ATV

Category: Lajme

  • ​Francë: Policia vret një burrë që tentoi të digjte sinagogën

    ​Francë: Policia vret një burrë që tentoi të digjte sinagogën

    Policia franceze ka vrarë një burrë të armatosur që donte t’i vinte zjarrin një sinagoge në qytetin veriperëndimor të Rouen, ka thënë ministri i brendshëm i Francës.

    Burri ishte i armatosur me një thikë dhe një shufër hekuri dhe kur shkoi drejt policisë ata e qëlluan atë, thonë raportet.

    Kryetari i bashkisë së Ruenit, Nicolas Mayer-Rossignol tha se sulmi në sinagogë nuk preku vetëm komunitetin hebre, por i gjithë qyteti ishte “i goditur dhe i tronditur”.

    Policia u thirr rreth orës 06:45 (04:45 GMT) pasi u pa tym që dilte nga sinagoga, sipas raporteve lokale.

    Kur arritën në vendngjarje, një nga oficerët e qëlloi burrin.

    Zjarrfikësit në vendngjarje e vunë përfundimisht nën kontroll zjarrin brenda sinagogës. Duket se nuk kishte viktima përveç burrit të armatosur, tha kryebashkiaku.

    Dëmet brenda sinagogës janë përshkruar si “të mëdha”. Ministri i Brendshëm Gérald Darmanin vlerësoi policinë “për reagimin dhe guximin e tyre”.

    Franca, së bashku me pjesën tjetër të Evropës Perëndimore, ka parë një rritje të antisemitizmit që kur Hamasi sulmoi Izraelin jugor tetorin e kaluar, duke çuar në luftën aktuale në Gaza. /BBC/

  • Kurti: Platforma E-Komuna u mundëson qytetarëve shërbime më të mira

    Kurti: Platforma E-Komuna u mundëson qytetarëve shërbime më të mira

    Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, ka organizuar të premten ceremoninë e lansimit të shërbimeve të E-Komuna e cila është pjesë e platformës shtetërore E-Kosova, raporton Ekonomia Online.

    Aty u tha se kjo platformë u mundëson qytetarëve shërbime më të mira, ndërsa u mundëson që t’i ndjekin mbledhjet e asambleve komunale e t’i raportojnë problemet në komunat përkatëse.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se përmes kësaj strategjie do të mundësohet qytetarëve të marrin shërbime më të mira dhe të jenë më të informuar për zhvillimet në komunat e tyre, si dhe do të krijohet një linjë komunikimi mes tyre dhe komunarëve.

    “Ky transformim mundëson shërbime më të mira për qytetarët dhe bizneset. Përmes strategjisë së re E-Komuna kemi filluar një sërë reformash në zhvillimin e qeverisë dixhitale. E kur flasim për shërbime, qëllimi nuk është vetëm dixhitalizimi, por shërbimet duhet të ridizajnohen që ta kenë në fokus qytetarin. Parimi themelor gjatë ofrimit të shërbimeve është ai i gjithëpërfshirjes. Duhet të sigurohemi që asnjë qytetarë të mos mbetet mbrapa. Ne jemi të përkushtuar që ky proces transformues të jetë edhe i sigurt”, tha Kurti.

    Ai tutje tha se sot po lansohet një numër i shërbimeve të reja në platformën E-Kosova, e që sipas tij ato rrisin interaksionet mes komunave dhe qytetarëve, duke bërë që qytetarët të jenë të informuar në kohë reale për zhvillimet në komunën e tyre.

    “Qëllimi është që të krijohet një linjë e drejtpërdrejtë komunikimi mes qytetarëve dhe të zgjedhurve të tyre. Kjo do të përmirësojë edhe llogaridhënien”, tha tutje kryeministri.

    Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi tregoi se cilat shërbime do të shtohen.

    “Disa nga shërbimet që planifikohen në fazën e parë janë: Transmetimi i mbledhjeve të asambleve komunale, raportimi i problemeve në komunat përkatëse, informacionet mbi komunat, qasja te pasuria e zyrtarëve komunal, inicimi dhe pjesëmarrja në debatet publike. Përmes këtyre shërbimeve qytetarët kanë mundësi të adresojnë më lehtë kërkesat e tyre të organet komunale. Në fazën e dytë do të përfshihen edhe shërbime tjera”, tha ai.

