ATV

Category: Lajme

  • Suspendohet kapiteni policor Riza Murati, dyshohet se ushtroi dhunë në familje

    Suspendohet kapiteni policor Riza Murati, dyshohet se ushtroi dhunë në familje

    Drejtori i Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore në Policinë e Kosovës, Riza Murati është suspenduar nga puna pas dyshimeve për “Dhunë në familje”.

    Kështu ka bërë të ditur Policia e Kosovës në një përgjigje për teve1.info, ku thuhet se PK ka vendosur ta suspendojë nga puna kapitenin policor pas rekomandimit që ka marr nga Inspektorati Policor i Kosovës me 19 prill.

    “Kur një i punësuar në PK, dyshohet të ketë kryer vepër penale, rasti trajtohet nga një institucion jashtë PK-së. Pastaj çdo gjë që lidhet me një rast konkret që trajtohet nga IPK edhe njoftimet lidhur me rastin lëshohen nga IPK. Po ashtu, është procedurë që nuk ndryshon, që çdo rekomandim i IPK, zbatohet nga PK-ja, njëjtë është vepruar edhe për rastin për te cilin interesoheni”, thuhet në përgjigjen e PK-së.

  • Anulohen mijëra fluturime për shkak të grevës të kontrollorëve ajrorë në Francë

    Anulohen mijëra fluturime për shkak të grevës të kontrollorëve ajrorë në Francë

    Mijëra fluturime në Francë dhe Evropë u anuluan më 25 prill, për shkak të grevës të kontrollorëve të trafikut ajror në Francë.

    Greva ka shkaktuar ndalesën më të madhe në trafikun ajror në dekada.

    Kompanitë e fluturimeve kanë përgjysmuar fluturimet në dy aeroportet kryesore në Paris, në Orly dhe Roissy Charles-de-Gaulle. Në Marsej, po ashtu, janë anuluar shumë fluturime.

    Më të prekurat janë fluturimet me destinacione të shkurtra, por edhe fluturimet e gjata janë përballur me pengesa.

    Ryanair ka raportuar se ka anuluar 300 fluturime më 25 prill, ndërkaq Easyjet dhe Transavia nga 200 secili.

    Në total, rreth 2.300 fluturime në aeroportet franceze pritet të realizohen të enjten, për dallim nga 5.200 sa ishin realizuar një ditë më parë, tha autoriteti i aviacionit civil, DGAC.

    Në mbarë Evropën, rreth 2.000 fluturime të tjera janë anuluar dhe rreth 1.000 të tjera kanë ndryshuar rrugën për të shmangur hapësirën ajrore franceze.

    Numri i fluturimeve të anuluara ishte më i larti “në 20 vjet”, sipas Augustin de Romanet, drejtor i Grupit ADP, që menaxhon aeroportet në kryeqytetin francez.

    Ai paralajmëroi se “dhjetëra mijëra dollarë” po rrezikohen nga anulimi i fluturimeve për shkak të grevës.

    Shoqata e trafikut ajror, IATA, akuzoi kontrollorët francezë se po “shantazhojnë” dhe po bëjnë kërkesa të parealiuiese.

    Greva në e kontrollerëve ajrorë vazhdoi, pavarësisht se një shoqatë e madhe e punëtorëve të trafikut ajror u tërhoq nga greva më 25 prill, për shkak se tha se do të vazhdonte negociatat me autoritetet shtetërore lidhur me kushtet e punës.

    Megjithatë, në grevë janë edhe tri shoqata të tjera./REL/

  • Deputetja finlandeze takon presidenten Osmani: Kosova duhet të pranohet në Këshillin e Evropës pa parakushte shtesë

    Deputetja finlandeze takon presidenten Osmani: Kosova duhet të pranohet në Këshillin e Evropës pa parakushte shtesë

    Deputetja finlandeze, Tytti Tuppurainen ka takuar presidenten Vjosa Osmani.

