ATV

Category: Lajme

  • Presidenca: Qeveria nuk është konsultuar me presidenten Osmani për letrën që e dërgoi në KiE

    Presidenca: Qeveria nuk është konsultuar me presidenten Osmani për letrën që e dërgoi në KiE

    Presidenca ka dalë me një reagim ku thuhet se letra e djeshme e Qeverisë së Kosovës dërguar në KiE, nuk është konsultuar dhe dakorduar me presidenten Vjosa Osmani.

    Në deklaratën që ka lëshuar këshilltari për media në presidencë, Bekim Kupina, thuhet se çdo derivat i letrës së zotimeve të nënshkruar nga tri institucionet duhet paraprakisht të koordinohet dhe miratohet nga po këto tri institucione.

    “Presidentja Osmani përkrahë vetëm qëndrime dhe veprime paraprakisht të konsultuara, të koordinuara dhe të dakorduara me institucionin e Presidencës si institucion kushtetues me kompetenca të qarta në fushën e politikës së jashtme dhe si gardian i funksionimit kushtetues të institucioneve. Kjo letër nuk është e tillë. Mund të jetë konsultuar e koordinuar me individë jashtë institucioneve që sot e kanë publikuar këtë letër, por jo me Presidencën. Çdo derivat i letrës së zotimeve të nënshkruar nga tri institucionet duhet paraprakisht po ashtu të koordinohet dhe miratohet nga po këto tri institucione. Presidentja Osmani gjatë gjithë ditës po vazhdon konsultimet me aleatët rreth çështjes së anëtarësimit në Këshill të Evropës, ashtu siç ka bërë për një kohë të gjatë, me qëllim të zhbllokimit të këtij procesi. Rrjedhimisht, Presidentja Osmani do ta mbështesë çdo veprim në drejtim të realizimit të këtij synimi, në përputhje të plotë me interesat shtetërore dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Prandaj edhe po bën përpjekje që shtetet anëtare të binden që sa më parë që të jetë e mundur të thirret një seancë e jashtëzakonshme ku do të votohet pro anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë”, thuhet në reagim.

    Ndryshe, ministrja për Punë të Jashtme dhe Diasporë e Kosovës, Donika Gërvalla, tha sot se Kosova është në fazën e zotimit për hartimin e një draft-statuti për themelimin e Asociacionin e komunave me shumicë serbe, e jo në një fazë të avancuar.

  • Aktakuzë kundër dy personave për krime lufte kundër popullatës civile

    Aktakuzë kundër dy personave për krime lufte kundër popullatës civile

    Prokuroria Speciale njofton opinionin publik se të pandehurit, Z.K dhe D.K., gjatë kohës se luftës në Kosovë, në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të policisë, ushtrisë dhe paramilitarë serb, të veshur me uniformë të policisë dhe të armatosur, me vetëdije dhe qëllim, duke vepruar sipas planit dhe urdhrave të eprorëve të tyre, kanë marrë pjesë direkt në sulmin kundër popullsisë civile të nacionalitetit shqiptarë.

    Më këtë në bashkëkryerje Z.K dhe D.K., kanë kryer veprën penale ‘’Krime lufte kundër popullatës civile’’ nga neni 142 lidhur me nenin 22 të LP të RSFJ-së, të paraparë edhe me Kodin Penal të Republikës së Kosovës, Krimet e luftës në shkelje të rëndë të nenit 3 të përbashkët të Konventave të Gjenevës nga neni 146 paragrafi 1 dhe 2 nën paragrafi 2.1, 2.2 dhe 2.3 të KPRK-së, ndërlidhur me nenin 31 të KPRK-së.

    Dy të akuzuarit nga shtatori i vitit 2023, gjenden në masën e paraburgimit.

  • KQZ-ja vendos për asgjësimin e regjistrimit të kamerave dhe materialit zgjedhor të 21 prillit

    KQZ-ja vendos për asgjësimin e regjistrimit të kamerave dhe materialit zgjedhor të 21 prillit

    Materiali zgjedhor i përdorur dhe papërdorur në procesin e votimit për apo kundër largimit të kryetarëve nga funksioni në komunat Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut, do të shkatërrohet së shpejti, këtë vendim KQZ-ja e mori në mbledhjen e së enjtes, raporton EO.

    Në materialet zgjedhore që do të asgjësohen u tha se bëjnë pjesë fletëvotimet, formularët e rezultateve dhe listat e votuesve.

    Gjithashtu, në kuadër të kësaj, KQZ-ja do të shkatërrojë edhe regjistrimet e kamerave të cilat kanë qenë të vendosura në vendvotimet e këtyre komunave gjatë votimit të 21 prillit në komunat veriore.

