ATV

Category: Lajme

  • Vritet një adoleshent në Londër gjatë një sulmi me shpatë

    Vritet një adoleshent në Londër gjatë një sulmi me shpatë

    Një djalë 13-vjeç është vrarë dhe katër të tjerë janë plagosur gjatë një sulmi në Londër. Autoritetet thanë se sulmin e kreu një person me shpatë.

    Policia tha se nuk besojnë se incidenti është i lidhur me terrorizëm.

    I dyshuari, një burrë 36 vjeç, u arrestua nga autoritetet pas incidentit që ndodhi në lindje të Londrës. Sipas videove të publikuara, i dyshuari shihej i veshur me rroba me ngjyrë të verdhë dhe duke tundur shpatën.

    “Me pikëllim të madh iu konfirmoj se një prej të plagosurve, një djalë 13 vjeç, ka vdekur. Ai u dërgua në spital, pasi ishte therur, por vdiq pak kohë më pas”, tha shefi i policisë në Londër, Stuart Bell.

    Dy civilë të tjerë dhe dy policë po ashtu janë në spital me lëndime jovdekjeprurëse. Megjithatë, Bell tha se dy policët e plagosur do t’i nënshtrohen ndërhyrjeve kirurgjikale.

    Autoritetet në Londër thanë se nuk besojnë se tani ka rrezik për komunitetin dhe nuk besojnë se ka të dyshuar të tjerë të përfshirë në këtë incident./REL/

  • Mbreti Charles bën daljen e parë publike që nga diagnostikimi me kancer

    Mbreti Charles bën daljen e parë publike që nga diagnostikimi me kancer

    Mbreti Charles është rikthyer në detyrat publike në mes të trajtimit të tij të vazhdueshëm të kancerit.

    Më 30 prill, monarku, 75 vjeç, i shoqëruar nga gruaja e tij, Mbretëresha Camilla, 76 vjeçe, vizitoi një spital të kancerit në Londër.

    Gjatë daljes prekëse, ata kaluan rreth një orë takime me specialistë mjekësorë dhe pacientë për të theksuar rëndësinë e zbulimit të hershëm të kancerit dhe për të mësuar më shumë rreth mbështetjes që ofrohet, shkruan People, transmeton AlbanianPost.

    Vizita në Qendrën e Kancerit Macmillan në Spitalin e Kolegjit Universitar shënon angazhimin e parë zyrtar publik të Charles që nga shpallja e diagnozës së tij të kancerit në shkurt.

    Pas diagnozës së tij, ai ka vazhduar të punojë në prapaskenë dhe të presë një audiencë të vogël. Ai gjithashtu përshëndeti dashamirësit pasi mori pjesë në një shërbesë kishtare të dielën e Pashkëve.

    Ndërsa spitali nuk ka qenë i përfshirë drejtpërdrejt në kujdesin mjekësor të monarkut, theksimi i rëndësisë së zbulimit të hershëm ishte një nga arsyet që Charles u bë publik me diagnozën e tij të kancerit.

    Një zëdhënës i Buckingham Palace deklaroi më parë se ky vendim është marrë “me shpresën se mund të ndihmojë mirëkuptimin publik për të gjithë ata në mbarë botën që janë të prekur nga kanceri”.

    Charles dhe Camilla u ndalën për të bërë me dorë kamerave përpara se të përshëndetën nga personeli i lartë i spitalit dhe personalitete. Brenda, Charles u mirëprit me brohoritje nga radhët e stafit të spitalit të mbledhur në sallën kryesore qendrore.

    Pallati nuk ka bërë të ditur llojin specifik të kancerit që ka Mbreti Charles (përtej deklarimit se ai nuk ka kancer të prostatës).

    Ndihmësit mbretëror theksuan gjithashtu të martën se ndërsa paraqitja e tij në publik tregon se njerëzit mund të vazhdojnë të punojnë me kancerin – dhe të kthehen në punë kur të këshillohen sa më shumë që të jenë në gjendje ta bëjnë këtë nga mjekët – të gjithë kanë rrugën e tyre për të ndjekur ndërsa trajtohen.