    Në një postim në “X” Tuppurainen ka shkruar se Evropa do të humbiste një mundësi të madhe nëse Kosova nuk pranohet si anëtare e Këshillit të Evropës.

    Ajo më tej ka theksuar se nuk duhet të ketë parakushte shtesë për anëtarësim.

    “Evropa do të humbiste një mundësi të madhe nëse Kosova nuk pranohet si anëtare e Këshillit të Evropës. Bëhet fjalë për të drejtat e njeriut në një shoqëri multietnike dhe bashkëpunim të bazuar në rregulla.

    Nuk duhet të ketë parakushte shtesë! Është koha për të vepruar. Takimi i shkëlqyer me presidenten Vjosa Osmani”, ka shkruar Tuppurainen.

  • Shtyhet gjykimi ndaj të akuzuarve për vrasjen e biznesmenit Bedri Rexhepi

    Shtyhet gjykimi ndaj të akuzuarve për vrasjen e biznesmenit Bedri Rexhepi

    Në mungesë të dëshmitarëve Faton Gashi dhe Agim Hoti, është shtyrë seanca e së enjtes në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin ku Jeton dhe Nexhat Vllasaliu po akuzohen për vrasjen e biznesmenit Bedri Rexhepi. Për dy dëshmitarët, do të lëshohet urdhëresë për sjellje me shoqërim.

    Kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Medie Bytyqi bëri të ditur se për dëshmitarët Gashi dhe Hoti gjykata ka dëshmi se të njëjtit nuk e kanë pranuar ftesat në mënyrë të rregullt për shkak të adresës së pasaktë.

    Gjykatësja Bytyqi tha se gjykata ka kontaktuar me dëshmitarët përmes telefonit, të cilët kanë kanë konfirmuar pjesëmarrjen, megjithatë sot nuk janë paraqitur në seancë dhe nuk kanë njoftuar për arsyen e mosprezencës së tyre.

    Në këto rrethana, seanca e sotme është shtyrë, kurse për dëshmitarët Gashi dhe Hoti, gjykata bëri të ditur se do të lëshohet urdhëresë për sjellje me shoqërim.

    Ndryshe, seancat 5 tetorit 2023 , ajo e 30 nëntorit 2023 dhe seanca e datës 23 janar 2024, ishin mbyllur me kërkesë të prokurorit Armend Hamiti.

    Jeton dhe Nexhat Vllasaliu ishin deklaruar të pafajshëm në seancën e 14 nëntorit 2022.

    Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Jeton dhe Nexhat Vllasaliu ngarkohen me veprën penale “Vrasje e rëndë”, nga neni 173, paragrafi 1.6 dhe 1.4 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

    Në aktakuzë thuhet se prej periudhës 9 janar 2021 deri më 8 prill 2021, të pandehurit Vllasaliu në bashkëkryerjeje pas marrëveshjes paraprake, kishin filluar planifikimin për të privuar nga jeta të dëmtuarin, Bedri Rexhepi, me qëllim të fitimit të dobisë pasurore.

    Sipas akuzës, ata fillimisht i kishin ndarë rolet dhe planifikuar veprimet dhe Jeton Vllasaliu duke shfrytëzuar besimin që i dëmtuari/i ndjeri Rexhepi kishte ndaj tij, e vë në lajthitje të njëjtin, ashtu që duke filluar nga 9 janar 2021, i kishte ofruar për shitje dy vetura, një “Range Rover” dhe një “BMW X3”, për vlerën prej 30 mijë euro.

    Tutje, thuhet se gjatë realizimit të planit te tyre, i pandehuri Jeton, më 8 prill 2021 të dëmtuarin Rexhepi e dërgon në fshatin Vllasali në shtëpinë e të pandehurit Nexhat ku paraprakisht kishin planifikuar vrasjen e tij.

    Pas kësaj, aktakuza thotë se i pandehuri Jeton në mënyre tinëzare duke e ngufatur e privon nga jeta Rexhepin, duke menduar se ka me vete shumën e të hollave dhe atë në vlerë prej 30 mijë euro, siç edhe ishin marrë vesh për shitjen e veturave.