    Ndërsa, një pjesë e tyre do të arkivohen si material që i ndihmon KQZ-së. Në vazhdim të mbledhjes, KQZ-ja mori vendim edhe për regjistrimin e partisë politike “Za Slobodu Pravdu i Opstanak”.

  • Krasniqi takohet me Hovenierin: E njoftova me arsyet e kërkesës sonë për zgjedhje të parakohshme

    Krasniqi takohet me Hovenierin: E njoftova me arsyet e kërkesës sonë për zgjedhje të parakohshme

    Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, është takuar sot me ambasadorin e ShBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier.

    Krasniqi tha se me Hovenierin folën për zhvillimet e fundit në vend, teksa bëri të ditur se ambasadorin amerikan e njoftoi edhe me qëndrimet e PDK-së.

    “Ambasadorin Hovenier e njoftova me qëndrimet e PDK-së rreth këtyre zhvillimeve dhe me arsyet e kërkesës tonë për zgjedhje të parakohshme. Ne besojmë se vendi është në stagnim të plotë dhe ata që po e pësojnë më së shumti janë qytetarët tanë”, shkroi Krasniqi.

  • Kosova jashtë agjendës, Ahmeti: Komiteti i Ministrave nesër mund ta vendosë një datë tjetër për anëtarësimin në KiE

    Kosova jashtë agjendës, Ahmeti: Komiteti i Ministrave nesër mund ta vendosë një datë tjetër për anëtarësimin në KiE

    Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Kreshnik Ahmeti tha se për letrën që Kosova e dërgoi dje në Strasburg, përmes së cilës tha se po e harton një draft-statut të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, janë njoftuar shtetet partnere.

    Ahmeti tha se “letra nuk është publikuar pa u dërguar nëpërmjet kanaleve zyrtare, pra fillimisht është dërgu në kanalet zyrtare”. Me këtë letër, Qeveria synon që në momentin e fundit të mos e lë të ikë mundësinë për anëtarësimin e vendit në KiE këtë muaj.

    Ndërsa çështja e Kosovës nuk është futur në rend dite të takimit të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Europës, Ahmeti tha se ata mund të vendosin një datë të re për anëtarësimin.

    “Në rast se nuk ka gatishmëri politike dhe vullnet që të ndryshohet agjenda në këtë periudhë që ka mbetur për nesër, sigurisht që ministeriali nesër mund ta vendosë një datë të radhës se kur do të mund të bëhej kjo gjë dhe të përfundohet. Dhe kjo do të ishte një shenjë e qartë e ecjes përpara në mënyrë që ecim edhe ne me propozimin tonë”, tha Ahmeti në një konferencë të përbashkët për media me kryediplomaten Donika Gërvalla.

  • ​Komuna e Deçanit miraton planin zhvillimor komunal

    ​Komuna e Deçanit miraton planin zhvillimor komunal

    Kuvendi Komunal i Deçanit ka miratuar sot propozim-vendimin për organizimin e planit zhvillimor komunal 2023-2032, me 21 vota pro dhe dy abstenime.

    Drejtori i Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor, Ramë Melaj, tha se ky proces tregon përkushtimin ndaj zhvillimit të qëndrueshëm dhe mbrojtjes së mjedisit në komunën e Deçanit.

    “Pas një pune shumë të madhe që është bëre nga e gjithë ekzekutivi kemi arritur që draftin e PZHKS ta dërgojmë në ministri dhe të aprovohet nga ministria që të bëhet shqyrtimi publik i këtij dokumenti, do të thotë për të vazhduar tutje për t’u finalizuar dhe të hyjë në fuqi ky dokument. Këto janë hapat ligjorë të bazuar në udhëzimin administrativ të cilat parashihen me lidhin e planifikimit duhet që asambleja komunale të marr vendim për hapjen e shqyrtimit publik të këtij dokumenti, pas marrjes së vendimit nga asambleja duhet të merret konfirmimi ligjorë që jemi në rregull me ligjin dhe atëherë kemi 30 ditë afat që të bëhet shqyrtimi publik. Secili nga ju gjatë kësaj periudhe 30 ditore mund të jap komentet e juaja, propozimet e juaja ku ne si drejtori që jemi përgjegjës për këtë dokument e kemi personin përgjegjës, i cili të gjitha të dhënat që ju i bini apo interesin që e shihni për zhvillimin apo ndryshimin e këtij drafti i marrim dhe e krijojmë një raport. Ai raport duhet patjetër të kalojë në ministri (MMPHI) dhe të aprovohet si i tillë dhe pastaj vjen nga ministria një vendim që dokumenti është në rregull dhe ne duhet edhe një herë që ta votojmë që të jetë ai dokument në fuqi”, ka sqaruar Melaj.

