ATV

Category: Lajme

  • Kurti: Do t’i zgjidhim çështjet e pazgjidhura të pakicave, duke përfshirë minoritetin serb si prioritet

    Kurti: Do t’i zgjidhim çështjet e pazgjidhura të pakicave, duke përfshirë minoritetin serb si prioritet

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në ngjarjen e organizuar nga Partia Socialdemokrate e Gjermanisë, SPD, në hapësirat e Bundestagut gjerman, për nder të 75-vjetorit të themelimit të Këshillit të Evropës.

    Duke nënvizuar se vendi ynë aspiron dhe punon për anëtarësimin në NATO e Bashkimin Evropian, kryeministri Kurti tha se hapi i parë për bashkimin me demokracitë evropiane është anëtarësimi në Këshillin e Evropës.

    “75 vjet nga krijimi i Këshillit të Evropës, 25 vjet që kur NATO, përfshirë Gjermaninë, shkoi në luftë për të mbrojtur dhe shpëtuar qytetarët e Kosovës nga tmerret e masakrave, vrasjeve, përdhunimeve dhe dëbimeve masive. 2024 është viti i duhur që demokracia e fundit në Evropë që nuk është ende anëtare e Këshillit të Evropës t’i bashkohet asaj”, u shpreh Kryeministri Kurti.

    Në fjalimin e tij, Kurti bëri thirrje që Kosova të bëhet anëtare e Këshillit të Europës këtë vit. Këtu ai përmendi edhe zotimet e Kosovës që të plotësojë kërkesat që i janë bërë për t’u anëtarësuar në këtë organizatë.

    Njëra prej tyre është Asociacioni për komunitetin serb dhe tjetra lejimi i bashkimit civil mes gjinive të njëjta – Kodi Civil, i cili s’ka gjetur përkrahje në Kuvendin e Kosovës deri tash.

    Ai tha se për këtë personalisht do ta krijojë shumicën parlamentare, duke i bërë thirrje edhe opozitës.

    “Më lejoni t’ju jap një shembull. Kosova do të synojë që së shpejti të bëhet vendi i dytë në Ballkanin Perëndimor, pas fqinjëve tanë Mali i Zi, duke u ofruar qytetarëve të saj të drejtën e bashkimeve civile të të njëjtës gjini. Ne do të punojmë shumë për ta kaluar këtë në të ardhmen shumë të afërt. Për këtë unë personalisht do të ndërtoj një shumicë parlamentare – dhe do të bëj thirrje për mbështetje të gjerë për këtë edhe nga partitë opozitare. Vendimi për mbledhjen e qeverisë për këtë çështje tashmë është marrë”.

    Kurti tha se kjo do të bëhet edhe për shkak që e kërkon që Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut derisa kërkesa për anëtarësim të Kosovës në Këshill të Europës është në proces.

    “Ne e bëjmë këtë sepse është një e drejtë, sepse është një e drejtë, sepse është në kushtetutën tonë dhe sepse e dimë që Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut ka nxjerrë aktgjykime duke kërkuar që kjo të bëhet. Ne e dimë se ka vende në Këshillin e Europës për një kohë të gjatë që e kanë injoruar gjykatën për këtë. Kosova do të jetë ndryshe. Në këtë mënyrë duam të frymëzojmë të tjerët”, tha Kurti.

    Ai foli edhe për minoritetet në Kosovë, duke thënë se do t’i zgjidhë “çështjet e pazgjidhura” me komunitetin serb si prioritet.

    “Ne gjithashtu do t’i zgjidhim çështjet e pazgjidhura me të cilat ballafaqohen pakicat tona, të drejtat dhe nevojat e tyre, duke përfshirë minoritetin serb të Kosovës, si prioritet. Edhe për këtë, ne po punojmë me anëtarët gjermanë të Bundestagut për të përshkruar nisma të reja dhe të mëdha. Takimet e mia këtu në Berlin për këtë kanë qenë shumë inkurajuese”.

  • Ruecker: Kosova duhet të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe

    Ruecker: Kosova duhet të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe

    Ish-shefi i UNMIK-ut, Joachim Ruecker, tha se Kosova ka bërë arritje të mëdha që nga koha kur ai ishte shef i misionit, duke përmendur mes tjerash mbështetjen që Asambleja Parlamentare i dha vendit për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

    I pyetur se a ka ardhur koha që UNMIK-u të përfundojë mandatin në Kosovë, Ruecker tha se Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara nuk do të pajtohej që të shfuqizohet rezoluta.

