ATV

Category: Lajme

  • Banka del me sqarim: Mjetet e klientëve të Bankës Kursimore janë të sigurta pas aksionit policor në veri

    Banka del me sqarim: Mjetet e klientëve të Bankës Kursimore janë të sigurta pas aksionit policor në veri

    Mjetet e të gjithë klientëve të Bankës Kursimore të Postës janë të sigurta dhe nuk do të dëmtohen pas aksionit policor të autoriteteve kosovare në veri të Kosovës, tha të martën banka serbe.

    Në një njoftim për media, banka tha se, përkundër “ndalimit të përkohshëm” të funksionimit të degëve në veri të Kosovës, klientët mund të kryejnë të gjitha shërbimet bankare në degët më të afërta, të cilat ndodhen në vendkalimet kufitare me Kosovën: Jarinjë, Bërnjak, Merdare dhe Konçul.

    Po ashtu, të gjithë punëtorët e Bankës Kursimore të Postës në veri të Kosovës mbeten të punësuar, sipas njoftimit.

    Serbia ngriti degë të improvizuara të kësaj banke, të destinuara për serbët nga Kosova, në afërsi të katër pikave kufitare muajin e kaluar.

    Autoritetet në Kosovë kryen të hënën një operacion policor ndaj institucioneve financiare serbe në veri të Kosovës, që rezultoi me mbylljen e gjashtë objekteve të Bankës Kursimore të Postës dhe Bankës Popullore të Serbisë në katër komunat me shumicë serbe.

    Gjatë aksionit, që autoritetet e Kosovës thanë se kishte të bënte me vendosjen “e rendit dhe ligjshmërisë”, u konfiskuan prova të ndryshme, përfshirë para.

    Policia e Kosovës, që bashkëngjiti fotografi të parave të konfiskuara, tha se u gjeti “rreth 1.600.000 euro, rreth 74.700.000 dinarë serbë (mbi 600.000 euro), rreth 19.500 franga, rreth 13.800 dollarë amerikanë, rreth 40 dollarë australianë”.

    Aksionin policor në veri, zyrtarë të lartë në Serbi e dënuan ashpër, duke e cilësuar “të paligjshëm”.

    Departamenti amerikan i Shtetit (DASH) tha se është i zhgënjyer që Policia e Kosovës ndërmori aksion në zyrat financiare në veri të Kosovës.

    Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, DASH-i shtoi se aksioni nuk ishte i koordinuar me partnerët ndërkombëtarë dhe përshkallëzon tensionet.

    Aksioni i autoriteteve të Kosovës u krye një javë pasi Banka Qendrore e Kosovës njoftoi se ka përfunduar afati tranzitor për rregulloren e saj, që ndalon përdorimin e dinarit serb për kryerjen e pagesave.

    Rregullorja e BQK-së, që hyri në fuqi më 1 shkurt, parasheh euron si monedhën e vetme për kryerjen e pagesave.

    Kosova dhe Serbia janë takuar shtatë herë muajt e fundit në Bruksel, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, për ta gjetur një zgjidhje për dërgimin e ndihmës financiare nga Serbia për serbët e Kosovës, por nuk kanë gjetur pajtim deri tani.

  • Stano për aksionin e djeshëm në Veri: Ishte një ngjarje e padobishme

    Stano për aksionin e djeshëm në Veri: Ishte një ngjarje e padobishme

    Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, është pyetur për mbylljen nga policia e Kosovës të gjashtë njësive të “Bankës Postare Kursimore” të Serbisë në veri të vendit në konferencën e sotme.

    Ai shkurt u përgjigj se kjo ngjarje ishte “e padobishme”, ndërsa paralajmëroi se do të lëshojnë një komunikatë për media për ta shpalosur më tej qëndrimin e tyre mbi këtë çështje.

    “Ishte një ngjarje e padobishme që ndodhi dhe reagimin tonë do ta bëjmë të ditur përmes një komunikate për media që do ta lëshojmë këtë pasdite”, tha Stano.

