ATV

Category: Lajme

  • Escobar: Asociacioni vendimtar, do të duhej të insistonim më shumë në zbatim, se sa t’i bënim palët bashkë

    Escobar: Asociacioni vendimtar, do të duhej të insistonim më shumë në zbatim, se sa t’i bënim palët bashkë

    Në ditën e tij të fundit të mandatit si Emisar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka folur lidhur me dialogun Kosovë-Serbi.

    Escobar ka thënë se do të duhej të insistonin më shumë në implementimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, sesa që t’i bënin palët bashkë, meqë tha se kanë vërejtur në disa raste mungesë të vullnetit për këtë.

    “Ne do të duhej të insistonim më shumë në implementim e Asociacionit sesa në ndërmjetësimin që dy palët të bëhen bashkë, sepse në disa raste ne kemi vërejtur mungesën e vullnetit në të dy palët. Interpretimi dhe implementimi i Asociacionit është absolutisht vendimtar për Kosovën. Është më i vështiri prandaj si më i vështiri, ishte e rëndësishme që Kosova të jepte sinjal se ka vullnet të adresojë çështjen e minoritetit serb në territorin e saj”, ka deklaruar Escobar në një intervistë për Qendrën për Evropë të Këshillit Atlantik.

    Ai ka thënë se pranimi i propozimit evropian do t’u jepte mundësi amerikanëve që të lobonin te shtetet evropiane që nuk e kanë njohur Kosovën, për ta bërë këtë, por se nuk kishin material për këtë.

    “Nga perspektiva amerikane, pasi që rruga evropiane përfshinte pjesë të rëndësihme të Asociacionit në çdo hap, ne besojmë se duke pranuar një propozim evropian, përmes një procesi evropian që është dialogu dhe një marrëveshje që garantohet nga Bashkimi Evropian, do t’u jepte amerikanëve një mundësi për të lobuar te shtetet evropiane për të thënë se Kosova ka bërë çfarëdo që Evropa ka kërkuar dhe për të kërkuar njohje të reja. Pa këtë, të themi që ne nuk kishim shumë material për të punuar për këtë”, ka deklaruar Escobar.

  • Shoqata e Naftëtarëve sot diskuton për çmimet e derivateve

    Shoqata e Naftëtarëve sot diskuton për çmimet e derivateve

    Shoqata e Naftëtarëve të Kosovës sot të diskutojë në lidhje me çmimet e derivateve në vend.

    Mbledhja pritet të nisë nga ora 11:00, ku të ftuar në këtë takim janë edhe përfaqësues nga Autoriteti i Konkurrencës së Kosovës.

    Muajt e fundit në vend sërish ka pasur një rritje të derivateve të naftës, gjë që ka krijuar pakënaqësi tek qytetarët.

  • Lushtaku: Krasniqin nuk e kam përkrahur veç për takimin me Kurtin, por edhe për propozimin që ia ka bërë kryeministrit

    Lushtaku: Krasniqin nuk e kam përkrahur veç për takimin me Kurtin, por edhe për propozimin që ia ka bërë kryeministrit

    Kryetari i Degës së PDK-së në Skenderaj, Sami Lushtaku, ka deklaruar se është përkrahës i kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqit dhe se i përkrah dy datat e propozuara nga ai për zgjedhje.

    ‘’Unë jam përkrahës i kryetarit të partisë dhe përkrahi këto dy data për zgjedhje’’, deklaron ai.

    Lushtaku, ka thënë se nuk dëshiron të pyetet për gjëra në të cilat ai thotë se nuk i takon.

    ‘’Mos më pyet mua aty ku nuk e kam vendin’’, shprehet ai.

    Ai shton se si kryetar i degës së PDK-së në Skenderaj, kryetari i subjektit të tij e ka përkrahjen absolute.

    ‘’Unë jam kryetar i degës së PDK-së në Skenderaj dhe kryetari i PDK-së e ka përkrahjen time absolute’’, potencon Lushtaku për FrontOnline.

    Lushtaku thotë se Krasniqin e ka përkrahur jo vetëm për takimin me kryeministrin Albin Kurtin, por edhe për propozimin që Krasniqi ia ka bërë Kurtit.

