ATV

Category: Lajme

  • Moti sot me temperatura deri në 21 gradë Celsius

    Moti sot me temperatura deri në 21 gradë Celsius

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka bërë të ditur se sot të mbajë mot i vranët dhe me intervale me diell.

    Sipas njoftimit të këtij instituti, temperaturat do të shkojnë deri në 21 gradë Celsius.

    “Mot i vranët dhe me intervale me diell. Vranësirat gjatë ditës vende -vende parashihen të sjellin riga shiu”.

    “Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 4-8 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 19-21 gradë Celsius. Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga jugperendimi”, thuhet tutje në njoftimin e IHMK-së.

  • Punëtorët e Pastërtisë në Ferizaj në grevë prej 9 ditësh

    Punëtorët e Pastërtisë në Ferizaj në grevë prej 9 ditësh

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Kamionët që shërbejnë për mbledhjen mbeturinave në Ferizaj, ka nëntë ditë që nuk janë ndezur fare.

    Punëtorët e Kompanisë Rajonale “Pastërtia” po vijnë në punë, mirëpo po qëndrojnë brenda këtij objekti, në shenjë greve për kushtet e punës.

    “Si kemi marr kurrë pagën me rritje, qe katër muaj. Punëtorët po e dojnë dorëheqjen e kryeshefit, se këto janë rrena. Deri të realizohen kërkesat nuk dalim nga greva”, tha Bashkim Danqi, punëtor.

    Kryeshefi ekzekutiv, Basri Syla, thotë se të martën një pjesë e punëtorëve e kanë ndërprerë grevën vullnetarisht, kurse për të tjerët pritet të ndërmerren masa.

    “Kane reflektuar…. Kemi me marrë vendime në përputhje me ligjin, për personat që nuk i kryejnë punët e veta. Nuk munden me marrë paga ata që s’punojnë”, tha Syla.

    Ky thotë se ankesat e grevistëve janë të pabaza, meqë pagat janë rritur për 70 euro.

    “Pagat janë rritë dy javë para grevës të paligjshme. Kjo grevë është tendencioze, për mua nuk është greva e ligjshme, sepse nuk kemi të drejtë me bë greva. Me vendim të bordit është bërë rritja për punëtorët fizikë dhe shoferë”, tha Syla.

    Krejt kjo situatë e krijuar, më së shumti po i shqetëson ferizajasit. Disa prej të cilëve edhe erdhën në objektin e ndërmarrjes për t’u ankuar.

    Por mbeturinat nuk do të jenë më problem, pasi Komuna e Ferizajt ka kontraktuar një kompani që nga e marta do t’i kryejë këto shërbime krah ndërmarrjes.

    Një grevë prej 10 ditësh punëtorët e kompanisë për menaxhimin e mbeturinave “Pastërtia”, e kishin përfunduar në ditët e para të këtij viti.

    Ndërkaq, punëtorët e kësaj ndërmarrjeje do të protestojnë, të mërkurën para komunës së Ferizajt.

  • Laboratori i toksikologjisë në IML, jashtë funksionit

    Laboratori i toksikologjisë në IML, jashtë funksionit

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Para se t’u dorëzoheshin familjarëve, trupave të tre sulmuesve të vrarë në Banjskë më 27 shtator 2023, iu ishin marrë mostrat për autopsi.

    Megjithatë, 7 muaj nga ngjarja, raporti që detajon mënyrën e vdekjes së tyre nuk është ende i plotë, në mungesë të analizave toksikologjike.

    Siç kupton ATV-ja, laboratori i toksikologjisë në Institutin e Mjekësisë Ligjore, është jashtë funksionit, tash e një kohë, andaj pezull në mungesë të kësaj analize kanë mbetur edhe raporte të tjera.

    Për të paktën një javë nga nisja e pyetjeve nga ATV-ja, Ministria e Drejtësisë e as Instituti i Mjekësisë Ligjore, nuk kanë kthyer përgjigje, andaj është e paqartë se kur mund të kthehet në funksion.

    Ndërkohë, sipas njohësve të çështjeve juridike, vonesa në përfundimin e raporteve të autopsisë, ka efekte negative në punën e organeve të drejtësisë.

    “Mungesa e raportit të plotë të autopsisë ndikon negativisht në punën e institucioneve të drejtësisë. Ndër të tjera, vonon përfundimin e hetimeve nga Prokurori…”, tha avokati Arbër Jashari.