    Ndërkaq, qëndrimin për aksionin e djeshëm veçse e ka bërë të ditur Departamenti amerikan i Shtetit, i cili shprehu zhgënjim dhe shtoi se “ky veprim nuk ishte i koordinuar me partnerët ndërkombëtarë”.

    “Ai (veprimi) minon perceptimin se Kosova po vepron me vullnet të mirë për zgjidhjen e çështjeve mes saj dhe Serbisë përmes Dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, tha një zëdhënësi i Departamentit të Shtetit.

    “Ne i bëjmë thirrje qeverisë së Kosovës që t’i kthehet angazhimit konstruktiv në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja si rruga e duhur për zgjidhjen e çështjeve që kanë të bëjnë me normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe t’u përgjigjet adresojë nevojave bazë të të gjithë qytetarëve të saj — përfshirë ato të pakicës serbe – e ndikuar negativisht nga ndryshimet e fundit në rregulloren për monedhën”.

  • Molotovë e tymues në protestën e opozitës në Tiranë

    Molotovë e tymues në protestën e opozitës në Tiranë

    Aleanca për Mbrojtjen e teatrit, grupimi i Rithemelimit të Partisë Demokratike dhe Partia e Lirisë zhvilluan sot protestën e radhës përpara bashkisë së Tiranës.

    Protesta, e teta gjatë këtyre muajve, ka nisur me hedhjen e molotovëve dhe tymueseve nga protestuesit. Godina e bashkisë ashtu si gjatë çdo proteste është rrethuar nga forca policie për të mos lejuar protestuesit të hyjnë në bashki.

    Nga hedhja e molotovëve, zjarri përfshiu hyrjen e bashkisë. Policia ndërhyri dhe arriti të shuajë zjarrin tek hyrja kryesore e godinës.

    Protestat u thirrën pas arrestimit me urdhër të SPAK të disa ish-drejtorëve të kësaj bashkie. Në protestë marrin pjesë qytetarë dhe përfaqësues të opozitës, të cilët kërkojnë dorëheqjen e kryebashkiakut Erjon Veliaj, pas arrestimeve të disa ish-zyrtarëve të këtij institucioni.

    Anëtari i kryesisë së Rithemelimit të PD-së, Belind Këlliçi tha se shumë shpejt do depozitojë në SPAK edhe dy emra të tjerë, administratorë të dy ish-komunave, Arben Maloku i Zall Herit dhe Kujtim Qefalia i Dajtit.

    “I kemi dërguar në SPAK, janë pjesë e dosjes së 5D. Edhe ky material po përgatitet për t’u depozituar së shpejti në SPAK”, tha Këlliçi.

    “Shpeshherë dëgjojmë që njerëzit thonë se opozita ka probleme me drejtësinë, por ne jemi ata që kemi inkurajuar SPAK, duke çuar kallëzime për të zbuluar të vërtetat”, tha Këlliçi, ndërsa deklaroi se nuk do të tërhiqen deri në arritjen e objektivit që siç u shpreh ai është “largimi i Veliajt”.

    Kryetari i FRPD, Besart Xhaferri në fjalën e tij në protestë tha se, ka dy palë shqiptarë, ata që shkojnë në protestë dhe ata që flenë gjumë dhe nuk bashkohen në protestë.

    “Çfarë prisni, që t’ju ikin edhe juve fëmijët jashtë? Frymëzohuni nga heronjtë e revoltës së Spaçit”, u shpreh Xhaferri.

    Policia e Shtetit ka marrë masa organizative dhe operacionale për garantimin e rendit publik dhe sigurisë gjatë zhvillimit të këtij tubimi.

