shitjen e shtëpisë dhe të ardhurat nga pagesa e TRUST-it pensional.

    I pari i kuvendit ka deklaruar po ashtu se e ka edhe një kredi në vlerë prej 61 mijë e 424 euro, të marrë në vitin 2019 për blerjen e banesës, ndërsa ka thënë se vlera e mbetur e saj është 33 mijë e 607 euro, ndërsa ka deklaruar se për Lëvizjen Vetëvendosje, më 1 dhjetor të vitit të kaluar ka dhënë donacion 2 mijë euro.

    Kurse, pagë neto nga kuvendi ka deklaruar se ka marrë 27 mijë e 55 euro, ndërsa meditje nga udhëtimi zyrtar jashtë vendit, Konjufca tha se ka marrë 3 mijë e 589 euro.

    Konjufca po ashtu ka deklaruar se bashkëshortja e tij ka marrë pagë në Universitetin e Prishtinës në vlerë prej 1 mijë e 504 euro, ndërsa ajo, sipas tij, ishte edhe përfituese e masës 3.5 dhe 3.6 të Qeverisë, ku nga to mori 340 euro.

  • Kurti në Berlin më 25 prill – gazetari gjerman zbulon agjendën

    Kurti në Berlin më 25 prill – gazetari gjerman zbulon agjendën

    Gazetari gjerman, Michael Martens, ka thënë se kryeministri Albin Kurti do të shkojë në Berlin më 25 prill në një organizim të fondacionit Bertelsmann Stiftung në një ngjarje të Bundestagut.

    Ai tha se temë diskutimi do të jetë anëtarësimi i Kosovës në Këshill të Europës.

    “Kryeministri i Kosovës Albin Kurti po vjen në Berlin të enjten (25 prill) për të folur në fondacionin Bertelsmann Stiftung në një event në Bundestagun gjerman dhe bashkëbiseduesve të tjerë. Tema: Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës dhe rruga përpara. Prisni zhvillime”, ka shkruar ai.

  • KQZ-ja publikon listën e qendrave të votimit për procesin e shkarkimit të kryetarëve në katër komunat në veri

    KQZ-ja publikon listën e qendrave të votimit për procesin e shkarkimit të kryetarëve në katër komunat në veri

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar listën e qendrave të votimit për procesin për apo kundër largimit të kryetarëve në komunat në veri – Leposaviq, Zubin-Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut, që do të mbahen me 21 prill 2024.

    Sipas vendimit të KQZ-së, në ditën e votimit, numri i Qendrave të Votimit në komunën e Leposaviqit është 8, në Zubin Potok 5, në Zveçan 5 dhe në Mitrovicën e Veriut 5.

  • Osmani deklaron pasurinë: Në bankë i ka veç 1 mijë e 168 euro – nga meditjet mori mbi 8 mijë

    Osmani deklaron pasurinë: Në bankë i ka veç 1 mijë e 168 euro – nga meditjet mori mbi 8 mijë

    Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit ka publikuar regjistrat e deklarimit të pasurisë.

    Në mesin e personave zyrtarë që kanë deklaruar pasurinë janë edhe krerët e shtetit, presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe kryetari i kuvendit, Glauk Konjufca.

    Në të dhënat e Osmanit, vlera e pasurisë së paluajtshme që ka në pronësi të bashkëshortit dhe në pronësi të përbashkët kap shumën e 970 mijë e 760 euro.

    Osmani ka deklaruar një banesë me sipërfaqe prej 67 metra katrorë, e blerë në vitin 2011 me kursime dhe kredi, e cila e kap vlerën e 59 mijë e 760 euro, e që po atë vit, në të njëjtën formë – me kursime dhe kredi, ka deklaruar se e ka blerë edhe një garazh kolektive me sipërfaqe prej 14 metrash katrorë në vlerë 6 mijë euro, të dyja këto në pronësi të bashkëshortit.