    Mirëpo, sipas aktit akuzues pas vrasjes tek viktima kishte gjetur vetëm shumën prej 8 mijë euro që i ka ndarë me të pandehurin Nexhat Vllasaliu. Pastaj, thuhet se kufomën e të ndjerit e dërgon në katin e tretë të shtëpisë dhe në pamundësi për ta varrosur e kishte mbështjellur kokën e tij me qese të zezë të najlonit, kurse tërë trupin me perden e shtëpisë së të pandehurit Nexhat dhe e kishte lidhur me një litar.

    Tutje, thuhet se veturën e të ndjerit Rexhepi e kishte dërguar në arat e fshatit Sushicë-Janjevë dhe nga aty, i pandehuri Jeton i kishte telefonuar të pandehurit Nexhat, i cili pastaj e kishte marrë me veturën e tij në rrugën që dërgon tek vendi ku e kishte lënë automjetin e të ndjerit.

    Në vazhdim të aktakuzës, thuhet se në këtë mënyrë, i pandehuri Nexhat do të merrte pjesë në kryerjen e veprës dhe atë duke tentuar t’i humb gjurmët e kryerjes së veprës, ashtu siç edhe ishte planifikuar më herët.

    Sipas aktakuzës, të nesërmen herët në mëngjes më 9 prill 2021, së bashku shkojnë në shtëpinë e tyre në fshatin Vllasali tek vendi ku ishte kufoma dhe në bashkëkryerjeje e dërgojnë në vendin kodrinor-malor të quajtur Mali i Madh në Vllasali, ku i pandehuri Nexhat e kryen veprimin siç e kishin planifikuar më herët, për zhdukjen e kufomës duke e varrosur dhe duke i fshehur edhe gjurmët deri më 30 shtator 2022, kur janë gjetur mbetjet mortore që besohet se janë të të dëmtuarit Rexhepi.

    Të njëjtit, po ashtu ngarkohen me veprën penale “Dëmtim i varreve apo kufomave”, nga neni 413, paragrafi 2 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

    Sipas dispozitivit të dytë të aktakuzës, të pandehurit Vllasaliu më 9 prill 2021, rreth orës 06:00 në fshatin Vllasali Novobërdë, në bashkëkryerjeje me qëllim të fshehjes së gjurmëve për veprën e kryer penale e kanë fshehur kufomën e tani të ndjerit Rexhepi, duke e varrosur në një vend që nuk është vendvarrim, gjegjësisht në vendin e quajtur Mali i Madh në Vllasali. /BetimipërDrejtësi

  • ​PSD me aksion para Qeverisë, përuron “çeshmen e milionerëve”

    ​PSD me aksion para Qeverisë, përuron “çeshmen e milionerëve”

    Partia Socialdemokrate përmes një aksioni në oborrin e qeverisë, ka vendosur një “çeshme të mbushur me para”, me mbishkrim “ Për nder të Lirbun Aliut, i cili na e lëshoi çeshmën”.

    Zgjim Hyseni nga PSD-ja, tha se këtë çeshme, e kanë sjellur këtu kompanitë që përfituan miliona nga ministri Aliu si shenjë nderimi për të.

    “Kjo që po e shihni këtu nuk është kroi i fshatit tonë i bukur e ku kanë qasje të gjithë, kjo këtu është çeshmja e milionereve sepse kroi, çeshmja po rrjedh veç për ta, sepse në Kosovë atyre që e shesin ujin iu falet. Janë mbi 15 milion euro që janë falë e procesi nuk është zbardh në tërësi, e ato ju kanë falë kompanive milionëshe, këto kompani për nder të Lirbun Aliut që iu ka lëshuar çeshmën e kanë sjell si e donë zakoni në shenjë dhe nderim për të, këtë çeshme që po rrjedh. Janë 15 milion euro të falura e procesi nuk është zbardh në tërësi. I kisha lut edhe një herë organet e rendit sepse këtu ka potencialisht shkelje serioze ligjore përveç që po bëhet e qartë për kënd po punon pushteti i Vetëvendosjes”, tha Hyseni

    Tutje Hyseni ka adresuar pyetje se në mullirin e kujt po e dërgon ujin pushteti i Lëvizjes Vetëvendosje.