    Në zbatim të planit të masave, Policia e Shtetit prej orës 09:30 e në vijim, ka bllokuar në mënyrë të përkohshme qarkullimin e mjeteve, në Bulevardin kryesor pranë Bashkisë së Tiranës. /atsh/

  • Shuarja e “NKEC”, Hoti i reagon ashpër Qeverisë: Jeni përgjegjës për mijëra euro të shpenzuara kot

    Shuarja e “NKEC”, Hoti i reagon ashpër Qeverisë: Jeni përgjegjës për mijëra euro të shpenzuara kot

    Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti ka reaguar pas vendimit të Qeverisë për shuarjen e Ndërmarrjes së Re Energjetike të Kosovës (NKEC).

    Ai përmes një postimi ka akuzuar Qeverinë duke thënë se janë përgjegjës për mijëra euro të humbura të shpenzuara kot.

    Sipas tij, auditorët ka kohë që e kanë rekomanduar që të ndalohet veprimtaria e kësaj ndërmarrjeje.

    “Shkaqet për ekzistencën e kësaj ndërmarrjeje publike kanë pushuar që nga koha kur është ndërprerë projekti i termocentralit “Kosova C”. Ju keni përgjegjësi për mijëra euro të shpenzuara kot. Auditori ju ka rekomanduar para shumë kohe ta shuani. Ju ra ndërmend pas ballafaqimit që kishim në Kuvend”, shkroi Hoti.

  • Ambasada britanike e shqetësuar: Veprimet e djeshme të policisë në veri të Kosovës rrezikojnë të përshkallëzojnë tensionet

    Ambasada britanike e shqetësuar: Veprimet e djeshme të policisë në veri të Kosovës rrezikojnë të përshkallëzojnë tensionet

    Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovës, ka thënë se aksioni i Policisë së Kosovës në katër komunat veriore, mund të ndikojë në përshkallëzim të situatës.

    Në një reagim të kësaj ambasade i bëhet thirrje institucioneve të Kosovës të koordinohet për veprimet me partnerët ndërkombëtarë, duke theksuar angazhim në dialogun e lehtësaur nga Bashkimi Evropian për të zgjidhur çështje të tilla.

    “Jemi të shqetësuar se veprimet e djeshme të policisë në veri të Kosovës rrezikojnë të përshkallëzojnë tensionet dhe të vështirësojnë zgjidhjen afatgjatë të çështjes së monedhës në Kosovë. Ne inkurajojmë autoritetet kosovare që të koordinojnë veprimet me partnerët ndërkombëtarë dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive me Dialogun e lehtësuar nga BE-ja për të zgjidhur çështje të tilla”, thuhet në reagim.

  • Përplasje edhe në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike mes deputetëve të pozitës e opozitës

    Përplasje edhe në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike mes deputetëve të pozitës e opozitës

    Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike, shqyrtoi raportin vjetor të performancës së Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2023. E ftuar ishte auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, raporton EO.

    Gjatë mbledhjes së këtij Komisioni kishte replika mes deputetit të PDK-së, Hajdar Beqa dhe deputetit të LVVsë, Halil Thaqi.

    “Ju kërkojmë mirëkuptim nuk e di pse dulem, këtë situatë na qiti mazhoranca, unë po kërkoj mos e mbroni të keqen sa i përket Obiliqit. Obiliqi sa ka qenë PDK-ja ka qenë stabile, ka mujt me i pas sfidat e veta aty t’ka mujt ni kandidat i pavarur je shku i ke mashtru qindra familjar”, ka thënë Beqa.

    Deputeti, Halil Thaqi i ka thënë Beqës se ai po shpifë.

    “Mos shpif edhe për ndërtim të shtëpisë së re. Të gjitha i dimë kush ke qenë ti kur ke qenë drejtor i Ibër Lipencencit”.

    Deputeti Beqa ka thënë se prokuroria po gabon qe nuk të fut në burg.

