ATV

Category: Lajme

  • Mbi 400 mijë qytetarë të regjistruar nga diaspora

    Mbi 400 mijë qytetarë të regjistruar nga diaspora

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Në javën e gjashtë të regjistrimit të popullsisë, mbi 400 mijë banorë janë regjistruar nga diaspora, përmes platformës online, E-diaspora.

    Por, nga organizata që lobojnë për diasporën, thonë se kjo shifër do të ishte edhe më e lartë, nëse Ministria e Diasporës dhe Agjencia e Statistikave do të angazhoheshin në fushata informuese.

    “Vetëm në Gjermani diku janë kaq kosovarë që jetojnë e veprojnë atje, nuk ka pasur kurrfarë kampanje…”, tha Lirim Krasniqi nga organizata “Germin”.

    Mungesa e fushatave nëpërmes të cilave kosovarët në diasporë do të ishin informuar rreth rëndësisë së procesit, nuk arsyetohen, thonë nga organizata Germin.

    “Për shkak të Covid-19 procesi u shty për 2 vite, atë kohë është dashur ta shfrytëzonin për përgatitje të procesit të regjistrimit të popullsisë…”, tha Krasniqi.

    Ndërkaq, evidentimi i popullatës jorezidente, po konsiderohet shumë i rëndësishëm në disa aspekte.

    “Ka rëndësi si në aspektin ekonomik, demokratik, gjeostrategjik, investime, prodhim, andaj është momenti që të dihet saktë numri i tyre…”, tha Safet Gërxhaliu, ekonomist.

    Banorët e diasporës dhe ata rezidentë në Kosovë kanë afat për t’u regjistruar vetëm deri më 17 maj 2024.

  • Zotimi qëllimisht “i vonuar”, qeveria letër të re Këshillit të Evropës

    Zotimi qëllimisht “i vonuar”, qeveria letër të re Këshillit të Evropës

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Kërkesës për dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të draft-statutit evropian për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, para nisjes së punimeve të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, Qeveria iu përgjigj me një letër të re zotimi.

    Qëllimisht, Ministria për Punë të Jashtme zgjodhi që, një ditë para mbledhjes në Strasburg, të zotohet për hartimin e një draft-statuti të ri, të frymëzuar nga ai i “Friedrich-Ebert-Stiftung”, para fundit të muajit.

    “Po të konsideronim që është i vonuar do ta kishim dërguar më herët, nuk do ta kishim dërguar sot… Dhe, pse jo paraprakisht? Dua të ruaj procesin dhe do të bisedojmë sot as rreth partnerëve që na përkrahin edhe as rreth sigurimit të përkrahjes. Ne kemi shprehur me shumë seriozitet vullnetin tonë”, tha ministrja për Punë të Jashtme, Donika Gërvalla – Schwarz.

    Me shpresën që kërkesa e tyre do të trajtohet seriozisht, drejtuesit e politikës së jashtme zgjodhën të punojnë nga Prishtina.

    “Nuk jemi në Strasburg, sepse nuk duam të jemi në margjina të Këshillit të Evropës, por brenda, si anëtar. Prandaj, punën po e bëjmë nga këtu. Kjo nuk është dita e parë që po merremi me anëtarësimin, për dy vite radhazi kemi pasur lobim intensiv”, tha zëvendësministri për Punë të Jashtme, Kreshnik Ahmeti.

    Megjithatë, ministrja e as zëvendësi i saj nuk treguan se a do t’i qëndrojnë zotimit nëse Kosova nuk futet në rend dite.

    “Të flasim sot për këtë letër, për qëllimet pse është hartuar kjo letër. Nuk do të doja të bisedoja për opsione të tjera. Varësisht nga reagimi që do të ketë ndaj ofertës tonë, herët, mjaft herët, do t’ju informojmë rreth hapave të ardhshëm”, tha Gërvalla – Schwarz.

    Edhe pse ministrja nuk tregoi nëse ka pasur bashkërendim ndër-institucional, Presidenca reagoi duke thënë se nuk ka qenë në dijeni për letrën.

    “Presidentja Osmani përkrah vetëm qëndrime dhe veprime paraprakisht të konsultuara, të koordinuara dhe të dakorduara me institucionin e Presidencës, si institucion kushtetues me kompetenca të qarta, në fushën e politikës së jashtme dhe si gardian i funksionimit kushtetues të institucioneve. Kjo letër nuk është e tillë. Mund të jetë konsultuar e koordinuar me individë jashtë institucioneve që sot e kanë publikuar këtë letër, por jo me Presidencën”, thuhet në përgjigjen nga Presidenca.