    Ndërsa zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Bardhyl Dobrës, tha se përmes zhvillimit të këtyre shërbimeve do të rritet edhe llogaridhënia e institucioneve.

    “Reforma ka për qëllim përmirësimin e cilësisë së punës në institucione. Jo vetëm që ka më shumë shërbime për të gjithë, por edhe cilësia e tyre po përmirësohet. Po kalojmë në shërbime të plota, cilësore e të qasshme 24 orë në ditë”, theksoi ai.

    Në ceremoninë e organizuar për lansimin e platformës E-Komuna morën pjesë edhe kryetarë komunash e zyrtarë komunal.

  • Nagavci kërkon nga kryetarët bashkëpunim në ndërtimin e çerdheve të reja

    Nagavci kërkon nga kryetarët bashkëpunim në ndërtimin e çerdheve të reja

    Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, u ka bërë thirrje kryetarëve nga të gjitha komunat e Kosovës, t’i përgjigjen ftesës për bashkëpunim në ndërtimin e çerdheve të reja, raporton EO.

    Nagavci tha se këtë e bëri përmes letrës së dërguar në të cilën ka kërkuar angazhimin e kryetarëve në mënyrë qe ta vazhdohet me procedura tjera.

    “Sot kam nisur një letër tek të gjithë kryetarët e komunave për te kërkuar bashkëpunimin e tyre në ndërtimin e çerdheve. Përmes kësaj letre kam kërkuar që të angazhohen personalisht, në mënyrë qe të vazhdojmë në procese tjera”, u shpreh Nagavci në një konferencë për media.

    Ngavaci tha se dikasteri që ajo e drejton, vitin e kaluar ka bërë një analizë në nivel vendi, ku për planifikimet janë njoftuar në vazhdimësi me takimet e rregullta që ka pasur me zyrtarë komunal.

    “Përveç kësaj projekteve tipike, ne gjatë vitit të kaluar kemi hartuar 4 projekte modulare të cilat i kemi vene ne dispozicion të komunave për t’i përshtatur me lokacione. Projektet modulare i kemi finalizuar si projekte, me siguri, kohe të shkurtër dhe ndarjen e buxhetit te nevojshëm. Kemi siguruar buxhetin për ndërtimin e institucioneve parashkollore. I kemi te gjitha analizat, i kemi buxhetet dhe projektet janë të gatshme dhe komunat të gjejnë lokacionet qe i plotësojnë nevojat”, deklaroi Nagavci.

    Ndërsa zëvendësministri i Arsimit, Taulant Kelmendi, tha se krahas rregullimeve legjislative janë angazhuar edhe tek infrastruktura fizike. Ai tregoi edhe për shumat që janë ndarë për ndërtimin e çerdheve nëpër komuna.

    “Në këtë kontekst kemi buxhet të garantuar, projekte të gatshme, vetëm kërkojmë qe komunat t’i përgjigjen gatishmërisë sonë. Nga janari kemi 5 kërkesa nga komunat për ndërtimin e çerdheve. 799 mijë euro për ndërtimin e çerdhes në Prizren. 742 mije euro për Suharekë, 81 mijë euro në Gjilan. Në Babush të Ferizajt 98mijë dhe 85 mijë euro në Junik”, tha Kelendi.

    Në fund u tha se deri më tani ka përfunduar ndërtimi i 9-të çerdheve, 35 janë në proces e 4 janë në prokurim. Ndërsa 4 kontrata tjera janë shkëputur për arsye të ndryshme.