    E para e shtetit ka deklaruar edhe një shtëpi me sipërfaqe prej 150 metra katrorë, për të cilën tha se e kishte ndërtuar në vitin 2004 me kursime dhe kredi, e që vlera e saj është 170 mijë euro, po ashtu në pronësi të bashkëshortit.

    Ajo tutje ka bërë të ditur se bashkë me burrin e saj kanë një tokë prej 5.10 ari, e blerë me kursime dhe borxhe në vitin 2016, në vlerë prej 35 mijë euro.

    Përveç tokës, pronë të përbashkët me burrin, Osmani ka deklaruar se ka edhe një “banim në varg”, apo vilë me sipërfaqe prej 244 metrash katrorë, e blerë në vitin 2019 me kursime, borxhe dhe para nga shtija e banesës në Prishtinë.

    Osmani tha se ka edhe një tjetër “banim në varg” në emër të bashkëshortit, me sipërfaqe prej 218 metrash katrorë, por që ka vlerën më shumë se dyfishi i asaj të parës – 510 mijë euro. Ajo tha se paratë për blerjen e këtij “banimi në varg” i ka marrë nga shitja e shtëpisë në Australi, e cila ishte në pronësi të bashkëshortit, shitjes së shtëpisë së prindërve të bashkëshortit, nga kursime dhe hua familjare, njofton Klankosova.tv.

    Ndërsa, në pasuri të luajtshme, Osmani ka deklaruar një veturë të tipit “Mercedes-benz” në vlerë 10 mijë euro, e që edhe kjo është në pronësi të bashkëshortit të saj.

    E para e shtetit tutje ka deklaruar se para të gatshme i ka vetëm 1 mijë e 168 euro dhe 266.84 dollarë australian, ndërsa detyrimet tha se i ka 105 mijë euro.

    Kurse, të ardhurat vjetore i ka deklaruar se i ka 70 mijë e 335.16 euro, ku pagën nga presidenca e ka deklaruar në shumë prej 33 mijë e 70 euro, ndërsa nga meditjet për udhëtime zyrtare jashtë vendit, në vitin 2024, Osmani tha se i ka marrë 8 mijë e 92 euro.

    Osmani tha se bashkëshorti i saj, 17 mijë e 173 euro të hyra vjetore i ka edhe nga paga neto përmes listës së pagave nga Thesari i Kosovës, kurse 12 mijë euro në vit, ajo ka deklaruar se i merr nga të hyrat e qirasë në Australi, të cilat i ka deklaruar në emër të bashkëshortit.

  • Haradinaj kujton heroin Selman Lajçi dhe të rënët e Brigadës 136 “Rugova”: Dhanë mesazhin se shqiptarët janë të vendosur ta arrijnë lirinë me çdo çmim

    Haradinaj kujton heroin Selman Lajçi dhe të rënët e Brigadës 136 “Rugova”: Dhanë mesazhin se shqiptarët janë të vendosur ta arrijnë lirinë me çdo çmim

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka kujtuar të rënët e Brigadës 136 “Rugova”, në 25-vjetorin e rënies.

    Haradinaj ka thënë se Rugova është prej trevave që ka namin e madh të shqiptarët ndër shekuj.

    “Rugova si trevë është prej trevave që ka namin e madh të shqiptarët ndër shekuj. Vëllezërit e kësaj trave nuk u ndalën asnjëherë për çlirimin e atdheut. Në 25 vjetorin e rënies së dëshmorëve të Birgadës 136 “Rugova”, kujtojmë e nderojmë sot komandantin Selman Lajçi, nderojmë të gjithë dëshmorët e asaj pranvere të përgjakur në Rugovë e Podgur; Besnik Lajçi, Afrim Gjuraj, Ramë Lajçi, Ramush Lajçi, Ramiz Brahimaj, Sherif Brahimaj, Xhavit Lajçi, Asllan Nikqi, Faton Nikqi, Rifat Shala, Osë Osaj, Sokol Nikqi, Sokol Lajçi dhe Tone Lajçi”, ka thënë Haradinaj.

