ATV

Category: Lajme

  • Shkarkimi “i vonuar” dhe milionat “në duart” e ushtruesve të detyrës

    Shkarkimi “i vonuar” dhe milionat “në duart” e ushtruesve të detyrës

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Përkundër që Kodi i Punës i Korporatës Energjetike parasheh vendimmarrje brenda 6 muajsh, bordi vendosi për shkarkimin e Nagip Krasniqit nga pozita e kryeshefit, saktësisht 365 ditë pas pezullimit nga detyra.

    Pos vendimmarrjes për shkarkim ose kthim në detyrë, të cilat i parasheh ky akt i brendshëm i KEK-ut – bordi shkeli edhe afatin e funksionimit me ushtrues detyre të kryeshefit.

    Kohë të çuar dëm e vlerësoi këtë periudhë gazetari Zekirja Shabani, i cili vonesën në vendimmarrje e ndërlidhi me atë që e quajti besim të Qeverisë në pafajësinë e Krasniqit.

    “Vendimi i djeshëm është shumë i vonuar, sidomos në kohën kur po flasim për investime potenciale në KEK, të nevojshme për të operuar, për të mbajtur gjallë KEK-un, dhe për të mos pasur dilema se me një drejtor tjetër ish bë më mirë ose me këtë drejtor ishte bë më mirë, por kemi pasë fatin e keq me operua me një drejtor në burg e me shpresua që kthehet një ditë, por u pa që krejt koha u harxhua kot”, tha Shabani.

    Pa paragjykuar epilogun e hetimeve ndaj tashmë ish-kryeshefit, Shabani foli për implikimet në aspektin menaxherial, pasi këtë vit ishin paraparë rehabilitime të thella në të dyja termocentralet, në vlerë totale rreth 200 milionë euro.

    “Një drejtor që nuk varet prej kryeministrit, që nuk varet shumë prej politikës, për shkak se KEK-u ka nevojë për investime të mëdha dhe domosdo ka nevojë për profesionistë. Nuk ka nevojë për politikanë brenda KEK-ut. Prandaj, krejt kjo zvarritje më shumë ngjan me një plan të politikës për të mos bërë asgjë në KEK, sesa me një vizion për të zhvilluar KEK-un”, tha Shabani.

    Pasi tha se partia në pushtet ka shkelur parimet e saj në rastin e Krasniqit, drejtori i organizatës Çohu, Arton Demhasaj, vlerësoi se mos-zgjedhja me kohë e kryeshefit të ri pengon planet investive.

    “Ndërmarrja kryesore publike që është KEK-u, më profitabilja, me buxhetin më të madh, me mbetë një vit me ushtrues detyre, dhe, potencialisht kjo mund të zgjasë edhe tre apo katër muaj derisa të kryhen procedurat e drejtorit të ri, d.m.th. kjo tregon se çfarë serioziteti ka pasur qeverisja e tanishme sa i përket KEK-ut”, tha Demhasaj.

    Më 19 Prill 2023, Nagip Krasniqi ishte arrestuar nën dyshimet për keqpërdorim të detyrës, ushtrim ndikimi dhe konflikt interesi.

    Ai ishte suspenduar gjashtë ditë më vonë, 25 Prill të vitit të kaluar – ndërsa, sipas njoftimit, konkursi për kryeshefin e ri pritet të shpallet ditët në vijim.

    Prokuroria nuk ka ngritur aktakuzë ndaj Krasniqit, ndërsa ai aktualisht është i lirë dhe ndaj tij nuk ka ndonjë masë kufizuese.

  • Gjykimi për krime lufte në Vushtrri/ Mehdi Gashi vazhdon dëshminë, ballafaqohet me pyetjet e mbrojtjes

    Gjykimi për krime lufte në Vushtrri/ Mehdi Gashi vazhdon dëshminë, ballafaqohet me pyetjet e mbrojtjes

    Përgatiti: Nora Luta

    Për të vazhduar ballafaqimin me dëshminë e Mehdi Gashit, këtë të enjte nga Burgu i Sigurisë së Lartë, Sladan Trajkoviq, u soll në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

    Në gjykimin që po zhvillohet ndaj Trajkoviqit për krime lufte në Komunën e Vushtrrisë, Gashi ka përshkruar se si katër persona, në mesin e tyre i akuzuari, hynë në oborrin e shtëpisë së tij.

