ATV

Category: Lajme

  • Deri të premten pasdite, Prishtina ka të regjistruar rreth 250 mijë banorë

    Deri të premten pasdite, Prishtina ka të regjistruar rreth 250 mijë banorë

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Rreth 50 mijë banorë më shumë rezulton t’i ketë Prishtina tani, sesa 13 vjet më parë kur u bë regjistrimi i popullsisë.

    Kështu të paktën bëhet e ditur në të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në ditën e fundit të procesit të regjistrimit, ku figurojnë të regjistruar rreth 250 mijë qytetarë.

    Mirëpo, shifra aktuale befasoi udhëheqësinë e Komunës së Prishtinës, pasi ajo priti numër më të lartë të banorëve.

    “Kemi pritë që numri i banorëve të jetë më i madh, sepse ne jemi këtu çdo ditë edhe e shohim çfarë numri të makinave, të mbeturinave edhe sa numër të banorëve kemi në përgjithësi, andaj pritjet kanë qenë më të larta. Një gjë që ka ndodhë është se shumë prej rezidentëve që jetojnë në Prishtinë gjatë javës e shkojnë në vikend në vendlindje, janë regjistruar në vendlindje dhe ky është një gabim”, tha nënkryetari i Prishtinës, Alban Zogaj.

    Të njëjtin mendim ka edhe demografi Besim Gllopeni, teksa shton se këtu ka ndikuar edhe ikja e qytetarëve në vendet perëndimore.

    “Shumica e qytetarëve që vijnë nga komunat e tjera akoma nuk janë regjistruar si qytetarë të Prishtinës dhe kjo natyrisht që ka efekte shumëdimensionale, si për qytetarët ashtu edhe për institucionin. Prishtina sillet rreth 250 mijë banorë, kjo edhe për faktin që numri i popullsisë gjithmonë po shkon duke rënë për shkak të faktorëve mekanikë që janë migrimet”, tha Gllopeni.

    Sidoqoftë, nga komuna thonë se do të penalizohen përsëri, veçanërisht tek ndarja e buxhetit për komuna.

    “Penalizimi në fakt është me miliona euro, kështu që ke edhe arsimtar sa mundemi me angazhu, edhe mjek edhe punëtor të ndërmarrjeve publike e administratës të gjitha na varen nga regjistrimi i popullsisë”, tha nënkryetari i Prishtinës, Alban Zogaj.

    Sipas regjistrimit të 2011-tës, Prishtina kishte 198.897 banorë të regjistruar.

  • “Mundësi e humbur, Kosova nuk anëtarësohet në Këshillin e Evropës edhe një vit”

    “Mundësi e humbur, Kosova nuk anëtarësohet në Këshillin e Evropës edhe një vit”

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës, dukej si punë e kryer derisa nuk u kushtëzua me Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Teksa nuk ishte as në agjendë këtë të premte, Ministrat e Jashtëm të Këshillit të Evropës, nuk morën as vendim për thirrjen e një mbledhjeje të jashtëzakonshme.

    Njohës të procesit, vlerësojnë se një mundësi tjetër zor që do të vijë brenda këtij viti.

    “Në raport me Kosovën, përkundër asaj që i ka plotësuar të gjitha kriteret siç e ka vërtetuar edhe Asambleja Parlamentare tani e kemi edhe një kusht nga trupi vendimmarrës e që është dërgimi i draftit në gjykatën kushtetuese. Qëndrimet i kemi pa, kryeministri Kurti ka qëndrim të prerë që nuk mund të kërkohet vetëm Asociacioni, por pakoja në tërësi që i bie marrëveshja e Brukselit, marrëveshja e Ohrit dhe drafti i Asociacionit. Serbia, në anën tjetër, çdo ditë dëshmon se nuk dëshiron t’i zbatojë këto marrëveshje, prandaj unë nuk pres lëvizje pozitive në këtë drejtim”, tha Taulant Kryeziu, njohës i integrimeve evropiane.

    Kryeziu nuk pret që ekzekutivi të bëjë lëvizje drejt formimit të Asociacionit para zgjedhjeve.