  • Franca thotë se anëtarësimi shqyrtohet më vonë: Kosova duhet të kalojë në rrugën që kërkohet

    Franca thotë se anëtarësimi shqyrtohet më vonë: Kosova duhet të kalojë në rrugën që kërkohet

    Ministri francez për Çështjet Evropiane, Jean-Noel Barrot, tha sot se Franca mendon se në këtë fazë ekziston rreziku që çështja e Kosovës të shkaktojë përçarje ndërmjet vendeve në Këshillin e Evropës dhe se sipas tij “kjo çështje duhet të shqyrtohet më vonë, kur (Kosova, v.j.) të kalojë rrugën që ne besojmë se kërkohet për ta kaluar atë”.

    Ai u tha gazetarëve para seancës së Këshillit të Ministrave se Franca është një nga anëtarët e Këshillit të Evropës që e njeh Kosovën dhe beson se në të ardhmen Kosova do të jetë pjesë e KiE-së, raporton Euronews dega në Beograd, transmeton RTKlive.

    “Megjithatë, Franca mendon se në këtë drejtim, Kosova ende duhet të kalojë një rrugë të caktuar dhe Franca është në dispozicion për ta shoqëruar Kosovën në atë rrugë”, tha Barrot, duke lënë të nënkuptohet se çështja e Asociacionit është kusht për rrugën tutje të Kosovës për në KiE.

  • ​Zgjedhjet e parakohshme dhe KiE, opozita me kritika e akuza ndaj Kurtit

    ​Zgjedhjet e parakohshme dhe KiE, opozita me kritika e akuza ndaj Kurtit

    Hapjen e temës për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme, opozita e konsideron lojë hileqare të kryeministrit të Kosovës, për ta larguar vëmendjen nga procesi i anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës. Sipas opozitës Qeveria e Kosovës nuk mund të ndikoj në votim pa realizimin e kushtit të vendosur nga Asambleja Parlamentare.

    Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti ka thënë se pa realizmin e kushtit të vendosur nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, deklaratat nga Qeveria Kosovës nuk mund të ndikojnë në votimin pro për anëtarësimin e vendit tonë në KiE.

    “Mendoj që ne nuk mund t’ia hedhim Këshillit të Ministrave për të votuar pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Mendoj që vendimi i Asamblesë Parlamentare ka qenë shumë i shpejtë, në përputhje me zotimet që kanë pasur dhe kushtet që kanë nxjerrë. Tani kemi një kusht për ta realizuar, nëse ai nuk realizohet unë nuk e besoj që me deklarata nga Qeveria e Kosovës ose nga ministrja e Punëve të Jashtme ose nga kryeministri që ia mbushi mendjen Komitetit të ministrave për ta votuar”, potencon Haliti.

    Ndërsa deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj në një prononcim për KosovaPress ka thënë se kryeministri Albin Kurti e ka hapur temën e zgjedhjeve të parakohshme për ta shmangur diskutimin e largimit të Kosovës nga agjenda e Komitetit të Ministrave ku do të mund të votohej për pranimin në këtë organizatë.

    Lekaj kërkon që qeveria Kurti të jap dorëheqje e më pas të bëhet shpërbërja e parlamentit.

    “Zoti Kurti ka hapur një temë për zgjedhjet e parakohshme apo të jashtëzakonshme vetëm për të hequr përqendrimin për atë që nuk po anëtarësohet në Këshillin e Evropës dhe nuk është në agjendë deri më tani. Mendoj që janë lojëra hileqare të zotit Kurti dhe ne nuk guxojmë që të bëjmë këso lojëra. Prandaj, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës prioritet e ka keqqeverisjen e kësaj dhe ne kemi kërkuar si prioritet tonin që ai të shkarkohet apo të jap dorëheqje, pastaj ta bëjmë shpërndarjen e parlamentit”, thotë Lekaj.

    Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës nuk pritet të jetë sot në agjendën e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, ku do të mund të votohej për pranimin e saj në këtë organizatë.

    Ekzekutivi të enjten i ka dërguar letër Këshillit të Evropës për ta njoftuar se është duke përgatitur draft-statutin për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, për ta dorëzuar për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese.

    Pas letrës së dërguar nga Qeveria e Kosovës drejtuar Këshillit të Evropës, për t’i hapur rrugë anëtarësimit të Prishtinës në KiE, në një letër të përbashkët, kancelari gjerman Olaf Scholz, kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni dhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron i drejtohen kryeministrit të Kosovës Albin Kurtit me një përgjigje të prerë duke i thënë se nuk do të pranohet kërkesa, nëse nuk do të ketë asociacion.

