ATV

Category: Lajme

  • Për shkak të bindjeve të tij politike, një fermer nga Skenderaj pretendon se qeverisja lokale po e diskriminon

    Për shkak të bindjeve të tij politike, një fermer nga Skenderaj pretendon se qeverisja lokale po e diskriminon

    PËRGATITI: ARTON HAMITI 

    Që ta ketë më të lehtë punimin e tokës, Bahri Zabeli aplikoi për makinën e mbjelljes së grurit.

    Fermeri nga Rezalla e Skenderajt, ani pse ishte i bindur që do të ishte përfitues i grantit, para një jave kuptoi se komisioni nuk e përzgjodhi.

    Ai thotë se pavarësisht kritereve të plotësuara, Komuna e diskriminoi për shkak të bindjeve politike.

    “Komuna po më diskriminon për shkak të bindjeve politike. Komisioni nuk e vlerëson punën në terren, por puna e komisionit bëhet në zyre të partisë pra në zyre të PDK-së. Aty përzgjidhen njerëzit”, tha ai.

    Mbjellja e misrit dhe grurit gjatë vitit 2023 ishte njëri prej kritereve që përfituesit është dashur ta përmbushuni. Por, në dokumentet e siguruara nga ATV-ja, figuron se disa nga aplikuesit edhe pse nuk kanë pasur asnjë kulturë bujqësore të mbjellur gjatë vitit të kaluar, janë vlerësuar me nga 20 pikë nga komisioni i komunal.

    Përmes telefonit, drejtori për bujqësi e mohoi këtë gjë.

    “Jo në asnjë rrethanë… unë nuk e di as kush është fermeri por ne në vazhdimësi fermerët nuk i këqyrim fermerët cilës parti i takojnë por cilat kritere i plotësojnë. Problemi qëndron këtu… duhet me pas parasysh, ka apliku burri, por gruaja ka qene për subvencione. Veç këso raste se nuk ka asnjë familje qe nuk ka mbjellë”, u përgjigj, Behxhet Maliqi, drejtor për bujqësi, pylltari dhe zhvillmi rural në Skenderaj.

    Dokumentet që posedon televizioni, tregojnë së në mesin e 35 përfitueseve të mekanizmit bujqësor, ka edhe persona që janë në listën e zezë të Ministrisë së Bujqësisë.

    “Ta keni parasysh që Lista e Zezë për neve ka qenë vendim politik, vitin e kaluar krejt Skenderaj ishte futur qëllimisht në Listë të Zezë sepse vitin e kaluar u kanë problem me e mbjell misrin dhe një pjesë e fermerëve nuk e kanë përgatitjen e duhur për t’i shkruar ministrisë se nuk kanë arritur ta mbjellin një pjesë të misrit”, shtoi tutje Maliqi.

    Fermeri drenicas i cili ka rreth 30 krerë lopë, theksoi se asnjëherë nuk ka përfituar asnjë ndihmë nga qeverisja lokale. Tashmë, ai i është drejtuar edhe policisë, për siç tha keqpërdorimet me grante bujqësore të bëra nga Komuna e Skenderajt./atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

    https://www.youtube.com/watch?v=10IZUBj4GmQ

  • PDK-ja konfirmon pjesëmarrjen në takim me Kurtin, LDK-ja e refuzon

    PDK-ja konfirmon pjesëmarrjen në takim me Kurtin, LDK-ja e refuzon

    PËRGATITI: ARTON HAMITI

    Tri partitë opozitare kanë konfirmuar se kryeministri Albin Kurti i ka ftuar në një darkë pune për të hënën e 13 majit.

    Qëllimi i takimit u tha se do të jetë koordinimi me opozitën për agjendën e Kuvendit për sesionin pranveror.

    Pjesëmarrjen në takimin që është planifikuar të fillojë në orën 18:30, e ka konfirmuar Memli Krasniqi, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës.

    Por vendim ndryshe mori kryetari i Lidhjes Demokratike. Lumir Abdixhiku e refuzoi takimin e thirrur nga kryeministri Albin Kurti, duke e cilësuar si ftesë të vonuar.