    “ Qato shpija që i tha kolegu Shala që janë ndërtu me i vlerësu i ke ndërtu ti. Ti e din kon e ki ndërtu. Qato pemë që i ke mbjell ti me vlerësu i ke bo ti. Prokuroria gabon qe nuk të shtin n’burg ty jo, me kon deputet”, ka thënë Beqa.

    Thaqi tutje ka thënë se këto janë krejt shpifje.

    “Këto janë krejt shpifje. Mos u ngut kadal mos u nxe. Edhe këto dy shpija e ftoj prokurourinë me marrë në intervistim Hajdarin kush i ka ndërtu ato”, ka thënë Thaqi.

    Deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj ka thënë se edhe ai shkon me të.

    “Unë shkoj me të”, ka thënë ai.

    Më tej deputeti Thaqi ka shtuar se iu ka tregu qytetarëve që është zonë e ndaluar.

    “Edhe Rashiti po deklarohet, i kom kallxu qytetarëve është zonë e ndaluar nuk po ndërtohet”, ka thënë ai.

    Deputeti Beqa sërish ka ndërhyrë duke thënë se Shipitula shkon si përfaqësues i KEK-ut.

    “Shipitula shkon si përfaqësues i KEK-ut mos me thanë si sekser lej këto sene”.

    Thaqi sërish ka përsëritur se të gjitha këto janë shpifje.

    “Këto janë shpifje”, ka thënë ai.

    Beqa: “Pom më dhem që po i manipulon qytetarët”, ka thënë ai.

    U shqyrtua edhe Raporti Zyrës së Auditorit të Përgjitshëm pwr vitin 2023.

    Në fund në mungesë të korumit për t’u votuar mbeti për tu shqyrtuar në mbledhjen e ardhshme.

  • ​Murati pas reagimit të DASh-it për aksionin në veri: Institucionet vepruan në bazë të ligjit

    ​Murati pas reagimit të DASh-it për aksionin në veri: Institucionet vepruan në bazë të ligjit

    Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka thënë se mbyllja e gjashtë njësive të Bankës Postare Kursimore në veri është bërë pasi të njëjtat kanë operuar në kundërshtim me ligjin dhe pa licencën përkatëse. I pyetur për reagimin e Departamentit Amerikan të Shtetit, ai nënvizoi se secili veprim i institucioneve është i bazuar mbi ligjshmërinë dhe shtrirjen e sovranitetit në çdo cep të vendit.

    Murati në konferencën për media, pas mbledhjes së Qeverisë të mërkurën, tha se tashmë është në dorën e sistemit të drejtësisë sesi do të veprojnë tutje, sa i përket konfiskimit të 1.6 milionë eurove e mbi 74 milionë dinarëve.

    “Në lidhje me aksionin e djeshëm është dyshimi i bazuar se aktivitete të tilla janë zhvilluar pa pasur licencën përkatëse financiare, e cila është e kundërligjshme ka pasoja ligjore me këtë. Sa i përket shumave që janë sekuestruar gjatë bastisjes ato i takojnë një procesi gjyqësor pasi prokurori ka dhënë urdhër për bastisjes. Ato përfundojnë si prova dhe pastaj duhet të derivojnë sesi të veprohet tutje nga një proces i mirëfilltë gjyqësor. Tani më prokurori është vënë në lëvizje dhe gjyqësori duhet ta trajtojë si lëndë dhe t’i jep epilog përkatës për shkeljet e ligjit që janë gjetur…Aktivitet financiar mund të jetë çfarëdo aktiviteti pa licencën e nevojshëm pavarësisht desitinimin e mjeteve. Destinimi i mjeteve pastaj është hapi i dytë për të cilin organet e rendit dhe prokuroria duhet të siguronin prova të mjaftueshme për ku kanë qenë mjetet e dedikuara. Edhe po të kishte licencë do të duhej të sigurohemi se kush janë përfituesit dhe mjetet përdoren për qëllime të ligjshme. Të gjitha këto i takojnë organeve të rendit”, tha Murati.