    Në letër theksohet se “ekziston një rrezik real që pa progres vendimtar në asociacion, aplikimi i Kosovës në Këshillin e Evropës nuk do të marrë mbështetjen e mjaftueshme nga shtetet anëtare”.

    Ndërkaq edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani nuk është konsultuar dhe dakorduar në lidhje me letrën e zotimit të Qeverisë për hartimin dhe dërgimin e draft-statutit të asociacionit të komunave me shumicë serbe në Gjykatën Kushtetuese.

    Këshilltari për medie në Zyrën e Presidencës, Bekim Kupina kishte thënë për KosovaPress se presidentja Osmani përkrah vetëm qëndrime dhe veprime paraprakisht të konsultuara, të koordinuara dhe të dakorduara me Presidencën./kp

  • Presidentja Vjosa Osmani feston sot ditëlindjen

    Presidentja Vjosa Osmani feston sot ditëlindjen

    Presidentja Vjosa Osmani feston sot ditëlindjen e 42-të. Ajo është presidentja e gjashtë e vendit.

    Osmani është zgjedhur presidente më 4 prill të vitit 2021, pasi më parë ka shërbyer si Kryetare e Kuvendit të Kosovës. Osmani ka qenë deputete e Kuvendit të Kosovës në pesë legjislatura.

    Ajo ka lindur më 17 maj të vitit 1982 në Mitrovicë, ku edhe e ka përfunduar shkollën fillore dhe të mesme. Studimet universitare i ka përfunduar në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës dhe ka magjistruar dhe doktoruar në të drejtën ndërkombëtare në Universitetin e Pitsburgut në Pensilvani, Shtetet e Bashkuara.

    Nga viti 2006 deri në vitin 2010, Osmani ka qenë Shefe e Kabinetit të Presidentit Fatmir Sejdiu dhe Këshilltare e Lartë për Çështje Juridike dhe Ndërkombëtare, si dhe ka përfaqësuar Presidentin në Komisionin që hartoi Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Ajo gjithashtu ka qenë në ekipin që përfaqësoi Kosovën para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në rastin historik në lidhje me shpalljen e pavarësisë së Kosovës.

    Osmani është e martuar me Prindon Sadriun dhe kanë dy vajza binjake Anda Elisa Sadriu dhe Dua Tiara Sadriu. Presidentja Osmani dhe familja e saj jetojnë në Prishtinë.

  • Jakaj nga IKD: Institucionet vazhdojnë të cenojnë përfaqësimin e sindikatave në Bordin e Fondit të Kursimeve Pensionale

    Jakaj nga IKD: Institucionet vazhdojnë të cenojnë përfaqësimin e sindikatave në Bordin e Fondit të Kursimeve Pensionale

    Hulumtues i lartë në Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) Naim Jakaj, ka thënë se janë bërë dhjetë muaj që sindikatave në vend është duke ju cenuar e drejta e përfaqësimit në Bordin Drejtues të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës, raporton Ekonomia Online.

    Sipas tij, ky bord përbëhet nga tetë anëtar dhe në korrik të viti 2023 Kuvendi i Kosovës ka votuar pesë anëtar të këtij Bordi, por duke mos i plotësuar tre pozitat e tjera, në këtë rast duke lënë sindikata pa përfaqësimi në këtë bord.

    Ai tha se arsyetimi për mos plotësimin e kësaj pozitë është se nuk kanë aplikuar mjaftueshëm konditat të cilët i kanë plotësuar kriteret.

