ATV

Category: Lajme

  • Petkoviq: M’u ndalua hyrja në Kosovë, s’më dhanë asnjë shpjegim

    Petkoviq: M’u ndalua hyrja në Kosovë, s’më dhanë asnjë shpjegim

    Drejtori i të ashtuquajturës zyrë për Kosovën në qeverinë serbe, Petar Petkoviq tha sot se Kosova, pa i dhënë asnjë shpjegim, ia ka ndaluarhyrjen në vend edhe pse vizita e tij tha se kishte “karakter fetar”. Ai tha se do të merrte pjesë në liturgjinë e mesnatës së Pashkëve në manastirin e Graçanicës.

    “Ka një vit, edhe pse jam negociatori kryesor me Prishtinën, nuk më lejojnë ta vizitoj territorin e Kosovës dhe në këtë mënyrë i shkelin të gjitha marrëveshjet”, tha Petkoviq në TV Pink, duke theksuar se vizitën e kishte paralajmëruar “me kohë”.

    Ai tha se deklaratat e kryeministrit të Kosovës Aljbin Kurti tregojnë se Kosova “nuk ka ndërmend ta formojë kurrë një asociacion të komunave serbe”.

    Ai tha se Kosova “nuk do të jetë kurrë shtet”, duke konfirmuar se Beogradi do të vazhdojë të përzihet në Kosovë.

    Ai përmendi edhe luftën e Serbisë për ta parandaluar anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës.

  • ​Qelaj për Kodin Civil: Të papranueshme deklarimet publike

    ​Qelaj për Kodin Civil: Të papranueshme deklarimet publike

    Avokati i Popullit, Naim Qelaj konsideron se është shqetësues diskursi publik lidhur me Kodin Civil. Sipas tij, deklaratat publike përmbajnë gjuhë të urrejtjes, janë të papranueshme dhe krijojnë polarizim të skajshëm. Kështu deklaron ai për KosovaPress, ku flet edhe për Ligjin për Zgjedhje dhe bojkotin e serbëve në veri të vendit për procesin e regjistrimit të popullsisë.

    Qelaj thotë se bojkoti i serbëve në regjistrimin e popullsisë është gabim.

    “Bojkoti që sa duket po ndodhë edhe pse nuk dua ta quaj të tillë, mos përfshirja e komunitetit serb në regjistrim, konsideroj që është një dëm i madh që i bëhet vet këtij komuniteti. Është një e drejtë e pa sanksionuar në legjislacionin tonë dhe si e tillë mund të shfrytëzohet apo mund të mos shfrytëzohet nga qytetarët. Por, që e konsideroj gabim sepse mosregjistrimi i qytetarëve të komunitetit serb do të sjell pasoja për vet ata dhe unë besoj që kjo është një qasje e gabuar në raport me interesin dhe me të drejtat që i kanë vet qytetarët e këtij gabimi”, deklaron ai.

    Qelaj flet edhe për Kodin Civil dhe pamundësinë që të sillet në kuvendit për miratim. Sipas tij, formulimi aktual në Kodin Civil për zgjidhjen juridike të procedurave për martesë të personave të gjinisë së njëjtë, nuk është i formuluar në përputhje me Kushtetutën.

    “Kodi Civil dhe formulimi aktual i zgjidhjes së problemit të martesave ose zgjidhjes juridike të procedurave të martesave të personave me seks dhe gjini të njëjtë, nuk është i formuluar në përputhje me Kushtetutën. Për arsye se ky ligj, ky Kod Civil e rregullon njëjtë si Kushtetuta. Kushtetuta thotë duhet të rregullohet me ligj. Kodi Civil thotë duhet të rregullohet me ligj. Pra, e len të pazgjidhur dhe jo në përputhje me qëndrimet dhe kërkesat që i ka Kushtetuta. Ne nuk kemi nevojë për të hartuar ligje dhe për të përshkruar Kushtetutën, por kemi nevojë me hartuar ligje që në përputhje me parimet me vlerat kushtetuese, Kushtetutën e bën të zbatueshme në praktikë”, tha ai.

    Ai e konsideron të papranueshme gjuhën e përdorur, ku thotë se krijon polarizim te skajshëm.