    Haradinaj ka dëshmorët kanë dhënë mesazhin se shqiptarët janë të vendosur për liri.

    “Me luftën e tyre heroike dhanë mesazhin se shqiptarët janë të vendosur ta arrijnë lirinë me çdo çmim, deri në vetëflijim.

    Lavdi e përjetshme atyre që ranë për lirinë e atdheut!”, është shprehur Haradinaj.

  • Vuçiq e paraqet si punë të kryer para O’Brienit anëtarësimin në KiE: Kosova do të shpërblehet

    Vuçiq e paraqet si punë të kryer para O’Brienit anëtarësimin në KiE: Kosova do të shpërblehet

    Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka folur me tone disfatiste para Ndihmëssekretarit amerikan të shtetit James O’Brien. Gjatë konferencës për media me të është ankuar ndaj Kosovës se ka imponuar “gjëra të reja në dëm të popullit serb” dhe se për këtë “do të shpërblehet me anëtarësim në Këshill të Europës”.

    Ai ka thënë se State Departmenti, NATO dhe BE po heshtin ndaj “heqjes së dinarit”, “burgosjes së përditshme të serbëve”.

    “Është e rëndësishme të them se personalisht jam i lumtur që pata rastin të flas me z. O’Brien. Detyrimi im është që kur të humbasim në KiE kur të ndodhë kjo, të ngremë kokën dhe të luftojmë për përparimin ekonomik të Serbisë”, ka thënë ai.

    “Të luftojmë për jetën e fëmijëve tanë dhe të shkojmë me kokën lart. Të jemi krenarë për përparimin e mëtejshëm ekonomik. Bashkëpunimi ynë ekonomik është i shkëlqyer dhe besoj se do të jetë edhe më i mirë” tha Vuçiq.

  • Regjistrimi i krimeve dhe dëmeve nga lufta, kërkohet nga qeveria ta padisë Serbinë

    Regjistrimi i krimeve dhe dëmeve nga lufta, kërkohet nga qeveria ta padisë Serbinë

    Regjistrimi i krimeve dhe dëmeve nga lufta, kërkohet nga qeveria ta padisë Serbinë

    Dëmet e luftës së fundit në Kosovë konsiderohen të jenë të mëdha si në njerëz ashtu edhe në ekonomit, të cilat në bazë të vlerësimeve të deritanishme janë mijëra të vrarë, e miliarda dëme në ekonomitë familjare dhe ndërmarrje të shkatërruara.

    Në bazë të disa hulumtimeve nga organizata të ndryshme në vend numërohen përafrisht mbi 13 mijë banorë civil të vrarë, prej tyre 1 mijë e 393 janë fëmijë, ndërkaq mbi 20 miliardë euro janë dëme materiale.

    Njohës të kësaj çështje vlerësojnë se pas grumbullimit të këtyre informacioneve në mënyrë të saktë pas procesit të regjistrimit të popullsisë të nisur këtë muaj, në kuadër të së cilës do të regjistrohen edhe dëmet në njerëz dhe ato materiale, Qeveria e Kosovës duhet të padisë shtetin serb për të gjitha krimet makabre që ka bërë. Ata derisa thonë se presin rezultate pozitive në këtë drejtim, shprehen të shqetësuar se gjeneratat e reja mund të mos kenë njohuri të shumta rreth dëmeve që ka shkaktuar Serbia ndaj shtetit tonë.

    Megjithatë, shprehen se këto të dhëna duhet të prezantohen edhe tek opinioni botëror, pasi sipas tyre, kjo çështje është pak e njohur tek ata.

    Studiuesi i arkivistikës, Jusuf Osman thotë se sipas evidencës që ka bërë janë të vrarë mbi 13 mijë banorë civil, prej tyre mbi 1 mijë e 300 fëmijë. Sipas ti, kjo është dëshmia më e mirë për krimet makabre që ka bërë Serbia ndaj Kosovës.