    “Sipas Ligjit për Fondet Pensionale të Kosovës, i ndryshuar dhe i plotësuar Bordi përbëhet nga tetë anëtarë, pesë prej tyre janë pozita të cilat janë kryesisht profesionist, një pozitë është që duhet të plotësohet me propozim nga qeveria e Kosovës pa të drejt vote, ndërsa dy të tjera janë njëri përfaqësuese i punëtorëve dhe njëri përfaqësues i bizneseve. Në vitin 2023, Kuvendi i Kosovës ka votuar pesë anëtar të këtij Bordi, por duke mos i plotësuar tre pozitat e tjera. Ne si IKD jemi marr kryesisht me përfaqësuesin e punëtoreve, pozitë e cila nuk është plotësuar sipas arsyetimit të këtij komisioni që përbehet prej Guvernatorit të BQK-së, ministrit të Financave dhe Auditorit të Përgjithshëm. Me arsyen se një pozitë e tillë nuk është plotësuar për shkak që nuk kanë aplikuar mjaftueshëm konditat të cilët i kanë plotësuar kriteret. Rrjedhimisht nuk kanë mundur ti dërgojnë tre persona që të plotësohet kjo pozitë”, ka thënë ai.

    Ai tha se IKD vlerëson se mos shpallja e konkursit për këtë pozitë deri tash, reflekton në rezistencën dhe tentativën e Guvernatorit të BQK-së, Ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve, kryetarin e Komisionit për Buxhet dhe Transfere, që sindikatat të mos kenë përfaqësim të duhur në këtë organ.

    Jakaj ka theksuar se mos plotësimi i një pozitë të tillë tregon një qeverisje të dobët dhe paraqet edhe intensifikim drejt cenimit të aktivitetit sindikal.

    Ai ka thënë se në vendet e BE-së përfaqësimi është i barabartë në këto Borde por që në Kosovë ky përfaqësimi është minimal me një anëtar në raport me shtet e tjerë.

    “Si IKD ne e vlerësojmë këtë qasje të organeve kryesore, veçanërisht institucioneve të pavarura siç është BQK-ja si një qasej tepër të dobët në raport me qeverisjen. E konsiderojmë se të tre organet kryesore, përfshirë kryetarin e Kuvendit edhe kryetarin e Komisionit për Buxhet dhe Transfere që kanë cenuar dhe vazhdojnë ta cenojnë përfaqësimin sindikal ne Fondin e Kursimeve Pensionale. Ky përfaqësim është obligim ligjor në këtë rast i shumicës dhe opozitës që ta ngrejnë këtë çështje në Kuvend dhe ta adresojnë në mënyrë që shkelja e cila është duke vazhduar dhe cenimi i cili është në vazhdimësi duke ndodhur të mos rregullohet dhe adresohte në mënyrë që sindikatat të kanë përfaqësim adekuat dhe të kenë përfaqësim dinjitoz në këtë organ të rëndësishëm. Në të gjitha vendet e BE-së në disa raste përfaqësimi është i barabartë në Kosovë ky përfaqësim është minimal një anëtar në raport me shtet anëtare e tjerë. Një pozitë e tillë nëse nuk plotësohet atëherë kjo është një qeverise e dobët dhe paraqet pastaj edhe intensifikim drejt cenimit të aktivitetit sindikal”, ka thënë ai.

    Jakaj ka thënë se kanë dërguar para dy javëve kërkese tekë Guvernatori, ministri i Financave edhe Auditorja e Përgjithshme, për arsyet e mos plotësimit të kësaj pozite, por që deri tani nuk kanë marr përgjigje.

    “Rrjedhimisht nga korrik 2023 po bëhen gati afërsisht 10 muaj kur kjo pozitë është e lirë dhe sindikata nuk përfaqësohen në këtë organ të rëndësishëm. Si IKD i kemi dërguar para dy jave kërkese edhe Guvernatorit edhe ministrit të Financave edhe Auditorës së Përgjithshme. Në anën tjetër edhe kryetarit të Kuvendit edhe kryetarit të Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere, Armend Muja, se cilat janë arsyet që një pozitë e tillë nuk po shpallët dhe kryetarit të Kuvendit dhe kryetarit të Komisionit për Buxhet se cilat janë veprimet e tyre që një pozitë përgjegjës për të cilët janë edhe këta politikisht nuk plotësohet. Deri më tani ne nuk kemi marr as një përgjigje për këtë çështje që e konsiderojmë një shqetësim të thellë për mungesën e llogaridhënës dhe përgjegjësisë para qytetarëve të Kosovës dhe para organizatave të shoqërisë civile”, ka thënë ai.