    Derisa laboratori vazhdon të jetë jashtë funksionit, burime brenda Institutit të Mjekësisë Ligjore bëjnë të ditur se mostrat e sulmuesve të vrarë në Banjskë, janë përgatitur të dërgohen në laboratorë të ndonjë shteti tjetër.

  • Hartimi i projektligjit të ri për KPK-në afër përfundimit

    Hartimi i projektligjit të ri për KPK-në afër përfundimit

    Përgatiti: Nora Luta

    Këshilli Prokurorial i Kosovës pritet që me ligjin e ri t’i ketë shtatë anëtarë. Kryesuesi Ardian Hajdaraj ka thënë për ATV-në se propozimet e KPK-së për ligjin e ri janë në përputhje me opinionin e Komisionit të Venecias.

    KPK-ja ka kërkuar që përbërja të jetë: 5 anëtarë prokurorë dhe 2 joprokurorë.
    Ndërsa, ka kundërshtuar që prokurorët anëtarë të mos mund të avancohen dy vjet pas përfundimit të mandatit.

    Por, me ligjin e ri parashihet që përbërja e KPK-së të jetë me shtatë anëtarë: 4 prokurorë dhe 3 joprokurorë. Hulumtuesi nga Instituti Demokratik i Kosovës, Vullnet Bugaqku, thekson si prioritet duhet pasur balancimi mes anëtarëve prokurorë dhe joprokurorë.

    Po ashtu, parashihet që me ligjin e ri të ketë masa më të rrepta disiplinore për ata që mungojnë tre herë radhazi në mbledhjet e KPK-së pa arsyetim. E shoqëria civile kërkon të caktohet edhe afati për dekretimin e kryeprokurorit të shtetit.

    Ndërkohë, ministrja Albulena Haxhiu thotë se rekomandimet e Komisionit të Venecias janë trajtuar me prioritet.

    Në mars të 2023-tës, Gjykata Kushtetuese e vlerësoi antikushtetues përfundimin e mandatit para kohe të anëtarëve aktualë dhe rritjen e numrit të anëtarëve të KPK-së, duke e rrëzuar tërësisht Ligjin për Këshillin Prokurorial.

    Kushtetuesja kishte dhënë vërejtje edhe për përfshirjen e avokatit të popullit në përzgjedhjen e anëtarëve joprokurorë, çka do të përjashtohet me ligjin e ri.

  • Shteti ua ktheu shpinën punëtorëve të sektorit privat

    Shteti ua ktheu shpinën punëtorëve të sektorit privat

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Punë të rrezikshme e pa asnjë masë mbrojtëse.

    Punëtorë si këta të ndërtimtarisë, shpeshherë rrezikojnë jetën meqë kompanitë për të cilat punojnë në masë të madhe nuk ua plotësojnë kushtet për punë.

    Hiç të rralla nuk janë as rastet e lëndimeve, megjithëse jo të gjitha deklarohen.
    Mesatarisht 1500 të tilla paraqiten brenda vitit në Sindikatën e Pavarur të Sektorit Privat, ndonëse nga kjo thonë se punëtorët ende i fshehin lëndimet, nga frika se mbesin pa punë.

    Sipas Azemit, shteti ia ka kthyer shpinën këtij sektori, meqë edhe inspektorati shpeshherë i mbyll sytë karshi ankesave të punëtorëve. Kësisoj të drejtat e tyre thotë se shkelen çdo ditë pa frikë e ndëshkim nga institucionet relevante.

    Mesatarisht, 20 punëtorë në vit vdesin në vend të punës, derisa konsiderohet se rreth 200 mijë qytetarë janë të punësuar në sektorin privat.

  • Përfaqësuesi ligjor i Kadri Veselit padit deputetin e Vetëvendosjes për shpifje

    Përfaqësuesi ligjor i Kadri Veselit padit deputetin e Vetëvendosjes për shpifje

    Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli e ka paditur deputetin e Vetëvendosjes, Visar Koreniva për shpifje. Përfaqësuesi i tij ligjor, Faton Fetahu ka bërë publike padinë për shpifje ndaj deputetit.

    Në njoftimin e tij, Fetohu ka treguar se padia është lidhur me shpifjen që sipas tij, deputeti Korenica ka bërë lidhur me një projekt ‘të dështaur’ në kuadër të Administratës Tatimore të Kosovës.

