ATV

Category: Lajme

  • Ahmeti: Sanksionet e BE-së dhe ShBA-së ndaj Kosovës duhet të jenë alarm për Qeverinë

    Ahmeti: Sanksionet e BE-së dhe ShBA-së ndaj Kosovës duhet të jenë alarm për Qeverinë

    Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti, në një prononcim për Ekonomia Online, ka thënë se klasa politike e Kosovës, e ne veçanti qeveria e saj duhet të jenë në alarm nga vendosja e sanksioneve, tash e një vit ndaj Kosovës, nga Bashkimi Evropian (BE) dhe Shtete e Bashkuara të Amerikës (ShBA).

    Ai ka thënë se nuk ndjehet mirë kur lexon në media ndërkombëtare për ndëshkimin që BE-ja dhe ShBA-ja i kanë bërë Kosovës, me këtë rast edhe ka bërë thirrje që qeveria të bashkëpunoj me aleatet e saj.

    Ai ka thënë se ShBA-ja se bashku me aleatët e saj në NATO ishin ata që e ndihmuan çlirimin e Kosovës nga Serbia.

    “Nuk ndjehem mirë kur shohë nëpër media ndërkombëtaret por edhe në mediat kombëtare, që Amerika ka vendosur sanksione ndaj Kosovës, se Evropa ka vendosur sanksione ndaj Kosovës. Unë mendoj që të gjithë klasën politike në Kosovë, në veçanti qeverinë e Kosovës duhet ta vënë në alarm sepse të gjithë këta aleat, ShBA me aletet e vetë në NATO ishin ata që na ndihmuan në çlirimin e Kosovës. Lirinë e paguam me gjake, por çlirimin e bëmë më aleatët. Kështu që këto lajme që unë i lexoj nuk janë të mira për Kosovën, nuk i bëjmë mirë shëndetit të Kosovës”, ka thënë ai.

    Ahmeti ka thënë se Kosova ka një proces tepër të rëndësishëm përpara  për anëtarësimin në BE, NATO e organizata të ndryshme, dhe sipas tij, për të pasur sukses në këtë rrugëtim Kosovës i duhen miqtë ndërkombëtar.

    “Kosova ka një proces përpara tepër të rëndësishëm që duhet ti përmbyll çështja që akoma janë të hapura. Duhet bërë demarkacioni me Serbinë, Kosova duhet të vazhdoj drejt anëtarësimit të vetë në institucione ndërkombëtare si në NATO, si në BE, si në OSBE e kështu me radhë, me dhjetëra e dhjetëra institucione ndërkombëtare. Kështu që për tu bërë ky proces i suksesshëm Kosovës i duhen miqtë, i duhet Washington, i duhet Brukseli, i duhet Berlini, i duhet Londra, Parisi, Vjena të gjithë i duhen për ta përmbyllur me sukses të gjithë procesin e shtetit të kompletuar”, ka thënë ai për EO.

  • Gjendet pa shenja jete një shtetase serbe në Ferizaj, policia nis hetimet

    Gjendet pa shenja jete një shtetase serbe në Ferizaj, policia nis hetimet

    Policia e Kosovës ka bërë të ditur se një grua shtetase e Serbisë është gjetur pa shenja jete.

    Rasti ka ndodhur në Ferizaj, në mbrëmjen e së premtes.

    Siç njofton policia, me vendim të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore, për obduksion.

  • MAShTI publikon datat kur do të mbahet testi i arritshmërisë

    MAShTI publikon datat kur do të mbahet testi i arritshmërisë

    Ministria e Arsimit, Shkencës,Teknologjisë dhe Inovacinit ka marrë vendimin për datat kur do të mbahet testi i arritshmërisë në këtë vit.

    Testimi, sipas vendimit,  do të jetë i ndarë në dy faza, ku pjesa e parë përmban pyetjet nga lëndët shoqërore, ndërsa pjesa e dytë ka pyetje për lëndët shkencore.