    “Ajo çfarë ka ndodhur kohët e fundit, p.sh në Asamblenë Parlamentare në KiE tregon se integrimi i Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe organizmat euroatlantike është duke përparuar. E di që ende duhet vendimi i Këshillit të Ministrave, megjithatë ky është simbol i asaj se si po progresojnë gjërat”, tha Ruecker në televizionin publik.

    “Mendoj se 1244-shi e ka kryer misionin e vet dhe duhet të tërhiqet, por nuk besoj se do të ndodhë në muajt e ardhshëm. Megjithatë më e rëndësishmja është mënyra se si do të shkojë procesi i anëtarësimit të Kosovës në organizmat evropianë, por edhe në drejtim të anëtarësisë në Kombet e Bashkuara dhe ende ka disa pengesa”, theksoi Ruecker.

    E duke folur për veriun e Kosovës, diplomati gjerman tha se është në interes të minoritetit serb që të integrohet në institucione të Kosovës dhe të marrin pjesë në zgjedhje, megjithatë, sipas tij influenca nga Beogradi po i ndalon ata.

    “Sipas mendimit tim nuk është në interes as të Serbisë, sepse lejimi i minoritetit serb që të integrohet në Kosovë është edhe në interes të Beogradit, sepse, nëse nuk ndodh kjo, Serbia nuk mund të bëhet anëtare e BE-së”, theksoi tutje Ruecker.

    Ruecker ndër të tjera tha se në procesin e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit nuk ka progres, megjithatë, sipas tij, largimi i masave të BE-së ndaj Kosovës do të ndodhë së shpejti.

    “Mendoj se është çështje kohe, sepse të gjitha hapat tashmë janë marrë dhe u bë votimi për tërheqjen e kryetarëve të komunave. Tentimi u bë që të zgjidhet situata politike në katër komunat në veri dhe mendoj se qeveria juaj është në drejtim të duhur dhe besoj se këto përpjekje do të njihen nga BE-ja dhe do të vazhdojnë projektet që janë pezulluar për momentin”, tha ai.

    Ish-shefi i UNMIK-ut theksoi se Kosova duhet të themelojë Asociacionin e Komunave me shumicë serbe dhe Serbia ta njohë ‘de-fakto’ Kosovën si shtet.

    “Ju e përmendët marrëveshjen e Ohrit dhe hapat e ardhshëm janë të qartë, duhet të formalizohet dhe mendimi im është që duhet të vazhdohet në mënyrë substanciale realizimi i kësaj marrëveshjeje, por Kosova duhet të merret edhe me themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe dhe të kemi njohje ‘de-facto’ nga Serbia, ndoshta ata nuk e implementojnë, këtë por kjo duhet të vihet në vijën e finishit. Është mjaft e qartë nga ana e BE-së se këto gjëra duhet të ndodhin”, tha Ruecker.

  • Një polic u lëndua pas hedhjes së gjësendeve të forta nga tifozët në lojën Prishtina-Trepça

    Një polic u lëndua pas hedhjes së gjësendeve të forta nga tifozët në lojën Prishtina-Trepça

    Një polic ka pësuar lëndime trupore pasi disa nga tifozë kanë hedhur gjësende të forta, ndër të tjera edhe ulëse të palestrës pas ndeshjes basketbollistike Prishtinë-Trepça.

    Policia njofton përmes raportit se zyrtari policor ka pranuar tretman mjekësor, ndërkohë rasti po hetohet nga njësitet përkatëse.

    “Pas përfundimit të ndeshjes basketbollistike, disa nga tifozët kanë hedhur gjësende të forta, nder te tjera edhe ulëse të palestrës me ç’rast si pasojë lëndime trupore ka pësuar një zyrtar policor i cili ka pranuar tretman mjekësor. Rasti po hetohet nga njësitet përkatëse”, thotë raporti.

  • Zhduket një grua në Vushtrri

    Zhduket një grua në Vushtrri

    Policia e Kosovës ka njoftuar se një grua në Vushtrri është zhdukur.

    Ankuesi mashkull kosovar ka njoftuar se viktima është larguar nga shtëpia dhe deri më tani nuk ka informacion për të.

    Rasti është në procedurë hetimore.

    “Vushtrri 25.04.2024 – 18:15. Ankuesi mashkull kosovar ka raportuar se më 23.04.2024 rreth orës 18:15 nga shtëpia është larguar viktima femër kosovare dhe deri më tani nuk ka asnjë informatë për vendndodhjen e saj”.

  • Trump 2.0: Si po përgatiten aleatët e SHBA-së për një rikthim të tij në Shtëpinë e Bardhë?

    Trump 2.0: Si po përgatiten aleatët e SHBA-së për një rikthim të tij në Shtëpinë e Bardhë?