    Deputeti Korenica këtë deklaratë e kishte dhënë për portalin “Indeksonline” dhe artikulli ishte publikuar me titull: “ATK-ja ‘akshom Pazar’ me pozita, avancohen punëtorët që dëmtuan buxhetin”.

    Tutje Avokati Fetahu ka shtuar se, “Si rezultat, në cilësi të avokatit të z. Kadri Veseli, kam depozituar padinë për shpifje kundër këtij deputeti, i cili në cilësinë e të paditurit do të ketë barrën e provave për të dëshmuar vërtetësinë e deklaratës së tij.

    Uroj dhe shpresoj që gjykata do ta trajtojë me efektivitet këtë rast gjyqësor duke e konstatuar shpifjen e z. Korenica dhe të njëjtin do ta mbajë përgjegjës për dëmet e shkaktuara, dhe në asnjë mënyrë të parashkruhet lënda, si në të kaluarën në një rast kërcënimi me jetë ndaj zotit Veseli”.

    Portimi i tij i plotë:

    Si përfaqësues ligjor i ish Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, z. Kadri Veseli, kam dorëzuar këto ditë padi për shpifje kundër deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Korenica. I njëjti, në muajin mars të këtij viti, konsumoi një shpifje të pashembullt ndaj z. Veseli, në përpjekjen e tij të dëshpëruar për të vlerësuar rrethanat e dështimit të një projekti në kuadër të Administratës Tatimore të Kosovës.

    Deputeti Korenica këtë deklaratë e kishte dhënë për portalin “Indeksonline” dhe artikulli ishte publikuar me titull: “ATK-ja ‘akshom Pazar’ me pozita, avancohen punëtorët që dëmtuan buxhetin”.

    Pas deklaratës publike me përmbajte shpifëse ndaj z. Veseli, sipas ligjit në fuqi, deputetit i kërkuam përmirësimin e shprehjes shpifëse, përkatësisht tërheqjen nga deklarata. Kaluan gjashtë javë dhe deputeti e injoroi kërkesën duke e zgjedhur heshtjen.

    Pra, ai e artikuloi këtë shpifje, u sigurua ta publikonte dhe ta shpërndante në medie një deklaratë të tillë të pavërtetë, por nuk e provoi asnjëherë me asnjë fakt të vetëm. Në këto rrethana, rruga gjyqësore mbeti e paalternativë.

    Si rezultat, në cilësi të avokatit të z. Kadri Veseli, kam depozituar padinë për shpifje kundër këtij deputeti, i cili në cilësinë e të paditurit do të ketë barrën e provave për të dëshmuar vërtetësinë e deklaratës së tij.

    Uroj dhe shpresoj që gjykata do ta trajtojë me efektivitet këtë rast gjyqësor duke e konstatuar shpifjen e z. Korenica dhe të njëjtin do ta mbajë përgjegjës për dëmet e shkaktuara, dhe në asnjë mënyrë të parashkruhet lënda, si në të kaluarën në një rast kërcënimi me jetë ndaj zotit Veseli.

  • Kurti dhe Szunyog ua dorëzojnë çelësat e shtëpive disa familjeve në Graçanicë

    Kurti dhe Szunyog ua dorëzojnë çelësat e shtëpive disa familjeve në Graçanicë

    Kryeministri Albin Kurti bashkë me shefin e BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, ua kanë dorëzuar sot çelësat e shtëpive disa familjeve në Graçanicë.

    Në postimin e Szunyog në platformën X, ai ka theksuar se çdo çelës simbolizon një fillim të ri për familjet që janë përballur me sfida.

    “Krenar për partneritetin e BE-së me Qeverinë e Kosovës dhe komunën në ofrimin e zgjidhjeve të qëndrueshme të banimit”, ka shkruar Szunyog.

  • ​Policia dhe Agjencia për Informim, vendosin kamera në komunat e pjesës veriore të Kosovës

    ​Policia dhe Agjencia për Informim, vendosin kamera në komunat e pjesës veriore të Kosovës

    Policia e Kosovës dhe Agjencia për Informim dhe Privatësi kanë njoftuar për vendosjen e sistemit të vëzhgimit me kamerë në komunat e pjesës veriore të Kosovës, i cili aktivitet zhvillohet në kuadër të bashkëpunimit të ngushtë ndërinstitucional.

    Sipas një komunikate të përbashkët ky aktivitet është bërë në konsultim mes dy institucioneve në ushtrimin e mandatit të tyre ligjor.