    “Në Kosovë për 20 euro KEDS-i të shkyç nga energjia elektrike, për gjithçka shkon tek përmbaruesi. Mirëpo sa më i madh që je edhe borxhet janë gjasat më të mëdha për me tu fal. Pyetja që duhet të shtrohet që është pyetje politike është se në mulli të kujt po qon ujë pushteti i Vetëvendosjes. Siç ka qenë edhe e ditur ky pushtet që nuk ka sjell asnjë ndryshim as sa i përket mënyrës se si shpërndahet pasuria, as nuk ka bërë tatim progresiv, as nuk ka bërë taksë dividend ka qenë qeshje kohe kur fillon me punu për të mëdhenjtë. Veç një dallim ekziston se për të mëdhenjtë kanë punuar edhe ata më herët këta punojnë për të mëdhatë për mundësisht këto kompanitë e mëdha me mujt me qenë të tyre dhe me i kontrollua, ky është i vetmi dallim midis këtij pushteti dhe pushteteve të mëhershme. Pushteti i Liburn Aliut dhe pushteti që udhëhiqet prej Albin Kurtit nuk punojnë ndryshe thjesht janë në funksion të kapitalit të madh, mundësisht këtë kapital me pas sa ma shumë në kontroll”, përfundoi Hyseni.

  • SHBA i dërgon Ukrainës raketa me rreze veprimi prej 300 kilometrash

    SHBA i dërgon Ukrainës raketa me rreze veprimi prej 300 kilometrash

    Departamenti amerikan i Shtetit (DASH) konfirmoi të mërkurën vonë se Shtetet e Bashkuara i kanë dërguar Ukrainës raketa me rreze të gjata veprimi, të njohura si ATACMS, për përdorim brenda vendit.

    Raketat mbërritën në Ukrainë gjatë këtij muaji, sipas DASH-it.

    Zëdhënësi i DASH-it, Vedant Patel, tha për gazetarët se këto raketa u dërguan me vendim të presidentit amerikan, Joe Biden.

    Ky konfirmim vjen pas lajmeve në mediat amerikane se ato raketa ishin përdorur javën e kaluar për ta bombarduar një fushë ajrore ushtarake të Rusisë në Gadishullin e Krimesë, të cilin Moska e aneksoi jashtëligjshëm më 2014, si dhe forcat ruse në një pjesë tjetër të uzurpuar të vendit gjatë natës.

    ATACMS mund ta godasin cakun në largësi të mëdha – deri në 300 kilometra larg – krahasuar me raketat me rreze veprimi prej 165 kilometrash që SHBA-ja ia dha Ukrainës në tetor. Ato ishin pjesë e një pakete me ndihmë për Ukrainën më mars, jo pjesë e paketës që Kongresi e aprovoi dhe presidenti Biden e nënshkroi më 24 prill.

    “Ne nuk njoftuam për këtë menjëherë, në mënyrë që ta ruanim sigurinë e operacioneve të Ukrainës, me kërkesën e tyre”, tha Patel.

    Këshilltari për siguri kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan, tha se “një numër i madh” i raketave i është dërguar Ukrainës, duke shtuar se “ne do t’iu dërgojmë më shumë”.

    Ai theksoi se Ukraina është zotuar se do t’i përdorë këto armë vetëm brenda Ukrainës, dhe jo në Rusi.

    Administrata e Bidenit kishte ngurruar t’i dërgonte Ukrainës armë të tilla në të kaluarën, për shkak se shqetësohej se ato mund ta nxisnin përshkallëzimin e konfliktit.

    Ukraina po furnizohet me këto armë në një kohë vendimtare, pasi Rusia po vazhdon të çajë përpara në fushëbetejë në rajonin lindor, Donjeck.