    Ai derisa tregon se ka mjaft dëshmi, thotë se janë rrënuar më se 1 milion shtëpi, mandej në 1 mijë e 100 vendbanime në Kosovë që janë prek nga dhuna dhe terrori.

    Osmani derisa shprehet i shqetësuar që të rinjtë mund të mos i dinë dëmet që ka shkaktuar lufta fundit, thotë se sipas hulumtimit të bërë, komuna e Skenderaj ka më së shumti viktima në vend.

    Ndërsa, themeluesi i Institutit për Kërkim Zhvillimor “Riinvest”, Muhamet Mustafa, thotë për KosovaPress se në aspektin e kërkesave ndaj Serbisë, kjo çfarë deklarojnë njerëzit mund të mos jetë shumë relevante, mirëpo konsideron se shteti ynë duhet të punojë më shumë në mënyrë që të paraqesë të vërtetën e gjenocidit serb të bërë në Kosovë.

    Sipas tij, në këto dëme duhet të përfshihen edhe pagat e humbura, shkatërrimi i sistemit buxhetor, pensionet, pra të gjitha aspektet që janë vlerësuar edhe më herët nga ekspertet tjerë në këtë drejtim.

    Mustafa thotë se pavarësisht se në marrëveshjen e Ohrit nuk janë trajtuar këto çështje, konsideron se kjo nuk do të thotë që Kosova nuk ka mundësi që t’i kërkojë këto zhdëmtime.

    Drejtori i Agjencisë së Statistikave në Kosovë, Avni Kastrati thotë se në pyetësor përfshihen ato dëme që janë shkaktuar në objekte fizike dhe në njerëz. Sipas tij, këto pyetje është dashur të bëhen në vitin 2011 pasi të dhënat kanë qenë më të freskëta.

    Për herë të parë në Kosovë do të regjistrohen tani edhe dëmet dhe krimet e shkaktuara nga lufta e fundit në vend nga forcat serbe.

    Kujtojmë se, në nëntor të 2023-tës, ekzekutivi në Kosovë themeloi Institutin për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë.

    Në bazë të ligjit, Instituti duhet t’i trajtojë disa lloje krimesh, shembull krimet kundër njerëzimit, krimet ekonomike, krimet ushtarake, krimet psiko-sociale dhe ato të bëra në ambient.

    Ndërkaq, në raport citohet një sondazh i Zyrës së Komisionarit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR), sipas të cilit, pothuajse 40 për qind e të gjitha shtëpive të banimit në Kosovë ishin dëmtuar rëndë ose ishin shkatërruar plotësisht.

    Në një raport të shtatorit të vitit 1999, të përpiluar prej Komitetit për Çështje Ekonomike dhe Zhvillim të Këshillit të Evropës, përmendet se organizatat atëbotë aktive në Kosovë vlerësonin që mbi 120.000 objekte banimi ishin bërë të pabanueshme.

    Sipas raportit të HRË-së, ngjashëm pësuan edhe shkollat dhe xhamitë: “Sipas vlerësimeve të OKB-së, në Kosovë janë dëmtuar 649 shkolla – më shumë se një e pesta e shkollave të inspektuara janë dëmtuar për mbi 60 për qind ose janë shkatërruar plotësisht”.

    Shumë dëshmitarë janë cituar të kenë thënë se forcat serbe u kishin grabitur gjëra me vlerë, përfshirë unazat e martesës e automjetet, dhe se i kishin kërcënuar me jetë nëse nuk do t’ua dorëzonin të gjitha paratë që i kishin.

    Lufta besohet se ka shkaktuar dëm të konsiderueshëm psikologjik dhe emocional, se ka kthyer tejet mbrapa zhvillimin ekonomik, se i ka penguar investimet e huaja, se ka shkaktuar jostabilitet politik dhe tensione sociale.