  • Fabrikat e propagandës serbe rritin mbështetjen për Moskën

    Fabrikat e propagandës serbe rritin mbështetjen për Moskën

    Ndërsa media serbe rrit mbështetjen për Rusinë në Ballkan, Perëndimi duhet të kundërshtojë dezinformimin e Beogradit.

    Kur Zonja e Parë e Ukrainës Olena Zelenska mbërriti në Beograd më 12 maj, një media e quajti atë “një sinjal të largimit të vendit ballkanik nga Moska”. Një tjetër nxori një përfundim të ngjashëm. Por shumica e serbëve në Ballkan nuk e shohin kështu.

    Presidenti gjithnjë e më autoritar i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është përpjekur të projektojë një imazh neutraliteti ndaj Ukrainës, duke thënë se vendi i tij nuk është “lakeja e asnjërës palë”, ndërsa përpiqet të pozicionohet si një figurë e ngjashme me Titon që është në gjendje të mbajë marrëdhënie miqësore me Perëndimin.

    Për të qetësuar miqtë e tij perëndimorë, ai thuhet se ka dërguar disa “armë vdekjeprurëse” dhe ndihma humanitare në Ukrainë – me sa duket të mjaftueshme për të siguruar që nuk kishte reagim të vogël ndaj veprimeve destabilizuese të regjimit të tij në Kosovë në vitin 2023, ku më shumë kur u plagosën 90 paqeruajtës të NATO-s, dhe sulmin terrorist në Banjska.

    Çfarëdo që Vuçiq t’i thotë Perëndimit, dy vjet pas fillimit të luftës, serbët në të gjithë rajonin e Ballkanit po mbështesin hapur veprimet e Rusisë.

    Një sondazh i Institutit Republikan Ndërkombëtar (IRI) në Ballkanin Perëndimor i publikuar më 14 maj zbuloi se shumica e të anketuarve nga Shqipëria, Kosova, Bosnjë dhe Hercegovina, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut dënojnë agresionin rus në Ukrainë, ndërsa 49% e serbëve i shohin ata si “ i justifikuar”.

    Një numër i konsiderueshëm i serbëve mbështetën gjithashtu veprimet e Rusisë në Mal të Zi (31%) dhe Bosnjë dhe Hercegovinë (27%). Rreth 29% e malazezëve e identifikuan veten si serbë në regjistrimin e vitit 2011, ndërsa në Bosnjë dhe Hercegovinë, 31% janë serbë, sipas një vlerësimi të vitit 2013.

    Pikëpamjet e tyre i bëjnë jehonë atyre të kanaleve serbe të lajmeve me lidhje të ngushta me regjimin e Vuçiqit, të cilat shpesh transmetojnë propagandë pro-Kremlinit në vende me popullsi të konsiderueshme serbe.

    Narrativat antiperëndimore gjejnë terren pjellor mes serbëve, shumë prej të cilëve besojnë se ndërhyrjet ushtarake të NATO-s në Bosnjë dhe Hercegovinë në 1995 dhe në Kosovë në 1999 ishin të pajustifikuara.

    Ndonjëherë, kur mbron Kremlinin, Vuçiqi e krahason pushtimin rus të Ukrainës me bombardimin e NATO-s ndaj caqeve serbe gjatë Luftës së Kosovës, megjithëse ka dallime.

    Mbështetja e qartë për njërën nga dy anët e luftës ruso-ukrainase është gjithashtu një reflektim i rajonit të Ballkanit Perëndimor. Shqiptarët dhe kosovarët mbështesin në masë dërrmuese Ukrainën, ndërsa mbështetja e qartë për Kievin është më e heshtur në Bosnje dhe Hercegovinë, Mal të Zi dhe Maqedoninë e Veriut. Në Serbi është minimale (4%).

