ATV

Category: Lajme

  • Fillon takimi trepalësh në Bruksel për dinarin

    Fillon takimi trepalësh në Bruksel për dinarin

    Një takim trepalësh, mes kryenegociatorëve nga Kosova dhe Serbia nën ndërmjetësimin e të dërguarit të Bashkimit Evropian, ka filluar të enjten pasdite në Bruksel, ku do të diskutohet për përpjekjet e vazhdueshme për gjetjen e një zgjidhjeje për transferimin e mjeteve financiare në valutën dinar nga Serbia në Kosovë.

    Ky është takimi i pestë në Bruksel me pjesëmarrjen e kryenegociatorëve, Besnik Bislimi nga Kosova dhe Petar Petkoviq nga Serbia, për çështjen e dinarit serb, përdorimi i të cilit u ndalua në Kosovë në shkurt.

    Me rregulloren e re të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), euroja u caktua si valuta e vetme në Kosovë për kryerjen e pagesave me para të gatshme nga 1 shkurti. Hyrja në fuqi e kësaj rregulloreje ka zemëruar Serbinë, e cila përmes buxhetit të saj shtetëror u dërgon ndihmë financiare serbëve që jetojnë në Kosovë.

    Bashkësia ndërkombëtare i ka kërkuar Kosovës ta pezullojë rregulloren, në mënyrë që t’u jepet kohë qytetarëve që të përshtaten me praktikën e re.

    Por, Qeveria e Kosovës ka ngulur këmbë se fjala është për një vendim të pavarur të BQK-së e jo për vendim politik.

    Në takimet e deritashme në Bruksel për këtë çështje janë dhënë disa propozime për gjetjen e një zgjidhje sipas së cilës Serbia do të mund të bënte pagesa për shfrytëzuesit e ndihmës financiare në Kosovë.

    Lajçak tha të martën, dy ditë para takimit të sotëm, se është duke punuar për të gjetur një zgjidhje për këtë çështje.

    Në një përmbledhje të aktiviteteve të tij gjatë javës, ai theksoi se në takimet e fundit me kryenegociatorët kanë arritur ta “ngushtojnë hendekun” lidhur me këtë temë.

    Megjithatë, takimi paraprak javën e kaluar në Bruksel, ku nuk pati fare takim trepalësh, përfundoi pa ndonjë rezultat.

    Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, tha pas takimit të 18 prillit se pala serbe nuk kishte ardhur me ide se si të trajtohet propozimi fillestar i të dërguarit të BE-së.

    “Ky takim mund të quhet si takim i kotë, pa rezultat, dhe ndoshta si sukses i politikës penguese të palës serbe”, tha Bislimi më 18 prill.

    Ndërkohë, kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, tha se Beogradi “bëri gjithçka për të gjetur një zgjidhje”.

  • Çitaku: Fadil Vata pati guxim ta ëndërroj lirinë dhe e pati forcën e mendjes që të punojë deri në vetëmohim për të

    Çitaku: Fadil Vata pati guxim ta ëndërroj lirinë dhe e pati forcën e mendjes që të punojë deri në vetëmohim për të

    Nënkryetarja e Partisë Demokratike, Vlora Çitaku ka kujtuar heroin e kombit, Fadil Vata.

    Çitaku ka vendosur buqetë me lule pranë varrit të heroit duke thënë se Fadil Vata kishte guxim ta ëndërrojë lirinë dhe forcë të mendjes që të punojë deri në vetëmohim.

    “Në nderim të heroit Fadil Vata, i cili pati guxim ta ëndërroj lirinë dhe e pati forcën e mendjes që të punojë deri në vetëmohim për të. Lavdi!”, ka shkruar Çitaku.

  • Haradinaj për Fadil Vatën: Intelektual e patriot i pathyeshëm, ishte shtyllë e lëvizjes patriotike

    Haradinaj për Fadil Vatën: Intelektual e patriot i pathyeshëm, ishte shtyllë e lëvizjes patriotike

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka kujtuar heroin e kombit, Fadil Vata.

    Haradinaj ka thënë se Fadil Vata ishte intelektual e patriot i pathyeshëm.

    “Heroi i Kombit Fadil Vata, intelektuali dhe patrioti i pathyeshëm ishte shtyllë e lëvizjes patriotike – mishërim i idealeve për fitore, frymëzim për kryengritjen që po vinte nga trimat e Ushtrisë Çlirimtare”, ka thënë Haradinaj.

    Haradinaj me bashkëpunëtorë ka bërë homazhe në përvjetorin e përjetësimit.