    Rifat Stojkaj, drejtori për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural theksoi se në planin zhvillimor janë inkorporuar sugjerimet dhe nevojat e fermerëve, duke përfshirë dy projekte kapitale që shërbejnë si investime në infrastrukturë për të rritur prodhimin bujqësor dhe menaxhuar ujin në tokat bujqësore.

    Projekti parashikon ndërtimin e 52 kilometrave të kanaleve të ujit për të furnizuar ujë mjaftueshëm për tokat bujqësore, duke mbuluar mbi 95% të pronave bujqësore. Përveç kësaj, Stojkaj tha se janë punuar në rritjen e fermave blegtorale dhe shtimit të efikasitetit dhe prodhimit.

    “Sa i përket pjesës së bujqësisë, personalisht kanë qenë në vizita për katër vjet, ku 200 fermerë me të cilët, me të gjitha sfidat e tyre kanë kaluar këtu, janë bërë programe. Kemi mbajtur dy debate publike, kemi mbajtur takime me ekspertë në forume të ndryshme dhe të gjithë kanë qenë pjesë që janë futur dhe janë inkorporuar në këtë plan zhvillimor. Dua të përmend dy projekte kapitale që janë në komunën tonë, por njëkohësisht që u shërbejnë fermerëve që janë pjesë programore e këtij plani që janë pendat akumuluese përmes të cilëve synohet që të gjithat tokat bujqësore të kenë ujë të mjaftueshëm për t’i ujitur ato toka, pastaj parashihen rreth 52 kilometra kanale të ujitjes të investohen dhe të betonohen gjatë kësaj periudhe, ku parashihet mbi 95 për qind e pronave bujqësore të kenë ujë të mjaftueshëm për fermerët tanë. Është punuar edhe në segmentin blegtoral duke i rritur fermat, duke e rritur numrin e krerëve për qumështore, të rritet numri i serave, të ndihmohen fermerët me mekanizma, të krijohen depot dhe frigoriferët për konservimin dhe përpunimin e produkteve bujqësore”, tha ai.

    Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, nënvizoi rëndësinë e planit zhvillimor komunal si një dokument i rëndësishëm. Ai theksoi nevojën për përmirësime në dokument, veçanërisht në aspektin e planifikimit hapësinor dhe zhvillim të parcelave të deklaruara si zona me interes të veçantë për komunën.

    “Plani zhvillimor komunal është i rëndësishëm si dokument. Kjo nuk ka koment, por dua të tregoj një ecje shumë të zorshme drejt këtij plani, për shkak se koncepti që kemi ngritur si komunë nuk ka qenë krejt në përputhje me konceptet ose normat ligjore në objektivat që ka shteti, sidomos me parkun nacional dhe derisa nuk është krejt i qartë, nuk ka pasur asnjë udhëzues administrativ, nuk ka ndonjë plan hapësinor, na ka bërë të pamundur që të kalojmë në kundërthënie këtë plan zhvillimor komunal dhe na është dashur me këmbëngulje në një rrugëtim që ky dokument të na kthehet më shumë se shtatë, tetë herë derisa është harmanizuar me këto norma ligjore dhe derisa kanë bërë ndryshime, siç është plani hapësinor ose siç është mundësia për me na jep të drejtën për të bërë plan rregullues në ato parcela që i kemi shpallur zona me interes të veçanta për komunën”, tha ai.

  • Kuvendi nuk voton sërish Projektligjin për shëndetin riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor

    Kuvendi nuk voton sërish Projektligjin për shëndetin riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor

    Deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk kanë arritur as sot të votojnë pro Projektligjit për shëndetin riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor.

    Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka thënë se nuk pati kuorum për votimin e kësaj pike dhe ajo është shtyrë për seancën tjetër.

    “Nuk kem i mundësi ta trajtojmë çështjen më tutje, amendamenti 4 qe ti trajtojmë amendamentet tjera, mbetet për një seancë tjetër edhe kjo”, ka thënë Konjufca.

    Kjo pikë e rendit të ditës së sotshme nuk ka pasur kuorum edhe disa herë të tjera.

  • ​Samiti në Kotor, Vuçiq: Nuk do të jemi në BE para Ukrainës, do të duhet të presim edhe gjashtë vjet

    ​Samiti në Kotor, Vuçiq: Nuk do të jemi në BE para Ukrainës, do të duhet të presim edhe gjashtë vjet

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka thënë se ‘e di që askush nga ne nuk do të jetë pjesë e BE-së përpara Ukrainës’. Vuçiq në Samitin e Vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së ku po diskutohet Plani i rritjes për Ballkanin Perëndimor theksoi se ‘kur dhe nëse do të hyjmë së bashku me Ukrainën është një problem tjetër’.