    Rusia mund të fitojë më shumë territor kundër forcave ukrainase në ditët në vijim, paralajmëroi Sullivan.

    Raportohet se SHBA-ja e ndryshoi qëndrimin rreth raketave me rreze të gjata veprimi pasi Rusia përdori raketa balistike me rreze të gjata veprimi, të siguruara nga Koreja e Veriut, për ta goditur Ukrainën në dhjetor dhe në janar. Faktori ishin edhe sulmet e vazhdueshme ruse kundër infrastrukturës civile dhe energjetike të Ukrainës.

    Ndërkohë, Biden e nënshkroi dje paketën me ndihmë ushtarake për Ukrainën, pasi ajo u miratua nga Kongresi amerikan pas shumë vonesave.

    Sipas zyrtarëve amerikanë, pjesa e parë e ndihmës për Ukrainën – që ka vlerë të përgjithshme prej 61 miliardë dollarësh – do të nisë së ekzekutuari brenda orësh.

    Aty përfshihen armë të mbrojtjes ajrore, municione për artileri, autoblinda dhe armë të tjera që do t’iu dërgohen forcave ukrainase, të cilat po përballen me pushtimin që Rusia nisi në shkurt të vitit 2022.

  • Ndërroi jetë punëtori shumëvjeçar i RTK-së

    Ndërroi jetë punëtori shumëvjeçar i RTK-së

    Në moshën 64 vjeçare ndërroi jetë punëtori shumëvjeçar i RTK-së, Bardhyl Bekteshi.

    Lajmin për vdekjen e tij e kanë bërë të ditur familjarët e të ndjerit të cilët kanë treguar se varrimi i tij do të bëhet të premten në Podujevë.

    Bekteshi ishte punëtor shumëvjeçar edhe në ish-RTP.

  • Zveçan: Policia i gjen armë në shtëpi, i dyshuari dërgohet në mbajtje

    Zveçan: Policia i gjen armë në shtëpi, i dyshuari dërgohet në mbajtje

    Policia e Kosovës njofton se të mërkurën gjatë kontrollit në shtëpinë e një të dyshuari në Zveçan, janë gjetur dhe konfiskuar pesë armë zjarri (një pushkë gjuetie, dy pushkë Karabinë, dy pistoleta dhe një sasi municioni të kalibrave të ndryshëm).

    Siç njoftojnë organet e rendit, i dyshuari është intervistuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

  • Kurti takim pune në Fondacionin Bertelsmann, me personalitete, studiues e deputetë të Bundestagut gjerman

    Kurti takim pune në Fondacionin Bertelsmann, me personalitete, studiues e deputetë të Bundestagut gjerman

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti dhe ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, pati sot një mëngjes pune në Fondacionin Bertelsmann, me personalitete të rëndësishme e studiues, në mesin e tyre deputetin e Bundestagut gjerman nga radhët e social demokratëve, Frank Schwabe, drejtuesin e Iniciativës së Stabilitetit Evropian (ESI), Gerald Knaus dhe drejtoren ekzekutive të fondacionit, Daniela Schwarzer.

    Duke rikujtuar historikun e viteve të ‘90-ta dhe rrugëtimin e shumë shteteve drejt integrimit euro-atlantik dhe zgjerimin e BE-së, NATO-s e Këshillit të Evropës, në fjalën e tij, kryeministri Kurti nënvizoi qëllimin tonë për anëtarësim në këto organizata dhe rëndësinë historike e momentumin e marrëdhënieve të Kosovës me Gjermaninë dhe shtetet demokratike evropiane.