    ‘’Jo vetëm për takimin por edhe për propozimin që e ka bërë, kështu që kjo pjesa e tjetër nuk është e imja.’’përfundon Sami Lushtaku.

    Ndryshe, të hënën kryeministri Albin Kurti dhe Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, kanë zhvilluar një takmi rreth treorësh.

    Tema kryesore e takimit ishin zgjedhjet dhe programi legjislativë./Front Online

  • Ndahet nga jeta ish-kryetari i Pejës, Aver Husaj

    Ndahet nga jeta ish-kryetari i Pejës, Aver Husaj

    Sot në orët e para të mëngjesit, pas një sëmundjeje, ka ndërruar jetë veprimtari i çështjes kombëtare i burgosuri politik, në moshën 64 vjeçare Aver Bajram Husaj.

    Gjatë viteve 1990-1999 Husaj ishte kryetar i komunës së Pejës i cili organizoi pushtetin lokal sipas kushtetutës së Kaçanikut.

    Ndërkaq në periudhën e pas luftës e deri në vdekje ishte shef i kulturës pranë Drejtoratit për kulturë, rini e sport të komunës së Pejës si dhe njëkohësisht u mor me gazetari.

  • ​Knaus kërkon nga ministrat e jashtëm të caktojnë seancë të jashtëzakonshme për Kosovën

    ​Knaus kërkon nga ministrat e jashtëm të caktojnë seancë të jashtëzakonshme për Kosovën

    Gerald Knaus nga Iniciativa Evropiane për Stabilitet ka kërkuar nga ministrat e jashtëm që të caktojnë një seancë të jashtëzakonshme për Kosovën.

    Ai përmes një postimi në Twitter ka thënë se është çmenduri të ndalohet progresi i Kosovës drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës.

    “Ministrat e Jashtëm në Strasburg duhet ta caktojnë një datë të re për një takim të jashtëzakonshëm brenda javësh, që të votohet për aplikimin e Kosovës sapo të ecë në çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Kjo do t’i çonte sinjal të qartë Serbisë se shtetësia e Kosovës është e qëndrueshme dhe ruan mbështetjen e plotë të demokracive evropiane”, ka shkruar ai.

    Knaus poashtu tha se është fatale për ministrat e jashtëm nëse sot, më 17 maj, injorojnë “formulën e Ahtisaarit për paqe, rekomandimin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës”, ka shkruar ai.

    Knaus ka përmendur edhe propozimin e Qeverisë së Kosovës për të cilin ka thënë se është shumë i mirë, për çështjen e Asociacionit të lidhur me anëtarësimin në Këshill.

    Agjenda për takimin e 16 e 17 majit e ka lënë Kosovës jashtë rendit të ditës. Zëdhënësi i KiE Daniel Holtgen, pati thënë se çështja e Kosovës nuk është në agjendën e Këshillit të Ministrave dhe se për momentin nuk dihet se kur mund të jetë.

  • Rruga e Kosovës drejt KiE-së, e mbingarkuar dhe me shpresë

    Rruga e Kosovës drejt KiE-së, e mbingarkuar dhe me shpresë

    Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës nuk pritet të jetë sot në agjendën e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, ku do të mund të votohej për pranimin e saj në këtë organizatë. Megjithatë, zyrtarë të qeverisë presin që zotimi i tyre për Asociacionin e komunave me shumicë serbe të shqyrtohet nga Këshilli i Ministrave, me shpresën që anëtarësimi i Kosovës të shqyrtohet në një mbledhje të jashtëzakonshme më vonë gjatë këtij viti.

    Kjo, me gjithë faktin se Kosova tha të enjten se i ka dërguar letër Këshillit të Evropës për ta njoftuar se është duke përgatitur draft-statutin për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, për ta dorëzuar për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese.

    Mbledhjet e jashtëzakonshme të Këshillit të Ministrave janë të rralla dhe për të fundit herë një e tillë ka ndodhur pas agresionit rus në Ukrainë, për ta përjashtuar Rusinë nga Këshilli i Evropës.