    “Sot me bashkëpunëtorë, në Sallagrazhdë të Suharekës nderuam dhe kujtuam sakrificën e tij sublime për lirinë e atdheut. Fadil Vata do të mbetet gjithmonë një shembull frymëzues për përkushtimin ndaj Atdheut”, ka përfunduar Haradinaj.

  • Daçiqi në mbrojtje të shefit të tij: Në fakt, Sllovenia duhet t’i kërkojë falje Serbisë sepse e ka njohur Kosovën

    Daçiqi në mbrojtje të shefit të tij: Në fakt, Sllovenia duhet t’i kërkojë falje Serbisë sepse e ka njohur Kosovën

    Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, beson se “Sllovenia duhet t’i kërkojë falje Serbisë, sepse me njohjen e Kosovës, ajo shkeli integritetin e saj territorial dhe sepse Këshilli i Sigurimit i OKB-së shkeli të gjitha rregullat për pjesëmarrjen në takime, duke lejuar presidenten Osmani të sjellin viktimat e mbijetuara të luftës, pa e informuar Serbinë për këtë”

    Prandaj, Daçiq beson se Sllovenia “nuk duhet të kërkojë kërkimfjalje, sepse Vuçiq ka shprehur indinjatën e tij për këto lëvizje, të cilat padyshim ishin të paracaktuara”, tha Daçiq.

    Vuçiq tha të martën se “Serbia ka rënë në një kurth të ngritur nga SHBA, Zvicra dhe Sllovenia”.

    “Kur u vonua seanca e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, mendova se për çfarë bëhet fjalë, por pastaj kuptuam se për këtë ishin marrë vesh me amerikanët, sllovenët dhe zviceranët, nuk dihet kush është më i neveritshëm, sllovenët apo dikush tjetër”, tha Vuçiq.

    Presidenti i Serbisë kërkoi falje për reagimin e politikanëve sllovenë, por sllovenëve, jo politikanëve, siç tha ai.

    “Nëse kam ofenduar dikë, dua t’i kërkoj falje gjithë publikut slloven, por nuk kam ndërmend t’u kërkoj falje politikanëve sllovenë sepse ata udhëheqin një politikë të neveritshme ndaj Serbisë dhe popullit serb”, tha Vuçiq.

    Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Evropiane, Tanja Fajon, i quajti fyese dhe të papranueshme fjalët e presidentit serb Aleksandar Vuçiq, për këtë arsye vendosën të thërrasin të ngarkuarin me punë të Serbisë për t’i mbrojtur.

    “Ne kërkojmë shpjegim, falje, nuk është në frymën e marrëdhënieve të mira fqinjësore apo miqësore”, tha Fajon, duke i quajtur të pavërteta fjalët e Vuçiqit.

    “Presidenti serb Aleksandar Vuçiq, në një deklaratë në margjinat e seancës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së, përdori shprehje jashtëzakonisht fyese që nuk u përshtaten presidentëve të shtetit dhe aq më pak marrëdhënie miqësore mes popullit slloven dhe atij serb”, tha kryeministri slloven Golob.

  • Gërvalla: Vota prej 82% në KiE, konfirmim i fuqishëm për Kosovën

    Gërvalla: Vota prej 82% në KiE, konfirmim i fuqishëm për Kosovën

    Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës ka folur rreth votimit të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Ministrave të Jashtëm të Këshillit të Evropës (KiE)..

    Deri më tani flitej se nëse hyn në rend dite, votimi mund të ndodh në muajin maj.“Mbetet ende punë për të bërë. E rëndësishme është që vota prej 82% është konfirmim i fuqishëm që Kosova është shtet me demokraci të konsoliduar”, ka thënë ajo.

    Gërvalla ka cituar raportuesen greke për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, Dora Bakoyannis, e cila ka folur për proceset nëpër të cilat ka kaluar vendi.

    “Dora Bakoyannis në një intervistë për gazetë greke ka thënë që asnjë shteti para hyrjes në Këshillin e Evropës nuk i është kërkuar të plotësojë mëshomë kushte se Republikës së Kosovës”, ka deklaruar ajo.

    Gërvalla ka çmuar paraqitjen e presidentes Vjosa Osmani në seancën e Këshillit të Sigurimit në Kombet e Bashkuara.

    “Ajo na bën krenar me çdo paraqitje të saj ndërkombëtare”, ka thënë ajo.

    Ajo ka bërë thirrje edhe ndaj diasporës për regjistrim të popullsisë, duke e cilësuar si të domosdoshëm. Ndërkaq nuk është raportuar për të gjeturat e raportit të DASH, duke thënë se për këtë do të flas në seancën që do të thirret për të.

