ATV

Category: Lajme

  • 25 vjet nga rënia e dëshmorit Njazi Rexhepi

    25 vjet nga rënia e dëshmorit Njazi Rexhepi

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Liria që e gëzojnë sot, thonë se është meritë e dëshmorëve.

    Gjithë këta njerëz u mblodhën të hënën në Shtëpinë e Kulturës në Viti, për ta përkujtuar Njazi Rexhepin, që ra dëshmor në betejën e Koshares, më 6 maj 1999.
    Kontributi i tij në Brigadën 138, u vlerësua i pashoq.

    “Para dëshmorëve të gjithë jemi të vegjël, vetëm liria është e madhe. Themelet e lirisë janë të forta e ato i bën të forta gjaku i dëshmorëve. Njazi Rexhepi vjen nga një familje atdhetare që janë shquar për mikpritje, në anën e Ana Moravës. Qysh si nxënës ai kishte mësuar për vuajtjet e shqiptarëve i kishte ndje ato nën lëkurë. I edukuar në frymën ai mori pjesë në demonstrata që organizoheshin në Ferizaj, Prishtinë e mbarë Kosovën. Dëshmori e kishte kuptuar herët se liria nuk jepet vullnetarisht por duhet kërkuar nga pushtuesi”, tha Lulzim Tafa, poet.

    Një ish-epror i Rexhepit e kujton atë si ushtar të dalluar.

    “Për neve që ishim pjesë, emocionet dallojnë sepse i kemi kujtimet e freskëta, operacioni në Koshare është shumë kompleks edhe në planifikimin ekzekutimin e formacionit, drejtuesit e të cilit ishin ushtarak me përvojë”, tha Fadil Hadergjonaj, komandant i Brigadës 138 “Agim Ramadani”.

    Vëllai i dëshmorit thotë se e humbi një familjar në luftë, por Nijaziu u bë i gjithë Kosovës, me rënien e tij.

    “Dëshmorët vdesin vetëm një herë e për së dyti mund të vdesin nëse i harrojmë e nuk i përkujtojmë”, tha Fahrush Rexhepi, vëllai i dëshmorit Njazi Rexhepi.
    Luftëtar e trim, Njaziu u përshkrua edhe nga ish-presidenti Fatmir Sejdiu.

    “Shqiptarët kanë qëndruar falë nënave që kanë kënduar për trimat për djemtë e rinj e vajzat, që në momente të historisë kanë mbetur shembuj e fanarë orientimi. E kjo e sotmja është një kallëzim për një hero që ka qenë në mes heronjve, një njëri që nuk ka ndalë aspak nga djersa e gjaku i tij për ditën e sotme, bëhuni të fortë e krenarë për ju që e keni pasë një njeri të përkushtuar kaq shumë”, tha Sejdiu.

    Luftimet në Betejën e Koshares u zhvilluan për 77 ditë me radhë, nga 9 prilli deri më 19 qershor 1999, në zonën kufitare të Kosovës me Shqipërinë.
    Gjatë luftimeve u vranë 114 dhe u plagosën 423 luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Beteja e Koshares, nisi në kuadër të operacionit “Shigjeta”, duke i hapur rrugë furnizimit me armatim dhe mbështetje logjistike për shumë zona të luftës në brendësi të Kosovës.

  • Presidentja Vjosa Osmani uron Ditën e Goranëve

    Presidentja Vjosa Osmani uron Ditën e Goranëve

    Komuniteti goran është pjesë e çmueshme e diversitetit kulturor të Kosovës.

    Traditat dhe trashëgimia kulturore e komunitetit goran janë pasuri e Kosovës.

    Shumëetniciteti është gjithashtu vlerë e shoqërisë kosovare, ndaj do ta ruajmë këtë vlerë të çmueshme, sikurse do ta vazhdojmë mbështetjen institucionale për komunitetin goran.

    Urime Dita e Goranëve!

  • Gjendet trupi i pajetë i fëmijës së dytë të Alma Arrazit

    Gjendet trupi i pajetë i fëmijës së dytë të Alma Arrazit

    Me lot në sy, ministri i Brendshëm Taulant Balla ka dhënë lajmin e hidhur për gjetjen e trupit të pajetë të fëmijës së dytë të Alma Arrazit, nëna që i dha fund jetës duhe u hedhur në lumin Buna me tre fëmijët e saj.