    Një pjesë e konsiderueshme e serbëve (54%) janë në mënyrë eksplicite në anën e Rusisë, duke reflektuar lidhjet e qëndrueshme midis Beogradit dhe Moskës. Përveç kësaj, Moska mbështetet nga një pakicë e konsiderueshme malazeze (26%), boshnjakë (26%) dhe maqedonas (19%).

    Rusia nuk ka ndikimin ekonomik të Bashkimit Evropian (BE) dhe Kinës në Ballkanin Perëndimor, por Gazprom dhe Lukoil vazhdojnë të ushtrojnë kontroll të rëndësishëm mbi sektorin e energjisë në Serbi, Bosnjë dhe Hercegovinë dhe Maqedoninë e Veriut. Elitat ruse zotërojnë gjithashtu rreth një të tretën e jahteve të regjistruara në Malin e Zi, me bregdetin e tij Adriatik, dhe pothuajse 40% të pasurive të paluajtshme.

    Arsyeja më e dukshme që Kremlini është në favor të serbëve është fakti se elitat ballkanike si Vuçiqi (Serbi), Milorad Dodik (lideri i serbëve të Bosnjës) dhe Andrija Mandiq (Kryetar i Parlamentit të Malit të Zi) kanë marrëdhënie të ngushta me Kremlinin, i mbështetur nga mediat lokale dhe ruse dhe nga Kisha Ortodokse serbe. Këto lidhje shërbejnë si kanale për narrativat ruse dhe formësojnë opinionin publik dhe pozicionet politike në rajon.

    Ndërsa shtetet perëndimore ndalojnë kanalet propagandistike të Moskës, Serbia e ka mirëpritur Rusinë, duke e lejuar atë jo vetëm të vazhdojë luftën e saj të informacionit nga zyra e Sputnik Serbisë në Beograd, por edhe duke hapur RT Balkan, e cila ka zgjeruar operacionet e dezinformimit rus.

    Të dy kanalet ofrojnë lajme në serbisht, duke lejuar Kremlinin të arrijë një audiencë të gjerë në të gjithë Ballkanin. Sputnik Serbia gjithashtu punon ngushtë me mediat lokale duke u ofruar atyre propagandë të bërë nga Kremlini.

    Ndërsa Serbia i ka ofruar njëfarë ndihme Ukrainës, regjimi ka refuzuar të vendosë sanksione kundër Rusisë, sepse, Vuçiqi tha, “Një mik në nevojë është një mik i vërtetë”. Ai i ka shitur Moskës teknologji ushtarake me përdorim të dyfishtë dhe ka hapur dyert e Serbisë për një numër të konsiderueshëm kompanish ruse, duke krijuar mundësi për të anashkaluar sanksionet perëndimore.

    Nëse Perëndimi dëshiron të luftojë dezinformimin rus në Ballkan, ai duhet të përballet me epiqendrën e tij: Beogradin, ku janë të bazuara shumë prej organizatave mediatike serbe që papagallëzojnë propagandën e Kremlinit.

    Luftimi i mediave të lidhura me Kremlinin është gjithashtu i rëndësishëm sepse Rusia po nxit ndjenjat secesioniste mes serbëve në Republikën Srpska dhe në Kosovën veriore, të cilat përbëjnë një kërcënim për stabilitetin rajonal. Një raport i shkurtit nga Zyra e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare të SHBA-së theksoi potencialin për përshkallëzimin e konfliktit në rajon.

    Një përshkallëzim i tillë jo vetëm që do të ndikonte në Ballkan, por do të kishte edhe pasoja të rënda për Ukrainën, pasi Perëndimi ka kapacitet të kufizuar për t’iu përgjigjur krizave dhe luftërave të mëtejshme. /Cepa

  • ​“Kosova duhet të hyjë në KiE”- Gjermania apel Prishtinës për Asocacionin

    ​“Kosova duhet të hyjë në KiE”- Gjermania apel Prishtinës për Asocacionin

    Berlini pret që Kosova të dërgojë në Gjykatën Kushtetuese draft-statutin e emisarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, si parakusht për anëtarësim në Këshillin e Evropës (KiE).