    Charles nuk është i vetmi anëtar i familjes mbretërore që i nënshtrohet trajtimit të kancerit. Nusja e tij, Kate Middleton, zbuloi diagnozën e saj të kancerit muajin e kaluar pas javësh spekulimesh për shëndetin e saj.

  • ​Marrëveshje 90 milionë euro mes Kosovës dhe Gjermanisë: Synohet punësimi, energjia dhe integrimi

    ​Marrëveshje 90 milionë euro mes Kosovës dhe Gjermanisë: Synohet punësimi, energjia dhe integrimi

    Kosova dhe Gjermania kanë nënshkruar marrëveshje në vlerë 90 milionë euro, teksa me këtë synohet mbështetje për dy vjet, ku 20 milionë janë në formë të granteve.

    “Kjo marrëveshje e re shënon rritje të theksuar të vlerës së mbështetjes krahasuar me atë paraprake për periudhën 2022/2023, që ishte në vlerë prej 37 milionë euro, duke dëshmuar kësisoj thellimin e bashkëpunimit në mes të të dyja vendeve”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Financave.

    “Këto mjete do të destinohen për të mbështetur integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian dhe ndër të tjera fokusohen në investime në sektorin e energjisë, përkatësisht procesit të dekarbonizimit, garantim të zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm, ofrim të trajnimeve dhe punësimit si dhe mbështetje të komunave, veçanërisht në menaxhimin e mbeturinave dhe ruajtjen e mjedisit”.

    Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati ka theksuar bashkëpunimin e ngushtë me qeverinë gjermane duke përmendur disa projekte të rëndësishme që janë zbatuar në kuadër të këtij bashkëpunimi, siç është projekti për ndërtimin e ngrohtores diellore dhe rehabilitimin e ujërave të zeza në Prishtinë, menaxhimit të mbeturinave në të gjithë Kosovën si dhe themelimin e Parkut të Inovacionit dhe Trajnimit (ITP) në Prizren.

    Ambasadori gjerman, Jorn Rohde, në anën tjetër ka përmendur bashkëpunimin gjermano-kosovar, duke thënë se si rrjedhojë ka kontribuar në standard më të mirë të jetesës për të gjithë qytetarët, duke promovuar rritjen ekonomike dhe punësimin e rregullt.

    Sipas Ambasadorit Rohde, projektet e radhës të cilat do të zbatohen përmes fondeve të zotuara sot, do të përforcojnë pavarësinë ekonomike të grave dhe do të nxisin zhvillimin ekonomik të gjelbër dhe inovativ të Kosovës.

  • ​Qeveria i përgjigjet BE-së për mungesën e progresit në dialog, fajin e hedh te Serbia

    ​Qeveria i përgjigjet BE-së për mungesën e progresit në dialog, fajin e hedh te Serbia

    Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, iu është përgjigjur deklaratave të zëdhënësit të Bashkimit Europian, Peter Stano.

    Stano në një konferencë për media të hënën tha se rezultatet e deritanishme në dialog nuk janë dështim i emisarit Mirosllav Lajçak, por i Kosovës dhe Serbisë.

    Derisa Kryeziu përmes një postimi në twitter tha se mungesa e progresit është shkaku i shkeljes së marrëveshjes nga ana e Serbisë.

    “Është një zhvillim i dukshëm që BE-ja pranon se procesi i dialogut nuk ka ecur mirë. Megjithatë, mungesa e progresit nuk është për shkak të të dyja palëve. Këtu është një listë e shkeljeve nga Serbia të Marrëveshjes Themelore, vetëm 2 javë pasi tha PO, në shkurt 2023”, ka shkruar ai.

    Ndryshe Stano në një konferencë për media theksoi se emisari Lajçak dhe përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, kanë përkrahjen e plotë të shteteve anëtare sa i përket dialogut Kosovë – Serbi.

  • Departamenti për Krime Lufte me vetëm 3 prokurorë, i nevojshëm shtimi i numrit të tyre

    Departamenti për Krime Lufte me vetëm 3 prokurorë, i nevojshëm shtimi i numrit të tyre

    Rritja e numrit të prokurorëve që trajtojnë raste të krimeve të luftës dhe të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, ishte temë diskutimi ndërmjet Ministrisë së Drejtësisë e Këshillit Prokuroria me anëtarët e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione, raporton Ekonomia Online.

