ATV

Category: Lajme

  • Pas dështimit të referendumit, sot mbahet seanca e parë në objektin e komunës së Zubin Potokut

    Pas dështimit të referendumit, sot mbahet seanca e parë në objektin e komunës së Zubin Potokut

    Kryetari i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, ka bërë të ditur se sot do të mbahet seancë urgjente në këtë komunë.

    Zeqiri ka thënë se rendi i ditës është për themelimin e Komisionit për pranimin e objektit.

    Ai njoftimin për seancë tha e ka marrë mbrëmë vonë.

    “Sapo mora informatën se nesër kemi seancë urgjente në objektin e komunës. Rendi i ditës është për themelimin e Komisionit për pranimin e objektit, kjo është në bazë të asaj çfarë më ka thënë kryesuesi i Kuvendit”, deklaroi ai për Teve1.

    Këtë e konfirmoi për RTK-në edhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.

    Ndërkohë, ka kaluar një vit prej kur morën pozitat e kryetarëve të dy komunave veriore, Izmir Zeqiri e Ilir Peci dhe ende detyrën e ushtrojnë nga zyrat alternative në fshatrat Çabër e Lipë.

    Bojkoti i qytetarëve të Zubin Potokut e të Zveçanit për të votuar për shkarkimin e tyre më 21 prill, u ka hapur rrugë atyre që detyrën ta ushtrojnë nga zyrat në komunë.

    Kryetarët e këtyre dy komunave veriore, patën hyrë në objektet e komunave që udhëheqin më 26 maj të vitit të kaluar, nën mbrojtjen e Policisë së Kosovës. Por më 29 maj 2023 iu pamundësua hyrja nga protestuesit serbë.

    Para komunës së Zveçanit, protesta kishte eskaluar në dhunë, duke lënë të plagosur dhjetëra ushtarë të KFOR-it. Nga atëherë, kryetarët e këtyre dy qyteteve kishin ushtruar detyrën nga zyrat alternative në fshatra.

    Shkuarjen e tyre në zyrat e komunës e ka kërkuar edhe kryeministri Albin Kurti, pas bojkotit të votimit të së dielës nga serbët, për shkarkim të kryetarëve shqiptarë.

  • Osmani merr pjesë në ceremoninë e dorëzimit të pajisjes moderne SPECT/CT/PET

    Osmani merr pjesë në ceremoninë e dorëzimit të pajisjes moderne SPECT/CT/PET

    Të premten e datës 26 prill nën patronatin e Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani do të zhvillohet ceremonia zyrtare e dorëzimit të pajisjes moderne SPECT/CT/PET në Klinikën e Mjekësisë Bërthamore.

    Sipas njoftimit, ceremonia do të mbahet në ora 12:30 në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

  • Ngriten sërish temperaturat, priten reshje të pakta shiu sot

    Ngriten sërish temperaturat, priten reshje të pakta shiu sot

    Ditën e sotme parashikohet të mbajë mot me diell dhe vranësira, ndërsa lokalisht priten reshje të pakta shiu.

    Meteo Kosova ka njoftuar se era do fryjë drejtimesh të ndryshme me shpejtësi prej 13-39 km/h.Temperaturat do të shënojnë ngritje, me minimale që do të lëvizin prej 1 deri në 3°C, ndërsa ato maksimale prej 16 deri në 19°C.

  • Shtyhet votimi në OKB për rezolutën për gjenocidin në Srebrenicë

    Shtyhet votimi në OKB për rezolutën për gjenocidin në Srebrenicë

    Votimi për një rezolutë për Srebrenicën është shtyrë nuk do të zhvillohet më 2 maj, tha ambasadori i Bosnje e Hercegovinës në Kombet e Bashkuara, Zllatko Lagumxhija për televizonin N1.

    “Në këtë moment, ne e dimë që seanca nuk do të mbahet më 2 maj, pasi sot po e dërgojmë tekstin e rezolutës për rishikim për të parë nëse shtetet e OKB-së kanë propozime të tjera për tekstin. Asambleja e Përgjithshme me gjasë do të mblidhet pas 6 majit, varësisht nga orari i seancave, por këtë do ta dimë të martën”, tha ai.

    Siç tha ambasadori, misioni i Bosnje e Hercegovinës në OKB do të marrë pjesë në këtë diskutim në mënyrë që t’iu shpjegohet më mirë teksti i rezolutës të gjitha shteteve që kanë paqartësi.

    Në selinë e OKB-së në Nju Jork po mbahen konsultime joformale për draft-rezolutën e cila parasheh shpalljen e 11 korrikut si Ditën Ndërkombëtare të Kujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë.

