ATV

Category: Lajme

  • Policia nis hetimet për vdekjen e një burri në Prizren, dyshohet se vdiq si pasojë e kontaktit me rrymën

    Policia nis hetimet për vdekjen e një burri në Prizren, dyshohet se vdiq si pasojë e kontaktit me rrymën

    Një burrë në Prizren, dyshohet se ka vdekur si pasojë e kontaktit me rrymën.

    Rastin e ka konfirmuar Policia e Kosovës, përmes raportit 24-orësh, ku ka bërë me dije se tashmë ka nisur hetimet për rastin.

    “HETIM I VDEKJES – Fsh. Hoq e Qytetit, Prizren 17.05.2024-19:30. Raportohet se viktima mashkull kosovar, ka humbur jetën si pasoj e kontaktit me rrymë. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendim e ngjarjes. Me vendim të prokurorit trupi i pa jetë dërgohet në IML për obduksion”, thuhet në raport.

  • Moti për sot, këto janë temperaturat

    Moti për sot, këto janë temperaturat

    Moti sot parashihet të mbajë kryesisht me diell.

    Temperaturat minimale do të lëvizin prej 9 deri në 13°C, ndërsa ato maksimale prej 25 deri në 28°C.

    Vonë pasdite apo në mbrëmje, ka mundësi të ketë shtim të vranësirave, të cila mund të gjenerojnë ndonjë reshje të izoluar.

    Pluhuri Saharian do të vazhdojë të jetë prezent.

    Era do fryjë drejtimesh të ndryshme, e cila kohë pas kohe pritet të jetë e fuqishme, me shpejtësi prej 14-46 km/h.

  • Kurti e Murati bëjnë sot lansimin e pilotimit të projektit për reformën e asistencës sociale

    Kurti e Murati bëjnë sot lansimin e pilotimit të projektit për reformën e asistencës sociale

    Kryeministri Albin Kurti, bashkë me Ministrin e Financave, Punëve dhe Transfereve, do të bëjnë sot Lansimin e Pilotimit të Projektit për Reformën e Asistencës Sociale.

    Konferenca do të mbahet në orën 13:30.

    “Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministrin e Financave, Punës dhe Trasfereve, Hekuran Murati bëjnë Lansimin e Pilotimit të Projektit për Reformën e Asistencës Sociale”, thuhet në njoftim.

  • Kurti uron Plenkoviqin për mandatin e ri: Mezi pres të vazhdojmë bashkëpunimin tonë të fuqishëm

    Kurti uron Plenkoviqin për mandatin e ri: Mezi pres të vazhdojmë bashkëpunimin tonë të fuqishëm

    Kryeministri i Kosovë, Albin Kurti ka uruar homologun e tij, Andrej Plenkoviq i cili fitoi edhe një mandat tjetër si kryeministër i Kroacisë.

    Kroacia mori një qeveri të re të 16-të të kryesuar nga Andrej Plenkoviq i partisë Bashkimi Demokratik Kroat (HDZ).

    Parlamenti kroat votoi për një qeveri të re me 79 vota, ndërsa një deputet abstenoi dhe 61 deputetë votuan kundër.

    E kryeministri i vendit, Kurti me anë të një postimi në rrjetin social ‘X’ e uroi homologuën e tij, duke thënë se Kosova e vlerëson miqësinë me Kroacinë dhe mezi preisn që të vazhdojnë bashkëpunimin.

    “Urime kryeministrit kroat @AndrejPlenkovic për mandatin tuaj të tretë dhe për qeverinë e sapoformuar. Kosova e vlerëson thellësisht miqësinë e saj me Kroacinë dhe ne mezi presim të vazhdojmë bashkëpunimin tonë të fuqishëm”, deklaroi ai.

    Qeveria e re do të ketë 18 ministri dhe shtatë zëvendëskryeministra në vend të 16 sa ishin deri më tani.