    Aty u tha se aktualisht ky departament funksionon me vetëm 3 prokurorë dhe se shtimi i numrit të tyre u konsiderua i nevojshëm.

    Për rritjen e numrit prokurorëve në Departamentin për Krimet e Luftës në kuadër të Prokurorisë Speciale të Kosovës (PS), u zotuan edhe nga MD-ja, me ç’rast ministrja e këtij dikasteri, Albulena Haxhiu tha se nga viti 2021 kanë ndarë buxhet rreth 100 mijë euro.

    Por as me këtë shumë, Haxhiu tha se nuk është shtuar numri i prokurorëve dhe se ky departament funksionon me vetëm 3 prokurorë.

    “Rritja e numrit të prokurove special, në qershor 2021-ës kemi rënë dakord me KPK që numri i prokurorëve special në atë departament të ngritët për faktin se një prokuror ka dalë në pension dhe që në atë kohë kanë qenë 4 prokurorë. Kemi rënë dakord që mbi 100 mijë euro që kanë qenë të ndara për MD ja kemi dedikua KPK që KPK që t’i rekrutojë edhe 5 prokurorë, 6 bashkëpunëtorë profesional dhe 2 staf tjerë mbështetës”.

    “Ky plotësim ndryshim ka ndodhur edhe në Kuvendin e Kosovës. Por që nga viti 2021 ende numri i këtij departamenti është i vogël, sipas informacioneve janë vetëm 3. Besoj që më gjitha dosjet të cilat Prokuroria Speciale i ka për krime të luftës është numër tepër i vogël në mënyrë që të adresohen saktë dhe drejtë. Në vitin 2021 kanë qenë 70 vende të lira në KPK, në viti 2022, 97 vende të lira në sistemin Prokurorial, në vitin 2023 kanë qenë 87 vende të lira dhe në vitin 2024, 87 vende të lira”, u shpreh Haxhiu.

    Kryesuesi i Këshillit Prokurorial, Ardian Hajdaraj, tha se sfidë shumë e madhe për sistemin prokurial ka qenë dorëheqjet e prokurorëve në veri të vendit.

    “Është një sfide, nuk ka qenë e mundur që të rekrutohen drejtpërdrejt nga PS, por ato duhet të shkojnë përmes procedurave të avancimit. Një sfide tjetër që e kemi pasur shumë të madhe në sistemin prokurorial është edhe dorëheqja e prokurove serb në prokurorin themelore në Mitrovicë ku kanë dhënë dorëheqje prokurorët serb. Kjo ka qenë një ndër sfidat me të mëdha. Për shkak të vështirësive është dashur që dy herë të gjejmë zgjidhje urgjente dhe të dërgojmë prokuror shtesë atje. T’i marrim nga Prokuroritë tjera dhe t’i dërgojmë atje. Së fundi kemi urdhëruar edhe Kryeprokurorin e Shtetit që t’i dërgoj atje për transferim të jashtëzakonshëm 3 prokuror”.

    “Gjendja është vështirë, në vazhdimisht kemi bërë kërkesa të arsyeshme buxhetore, vitin e kaluar kemi bërë kërkesa të arsyeshme për 21 milionë euro që të shtohet numri i nevojshëm në PS dhe nuk është aprovuar dhe janë aprovuar vetëm 15 milionë euro”, ku shpreh ai.

    Prokurori përgjegjës i Departamentit për Krime të luftës në kuadër të Prokurorisë Speciale, Ilir Morina, ka thënë se tek veprat e dhunës seksuale si krim luftë, PS-ja ka 50 raste aktive, ku nga këto raste janë ngritur 6 aktakuza, për 3 raste kanë filluar hetimet zyrtare, ndërsa në rastet tjera janë ende në procedurën para hetimore.

    “Ne kemi trashëguar një çështje shumë komplekse nga misionet e huaja. Veprimet e para që kemi bërë ka qenë identifikimi i problemeve dhe kemi nxjerrë një strategji e cila është votuar. Hapi i parë pas strategjisë është themelimi i Departamenti të veçantë, aktualisht jemi tre prokurorë, aktualisht është faza e avancimit të prokurorëve. Ka pasur një numër të madh të lëndëve që nuk kanë qenë të rregullta”.