    Duke folur për reagimin e Departamentit Amerikan të Shtetit, në të cilin thuhej se veprime të tilla të pakoordinuara përshkallëzojnë tensionet në veri, Murati tha se çdo veprim i institucioneve të Kosovës është i bazuar mbi ligjshmërinë dhe shtrirjen e sovranitetit në çdo cep të vendit.

    Ai tha hapja e këtyre njësive postare në vitin 2018 ka qenë i gabuar dhe i dëmshëm.

    “Sa i përket reagimit nuk jam në dijeni për detajet. Megjithatë, çdo veprim është i bazuar mbi ligjshmërinë dhe shtrirjen e sovranitetit në çdo cep të vendit. Nuk është se ka ndodhur dje ai aktivitet. Me sa pash nga një reagim i përfaqësuesit të Beogradit në dialog ishte se këto zyra kanë filluar aktivitetin në vitin 2018. Pra nuk është diçka që është trashëguar nga paslufta, por gati 6 vite më herët dhe kanë filluar të zhvillojnë aktivitetin në mënyrë të paligjshme”, shtoi ai.

    Ndërkaq, potencoi se për Rregulloren e BQK-së, ku ndalohet përdorimi i dinarit në Kosovë kanë ofruar disa propozime në Bruksel, mirëpo Serbia nuk ishte e gatshme për të pranuar pasi s’ka synim lehtësimin e qytetarëve serbë në Kosovë.

    “Ne si qeveri kemi ofruar konstruktivet me disa propozime, por që mesa duket pala serbe nuk ka qenë të gatshme. Ata kanë pasur synime të tjera, jo të lehtësohet jeta për qytetarët dhe të mundësohen transferet për ata qytetarë”, theksoi Murati.

    Në anën tjetër, në konferencë për medie ishte edhe ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, i cili tha se janë duke marrë hapa konkret për parandalimin e degradimit të natyrës.

    Krahas kësaj, ai tha se janë në fazën finale të hartimit të planit për hartën e rrezikshmërisë nga vërshimet.

    “Jemi duke marrë hapa konkret për parandalimin e degradimit të natyrës, qoftë në lumenjtë apo parqe nacionale. Dua t’iu përkujtojë se gjatë këtyre ditëve kemi pas aksione të vazhdueshme nëpër lumenjtë për eksploatimin e zhavorrit. Ky aksion do të vazhdojë me këtë intensitet”, tha ai.

    Policia e Kosovës gjatë aksionit në veri të vendit ka mbyllur gjashtë filiale të Bankës Postare Kursimore. Në njoftimin e lëshuar nga policia bëhet e ditur se janë konfiskuar 1.6 milion euro e mbi 74 milion dinarë. /KP

  • Kurti: Arsimi dhe Aftësimi Profesional, themelor për zhvillimin ekonomik

    Kurti: Arsimi dhe Aftësimi Profesional, themelor për zhvillimin ekonomik

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar takim me grupin punues dhe përfaqësuesit e donatorëve në zbatimin e Arsimit dhe Aftësimit Profesional në Kosovë.

    Kurti cilësoi se gjatë tre viteve të qeverisjes është theksuar vazhdimisht rëndësia lidhjes së arsimit me ekonomi dhe të arsimit dhe aftësimit profesional me tregun e punës. Ai ka bërë të ditur se tashmë, në vitin e dytë akademik të zbatimit të arsimit dual, janë gjithsej 12 profile në 23 shkolla profesionale në 14 komuna të Kosovës në të cilat janë të përfshirë 920 nxënës.

    “Arsimi dhe Aftësimi Profesional janë themelor për zhvillimin ekonomik të Kosovës. Pajisja e fuqisë punëtore me aftësi praktike dhe të përshtatshme na lejon të adresojmë drejtpërdrejt hendekun e aftësive në industritë kyçe, duke çuar në rritjen e produktivitetit, inovacionit dhe të konkurrencës në tregjet lokale dhe globale” u shpreh ai.