    Më 26 qershor do të mbahet pjesa e parë e testimit e cila përmban njohuri nga gjuha amtare, gjuha angleze, historia dhe gjeografia.

    Ndërkaq, më 28 qeshor do të mbahet testimi i njohurive për lëndën e matematikës, informatikës, kimisë, fizikës dhe biologjisë.

    Kjo mënyrë e organizimit të testimit ishte praktikuar edhe vitin e kaluar, me ç ‘rast nxënësit u testuan në dy data të ndryshme për lëndë të ndryshme.

  • Sindikata e Policisë së Kosovës distancohet nga kryetari i suspenduar

    Sindikata e Policisë së Kosovës distancohet nga kryetari i suspenduar

    Me rekomandimin e Inspektoratit Policor të Kosovës është suspenduar kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës (SPK), Imer Zeqiri, pasi dyshohet se ka kryer veprën penale “fotografim dhe incizime të tjera të paautorizuara”, pasi dyshohet se pa autorizim ka incizuar bisedat e nënkryetarëve të sindikatës.

    Për suspendimin e tij reagoi edhe sindikata, ku në njoftim thuhet se Këshilli Drejtues i SPK-së kanë bërë të ditur se distancohen nga çdo veprim kundërligjor, të kujtdo qofshin.

    “Sot me datë 10.05.2024, Këshilli Drejtues i Sindikatës së Policisë se Kosovës me shqetësim ka ndjekur zhvillimet rreth përfshirjes se njërit nga anëtarët e Kryesisë Ekzekutive të SPK-së, respektivisht kryetarit te SPK-së në veprime të kundërligjshme, ku me rekomandim të IPK-së edhe është suspenduar kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës zt. Imer Zeqiri, nën dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale Fotografim dhe incizime tjerat te paautorizuara nga neni 202 i KPRK-së.

    Këshilli Drejtues i SPK-së distancohet nga veprimet kundërligjore të kujtdo qofshin ato, duke premtuar angazhim të plotë dhe të vazhdueshëm në përmirësimin e kushteve te punës dhe ngritjen e mirëqenies se punonjësve të PK-së. Ditëve në vijim KD i SPK – së do të dalë me njoftim shtesë rreth zhvillimeve të fundit ne SPK”, thuhet në njoftim.

  • Moti për sot

    Moti për sot

    Për të shtunën parashikohet të mbajë mot me diell dhe vranësira.

    Sipas Meteo Kosova, era do fryjë nga drejtimi i verilindjes me shpejtësi prej 13-38 km/h.

    Temperaturat do të shënojnë ngritje, me minimale që do të lëvizin prej 6 deri në 9°C, ndërsa ato maksimale prej 19 deri në 22°C.

  • Ukraina thotë se zmbrapsi përpjekjen e Rusisë për përparim në Harkiv

    Ukraina thotë se zmbrapsi përpjekjen e Rusisë për përparim në Harkiv

    Trupat ruse kanë tentuar të hapin një front të ri duke thyer vijat ukrainase të frontit në rajonin e Harkivit, një veprim që Kievi tha se e ka zmbrapsur, pavarësisht se luftimet po vazhdojnë.

    Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, gjatë një konference për media tha se sulmi rus mëngjesin e 10 majit dështoi që të zinte në befasi trupat ukrainase.

    “Ukraina i priti me trupa: brigada dhe artileri”, tha Zelenksy, duke paralajmëruar se Moska mund të dërgojë më shumë trupa për të mbështetur përpjekjet e saj për të bërë përparim.

    Sipas burimeve, Rusia po synon që të krijojë një “zonë neutrale” për të parandaluar forcat ukrainase që të granatojnë territorin rus.

    Rajoni verilindor ukrainas i Harkivit gjendet në kufi me Rusinë, dhe në periferi gjendet dhe kryeqyteti rajonal me po të njëjtin emër. Ky qytet ndodhet 25 kilometra nga vijat e frontit.

    Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës raportoi se trupat ruse kanë sulmuar për orë të tëra, pasi paraprakisht kishin kryer sulme me artileri.

    “Pasi ra terri, pushtuesit rusë intensifikuan presionin ndaj vijave tona të frontit. Rreth orës 05:00, armiku tentoi të thyente vijat tona të mbrojtjes”, tha Ministria.

    Njësitë e rezervistëve janë dislokuar për të forcuar vijat e mbrojtjes dhe forcat ukrainase po vazhdojnë t’i bëjnë ballë ofensivës së armikut, tha Ministria, duke shtuar se luftimet ende po vazhdojnë.

    Më herët, Oleh Synyehubov, guvernator i rajonit të Harkivit raportoi se qytet Vovçansk, që gjendet 70 kilometra në verilindje të Harkivit dhe vetëm 4 kilometra nga kufiri rus, ishte nën sulm nga granatimet ruse.

    Me një popullsi prej 1.4 milion banorësh – sipas të dhënave të popullsisë para se të niste lufta – Harkivi është qyteti i dytë më i madh i Ukrainës dhe një prej qyteteve në të rëndësishme ekonomike dhe industriale. Ai ishte ndër qytetet e para që u përball me sulmet ruse, pasi Moska nisi pushtimin e Ukrainës në shkurt të vitit 2022.

    Kundërofensiva e suksesshme ukrainase në shtatorin e vitit 2022 çoi në çlirimin e pothuajse të gjithë rajonit të Harkivit.

    Por, muajve të fundit, Rusia ka intensifikuar sulmet me dronë dhe raketa në këtë rajon dhe kryeqytetin e tij, përderisa forcat ukrainase po përballen me mungesë të municioneve dhe sistemeve të mbrojtjes ajrore./REL/

  • Qytetari nga Ferizaj gjen para në rrugë dhe i dorëzon në polici

    Qytetari nga Ferizaj gjen para në rrugë dhe i dorëzon në polici

    Një qytetar nga Ferizaj ka dorëzuar në polici një shumë të hollash pasi i kishte gjetur në rrugë.

    Për këtë ka njoftuar Policia e Kosovës, e cila i ka bërë thirrje pronarit që të paraqitet për t’i marrë.

    “Me datën 08.05.2024 rreth orës 17:10 qytetari nga Ferizaj z. D.Sahiti , i moshës 32 vjeçar,  në rrugën ‘’Reçaku ‘’ afër një barnatore në Ferizaj ka gjetur një shumë të caktuar të parave dhe menjëherë ka njoftuar policinë dhe ato i ka dorëzuar në stacionin e policisë në Ferizaj. Lusim pronarin e vërtetë të parave të paraqitet në stacionin e policisë në Ferizaj dhe pas verifikimit t’i kthehen ato”, njoftoi Policia.

     

  • Serwer thotë se Escobari e Lajçaku dështuan në normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi

    Serwer thotë se Escobari e Lajçaku dështuan në normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi

    Njohësi i zhvillimeve në rajonin e Ballkanit, Daniel Serwer ka thënë se i dërguari i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe emisari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak kanë dështuar ta bëjnë normalizimin politik në mes të Kosovës dhe Serbisë.

    Në platformën “Peacefare”, profesori amerikan ka thënë se Escobari dhe Lajçaku filluan keq e përfunduan edhe më keq.

    “Escobar dhe Lajçak nisën keq dhe përfunduan më keq. Ata i premtuan Beogradit se do të kenë prioritet krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe brenda Kosovës. Ata përfunduan pa përparim të rëndësishëm në atë prioritet të gabuar”, ka deklaruar Serwer.

    Sipas Serwerit, normalizimi politik në mes të dy vendeve tani për tani është një urë shumë e largët.