    Ministrja gjermane e Punëve të Jashtme, Annalena Baerbock, gjatë një fjalimi në Bundestag me rastin e 75-vjetorit të themelimit të Këshillit të Evropës, apeloi te Kosova që të bëjë çfarë është e mundur për t’u anëtarësuar në KiE. “Kosova duhet të hyjë në Këshillin e Evropës,” tha Baerbock. “U bëjmë thirrje të gjitha palëve të përfshira dhe atyre që janë përgjegjës në Kosovë të bëjnë gjithçka që është e mundur për të siguruar që të arrijmë shumicën e nevojshme për anëtarësimin sa më të shpejtë.”

    Edhe Frank Schwabe, kryetar i delegacionit gjerman në Këshillin e Evropës: “Kosova duhet të bëjë gjithçka që mundet për të luajtur një rol në këtë, dhe këtë e ka bërë edhe përmes një letre dërguar për çështjen e pakicave serbe dhe Asociacionit të Komunave,” tha ai. Por deputeti socialdemokrat i dha si porosi ministres para nisjes për në Strasburg, ku do të merrte pjesë në Ministerialin vjetor, që të mos harrojë rezultatin e votimit në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës: “Më shumë se 80% e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës votuan në favor të pranimit të Kosovës. Partia Socialdemokrate dhe partitë e koalicionit qeveritar e mbështesin këtë anëtarësim, prandaj Kosova duhet të bëhet anëtarja e 47-të e Këshillit të Evropës.”

    Knut Abraham, nga CDU/CSU-ja në opozitë, e kritikoi në seancën e Bundestagut stafin e kancelarit Olaf Scholz për këtë qëndrim: “Nuk e kuptoj pse skeptikët në Kancelarinë Federale nuk e kuptojnë se kjo është një mundësi historike,” tha ish-diplomati, i cili, para se të bëhej deputet, kishte punuar më parë në Kancelarinë Federale (në kohën e Angela Merkelit). “Nëse flitet për stabilizimin e Ballkanit Perëndimor, tani është koha, tani duhet të merret edhe vendimi përfundimtar për pranimin e Kosovës në KiE.”

    Abraham sugjeroi që të mblidhet sërish Komiteti i Ministrave të Jashtëm në një seancë të posaçme, tani që Kosova është treguar e gatshme të dërgojë draft-statutin për Asociacionin në Gjykatën Kushtetuese. “Ky është një moment historik. Dhe qeveria e Kosovës ka bërë një hap shumë të rëndësishëm.”

    Një muaj më parë, pranimi i Kosovës në Këshillin e Evropës, organizata më e rëndësishme ndërshtetërore evropiane për të drejtat e njeriut, dukej i arritshëm. Me një shumicë mbresëlënëse prej mbi 82 përqind, deputetët në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës në Strasburg votuan për pranimin e shtetit më të ri evropian si anëtarin e 47-të. Ky vendim pasoi rekomandimin e ish-ministres së Jashtme greke Dora Bakojanis, e cila më parë kishte shqyrtuar përshtatshmërinë e Kosovës si raportuese.

    Kosova, e cila shpalli pavarësinë nga Serbia, është njohur zyrtarisht nga 116 vende, ndër ta 34 nga 46 anëtarët e Këshillit të Evropës. /Euronews.al/

  • U arratis nga burgu, policia e gjen dhe e arreston

    U arratis nga burgu, policia e gjen dhe e arreston

    Një person është arrestuar në Gjilan pasi siç bën të ditur policia në raport, ishte arratisur nga burgu.

    “Më 16.05.2024 njësitet policore kanë arritur ta arrestojnë të dyshuarin mashkull kosovar i cili ishte në arrati. Gjatë kohës sa ka qenë në arrati ndaj të dyshuarit janë iniciuar dy raste për kanosje ndaj dy viktimave kosovarë”, thotë tutje policia.

    Gjatë kontrollit tek i dyshuari janë gjetur në posedim dhe konfiskuar 38.92 gr. substancë e dyshuar narkotike e llojit hashash, për qka dhe është hapur rast i veçantë. I dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.