    “Bazuar në Ligjin për Policinë, Policia e Kosovës është e autorizuar të bëjë vëzhgim parandalues të vendit publik, duke përdorë pajisje për incizime video-akustike dhe pajisje fotografike për t’i vëzhguar vendet publike ku në të kaluarën shpesh janë kryer vepra penale, apo ku ka arsye të bazuar të besohet se vëzhgimi publik do ta zvogëlonte rrezikun nga kryerja e veprave penale dhe do ta përmirësonte sigurinë publike në të ardhmen, në pajtim me Kodin e Procedurës Penale. Andaj, bazuar në kompetencat e Policisë së Kosovës, aktiviteti që është duke u zhvilluar sot në komunat e pjesës veriore të Kosovës, është në përputhje të plotë me dispozitat e Ligjit për Policinë dhe Ligjit për Mbrojtje të të Dhënave Personale, i cili ligj përcakton qartë kushtet dhe masat që duhet të ndjekin autoritetet gjatë përpunimit të të dhënave personale”, thuhet në komunikatë.

    Sipas njoftimit, Policia e Kosovës është këshilluar me Agjencinë për Informim dhe Privatësi lidhur me përpunimin e të dhënave personale përmes sistemit të vëzhgimit me kamerë, dhe se këto të dhëna do të përpunohen për qëllime të qarta, të ligjshme dhe legjitime, duke garantuar respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të individëve.

    “Çdo veprim në këtë proces siguron një bazë të duhur ligjore dhe për këtë qëllim, vendosja e sistemit të vëzhgimit me kamerë në komunat e pjesës veriore të Kosovës, është kryer në prezencë të inspektorëve të AIP-së. Nëpërmjet kësaj nisme, Policia e Kosovës dhe Agjencia për Informim dhe Privatësi theksojnë angazhimin e tyre për të mbrojtur dhe përmirësuar sigurinë publike, duke respektuar plotësisht kuadrin ligjor që rregullon mbrojtjen e të dhënave personale dhe të drejtat e qytetarëve”, përfundon njoftimi.

  • ​Kosova arrin vlerësimin e parë kreditor sovran, konsiderohet si pasaportë për vendin

    ​Kosova arrin vlerësimin e parë kreditor sovran, konsiderohet si pasaportë për vendin

    Kosova ka arritur një moment historik duke marrë vlerësimin e saj të parë kreditor sovran. Fitch Ratings, agjenci globale e vlerësimit, i ka dhënë Kosovës vlerësimin BB-, duke treguar perspektivë të qëndrueshme dhe duke e pozicionuar vendin në mënyrë të favorshme në mesin e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

    Kjo ceremoninë e organizohet nga Qeveria e Republikës së Kosovës në bashkëpunim me USAID, ky vlerësim u tha se do të shërbejë si pasaportë e Kosovës në tërheqjen e investimeve të huaj.

    Vlerësimi kreditor sovran është një matës kryesor i aftësisë kreditore të një vendi dhe kapacitetit për të përmbushur detyrimet financiare. Deri më tani, Kosova ishte i vetmi vend evropian pa vlerësim kreditor sovran. Kjo mungesë ka kufizuar qasjen e saj në tregjet financiare globale, ka penguar prurjet e investimeve të huaja dhe ka rritur koston e kapitalit. Vlerësimi i marrë rishtazi sjell avantazhe të shumta, duke përfshirë uljen e kostos së huamarrjes, mundësitë e shtuara për tërheqjen e investimeve të huaja, rritjen e qasjes në tregjet globale të kapitalit, nxitjen në njohjen ndërkombëtare dhe reforma të përshpejtuara strukturore ekonomike.

    Me këtë rast, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ky vlerësim do të ketë ndikim pozitiv për vendin.

    “Nga Agjencia Fitch Ratings e cila i ka dhënë Kosovës vlerësimin 2B-. Ky vlerësim nënkupton se në perspektiven ndërkombëtare, Republika e Kosovës vendoset në hartën e shteteve si destinacion për investitorët e huaj. Agjencia Fitch Ratings në vlerësimin e saj ka marrë përbuzë faktor ekonomikë, financiar, institucional dhe politikë. Specifikasht metodologjia që përdorë agjencia për vlerësimin kreditor sovran merr për bazë tre vitet e fundit të përformancës financiare të vendit, andaj si qeveri që nga fillimi, veçanërisht përmes Ministrisë së Financave, jemi përkujdesur që të ndërmarrim politika të qëndrueshme të cilat do të shërbenin si katalizator për rritjen ekonomike dhe pozicionimin e favorshëm makro-fiskal të vendit. Kjo shihet qartazi në vlerësimin e Fitch Ratings që është dhënë për republikën tonë“, tha ai, duke shtuar se agjencia vlerëson se faktorët kyç kanë qenë ulja e deficitit buxhetor, rritja ekonomike, politikat e besueshme fiskale, rritja e vazhdueshme e mbledhjes së tatimit dhe niveli i ulët i borxhit publik në raport me bruto produktin vendor.