    Qeveria e re e Kroacisë u formua nga Bashkimi Demokratik Kroat (HDZ) dhe Lëvizja për Atdheun (PD), me mbështetjen e disa deputetëve të partive minoritare, por pa Partinë e Pavarur Demokratike Serbe (SDSS).

  • Bujar Osmani në mbledhjen e Komitetit të Ministrave: Kosova e meriton të bëhet anëtare e KiE-së

    Bujar Osmani në mbledhjen e Komitetit të Ministrave: Kosova e meriton të bëhet anëtare e KiE-së

    Kryediplomati i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, gjatë takimit të Komitetit të Ministrave në Strasburg, ka lobuar për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

    Duke shtuar se Kosova e meriton të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës, Osmani theksoi se anëtarësimi do të ndikojë edhe në stabilitetin e bashkëpunimit rajonal

    “Është e një rëndësie të madhe që ne të mos i shmangemi përqafimit të anëtarëve të rinj që ndajnë vlerat dhe angazhimet tona. Kjo është arsyeja pse ne vazhdimisht e kemi mbështetur ofertën e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe mirëpresim opinionin që rekomandon Komitetin e Ministrave që ta ftojë Kosovën për anëtarësim në këtë organizatë”, tha Osmani.

    “Besojmë se qytetarët e Kosovës meritojnë të mbrohen nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe instrumentet tjera dhe se anëtarësimi i hershëm do të lehtësojë vazhdimin e reformave dhe gjithashtu do të kontribuojë në stabilitetin dhe bashkëpunimin rajonal”

    Kosova ka dështuar të jetë pjesë e agjendës së këtij takimi në Strasburg, për shkak të refuzimit nga Qeveria e Kosovës të kërkesave të Gjermanisë, Francës dhe Italisë për të ndërmarrë hapa konkretë për Asociacionin.

    Ndërsa, gjatë ditës, kryesuesi aktual i Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, Dominique Hasler, ka bërë të ditur se ky komision është duke shqyrtuar se si të procedohet për pranimin e Kosovës në këtë organizatë.

  • Mosmiratimi i marrëveshjeve ndërkombëtare, dëm ekonomik e social

    Mosmiratimi i marrëveshjeve ndërkombëtare, dëm ekonomik e social

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Në seancën e së enjtes, dy marrëveshje ndërkombëtare nuk i morën votat e nevojshme.

    Njëra nga marrëveshjet që nuk kaloi në Kuvend, ishte ajo ndërmjet Ministrisë së Financave dhe Fondit “OPEC”, për zhvillim ndërkombëtar për programin “Financat publike të Kosovës dhe Rritja Ekonomike”, në vlerë prej 40 milionë euro.

    Mosmiratimi i kësaj marrëveshjeje, sipas njohësit të ekonomisë, Safet Gërxhaliu, hap hendek të madh në ekonomi, derisa, sipas tij, faji është i Qeverisë që nuk komunikoi me partitë opozitare, për ta votuar atë.

    “Si reflekton kjo përballë faktorit ndërkombëtar, si e ndiejnë veten donatorët që kanë qenë pjesë dhe sponsorizues të zhvillimit dhe qëndrueshmërisë, dhe të refuzohet një ndihmë e tillë kur Kosova ka nevojë për ndihmë në çdo pore, në rini, shëndetësi, ekonomi e të tjerë, vërtet është një njollë për Kosovën dhe me këtë qasje i largojmë mbështetësit, të cilët do t’i kërkojmë por do të jetë vonë”, tha Gërxhaliu.

    Megjithatë, një marrëveshje e tillë ka mundësi që sërish të shkojë për votim në Kuvend, nëse ekziston vullneti që të bëhet rinegocimi mes Ministrisë së Financave dhe Fondit “OPEC”, që të bëhen ndryshimet që opozita po i kërkon.

