ATV

Category: Lajme

  • 90 milionë euro për rrugën drejt BE-së, Rohde: Përkushtim për integrimin e Kosovës

    90 milionë euro për rrugën drejt BE-së, Rohde: Përkushtim për integrimin e Kosovës

    Gjermania do ta mbështesë Kosovën me 90 milionë euro, me qëllim integrimin e Kosovës në BE, ka njoftuar ambasadori gjerman Jorn Rohde.

    Përmes një postimi në “X”, Rohde ka thënë se 20 milionë euro nga kjo shumë janë për grante.

    “Kjo nënvizon angazhimin tonë të vendosur për të mbështetur Kosovën në rrugën e saj drejt BE-së”, ka shkruar Rohde në “X”.

    Në një njoftim të ambasadës gjermane thuhet se kjo marrëveshje e re shënon një rritje të një rritje të konsiderueshme në vlerën e mbështetjes krahasuar me periudhën e mëparshme 2022/2023, e cila ishte vlerësuar në 37 milionë euro, duke treguar kështu një thellim të bashkëpunimit mes dy vendeve.

    “Këto fonde do të përdoren për të mbështetur integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian dhe do të përqendrohen, midis të tjerash, në investime në sektorin e energjisë, në veçanti në procesin e dekarbonizimit, sigurimin e zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm, ofrimin e trajnimeve dhe punësimit, si dhe mbështetjen e komunave, veçanërisht në menaxhimin e mbeturinave dhe ruajtjen e mjedisit”, thuhet në njoftim.

  • Shahini: Punëtorët në Kosovë më të pa mbrojturit në Evropë në vitin 2024

    Shahini: Punëtorët në Kosovë më të pa mbrojturit në Evropë në vitin 2024

    Kryetari Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini në Ditën e Ndërkombëtare të Punës ka thënë se punëtorët në Kosovë janë më të pa mbrojturit në Evropë për vitin 2024.

    Shahini ka thënë po ashtu se edhe pse Kosova ka moshën më të re të popullsisë në Evropë, tregu i punës po plaket dhe varfërohet çdo ditë e më shumë.

    “Kosova edhe pse ka moshë më të re të popullsisë në Evropë tregu i punës po plaket dhe varfërohet për çdo ditë e më shumë. Punëtorët në Kosovë janë më të pa mbrojturit në Evropë në vitin 2024 për shumë arsye: nuk kanë sigurim shëndetësor, nuk ju paguhet rrezikshmëri në vendin e punës, nuk kanë marrëveshje kolektive dhe nuk janë të përfshirë në të, paga mesatare dhe minimale në Kosovë është më e vogla e Ballkanit Perëndimorë dhe Evropë, për këto dhe shumë arsye tjera brenda pesë viteve të kaluara nga Kosova kanë ikur mbi 200 mijë qytetarë me dokumentacione të rregullta por sa kanë ikur pa dokumentacione nuk ka informacione të sakta por është një shifër e konsiderueshëm”, ka thënë Shahini.

    Kryetari i AKB-ës Agim Shahini thotë se Qeveria e Kosovës duhet sa më shpejtë të thërras Këshillin Ekonomiko Social KES që të përmirësojë legjislacionin e tregut të punës që punëtorët e sektorit privat e publikë të kenë sigurime dhe të rritën kushtet minimale me standardet mesatare Evropiane.

    “Sindikatat në Kosovë janë të shpërndara edhe politikisht dhe nuk kanë autoritet as te punëtorët as tek partnerët Socialë. Sot kur duhet punëtorët me pushu dhe me protestu për të drejtat e tyre, ata gjenden në vendin e punës mbi 50% që nuk e respektojnë festën e 1 Majit edhe pse është festë ndërkombëtare”, ka thënë Shahini.

  • Rinia e PDK-së me aksion simbolik për 1 Maj, ia përkujton Qeverisë ikjen e profesionistëve

    Rinia e PDK-së me aksion simbolik për 1 Maj, ia përkujton Qeverisë ikjen e profesionistëve

    Rinia Demokratike e Kosovës, ka zhvilluar një aksion para Qeverisë së Kosovës, për nderë të 1 Majit – Ditës së Punëtorëve. Me këtë rast, në mënyrë simbolike të rinjtë e PDK-së me valixhe në duar iu drejtuan ndërtesës së Qeverisë si protestë për ikjen e qytetarëve nga vendi, raporton Ekonomia Online.