    Gjermania po tenton të joshë Partinë Republikane. Japonia po përdor zyrtarët e saj pro Donald Trumpit. Zyrtarët e Qeverisë meksikane po zhvillojnë bisedime me kampin e Trumpit dhe Australia është e zënë duke hartuar ligje që t’ia bëjë me dije Trumpit se shteti ka lidhje të mbrojtjes me Shtetet e Bashkuara.

    Gjetkë, aleatët e SHBA-së po ndërmarrin hapa për të mbrojtur apo avancuar interesat e tyre në rast se ish-presidenti Donald Trump, rikthehet në pushtet në zgjedhjet e nëntorit. Sondazhet e fundit sugjerojnë Trump ka shanse që të kthehet në Shtëpinë e Bardhë.

    Aleatët duan që të shmangin shuplakën e ftohtë që morën gjatë mandatit të parë nga politika e Trumpit “Amerika e Para”.

    Kjo politikë shkaktoi luftëra tregtare, lëkundje të aleancave të sigurisë, shtypje të emigrimit dhe tërheqje nga një marrëveshje botërore e klimës.

    Agjencia Reuters ka biseduar me diplomatë dhe zyrtarë qeveritarë në pesë kontinente për përgatitjet e tyre për Trump 2.0.

    Bisedat zbuluan se në Meksikë janë zhvilluar diskutime për emërimin e një ministri të ri të Jashtëm, që do t’i përshtatej Trumpit, në Australi një ambasador po nxiton që të mbrojë një marrëveshje për nëndetëset, ndërkaq një zyrtar gjerman po mban kontakte me guvernatorët republikanë.

    Disa liderë të huaj kanë kontaktuar drejtpërdrejt Trumpin, pavarësisht rrezikut se një gjë e tillë do të zemërojë rivalin e tij në zgjedhje, presidentin aktual demokrat, Joe Biden.

    Princi i Kurorës i Arabisë Saudite së fundi ka telefonuar Trumpin, tha një burim që ka njohuri për këtë bisedë telefonike.

    Ndërkaq, kryeministri i Hungarisë dhe presidenti i Polonisë në javët e fundit kanë zhvilluar takim me të.

    Sekretari i Jashtëm britanik, David Cameron, po ashtu gjatë këtij muaji ka zhvilluar takime me Trumpin në resorin e ish-presidentit në Florida. Kryediplomati britanik u tha gazetarëve në Uashington, pas këtij takimi, se takimi ishte një darkë private ku u diskutua për Ukrainën, luftën e Izraelit në Gazë dhe të ardhmen e NATO-s.

    Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre, tha për Reuters se takime të tilla, sikurse ai që zhvilloi Cameron, nuk janë të pazakonshme. Ajo nuk iu përgjigj pyetjeve lidhur me takimet e Trumpit me Viktor Orbanin e Hungarisë, apo për bisedën me sauditët, për të cilën fillimisht raportoi New York Times.

    Zyra për media e Qeverisë saudite dhe fushata e Trumpit nuk iu përgjigjën kërkesave për koment lidhur me bisedën. Fushata e Trumpit tha se ai ka diskutuar për çështjet e sigurisë me të gjithë liderët evropianë, përfshirë edhe për propozimin e bërë nga presidenti polak, Andrzej Duda, që anëtarët e NATO-s të shpenzojnë të paktën 3 për qind të Bruto Prodhimit të Brendshëm për fushën e mbrojtjes.

    Aktualisht, caku për këtë çështje është 2 për qind.

    Jeremi Suri, historian për presidentët në Universitetin e Teksasit, tha se takimet mes kandidatëve dhe diplomatëve janë normale. Por, ai shtoi se mendon që takimi i Trumpit me Orbanin dhe biseda telefonike me Mohammed Bin Salmanin e Arabisë Saudite ishin të pazakonta.

    Këshilltari i Trumpit, Brian Hughes tha: “Takimet me bisedat me liderët botërorë reflektojnë njohjen e asaj që në SHBA veçse e dimë. Joe Biden është i dobët dhe kur presidenti Trump të betohet si presidenti i 47-të i SHBA-së, bota do të jetë më e sigurt dhe Amerika do të jetë më prosperuese”.

    Zëdhënësja e fushatës së Trumpit tha se “aleatët e Amerikës po shpresojnë që presidenti Trump të rizgjidhet”.

    Diplomacia e shmangies e Gjermanisë

    Shumica e komunikimeve me Trumpin kanë qenë më pak të drejtpërdrejta.