  • Sylejman Selimi dhe Jahir Demaku lirohen nga akuza për krime lufte

    Sylejman Selimi dhe Jahir Demaku lirohen nga akuza për krime lufte

    Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim lirues ndaj ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Sylejman Selimi dhe ish-pjesëtarit të UÇK-së Jahir Demaku, të cilët akuzoheshin për krime lufte kundër popullatës civile.

    Aktgjykimi ndaj Selimit dhe Demakut u shpall të enjten nga gjykatësi Ngadhnjim Arrni, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Sipas gjykatësit Arrini, të akuzuarit lirohet nga akuza pasi nuk është vërtetuar se të njëjtit kanë kryer veprën penale për të cilën ngarkoheshin nga PSRK-ja.

    Fillimisht, Prokuroria Speciale kishte ngritur aktakuzë ndaj 15 të pandehurve por që me aktvendim aktakuza është ndarë në dy akuza, “Drenica 1″, ku bëjnë pjesë Selimi dhe Dermaku dhe “Drenica 2”.

    Ndryshe, Gjykata Themelore në Mitrovicë, në maj të vitit 2015, kishte shpallur fajtor dhe kishte dënuar me tetë vjet burg Sylejman Selimin për keqtrajtim të ndaluarve në fshatin Likoc gjatë luftës. Bashkë me Selimin, Isni Thaçi dhe Jahir e Zeqir Demaku ishin dënuar me nga shtatë vjet burg, ndërsa me tri vjet burg ishte dënuar Nexhat Demaku.

    Me nga tre vjet burgim ishin dënuar edhe Agim, Selman, Driton e Bashkim Demajt dhe Fadil Demakut.

    Në shtator të vitit 2016, Gjykata e Apelit duke vendosur lidhur me ankesat e të akuzuarve kishte nxjerrë aktgjykim, duke vërtetuar në masë të madhe dënimet e shqiptuara nga Gjykata në Mitrovicë.

    Mirëpo, Gjykata e Apelit ia kishte zbutur dënimin me një vit burg Sylejman Selimit.

    Gjykata Supreme në korrik të 2017-ës kishte refuzuar kërkesat për mbrojtje të ligjshmërisë nga ana e të dënuarve, mirëpo, Gjykata Kushtetuese në qershor të 2018-ës, e kishte kthyer rastin në rishqyrtim Gjykatës Supreme.

    E Gjykata Supreme, sërish kishte vendosur të refuzojë kërkesat për mbrojtje të ligjshmërisë të paraqitura nga ana mbrojtësve të të dënuarve.

    Ndryshe, Sylejman Selimi akuzohej për pikën 6 të aktakuzës, kurse Jahir Demaku për pikën 3 të aktakuzës, për veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile”, që parashihet dhe dënohet me nenet 22 dhe 142 të KPRSFJ (që momentalisht penalizohet me nenet 31 dhe 152 të KPRK).

    Aktakuza thotë se në kundërshtim me nenin 3 të përbashkët dhe nenin 4 të Protokollit shtesë II dhe të gjitha rregullat e të drejtës ndërkombëtare në fuqi në kohën e konfliktit të brendshëm të armatosur në Kosovë, të pandehurit në cilësinë e pjesëtarëve Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), në bashkëkryerje kishin cenuar integritetin trupor dhe shëndetin e një personi nga lagja Shipol në Mitrovicë, i ndaluar në qendrën e ndalimit të Likovcit, duke e rrahur atë në mënyrë të përsëritshme, në një datë të papërcaktuar në muajin gusht ose shtator 1998./BetimipërDrejtësi

  • Opozita lëshon seancën për shkak të qasjes së mazhorancës karshi raportit të DASh-it

    Opozita lëshon seancën për shkak të qasjes së mazhorancës karshi raportit të DASh-it

    Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, kanë lëshuar seancën e sotme plenare, ku në rend dite ishin votimi i marrëveshjeve ndërkombëtare, raporton EO.

    Ky revoltim i partive opozitare ka ardhur për shkak të qasjes së mazhorancës karshi tyre dhe mungesa e debatit për raportin e DASh-it.

    Deputeti i LDK-së, tha se

    “Ne si LDK dhe po ju bëjë thirrje edhe partive tjera opozitare që duke e parë qasjen e kësaj mazhorance dhe duke votuar kundër që të trajtohet një dokument i rëndësishëm siç ishte DASh-i dhe duke parë që as 30 deputetë nuk i keni për të kaluar marrëveshjet ndërkombëtare e që në fakt ministri na apostrofoj neve që nuk është e vërtetë. Po harroni që është sot dita 304 që kemi sanksione dhe si të tillë i humb rëndësia marrëveshjeve ndërkombëtare, ne nuk duam që të vazhdojmë që të jemi pjesë e këtij demolimi të jetës parlamentare. Ju bëjë thirrje parive që ta lëshjom sallën”, tha deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

  • Macron bën thirrje për rritje të mbrojtjes: Evropa mund të vdesë

    Macron bën thirrje për rritje të mbrojtjes: Evropa mund të vdesë

    Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, bëri thirrje të enjten për mbrojtje më të fortë dhe më të integruar evropiane dhe tha se kontinenti nuk duhet të bëhet një vasal i Shteteve të Bashkuara, pasi ai përshkroi vizionin e tij për një Bashkimi Evropian më të sigurt në skenën globale.