    Kurse, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, gjatë ditës konfirmoi se ky subjekt po e shqyrton pjesëmarrjen ose jo në takim.

    Sigurimi i votave për ta votuar Kodin Civil, vlerësohet se mund të jetë njëra nga arsyet që kryeministri Kurti vendosi t’i takoj kundërshtarët politikë.

    “Mendoj që është  një ftesë e pasinqertë por shpresoj se partitë opozitare do t’i përgjigjen pozitivisht. Natyrisht se do te ketë tema të tjera që do të fliten por edhe sigurimi i votave për kalimin e Kodit Civil do të jetë përpjekje e pashmangshme e Kurtit.”, tha Fidan Ukaj, politolog.

    Teksa Projektligjin për Kodin Civil dhe ai për shëndet riprodhues kanë mbetur pa u votuar që nga viti i kaluar, prej muajsh Kuvendi ka dështuar që t’i ratifikojë edhe disa marrëveshje ndërkombëtare, vlera e të cilave aktualisht është mbi 300 milionë euro.

    Sipas një raporti të Institutit të Kosovës për Drejtësi, vetëm 34% e Agjendës Legjislative për vitin 2023 është përmbushur.

    Sidoqoftë, tema për të cilën kryeministri Albin Kurti i ka ftuar krerët opozitarë në takim, për njohësin e çështjeve politike, Artan Muhaxhirin kjo është e pakuptimtë.

    “Kosova ka probleme të shumta të natyrave të tjera. Duke e pasur si çështje të hapur anëtarësimin në Këshillin e Evropës, presionin e për formimin e Asociacionit dhe dialogun, të ftohet opozita për të folur për agjendë legjislative është ftesë jo e sinqertë e çuditshme dhe e pakuptimtë, por natyrisht qe në ketë takim do të flitet edhe për çështjen e zgjedhjeve sepse duket se do të jenë të pashmangshme.”, deklaroi Muhaxhiri.

    Në darkën e përbashkët të së hënës, siç është cilësuar nga ekzekutivi, përveç krerëve opozitarë janë ftuar edhe shefat e grupeve parlamentare të tri partive. /atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • Policia: Ligji i ri për trafikun ka bërë që numri i aksidenteve të bie

    Policia: Ligji i ri për trafikun ka bërë që numri i aksidenteve të bie

    PËRGATITI: ARIAN HAJDARAJ   

    Që nga ashpërsimi i gjobave me ligjin e ri për Rregullat e Trafikut Rrugor, disa vozitës kanë shtuar vëmendjen në zbatimin e rregullave të komunikacionit.

    Por, të dhënat zyrtare tregojnë se vozitësit tani po bëjnë më pak shkelje të rregullave në komunikacion.

    Sipas drejtorit të Policisë, gjatë muajit të parë pas hyrjes në fuqi të ligjit, është ulur ndjeshëm numri i aksidenteve.

    Ekspertë të komunikacionit vlerësojnë se në uljen e numrit të aksidenteve, kanë ndikuar edhe faktorë tjerë.

    Ligji i ri për Rregullat e Trafikut Rrugor i cili në krahasim me të vjetrin, parasheh gjobat më të ashpra posaçërisht për ata që tejkalojnë shpejtësinë e lejuar, nuk respektojnë semaforin apo nuk vendosin rripin e sigurisë, ka hyrë në fuqi më 3 prill./atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • Ftesa e Kurtit për opozitën, Memli Krasniqi konfirmon pjesëmarrjen

    Ftesa e Kurtit për opozitën, Memli Krasniqi konfirmon pjesëmarrjen

    Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ka pranuar ftesën e kryeministrit Albin Kurti, për të diskutuar rreth përmbushjes së agjendës legjislative për sezonin pranveror. Në këtë takim do të marrë pjesë, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, mëson Ekonomia Online.

    Zëdhënësi i PDK-së, Faton Abdullahu, ka thënë për Ekonomia Online se në këtë takim pjesëmarrja e kryetarit Krasniqi në këtë takim do të jenë në funksion të diskutimit për mundësinë e caktimit të datës për zgjedhje të reja.