    Për Valon Murtezajn, profesor i diplomacisë në Paris, mosanëtarësimi i Kosovës në Këshill të Evropës është fakt i dhimbshëm.

    “Kjo është një mundësi e humbur, e dhimbshme për dy palët, edhe për Republikën e Kosovës edhe për Bashkimin Evropian. Qytetarët e Kosovës e meritojnë ta kenë një mundësi që të sigurohen se të drejtat e tyre nuk po shkelen, por kjo mundësi sot u mohua. Ajo çka mbetet në muajt e ardhshëm është që të krijohet edhe një mundësi tjetër që ky komitet i ministrave që është instanca më vendimmarrëse për anëtarësim të mblidhet por kjo është shumë e vështirë dhe aspak e thjeshtë”, tha Murtezaj.

    Ish-zëvendësministri i punëve të jashtme, thotë se Asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk duhet të ndërlidhet vetëm me anëtarësimin në një organizatë.

    “Qëndrimi i Kosovës sa i përket Asociacionit, nuk duhet të ndërlidhet vetëm me një anëtarësim në një organizatë ndërkombëtare, por duhet të jetë qëndrim stabil në përgjithësi dhe në relacion me faktorin ndërkombëtar dhe situatën e brendshme të Kosovës. Kosova duhet të vendosë se a dëshiron ta formojë Asociacionin ose jo”, tha Murtezaj.

    Ndryshe, në lidhje me zhvillimet e fundit rreth anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, kryeministri Albin Kurti nuk është deklaruar gjatë ditës, pavarësisht tentimit të gazetarëve.

  • 160 çerdhe të premtuara, vetëm nëntë të finalizuara

    160 çerdhe të premtuara, vetëm nëntë të finalizuara

    Përgatiti: Pranvera Kraniqi

    Që nga viti 2021 kur u premtuan 160 çerdhe, vetëm 9 prej tyre janë finalizuar, kurse 35 të tjera janë në ndërtim e sipër.

    Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, fajin për mosndërtimin e çerdheve të reja ua hodhi komunave.

    “U kam dërguar sot një ftesë për bashkëpunim, atë shkresë i kam ftuar drejtoritë përkatëse që të bashkëpunojnë për ndërtimin e çerdheve…”, tha Nagavci.
    Njësoj si Nagavci edhe zëvendësi i saj, Taulant Kelmendi, tha se Komunat duhet të ndajnë parcela, për ndërtimin e çerdheve.

    Mirëpo, sipas njohësit të arsimit, Argjend Osmani, komunat nuk janë fajtore për mosndërtimin e çerdheve. Sipas tyre, ka munguar vullneti i nivelit qendror të merret me këtë çështje.

    “Kjo qeveri ka dhënë numra mbresëlënës, por me punë askund, vetëm po merren me meremetime, nuk mund ta hedhë topin askund tjetër, përveç në oborrin e vet, sikur të ishin serioz në punën që bëjnë, do ishte më mirë, nuk ka qenë e gatshme ta menaxhojë këtë fushë”, tha Osmani.

    Aktualisht, Ministria e Arsimit është duke i shqyrtuar 5 kërkesa për ndërtimin e çerdheve, në Prizren, Suharekë, Ferizaj, Gjilan e Junik.

  • “Inatet” mes kryeministrit dhe presidentes

    “Inatet” mes kryeministrit dhe presidentes

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Për letrën që ministrja Donika Gërvalla ia dërgoi Këshillit të Evropës, për hartimin e një draft-statuti të ri për asociacionin para fundit të muajit, presidentja Vjosa Osmani të enjten u njoftua nga mediat.

    Për njohësit politikë, moskonsultimi ndërmjet liderëve të institucioneve, po vlerësohet si i qëllimshëm dhe me prapavijë e cila buron kohë më parë.

    “Mosnjoftimi i Presidentes rreth letrës ma shumë më duke si xhelozi e kryeministrit në adresë të Presidentes, sepse ne e kemi dëgjuar z. Escobar, i cili ka thënë se Presidentja Osmani është garantuesja e raporteve mes Kosovës dhe SHBA-së. Me këtë veprim, Kurti ka menduar se do të marrë përgjigje pozitive…”, tha Fidan Ukaj, njohës i politikës.