    “Kemi arritur t’i identifikojmë rreth 1 mijë lëndë. Në vitin 2023 kemi kryer 23 lëndë nga Departamenti i krimeve të luftës. Deri sa nga viti 2016 deri në vitin 2019 kanë qenë vetëm 12 lëndë. Te veprat e dhunës seksuale si krim luftë, aktualisht ju njoftoj se PS ka 50 raste aktive, nga këto raste kemi ngritur 6 aktakuza, 3 raste kemi fillim zyrtarë të hetimit derisa raste tjera janë ende në procedurën para hetimore” ka thënë ai.

  • Jasharaj: 1 mijë punëtorë do të jenë nesër në protestë, besoj se Qeveria ka marrë “shkollë” nga greva e vitit 2022

    Jasharaj: 1 mijë punëtorë do të jenë nesër në protestë, besoj se Qeveria ka marrë “shkollë” nga greva e vitit 2022

    Rreth 1 mijë mësimdhënës e punëtorë tjerë do të jenë nesër në protestën e organizuar nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës dhe mbështetur nga sindikatat tjera. Kështu ka thënë për Ekonomia Online, kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj.

    Jasharaj shprehet i bindur se Qeveria Kurti ka marrë “shkollë” nga grevat e vitit 2022, për të cilën thotë se nuk duhet të ndodh.

    Kryesindikalisti shpreson që Qeveria do t’i plotësojë kërkesat e tyre, në mënyrë që protesta e nesërme të jetë e fundit.

    “Numri nuk do të jetë krejt i vogël, ne presim dikund 1 mijë (protestues) sepse kemi shumë shoqata sindikale, pra do të jetë zëri i anëtarësisë sonë. Me 1 maj do të dalim me kërkesa konkrete dhe do t’i bëjmë publike dhe urojmë që pas kësaj proteste të mos ketë nevojë më për protesta e greva por Qeveria të ulet dhe të bisedojë me neve, ngase edhe motoja e protestës është që ‘Qeveri realizo kërkesat tona, parandalo veprime tjera sindikale’. Ne do të takohemi me protestuesit në oborrin e Bibliotekës Kombëtare, pastaj do të vazhdojmë drejtë MAShTI-t për tu kthyer kah katedralja përgjatë sheshit deri te Qeveria dhe do të ketë disa fjalime aty”, ka thënë Jasharaj për EO.

    Ndonëse nuk e përmend grevën, Jasharaj nuk e mohon se një gjë të tillë. Ai deklaron se për këtë vendosin punëtorët e arsimit, por që uron që një gjë e tillë të mos ndodhë.

    “Unë nuk mund të flasë asgjë sepse për këtë vendosin vetë punëtorët e arsimit përmes organeve të SBAShK-ut por uroj që pas 1 majit Qeveria të ulet me ne të bisedojë sepse unë jam i sigurt se kërkesat tona tepër legjitime dhe mund të realizohen nëse ka vullnet nga Qeveria, vullnet ky deri tani i munguar dhe po them, Qeveria Kurti ka një qasje të gabuar edhe ndaj sindikatave edhe ndaj kërkesave të anëtarësisë”, u shpreh Jasharaj, teksa përmend edhe grevën e vitit 2022, për të cilën thotë se erdhi si rezultat i mosrealizimit të kërkesave të tyre.

    “Mendoj, uroj dhe unë besoj se edhe Qeveria ka marrë ‘shkollë’ siç thotë populli nga viti 2022 kur filluam me protesta të vogla e u kthyem me protesta të mëdha, me një orë grevë dhe erdhi fatkeqësisht deri te greva e madhe e shtatorit 2022, që dorën në zemër e kishte goditur goxha shumë sistemin arsimor në Republikën tonë”, deklaroi ai.

  • Durmishi ftohet nga Prokuroria Speciale për intervistë

    Durmishi ftohet nga Prokuroria Speciale për intervistë

    Zëvendësministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi ka njoftuar se është ftuar nga Prokuroria Speciale për intervistë.