    Siç është njoftuar në ueb-faqen e OKB-së, konsultimet mbi draftin e rezolutës janë thirrur nga misionet e përhershme të Gjermanisë dhe Ruandës, së bashku me misionet e Shqipërisë, Bosnje e Hercegovinës, Kilit, Finlandës, Francës, Irlandës, Italisë, Jordanisë, Holandës, Lihtenshtajnit, Malajzisë, Zelandës së Re, Sllovenisë, Turqisë dhe Shteteve të Bashkuara.

    Në draft-rezolutë, në të cilën më herët ka pasur qasje Radio Evropa e Lirë, veç tjerash kërkohet që të dënohet çdo mohim të gjenocidit në Srebrenicë dhe veprimet që madhërojnë të dënuarit për krime lufte, përfshirë ata që janë përgjigjës për gjenocidin në Srebrenicë.

    Më 2007, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e karakterizoi krimin në Srebrenicë si gjenocid, në të cilin u vranë më shumë se 8.000 burra dhe djem boshnjakë më 1995 nga Ushtria e Republikës Sërpska.

    Deri më tani, më shumë se 50 persona janë dënuar me mbi 700 vjet burgim për gjencodin dhe krime të tjera të kryera në Srebrenicë. /REL

  • Lajçak deklarohet për takimin e sotëm, thotë se ka paraqitur një ‘dokument kompromisi’ për dinarin

    Lajçak deklarohet për takimin e sotëm, thotë se ka paraqitur një ‘dokument kompromisi’ për dinarin

    I Dërguari i Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka treguar se në takimin e sotëm të ekipeve negociatore ka prezantuar një dokument që ai e quan të kompromisit.

    “Pritëm takimin në kuadër të dialogut për ta çuar para ‘çështjen e dinarit, ku ju dha mjaftueshëm hapësirë të dyja palëve për të shpjeguar pozicionet e tyre. Takimi përfundoi duke prezantuar një dokument kompromisi në përpjekje për t’i bërë bashkë dallimet. Do ta mirëpresim takimin e radhës pasi t’i kemi pranuar komentet konstruktive”, ka shkruar Lajçak

    Për këtë takim kryenegociatori kosovar, Besnik Bislimi, ka thënë se Serbia ka kërkuar që t’i mundësohet financimi i strukturave ilegale, deri në themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe.

  • Hoti për Qeverinë Kurti: Pikë e pesë i ka bërë shqiptarët në rajon

    Hoti për Qeverinë Kurti: Pikë e pesë i ka bërë shqiptarët në rajon

    Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se Qeveria Kurti, gjatë këtij mandati i kanë bërë ‘pikë e pesë’ shqiptarët në rajon.

    “Njohje s’ka, partnerit për Paqe s’ka, anëtarësime të reja nuk ka, zhvillim ekonomik nuk ka, reforma në drejtësi nuk ka, investime kapitale nuk ka, integrime brenda shqiptare nuk ka. Përkundrazi, pikë e pestë shqiptarët në Luginë e Preshevës, pikë e pestë me shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, nuk komunikojmë me Qeverinë e Shqipërisë. Kjo është situata që kanë kriju këta njerëz gjatë këtij mandati”, tha Hoti. /atvlive.tv

  • Hoti i ashpër me Vjosa Osmanin: Si juriste, ka çu përpara Ligje që shkelin Kushtetutën

    Hoti i ashpër me Vjosa Osmanin: Si juriste, ka çu përpara Ligje që shkelin Kushtetutën

    Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se presidenca është shndërruar në zyrë ku noterizohen Ligjet e miratuara në Kuvend.

    Sipas tij, presidentja e Kosovës ka çuar përpara Ligje të cilat shkelin Kushtetutën.

    “Qysh ka mundësi që presidentja, si juriste që mban veten, e ka çu përpara Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës. Nuk i ka pa ajo shkelje kushtetuese që janë aty, ose në byronë për konfiskim të pasurisë, ose ligjin për çmimet në tavanin plotë ligje tjera. Jam i bindur se i ka parë, port është kthyer sot Zyra e Presidencës së vendit, në zyrë ku noterizohen Ligjet e miratuara në Kuvend, vetëm autorizohen, nuk kalojnë nëpër atë shoshën të presidentit përpara që të nënshkruhen, vetëm noterizohen. Prandaj po them, ka humb kuptimi i funksionimit kushtetues, të pavarur, demokratik, të institucioneve në vend”, tha Hoti.

    Ai tha se Qeveria janë mbyllë në zyrat e tyre dhe miratojnë udhëzime, rregullore të ndryshme administrative, që shkelin në fundament ligjet.