    “Është e qartë se politika perëndimore ndaj Serbisë nuk po funksionon. Washingtoni dhe Brukseli nuk po bëjnë shumë më mirë me Kosovën. Kosova ka refuzuar të lëvizë drejt Asociacionit, megjithë “pasojat” e kushtueshme evropiane dhe qortimet e ashpra amerikane. Vetëm nëse Beogradi zbaton dispozitat e tjera të marrëveshjes së Brukselit të vitit 2013, Prishtina do të përgjigjet në natyrë. Vuçiq nuk është në gjendje ta bëjë këtë”, ka theksuar Serwer.

    Lajçaku pritet të vazhdojë si ambasador i Bashkimit Evropian në Zvicër, ndërsa Departamenti Amerikan i Shtetit ka njoftuar Escobari për pak javë do të marrë detyrë të re.

  • Stërviten nënoficerët e këmbësorisë me taktika ushtarake e qitje, për ngritje të aftësive luftarake

    Stërviten nënoficerët e këmbësorisë me taktika ushtarake e qitje, për ngritje të aftësive luftarake

    Ministria e Mbrojtjes e Kosovës, ka njoftuar se në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes ka përfunduar “kursi bazë për nënoficerë të këmbësorisë”.

    “Në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes u realizua “Kursi bazë për nënoficerë të Këmbësorisë”, thuhet në njoftim.

    Sipas njoftimit, pjesëtarët u stërvitën dhe testuan në taktika ushtarake, qitje, përgatitje fizike në terrene të hapura dhe terrene urbane me qëllim të ngritjes së aftësive luftarake për realizimin e operacioneve në nivel ekipi dhe skuadre.

  • Grenelli thotë se Specialja pamundësoi “marrëveshjen finale” Kosovë-Serbi

    Grenelli thotë se Specialja pamundësoi “marrëveshjen finale” Kosovë-Serbi

    Ish-emisari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ka thënë se ish-kryeprokurori i Gjykatës Speciale në Hagë, Jack Smith, intervenoi në momentin kur Kosova dhe Serbia ishin në prag të arritjes së marrëveshjes finale.

    Grenell ka thënë se aktakuza ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi nga Dhomat e Specializuara u parapri nga negociatat për arritjen e “marrëveshjes finale që përfshinte edhe zhbërjen e Gjykatës Speciale”.

    “Një grup prokurorësh nuk mundën të gjenin prova kundër Thaçit dhe ish-prokurori tha se nuk kishte asgjë në të e mbylli dosjen dhe iku. Haga vazhdoi të shpenzonte dollarët amerikanë dhe Jack Smith shpenzoi vite duke hetuar krime lufte”, ka thënë Grenell për Smithin në një intervistë me Donald Trump Jr.

    Ai ka theksuar se aktakuza kundër Thaçit erdhi në qershor 2020, vetëm pas njoftimit se Thaçi e presidenti serb po shkonin në Shtëpinë e Bardhë.

    “Duhej ta negocionim dhe ta arrinim një marrëveshje historike mes të dyja palëve. I thash Departamentit të Drejtësisë se ata kishin rënë dakord ta zhbënin tribunalin në Hagë me marrëveshjen finale mes Kosovës dhe Serbisë. I thash se ata u pajtuan ta mbyllnin gjykatën në Hagë që drejtohej nga Jack Smithi”, ka përsëritur Grenell.

    Më pas Grenelli ka treguar se nga Departamenti i ishte thënë se këtë duhet ta dinte edhe vetë prokurori special Smith.

    “Dy ditë më vonë dëgjova se Smith kishte thënë, ‘Nuk mund ta bëni’. Tri a katër javë më vonë, Jack Smith njoftoi për aktakuzën ndaj Thaçit. Para se të vinte në Shtëpinë e Bardhë, Thaçi u dërgua në Hagë dhe ende është në burg”, ka thënë Grenell.

    Jack Smith tani është rikthyer në SHBA për ta hetuar ish-presidentin amerikan, Donald Trump.