    Gjermania po ndërton ura me republikanët e Trumpit përmes nivelit shtetëror, duke u kujtuar zyrtarëve të kësaj partie se ajo investon shumë në industrinë amerikane. Berlini është i vetëdijshëm që Trumpi ka kërcënuar me tarifa ndëshkuese për industrinë e makinave të Gjermanisë kur ai ishte presidenti, dhe tani, nëse zgjidhet president, dëshiron që të vendosë një tarifë minimale prej 10 për qind për të gjitha importet. Gjermania po përdor një koordinator transatlantik për t’u përgatitur për Trump 2.0.

    Si koordinator, Michael Link po udhëheq atë që Berlini e quan “diplomaci të shmangies”, duke shënjestruar disa shtete amerikane, që mund të jenë përcaktuese për zgjedhjet e nëntorit në SHBA, e në të cilat Berlini është një investitor i madh.

    “Do të ishte jashtëzakonisht e rëndësishme, nëse Donald Trump rizgjidhet, që të shmangeshin tarifat ndëshkuese që ai ka planifikuar që të vendosë kundër mallrave që vijnë nga Bashkimi Evropian”, tha ai për Reuters.

    Link tha se ka takuar guvernatorët republikanë të Oklahomës, Arkansasit, Alabamës dhe Indianës. Në secilin prej këtyre takimeve, ai tha se u ka shpjeguar bashkëbiseduesve të tij se pse lidhjet e mira tregtare mbështesin praninë e Gjermanisë në SHBA. Eksportuesi më i madh i makinave të prodhuara në SHBA është BMW, dhe Gjermania thotë se kjo kompani punëson 860.000 amerikanë në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë.

    Link po ashtu ka zhvilluar takime me zyrtarë demokratë, por prioritet i tij është që të lobojë tek ata që kanë ndikim te Trumpi.

    Reuters nuk ka arritur të përcaktojë nëse Trumpi është në dijeni të qasjes së Berlinit.

    Personat miqësorë me Trumpin

    Në Meksikë, zyrtarët qeveritarë kanë zhvilluar takime me njerëz të afërt me Trumpit, me të cilët kanë diskutuar për çështje sikurse emigrimi dhe trafikimi i fentanilit – një drogë sintetike – për në SHBA.

    Për këto dy çështje, Meksika mund të përballet me presion të SHBA-së, nëse fiton Trumpi, sipas dy burimeve në Meksikë. Trump ka thënë se ai do të urdhëronte Pentagonin “të përdorë siç duhet forcat speciale” për të sulmuar udhëheqjen e karteleve dhe infrastrukturën, gjë e cila ka shumë gjasa që të mos përkrahet nga Qeveria meksikane.

    Zyrtarët në Meksikë po ashtu kanë biseduar për marrëveshjen për tregti të lirë të Amerikës së Veriut, që ishte rishkruar nën presidencën e Trumpit më 2020 dhe duhet të rishikohet më 2026, thanë burimet.

    Trump po ashtu ka lavdëruar punën që është bërë në rishkrimin e marrëveshjes gjatë disa fjalimeve publike të bëra së fundi.

    Dhe, në shenjë të asaj se sa janë të rëndësishme raportet personale nën një administratë të udhëhequr nga Trumpi, partia në pushtet në Meksikë po e shqyrton mundësinë e kandidatëve alternativë për të marrë drejtimin e Ministrisë së Jashtme, varësisht se kush fiton zgjedhjet në SHBA, thanë dy burime të informuara për këto zhvillime në Meksikë.

    Meksika do të mbajë zgjedhje presidenciale në qershor. Nëse kandidatja e partisë në pushtet, Claudia Sheinbaum fiton, ashtu siç pritet, ajo do të marrë detyrën në tetor apo një muaj para zgjedhjeve amerikane. Nëse sondazhet sugjerojnë një fitore të Trumpit, ajo ka të ngjarë të zgjedhë Marcelo Ebrard si ministër të saj të Jashtëm, thanë burimet për agjencinë Reuters.

    Ebrard ka shërbyer në postin e ministrit të Jashtëm të Meksikës gjatë presidencës së Trumpit dhe gjerësisht në Meksikë besohet se ai ka vepruar mirë gjatë ndërveprimit me administratën e atëhershme të Trumpit.

    Fushata e Sheinbaumit tha se ajo ende nuk është e gatshme të tregojë se kë ka zgjedhur në postin e ministrit të Jashtëm, ndërkaq Ebrard nuk ka komentuar për këtë çështje.