    Lajmin e ka bërë të ditur Durmishi, teksa ka njoftuar se ftesa i është bërë lidhur me nënshkrimin e kontratave për rrugën Prishtinë – Podujevë.

    “Dëshiroj t’ju njoftoj se kam pranuar një ftesë nga prokuroria speciale për intervistë më 8 maj. Kur e mora ftesën mendova që më në fund po më ftojnë për të më pyetur për lëndën që e pata dorzuar në Prokurorinë Speciale para gati tre vjetësh. Por jo, ata më kishin ftuar për nënshkrimin e kontratave për rrugën Prishtinë – Podujevë. Me gjasë dikujt po i pengon dinamika e punimeve në këtë projekt sepse gjithçka po ecën sipas planit”, ka shkruar ai midis tjerash në Facebook.

  • Miratohet në Komision Kodi i Sjelljes, deputetët që shajnë gjobë deri 700 euro

    Miratohet në Komision Kodi i Sjelljes, deputetët që shajnë gjobë deri 700 euro

    E përditësuar – Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit, ka miratuar të martën një ndryshim të propozuar nga deputeti i VV-së, Dimal Basha. Tash parashihet që deputetët që shajnë, ofendojnë e nxisin dhunë të sanksionohen deri në 50 për qind të pagës apo 688 euro, raporton Ekonomia Online.

    Po ashtu parashihen masa sanksionuese si vërejtje me shkrim e nëse ka shkelje të rëndë të përsëritur shqiptohet vërejtja me shpallje publike në uebfaqen e Kuvendit dhe deklarim të shkeljes në seancën e ardhshme.

    Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, ka propozuar që deputetëve me sjellje të këqija t’u hiqen tri paga.

    “Me nenin 26 paragrafi c, d mendoj që po dënohet GP, po dënohet qytetari por jo deputeti. Nuk po me duket e logjikshme të dënohet dikush tjetër për sjelljen e pandërgjegjshme të deputetit. Unë propozoj që ndëshkimi të mos jetë 20 për qind, por të jetë deri në 3 paga”, ka thënë ai.

    Deputeti tjetër i Vetëvendosjes, Adnan Rrustemi, ka thënë se sanksionimi bëhet me qëllimin që të shihet edhe si presion.

    “Nuk është çështja vetëm e ndëshkimit të deputetit, por edhe entitetit politik të grupeve parlamentare, që i takon në kuptim të vështirësisë së vendimmarrjes sepse e implikon punën e tyre në komisione. Kjo shërben si presion”, ka thënë ai duke u dakorduar që të rritet në 20 për qind sanksionimi për deputetët.

    Ndërsa deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj, ka thënë se duhet të ketë çështje që mund të zbatohen.

    “Unë kam dilemat e mija nëse dikush e dërgon në kushtetuese këtë. A është kushtetuese apo jo? Sepse mandati i deputetit është i lirë i përgjigjet vetëm qytetarit askujt tjetër. Ky kod etik nënkupton shumë në sjelljet morale të njerëzve, është bukur e ndjeshme”, ka thënë ai.

    Deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri ka thënë se pas miratimit të rregullores së punës së Kuvendit, miratimi i kodit të sjelljes për deputetët e Republikës së Kosovës, pa dyshim është një akt i cili do të ndihmojë jo vetëm funksionimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës por sipas tij, do të krijojë obligime, sanksionime dhe do të themelojë një organ të ri i cili ka një rëndësi të jashtëzakonshme.

    “Ky takim i komisionit për Legjislacion ka një rëndësi të veçantë për shkak se është mbledhur që të miratojë një dokument respektivisht një kod të sjelljes së deputetëve i cili nuk ka ekzistuar deri më tani, ashtu siç e tha kryetari Rrustemi. Pas miratimit të rregullores së punës së Kuvendit, miratimi i kodit të sjelljes për deputetët e Republikës së Kosovës pa dyshim është një akt i cili do të ndihmon jo vetëm funksionimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës mirëpo do të krijojë obligime, sanksionime dhe do themelojë një organ të ri i cili ka një rëndësi të jashtëzakonshëm”.