    “Është gjetur trupi i fëmijës së dytë/ Dyshohet që edhe trupi i nënës dhe i fëmijs tjerë të jenë në këtë zonë. Kërkimet nga RENEA dhe peshkatarët e zonës do vijojnë edhe sot. Është një moment i rëndë, nuk gjej dot fjalët. I bëj thirrje të gjitha vajzave dhe grave në vend, të denoncojnë dhunën. Dhuna në familje, dhuna që çdo vajzë e grua përballet kur shkon në punë, në rrugë. E kam thënë shpesh, por erdhi dita ta them edhe me lot në sy, na duhet të shkëputemi nga kjo situatë. Të reagojmë të gjithë si shoqëri. Edhe kur vajzat nuk reagojnë dot, duhet të reagojnë të gjithë të tjerët. Na duhet të rrisim fuqinë tonë të marrjes së informacionit dhe të ndërhyrjes në kohë”, tha Balla.

  • Borrell: Izraeli të heqë dorë nga një ofensivë tokësore në Rafah

    Borrell: Izraeli të heqë dorë nga një ofensivë tokësore në Rafah

    Shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka thënë se është e papranueshme thirrja e Izraelit për evakuim të civilëve në Rafah.

    Me anë të një shkrimi në platformën X, ai ka theksuar se Tel Avivi zyrtar duhet të heqë dorë nga ofensivat tokësore në Rafah.

    “Urdhrat e evakuimit të Izraelit për civilët në Rafah parashikojnë më të keqen: më shumë luftë dhe krizë ushqimore. Është e papranueshme”.

    “Izraeli duhet të heqë dorë nga një ofensivë tokësore dhe të zbatojë Rezolutën 2728. BE-ja, me Komunitetin Ndërkombëtar, mund dhe duhet të veprojë për të parandaluar një skenar të tillë”, ka thënë Borrell.

  • Krasniqi: 27-vjet më parë ra heroikisht në altarin e lirisë, Luan Haradinaj

    Krasniqi: 27-vjet më parë ra heroikisht në altarin e lirisë, Luan Haradinaj

    Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka kujtuar në përvjetorin e 27-të rënies heroin Luan Haradinaj.

    Ai, me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, ka deklaruar se Haradinaj kishte rënë heroikisht në altarin e lirisë.

    “Ndonëse rrugëtimi i tij i fundit drejt Kosovës mbeti në gjysmë, ideali për Kosovën e lirë, për të cilin Luani u flijua, shërbeu si burim frymëzimi për brezat pasues të luftëtarëve dhe u finalizua me çlirimin e vendit”.

    “Sypatrembur e zemërluan, guximtar dhe atdhetar. Kështu do të kujtohet përherë heroi Luan Haradinaj. Lavdi jetës dhe veprës së tij!”, ka thënë Krasniqi në Facebook.

  • Jashari: Luani dhe familja Haradinaj e kishin kuptuar me kohë se lirinë nuk ta dhuron askush

    Jashari: Luani dhe familja Haradinaj e kishin kuptuar me kohë se lirinë nuk ta dhuron askush

    Në 27-vjetorin e rënies së Heroit të Kombit, Luan Haradinaj, në Pejë është mbajtur Akademi Përkujtimore, raporton EO.

    Kryetari i Shoqatës së Familjeve të dëshmorëve, Xhavit Jashari ka thënë se Luani dhe familja Haradinaj e kishin kuptuar me kohë se lirinë nuk ta dhuron askush.

    “Luani dhe familja Haradinaj e kishin kuptuar me kohë se lirinë nuk ta dhuron askush. Se liria nuk falet por ajo fitohet me sakrficë e mbi të gjitha fitohet me luftë. E këtë luftë e bëri Luani, familja Haradinaj, e bërë të lavdishme UÇK-në. Çdo ditë duhet të kemi njerëz që janë të vendosur në diplomaci që për çdo ditë për çdo çast ta keni në mendje dhe shpirt luftën e lavdishme të UÇK-së dhe përpjekjet e pa rreshtuara të popullit për liri. Sot po vazhdon kjo padrejtësi, kur kihet parasysh që sot bashkëluftëtarët e lënë padrejtësisht mbahen në Hage”, ka thënë ai.

    Në emër të presidentes Vjosa Osmani, të pranishmëve me një fjalë rasti nga Zyra e Presidentes iu drejtua këshilltari ushtarak, Sefer Isufi i cili tha se flijimi i Luanit, sakrifica e pa shembullt e familjes Haradinaj, Gllogjanit, Dukagjinit dhe të gjithë Kosovës janë shkëmb i fortë në kalanë e quajtur Republika e Kosovës.