    Vuçiq shtoi se kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama e hapi temën se a do të jenë pjesë e Bashkimit Evropian.

    “Dhe vetëm një gjë për publikun këtu sepse Edi e hapi atë temë nëse do të jemi pjesë e Bashkimit Evropian apo jo, unë e di që nuk do të jemi pjesë e Evropës, asnjë prej nesh para se Ukraina të hyjë në Bashkimin Evropian. A do të mund të hyjmë në Bashkimin Evropian së bashku me Ukrainën apo jo, kjo është çështje tjetër dhe ju mund të thoni çfarë të doni, po ju them, inteligjenca ime po më thotë se kam të drejtë dhe nuk ka të bëjë me inteligjencën time, është për diçka që po ndodh, që do të thotë se ne do të duhet të presim edhe gjashtë vite të tjera, gjë që është gjithashtu në rregull. Ju jeni diku shumë popullor në vendin tim, Bashkimi Evropian nuk është aq popullor, ne nuk jemi aq të njohur, edhe pse ne jemi pjesa më e madhe e këtij rajoni dhe gjithsesi, kjo është diçka që do të na afrojë me Bashkimin Evropian dhe për këtë arsye jo vetëm që nuk do të mohoj rëndësinë e kësaj lloj nisme, por po e përgëzoj dhe po them edhe një herë shumë faleminderit të gjithëve që na mbështetët dhe që jeni kaq ndihmues”, theksoi ai.

    Në Samitin e Kotorit po merr pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

  • Ministrja Gërvalla s’e sheh të vonuar dërgimin e draft-statutit në KiE

    Ministrja Gërvalla s’e sheh të vonuar dërgimin e draft-statutit në KiE

    Kryediplomatja Donika Gërvalla po pretendon që vendimi i Qeverisë së Kosovës për dërgimin draft-statutit të Asociacionit në Këshill të Evropës nuk është i vonuar.

    Ani se Kosova ka mbetur jashtë agjendës për votimin e aplikimit të saj nga Komiteti i Ministrave në KiE, Gërvalla tha se po të ishte i vonuar, do ishte dërguar më herët.

    “Po të konsideronim që është i vonuar, do ta kishim dërguar më herët, nuk do e kishim dërguar sot. Sa i përket komenteve të opozitës, t’ju them të drejtën s’i kam lexuar sepse kam qenë në Kuvend. Dhe pse jo, paraprakisht, dua të ruaj procesin dhe nuk do të bisedojmë sot as rreth partnerëve që na përkrahin, as rreth sigurimit të përkrahjes”, tha Gërvalla në një konferencë për media.

    Gërvalla e bëri me dije se “ky nuk është një hap i lehtë për Qeverinë e Kosovës”.

    “Kemi shprehur me shumë seriozitet vullnetin tonë për të kontribuuar në mënyrë konstruktive, ky hap nuk është i lehtë për qeverinë e Kosovës, dhe presim cili do të jetë reagimi dhe ky zotim të merret seriozisht”, tha ajo.

    “Kryeministri ka pasur para pak ditësh një konferencë  të gjatë për media ku ka shpjeguar ku një draft i caktuar nuk mund të dërgohet në Gjykatë Kushtetuese, prandaj në momentin qe dokumenti do dërgohej ne Kushtetuese natyrisht qe do ta kishte ndërruar trajtën e tij”, u shpreh ajo.

  • Hamza falënderon deputetët që votuan miratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare

    Hamza falënderon deputetët që votuan miratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare

    Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për kryeministër, Bedri Hamza tha se sot, deputetët e të gjitha partive i votuan marrëveshjet ndërkombëtare, të cilat kanë ndikim konkret në përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve tanë.

    Hamza ka shtuar se përmirësimi i mirëqenies së qytetarëve dhe interesi i vendit, ka qenë, është dhe do të mbetet misioni im i përhershëm në politikë.

    “Qytetarët e Kosovës meritojnë të jetojnë shumë më mirë. Sot, deputetët e të gjitha partive i votuan marrëveshjet ndërkombëtare, të cilat kanë ndikim konkret në përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve tanë. I falënderoj deputetët që votuan për miratimin e këtyre marrëveshjeve. Personalisht, jam mirënjohës dhe falënderues ndaj të gjithëve.

    Këto marrëveshje ndërkombëtare mund t’i sjellin Kosovës përfitime me miliona euro vetëm me dinamikën e punës që do ta krijojmë me qeverisjen e re.

    Kjo ka qenë gjithmonë bindja ime dhe është qëndrimi im i shprehur së fundmi edhe publikisht më 4 prill.

    Përmirësimi i mirëqenies së qytetarëve dhe interesi i vendit, ka qenë, është dhe do të mbetet misioni im i përhershëm në politikë”, ka thënë Hamza.