    Gerald Knaus, nga Iniciativa Evropiane për Stabilitet, i cili ka përcjellë nga afër rrugëtimin e Kosovës drejt KiE-së, mendon se letra ka shkuar pak me vonesë por vendet anëtare duhet të thonë se e mbështesin nismën e Kosovës dhe duhet të bëjnë thirrje për një samit të jashtëzakonshëm së shpejti, me shpresë brenda disa javësh.

    Më 16 prill Kosova mori dritën jeshile nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës për t’u anëtarësuar në këtë mekanizëm. Por, përfshirja e saj në rendin e ditës së takimit të Këshillit të Ministrave që mbahet sot u pamundësua, meqë Kosova refuzoi të hedh hapa drejt themelimit të Asociacionit.

    Ndonëse në raportin e miratuar nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës thuhet se themelimi i Asociacionit duhet të jetë një “angazhim pas anëtarësimit” për Kosovën, vendet e “Quint-it”, siç njihet pesëshja kryesore perëndimore e përbërë nga Shtetet e Bashkuara, Franca, Gjermania, Italia dhe Mbretëria e Bashkuar, e kanë parë çështjen e këtij anëtarësimi si një mundësi për të ushtruar trysni mbi qeverinë e kryeministrit Albin Kurti rreth kësaj çështjeje.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha javën e kaluar se qeveria e tij nuk e pranon kushtëzimin me themelimin e Asociacionit, duke e cilësuar “absurd” një kushtëzim të tillë.

    Ministrja për Punë të Jashtme dhe Diasporë e Kosovës, Donika Gërvalla, njoftoi dje se kishte informuar Këshillin e Evropës se Kosova mëton të përgatisë një draft-statut dhe ta dërgojë atë në Gjykatën Kushtetuese për interpretim në fund të muajit.

    Gërvalla tha se pret që Këshilli i Evropës të marrë seriozisht këtë hap të Kosovës dhe të pranojë Prishtinën si anëtaren më të re të kësaj organizate për të drejtat e njeriut.

    Kurse, Bekim Kupina, këshilltar i presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, tha në një deklaratë me shkrim se letra drejtuar Këshillit të Evropës nuk është këshilluar dhe as dakorduar me presidenten Osmani. Në deklaratë thuhet se “presidentja Osmani përkrahë vetëm qëndrime dhe veprime paraprakisht të konsultuara, të bashkërenduara dhe të dakorduara me institucionin e Presidencës si institucion kushtetues me kompetenca të qarta në fushën e politikës së jashtme dhe si gardian i funksionimit kushtetues të institucioneve. Kjo letër nuk është e tillë”, thuhet në deklaratë.

    Partitë opozitare e cilësuan të gabuar dhe të vonuar veprimin e qeverisë. Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, tha se është ditur që mbledhja e Këshillit të Ministrave mbahet më 16 dhe 17 maj dhe nuk është dashur të lihen gjerat për minutën e fundit.

    Deputetja nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, e cilësoi letrën e qeverisë të pakuptimtë.

    Dritëro Arifi, profesor i integrimeve evropiane, tha se veprimi i qeverisë duhej të kishte ndodhur shumë më herët.

    Përndryshe, Këshilli i Evropës dje e sot po shënon 75-vjetorin e themelimit. Kjo organizatës ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë, e cila ndodhet me seli në Strasburg.

    Këshilli i Evropës u themelua më 5 maj 1949 për të arritur një bashkim më të madh midis vendeve anëtare mbi bazën e traditave të tyre të përbashkëta të lirisë politike. Ideologët më të mëdhenj të Këshillit të Evropës ishin Winston Churchill, Robert Shuman dhe Konrad Adenauer.

    Këshilli mbron lirinë e shprehjes dhe të mediave, barazinë dhe minoritetet në vendet anëtare. Kjo organizatë ka realizuar edhe fushata për mbrojtje të fëmijëve, kundër gjuhës së urrejtjes si dhe për të drejtat e romëve, të cilët përbëjnë komunitetin më të madh në Evropë.