    “Partia Demokratike e Kosovës ka pranuar ftesën e Kryeministrit Albin Kurti për një takim pune, për të hënën dhe mund ta konfirmoj që Kryetari Memli Krasniqi do të marrë pjesë në këtë takim. Qëndrimi ynë si PDK është i qartë dhe konsistent – Kosova është në krizë në çdo fushë dhe rrugëdalje e vetme janë zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të cilat duhet të mbahen sa më parë. Prandaj edhe pjesëmarrja e Kryetarit Krasniqi në këtë takim do të jenë në funksion të diskutimit për mundësinë e caktimit të datës për zgjedhje të reja”, ka thënë Abdullahu për EO.

  • Izraeli përsëri urdhëron palestinezët të evakuohen nga Rafahu

    Izraeli përsëri urdhëron palestinezët të evakuohen nga Rafahu

    Izraeli i ka urdhëruar të shtunën palestinezët në disa pjesë të tjera të qytetit jugor Rafah në Rripin e Gazës, të evakuohen dhe të shkojnë në, siç i quan, zonat e zgjeruara humanitare në Al-Mawasi.

    Ky është një tjetër tregues se ushtria izraelite e ka ndër mend ta zbatojë planin për pushtimin e plotë të Rafahut.

    Në një postim në rrjetet sociale, një zëdhënës i ushtrisë izraelite u bëri thirrje banorëve dhe të zhvendosurve në zonën Xhabalia dhe në 11 lagje të tjera në enklavë, të shkojnë menjëherë në perëndim të Gaza City për t’u strehuar.

    Ministria e Shëndetësisë e Gazës tha të shtunën se së paku 37 palestinezë, 24 prej të cilëve nga zonat e Gazës qendrore, u vranë gjatë sulmeve të natës nëpër enklavë, përfshirë në Rafah.

    Ushtria izraelite tha se avionët e vet luftarakë goditën dhjetëra caqe nëpër Rripin e Gazës gjatë ditës së fundit.

    Në Rafah, banorët thanë për Reuters se urdhrat e rinj për evakuim nga ushtria izraelite vlejnë për zonat në qendër të qytetit dhe se nuk ka dyshim se Izraeli synon ta kryejë ofensivën e planifikuar në këtë qytet.

    “Gjendja është shumë e rëndë, njerëzit po ikin nga shtëpitë e tyre në panik”, tha Khaled, një banor 35-vjeçar i lagjes Shaboura, banorët e së cilës janë urdhëruar të largohen.

    Me gjithë trysninë e madhe nga SHBA-ja dhe aleatët, Izraeli ka thënë se do ta pushtojë Rafahun, ku mbi 1 milion palestinezë të zhvendosur kanë kërkuar strehim gjatë luftës tashmë shtatëmujore.

    Izraeli thotë se nuk mund ta fitojë luftën pa e çrrënjosur Hamasin – grupin e shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – luftëtarët e të cilit beson se janë vendosur në Rafah.

    Rreth 300.000 palestinezë janë zhvendosur deri tani në qytezën Al-Mawasi, e cila ndodhet në bregdetin lindor të enklavës, sipas ushtrisë izraelite.

    Presidenti amerikan, Joe Biden, tha të mërkurën se Shtetet e Bashkuara nuk do t’i japin Izraelit armë për të kryer ofensivë në Rafah.

    Por, një ditë më vonë të enjten, kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se kërcënimi i Shteteve të Bashkuara për ta pezulluar furnizimin me disa armë, nuk do ta parandalojë Izraelin nga vazhdimi i luftës së tij në Rripin e Gazës, duke lënë të kuptohet se ai mund ta pushtojë qytetin e mbipopulluar Rafah.

    Netanyahu tha se “nëse na duhet qëndrojmë të vetëm, do të qëndrojmë të vetëm. Nëse detyrohemi, ne do të luftojmë me thonjtë e gishtërinjve tanë. Por, ne kemi shumë më shumë se vetëm thonj”.