    “Flijimi i Luanit, sakrifica e pa shembullt e familjes Haradinaj, Gllogjanit, Dukagjinit dhe të gjithë Kosovës janë shkëmb i fortë në kalanë e quajtur Republika e Kosovës e cila çdo ditë po zhvillohet dhe forcohet si një shtet dinjitoz me identitetin dhe historinë e dritshme që bëri gjeneral Luan Haradinaj dhe mijëra heronjë, dëshmorë e martirë të rënë”, ka thënë Isufi.

    Në emër të familjes Haradinaj fjalën e mori Luani i ri i cili mes tjerash tha se Luani dhe të gjithë luanët tjerë që i dolën zot atdheut u kujtofshin brez pas brezi.

    “Luani dhe të gjithë luanët tjerë që i dolën zot atdheut u kujtofshin brez pas brezi. Sakrifica e tyre është motiv jetësor për ne dhe brezat e rinjë dhe me besnikëri do ta ndjekim rrugën e tyre”, tha Luan Haradinaj.

  • Kurti takon ambasadorët e QUINT-it, u kërkon mbështetjen në KiE

    Kurti takon ambasadorët e QUINT-it, u kërkon mbështetjen në KiE

    Qeveria e Kosovës përmes një komunikate për media, ka njoftuar për atë se çfarë është biseduar në takimin e kryeministrit Kurtit me ambasadorët e QUINT, raporton Periksopi.

    Aty thuhet se në takim është folur për hapat e tjerë të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

    Por këtu Kurti, në takim ka thënë se Kosova ka plotësuar çdo kerkesë për t`u pranuar në këtë organizëm ndërkombëtarë, duke thënë se çdo kerkesë apo kusht tjetër, është e panevojshme, duke aluduar në kërkesën e Francës dhe Gjermanisë, që draft statuti i Asociacionit të dërgohet në Kushtetuese para 17 majit.

    “Për më tepër, si shenjë gatishmërie dhe hap para, tre krerët shtetëror i dërguan letër të garancisë raportueses Dora Bakoyannis për adresimin e çështjeve të pas anëtarësimit të identifikuara nga Këshilli i Evropës. Kryeministri theksoi se Kosova është vendi më demokratik në Ballkanin Perëndimor, me një kushtetutë të avancuar e cila ofron të drejta të garantuara dhe zgjeruara për komunitet joshumicë, dhe tejkalon standardet ndërkombëtare, e vlerësuar kështu edhe nga Juristët Eminentë të Këshillit të Evropës. Me letrën e garancisë, Kosova ka plotësuar të gjitha kriteret për anëtarësim, prandaj edhe çdo kërkesë tjetër është në shpërputhje me vetë votimin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës të 16 prillit, të mbështetur në masën 82% (131 kundrejt 29)”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e Qeverisë.

    Njoftimi i plotë:

    Kryeministri Kurti takoi ambasadorët e shteteve të QUINT-it dhe Shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi dhe zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, takoi sot ambasadorët dhe përfaqësuesit diplomatikë të shteteve të QUINT-it dhe Shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.

    Në takim u diskutua mbi zhvillimet aktuale dhe rreth procesit të anëtarësimit në Këshill të Evropës.

    Kryeministri theksoi se deri më tani tri instanca të rëndësishme të Këshillit të Evropës (Juristët Eminentë, Raportuesja Dora Bakoyannis dhe Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës) kanë konfirmuar se Republika e Kosovës plotëson standardet dhe kriteret për të qenë anëtare e plotë e kësaj organizate. Kushtet dhe parakushtet për anëtarësim, u vendosën në raportin e raportueses Dora Bakoyannis të cilat Republika e Kosovës i plotëson, duke përfshirë këtu edhe vendimin prej vitesh në pritje për Manastirin e Deçanit. Për më tepër, si shenjë gatishmërie dhe hap para, tre krerët shtetëror i dërguan letër të garancisë raportueses Dora Bakoyannis për adresimin e çështjeve të pas anëtarësimit të identifikuara nga Këshilli i Evropës.