    “Agjensia ka theksuar se qeveria jonë është mirë e pozicionuar për të shërbyer në mandat të plotë, si dhe ka shtyrë përpara shumë reforma të rëndësishme sikurse luftimi i korrupsionit, përkundër sfidave të shumta. Ky vlerësim kreditor sovran që dokumenton fuqinë financiare të vendit tonë për të larë borxhin dhe për të rritë besueshmërinë te investitorët ndërkombëtar ”, tha

    Drejtoresha e Misionit të USAID në Kosovë, Eileen Devitt tha se ky është vlerësimi i parë për Kosovën ndërkombëtarësht të vlefshëm.

    “Ky raport tregon progresin ekonomikë që ka arritur Kosova që nga pandemia dhe i parasheh mundësitë e tjera për investime. Po ashtu, tregon se si transparenca mund të qoj në rezultate të prekshme financiare. Për disa vite Kosova ishte shteti i vetëm në Ballkanin Perëndimor pa vlerësim kreditor dhe i kufizojë mundësitë për investime dhe aftësinë e vendit për të nxitur rritjen ekonomike“, tha ajo.

    Ngjarja është kulmi i përpjekjeve afatgjata nga institucionet kosovare në partneritet me USAID- in për të forcuar ekonominë dhe për të siguruar rritje të mëtejshme. Për të marrë vlerësimin e lëshuar më 19 prill 2024, USAID-i, përmes Aktivitetit Promovimi i Investimeve dhe Qasjes në Financa, ka hyrë në partneritet me Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT) dhe ka bashkëpunuar gjerësisht me Fitch Ratings për të nisur dhe mbikëqyrur proceset përkatëse të vlerësimit. /kp

  • ​Paralajmërimi për protesta, policia bllokon përkohësisht disa rrugë në Tiranë

    ​Paralajmërimi për protesta, policia bllokon përkohësisht disa rrugë në Tiranë

    Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit do të mbajë protestën e radhës pranë ambieneve të Bashkisë Tiranë. Protesta është planifikuar për në orën 16:30, ndërkohë që nga ana e Policisë së Shtetit është publikuar plani i masave për mbarëvajtjen e tubimit.

    Policia bën me dije se prej orës 16:00 e në vijim, do të ketë bllokim të përkohshëm të qarkullimit të mjeteve, në bulevardin kryesor pranë Bashkisë së Tiranës.

    Uniformat blu sugjerojmë qytetarët që të përdorin rrugë alternative, deri në përfundim të tubimit, si Unaza e Mesme dhe Unaza e Madhe.

    Në njëoftimin publik, policia fton qytetarët që të mos ndërmarrin akte që mund të cënojnë sigurinë e efektivëve.

    “Gjatë disa tubimeve të mëparshme, të zhvilluara nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, në sheshin para Bashkisë Tiranë, janë evidentuar raste të përsëritura të kundërshtimit të forcave të policisë, përdorimit dhe hedhjes së molotovëve e sendeve të tjera, në drejtim të Bashkisë Tiranë, duke rrezikuar seriozisht jetën dhe shëndetin e punonjësve të policisë dhe vetë pjesëmarrësve në tubime.

    Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë respekton plotësisht të drejtën e qytetarëve për të organizuar dhe marrë pjesë në tubime paqësore. Policia u përsërit thirrjen organizatorëve, drejtuesve dhe pjesëmarrësve në tubime për të respektuar ligjin dhe për t’u distancuar nga çdo akt dhune.

    Cenimi i rendit e sigurisë publike dhe rrezikimi i shëndetit e jetës së punonjësve të policisë dhe pjesëmarrësve në tubim përbëjnë shkelje të ligjit dhe Policia e Shtetit do të veprojë gjithnjë me profesionalizëm”, thuhet në njoftimin e policisë. /Euronews.al/