    Angazhimi diplomatik i Japonisë

    Për të forcuar angazhimin diplomatik me kampin e Trumpit, Japonia po përgatitet që Sunao Takao – një përkthyes i shkolluar në Harvard – të ndihmojë ish-kryeministrin Shinzo Abe, që të bëhet më i afërt me Trumpin gjatë lojës së golfit.

    Edhe një tjetër ish-kryeministër i Japonisë, Taro Aso, u takua me Trumpin në Nju Jork gjatë kësaj jave, sipas fushatës së tij.

    Aleatja më e afërt e Amerikës në Azi druan se Trumpi mund të rivendosë proteksionizmin tregtar dhe të kërkojë më shumë para për mirëmbajtjen e forcave amerikane në Japoni, thanë zyrtarët qeveritarë.

    Partia Laburiste në Britani, që tani është në opozitë por është kandidate e fortë për të fituar zgjedhjet që pritet të mbahen në fund të vitit, mund ta ketë më të vështirë që të ketë raporte të mira me një administratë të udhëhequr nga Trumpi.

    I nominuari i kësaj partie për postin e ministrit të Jashtëm, David Lammy, një herë kishte shkruar në revistën Time se Trump ishte një “person që urren gratë dhe një sociopat neo-nazist”.

    Lammy tani po punon që të ndërtojë raporte me republikanët, tha një zyrtar i Partisë Laburiste.

    Lammy është takuar me figura republikane që shihen se mund të kenë rol në kabinetin e Trumpit, përfshirë edhe Mike Pompeo, ish-sekretari amerikan i Shtetit nën administratën e Trumpit, tha zyrtari i partisë britanike.

    Lammy ka refuzuar të intervistohet për këtë çështje, por ka thënë se shumë politikanë britanikë e kanë kritikuar Trumpin dhe ai do të përfaqësojë interesat britanike, nëse bëhet ministër i Jashtëm, pavarësisht se kush do të jetë në Shtëpinë e Bardhë.

    Victoria Coates, ish-zëvendëskëshilltare për siguri kombëtare gjatë administratës së Trumpit, tha se një fitore e laburistëve do të nënkuptonte një fazë të vështirë në raportet mes SHBA-së dhe Britanisë, nëse në SHBA Trump fiton zgjedhjet presidenciale.

    Ndërkaq, një përfaqësues i ish-sekretarit Pompeo refuzoi të komentonte takimin me Lammyn.

    Qasja e Australisë

    Ambasadori i Australisë në SHBA, Kevin Rudd, së fundi u përmend nga Trumpi për shkak të kritikave që ambasadori kishte bërë në të kaluarën për ish-presidentin amerikan.

    Gjatë një interviste muajin e kaluar, Trump tha se ka dëgjuar që Rudd, që më herët ka qenë kryeministër, ishte “pak i pështirë” dhe se “nëse do të jetë armiqësor, nuk do të jetë për një kohë të gjatë në vendin ku është”. Ministrja e Jashtme e Australisë, Penny Wong, mbrojti Ruddin, duke thënë se ai do të vazhdojë të jetë ambasador edhe nëse Trump rikthehet në pushtet.

    Në prapaskenë, Rudd po tenton të mbrojë një marrëveshje kyçe të mbrojtjes që Trump të mos e zhbëjë, thanë burimet diplomatike në Australi për agjencinë Reuters.

    Administrata e Bidenit është pajtuar që ta ndihmojë Australinë që të lëvizë drejt zhvillimit të një flote të nëndetëseve bërthamore, në këmbim që Australia t’i shesë tri deri në pesë nëndetëse luftuese të klasit Virginia.

    Rudd i ka kërkuar shtetit të tij që të veprojë shpejtë në miratimin e legjislacionit që e afron me standardet amerikane për kontrollin e armëve dhe krijon një trup të posaçëm për siguri bërthamore, me shpresën që do t’ia bënte më të vështirë Trumpit që të tërhiqej nga marrëveshja, sipas burimeve.

    Ambasada australiane në SHBA ka refuzuar që të komentojë për këtë çështje dhe as Qeveria australiane nuk ka komentuar.

    Michael Shoebridge, nga instituti australian për Analiza Strategjike, tha se politika e Trumpit “Amerika e Para”, megjithatë, mund ta fundosë këtë marrëveshje.

    “Aty janë të gjitha levat që Trumpi të thotë ‘Marina amerikane nuk ka mjaftueshëm nëndetëse, prandaj nuk do t’i shesim asnjë Australisë’”, tha eksperti i mbrojtjes.

    Reuters nuk ka arritur të përcaktojë se çfarë qëndrimi ka Trumpi për këtë çështje. Gjatë fushatës për zgjedhjet presidenciale ai nuk ka shprehur asnjë shqetësim për këtë marrëveshje.