    Nëse nuk do të ketë ndryshim të agjendës së Këshillit të Ministrave të premten, krerët e MPJ-së shpresojnë që ministrat, së paku, të caktojnë një datë të re për vendimmarrje lidhur me anëtarësimin eventual të Kosovës.

    Në një reagim për letrën, Gjermania e vlerësoi se hap konkret nga Kosova përbën vetëm dërgimi i draft-statutit në Gjykatën Kushtetuese.

  • Votohen në Kuvend disa marrëveshje ndërkombëtare

    Votohen në Kuvend disa marrëveshje ndërkombëtare

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Shumica e marrëveshjeve ndërkombëtare, të cilat u hodhën në votim në seancën e së enjtes në Kuvend, janë miratuar. Miratimi i marrëveshjeve ndërkombëtare ishte çështje që u bllokua në Kuvend tash e një vit në mungesë të votave të mjaftueshme.

    Për miratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare nevojiteshin së paku 80 vota të deputetëve. Por, një ditë më parë Partia Demokratike e Kosovës njoftoi se do t’i mbështesë ato.

    Krahas PDK-së, edhe AAK-ja votoi për marrëveshjen e parë në rend dite respektivisht programin e financave publike dhe rritjes ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Fondit për Zhvillim Ndërkombëtar. Kjo marrëveshje nuk kaloi meqë mori vetëm 77 vota për, 10 kundër dhe 1 abstenim.

    Megjithatë, PDK-ja votoi kundër ratifikimit të marrëveshjes me Danimarkën për shfrytëzimin e burgut të Gjilanit me qëllim të ekzekutimit të dënimeve daneze. Por, pro kësaj marrëveshjeje, votuan LDK-ja dhe AAK-ja. Në total kundër ishin 75 deputetë.

    Ndërkaq, pas këtyre dy votimeve 10 marrëveshjet e radhës u votuan me më shumë se 80 vota secila.

    Ndërkohë, para se të votohej marrëveshja e bashkëfinancimit për ndërtimin e tunelit në rrugën Prizren-Tetovë, LDK-ja pati një kërkesë.

    Në mungesë të ministrit të Infrastrukturës votimi u shty për një seancë tjetër.

    Ndërkaq, me kërkesë të 44 deputetëve, Kuvendi mbajti edhe seancë të jashtëzakonshme.

    Në seancën e jashtëzakonshme, deputetët votuan pro marrëveshjes kornizë ushtarake mes Kosovës dhe Turqisë, si dhe marrëveshjes mes Kosovës dhe Bankës Evropiane për trajtimin e ujërave të zeza.

    Ndërkohë, Kuvendi ka vazhduar edhe me votimin e disa projektligjeve të tjera në të cilat opozita nuk mori pjesë. Mes tyre projektligji për shëndetin riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor.

  • Serbët në Novobërdë bojkotojnë regjistrimin e popullsisë

    Serbët në Novobërdë bojkotojnë regjistrimin e popullsisë

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Thirrjen për regjistrim e kanë në hyrje të komunës. Por, më shumë se kësaj, serbët e Novobërdës iu bindën thirrjes së partisë që e udhëheq këtë komunë, Listës Serbe, për bojkot të procesit të regjistrimit.

    Kur ka mbetur vetëm edhe një ditë deri në mbyllje të afatit, fare pak qytetarë të këtij komuniteti janë regjistruar në procesin e regjistrimit të popullsisë.

    “Fatkeqësisht procesi nuk ka shkuar siç duhet, sepse komuniteti serb ka filluar ta bojkotojë këtë proces të regjistrimit të popullsisë dhe sipas shifrave që i kemi ne është një numër shumë i vogël i qytetarëve të regjistruar. Deri dje numri i qytetarëve që janë regjistruar është diku 3200, që është shifër jashtëzakonisht e vogël”, tha nënkryetari i Komunës së Novobërdës, Bajrush Ymeri.

    Por ajo që s’u bë për 42 ditë, zor të bëhet në ditën e fundit, andaj shpresojnë në kohëzgjatje të afatit së paku për këtë komunë.

    Si ndihmë për ta, komuna ka hapur edhe një zyrë brenda, ku qytetarët mund të regjistrohen.