    Kryetarja e të rinjve të PDK-së, Arbnora Salihu, tha se Qeveria Kurti nuk e ka përmbushur premtimin e saj për krijimin e një ambienti të favorshëm për të gjithë punëtorët, pavarësisht kategorisë apo moshës së tyre.

    Ky dështim sipas saj jo vetëm që cenon stabilitetin ekonomik, por gjithashtu detyron shumë qytetarë të kërkojnë një perspektive më të mire jashtë vendit.

    “Sot, në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, bashke me rininë e PDK-se jemi mbledhur para qeverise, ne qëndrojmë këtu, të detyruar nga një realitet i hidhur që na nxit të shprehim shqetësimin që prek jo vetëm rininë, por çdo shtresë të shoqërisë sonë. Këtu bashke me mua janë 7 të rinj të cilët përfaqësojnë vetëm disa nga profesionet: Policët, Zjarrfikësit, Mjekët/Infermieret, Minatorët, Mësuesit, Ndërtuesit dhe Kamarierët”, tha Salihu.

    “Secili mban nga një valixhe në duar, një simbol i fuqishëm i zgjedhjes së hidhur që shumë qytetarë tanë janë të detyruar të marrin rrugën e migrimit, dhe kjo flet shumë për kushtet në të cilat punojnë punëtorët tanë dhe mundësitë që shtrihen përtej kufijve tanë, dhe jo brenda. Qeveria Kurti nuk e ka përmbushur premtimin e saj për krijimin e një ambienti të favorshëm për të gjithë punëtorët, pavarësisht kategorisë apo moshës së tyre. Ky dështim jo vetëm që cenon stabilitetin tonë ekonomik, por gjithashtu detyron shumë qytetare të kërkojnë një perspektive më të mire jashtë vendit, duke e shteruar burimin tonë më të çmuar, njerëzit tanë, rininë tonë”, tha Salihu.

    Ata parashtruan këto kërkesa:

    Siguri në çdo vend pune.

    Mbulim gjithëpërfshirës sigurimesh si në sektorin privat ashtu edhe në atë publik.

    Trajtim i drejtë dhe meritor në vendin e punës.

    Kompensime adekuate të rrezikut për të gjitha profesionet me rrezikshmëri të lartë.

    Vende të reja të punës për rininë dhe programe aktive për t’i aftësuar e ndalur ata në Kosovë.

    “Këto nuk janë vetëm kërkesa, këto janë shtyllat mbi të cilat ndërtohet një mjedis i drejtë pune, më e pakta që meritojnë punëtorët tanë. Së bashku, ne qëndrojmë për dinjitetin e çdo punëtori në Kosovë, sepse kur punëtorët mbështeten dhe vlerësohen, i gjithë shteti qëndron më i fortë”, përfundoi Salihu.

  • OBSh: Gripi i shpendëve mund të infektojë bagëtitë në vende të tjera

    OBSh: Gripi i shpendëve mund të infektojë bagëtitë në vende të tjera

    Një zyrtare e Organizatës Botërore të Shëndetësisë paralajmëroi të martën mbi rrezikun e infektimit të lopëve përtej Shteteve të Bashkuara me virusin H5N1, i pranishëm në shumë zogj shtegtarë.

    Zyrtarët amerikanë po përpiqen të verifikojnë sigurinë e qumështit dhe mishit pas konfirmimit të virusit të gripit të shpendëve në disa ferma lopësh në nëntë shtete që nga fundi i marsit dhe një individi në Teksas.

    “Ndërsa zogjtë shtegtarë që mbarin virusin vazhdojnë ritualin e tyre në mbarë botën, ekziston rreziku i infektimit të lopëve në vendet e tjera”, tha në një konferencë shtypi në Gjenevë Wenqing Zhang, e cila drejton programin global të Organizatës Botërore të Shëndetësisë për sëmundjet e rrugëve të frymëmarrjes.

    Virusi H5N1 është i përhapur në mesin e shpendëve të egër në Shtetet e Bashkuara dhe në disa raste është përhapur edhe tek pulat dhe macet, por deri tani në raste të rralla tek lopët.