    Lufta mes Izraelit dhe Hamasit në Gazë ka nisur shtatë muaj më parë, kur pjesëtarët e këtij grupi kryen sulme befasuese në tokën izraelite, duke vrarë mbi 1.200 njerëz.

    Në luftën hakmarrëse të Izraelit në Gazë janë vrarë afro 35.000 palestinezë prej atëherë, sipas autoriteteve shëndetësore në enklavë./REL/

  • Qindra të vdekur nga vërshimet në Afganistan

    Qindra të vdekur nga vërshimet në Afganistan

    Qindra njerëz kanë vdekur dhe një numër i madh i tyre janë lënduar si pasojë e vërshimeve të shkaktuara nga reshjet sezonale, tha një zyrtar taliban të shtunën, pa dhënë shifrat të sakta.

    Pjesa veriore e vendit pësoi përmbytjet më të mëdha. Provinca Baghlan ishte më e goditura të premten, me zyrtarët që raportuan fillimisht se së paku 50 njerëz humbën jetën dhe se shumë prona u shkatërruan në qarqe të shumta.

    Në provincën e afërt, Takhar, mediat shtetërore raportuan se të paktën 20 njerëz u mbytën si pasojë e vërshimeve.

    Zabihullah Mujahid, zëdhënësi i qeverisë talibane, shkroi në rrjetin social X të shtunën se “qindra njerëz vdiqën nga këto vërshime katastrofike, dersia një numër i madh njerëzish kanë pësuar lëndime”.

    Mujahid nënvizoi se provincat Badakhshan, Baghlan, Ghor dhe Herat, kanë pësuar më së rëndi nga vërshimet.

    Ai shtoi se “shkatërrimi i madh” ka rezultuar në “humbje të jashtëzakonshme financiare”.

    Sipas tij, Qeveria ka urdhëruar grumbullimin e të gjitha resurseve për shpëtimin e njerëzve, transportimin e të lënduarve dhe nxjerrjen e trupave të viktimave.

    Më herët, zyrtarët kishin thënë se në prill, para vërshimeve të së premtes, së paku 70 njerëz kishin vdekur nga reshjet e mëdha të shiut dhe përmbytjet në vend.

    Rreth 2.000 shtëpi, tre xhami, dhe katër shkolla u dëmtuan, gjithashtu./REL/

  • Haziri flet për ftesën e Kurtit për opozitën: Kjo Qeveri nuk e fton në takim për asgjë opozitën

    Haziri flet për ftesën e Kurtit për opozitën: Kjo Qeveri nuk e fton në takim për asgjë opozitën

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka ftuar në një darkë punë liderët e tri partive parlamentare opozitare (LDK, PDK dhe AAK) për të diskutuar rreth përmbushjes së agjendës legjislative për sezonin pranveror.

    Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri ka folur rreth kësaj ftese.

    Haziri ka thënë se nuk është në dijeni nëse LDK do të merr pjesë ose jo, dhe se për të Kurti asnjëherë nuk e ka ftuar opozitën për një çështje të tillë.

    ‘’Nuk kam njohuri. Nuk është në metodën e tij, asnjëherë nuk ka ftuar në takim për asnjë çështje, përjashtuar dy takime për formatin e dialogut’’ deklaron ai.

    Nënkryetari Haziri, shton se Qeveria nuk e fton për asgjë opozitën dhe se nuk është në dijeni nëse ka diçka tjetër ose jo, duke shtuar se edhe presidentja Vjosa Osmani ka bërë ftesa për raste të veçanta.

    ‘’Edhe presidentja po ashtu në raste të veçanta. Pra Qeveria dhe këta bartës nuk ftojnë opozitën për asgjë, nuk e di a ka diçka tillë apo jo. Tani për tani nuk mund të paragjykoj për temat që do të diskutohen’’ thotë Haziri.

    Në letrën të cilën Kurti i’a ka dërguar kreut të LDK-së të premten (10 maj), Lumir Abdixhiku, bëhet e ditur se takimi është paraparë të mbahet të hënën më 13 maj në orën 18:30 në një nga hotelet e kryeqytetit.