    “Duket që ka sinjale që nga dita e sotme do të nisë regjistrimi i popullsisë edhe te komuniteti serb, sipas disa informatave jozyrtare që i kam dhe ndoshta pritet edhe vazhdimi i afatit edhe për një javë pas datës 17 maj dhe ndoshta do të përfundojë siç duhet”, tha Ymeri.

    Ndryshe, komuna e Novobërdës, sipas regjistrimit të 2011-tës, rezulton t’i ketë 6729 banorë.

  • Kuvendi zgjodhi anëtarët e bordit të KPMM-së

    Kuvendi zgjodhi anëtarët e bordit të KPMM-së

    Kuvendi i Kosovës ka zgjedhur tre anëtarë të Bordit të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM). Kryesues i Bordit do të jetë Habib Basholli, i cili mori 71 vota të deputetëve, ndërkaq anëtarë, Nasuf Mjekiqi dhe Bahri Karaça.

    Krahas kësaj, Kuvendi në seancën e sotme miratoi edhe rekomandimet për raportin e auditimit të performancës “Renovimi dhe konfigurimi i stadiumit të qytetit në Mitrovicë, Gjilan dhe Gjakovë”, si dhe raportin vjetor të Ndërmarrjes Publike, Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut, për vitin 2022.

    Në anën tjetër, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca nuk hodhi në votim projekt-rezolutën për raportet e Republikës së Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës./KP

  • Haradinaj takon përfaqësuesit e SBAShK: Kjo qeveri që prej fillimit të saj goditi mësimdhënësit

    Haradinaj takon përfaqësuesit e SBAShK: Kjo qeveri që prej fillimit të saj goditi mësimdhënësit

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka pritur në takim përfaqësuesit e SBAShK-ut të prirë nga kreu i saj, Rrahman Jasharaj.

    Haradinaj ka thënë se kontratat e reja të punës që po ju ofrohen mësimdhënësve, janë goditja e radhës për ta.

    “Në takim të përbashkët me përfaqësuesit e SBAShK-ut, kryetarin Rrahman Jasharaj me bashkëpunëtorë, pranova shqetësimet e tyre për kontratat e reja të punës që po ju ofrohen mësimdhënësve, një goditje e radhës për ta nga ana e Qeverisë së Kosovës. Kjo formë e kontratës e godet rëndë tërë sistemin arsimor para universitar dhe si e tillë është e pazbatueshme për shkak që nuk i përshtatet specifikave të punës së mësimdhënësve”, citohet Haradinaj në komunikatë.

    Haradinaj ka shtuar se Qeveria me këtë qasje armiqësore përveç që i ka goditur financiarisht ka cenuar edhe dinjitetin e tyre.

    “Fatkeqësisht kjo qeveri që prej fillimit të saj nuk ka qenë aleate e mësimdhënësve. Me qasje armiqësore përveç që i ka goditur financiarisht ka cenuar edhe dinjitetin e tyre. Unë personalisht dhe Aleanca, kemi respektuar gjithmonë misionin e Sindikatës në mbrojtjen e interesave të mësimdhënësve. Si rezultat i këtij bashkëpunimi kemi punuar në vazhdimësi, që mësimdhënësit të jenë të vlerësuar dinjitetshëm”, është shprehur Haradinaj.

  • Një muaj paraburgim ndaj dy të dyshuarve për shtytje në vetëvrasje

    Një muaj paraburgim ndaj dy të dyshuarve për shtytje në vetëvrasje

    Gjykata Themelore në Prishtinë, ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve S.T dhe A.T, për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale Shtytje në vetëvrasje.

    Në njoftim thuhet se gjyqtari i procedurës paraprake ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve S.T dhe A.T dhe të njëjtëve iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji, për secilin.

    “Gjykata vlerësoj se janë plotësuar kushtet për caktimin e paraburgimit kundër të pandehurve S.T dhe A.T, andaj caktimi i masës së paraburgimit është i domosdoshëm, sepse nëse ë pandehurit lihen në liri, mund të ndikojnë tek dëshmitarët që të ndryshojnë dëshmitë e tyre dhe në këtë mënyrë, të njëjtit do të pengojnë rrjedhën e procedurës penale”, thuhet në komunikatë.

    Sipas Gjykatës, kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.

  • Specialja ua vazhdon paraburgimin Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit

    Specialja ua vazhdon paraburgimin Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë është marrë vendim për vazhdimin e masës së paraburgimit për Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin.