    Madje, sipas njohësit të marrëdhënieve diplomatike, Arbnor Sadiku, mosdakordimi me Presidenten Vjosa Osmani, për dërgimin e letrës në Këshillin e Evropës, është mesazh përçarjeje ndërmjet Qeverisë e Presidencës.

    “Mospasja e raporteve të mira mes presidentes dhe udhëheqëses së Listës Guxo sigurisht mund të ketë përçarje…”, tha Sadiku.

    Vetëm një ditë para takimit të Këshillit të Ministrave në Strasburg, Qeveria i dërgoi letër të re zotimi Këshillit të Evropës, për hartimin e një draft-statuti të ri për Asociacionin para fundit të muajit.

  • ​Ministria e Mbrojtjes shpall konkurs për pranim të kadetëve

    ​Ministria e Mbrojtjes shpall konkurs për pranim të kadetëve

    Ministria e Mbrojtjes shpall konkurs për vitin akademik 2024/2025 për pranim të kadetëve të FSK-së nga data 3 qershor deri më 17 qershor 2024.

    Kadetët e pranuar do të studiojnë në Qendrën për Studime Universitare e FSK-së – Universiteti Amerikan në Kosovë; Republika e Shqipërisë/Akademia Ushtarake – Teknologji Informative në fushën e mbrojtjes, Marrëdhënie Ndërkombëtare në fushën e mbrojtjes, Shkenca Komunikimi në fushën e mbrojtjes; Republika e Turqisë – Akademia Ushtarake Tokësore dhe Akademia Ushtarake Mjekësore; Republika e Kroacisë- Akademia Ushtarake/Universiteti i Zagrebit- Lidershipi dhe Menaxhmenti Ushtarak.

    Aplikimi është online në adresën https://rekrutimi.fsk-rks.org/Apply;

    Njoftimi për shpalljen e konkursit gjendet në web faqen e MM-së: https://mod.rks-gov.net.

    Mosha për aplikim 18 deri 22-vjeç, ndërsa për Turqi të mos ketë mbushur 21-vjeç.

    Ministria e Mbrojtjes mirëpret aplikacione të femrave dhe meshkujve për kadetë të FSK-së, pa dallim nga përkatësia e tyre etnike.

  • ​15.1% e popullsisë së Turqisë përbëhej nga të rinjtë në vitin 2023

    ​15.1% e popullsisë së Turqisë përbëhej nga të rinjtë në vitin 2023

    Rinia e Turqisë përbënte 15.1% të popullsisë së saj në fund të vitit 2023, sipas shifrave zyrtare të publikuara të premten.

    Në vend kishte gjithsej 12.87 milionë të rinj, të moshës nga 15 deri në 24 vjeç, 51.3% e të cilëve ishin meshkuj dhe 48.7% femra, tha byroja e statistikave e vendit TurkStat.

    Raporti i të rinjve në popullsinë e përgjithshme pritet të jetë 14% në vitin 2030, 13.4% në 2040, 11.8% në 2060 dhe 11.1% në 2080.

    Krahina me përqindjen më të madhe të të rinjve ishte Hakkari, me 21.5%, në vitin 2023, i ndjekur nga Sirnak dhe Siirt me 21.1% secili dhe Bayburt me 20.2%.

    “U pa se përqindja e popullatës së të rinjve të Turqisë me 15,1% ishte më e lartë se ajo e 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian (BE),” vuri në dukje byroja e statistikave.

    Mesatarja e BE-së e përqindjes së popullsisë rinore ishte 10.6% në vitin 2023. /AA/

  • ​Kodi i ri doganor e akcizave hyn në fuqi më 26 maj, ja cilat janë ndryshimet

    ​Kodi i ri doganor e akcizave hyn në fuqi më 26 maj, ja cilat janë ndryshimet

    Pas shpalljes në gazetën zyrtare, Kodi Doganor dhe i Akcizave do të hyjë në fuqi më 26 maj, ka njoftuar sot Dogana e Kosovës.

    Aktet nënligjore të parapara me këtë Kod do të miratohen brenda një viti nga data e hyrjes në fuqi të tij.