    Zoti Zhang tha se agjencia e Kombeve të Bashkuara e konsideron të ulët rrezikun që paraqet virusi tek shëndeti publik, por bëri thirrje për kujdes, sidomos për punonjësit e fermave. Ndërsa mendohet se virusi mund të mos përhapet përmes qumështit, zonja Zhang përsëriti këshillat e OBSH-së për konsumuar vetëm qumësht të valuar.

    I pyetur për të vlerësuar transparencën amerikane për infektimin e fermave të lopëve, zonja Zhang tha se agjencia ishte informuar rregullisht ndërsa vlerësoi vendimin për të ndarë menjëherë sekuencën gjenetike të virusit. /VOA

  • Mbi 100 punëtorë humbën jetën në vendin e punës brenda tetë viteve, ATRC: Gjyqësori s’trajton aksidentet në punë me seriozitet

    Mbi 100 punëtorë humbën jetën në vendin e punës brenda tetë viteve, ATRC: Gjyqësori s’trajton aksidentet në punë me seriozitet

    Nga viti 2016 deri në vitin 2023, janë raportuar 1700 aksidente në vendin e punës, nga të cilat 102 kanë rezultuar me fatalitet, kështu thuhet në raportin e Qendrës së Trajnimeve dhe Burimeve për Avokim – ATRC, raporton Ekonomia Online.

    Lirika Bakija, këshilltare ligjore në ATRC, ka thënë për Ekonomia Online se në këto raste kanë gjetur vonesa në hetime dhe ngritje të aktakuzave nga institucionet përkatëse, duke çuar kështu në procedura gjyqësore të zvarritura.

    Sipas saj, Gjykatat Themelore në vend vonojnë shumë në trajtimin e rasteve penale të lidhura me aksidentet në punë, të cilat pastaj edhe rezultojnë me dënime të lehta për punëdhënësit.

    Ajo ka thënë se aktakuzat e ngritura nga  Prokuroria janë shumë të dobëta dhe të cekta, e që sipas saj, këto janë arsyet pse shumë punëtorë lënë vendin e punës për shkak të pasigurisë ligjore.

    “Raporti ka qenë i fokusuar kryesisht në sigurinë dhe shëndetin në punë dhe në jemi fokusuar në aspektin e institucioneve se sa po e kryejnë punën e tyre, duke përfshirë këtu Inspektoratin e Punës, Gjykatën si dhe Prokurorin në trajtimin e rasteve apo lëndëve të cilat janë më të ndjeshme apo aksidentet fatale apo lëndimet e rënda në vendin e punës”.

    “Sipas gjetjeve të këtij raporti tregon se Gjykatat Themelore në përgjithësi vonojnë shumë në trajtimin e lëndëve të cilat kanë për qëllim trajtim e këtyre lëndëve për nga aspektin penal . Gjithashtu edhe Prokuroria ngrit aktakuza të cilat janë shumë të dobëta dhe të cekta për ngritjen dhe zhvillimin e procedurës më pas në gjykatë dhe rrjedhimisht me pas ndodh që të kemi dënime shumë të lehta për punëdhënësit, këtë rast kompanitë. Kjo vërehet sidomos tekë rastet e kompanive ku ka pasur vdekje të personave ku aktakuzat janë ngritur me vonesë, hetimet kanë filluar me vonesë, më pas edhe lëndë kur është përcjellur në Gjykatë ka qenë e mangët për nga aspekti i provave si dhe dënimet të cilat u janë shqiptuar punëdhënësve kanë qenë shumë të dobëta apo të buta karshi kodit penal i cili parasheh dënime maksimale 10 deri në 12 vjet me burgim në rast që ka vdekje”, ka thënë ajo.

    Bakija ka thënë se në vitin 2023 nga 463 lëndë në Gjykata vetëm 88 prej tyre kanë marrë një epilog përfundimtar në gjyqësor, duke treguar për një mungesë efikasiteti.

    Ajo ka theksuar se kjo ka ndikim negativ tekë punëtorët, të cilët mund të hezitojnë të ndjekin procedurat gjyqësore për shkak të zvarritjeve dhe kohëzgjatjes së madhe.