    “Unë problematikën që lidhet me Kodin Civil, sidomos me rregullimin e procedurave të martesave të personave me seks apo gjini të njëjtë, konsideroj si jashtëzakonisht shqetësuese dy aspekte. E para, diskursi i komunikimit dhe deklaratave publike që shpesh herë përmban gjuhë të urrejtjes, të papranueshme dhe gjuhë që krijon polarizim të skajshëm deri tek situata që mund të eskalojë edhe në situata të tilla që të pësojnë qytetarët që vijnë ose i përkasin LGBTI. Kjo gjuhë duhet të transformohet në gjuhë të argumentuar duke shprehur bindjet që ka secili qytetar që shfrytëzon të drejtën e lirisë së shprehjes, por pa cenuar jetën e të tjerëve që kanë të drejtë të kërkojnë edhe këtëdrejtë dhe të insistojnë në njohjen e të drejtave që i gëzon secili qytetar në Kosovë”, deklaron ai.

    Sa i përket Ligjit për Zgjedhje, të cilin e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese, Avokati i Popullit nuk i është përgjigjur deklarimeve të pushtetit aktual. Ai thotë se pas miratimit në Kuvendin e Kosovës, kanë kuptuar se si i tillë ka kaluar në procedura të shpejtuara dhe pa diskutim publik.

    “E mira e punës së Avokatit të Popullit është që kritikave nuk iu përgjigjet me kritika, nuk u jep as përgjigje ngase në punën tonë, ne jemi të pavarur edhe kjo pavarësi është e garantuar me mekanizma që i japin një peshë të veçantë institucionit të Avokatit të Popullit. Dhe mendoj që është një vlerë e jashtëzakonshme në shoqërinë tonë dhe në sistemin tonë kushtetues. Në çdo rast ku unë konstatoj që ka shkelje të të drejtave të njeriut, reagoj dhe këtë dua ta bind çdo qytetarë, secilën palë që kjo ndodhë gjithmonë në institucion, pavarësisht as faktit që i bie mirë dikujt apo jo”, u shpreh ai.

    Qelaj thotë se të vetmen zgjidhje ka pasur kërkim të interpretimit nga Kushtetuesja.

    “Kemi vërejtur që ka disa mangësi, por kryesorja për neve ka qenë mos marrja e masave për t’i ndryshuar përfshirjen e grave në listat zgjedhore tek subjektet politike, për çka Avokati i Popullit qysh në vitin 2019, ka pasur një padi në gjykatë. Ish-Avokati i Popullit ka dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, një padi me të cilën ka kërkuar që kuotat në listat e partive politike të jetë 50/50, ashtu siç e kërkon Ligji për Barazi Gjinore, si normë afirmative për të arritur një barazi dhe mos diskriminim të grave…Unë pres nga Gjykata Kushtetuese për të marrë një vendim për këtë çështje, nuk jam i prirur për të komentuar as për t’i para komentuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese por jam i prirur për t’i besuar Gjykatës Kushtetuese”, shton ai. /KP

  • Hoti për Aganin: Ndër kolosët e mendimit politik dhe filozofik të përpjekjeve për avancim të vetëdijes kombëtare

    Hoti për Aganin: Ndër kolosët e mendimit politik dhe filozofik të përpjekjeve për avancim të vetëdijes kombëtare

    Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti ka përkujtuar në 25-vjetorin e vrasjes së tij, akademikun, Fehmi Aganin.

    Hoti është shprehur se Agani do të mbetet ndër kolosët e mendimit politik dhe filozofik të Kosovës në shumë dekada të përpjekjeve për avancim të vetëdijes kombëtare.

    “Sot kujtojmë humanistin, filozofin e politikanin e papërsëritshëm, Akademik Fehmi Aganin, nënkryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës e bashkëpunëtorin e ngushtë të Presidentit Rugova”, ka shkruar ish-kryeministri në facebook.

    “Profesor Agani mbetet ndër kolosët e mendimit politik dhe filozofik të Kosovës në shumë dekada të përpjekjeve për avancim të vetëdijes kombëtare; për ngritje të institucioneve shtetërore, për vendosjen e institucioneve arsimore dhe shkencore të Kosovës në hartën evropiane të arsimit dhe shkencës; për ndërtimin e kulturës së pluralizmit politik në Kosovë; për politikbërjen e mençur dhe diplomacinë e lartë që mori vëmendjen e botës demokratike”.

    “I përjetshëm kujtimi për Akademik Fehmi Aganin!”.

  • 27-vjetori i rënies së Luan Haradinajt, mbahen homazhe në Gllogjan, Haradinaj: Aleanca me Amerikën, na ndihmoi ta fitojmë këtë luftë

    27-vjetori i rënies së Luan Haradinajt, mbahen homazhe në Gllogjan, Haradinaj: Aleanca me Amerikën, na ndihmoi ta fitojmë këtë luftë

    Në 27-vjetorin e rënies së heroit të kombit, Luan Haradinaj, janë mbajtur homazhe në kompleksin memorial në Gllogjan, raporton EO.