    “Kur e ke pa më së voni Kryeministrin duke u ballafaqu me deputetë në Kuvend, duke iu përgjigjur interesimeve të deputetëve ose duke u ulë në studion tënde përpara gazetarëve të tjerë, kur e ke parë shoqërinë civile që ulen me zyrtarë të Qeverisë ose kryeministrin ose që involvohen aktivisht në dhënien e komenteve dhe ato komente të merren parasysh në draft ligjet që shqyrtohen të cilat janë në konsultim publik, kur e ke pa? Asnjëherë nuk i sheh ma. Janë mbyllur nëpër zyrat e tyre. Miratojnë udhëzime, rregullore të ndryshme administrative, që shkelin në fundament ligjet. Edhe ne, normalisht që ne detyrohem t’i çojmë në Gjykatë Kushtetuese, t’i ngrisim me komisionet hetimore, sepse kur ngriten në parlament komisionet hetimore? Atëherë kur procedurat e tjera parlamentare nuk të funksionojnë”, tha Hoti. /atvlive,tv

  • Hoti thotë se sistemi i arsimit në Kosovë ka probleme fundamentale

    Hoti thotë se sistemi i arsimit në Kosovë ka probleme fundamentale

    Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se arsimit në Kosovë ka probleme fundamentale.

    Mirëpo, sipas tij, ne arsim si dhe në sektorët e tjerë, nuk është gjithçka zi.

    “Sistemi i arsimit ka probleme, ka sfida, duhet të avancohet, por nga sistemi i arsimit në Kosovë, përfshirë edhe studentët që unë iu mbaj mësim, regjistrohen në studimet master dhe doktoraturë në universitetet më të mira të botës”, tha Hoti. /atvlive.tv

  • Sylejman Selimi e Jahir Demaku lirohen nga akuza për krime lufte

    Sylejman Selimi e Jahir Demaku lirohen nga akuza për krime lufte

    Përgatiti: Nora Luta

    Ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sylejman Selimi e Jahir Demaku, po largohen bashkë nga Pallati i Drejtësisë, të enjten, pak minuta pasi dëgjuan verdiktin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, rreth akuzave për krime lufte.

    Pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor, kjo gjykatë Selimin e Demakun i liroi nga pika e vetme e aktakuzës që u kthye në rigjykim nga Supremja në 2018-n.

    Ata akuzoheshin se në cilësinë e pjesëtarit të UÇK-së, gjatë vitit 1998, kishin cenuar shëndetin e një civili nga lagja Shipol e Mitrovicës, i ndaluar në Likoc.

    Gjykata deri te ky vendim, të cilin theksoi se e mbështeti në standardet vendore dhe ndërkombëtare, tha se erdhi pas analizimit të deklaratave të dëshmitarit A, e cila ishte e vetmja provë në të cilën bazohej akuza ndaj Selimit e Demakut.

    Sipas gjykatës, dëshmia e një dëshmitari si e vetme ka qenë e mangët në këtë rast.

    Vendimin e ka cilësuar të drejtë mbrojtja e Selimit.

    Nga akuzat për krime lufte Selimin e Demakun, i kishte liruar edhe gjykata e shkallës së parë në kohën e EULEX-it, por Apeli e kishte ndryshuar vendimin duke i shpallur fajtorë.

    Procesi ndaj Selimit e Demakut nisi pas gjashtë vjetësh, në fillim të këtij muaji, kur lënda u bart në Departamentin Special, nga Gjykata e Mitrovicës.

    Selimi kishte vuajtur tetë vjet burgim, ndërsa Demaku shtatë, pasi ishin shpallur fajtorë në rastin “Drenica 1” dhe “Drenica 2”.

  • Strehimorja e Prishtinës, pa kushte për gratë dhe fëmijët

    Strehimorja e Prishtinës, pa kushte për gratë dhe fëmijët

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Për gjithë rajonin e Prishtinës, që përfshin pesë komuna, gratë që përjetojnë dhunë në familje, kanë vetëm një strehimore.

    Ajo gjendet në kryeqytet, por nuk i plotëson kushtet për të gjitha gratë dhe fëmijët që strehohen në të, pasi ka kapacitet vetëm për 12 persona.

    Drejtori i Qendrës për Punë Sociale në Prishtinë, Blerim Shabani, thotë se investimet në këtë sektor janë të domosdoshme.

    Qeveria i ka subvencionuar me 300 mijë euro organizatat joqeveritare që i menaxhojnë strehimoret, në kuadër të 1.5 milionëve për të gjitha qendrat që përkujdesen për kategori të ndryshme në nevojë.

    Shabani thotë se ndihma qeveritare është më se e nevojshme që gratë të cilat përjetojnë dhunë, të ndihen të sigurta.

    Njëri prej qyteteve që prin me raste të dhunës në familje, Fushë-Kosova, po konsiderohet se i nevojitet një strehimore vetëm për këtë komunë.

    Drejtori i Qendrës për Punë Sociale të Fushë Kosovës, Abaz Gjigoli, thotë se për këtë kanë bërë kërkesë në Ministrinë e Drejtësisë.

    Në gjithë Kosovën, janë vetëm shtatë strehimore në të gjitha qendrat kryesore të vendit, në të cilën strehohen gratë me fëmijët e tyre, të cilat kanë raportuar dhunë në familje, dhe që nuk ndihen të sigurta të jetojnë në shtëpi.