    “ky rinegocim do të bënte rishikimin e vërejtjeve të dhëna nga deputetët proces ky i cili do të arrinte në një marrëveshje të re, që do të arrinin në kuvend dhe do të kërkonin edhe një herë vullnetin aprovues të deputetëve. Nëse nuk ka një procedurë të tillë marrëveshjet nuk mund të kthehen edhe njëherë, sepse e kanë marrë përgjigjen e deputetëve të kuvendit me përmbajtjen ekzistuese”, tha Arbër Thaçi nga KDI.

    Kur ministri i financave, Hekuran Murati, kishte prezantuar këtë marrëveshje, pati thënë që përmes saj synohet të mbështeten prioritetet e qeverisë që përfshijnë transparencën fiskale, mbështetjen e sektorit privat, si dhe tranzicionin energjetik.

    Mirëpo, opozita kishte kërkuar që kjo marrëveshje të lidhej me ndonjë projekt konkret kapital, të rinegociohej e më pas të sillej për votim në Kuvend.

  • Në Luginë mirëpritet votimi i projektligjit për të drejtën pronësore

    Në Luginë mirëpritet votimi i projektligjit për të drejtën pronësore

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Me 65 vota për, deputetët e miratuan në lexim të parë Projektligjin për të Drejtat Pronësore për Shtetasit e Huaj.

    Nëse ai e kalon edhe fazën tjetër dhe bëhet ligj, më së shumti pritet t’u shërbejë qytetarëve të Luginës së Preshevës, të cilët do të kenë mundësi të bëhen titullarë të pronave, njësoj si çdo qytetar i Kosovës.

    Kështu, ndryshimet ligjore konsiderohen të mirëseardhura në Luginë.

    “Padyshim se është në vazhdën e ndryshimeve pozitive, duke ua siguruar të drejtën e plotë që të ndihen qytetarë të barabartë në Republikën e Kosovës”, tha kryetari i Komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa.

    “Nëse e shikojmë nga ana individuale, projektligji është mirë që është aprovuar, madje është me vonesë, sepse shumë shqiptarë të Luginës kanë blerë prona, por nuk kanë mundur t’i bartin në emrin e vet”, tha Nexhat Beluli tha Spektri TV.

    Megjithatë, kjo situatë, sipas shoqërisë civile, e ka edhe një tjetër anë të medaljes.

    “Nëse e shohim në aspektin nacional, veprimi nuk është i mirë sepse përshpejton shpërnguljen dhe zbrazjen e Luginës me shqiptarë, sepse do të nguten të blejnë prona në Kosovë duke i braktisur ato në Preshevë”, tha Beluli.

    Por kështu nuk mendon kryetari i Preshevës, Ragmi Mustafa.

    “Shqiptarët e Luginës nëse i kanë këto të drejta në Republikën e Kosovës, nuk d.m.th. se do të shpërngulen masivisht, por ata do kontribuojnë në zhvillimin ekonomik të Kosovës”, tha Mustafa.

    Sipas regjistrimit të popullsisë më 2022, në Serbi jetojnë 61 mijë shqiptarë, shumica dërrmuese e të cilëve janë në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc.

  • Mbeturina e kundërmim në mbikalimin në Fushë-Kosovë

    Mbeturina e kundërmim në mbikalimin në Fushë-Kosovë

    Përgatiti: Sara Shehu

    Mbikalimi në afërsi të shkollës fillore “Mihal Grameno” në Fushë-Kosovë, shfrytëzohet minimalisht nga qytetarët.

    Mbeturinat e shumta dhe kundërmimi, janë disa nga arsyet që shtyjnë që banorët të mos e shfrytëzojnë atë.

    “Ky mbikalim asnjëherë nuk është mbajtur i pastër nga përgjegjësit e nga komuna. Në Fushë Kosovë në përgjithësi nuk ka mirëmbajtje të mirë, ka shumë papastërti, andaj për këtë arsye nuk e përdori këtë mbikalim”, thotë një qytetar.