    Kjo është bërë e ditur nga zëdhënësi i DhSk-së, Michael Doyle gjatë konferencës javore në të cilën jepen informacione të përditësuara lidhur me punën e kësaj gjykate, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Doyle tha se vendimi është marrë me 15 maj në të cilin thuhet se Trupi Gjykues ka konstatuar se për të dy të akuzuarit vazhdon të ekzistojë rreziku që të pengojnë ecurinë e procesit ose të kryejnë vepra penale të tjera.

    “…më 15 maj, në vendime më vete për secilin, Trupi Gjykues urdhëroi vazhdimin e paraburgimit të Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, duke konstatuar se për të dy të akuzuarit vazhdon të ekzistojë rreziku se do të pengojnë ecurinë e procesit ose të kryejnë vepra penale të tjera kundër atyre që perceptohen se janë kundër UÇK-së, përfshirë dëshmitarë që kanë dhënë ose mund të japin dëshmi në këtë çështje gjyqësore dhe/ose pritet të paraqiten para Dhomave të Specializuara të Kosovës. Gjykatësit konstatuan gjithashtu se komunikimet e të akuzuarve mund të kufizohen në një mënyrë që zvogëlon mjaftueshëm këto rreziqe vetëm me anë të zbatimit të kornizës për monitorimin e komunikimeve që përdoret në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara”, tha Doyle.

    Ai gjithashtu tha se në këtë çështje gjyqësore në të cilën të akuzuar përveç Selimit dhe Krasniqit janë edhe Hashim Thaçi dhe Kadi Veseli, është miratuar kërkesa e Prokurorisë që një dëshmitar të jep dëshmi përmes video-lidhjes.

    “Në çështjen gjyqësore Thaçi dhe të tjerët, më 10 maj, Trupi Gjykues miratoi pjesërisht një kërkesë të Mbrojtjes për zgjatjen e afatit për parashtrimin e përgjigjes ndaj kërkesës së Prokurorisë për të përfshirë materiale shtesë në listën e provave materiale. Materialet në fjalë kanë të bëjnë me dëshmitarët të cilët Prokuroria synon të thërrasë për të dhënë dëshmi në qershor dhe korrik të këtij viti. Më 14 maj, Trupi Gjykues në çështjen gjyqësore Thaçi dhe të tjerët miratoi një kërkesë të Prokurorisë që një dëshmitar të japë dëshmi nëpërmjet video-konferencës, duke theksuar rreziqet për sigurinë dhe faktorë tjerë të cilët i ngriti Prokuroria. Gjykatësit ndryshuan gjithashtu datat e planifikuara për dhënie të dëshmisë nga dëshmitari për 27 dhe 28 maj”, tha ai duke shtuar se seanca e radhës në këtë çështje gjyqësore është caktuar të martën me 21 maj duke filluar nga ora 09:00 e që si gjithnjë do të jetë me 45 minuta vonesë në transmetim.

    Duke kaluar tek një çështje tjetër gjyqësore, Doyle tha se Administorja ka njoftuar gjykatësin e procedurës paraprake në lidhje me caktimin me kusht të Dr. Felisiti Geri si mbrojtëse e Ismet Bahtjarit dhe Toby Cadman si mbrojtës i shalës.

    “Në çështjen gjyqësore të Sabit Januzit, Ismet Bahtijarit dhe Haxhi Shalës, më 13 dhe 14 maj, Administratorja njoftoi Gjykatësin e Procedurës Paraprake në lidhje me caktimin me kusht të Dr. Felisiti Geri, si mbrojtëse të Ismet Bahtijarit dhe të z. Tobi Kadman si mbrojtës të Haxhi Shalës, pasi mori kërkesat nga të dy mbrojtësit për ndihmë juridike sipas Rregullores për Ndihmë Juridike të DHSK-së”, tha ai.

    Doyle foli edhe për lirimin nën kushte të rrepta të ish-kryetarit të Malishevës, Isni Kilajt.

    “Z. Isni Kilaj u lirua në Kosovë dje me kushte të rrepta, në bazë të vendimit të Gjykatësit të Vetëm të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) të datës 3 maj 2024. Në vijim ky vendim u konfirmua edhe nga një Panel i Gjykatës së Apelit i DHSK-së më 13 maj 2024. Në vendim, Gjykatësi i Vetëm konstatoi se ende ekziston dyshimi i bazuar se z. Kilaj ka kryer, vetë ose së bashku me të tjerë, vepra penale kundër administrimit të drejtësisë”, tha Doyle.

    Zëdhënësi i DhSK-së, shtoi se është konstatuar se ende vazhdon rreziku që Kilaj të arratiset, pengoj procedurat gjyqësore ose të kryej vepra të tjera penale.