    Kryeministri theksoi se Kosova është vendi më demokratik në Ballkanin Perëndimor, me një kushtetutë të avancuar e cila ofron të drejta të garantuara dhe zgjeruara për komunitet joshumicë, dhe tejkalon standardet ndërkombëtare, e vlerësuar kështu edhe nga Juristët Eminentë të Këshillit të Evropës. Me letrën e garancisë, Kosova ka plotësuar të gjitha kriteret për anëtarësim, prandaj edhe çdo kërkesë tjetër është në shpërputhje me vetë votimin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës të 16 prillit, të mbështetur në masën 82% (131 kundrejt 29).

    Kryeministri kujtoi se normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë zhvillohet në Bruksel dhe jo në Strasburg; se procesi i anëtarësimit në Këshill të Evropës është çështje e respektimi të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimit të ligjit, vlera këto që Republika e Kosovës i përqafon. Këto dy procese nuk duhet të përzihen pasi nuk e ndihmojnë njëra-tjetrën. Në rast se këto përzihen, kjo do t’i bënte dëm të pariparueshëm në njërën anë dialogut në Bruksel dhe në anën tjetër Këshillit të Evropës si institucion i ruajtjes dhe promovimit të demokracisë dhe të drejtave të njeriut.

    Kryeministri theksoi se neni 7 i Marrëveshjes Bazike nuk mund të nxirret nga pakoja e Marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit në Ohër dhe nuk duhet të vendoset si prioritet dhe në qendër. Ai kujtoi se me 26 tetor, u refuzua oferta për t’u nënshkruar Marrëveshja në pako që do t’i hapte rrugën zbatimit të plotë të Marrëveshjes, duke përfshirë nenin 7 të saj ndërlidhur me nenin 10.

    Në këtë drejtim, Kryeministri e ritheksoi se dokumenti i ofruar si draft statut nga Lajçak për zbatimin e nenit 7 ndërlidhur me atë 10, nuk është pranuar me 26 tetor vitin e kaluar në Bruksel.

    Ai i bëri thirrje shteteve aleate të Kosovës, shteteve të QUINT-it që të mbështesin anëtarësimin e Kosovës me 17 maj në përputhje me vlerësimet nga vetë institucionet e Këshillit të Evropës, dhe mbi bazën e arritjeve meritore në zhvillimin e demokracisë, të drejtave të njeriut, sundimit të ligjit dhe linjëzimit të saj me vlerat dhe qëndrimet perëndimore. Në kohën kur autokracitë në Evropë janë në rritje dhe po cenojnë çdo herë e më shumë demokracinë, sigurinë dhe paqen, arritjet demokratike të Kosovës duhet të festohen nga demokracitë perëndimore.

  • ​Sulmohen me shishe xhami automjetet e Policisë së Kosovës dhe KFOR-it në Leposaviq

    ​Sulmohen me shishe xhami automjetet e Policisë së Kosovës dhe KFOR-it në Leposaviq

    Një veturë pa targa ka bllokuar rrugën dhe më pastaj ka hedhur shishe xhami në drejtim të veturave zyrtare të Njësisë për Ndërhyrje të Shpejtë (NJNSH) të Policisë së Kosovës dhe KFOR-it amerikan në fshatin Miokovicë të Leposaviqit.

    Sipas policisë, sulmi ka ndodhur sot rreth orës 04:00, derisa policia dhe KFOR ishin në patrullim të përbashkët.

    “I dyshuari pastaj ka ikur në drejtim të disa shtëpive afër në fshatë. Policia e Kosovës bashkë me KFOR-in kanë identifikuare shtëpinë dhe kanë kryer kontroll ku është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, i cili ka pranuar se ka bllokuar rrugën dhe ka hedhur shishen. Gjatë realizimit të kontrollit në shtëpinë e të dyshuarit është gjet një xhaketë e ushtrisë me emblemë serbe. Vetura me të cilën është bllokuar rruga është sekuestruar, i dyshuari pas intervistimit nga njësia kompetente e hetimeve është liruar në procedurë të rregullt, përderisa hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar”, thuhet në njoftim.

  • Përfundon dëshminë dëshmitari i 61-të, pezullohet pjesa tjetër e seancës në rastin e Thaçit e të tjerëve

    Përfundon dëshminë dëshmitari i 61-të, pezullohet pjesa tjetër e seancës në rastin e Thaçit e të tjerëve

    Dëshmia e dëshmitarit të 61-të përfundoi më herët se që ishte planifikuar në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

    Pas kësaj, kryetari i trupit gjykues njoftoi se dëshmitari i radhës është me videolidhje dhe është e pamundur që ai të dëshmojë sot, kështu duke u pezulluar pjesa e mbetur e seancës.