    “Është e tmerrshme pasi që ky mbikalim përmban shumë mbeturina dhe është jo i pastër, ka erë të keqe, lë për të dëshiruar”, tha një tjetër qytetar.

    Në këtë mbikalim, po ashtu, ka edhe mbishkrime e grafite banale.

    Në lidhje me këtë situatë, Drejtoria e Shërbimeve Publike në Fushë-Kosovë thotë për ATV-në, se përgjegjëse për mirëmbajtjen e mbikalimit është Ministria e Infrastrukturës.

    “Mirëmbajtja e rrugës M9 me të gjitha pjesët përcjellëse aty është nën kompetencën e Ministrisë së Infrastrukturës, përveç rrethi dhe pjesës nga rrethi nëpër qytet të vjetër e deri te stacioni i trenit ku janë kompetencë e Komunës së Fushë Kosovës”, thuhet në përgjigjen nga Komuna e Fushë-Kosovës.

    Televizioni ka tentuar të marrë përgjigje në Ministrinë përkatëse në lidhje me këtë çështje, mirëpo deri në transmetimin e kësaj kronike, nuk ka pasur përgjigje.

    Sidoqoftë, ky projekt është realizuar ndërmjet Komunës së Fushë-Kosovës, në bashkëpunim me Fondin e Zhvillimit të Komunitetit dhe Bankën Botërore, i cili ka kushtuar afro 104 mijë euro. Pas përfundimit të tij, përgjegjësia për mirëmbajtjen e tij ka kaluar nën kompetencën e Ministrisë së Infrastrukturës.

  • Lansohet platforma “E-Komunat”, synohen shërbime më të mira për qytetarët

    Lansohet platforma “E-Komunat”, synohen shërbime më të mira për qytetarët

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Me qëllim lehtësimin e qasjes së qytetarëve në shërbimet publike komunale, përmes platformës shtetërore “E-Kosova”, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal të premten lansoi platformën “E-Komunat”.

    Sipas kryeministrit Albin Kurti, përmes kësaj strategjie qytetarët do të marrin shërbime më të mira dhe do të jenë më të informuar për zhvillimet në komunat e tyre.

    “E kur flasim për shërbime, qëllimi nuk është vetëm digjitalizimi, por shërbimet duhet të ridizajnohen që ta kenë në fokus qytetarin. Parimi themelor gjatë ofrimit të shërbimeve është ai i gjithëpërfshirjes. Duhet të sigurohemi që asnjë qytetarë të mos mbetet mbrapa. Ne jemi të përkushtuar që ky proces transformues të jetë edhe i sigurt”, tha Kurti.

    Ndërkaq, Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, shtoi se përmes kësaj platforme do të rritet interaksioni mes qytetarëve dhe organeve komunale.

    “Disa nga shërbimet që planifikohen në fazën e parë janë: Transmetimi i mbledhjeve të asambleve komunale, raportimi i problemeve në komunat përkatëse, informacionet mbi komunat, qasja te pasuria e zyrtarëve komunalë, inicimi dhe pjesëmarrja në debatet publike. Përmes këtyre shërbimeve qytetarët kanë mundësi të adresojnë më lehtë kërkesat e tyre të organet komunale. Në fazën e dytë do të përfshihen edhe shërbime të tjera”, tha Krasniqi.

    Në ceremoninë e organizuar për lansimin e platformës “E-Komunat” morën pjesë edhe kryetarët e Leposaviqit, Mitrovicës së Veriut dhe Zubin Potokut. Por, të pranishëm nuk ishin shumica e kryetarëve të komunave të tjera të Kosovës.

  • Kosova, jashtë agjendës në KiE

    Kosova, jashtë agjendës në KiE

    Përgatiti: Nora Luta

    Nga sot, Kryesimin e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, për gjashtë muajt e ardhshëm e mori Lituania.

    Në deklaratën e miratuar nga ky Komitet, me rastin e 75-vjetorit të themelimit të kësaj organizate, Kosova nuk përmendet asnjëherë.