    Qasja diskrete e Koresë së Jugut

    Një mënyrë e thjesht që aleatët të ndikojnë te Trumpi është përmes lobistëve, veçmas nëse shtetet duan të jenë diskrete.

    Një ish-zyrtar i Koresë së Jugut, që tani jeton në Uashington, tha administrata Biden po vëzhgon nga afër qeveritë e huaja dhe se Seuli preferon që të kuptojë se çfarë mendon Trump përmes firmave lobuese “në një mënyrë të fshehtë”.

    Grupet lobuese në Uashington po gumëzhin me shtetas të Koresë së Jugut, të cilët janë të etur që të mësojnë se çfarë pikëpamjesh ka Trumpi sa i përket tregtisë dhe investimeve, përfshirë edhe atë se çfarë do të ndodhë me Aktin për reduktimin e inflacionit, tha një zyrtar i Qeverisë jugkoreane.

    Zyra e Presidentit të Koresë së Jugut nuk ka komentuar.

    Trump mbështet këtë akt, që ka të bëjë me prodhimin dhe tranzicionin e energjisë. Megjithatë, ai kundërshton shtytjen që Bideni bën që të kalohet nga karburantet fosile në energji të gjelbër.

    Disa aleatë të SHBA-së po përdorin lobistët e lidhur me Trumpin, përfshirë kompaninë Ballard Partners, që udhëhiqet nga Brian Ballard, lobist nga Florida i cili ka lidhje të ngushta me Trumpin.

    Në mesin e klientëve të Ballardit janë Japonia dhe Republika Demokratike e Kongos, thuhet në të dhënat publike të kompanisë, por firma nuk ka përmendur emra të tjerë.

    “Shumë anëtarë të firmës sonë për një kohë të gjatë kanë qenë aleatë të ish-presidentit”, tha Justin Sayfie, partner në Ballard.

    Ministria e Jashtme e Japonisë tha se ka kërkuar këshilla dhe mbështetje nga ekspertë të ndryshëm. Por, ky institucion nuk pranoi të komentonte raportet që ka me Ballardin. Ndërkaq, institucionet në Kongo nuk u përgjigjën menjëherë për të komentuar për këtë çështje. /Radio Europa e Lirë

  • Sot Dita Botërore e Pronësisë Intelektuale

    Sot Dita Botërore e Pronësisë Intelektuale

    Sot në të gjithë botën shënohet Dita e Pronësisë Intelektuale, me aktivitete të ndryshme që kanë për qëllim promovimin e të drejtës së pronësisë intelektuale dhe mbrojtjen e kësaj pronësie. Ndërsa, institucionet e Kosovës nuk kanë paralajmëruar ndonjë organizim për nder të kësaj dite.

    Pronësia intelektuale që përfshinë pronësinë industriale dhe të drejtat e autorit, në Kosovë është e garantuar me ligj.

    Ndërsa, që nga viti 2000 më 26 prill të çdo viti të gjitha vendet anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) kremtojnë Ditën Botërore të Pronësisë Intelektuale, e cila organizohet nën juridiksionin e Organizatës Botërore të Pronësisë Intelektuale (OBPI).

    Organizata Botërore e Pronësisë Intelektuale (WIPO), në shënim të Ditës Botërore të Pronësisë Intelektuale përzgjedh një slogan për të frymëzuar komunitetin global të krijuesve, mbrojtësve të pasurisë intelektuale, por edhe për të evidentuar një aspekt të sistemit unik të bashkëpunimit ndërplanetar, sigurimit të vijimësisë së krijimtarisë. /KP/

  • Rriten remitencat, kaq para dërgoi diaspora deri në muajin mars

    Rriten remitencat, kaq para dërgoi diaspora deri në muajin mars

    Mbi 112 milionë euro është vlera dërgesave të mërgatës që janë sjell në Republikën e Kosovës për muajin mars 2024.

    Kështu thuhet në statistikat e remitancave dhe institucioneve tjera financiare për këtë periudhë, të publikuara nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK), duke shtuar se vlera totale e tyre për tre muaj, sipas vlerësimeve, ka arritur në 284.07 milionë euro.

    Sipas raportit, prurjet më të mëdha të remitancave ishin nga institucionet financiare jo-bankare me pjesëmarrje prej 64.46 për qind, pasuar nga kanalet tjera me 23.34 për qind dhe bankat me 15.20 për qind.

    Për sa i përket aseteve të kompanive të sigurimit, BQK-ja tregon se deri në këtë muaj vlera e tyre ishte 314.83 milionë euro, duke shënuar rritje prej 2.11 milionë euro krahasuar me shkurtin e 2024-së.