    Këshilli i Evropës u ndihmon vendeve anëtare që të luftojnë korrupsionin dhe terrorizmin si dhe që të kryejnë reformat e duhura gjyqësore.

    Grupi i saj i ekspertëve për Kushtetutë, i njohur si Komisioni i Venecias, ofron këshilla ligjore për shtete të ndryshme në botë. Duke qenë organizatë ndërkombëtare, Këshilli i Evropës nuk mund të bëjë ligje, mirëpo ka aftësi të nxisë zbatimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, të arritura nga vendet anëtare për tema të ndryshme.

    Trupi më i njohur i Këshillit të Evropës është Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, e cila zbaton Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

  • ​Sot përfundon procesi i regjistrimit të popullsisë

    ​Sot përfundon procesi i regjistrimit të popullsisë

    Sot përfundon procesi i regjistrimit të popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave. Regjistrimi ka filluar nga data 5 prill derisa është planifikuar të përfundoj më 17 maj.

    Sipas të dhënave të fundit të lëshuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës mbi 1 milionë e 420 mijë banorë janë regjistruar deri më tani ndërsa rezultatet preliminare të regjistrimit pritet të publikohen brenda tre muajve.

    Ndonëse pritshmëritë e Agjencisë së Statistikave të Kosovës ishin që procesi të përfundojë me kohë, kishte kërkesa prej disa komunave që kjo datë të shtyhet.

    Ushtruesi i detyrës së kryeshefit ekzekutiv në këtë institucion, Avni Kastrati kishte thënë se sa i përket kërkesave për shtyrje të datës, do të shikojnë nëse e njëjta ka bazë që të aprovohet.

    Ai tha se meqenëse një pjesë e madhe e regjistrueseve kanë kryer zonat e caktuara, të njëjtit mund t’i dalin në ndihmë komunave tjera në mënyrë që mos të ketë shtyrje të procesit.

    Ndërsa kishte shtuar se në disa komuna, si Prizren dhe Prishtinë janë hapur disa zyre, për qytetarët që nuk kanë pasur mundësi të regjistrohen, të shkojnë në ato zyre.

    Sa i përket pjesës veriore, ai ka theksuar se ndonëse kishte hezitim, ka prej tyre që janë regjistruar.

    Ndërsa, gjatë regjistrimit të fundit të popullsisë në Kosovë, të mbajtur në vitin 2011, procesi nuk ishte zhvilluar në katër komunat me shumicë serbe në veri, si dhe ishte bojkotuar pjesërisht edhe në komunat e tjera me shumicë serbe në Kosovë.

    Ndryshe pjesëmarrja në regjistrim kërkohet me ligj, teksa në rast refuzimi mund të penalizohen në shumën nga 30 euro-2.000 euro për person.

  • ​Parashikimi i motit për sot

    ​Parashikimi i motit për sot

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se sot do të mbajë mot i vranët dhe me intervale me diell.

    Sipas institutit, temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 6-9 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 17-22 gradë Celsius.

    “Do të fryjë erë nga drejtimi i jugperëndimit e lehtë deri mesatare. Vikendi parashihet me rritje të temperaturave. Kushtet agrometeorologjike dhe biometeorologjike vazhdojnë të jenë relativisht të mira dhe stabile”, thuhet në njoftim.

  • Interesim i lartë i qytetarëve për t’u regjistruar në zyrën në Prishtinë

    Interesim i lartë i qytetarëve për t’u regjistruar në zyrën në Prishtinë

    Përgatiti: Sara Shehu

    73-vjeçari, Nexhmi Stublla, këtë të enjte u regjistrua si banor i Prishtinës, në zyrën e Komunës, e cila u hap për qytetarët para pesë ditësh. Ai thotë se nuk ka pasur mundësi të regjistrohet, pasi ndodhej jashtë vendit.

    “E kam prit me qejf regjistrimin e popullsisë, andaj kam ardhë sot me u regjistru, këtë proces duhet ta bëjnë të gjithë qytetarët, andaj unë erdha sot me realizu këtu në këtë zyrë, pasi kam qenë në Gjermani te djemtë e mi”, tha Stublla.