    Gashi, vetëm 14 vjeç në atë kohë, tha se vetëm Zoran Bogovici ishte i maskuar, dhe ai, sipas tij, kishte shtënë në babanë e tij, duke e lënë të vdekur.

    Mbrojtja duke tentuar ta vërë në lajthitje dëshmitarin insistoi disa herë të marrë përgjigje për përshkrimin e personave, duke e ballafaquar edhe me deklaratën e dhënë në Polici.

    Mbrojtja u përsërit disa herë në pyetje, për çka Gjykata nuk ia lejoi njërën nga to, avokatit Dejan Vasiq, i cili mori vërejtje për gjuhën e përdorur në seancë.

    Me deklaratën e dhënë në polici, Gashi u sfidua me pyetje edhe nga i akuzuari.

    Gashi e identifikoi Trajkovicin edhe kur me kërkesë të mbrojtjes iu paraqitën fotografitë nga dosja e Prokurorisë.

    Trajkovic ishte arrestuar mes tensioneve në veri, në dhjetor të vitit të kaluar.

    Përveç për pjesëmarrje në vrasjen e civilëve dhe dëbimin e tyre, ai akuzohet edhe për dhunim seksual gjatë luftës.

    Trajkovic ishte pjesëtar i Policisë së Kosovës deri në nëntor të 2022-tës kur dha dorëheqje bashkë me zyrtarët e tjerë serbë, në shenjë proteste ndaj vendimit të Qeverisë për targa.

  • Mbi 200 mijë vota shqiptare, s’mund të jenë përcaktuese për postin e presidentit

    Mbi 200 mijë vota shqiptare, s’mund të jenë përcaktuese për postin e presidentit

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Gordana Davkova, kandidatja opozitare, e ka fituar bindshëm rundin e parë të zgjedhjeve presidenciale në Maqedoninë e Veriut, teksa do të përballet me presidentin aktual, Stevo Pendarovski, në rundin e dytë që mbahet më 8 maj.

    Sipas Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, Davkova nga partia opozitare VMRO DPMNE mori 40,10% të votave, ndërsa Pendarovski nga Lidhja Social Demokrate, i fitoi 19,93% të votave.

    Bujar Osmani nga Fronti Evropian i mori 13,36% të votave, ndërsa Arben Taravari nga koalicioni opozitar VLEN 9,21% të votave. Megjithatë, mbi 200 mijë vota të shqiptarëve, sipas opinionistit Bekim Kabashi mund edhe të mos jenë përcaktuese për rundin e dytë.

    Në rast se partitë shqiptare në Maqedoni, nuk do të ndaheshin në dy blloqe politike, Kabashi shtoi se lehtësisht një kandidat shqiptar do të garonte në rundin e dytë për postin e presidentit.

    Teksa ende nuk dihet se cilin kandidat do ta mbështesin dy taboret shqiptare, Arben Taravari, mori një mesazh nga kryetari i VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickoski, i cili e ka uruar për rezultatin e arritur në zgjedhje dhe i ka shprehur gatishmërinë për të biseduar për pjesëmarrjen e opozitës shqiptare në qeverinë e ardhshme pas 8 majit.

    Ndërkohë, kandidati i Frontit Evropian, Bujar Osmani, nuk ka deklaruar deri më tani për pozicionim para rundit të dytë, por ka përsëritur thirrjen për unitet në rrugën e integrimit evropian.

  • Dështon sërish votimi i marrëveshjeve ndërkombëtare

    Dështon sërish votimi i marrëveshjeve ndërkombëtare

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Në seancën e së enjtes në rend dite ishin planifikuar 20 pika.

    Mirëpo, Partia Demokratike e Kosovës kërkoi të shtohet edhe një pikë tjetër, për të diskutuar për gjetjet e raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit, për Kosovën.

    Megjithatë, një gjë e tillë u pamundësua. Partia në pushtet votoi kundër ndryshimit të rendit të ditës.

    Pjesë e seancës ishin edhe marrëveshjet ndërkombëtare.