    “Nga raporti të cilin e kemi realizuar sa i përket punës së gjyqësorit, vetëm 20 për qind e rasteve të punës kanë marr epilog përfundimtar edhe është njxjerrur aktgjykim për ato lëndë. Ku prej 463 lëndëve vetëm 88 janë zgjedhur e që tregon shumë për gjyqësorin në kuptimin që punëtoret në njëfarë forme, nga numrin i ulët i këtyre rasteve që zgjidhen mandej edhe këta në një farë forme stopohen edhe nuk e shohin të arsyeshëm të dërgojnë lënde në Gjykatë për shkak të zvarritjeve dhe kohëzgjatjes shumë të madhe që ju bëhet”, është shprehur ajo.

    Bakija ka theksuar se situatë më e keqe qëndron më sektorin e ndërtimtarisë dhe të prodhimit, ku sipas saj, kompanitë kryesisht nuk janë duke respektuar ligjin e punës, nuk bëjnë vlerësime te rrezikut në vendin e punës e nuk i pajisin punëtoret me mjete mbrojtëse.

    “Kushtet kryesisht me të këqija janë për punëtoret e ndërtimit, gjithashtu edhe të prodhimit. Kompanitë kryesisht nuk janë duke respektuar ligjin e punës, nuk bëjnë vlerësime te rrezikut në vendin e punës, nuk i pajisin punëtoret me mjete mbrojtëse të cilat do të duheshin që ti ofronin edhe janë të obliguar karshi ligjit që të ju ofrojnë këtyre punëtoreve pajisjet e punës si dhe në një farë formë ti mbikëqyrin se a janë duke i përdoru ato pajisje. Mos posedimi i këtyre pajisjeve rrjedh që më pas kemi lëndime edhe vdekje. Punëdhënësi është i obliguar që të kërkoj nga punëtori që të kryej kontrolle mjekësore dhe të ja dëshmoj me certifikata mjekësore që punëtori është i aftë ta kryej atë punë edhe është i aftë të hyp në një lartësi të lartë të punojë”.

    “Që nga viti 2016 e deri në fund të viti 2023 janë 1700 aksidente edhe prej tyre 102 janë më fatalitet edhe trendi vazhdon që të ketë rritje të vdekjes në vendin e punës. Muajt e verës janë kryesisht muajt ku punëtoret janë më të rrezikuar që të vdesin në vendin e punës për shkak të temperaturave të larta”, ka thënë ajo.

    Këshilltarja ligjore në ATRC, ka thënë se ndër sfidat me të cilat janë duke u përballur punëtoret është mungesa e kontratave, mungesa e pushimeve vjetore dhe pushimit të lehonisë, e po ashtu sipas saj shumë gra ndihen të rrezikuar për të humbur punën në rast të shtatzënisë, duke theksuar nevojën për mbrojtje ligjore të tyre në këto raste.

    “Në përgjithësi siguria dhe shëndeti në punë është në nivel jo të kënaqshëm, zbatimi i ligjit të punës por gjithashtu edhe zbatimi i ligjit për siguri dhe shëndet në punë mbetet sfidë për punëdhënësit. Si dhe për qeverinë që ta monitoroj zbatimin e këtyre dy ligjeve. Sfidë tjetër është që vazhdon që të ketë shumë punëtorë të cilët nuk janë të pajisur me kontrata edhe rrjedhimisht mandej edhe në gjykata po hasin në veshtersi në trajtim e këtyre lendeve. Tjetër çka është më shumë rëndësi është edhe aspekti që Inspektoriat i Punës vitin e kaluar ka shtuar numrin e inspektoreve. E gjetura kryesore është që Gjykata dhe Prokuroria lëndët të cilat kanë të bëjnë me të drejtën e punës nuk janë duke i trajtuar me seriozitet dhe efikasitet. Kjo është njëra edhe nga arsyet se pse shumë punëtor po e lënë vendin, për shkak të pa sigurisë ligjore të cilën ata ata e kanë realisht që nga momenti kur hynë në vendin e punës. Pastaj pushimet vjetore të cilat janë duke ju mohuar sidomos sektorit privat. Mandej janë pushimi i lehonisë edhe kjo është një sfide në vetvete ku shumë punëtore ferma në momentin që e kuptoj që është shtatzëne ndihen të rrezikuara që punëdhënësi do ti largoj nga puna që në fakt edhe ashtu ndodh në shumicën e rasteve”, ka thënë ajo për EO.