    Zëdhënësi i Komunës, Donat Lushaku, tha se në këtë zyrë për pesë ditë janë regjistruar rreth 1000 qytetarë.

    “Interesimi ka qenë i lartë vetëm për 5 ditë, 1000 qytetarë janë regjistruar, andaj sot dhe nesër presim që të regjistrohen edhe më shumë… numri i punëtorëve nuk është i mjaftueshëm, por ia kemi dalë”, tha Lushaku.

    Tutje, Lushaku shtoi se kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka kërkuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës që ta shtyjë afatin për regjistrim.

    “Kryetari ka kërkuar nga ASK-ja që të rrisë afatin për regjistrim, pasi që ka ende nevojë që qytetarët që s’kanë pasë mundësi me kry këtë proces me realizu po ASK e ka anulu këtë kërkesë të kryetarit”, tha Lushaku.

    Por, Agjencia e Statistikave e Kosovës thotë se ende nuk ka vendim për shtyrje ose jo të procesit.

    “Vendimi për shtyrje ende nuk është marrë, se është e ngutshme deri më 17 maj besoj që kryhen regjistrimet. Do t’i shqyrtojmë të gjitha kërkesat dhe do ta shohim se çfarë të bëjmë”, tha Hazbije Qeriqi, zëdhënëse në ASK.

    Në kuadër të regjistrimit të popullsisë, Agjencia e Statistikave e Kosovës deri të hënën ka marrë të dhënat e 1.4 milion banorëve brenda vendit dhe të 400 mijë të tjerëve nga diaspora.

  • Bizneset në komunat me banorë serbë s’pranojnë pagesa me dinar

    Bizneset në komunat me banorë serbë s’pranojnë pagesa me dinar

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Në kuletën e saj ka mbi 2 mijë dinarë, por me këto të holla nuk po arrin të bëjë asnjë pagesë.

    Slavica Sretenovic thotë se asnjë biznes në komunën e Graçanicës nuk po pranon të kryejnë pagesë në valutë tjetër, përveç euros.

    “Ka disa ditë që përdorim vetëm euro, dinarin s’po e pranon askush, as në dyqane, as për pagesa. Pensioni e kam marrë në euro”, tha Sretenovic.

    Derisa në këtë komunë pagesat po realizohen vetëm me euro, banorët janë të shqetësuar për pensionet, të cilat, sipas tyre, i marrin në dinar.

    “Dinarët më nuk po i pranon askush andaj po përdorim vetëm euro. Pak është e zorshme sepse ku t’i gjejmë eurot nëse pensioni më del në dinarë?!”, tha Verica Rankovic, banore e Komunës së Graçanicës.

    Një prej ideve që po përmendet si zgjidhje për çështjen e dinarit është licencimi i një banke serbe në Kosovë.

    “Ekziston një ide që një pjesë e Postës e Serbisë do të ndërrojë adresën në postën e Kosovës a banka tjetër do të kërkojë licencën për punën në Kosovë, tash i kemi komunitetet shumë të ndryshme e kemi komunitetin e pensionistëve kemi komunitet që kanë pronë në Serbi që janë duke pagur tatim nga këtu”, tha Branislav Krstic, gazetar.

    Ndërkaq, sipas ekonomistit Besnik Avdiaj, ka filluar vetëdijesimi te komuniteti serb që jeton në Kosovë, se ata duhet t’iu përshtaten politikave të institucioneve vendase.

    “Qytetarët serbë në Kosovë kanë filluar ta kuptojnë efektin që po e ka politika e Serbisë, të cilat janë plotësisht në kundërshtim me zhvillimin dhe avancimin e tyre në Kosovë dhe ata e kanë parë që institucionet tona, shoqëria jonë është rruga e duhur për ta dhe jetën e tyre”, tha Avdiaj.

    Për të gjetur një zgjidhje për përdorim të dinarit, të mërkurën është mbajtur sërish një takim ndërmjet kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e emisarit të BE-së, Miroslav Lajcak.

    Mirëpo, takimi maratonik përfundoi pa një marrëveshje.