    “Janë diku rreth 300 milionë euro vlerë në marrëveshjet ndërkombëtare që po presin dritën e gjelbër, ratifikimin nga ky kuvend. E di që disa subjekte dhe grupe parlamentare kanë shprehur mbështetjen, mirëpo kisha kërkuar dhe ju kisha lutur që si kuvend ta kryeni obligimin në mënyrë që të mundësohet përdorimi i këtyre mjeteve”, tha ministri i Financave, Hekuran Murati.

    As këtë herë, pushteti nuk arriti ta bindë opozitën të votojë pro këtyre marrëveshjeve ndërkombëtare.

    Madje, ata lëshuan edhe sallën.

    Ndërkohë, shumë nga pyetjet parlamentare mbetën pa përgjigje.

    Mirëpo, Kuvendi ka miratuar në shqyrtim të parë Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për zyrtarët publikë, e po ashtu ka emëruar anëtarin e Bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit. Me 59 vota është zgjedhur anëtare Batisha Ibrahimi.

    Ndërkaq, shqyrtimi i parë i Projektligjit për provimin e maturës shtetërore ka kaluar në seancë tjetër në mungesë të votave.

  • ​E pranon Pentagoni: Ne u dërguam raketa të fuqishme ukrainasve

    ​E pranon Pentagoni: Ne u dërguam raketa të fuqishme ukrainasve

    Shtetet e Bashkuara kanë dërguar një sistem të ri raketash me rreze të gjatë veprimi në Ukrainë, konfirmoi Pentagoni.

    Arma me precizitet të lartë është pjesë e një pakete ushtarake emergjente për Ukrainën e shpallur nga SHBA në mars, por nuk u rendit në mënyrë specifike në listat e dorëzimit me kërkesë të Ukrainës.

    Presidenti Joe Biden udhëzoi ekipin e tij që të kryejë dorëzimin pasi Rusia bleu raketa balistike nga Koreja e Veriut dhe i përdori ato kundër Ukrainës, tha Pentagoni.

    Sistemet raketore taktike të ushtrisë – të njohura si ATACMS – do të ndihmojnë Ukrainën të kërcënojë forcat ruse në çdo pjesë të territorit të okupuar ukrainas, tha ministria.

    Njoftimi erdhi disa orë pasi Biden tha se ndihma e re ushtarake do të fillojë të rrjedhë në Ukrainë “në disa orët e ardhshme” pasi ai nënshkroi legjislacionin e luftuar fort që siguron miliarda dollarë në shpenzime të reja për të mbështetur luftën e Ukrainës kundër Rusisë.

    Biden: Putini mund të sulmojë drejtpërdrejt aleatët tanë

    “Do të sigurohem që dërgesat të fillojnë menjëherë. Në orët e ardhshme – fjalë për fjalë pas disa orësh – do të fillojmë të dërgojmë municione të mbrojtjes ajrore, artileri për sistemet raketore dhe automjete të blinduara në Ukrainë,” tha Biden në Shtëpinë e Bardhë. Ai theksoi se rivendosja e rezervave të Ukrainës të armëve amerikane është një investim “jo vetëm në sigurinë e Ukrainës, por edhe në sigurinë e Evropës dhe sigurinë tonë”.

    Biden paralajmëroi se nëse Ukraina dështon, masa e radhës e presidentit rus Vladimir Putin mund të jetë një sulm i drejtpërdrejtë ndaj aleatëve të NATO-s: “Ne nuk do të kishim zgjidhje tjetër veçse t’u vinim në ndihmë. Ashtu si aleatët tanë të NATO-s na erdhën në ndihmë pas 11 shtatorit. sulmet”.

    Disa media amerikane, duke cituar zyrtarë të qeverisë amerikane, raportuan se raketat me rreze të gjatë kishin mbërritur javën e kaluar dhe tashmë ishin përdorur. NBC News raportoi se Ukraina nisi një sulm në gadishullin e okupuar të Krimesë javën e kaluar dhe këtë javë në qytetin e okupuar të Berdyansk në Ukrainën juglindore.

