ATV

Category: Lajme

  • Berisha për Sekiraqën: Nuk është arratisur, po trajtohet në një spital jashtë vendit

    Berisha për Sekiraqën: Nuk është arratisur, po trajtohet në një spital jashtë vendit

    Avokati i Enver Sekiraqës, Besnik Berisha, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se Enver Sekiraqa nuk është arratisur, por është duke u trajtuar në një institucion shëndetësor.

    “Nuk është arratisë as nata, nuk është arratisë as i maskuar, as i kamufluar, thjesht edhe vetëm si qytetar i lirë i është drejtu institucioneve të shëndetësisë për t’i trajtu problemet e tij të akumuluara me dy dekada”, tha Berisha.

    Ai tha se problemet e tij shëndetësore kanë qenë të evidentuara nga Gjykata Themelore në Prishtinë. /atvlive.tv

    Më shumë detaje i gjeni ën videon më poshtë:

  • Breshëri i madh mbulon rrugët në Han të Elezit, ende nuk dihen dëmet që mund të ketë shkaktuar

    Breshëri i madh mbulon rrugët në Han të Elezit, ende nuk dihen dëmet që mund të ketë shkaktuar

    Ndonëse pati temperatura të larta sot, meteorologët parashikuan se mund të ketë mot dramatik sot pasdite, raporton Gazeta Sinjali.

    Kështu ndodhi edhe në Han të Elezit, ku ka rënë breshër i madh.

    E gjithë rruga është mbuluar nga breshëri.

  • Erërat e forta në Prishtinë, bien skelet e një ndërtese te “Qafa”

    Erërat e forta në Prishtinë, bien skelet e një ndërtese te “Qafa”

    Skelet e një ndërtese në lagjen “Te Qafa” kanë rënë mbi disa vetura pas erërave të forta në Prishtinë të shtunën.

    Ende nuk dihet për dëmet që janë shkaktuar, ose nëse ka të lënduar, por shihet se ato kanë rënë mbi disa vetura të parkuara.

  • Escobar: Kosova e ShBA-ja kishin raporte më të mira në të kaluarën

    Escobar: Kosova e ShBA-ja kishin raporte më të mira në të kaluarën

    Zyrtarë të lartë amerikan vazhdojnë të theksojnë se Kosova aktualisht nuk i ka raportet në nivelin me të mirë me ShBA-në, raporton Ekonomia Online.

    Emisari i SHBA-së për rajonin dhe për dialogun Kosovë-Serbi, Gabriel Escobar, në një intervistë për Atlantic Council, ka deklaruar se në të kaluarën, Kosova kishte raporte me të mira me Amerikën në të kaluarën, se sa tani.

    Megjithatë, ai shpreson që këto raporte do të përmirësohen sepse SHBA-ja dhe QUINT-i kanë vullnet për një gjë të tillë.

    “Do të thosha që Kosova ka pasur një raport të mirë me SHBA-në në të kaluarën. Është një raport sfidues. Siç kam thënë më parë, ShBA-ja është e përkushtuar plotësisht për pavarësinë, integritetin territorial, sovranitetin dhe sigurinë e Kosovës, kjo s’do të ndryshojë kurrë. Kemi një raport tepër të thellë me popullin e Kosovës, dhe kjo s’do të ndryshojë kurrë. ShBA-ja mbetet shumë pro-Kosovës. Kudo që udhëtojë unë e kam atë ndjenjën reciproke që ata janë shumë pro-amerikan. Kjo i jep një forcë dhe stabilitet raportit. Por thënë këtë, s’është sekret që kemi pasur sfida në të pasurit një vizion të përbashkët për rajonin dhe se si mund të punojmë bashkë për të avancuar projektin kombëtar të Kosovës. Unë shpresoj që do të vazhdojmë të përmirësojmë këtë raport. Dhe mund të them që ka veçse vullnet të mirë, jo vetëm në ShBA, por në gjithë QUINT-in për të përmirësuar raportin”, ka thënë Escobar.