    Ndërsa, asetet e fondeve pensionale kanë arritur vlerën e 2.87 miliardë euro, e cila përfaqëson rritje për 74.14 milionë euro.

    Në fund, BQK-ja tregon se asetet e ndërmjetësve tjerë financiar në fund të muajit mars 2024 janë rritur për 9.26 milionë euro, duke arritur vlerën e 564.49 milionë eurove.

  • Shifra shqetësuese: Raportohen 7 raste të dhunës brenda një dite

    Shifra shqetësuese: Raportohen 7 raste të dhunës brenda një dite

    Shtatë raste të dhunës në familje janë raportuar në Polici brenda 24 orëve

    Viktimat të gjitha ishin femra, të cilat i kanë raportuar burrat për dhunë në Polici.

    Rastet kanë ndodhur në Prishtinë, Pejë, Fushë Kosovë, Lipjan, Viti.

    Raportet e plota të Policisë:

    Lipjan/25.04.2024 – 07:36. Viktima femër shtetase e huaj ka raportuar se ka pasur dhunë nga i dyshuari mashkull kosovar. Palët janë intervistuar dhe me urdhër të prokurorit rasti vazhdon në procedurë të rregullt hetimore.

    Fushë Kosovë/25.04.2024 – 10:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që pas një mosmarrëveshje dyshohet se kishte ushtruar dhunë ndaj viktimës femër kosovare. Pas intervistimit me urdhër të prokurorit kujdestar, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

    Prishtinë/25.04.2024 – 13:00. Ankuesja femër kosovare ka raportuar se më datë 03.04.2024 i dyshuari mashkull e kishte dëbuar nga shtëpia e tyre. I dyshuari nuk është hasur ne lokacion, përderisa rasti është duke u hetuar.

    Prishtinë/25.04.2024 – 12:30. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që dyshohet se i njëjti kishte ushtruar dhunë ndaj viktimës femër kosovare. Pas intervistimit të palëve me urdhër të prokurorit kujdestar, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

    Prishtinë / 25.04.2024 – 1 2:30. Viktima femër kosovare ka raportuar se pas një mosmarrëveshje është sulmuar fizikisht nga i dyshuari mashkull kosovar. Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari është intervistuar dhe me vendim të prokurorit është liruar.

    Viti / 25.04.2024 – 19:00. Viktima femër kosovare ka pranuar tretman mjekësor pasi që e njëjta pas një mosmarrëveshje dyshohet se është sulmuar fizikisht nga i dyshuari mashkull kosovar. Palët janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit i dyshuari është arrestuar dhe dërguar në mbajtje .

    Pejë/25.04.2024 – 13:12. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që pas një mosmarrëveshje verbale dyshohet se kishte ushtruar dhunë fizike ndaj viktimës femër kosovare. Viktima nuk ka dëshiruar të marrë tretman mjekësor dhe pas intervistimit është kthyer në shtëpinë e saj. Me vendim të prokurorit kujdestar, i dyshuari është dërguar ne mbajtje.

  • Kryeministri Kurti mori pjesë dhe mbajti fjalim në ngjarjen e organizuar nga SPD, për shënim të 75- vjetorit të themelimit të Këshillit të Evropës

    Kryeministri Kurti mori pjesë dhe mbajti fjalim në ngjarjen e organizuar nga SPD, për shënim të 75- vjetorit të themelimit të Këshillit të Evropës

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në ngjarjen e organizuar nga Partia Socialdemokrate e Gjermanisë, SPD, në hapësirat e Bundestagut gjerman, për nder të 75-vjetorit të themelimit të Këshillit të Evropës.

    Në fjalën e tij, Kryeministri Kurti rikujtoi se 75 vjet më parë, në prill të vitit 1949, u krijuan dy institucione që kanë transformuar historinë evropiane: NATO dhe Këshilli i Evropës, të cilat i cilësoi si shtyllat e paqes demokratike në Evropë.

    Ai përmendi përjetimet e qytetarëve tanë në luftën për çlirim dhe pavarësi, e për të cilët lidhja me këto institucione perëndimore e demokratike ishte dhe që atëherë mbështetje për t’i ikur tmerreve të kohës.

    Duke nënvizuar se vendi ynë aspiron dhe punon për anëtarësimin në NATO e Bashkimin Evropian, kryeministri Kurti tha se hapi i parë për bashkimin me demokracitë evropiane është anëtarësimi në Këshillin e Evropës.