    Në kuadër të zbatimit të sistemit dual, kryeministri njoftoi se Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, së bashku me Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, kanë punuar me përkushtim për të bërë reformat e nevojshme për të lidhur arsimin me nevojat aktuale dhe ato të ardhshme të tregut. Po ashtu në bashkëpunim me donatorë sikurse GIZ, ADA, SDC, USAID, LuxDev, KfW dhe BE, janë kryer sondazhe dhe hulumtime për të identifikuar nevojat dhe për të përcaktuar mënyrat më të mira se si t’i plotësojmë ato.

    Një nga çështjet kryesore për t’u diskutuar dhe zhvilluar ishte dhe ajo mbi provimet gjatë aftësimit profesional dhe certifikimi në fund të procesit.

  • Aliu: Në qershor përfundon harta e menaxhimit të rrezikut nga vërshimet

    Aliu: Në qershor përfundon harta e menaxhimit të rrezikut nga vërshimet

    Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturë, Liburn Aliu, ka thënë se në qershor përfundon harta e menaxhimit të rrezikut nga vërshimet bashkë me planin për reagim, raporton EO.

    Aliu në një konferencë për media, ka thënë se me kapacitetet aktuale e me ndryshimet klimatike, nuk po arrijnë t’i menaxhojnë lumenjtë.

    “Kosova i ka katër pellgje lumore dhe pellgu i Drinit të Bardhë është pellgu me i madh. Janë draftuar ligjet për menaxhimin e këtyre pellgjeve. Çka është një plan për menaxhimin e pellgjeve. Kosova është një vend që ka kapacitete të limituara të ujit, jemi në një krizë. 75 për qind të këtij uji e përben vetëm liqeni i Ujmanit, në të ardhmen duhet që t’i rrisim këto kapacitete sepse keni ndryshime që shpesh herë nuk mund t’i menaxhojmë mirë, për shkak të mungesës së planeve. Jemi në qershor dhe e përfundojmë hartën e menaxhimit të rrezikut nga vërshimet bashkë me planin për reagim”.

    “Duke pasur parasysh që një vendim i tilli si ky sot ne e kemi themeluar edhe task-forcën e gjelbër, jemi duke ndërmarr hapa konkret për mbrojtjen e ambientit. Gjatë këtyre ditëve kemi pasur aksion të vazhdueshëm, për eksploatime e zhavorrit në lumenj dhe është bërë konfiskime të pajisjeve dhe ky aksion do të vazhdoj”, ka thënë ai.

  • Bullgaria nis në Kosovë trupa shtesë për të mbështetur misionin e NATO-s

    Bullgaria nis në Kosovë trupa shtesë për të mbështetur misionin e NATO-s

    Zëvendësministri i Mbrojtjes i Bullgarisë, Radostin Iliev dhe shefi i Mbrojtjes, Admirali Emil Eftimov, marrin pjesë sot, në një ceremoni zyrtare për dërgimin e një njësie ushtarake për dislokim në Forcën Rezervë Operacionale të forcave të NATO-s (KFOR).

    “Mbi 100 pjesëtarë të shërbimit, kryesisht nga Komanda e Brigadës së 3-të në Blagoevgrad, do të dislokohen për operacione me Forcën e Stabilizimit të NATO-s në Kosovë (KFOR). Kontingjenti bullgar do të angazhohet në aktivitete që synojnë të mbështesin përpjekjet për rivendosjen dhe ruajtjen e sigurisë në Kosovë”, raporton agjencisë bullgare të lajmeve “Novinite”.

    Drejtues i Batalionit të 2-të shumëkombësh të Forcave Rezervë Operacionale të Forcës Stabilizuese të NATO-s në Kosovë është majori Krasimir Damyanov, me kapiten Ferdo Ferdinandov që shërben si komandant i kompanisë.