  • KFOR kërkon që të njoftohet me kohë për aksionet e Policisë apo FSK’së

    KFOR kërkon që të njoftohet me kohë për aksionet e Policisë apo FSK’së

    Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka lëshuar një komunikatë për aksionin e djeshëm të Policisë së Kosovës që përfundoi me mbylljen e gjashtë njësive të “Bankës Postare Kursimore” të Serbisë në veri të vendit.

    KFOR thotë se ishte informuar pak para se të niste operacioni, ndërsa tha se s’ka pasë personel të përfshirë në aksion. KFOR tha se pret konsultime me kohë nga Policia e Kosovës për aksione të tilla.

    “KFOR-i është njoftuar pak para fillimit të operacioneve të liK-së kundër degëve të Bankës Postanska Stedionica të vendosura në komunat veriore të Mitrovicës Veriore, Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin Potok. Personeli i KFOR-it nuk ishte i përfshirë në ekzekutimin e këtyre operacioneve. KFOR-i pret konsultime me kohë për çdo veprim të Policisë së Kosovës apo të Forcës së Sigurisë së Kosovës që mund të ndikojë në sigurinë rajonale”.

    KFOR-i thtoë se vazhdon të mbështesë dialogun Beograd-Prishtinë të lehtësuar nga BE-ja, duke ofruar kornizën e sigurisë të nevojshme që diplomacia të ecë përpara.

    “Kjo është mënyra e vetme për të zgjidhur çështjet e pazgjidhura dhe për të arritur zgjidhje që respektojnë të drejtat e të gjitha komuniteteve”.

    “KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të ofruar një mjedis të qetë dhe të sigurt për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme. KFOR-i është reaguesi i tretë i sigurisë, pas Policisë së Kosovës dhe misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX), përkatësisht, me të cilët punojmë në koordinim të ngushtë”, përfundon KFOR.

    Aksionin e djeshëm të Policisë së Kosovës e kanë cilësuar veprime të njëanshëm që mund të çojë në tensione edhe SHBA, Bashkimi Evropian dhe Mbrerëria e Bashkuar.

  • KGJK suspendon gjyqtarin që e la të lirë Enver Sekiraqën

    KGJK suspendon gjyqtarin që e la të lirë Enver Sekiraqën

    Këshilli Gjyqësor i Kosovës, në mbledhjen e sotme të jashtëzakonshme e cila u zhvillua me dyer të mbyllura, ka marrë vendin për suspendim të gjyqtarit Agim Kuqi, pasi ky i fundit kishte lënë të lirë Enver Sekiraqën, raporton ATV.

    Ky vendim i KGJK-së, të cilin e ka siguruar ATV, do të mbetet në fuqi deri në një vendim tjetër të Këshillit.

    “Këshilli, pas shqyrtimit dhe analizimit të dy rasteve disiplinore ka themeluar panelet hetimore. Sa i përket rastit AD/KGJK/04/2024/GJTHPR-AD/GJTHPR/8/24, Këshilli bazuar në kërkesën e autoritetit kompetent me shumicë të votave vendosi për suspendimin e gjyqtarit që është subjekt i hetimit, deri në një vendim tjetër të Këshillit. Këshilli vlerësoi se suspendimi i subjektit të hetimit, në këtë fazë të procedurës, do të krijojë parakushte që paneli hetimor të hetoj në tërësi çështjen në mënyrë të pavarur, objektive dhe të pa “ndikuar”, thuhet në vendimin e KGJK-së.

    ATV raportoi dje se Vendimi i Gjykatës Themelore të Prishtinës që Enver Sekiraqa të mbrohet në liri, është duke u analizuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe kryetarja e Gjykatës.

    Në një përgjigje me shkrim këto dy institucione i thanë televizionit se për veprimet e ndërmarra do të njoftohemi me kohë, duke e bashkëngjitur edhe vendimin e gjyqtarit Agim Kuqi, i cili, sipas këtij vendimi, ka vlerësuar se kanë pushuar shkaqet për masën e arrestit shtëpiak, meqenëse është arritur sigurimi i tij në procedurë.

    Kuqi, kryetari i trupi gjykues që udhëhoqi gjykimin ndaj tij, e la të lirë Sekiraqën dy herë.