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se falë ndihmës dhe aleancës me Amerikën, Kosova e ka fituar luftën.

    “Ka ndodhur një mrekulli e madhe që është aleanca me Amerikën. Kjo aleancë me Amerikën, na ndihmoi ta fitojmë këtë luftë, na ndihmoi të bëhemi të pavarur dhe të bëjmë ushtrinë”, u shpreh ndër të tjera Haradinaj.

    Ai përmendi edhe ditëlindjen e nënës së tij, për të cilën tha se e festoi dje, pasi në ditën e saj të lindjes, ra Luan Haradinaj.

  • Ushtria izraelite bën thirrje për evakuimin e palestinezëve nga Rafahu lindor para një sulmi të planifikuar

    Ushtria izraelite bën thirrje për evakuimin e palestinezëve nga Rafahu lindor para një sulmi të planifikuar

    Ushtria izraelite urdhëroi të hënën dhjetëra mijëra njerëz në qytetin jugor të Gazës, Rafah, që të nisin evakuimin, duke sinjalizuar se një pushtim tokësor për të cilin është zotuar prej kohësh, mund të jetë i afërt.

    Njoftimi ndërlikoi përpjekjet e fundit ndërkombëtare, përfshirë drejtorin e CIA-s, për të ndërmjetësuar një armëpushim. Hamasi dhe Katari, një ndërmjetësues i rëndësishëm, kanë paralajmëruar se një pushtim i Rafahut mund të prishë bisedimet.

    Izraeli e ka përshkruar Rafahun si fortesën e fundit të rëndësishme të Hamasit pas shtatë muajsh lufte dhe udhëheqësit e tij kanë thënë vazhdimisht se duhet një pushtim tokësor për të mposhtur grupin militant islamik.

    Nënkoloneli Nadav Shoshani, një zëdhënës i ushtrisë, tha se rreth 100,000 njerëz janë urdhëruar të zhvendosen në një zonë humanitare të shpallur nga Izraeli aty pranë, të quajtur Muwasi. Ai tha se Izraeli po përgatiste një “operacion të kufizuar” dhe nuk tha nëse ky ishte fillimi i një pushtimi më të gjerë të qytetit. Tetorin e kaluar, Izraeli nuk njoftoi zyrtarisht nisjen e një pushtimi tokësor që vazhdon edhe sot e kësaj dite.

    Veprimi pasoi sulmin vdekjeprurës me raketa të një dite më parë nga militantët e Hamasit, që vrau tre ushtarë izraelitë.

    Zëdhënësi Shoshani tha se Izraeli publikoi një hartë të zonës së evakuimit dhe urdhrat po lëshoheshin përmes afisheve të hedhura nga qielli, mesazheve dhe transmetimeve radiofonike.

    Ai tha se Izraeli ka zgjeruar ndihmën humanitare në Muwasi, duke përfshirë spitalet në terren, tendat, ushqimin dhe ujin.

    Plani i Izraelit për të pushtuar Rafahun ka ngritur shqetësimin global për shkak të mundësisë për dëmtim të më shumë se një milion civilëve palestinezë të strehuar atje.

    Rreth 1.4 milionë palestinezë, më shumë se gjysma e popullsisë së Gazës, janë bllokuar në qytet dhe rrethinat e tij. Shumica u larguan nga shtëpitë e tyre diku tjetër në territor për t’i shpëtuar sulmit të Izraelit dhe tani përballen me një lëvizje tjetër tronditëse, ose rrezikun për t’u përballur me pasojat e një sulmi të ri. Ata jetojnë në kampe tendash, strehimore të tejmbushura të OKB-së ose apartamente të mbushura me njerëz dhe varen nga ndihma ndërkombëtare për ushqim, me sisteme sanitare dhe infrastrukturë të objekteve mjekësore të gjymtuara.

    Shtetet e Bashkuara, aleatja më e afërt e Izraelit, kanë kërkuar shmangien e e pushtimit, duke thënë se nuk ka një plan të besueshëm për të mbrojtur civilët.

    Por, edhe pse Shtetet e Bashkuara, Egjipti dhe Katari janë vënë në përpjekje për një marrëveshje armëpushimi, kryeministri Benjamin Netanyahu përsëriti javën e kaluar se ushtria do të hynte në qytet “me ose pa një marrëveshje” për të arritur qëllimin e saj për të shkatërruar grupin militant Hamas.