    “75 vjet nga krijimi i Këshillit të Evropës, 25 vjet që kur NATO, përfshirë Gjermaninë, shkoi në luftë për të mbrojtur dhe shpëtuar qytetarët e Kosovës nga tmerret e masakrave, vrasjeve, përdhunimeve dhe dëbimeve masive. 2024 është viti i duhur që demokracia e fundit në Evropë që nuk është ende anëtare e Këshillit të Evropës t’i bashkohet asaj”, u shpreh Kryeministri Kurti.

    Në vijim, ai elaboroi rreth përkushtimit të vendit tonë për vlerat e parimet demokratike, sundimin e ligjit, mbrojtjen e të drejtave të njeriut e vëmendjen ndaj nevojave të komuniteteve joshumicë.

    Ai tha se në këto tri vjet qeverisje, kemi dëshmuar se zhvillimin socio-ekonomik dhe progresi demokratik shkojnë krah për krah.

    Kryeministri bëri thirrje miqve tanë gjermanë që ta mbështesin vendin tonë edhe në këtë hap të fundit të anëtarësimit të plotë në Këshillin e Evropës, si vendi i 47-të anëtar.

    Në fund falënderoi Bundestagun dhe SPD për mikpritjen, interesin, mbështetjen dhe rolin kyç demokratizimin e Evropës dhe për ndihmën e vazhdueshme.

  • Çitaku: Në zgjedhjet e ardhshme Bedri Hamza do të jetë kryeministër, VV-ja në opozitë

    Çitaku: Në zgjedhjet e ardhshme Bedri Hamza do të jetë kryeministër, VV-ja në opozitë

    Sekretarja e përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku tha se subjekti politik ku ajo bën pjesë në thelb nuk vë vija të kuqe me askënd për koalicion.

    Ajo tha se vijat e kuqe janë shpikur nga Vetëvendosje.

    “Ne mendojmë se me Lëvizjen Vetëvendosje e kemi të vështirë të realizojmë planin tonë, mirëpo duhet të zhveshet nga këto termat e rëndë përjashtues e ndonjëherë edhe linçues”, tha ajo.

    Ajo përmendi koalicionin e PDK-Vetëvendosje në Gjilan dhe Podujevë, që sipas saj nuk funksionojë.

    Çitaku u shpreh e bindur Vetëvendosje në zgjedhjet e ardhshme do të dalë në opozitë.

    “Po e them me siguri të plotë, jo me arrogancë.”, u shpreh ajo.

    Çitaku u shpreh e bindur se Bedri Hamza do të jetë kryeministër i Kosovës.

    “Këtë besim timin nuk e kam vetëm për shkak të intuitës politike, por edhe për shkak të matjeve në terren Bedri Hamza do të jetë kryeministër i Kosovës, jam e bindur”., tha ajo.

    “ Unë jam e bindur se rezultati i zgjedhjeve të përgjithshme do të jetë befasues për shumë kë, siç ka qenë befasues edhe rezultati i zgjedhjeve lokale”, tha ajo.

    Çitaku në “Click” tha se opozita në përgjithësi, jo vetëm PDK- është kritikuar padrejtësisht. Sipas saj kjo opozitë aktualisht që Kosova të bëhet shtet totalitar.

    “Kjo opozitë e cila shpeshherë edhe padrejtësisht është kritikuar, me nismat e saj të dërguar në Gjykatën Kushtetuese ka arritur që të shpëtoi Kosovën nga tendencat autoritare dhe totalitare të kryeministrit Albin Kurti, duke dërguar lëndët për trajtim ligjet…kjo është detyra e opozitës, detyra e opozitës nuk është të çirret as të hedh vezë.”, tha ajo.

    Çitaku vlerësoi se kryeministri Kurti ka shkelur çdo premtim dhe çdo zotim.

    “Kryeminsitri Kurti vazhdon të flas si opozitar dhe, veprimet në Bruksel i ka komplet të njëanshme.”, tha ajo.

    Ajo mohoi se “i kanë lënë në duar Kurtit pataten e nxehtë”, duke thënë se i lanë vetëm Kosovën pavarur me 100 njohje.

    Çitaku shtoi se Kurtit ia kanë lënë dy letra të njëpasnjëshme të presidentit amerikan që flasin për një marrëveshje finale gjithëpërfshirëse me njohje në qendër.

    “E vërteta është se sjellja e papërgjegjshëm, aventureske e kryeministrit Kurti solli edhe zbehjen e reduktimin e ambicieve të aleatëve tanë pati një keqlexim të tmerrshëm të kontekstit të ri gjeopolitik pas ndërhyrjes pas agresionit rus në Ukrainë”, tha Çitaku.