    Deri në miratimin e këtyre akteve nënligjore, do të vazhdojnë të zbatohen aktet nënligjore ekzistuese, për aq kohë sa ato nuk janë në kundërshtim me dispozitat e Kodit të ri.

    Me hyrjen në fuqi të Kodit të ri, do të shfuqizohet kodi nr. 03/L-109 Doganor dhe i Akcizave në Kosovë, Ligji nr. 04/L-099 për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit nr. 03/L-109 Doganor dhe i Akcizave në Kosovë dhe çdo dispozitë tjetër që është në kundërshtim me dispozitat e Kodit të ri.

    Ky ndryshim i rëndësishëm synon të modernizojë dhe përmirësojë sistemin doganor dhe të akcizave në Kosovë, duke ofruar një kornizë më të qartë dhe më të efektshme.

    Kodi i ri është hartuar për të përmbushur standardet ndërkombëtare dhe për të lehtësuar tregtinë, duke e bërë më të thjeshtë dhe më efikas procesin e doganimit për bizneset dhe individët.

    Kodi i ri doganor dhe akcizave sjell disa ndryshime si në vijim:

    Siguron një kornizë gjithëpërfshirëse për rregullat dhe procedurat doganore në territorin doganor të Republikës se Kosovës, duke përshtatur zhvillimet e fundit në fushën e tregtisë dhe mjetet moderne të komunikimit, duke siguruar sistem plotësisht të automatizuar.

    Operatorët ekonomik përfitojnë plotësisht nga teknologjia e informacionit, e cila do të mundësojë reduktimin e barrës dhe shpenzimeve dhe do të përmirësojë efektivitetin e kontrolleve doganore (krijimin e balancës në mes kontrolleve dhe lehtësirave tregtare).

    Janë përcaktuar kushtet dhe procedura me të cilën autorizohen agjentët doganorë, provimi profesional dhe licencimi i agjentëve doganor organizohet nga Dogana.

    Janë përcaktuar në mënyre strikte afatet ligjore për nxjerrën e vendimeve nga Dogana, çka i mundëson subjekteve siguri juridike.

    Përforcon procedurat më të shpejta për operatorët ekonomik të autorizuar (AEO) me mundësi të njohjes reciproke ndërkombëtare të autorizimeve sipas parimit të proporcionalitetit.

    Autorizimi për përdorimin e një garancioni gjithëpërfshirës për të gjitha procedurat doganore.

    Ndryshime për rregullat për strehimin e përkohshëm, duke përfshirë edhe zgjatjen e periudhës së strehimit nga 20 ditë deri në 90 ditë.

    Obligimi për depozitimin e deklaratës përmbledhës për mallrat që sjellën apo dalin nga territori doganor i RKS-së.

    Zhdoganimi i mallrave me autorizim të DK-së në ambientet e importuesit dhe thjeshtësimet tjera për operatoret ekonomik si zhdoganimi qendror, evidentimi në regjistrat e deklaruesit dhe vetëvlerësimi.

    Procedurat e posaçme (PP ish PMNE) kanë pësuar ndryshime:

    -te magazinat doganore kemi vetëm dy lloje (publike dhe private),

    -është hequr procedura nën kontroll doganor PKD, tani pjesë e PB mallrat në përpunim të brendshëm (PB), me rastin e lëshimit të mallit në qarkullim të lirë të lëndës së parë ose produktit kompensues nuk aplikohet kamata kompensuese.

    Me ligjin e akcizës përcaktohen obliguesit akcizor, lindja e obligimit të llogaritjes dhe pagesës së akcizës, në mënyre të detajuar, rregullat për autorizimin dhe shfuqizimin për magazinat akcizore, shtyrjen e pagesës, rregullat për përdoruesin e liruar i cili produktet akcizore i përdor në procesin e prodhimit me qëllim të prodhimit të një produkti jo akcizor dhe përdoruesit për shfrytëzim të burimeve të energjisë (energjentet).

    Akciza për produktet e duhanit të vendosur në magazinë doganore apo magazinën akcizore duhet të paguhet më së largu deri 120 ditë nga realizimi i importit.