    Të dielën, ministri i Mbrojtjes Yoav Gallant pretendoi se Hamasi nuk ishte serioz në synimet për një marrëveshje dhe paralajmëroi “një operacion të fuqishëm në të ardhmen shumë të afërt në Rafah.” Komentet e tij pasuan sulmin e Hamasit në vendkalimin kryesore të Izraelit të dielën për ofrimin e ndihmës, që la pas vetes tre ushtarë të vrarë.

    Zëdhënësi Shoshani nuk tha nëse operacioni i ardhshëm në Rafah është një përgjigje ndaj sulmit të së dielës. Ai tha se incidenti nuk do të ketë asnjë efekt në sasinë e ndihmave shumë të nevojshme që hyjnë në Gaza, sepse vendkalimet tjera mbeten funksionale.

    Ai nuk deshi të komentojë megjithatë, mbi paralajmërimet e Shteteve të Bashkuara kundër sulmit në Rafah dhe nuk ishte i qartë nëse evakuimi ishte i bashkërenduar me Egjiptin.

    Egjipti, një partner strategjik i Izraelit, ka thënë se një pushtim ushtarak izraelit i kufirit Gaza-Egjipt, që supozohet të çmilitarizohet, ose çdo lëvizje për të shtyrë palestinezët në Egjipt, do të kërcënonte marrëveshjen e tij të paqes katër dekadash me Izraelin. /VOA

  • Abdixhiku kujton Fehmi Aganin në 25 vjetorin e vrasjes së tij: Mbetet ndër figurat më të mëdha kombëtare

    Abdixhiku kujton Fehmi Aganin në 25 vjetorin e vrasjes së tij: Mbetet ndër figurat më të mëdha kombëtare

    Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka kujtuar Fehmi Aganin në 25 vjetorin e vrasjes së tij. Abdixhiku ka thënë se Agani mbetet njëri ndër figurat më të mëdha kombëtare.

    “Politikani, sociologu, truri i lëvizjes për liri, pavarësi e demokraci, nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, dora e djathtë e Residentit Rugova, mbetet njëri ndër figurat më të mëdha kombëtare. Maturia, urtësia e thellësia e mendimeve të tij, janë shenja të secilit kujtim që sot kemi për të. Ai u vra 25 vite më parë, më 5 maj të vitit 1999. Vrasja e tij nga forcat ushtarake e policore serbe, ishte akt hakmarrjeje për triumfin tonë historik; Ishte vrasje e boshtit intelektual e ideologjik të vet Kosovës”, ka shkruar Agani në Facebook.

    Postimi i plotë i Abdixhikutr:

    Profesor Fehmi Agani ishte i urti i rrugëtimit të fuqishëm për liri e pavarësi.

    Politikani, sociologu, truri i lëvizjes për liri, pavarësi e demokraci, nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, dora e djathtë e Residentit Rugova, mbetet njëri ndër figurat më të mëdha kombëtare. Maturia, urtësia e thellësia e mendimeve të tij, janë shenja të secilit kujtim që sot kemi për të.

    Ai u vra 25 vite më parë, më 5 maj të vitit 1999. Vrasja e tij nga forcat ushtarake e policore serbe, ishte akt hakmarrjeje për triumfin tonë historik; Ishte vrasje e boshtit intelektual e ideologjik të vet Kosovës.

    Fehmi Agani u lind në Gjakovë në vitin 1932, ku dhe mbaroi shkollimin fillor. Shkollimin e mesëm e kreu në Prishtinë, ndërsa studimet për filozofi i mbaroi në Universitetin e Beogradit; ku dhe magjistroi në shkenca politike. Gradën doktor i shkencave të sociologjisë e mori në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës më 1973, në temën “Partitë dhe grupet politike në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore”. Gjatë viteve 50-ta e 60-ta, ai punoi si profesor i shkollave të mesme në Gjakovë dhe në Prishtinë, ndërsa më vonë ishte i anagzhuar si gazetar dhe redaktor i politikës së jashtme në gazetën “Rilindja”. Në vitet 60-ta nisi punën ligjërues i sociologjisë në Fakultetin Filozofik; për të përfunduar si dekan aty. Në vitin 1967, profesor Agani u zgjodh drejtor themelues i Institutit Albanologjik të Prishtinës. Fehmi Agani ishte themelues i Degës së Sociologjisë dhe të Filozofisë në Fakul­tetin Filozofik dhe i Institutit të Sociologjisë të këtij fakulteti. Ai ishte krye­redaktor i revistave Studia Humanistica dhe Thema. Në fund të vitit 1989, ai së bashku me intelektualë e patritotë të kohës, themeloi lëvizjen më të madhe politike të shqiptarëve të Kosovës – Lidhjen Demokratike të Kosovës. Pjesa tjetër është histori lavdie.