    Hera e fundit kur Kurti kishte ftuar në takim opozitën ishte në nëntor të vitit 2022, ku ishte thirrur për të diskutuar rreth situatës në Veri të Kosovës.

  • Vizita e O’Brien në Mal të Zi, ku janë të ftuar edhe Kurti e Vuçiqi: DASh-i del me njoftim

    Vizita e O’Brien në Mal të Zi, ku janë të ftuar edhe Kurti e Vuçiqi: DASh-i del me njoftim

    Ndihmës Sekretari amerikan në Byronë për Çështje të Evropës dhe Euroazinë, James O’Brien pritet që javën tjetër të udhëtojë për në Mal të Zi.

    Siç është konfirmuar nga Departamenti i Shtetit, ai pritet të marrë pjesë në Samitin e Udhëheqësve Rajonal, që do të mbahet në Kotor.

    “Angazhimet e tij në samit do të fokusohen në integrimin ekonomik rajonal dhe mundësinë e rritjes të ofruar nga Plani i Rritjes së Ballkanit Perëndimor të BE-së, si dhe do të përforcojnë mbështetjen e fortë të Shteteve të Bashkuara për rrugën e Ballkanit Perëndimor drejt anëtarësimit në BE. Ndihmës Sekretari O’Brien do të takohet gjithashtu me zyrtarë të lartë të qeverisë malazeze për të diskutuar bashkëpunimin tonë dypalësh në mbështetje të integrimit të plotë euroatlantik të Malit të Zi”, thuhet tutje në komunikatë.

    Ndryshe, siç u raportua të premten në mediat vendore, të ftuar janë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq.

    Të pranishëm, pritet të jetë edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, Komisioni evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varheley si dhe Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien.

    Veç Kurtit, pjesëmarrës nga Kosova do të jenë edhe zëvendëskryeministri për dialog, Besnik Bislimi si dhe kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna.

  • Osmani takon Kongresmenin republikan Keith Self: Një zë i fuqishëm i mbrojtjes së aleancës mes Kosovës e ShBA-ve

    Osmani takon Kongresmenin republikan Keith Self: Një zë i fuqishëm i mbrojtjes së aleancës mes Kosovës e ShBA-ve

    Presidentja Vjosa Osmani është takuar me Kongresmenin republikan Keith Self, gjatë vizitës që po zhvillon në Teksas.

    Osmani ka thënë se Self është një zë i fuqishëm i mbrojtjes së aleancës mes Kosovës e SHBA-ve, si dhe mbështetës i vazhdueshëm i komunitetit shqiptaro-amerikan.

    “Gjatë vizitës në Teksas, pata kënaqësinë ta takoj edhe Kongresmenin republikan Keith Self, një zë i fuqishëm i mbrojtjes së aleancës mes Kosovës e SHBA-ve, si dhe mbështetës i vazhdueshëm i komunitetit shqiptaro-amerikan. 🇽🇰🇺🇸”, ka shkruar Osmani.

  • Dyshimet për shkelje, IPK-ja thotë se do ta hetojë dhe inspektojë konkursin e gradimit për rreshter në Polici

    Dyshimet për shkelje, IPK-ja thotë se do ta hetojë dhe inspektojë konkursin e gradimit për rreshter në Polici

    Inspektorati Policor i Kosovës ka njoftuar se do të hetojë dhe inspektojë konkursin e graditimit për rreshter në Policinë e Kosovës, pas dyshimeve për shkelje të ndryshme në këtë proces.

    Testi me shkrim për këtë konkurs është mbajtur më 4 maj.

    “Hetuesit e IPK-së fillimisht kanë analizuar dhe verifikuar informacionet fillestare për parregullsi në proces. Gjithashtu Kryeshefi i IPK-së Kushtrim Hodaj ka marrë vendim për krijimin e një ekipe të përbashkët inspektuese-hetuese për të hetuar dhe inspektuar tërë procesin e gradimit nga momenti i shpalljes deri në fazën aktuale”, thuhet në njoftim.

    IPK-ja thotë se varësisht nga të gjeturat do të ndërmerr veprimet e nevojshme bazuar në kompetencat dhe autorizimet ligjore.