    “Kodi i sjelljes për deputetët e Republikës së Kosovës është i shkurtë por në esencë është një mjet pune, ku përcaktohen shumë saktësisht detyrimet, fushëveprimi qëllimi mirëpo edhe themelimi i një organi të ri. Kodi përcakton rregullat dhe standardet etike të deputetëve të Republikës së Kosovës. Ajo çka mund të them të gjitha dhe që e vlerësoj se parimet që i kemi ndërtu dhe në këtë kod janë parime që burojnë edhe nga institucionet më demokratike duke përfshi edhe Kongresin Amerikan që kemi qenë për vizitë”, ka thënë Tahiri.

  • Gjykata e rrëzon kërkesën e Gazment Bardhit për çregjistrimin e Lulzim Bashës si kryetar të PD-së

    Gjykata e rrëzon kërkesën e Gazment Bardhit për çregjistrimin e Lulzim Bashës si kryetar të PD-së

    Gjykata e Shkallës së Parë në Shqipëri ka vendosur të mos e pranojë kërkesën e Këshillit Kombëtar të PD-së, për të çregjistruar Lulzim Bashën si kryetar i kësaj partie.

    Gjyqtari Gentjan Marku vendosi mos të legjitimojë këshillin e thirrur nga Gazment Bardhi.

    “Gjykata e Shkallës së Parë ka vendosur që të mos pranojë kërkesën e 6 deputetëve për ta çregjistruar Lulzim Bashën si kryetar i PD-së. Gjyqtari Gentjan Marku vendosi mos të legjitimojë Këshillin e thirrur nga Gazmend Bardhi”, sipas njoftimit të PD-së./tch/

  • Kurti takon zëvendëspresidentin e MCC, sot hyn në fuqi Programi Kompakt në vlerë 236.7 milionë dollarësh

    Kurti takon zëvendëspresidentin e MCC, sot hyn në fuqi Programi Kompakt në vlerë 236.7 milionë dollarësh

    Kryeministri Albin Kurti e ka pritur në takim zëvendëspresidentin në Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), Cameron Alford, për ta shënuar, siç thotë Zyra e Kryeministrit, “fillimin e një momenti të rëndësishëm për vendin tonë në zhvillimin e ekonomisë përmes transformimit të sektorit të energjisë, fillimin e programit Kompakt me MCC”.

    I shoqëruar nga ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier dhe Drejtori i Programit të MCC, Rinor Gjonbalaj, Alford e uroi Kurtin për këtë fillim të ri e të rëndësishëm për Kosovën, përmes funksionalizimit të programit të përbashkët të Kosovës në mbështetje dhe bashkëpunim të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

    “Kryeministri njoftoi z.Alford me suksesin në ankandit e energjisë solare dhe me strategjinë ambicioze të Qeverisë për energji, që shërben edhe si platformë e punës së Kompaktit. Më tej, bashkë me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, njoftoi z.Alford me vizionin e Qeverisë në kuptim të zhvillimit të ekonomisë dhe rritjes së punësimit përmes investimit në aftësimin profesional, investimin në energji dhe në përgatitjen e kuadrove të reja në fushat STEM përmes bursave të studimit”, ka njoftuar Zyra e Kryeministrit.

    Programi Kompakt i cili komponentë kryesore ka ndërtimin e kapaciteteve akumuluese të energjisë, parasheh edhe komponenta të rëndësishme për zhvillim të kapaciteteve njerëzore e rritje të barazisë gjinore në sektorin e energjisë në vend. Programi Kompakt ka vlerë prej 236.7 milionë dollarësh, nga të cilat 202 janë grant nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kurse 34.7 milionë janë bashkëfinancim nga Qeveria e Republikës së Kosovës.

    “Së bashku me MCC dhe MCA, ashtu si me shumë projekte e programe tjera të USAID, e në partneritet me SHBA-të, Qeveria e Republikës së Kosovës zotohet të zbatojë programet në përpikëri dhe në dobi të qytetarëve të saj”, thuhet në njoftimin e ZKM-së.

    Ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjes për hyrjes në fuqi të MCC Compakt mbahet sot në orën 17:00.