    “Hapin e parë e bëmë në vitin 2008, kur Kosova shpalli pavarësinë dhe shumica e demokracive në Evropë na njohën. Hapi i dytë ka të bëjë me bashkimin me institucionet që janë shtyllat e Evropës demokratike. Ne duam t’i bashkohemi NATO-s si një ombrellë sigurie për kontinentin tonë. Ne duam t’i bashkohemi Bashkimit Evropian si projekti dhe procesi më i rëndësishëm i paqes dhe prosperitetit. Por, hapi i parë që duhet të bëjmë tani është t’i bashkohemi klubit të parë të demokracive evropiane, i krijuar pikërisht në këtë muaj 75 vjet më parë në Londër: Këshilli i Evropës”, tha Kryeministri Kurti.

    Ai shtoi se Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar në respektimin e vlerave të përbashkëta, të të drejtave të njeriut, sundimit të ligjit dhe demokracisë. I bëri thirrje zyrtarëve të Gjermanisë që të vijojnë ta mbështesin Kosovën edhe në fazën e fundit të votimit dhe arritjes së anëtarësimit të plotë në këtë organizatë.

    Kryeministri Kurti u shpreh se pranimi i Kosovës si anëtare e 47-të e Këshillit të Evropës në 75-vjetorin e saj këtë vit është një përparim historik, për Kosovën dhe qytetarët e saj, për rajonin dhe për të gjithë Këshillin e Evropës, ku të gjithë qytetarët do të përfitojnë e veçanërisht dhe minoritetet në vendin tonë.

    Në përfundim, kryeministri e falënderoi Fondacionin Bertelsmann për mikpritjen, kontributin dhe interesimin e tyre, duke veçuar politikanët që tashmë na mbështesin kaq shumë në Gjermani dhe Evropë.

  • Zelensky kërkon ashpërsimin e sanksioneve ndaj Rusisë

    Zelensky kërkon ashpërsimin e sanksioneve ndaj Rusisë

    Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, bëri thirrje për zgjerimin e sanksioneve ndërkombëtare kundër Rusisë për shkak të pushtimit të paprovokuar që Moska nisi ndaj shtetit të tij më 2022.

    Zelensky e bëri këtë thirrje më 25 prill, teksa u takua në Kiev me ministrin britanik të Financave, Jeremy Hunt, me të cilin bisedoi për situatën në Ukrainë dhe nevojën për ta bërë më të vështirë që të shmangen sanksionet e vendosura ndaj Rusisë.

    “Ne i kushtuam rëndësi të veçantë politikës së sanksioneve”, shkroi Zelensky në X, që më herët njihej si Twitter.

    “Është e rëndësishme të zgjerohen masat kufizuese kundër Rusisë dhe që shmangia e sanksioneve të jetë e pamundur”, shtoi ai.

    Zelensky falënderoi Britaninë për paketën e re të ndihmës ushtarake të cilën e prezantoi më herët gjatë javës kryeministri britanik, Rishi Sunak.

    Paketa në vlerë prej 622 milionë dollarësh – më e madhja që Britania deri më tani i ka dhuruar Ukrainës – u bë publike nga Sunaku gjatë vizitës që ai zhvilloi në Poloni më 23 prill, duke bërë që ndihma e përgjithshme ushtarake që Londra i ka premtuar Kievit gjatë këtij viti të arrijë në 3.71 miliardë dollarë.

    Britania, një prej aleateve kyçe të Ukrainës, po ashtu tha se do të dërgojë në Kiev paketën më të madhe ushtarake.

    Ministri britanik Hunt, gjatë vizitës në Ukrainë, u takua edhe me kryeministrin ukrainas, Denys Shmyhal, me të cilin bisedoi për përmbajtjen e paketës së ndihmës ushtarake, e cila përfshin sisteme të mbrojtjes ajrore, në mënyrë që Ukraina të mbrojë më mirë qytetet nga sulmet ajrore ruse.

    Vizita e Hunt në Ukrainë vjen pak pasi presidenti amerikan, Joe Biden, më 24 prill nënshkroi paketën e ndihmës ushtarake për Kievin në vlerë prej 61 miliardë dollarësh.

    Sipas presidentit amerikan, ndihma e nevojshme, përfshirë sisteme të mbrojtjes ajrore, do të dërgohet brenda orësh./REL/