    Kievi mori për herë të fundit raketa me rreze të shkurtër veprimi

    Sipas raportimeve, raketat shtesë ATACMS do të përfshihen gjithashtu në paketën ushtarake të njoftuar nga presidenti amerikan Biden të mërkurën pas miratimit nga Kongresi. Pentagoni nuk deklaroi në mënyrë specifike nëse raketat e dorëzuara ishin modele ATACMS me një rreze veprimi prej rreth 300 kilometrash apo ato me një rreze më të shkurtër.

    Tetorin e kaluar, Ukraina vendosi raketa ATACMS që vinin nga SHBA. Në atë kohë, ato ishin modele me një distancë më të shkurtër prej rreth 165 kilometrash. Qeveria ukrainase ka kërkuar raketa që mund të godasin caqe shumë më të largëta.

    Senatorët në Kongresin e SHBA miratuan një paketë ndihme prej 61 miliardë dollarësh për Ukrainën pasi Dhoma e Përfaqësuesve dha miratimin e saj pas disa muajsh grindje politike dhe kundërshtime të ashpër nga republikanët e ekstremit të djathtë.

  • ​Mbi 100 të burgosur arratisen kur shiu dëmtoi burgun në Nigeri

    ​Mbi 100 të burgosur arratisen kur shiu dëmtoi burgun në Nigeri

    Më shumë se 100 të burgosur janë arratisur në Nigeri pasi shiu i madh dëmtoi një ndërtesë të vjetër burgu, thanë autoritetet.

    BBC raporton se 10 nga 118 të arratisurit nga burgu Suleja pranë Abuja, kryeqyteti i Nigerisë, u kapën shpejt.

    Autoritetet deklaruan se ndërtesa e burgut daton në epokën e sundimit kolonial britanik (1861-1960) dhe se që atëherë ajo pothuajse nuk është rinovuar, kështu që është e rrënuar.

    Dy vjet më parë, më shumë se 400 të burgosur u arratisën gjatë një sulmi islamik në një burg në Abuja. Më pas u vranë katër të burgosur, një roje dhe disa sulmues.

    Qe nga viti 2020, vlerësohet se më shumë se 5,000 të burgosur janë arratisur nga burgjet e mbipopulluara në të gjithë Nigerinë.

  • Kroacia me çmimet më të ulëta të gazit e energjisë elektrike në BE

    Kroacia me çmimet më të ulëta të gazit e energjisë elektrike në BE

    Çmimi mesatar i energjisë elektrike për familjet në BE ra në gjysmën e dytë të vitit 2023 me 3.7 për qind krahasuar me gjashtë muajt e parë, duke rënë në 28.3 euro për 100 kilovat orë, ka llogaritur Eurostat. Krahasuar me gjysmën e dytë të vitit 2022, ai mbeti pothuajse i pandryshuar.

    Në eurozonë, familjet kanë paguar mesatarisht 30 euro për 100 kilovat orë energji elektrike në gjysmën e dytë të vitit të kaluar, 3.8 për qind më pak se në gjashtë muajt e parë. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022, çmimi i tij ishte 3.1 për qind më i lartë.

    “Kostot e energjisë, furnizimit dhe rrjetit u stabilizuan në gjysmën e parë të vitit dhe tregojnë një rënie në gjysmën e dytë krahasuar me kulmin e vitit 2022, por janë ende në nivele të larta”, sipas Eurostat.

    Heqja e mekanizmave të ndihmës

    Çmimi mesatar i gazit për familjet në BE ishte pesë për qind më i ulët në periudhën korrik-dhjetor se në gjysmën e parë të vitit, duke rënë në 11.3 euro për 100 kilovat orë. Krahasuar me gjysmën e dytë të vitit 2022, ai mbeti pothuajse i pandryshuar.

    Në eurozonë, gazi për familjet u bë më i lirë me 7.6 për qind në gjysmën e dytë të vitit të kaluar, në 12.2 euro për 100 kilovat orë. Krahasuar me gjysmën e dytë të vitit 2022, ishte shtatë për qind më i shtrenjtë.

    Faturat më të ulëta të gazit dhe energjisë elektrike për familjet sesa në gjysmën e parë të vitit reflektojnë rënien e çmimeve në tregje, e cila u amortizua pjesërisht nga heqja e mekanizmave të ndihmës shtetërore, sqaron Eurostat.