    Me vetëm tre vjet të mbetur nga mandati i tij i dytë dhe i fundit në detyrë, dhe pasi ka humbur shumicën e tij parlamentare në vitin 2022, Macron, dëshiron t’u tregojë kritikëve të tij se ruan energjinë dhe mendimin e freskët që e ndihmuan në ardhjen e tij në presidencë në vitin 2017.

    “Ka rrezik që Evropa jonë të vdesë. Ne nuk jemi të pajisur për t’u përballur me rreziqet,” tha Macron në fjalimin e tij në Universitetin e Sorbonës në Paris, duke paralajmëruar se presionet ushtarake, ekonomike, tregtare dhe të tjera mund të dobësojnë dhe ndajnë 27 vendet e BE-së.

    Macron tha se Rusia nuk duhet të lejohet të fitojë në Ukrainë dhe ai bëri thirrje për një rritje të kapacitetit të sigurisë kibernetike të Evropës, lidhje më të ngushta të mbrojtjes me Britaninë pas Brexit dhe krijimin e një akademie evropiane për të trajnuar personelin ushtarak të rangut të lartë, shkruan Reuters.

  • Murati kërkon nga deputetët që të votojnë marrëveshjet ndërkombëtare

    Murati kërkon nga deputetët që të votojnë marrëveshjet ndërkombëtare

    Ministri i Financave, Hekuran Murati ka kërkuar nga deputetët që të votojnë marrëveshjet ndërkombëtare. Sipas tij, janë 300 milionë euro të cilat po presin dritën e gjelbër nga kuvendi, për çka tha se është e rëndësishme që të mundësohet përdorimi i tyre.

    Para votimit të një sërë marrëveshjeve ndërkombëtare, ai edhe një herë ka lutur opozitën për mbështetjen me votë të tyre.

    “Janë diku rreth 300 milionë euro vlerë në marrëveshjet ndërkombëtare që po presin dritën e gjelbër, ratifikimin nga ky kuvend. E di që disa subjekte dhe grupe parlamentare kanë shprehur mbështetjen, mirëpo kisha kërkuar dhe ju kisha lutur që si kuvend ta kryeni obligimin në mënyrë që të mundësohet përdorimi i këtyre mjeteve. Pra janë 300 milionë euro që po presin e do të ketë edhe të tjera sepse kemi nënshkruar në vazhdimësi”, deklaroi Murati.

    Në seancë plenare, ai është pyetur nga deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri lidhur me inspektorët e punës. Murati u shpreh se që nga marrja e mandatit kanë dyfishuar numrin e tyre.

    “Janë mbi 60 inspektorë të punës, kurse nëse nuk gabojë kanë qenë diku 27 kur e kemi marrë mandatin. Është më se dyfishim, por ende ka punë për tu bërë. Kemi miratuar edhe Ligjin për Pagën Minimale, e cila do të rregullonte një pjesë të madhe të të punësuarve në sektorin privat. Janë mbi 100 mijë persona të cilët presin që ai ligj të hyjë në fuqi dhe të zbatohet, megjithatë ka qenë pikërisht Grupi Parlamentar i AAK-së, përfshirë edhe dy deputetë të tjerë që janë jashtë grupit parlamentar të cilët kanë nënshkruar dhe kanë dërguar në Gjykatë Kushtetuese, Ligjin për Pagën Minimale i cili pret tash e sa kohë”, u shpreh ai.

  • Aeroportit të Prishtinës i shtohen edhe tri linja të reja

    Aeroportit të Prishtinës i shtohen edhe tri linja të reja

    Kompania ajrore e Danimarkës, Norvegjisë dhe Suedisë – Scandinavian Airlines (SAS) – do të nisë tri linja të reja që lidhin tri kryeqytetet skandinave me kryeqytetin e Kosovës, Prishtinën, tha operatori i aeroportit të Prishtinës.

    Fluturimet që lidhin Prishtinën me Stokholmin e Suedisë dhe Oslon e Norvegjisë do të fillojnë më 27 qershor, tha Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës në një postim në mediat sociale në fillim të kësaj jave.

    SAS do të nisë fluturimet nga Prishtina në Kopenhagë të Danimarkës më 3 korrik.