    Lidhur me aplikimin e Kosovës për anëtarësim në këtë organizatë, u deklarua Kryesuesja e deritanishme e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, Dominique Hasler, Ministre e Jashtme e Lihtenshtajnit.

    “Pranimi i Kosovës u përmend disa herë sot në kuadër të deklaratave kombëtare të ministrave. Ne kemi pranuar letër nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës me rekomandimin për pranimin e Kosovës dhe ne bëmë gjithçka brenda Presidencës sonë për të avancuar procesin, së bashku me shtetet anëtare. Ndaj Komiteti i Ministrave tashmë ka nisur diskutimet për çështjen dhe aktualisht po shqyrton se si të procedojë”, ka thënë Hasler.

    Aplikimi i Kosovës kishte kaluar në Asamble Parlamentare dhe duhej vetëm edhe votimi në Komitet të Ministrave për pranim në Këshill të Evropës.
    Shtetet që përkrahën Kosovën në këtë proces kishin një kërkesë të qartë – dërgimin e statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese.

    Në një përpjekje të minutave të fundit, Ministrja e Jashtme Donika Gërvalla dje nënshkroi një letër, ku u zotua se Kosova do të dërgojë në Gjykatë Kushtetuese një projekt-statut të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, deri në fund të majit.

    Ky hap edhe hapat e tjerë, siç ishte takimi i Kryeministrit Kurti me nënkryetarët e komunave të veriut, u cilësuan të pamjaftueshëm për anëtarësim të Kosovës në Këshill të Evropës nga Presidenti i Francës, Kancelari i Gjermanisë dhe Kryetarja e Këshillit të Ministrave të Italisë.

    Kështu, vetëm një ditë më vonë, Qeveria e Kosovës, gjegjësisht Ministrja Gërvalla u tërhoq nga zotimi që vetë e pranoi dhe nënshkroi.

    Ajo pohoi se zotimi që e bëri dje ka humbur tashmë relevancë dhe se disa vende anëtare të Këshillit të Evropës e mbështetën fushatën e Serbisë dhe u vunë në anën e padrejtësive.

    “Megjithatë, në vend të Opinionit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe një propozimi të arsyeshëm e serioz nga Qeveria e Kosovës, disa vende anëtare zgjodhën t’i dalin në krah padrejtësive dhe t’i japin mbështetje fushatës lobuese të Serbisë, kundër anëtarësimit të Kosovës, duke privuar kështu qytetarët e Republikës së Kosovës nga të drejtat dhe mundësitë që ofrojnë mekanizmat e kësaj organizate, veçanërisht për komunitetet e pakicës etnike dhe komunitetet e tjera të margjinalizuara”, tha Gërvalla.

    Presidentja Vjosa Osmani, e cila nuk ka qenë e konsultuar për zotimin që Qeveria e dhe dje dhe e tërhoqi sot, përdori gjuhë më diplomatike dhe shprehu bindjen se anëtarësimi i Kosovës në këtë organizatë është vetëm çështje kohe.

    “Republika e Kosovës do të jetë anëtarja e 47-të e Këshillit të Evropës. Është thjesht çështje kohe. Në këtë rrugë, ne nuk do të cenojmë vlerat që përbëjnë themelin e vendit tonë. Pasi të arrijmë aty, ne do të vazhdojmë të qëndrojmë për shtyllat që përcakton Këshilli i Evropës: të drejtat e njeriut, demokracia dhe shteti i së drejtës. Ne nuk do të shërbejmë si dorë e zgjatur e Rusisë apo si model i sjelljes autokratike”, ka thënë Osmani.

    Këshilli i Evropës është organizata më serioze ndërkombëtare ku Kosova ka pasur gjasa të pranohet viteve të fundit. Që nga viti 2021, Kosova nuk ka asnjë njohje të re dhe as anëtarësim në organizata financiare ose politike ndërkombëtare.