    Çmimin më të ulët të gazit, të shprehur në euro, e kanë paguar familjet në Hungari në gjysmën e dytë të vitit të kaluar, me 3.3 euro për 100 kilovat orë.

    Kroacia vijon me çmimin e gazit për familjet në gjysmën e dytë të vitit 2023 prej 4.6 euro për 100 kilovat orë, kur përfshihen të gjitha taksat, 4.4 për qind më i lartë se në gjysmën e parë të vitit. Krahasimi me të njëjtën periudhë të vitit 2022 tregon një rritje gjysmë më të butë të çmimeve.

    Në grupin e vendeve me çmimin më të ulët të gazit për familjet në gjysmën e dytë të vitit 2023 është përfshirë edhe Rumania, ku ka qenë 5.6 euro.

    Çmimin më të lartë të gazit, i shprehur në euro, e kanë paguar familjet në Holandë dhe Suedi, përkatësisht 24.8 euro dhe 20.7 euro për 100 kilovat orë.

    Qiproja dhe Malta nuk publikojnë të dhëna për çmimet e gazit dhe Finlanda nuk publikon çmimet e gazit për familjet.

    Hungaria e favorshme

    Familjet në Hungari kanë paguar çmimin më të ulët të energjisë elektrike në gjysmën e dytë të vitit të kaluar, me vetëm 11.3 euro për 100 kilovat orë. Pasuar nga Bullgaria dhe Malta, ku qëndroi përkatësisht me 11.9 dhe 12.8 euro.

    Në gjysmën e dytë të vitit të kaluar, familjet në Kroaci kanë paguar 14.8 euro për 100 kilovat orë energji elektrike, ku përfshihen të gjitha tarifat. Kjo do të thotë se çmimi nuk ka ndryshuar ndjeshëm që nga gjysma e dytë 2022, kur ishte 9.3 për qind më i shtrenjtë krahasuar me gjashtë muajt e mëparshëm.

    Në gjysmën e dytë 2023, familjet në Gjermani kanë shpenzuar më së shumti për energji elektrike, ku 100 kilovat orë kushtojnë 40.2 euro. Irlanda dhe Belgjika vijojnë me çmimin e energjisë elektrike për amvisëritë prej gati 38 euro për 100 kilovat orë.

  • Kandidatja e krahut të djathtë fiton raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale në Maqedoninë e Veriut

    Kandidatja e krahut të djathtë fiton raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale në Maqedoninë e Veriut

    Kandidatja e krahut të djathtë të Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova pretendoi një fitore gjithëpërfshirëse në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale të mërkurën -e para në një seri votash që mund të vendosin nëse vendi ballkanik do të bashkohet me Bashkimin Evropian, sipas France24.

    Sipas Komisionit Shtetëror Zgjedhor, me 90% të votave të numëruara, Siljanovska-Davkova kishte arritur fitoren me gati 40%.

    Kjo e vendosi atë përpara presidentit Stevo Pendarovski të Socialdemokratëve të qendrës së majtë (SDSM), i cili mori rreth 20% të votave.

    Të dy kandidatët do të përballen në balotazhin e raundit të dytë më 8 maj, por perspektiva është e zymtë për Pendarovski. Po atë ditë do të ketë edhe një votim parlamentar.

    Pjesëmarrja ishte mbi 49%, sipas komisionit zgjedhor, rreth 8 pikë më e lartë se raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale në 2019.

    Rreth 1,8 milion njerëz – duke përfshirë një diasporën e madhe – kishin të drejtë të votonin, ndërsa më shumë se 810 000 banorë votuan në 3 480 qendra votimi anembanë vendit.

    “Është e qartë se ky rezultat është jashtëzakonisht frymëzues për mua”, u tha dje në mbrëmje gazetarëve Siljanovska-Davkova, e cila mbështetet nga partia kryesore opozitare VMRO-DPMNE.

    “Atë që kam premtuar do ta zbatoj në mënyrën time. Ky është fillimi i një epoke të re”, shtoi ajo.

    Pendarovski pranoi se ishte i befasuar nga hendeku i madh.

    “Ne prisnim më pak ‘diferencë’, por nesër është një ditë e re. Ne po fillojmë nga fillimi”, u tha Pendarovski gazetarëve.