    Në këtë përvjetor prej çerek shekulli, së bashku me struktura nga mërgata, nderuam dhe kujtuam profesor Aganin mu te këndi i tij, tani pjesë e pandashme e shtëpisë së madhe të demokracisë!

  • IKSHPK: Në Kosovë s’është regjistruar asnjë efekt anësor serioz nga përdorimi i vaksinave Astra Zeneca

    IKSHPK: Në Kosovë s’është regjistruar asnjë efekt anësor serioz nga përdorimi i vaksinave Astra Zeneca

    Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) lidhur me deklarimet e fundit të kompanisë Astra Zeneca se vaksinat kundër Covid-19 mund të shkaktojë efekte anësore i ka njoftuar më parë por duke theksuar se benefitet nga përdorimi janë shumëfish më të larta krahasuar me rreziqet.

    IKSHPK thotë për “Front Online” se deri më tani në Kosovë nuk është është regjistruar asnjë efekt anësor serioz nga përdorimi i vaksinave të Astra Zeneca.

    “Në Kosovë, me qëllim të monitorimit të efekteve të padëshiruara (efekteve anësore) të vaksinave gjatë vaksinimit kundër COVID-19 është themeluar Komiteti për përcjelljen e efekteve të padëshiruara dhe se përkundër administrimit të rreth 1.9 milionë dozave të vaksinës kundër COVID-19 (shumica dërmuese të Pfizer/Biontech), nuk është regjistruar asnjë efekt anësor serioz nga përdorimi i këtyre vaksinave në Kosovë”, thuhet në përgjigjen e IKSHPK-së.

    Nga IKSHPK-ja njoftojnë se efektet e padëshiruara të vaksinave zakonisht manifestohen në periudha të afërta pas vaksinimit.

  • ZPS për dëshmitarin e 61-të: Ka qenë i arrestuar, do të identifikojë ushtarë të UÇK-së dhe persona me të cilët ka qenë i ndaluar

    ZPS për dëshmitarin e 61-të: Ka qenë i arrestuar, do të identifikojë ushtarë të UÇK-së dhe persona me të cilët ka qenë i ndaluar

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë ka filluar dëshminë dëshmitari i 61-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar i cili mban kodin 01978 në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

    Ky dëshmitar është me masa mbrojtëse dhe sipas përmbledhjes së lexuar nga përfaqësuesja e ZPS-së, ai është arrestuar dhe ndaluar nga ushtarët e UÇK-së dhe gjatë dëshmisë së tij do të flas për këtë çështje e po ashtu do të bëjë identifikimin e disa ushtarëve dhe të bashkëndaluarve.

    “Dëshmitari 01978 është arrestuar dhe ndaluar nga ushtarë të UÇK-së në ambiente ndalimi të UÇK gjatë disa javën. Dëshmitari 01978 do të jep dëshmi rreth kushteve ndalimit, punën që kanë bërë të ndaluarit si dhe procesin e marrjes në pyetje dhe rrahjes që ka pësuar ai. Dëshmitari do të identifikojë disa ushtarë të UÇK-së dhe disa të ndaluar të tjerë të mbajtur bashkë me atë”, tha përfaqësuesja e ZPS-së.

    Pas leximit të përmbledhjes dhe pranimit të disa provave duke përfshirë dëshmitë e dëshmitarit të dhëna më herët, prokurorja tha se nuk ka pyetje për dëshmitarin. Me pyetje vazhdoi mbrojtja e viktimave, Maria Radziejowska e cila kërkoi që të kalohet në seancë private e që kjo u aprovua nga trupi gjykues.

    Sipas trupit gjykues, dëshmia e këtij dëshmitari është planifikuar që të zgjasë rreth tri orë. Ai tha se 45 minuta janë paraparë për pyetjet e ZPS-së, 15 për mbrojtësin e viktimave dhe rreth dy orë për të gjithë avokatët mbrojtës.

    Përpara kësaj, trupi gjykues mori disa urdhra me gojë që kishin të bënin me prova materiale konkrete të dëshmitarëve që tashmë kanë dhënë dëshmi.