  • Komuna e Prishtinës ndalon qarkullimin e automjeteve në parkun e Gërmisë për ditën e sotme

    Komuna e Prishtinës ndalon qarkullimin e automjeteve në parkun e Gërmisë për ditën e sotme

    Kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama, ka nënshkruar urdhëresë që për 1 Maj, të ndalohet qarkullimi i mjeteve të transportit në drejtim të parkut “Gërmia”.

    Ndërsa, qarkullimi do të jetë i lejuar për autobusët e linjës 4 të NPL “Trafiku Urban”, automjetet e Policisë së Kosovës, të KFOR-it, të EULEX-it, të NPL “Gjelbër”, të KRM “Pastrimi”, të Drejtorisë së Inspektoratit dhe automjetet emergjente.

    Kurse, linja 5 e transportit publik do të punojë sipas itinerarit dhe orarit të rregullt deri në Sofali.

  • Tahiri: Anëtarësimi në KiE, s’ndërlidhet me Asociacionin – Qeveria të ketë kujdes dhe të mos e dëmtojë Kosovën

    Tahiri: Anëtarësimi në KiE, s’ndërlidhet me Asociacionin – Qeveria të ketë kujdes dhe të mos e dëmtojë Kosovën

    Shefi i deputetëve të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, thotë për Ekonomia Online se formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe nuk ndërlidhet me kushtin për anëtarësim të Kosovës në Këshill të Evropës.

    Tahiri e sheh tejet të rëndësishëm anëtarësimin e Kosovës në KiE, e cila sipas tij i hap rrugë anëtarësimit për në Bashkim Evropian.

    “Anëtarësimi në Këshill të Evropës tani më është në Komitetin e Ministrave i cili do të mbahet më 16 dhe 17 maj. Ajo që dimë është që votimi në Asamblenë Parlamentare dhe rekomandimi për anëtarësim Kosovës është i qartë. Asociacioni aty nuk është kusht, megjithatë komiteti  ka të drejtë ne diskrecionit të ja bëj apo jo ftesën Kosovës. Kosova duhet të anëtarësohet në KiE është hapi natyral drejt integrimeve evropiane është hapi i radhës pra nuk mund të ndodh anëtarësimi në BE para se me ndodh anëtarësimi në KiE. Anëtarësimi në këtë institucion e forcon shumë subjektivitetin ndërkombëtar dhe në fakt barazohet me 46 shtete tjera të cilat janë anëtare prej tyre 14 janë që nuk na kanë njohur”, thotë Tahiri.

    Deputeti i AAK-së thekson se rruga për të ardhur deri këtu ka qenë sfidues, teksa përmend edhe sfidat që i ka pasur delegacioni kosovar në Paris. E për ta përfunduar të gjithë procesin, Tahiri thotë se është në dorën e Qeverisë dhe se ligjvënësit e kanë kryer punën e tyre.

    “Qeveria duhet ta ketë parasysh që ky ka qenë një proces i gjatë që hallkat e vendimmarrjes në këtë proces nuk kanë qenë të lehta, veçanti në Asamblenë Parlamentare. Ju e dini që në Paris ne kemi bërë gjithçka që është e mundur që ndodh votimi, pastaj kemi punuar në asamblenë parlamentare dhe ky është një proces i cili nuk guxon të rrezikohet, Kosova duhet ta sheh se çka duhet të bëj kjo është tani më në dorën e Qeverisë, Kuvendi e ka kry punën e vet. I vetmi send ne që i themi Qeverisë, është të kenë kujdes dhe të mos e dëmtojnë Kosovën në këtë moment që është goxha jetik për integrimin euroatlantik dhe forcimin e subjektivitetit vet ndërkombëtar”, u shpreh Tahiri.

  • 34 vjet nga pajtimi i gjaqeve te Verrat e Llukës

    34 vjet nga pajtimi i gjaqeve te Verrat e Llukës

    Sot bëhen 34 vjet nga ngjarja e madhe për faljen e gjaqeve në Verrat e Llukës në Komunën e Deçanit.