    “Detyra ime është të promovoj konceptin në të cilin besoj: një shtet që nuk është i izoluar dhe që është i integruar në Evropë”, shtoi ai.

    Zgjedhjet erdhën mes një përplasjeje 2-vjeçare midis qeverisë dhe opozitës mbi mënyrën se si të veprohet me Bullgarinë fqinje që bllokon rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE.

    Marrëdhëniet me Bullgarinë janë tensionuar prej disa vitesh për shkak të mosmarrëveshjeve për gjuhët dhe historinë e të dy vendeve.

    Sofja ka refuzuar të mbështesë hapjen e bisedimeve të pranimit midis Shkupit dhe BE-së derisa Maqedonia e Veriut të njohë pakicën e saj të vogël bullgare në kushtetutë.

    Pendarovski dhe LSDM janë të përgatitur të bëjnë amendamentet, por nuk kanë mjaftueshëm vota për të fituar një votim parlamentar.

    Partia VMRO-DPMNE tha se ndryshimet kushtetuese mund të vijnë vetëm pasi Maqedonia e Veriut të anëtarësohet në BE, një qëndrim që qeveria thotë se është jorealist./atsh

  • Kuvendi miratoi Projektligjin për zyrtarët publikë

    Kuvendi miratoi Projektligjin për zyrtarët publikë

    Kuvendi i Kosovës ka miratuar në shqyrtim të parë Projektligjin për zyrtarët publikë. Në seancën e sotme, të zgjedhurit e popullit zgjodhën edhe Batisha Ibrahimi anëtare në Bordin e Organit Shqyrtues të Prokurimit(OShP).

    Krahas kësaj, deputetët e mazhorancës miratuan rezolutën për vlerësimin e punës së Komisionit të Pavarur për Media për vitin 2022.

    Ndërkaq, dështuan të miratojnë Projektligjin për provimin e maturës shtetërore, pasi s’pati kuorum në vendimmarrje për shkak se disa deputetë të LVV-së nuk morën pjesë fare në votim.

    Kuvendi në seancën e sotme dështoi të miratojë edhe marrëveshjet ndërkombëtare, pasi deputetët opozitarë lëshuan sallën plenare.

    Pas përfundimit të këtyre pikave, kryesuesja e seancës, Saranda Bogujevci mbylli punimet e seancës së sotme plenare./KP

  • Parandalohet një rast i kontrabandës me mallra në Viti, sekuestrohen rreth 300 kg duhan të grirë refuz dhe 500 pako cigare

    Parandalohet një rast i kontrabandës me mallra në Viti, sekuestrohen rreth 300 kg duhan të grirë refuz dhe 500 pako cigare

    Njësia e TASK-FORC-ës Lindje (e përbërë nga Policia dhe Dogana e Kosovës), vazhdon aktivitetet për parandalim dhe luftimin e kontrabandës dhe realizimin e detyrave në teren në zonën kufitare mes Republikës së Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.

    Më datë 24.04.2024, në rajonin e Vitisë, nga njësitë e lartpërmendura është ndaluar automjeti me targa vendore, drejtuar nga i dyshuari S.Z., i moshës 47 vjeçar nga Vitisë.

    Gjatë kontrollit të automjetit është vërejtur se kishte të ngarkuar 50 shtega (500 pako) cigare të gatshme për treg të llojit FAST dhe rreth 300 kg duhan të grirë refuz, të cilat dyshohet se i kishte kontrabanduar nga Maqedonia Veriore përmes rrugëve malore në fshatin Lubishtë të Vitisë.

    Gjatë kontrollit, në shtëpinë e të dyshuarit janë sekuestruar edhe 200 kg duhan me paketim Marlboro i përpunuar.

    Gjithsej janë sekuestruar 500 kg duhan me vlerë mbi 6.000 € ndërsa shmangiet doganore janë mbi 20.000€.

    Lidhur me rastin të gjitha veprimet janë ndërmarrë në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit, ku me urdhër të prokurorit i dyshuari dërgohet në qendrën e ndalimit për 48 orë, ndërsa malli i kontrabanduar dhe automjeti sekuestrohet dhe dërgohen në terminalin doganor-Dheu i Bardhë.