    Charles Smith III, po ashtu shprehu mirënjohje për palët në procedurë dhe punën që kanë bërë gjatë këtij procesi gjyqësor duke shtuar se mund të bëjnë punën e tyre edhe më mirë për një gjykim më të drejtë, efikas dhe më të shpejtë.

    Ai tha se Prokuroria e ka reduktuar numrin e dëshmitarëve nga 320 dhe brenda këtij muaji pritet që të japin një parashtrim për numrin e dëshmitarëve që planifikojnë të thërrasin.

    Po ashtu, ai tha se deri tani janë dëgjuar 60 dëshmitarë duke përfshirë edhe ata sipas rregullës 154, 13 dëshmitar sipas rregullës 153 dhe janë pranuar deklaratat e 32 dëshmitarëve që ose kanë vdekur ose nuk janë të disponueshëm për të dhënë dëshmi e që kjo parashihet me rregullën 155. Pra, kryetari i trupit gjykues tha se dëshmitarë të prokurorisë deri më tani kanë qenë 105 duke përfshirë të lartacituarit. Gjatë kësaj kohe, Smith III tha se janë marrë mbi 300 vendime nga trupi gjykues.

    Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

    Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

    Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

    Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020. /Betimi për Drejtësi

  • Policia e Kosovës, KFOR-i dhe EULEX-i të martën zhvillojnë ushtrime të përbashkëta

    Policia e Kosovës, KFOR-i dhe EULEX-i të martën zhvillojnë ushtrime të përbashkëta

    Policia e Kosovës, bashkë me mision e KFOR-it dhe atë të EULEX-it do të kryejnë ushtrimin e përbashkët “Golden Sabre 2024” që do të zhvillohet gjatë së martës në kampin e Vrellës.

    Ky ushtrim, njofton KFOR do të testojë mundësitë e funksionimit të përbashkët të menaxhimit të krizave në skenarë të ndryshëm.

    “Ky ushtrim i yni i përbashkët simbolizon angazhimin për paqe dhe stabilitet në Kosovë. Duke bashkuar forcat dhe kapacitetet, në demonstrojmë gatishmëri për të adresuar sfidat dhe përkushtimin tonë në ruajtjen e stabilitetin rajonal. Duam përfundim të suksesshëm të këtij ushtrimi dhe vazhdim të bashkëpunimit mes të gjithë të përfshirëve”, ka thënë Komandanti i KFOR-it, Ozkan Ulutash.

    “Në të do të përfshihet një numër i konsiderueshëm i personelit, makinave dhe aseteve operacionale gjithandej zonës, si përreth ashtu edhe në rrugët kryesore.

    “Golden Sabre 2024” është reflektim i bashkëpunimit tonë afatgjatë dhe angazhimit në mbështetje të sigurisë mbarë Kosovës, ka thënë Ulutash, për të mirën e të gjitha komuniteteve.

  • 9-vjeçarja do varroset nga familja e të atit, asnjë gjurmë nga nëna dhe 2 fëmijët

    9-vjeçarja do varroset nga familja e të atit, asnjë gjurmë nga nëna dhe 2 fëmijët

    Një ngjarje e rëndë tronditi Shkodrën dhe vendin fundjavën që shkoi. Një nënë dhe tre fëmijët e saj dyshohet se janë mbytur në lumin e Bunës, ndërkohë që trupi i një prej vajzave të saj, 9 vjeçe është gjetur deri tani.

    Euronews Albania raporton se ditën e sotme kanë rinisur kërkimet në brigjet e Bunës në kërkim të trupave të nënës dhe 2 fëmijëve që mendohet të jenë mbytur.

    “Është ende e paqartë sa i takon vendit ku janë hedhur, dyshimet janë se mund të jenë hedhur nga ura e Bunës por zona është shumë e populluar dhe do ta pikaseshin nga njerëzit apo turistët. Nga dëshmitë e marra 31-vjeçari Ergys Arrazi thotë se nuk ka pasur asnjë lloj dyshimi se mund të ndodhte kjo gjë, ndërsa të afërmit janë shprehur se nuk ka pasur dhunë mes çiftit dhe se ata jepnin përshtypjen e një çifti perfekt”, tha gazetari.

    Sot në orën 14.30 do të mbahet ceremonia mortore për 9-vjeçaren që u nxor nga lumi, ndërkohë që në letrën e ceremonisë mortore nuk përmendeshin familjarët e Alma Arrazit.

    Ceremonia mortore organizohet nga familja e babait, dhe nuk ka asnjë shenjë të familjes së nënës.