    Në këtë tubim madhështor më 1 maj 1990 morën pjesë rreth gjysmë milion shqiptarë, me ç‘rast u falën më shumë se 100 gjaqe dhe ngatërresa ndër-shqiptare.

    Aksioni për pajtimin e familjeve shqiptare në hasmëri kishte nisur nga disa studentë të rajonit të Dukagjinit, ish-të burgosur politikë, më 2 shkurt 1990 në Lumbardhë të Deçanit.

    Ky aksion u shndërrua në një lëvizje për pajtimin e gjaqeve dhe falë punës së madhe të veprimtarëve në krye me Anton Çetën kjo lëvizje gjithëpopullore arriti të pajtojë mbi një mijë gjaqe e ngatërresa ndër-shqiptare.

    Për të përkujtuar këtë ngjarje madhështore në Komuna e Deçanit ka organizuar një ceremoni e cila do të mbahet në ora 12:00 në të njëjtin vend.

  • Sot proteston SBAShK-u

    Sot proteston SBAShK-u

    Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës (SBAShK), do të protesojë sot.

    Kjo sindikatë ka njoftuar se tubimi i protestuesve do të bëhet nga ora 10 e 30 deri në 11 në oborrin e Biblotekës Kombëtare.

    “Në orën 11 fillon marshimi drejt MASHTI-t. Protestuesit këtu ndalën 5 minuta e pastaj vazhdojnë në koristë në anën e djathtë drejt Konvikteve. Nga aty vazhdojnë marshimin drejt Katedrales e nga aty drejt Hotel “Grand dhe Sheshit Zahir Pajaziti për të vazhduar nëpër shesh deri te ndërtesa e Qeverisë. Me të arritur (rreth orës 12) aty kryetari i SBASHK-ut Rrahman Jasharaj përmes mikrofonit shpalos kërkesat e anëtarësisë drejtuar Qeverisë”.

    “Pastaj flet kryetari i BSPK-së Atdhe Hykolli. Pas tij kryetari nga sektori privat Isuf Azemi i drejtohet Qeverisë me kërkesat e veçanta në emër të anëtarësisë që përfaqëson. Në orën 12 e 30 shpallet e mbyllur protesta dhe protestuesit shpërndahen në mënyrë të qetë”, thuhet në njoftim.

  • 1 Maji, Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve

    1 Maji, Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve

    1 Maji njihet si Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve dhe ky manifestim lindi nga lufta e punëtorëve për të kërkuar dhe siguruar të drejtat, liritë dhe kushtet e punës e të jetesës.

    Kjo ditë u referohet protestave të punëtorëve, ku kërkesa e parë publike është paraqitur në Australi gjatë vitit 1885 me këtë përmbajtje: ”8 orë punë, 8 orë dëfrim e 8 orë gjumë”.

    Kremtimi i 1 Majit lidhet ngushtë me protestat e përgjithshme e të përgjakshme të dhjetëra mijëra punëtorëve të fabrikave të Çikagos në Amerikë, më 1 maj 1886.

    Manifestimi masiv dhe madhështor u bë një vit më vonë, në të njëjtin qytet më 1 maj 1887.

    Kështu filloi rrugëtimi i kësaj dite, i përqafuar nga miliona punëtorë, i organizuar përmes lëvizjes sindikaliste dhe partive, që në fokus e kanë pozitën socio-ekonomike të punëtorëve.

    Sindikata botërore e caktoi 1 Majin ditë në të cilën të gjithë punëtorët ushtrojnë presion për sigurimin dhe avancimin e të drejtave të tyre.

    Në Evropë, 1 Maji filloi manifestimin me Internacionalen e Parë të Gjenevës.

    Nga viti 1890 në Paris, Kongresi themelues i Internacionales së Dytë, vendosi që pikërisht 1 Maji të mbetet Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve.

    Nga viti 1891, Kongresi i tretë i Internacionales në Bruksel, mori vendim, që dita e 1 Majit do të kremtohet përgjithmonë dhe në të gjitha vendet, si Festa e Punëtorëve, në të cilën punëtorët do t’i identifikojnë, avancojnë dhe mbrojnë me kushtetutë e ligje liritë, të drejtat, kushtet e punës, rrogën mesatare të garantuar, pushimin ditor, javor, vjetor dhe pushimet tjera sipas nevojës.