    “Gjykatësi i Vetëm konstatoi gjithashtu se vazhdon të ekzistojë rrezik i moderuar që z. Kilaj të arratiset dhe mund të pengojë ecurinë e procedurave penale dhe të kryejë vepra penale të tjera. Ai konstatoi më tej se asnjë prej kushteve të paraqitura nga Mbrojtja e z. Kilaj dhe asnjë nga kushtet e tjera të vendosura nga Gjykatësi i Vetëm nuk mund të kufizojnë plotësisht aftësinë e z. Kilaj për të penguar ecurinë e procedurave të DHSK-së dhe për të kryer vepra penale të tjera”, tha ai.

    Megjithatë, ai tha se gjykatësi i procedurës paraprake erdhi në përfundimin se zgjatja e paraburgimit për Kilajn në rrethanat aktuale do të ishte e paarsyeshme, duke marrë në konsideratë prezumimin e pafajësisë dhe të drejtën e tij për liri në rrethanat e zhvillimeve të reja.

    Krahas kësaj, ai shtoi se gjykatësi ka theksuar në vendimin e tij se rreziqet që dalin si rrjedhojë elirimit të Kilajt nuk peshojnë më shumë se e drejta e tij për liri.

    “Gjykatësi i vetëm mbajti parasysh se (i) z. Kilaj është mbajtur në paraburgim për pothuaj gjashtë muaj; (ii) për veprat penale për të cilat z. Kilaj konsiderohet i dyshuar mund të dënohesh nga një (1) deri në (5) vjet; dhe (iii) kërkesa e kohëve të fundit që Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) i paraqiti Gjykatësit të Vetëm për pezullimin e shqyrtimit të Aktakuzës së dorëzuar prej saj, për shkak se synon të paraqesë një aktakuzë të ndryshuar, vonon në mënyrë të konsiderueshme kalendarin e procesit. Për këtë arsye, Gjykatësi i Vetëm vendosi që rreziqet që do të rezultonin prej lirimit të z. Kilaj nuk peshojnë më shumë se e drejta e tij themelore për liri”, tha Doyle duke shtuar se Kilajt iu caktuan disa kushte duke përfshirë edhe një garanci financiare në shumën prej 30 mijë euro.

    Ndryshe, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, çdo të enjte, në orën 14:30, përmes platformës online “Zoom” mbajnë informim javor ku ofrojnë informacione të përditësuara mbi zhvillimet e fundit lidhur me procedurat gjyqësore dhe veprimtaritë në këtë gjykatë.

  • Letra e dërguar në KiE, Osmani takohet me Hovenierin dhe Rohden

    Letra e dërguar në KiE, Osmani takohet me Hovenierin dhe Rohden

    Një takim është mbajtur sot mes presidentes Vjosa Osmani dhe ambasadorëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier, dhe atij të Gjermanisë, Jorn Rohde.

    Klankosova.tv ka mësuar se temë e diskutimit në këtë takim ishte letra Qeverisë së Kosovës dërguar Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ku u zotua se deri në fund të majit Kosova do ta shkruajë draft-statutin e Asociacionit.

    Takimi në fjalë ka përfunduar. Nga Presidenca e Kosovës për Klankosova.tv kanë bërë të ditur se ekzekutivi i vendit nuk është konsultuar dhe dakorduar me Osmanin për letrën e dërguar në KiE.

  • Zëvendëskryeministri Bislimi takon Zëvendëskryeministrin për Politika Ekonomike të Malit të Zi, Nik Gjeloshaj

    Zëvendëskryeministri Bislimi takon Zëvendëskryeministrin për Politika Ekonomike të Malit të Zi, Nik Gjeloshaj

    Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi ka mirëpritur sot në takim Zëvendëskryeministrin për Politika Ekonomike të Malit të Zi, Nik Gjeloshaj.

    Përgjatë takimit u diskutua mbi marrëdhëniet e veçanta ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi si dhe mundësitë për të thelluar edhe më tej bashkëpunimin mes nesh. U nënvizua rëndësia e ndërtimit të urave të reja të bashkëpunimit, e ku u veçuan dhe projektet e ndryshme infrastrukturore.

    Procesi i integrimit evropian dhe orientimi i qartë e i palëkundur për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ishte dhe një prej temave të cekura në bashkëbisedim. U trajtuan dhe situata aktuale në vend, raportet e mira ndërfqinjësore dhe çështjet rajonale.