    “Me sa dukët për sot mbaruam. Dëshmitarin e radhës nuk e ofrojmë dot që të fillonim tani sepse është me videolidhje. Seanca ndërpritet këtu dhe fillojmë nesër në orën 09:00”, tha kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III.ZPS për dëshmitarin e 61-të: Ka qenë i arrestuar, do të identifikojë ushtarë të UÇK-së dhe persona me të cilët ka qenë i ndaluarNë Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë ka filluar dëshminë dëshmitari i 61-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar i cili mban kodin 01978 në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Ky dëshmitar është me masa mbrojtëse dhe sipas përmbledhjes së lexuar nga përfaqësuesja e ZPS-së, ai është arrestuar dhe ndaluar nga ushtarët e UÇK-së dhe gjatë dëshmisë së tij do të flas për këtë çështje e po ashtu do të bëjë identifikimin e disa ushtarëve dhe të bashkëndaluarve, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    “Dëshmitari 01978 është arrestuar dhe ndaluar nga ushtarë të UÇK-së në ambiente ndalimi të UÇK gjatë disa javën. Dëshmitari 01978 do të jep dëshmi rreth kushteve ndalimit, punën që kanë bërë të ndaluarit si dhe procesin e marrjes në pyetje dhe rrahjes që ka pësuar ai. Dëshmitari do të identifikojë disa ushtarë të UÇK-së dhe disa të ndaluar të tjerë të mbajtur bashkë me atë”, tha përfaqësuesja e ZPS-së.

    Pas leximit të përmbledhjes dhe pranimit të disa provave duke përfshirë dëshmitë e dëshmitarit të dhëna më herët, prokurorja tha se nuk ka pyetje për dëshmitarin. Me pyetje vazhdoi mbrojtja e viktimave, Maria Radziejowska e cila kërkoi që të kalohet në seancë private e që kjo u aprovua nga trupi gjykues.

    Sipas trupit gjykues, dëshmia e këtij dëshmitari është planifikuar që të zgjasë rreth tri orë. Ai tha se 45 minuta janë paraparë për pyetjet e ZPS-së, 15 për mbrojtësin e viktimave dhe rreth dy orë për të gjithë avokatët mbrojtës.

    Përpara kësaj, trupi gjykues mori disa urdhra me gojë që kishin të bënin me prova materiale konkrete të dëshmitarëve që tashmë kanë dhënë dëshmi.

    Charles Smith III, po ashtu shprehu mirënjohje për palët në procedurë dhe punën që kanë bërë gjatë këtij procesi gjyqësor duke shtuar se mund të bëjnë punën e tyre edhe më mirë për një gjykim më të drejtë, efikas dhe më të shpejtë.

    Ai tha se Prokuroria e ka reduktuar numrin e dëshmitarëve nga 320 dhe brenda këtij muaji pritet që të japin një parashtrim për numrin e dëshmitarëve që planifikojnë të thërrasin.

    Po ashtu, ai tha se deri tani janë dëgjuar 60 dëshmitarë duke përfshirë edhe ata sipas rregullës 154, 13 dëshmitar sipas rregullës 153 dhe janë pranuar deklaratat e 32 dëshmitarëve që ose kanë vdekur ose nuk janë të disponueshëm për të dhënë dëshmi e që kjo parashihet me rregullën 155. Pra, kryetari i trupit gjykues tha se dëshmitarë të prokurorisë deri më tani kanë qenë 105 duke përfshirë të lartacituarit.

    Gjatë kësaj kohe, Smith III tha se janë marrë mbi 300 vendime nga trupi gjykues.

  • ​Grafitet që provokojnë qytetarët shqiptarë

    ​Grafitet që provokojnë qytetarët shqiptarë

    Grafite të shumta me përmbajtje të nxitjes së urrejtjes, të shkruara tek cepi verior i urës kryesore të Ibrit në Mitrovicë, provokojnë tejmase qytetarët shqiptarë, sidomos ata të cilët frekuentojnë për çdo ditë këtë urë.

    ‘Ratko Mlladiq hero i popullit’, ‘Do ta shpërthejmë murin’, ‘Kosova është zemra e Serbisë’, të shkruara në alfabetin cirilik të serbishtes, janë vetëm disa nga mbishkrimet, për të cilat qytetarët shqiptarë thonë se duhet të shlyhen sa më parë nga institucionet, sepse janë provokuese për ata, shqetësuese dhe nxisin urrejtje.