    Me ligjin për kundërvajtje janë përcaktuar qartë një listë të veprimeve apo mos veprimeve që përbëjnë shkelje të rregullave doganore, lartësia e dënimeve ku për shkelje të sanksionuara duke marrë në konsideratë mënyra e kryerjes dhe shkeljet kategorizohen nisur nga fakti se a ka pasur qëllim apo neglizhencë.

    Secila shkelje e sanksionuar është e ndërlidhur me nenet përkatëse te ligjit material çka siguron trajtim ligjor dhe siguri juridike me rastin e marrjes së vendimeve.

    Janë zgjeruar kompetencat e oficerëve doganor në pajtim me praktikat e doganave të BE-së me qëllim të evitimit të vakumit ligjor dhe luftimit të evazionit fiskal, verifikimeve të transfereve bankare, mbledhjes se detyrueshme dhe ushtrimit të kontrolleve në territorin doganor të Kosovës.

    Për mallrat e importuara nga udhëtarët, është vendosur pragu i ri vlerës nga deri 175 euro në deri në 300 euro për rruge tokësore dhe 430 euro në rrugë ajrore.

  • ​Sulm i armatosur në Kolumbi: Vritet drejtori i burgut

    ​Sulm i armatosur në Kolumbi: Vritet drejtori i burgut

    Drejtori i një burgu në kryeqytetin e Kolumbisë u vra të enjten vonë në një sulm të armatosur teksa ngiste automjetin e tij privat.

    Koloneli në pension Elmer Fernandez, drejtori i burgut La Modelo në Bogota, vdiq pasi u sulmua nga plumba të shumta të qëlluara nga njerëzit në motoçikleta.

    Presidenti Gustavo Petro dënoi sulmin në llogarinë e tij në X dhe urdhëroi kapjen e menjëhershme të autorëve dhe shprehu ngushëllimet e tij për familjen e Fernandez.

    “Në Bogota u krijua një plan bllokimi dhe do të mbahet një mbledhje e jashtëzakonshme e këshillit të sigurisë për të vendosur masa për të gjitha burgjet e vendit,” shtoi ai.

    Mediat lokale raportuan se Fernandez kishte marrë kërcënime me vdekje kohët e fundit për mospërputhje me kërkesat e bandave.

    Partitë opozitare dënuan vrasjen e Fernandez dhe i kërkuan qeverisë të garantojë sigurinë e drejtorëve të burgjeve. /AA/

  • Të hënën rihapet Klinika e Onkologjisë pas renovimeve

    Të hënën rihapet Klinika e Onkologjisë pas renovimeve

    Të hënën, më 20 maj, do të bëhet ceremonia e përurimit të renovimeve në Klinikën e Onkologjisë.

    Në këtë ceremoni, do të marrin pjesë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.

    Ngjarja sipas njoftimit, nis në orën 09:00.

  • ​Haradinaj në Shqiponjë: Dëshmorët udhërrëfyes për hyrjen e Kosovës në NATO

    ​Haradinaj në Shqiponjë: Dëshmorët udhërrëfyes për hyrjen e Kosovës në NATO

    Fitorja e madhe e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, më 17 maj 1999 në Shqiponjë, u shndërrua në testament kombëtar të mbrojtjes së nderit të atdheut.

    Kështu ka thënë kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, me rastin e shënimit të ditës së çlirimit të Shqiponjës.

    “Shqiponja, vend me traditë shekullore të angazhimit për liri, ishte e para që dha lajmin e lirisë. Kjo fitore u reflektua në mbarë vendin, e brenda disa javëve Kosova ishte e lirë,” ka thënë Haradinaj.

    Haradinaj ka shtuar se të rënët për liri mbeten udhërrëfyes për anëtarësimin e Kosovës në organizatën më të fuqishme ushtarake në botë.

    “Në përvjetorin jubilar të çlirimit, nderuam sot më meritorët, burrat e gratë që pushojnë në Kompleksin Memorial të Shqiponjës, që mbesin udhërrëfyes yni në realizimin e ëndrrave tona për Kosovën e sigurt, anëtare e NATO-s, përkrah aleatëve të prirë nga Amerika”, ka përfunduar Haradinaj.