    Asllan Zogu, qytetar nga veriu i Mitrovicës, thotë për KosovaPress, se institucionet komunale, në të cilat tashmë janë shqiptarët në atë pjesë, por edhe ato qendrore, duhet t’i shlyejnë sa më parë këto grafite, sepse janë provokuese.

    ‘Mu në atë vend ku janë ato grafite anti shqiptare, aty ka qenë xhamia të cilën e kanë rrënuar. Qeveria jonë duhet me ndërmarrë diçka tash, pasi po funksionon pjesa veriore me shqiptarë. Merreni me mend, Ratko Mlladiqin e quajnë hero të popullit… Ato grafite janë provokative dhe institucionet tona kishte qenë mirë me i fshi’, ka thënë Zogu.

    Edhe Burhan Nuhi, një mitrovicas tjetër nga veriu i këtij qyteti, grafitet e tilla i ka quajtur anti shqiptare, shqetësuese dhe provokim të hapur.

    ‘Grafitet janë anti shqiptare dhe shqetësuese… I bëj thirrje institucioneve që këto grafite me i eliminu dhe me i fshi. Me marrë masa sa më shpejtë, ky është provokim’, theksoi Nuhi.

    Ndërkaq, Bardhyl Dobroshi, drejtor i organizatës joqeveritare ‘Futja ngjyrë’, në Mitrovicë, organizatë kjo e cila shquhet për murale të bukura me mesazhe për paqen, bëri të ditur se ato grafite meqë janë të shkruara në mermer, është më mirë të pastrohen dhe shlyhen me ujë.

    Sipas tij, nganjëherë me ngjyrë vetëm sa prishen gjërat.

    ‘Ajo pjesa në fjalë ku ka më shumë shkrime anti shqiptare thjeshtë të cilat nuk ishte dashur të jenë aty, janë të shkruara në mermer… Mermeri është më i shtrenjtë sesa spreji dhe ngjyrat me të cilat e kishim bërë. Tani nuk na duket e arsyeshme me ia futë ngjyrë në një vend ku thjeshtë më shumë kishim bërë dëm sesa që kishim bërë mirë… Aty mundet me ujë me presion me u largu ato mbishkrime dhe ajo pjesë me u kthy qysh ka qenë. Problemin e njëjtë ne e kemi pasur në jug të Mitrovicës, te objekti i ATK-së. Në këtë objekt ka pasur shumë shkrime dhe parulla dhe në vend se t’i fshijnë ato parulla, e kanë ngjyrosur me polikollor. Dhe në fund u fshi mermeri, një objekt që ka qenë shumë i bukur, tani duket një objekt bazik me tulla dhe vetëm sa e ka prishur ngjyra. Nganjëherë me ngjyrë veç i prishim gjërat’, u shpreh për KosovaPress Dobroshi.

    Në anën tjetër, Veton Elshani, ushtrues i detyrës së drejtorit të policisë për rajonin e veriut, tha se policia ka hapur shumë raste për mbishkrime të tilla në mbarë veriun e vendit.

    Ai shtoi se deri tani nuk është arrestuar askush për këto grafite tek ura e Ibrit.

    ‘Kemi mbishkrime me përmbajtje të cilat nxisin urrejtje ose që ne kemi hapur raste për to për përçarje, nxitje të urrejtjes, nëpër tërë veriun e vendit. Po, ka grafite aty, me siguri kemi hapur raste për to, sepse kemi shumë raste të hapura për raste dhe ngjarje të tilla, dhe nuk kemi persona të arrestuar, përveç sa di unë një rasti tash para dy ditësh që kemi arrestuar një person për shkruarje të këtyre grafiteve me nxitje të urrejtjes. Mirëpo, çështja jonë nuk është me u marrë me shlyerje ose largimin e tyre prej vendit ku janë shkruar’, sqaroi Elshani.

    KosovaPress-i ka provuar për dy ditë me radhë të kontaktojë me kryetarin e Komunës së Mitrovicës Veriore, Erden Atiq rreth kësaj problematike, mirëpo ai nuk ka qenë në Komunë.

    Ndryshe, këto grafite në këtë vend janë shfaqur para më shumë se një viti, ndërsa mbishkrime të ngjashme vërehen edhe nëpër lokacione të ndryshme në mbarë veriun, të cilat supozohet se janë shkruar pas tensioneve të shtuara mes Kosovës dhe Serbisë. /KP/