    Në gjykim e dy rigjykime më pas, Enver Sekiraqa për herë të tretë është dënuar për nxitje në vrasjen e Triumf Rizës, kësaj here me 25 vjet burgim.

    Ai po mbahej në arrest shtëpiak, ndërsa nga 3 maji kur u shpall aktgjykim, u la në liri.

    Pas ankesës së Prokurorisë Speciale, Apeli e ndryshoi masën e sigurisë në paraburgim, por Sekiraqa deri tash ka qenë i paarritshëm për Policinë./atvlive.tv

  • Kërkesa e GJNP për Netanyahun, Ministri i Mbrojtjes: Tentim që t’i mohohet Izraelit e drejta për t’u vetëmbrojtur

    Kërkesa e GJNP për Netanyahun, Ministri i Mbrojtjes: Tentim që t’i mohohet Izraelit e drejta për t’u vetëmbrojtur

    Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Yoav Gallant, e ka akuzuar Gjykatën Ndërkombëtare Penale (GJNP) se po përpiqet t’ia mohojë Izraelit të drejtën për t’u vetëmbrojtur, pasi kryeprokurori i saj njoftoi se po kërkon fletarrestime për liderët e Izraelit dhe ata të Hamasit – grupit të shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

    “Tentimi i prokurorit të Gjykatës Ndërkombëtare Penale, Karim Khan, për ta zhbërë krijimin [e Izraelit] nuk do të ketë sukses. Paralelja që prokurori bëri mes grupit terrorist Hamas dhe shtetit të Izraelit, është përbuzëse dhe e neveritshme”, tha Gallant në 20 maj.

    Kryeprokurori i GJNP-së, Karim Khan, tha të hënën se beson se Netanyahu, ministri Gallant, dhe tre liderë të Hamasit – Yehia Sinwar, Mohammed Deif dhe Ismail Haniyeh – janë përgjegjës për krime lufte dhe për krime kundër njerëzimit në Rripin e Gazës dhe në Izrael.

    Në lidhje me liderët izraelitë, Khan në mënyrë specifike i nënvizoi si arsye për fletarrestime “shkaktimin e urisë tek civilët si mjet lufte”, “shkaktimin e vuajtjeve të mëdha me qëllim”, “udhëheqjen e qëllimshme të sulmeve ndaj popullsisë civile” dhe “veprimet e tjera çnjerëzore”.

    Khan i akuzoi tre liderët e Hamasit se janë përgjegjës për “shfarosje”, “rrëmbim”, “përdhunim dhe vepra të tjera të dhunës seksual “, “torturë” dhe “vepra çnjerëzore”.

    Prokurori duhet të kërkojë lëshimin e fletarrestimeve nga një panel prej tre gjyqtarësh, të cilëve mund t’iu duhen deri në dy muaj kohë për t’i shqyrtuar provat dhe për të vendosur nëse mund të procedohet.

    Zëdhënësi i GJNP-së, Fadi Al-Abdallah, i tha Radios Evropa e Lirë se gjykatësit do të “marrin vendimin e tyre brenda afateve”, por nuk specifikoi ndonjë datë.

    Izraeli e nisi luftën në Gazë si përgjigje ndaj një sulmi të Hamasit në jug të Izraelit më 7 tetor, ku u vranë 1.200 njerëz, kryesisht civilë dhe u rrëmbyen rreth 250 të tjerë.

    Lufta izraelite i ka vrarë më shumë se 35.000 palestinezë, gjysma e të cilëve fëmijë dhe gra, sipas zyrtarëve të Hamasit.

    Por, lufta izraelite ka shkaktuar edhe krizë humanitare në Gazë, duke bërë që rreth 80 për qind e popullsisë të zhvendoset dhe qindra mijëra njerëz të vuajnë nga uria, sipas zyrtarëve të OKB-së.

    Izraeli e ka mohuar se ka kryer ndonjë krim gjatë luftës tashmë shtatëmujore në Gazë.

    Kërkesa e kryeprokurorit të GJNP-së ka shkaktuar reagime të shumta nga e gjithë bota, për dhe kundër veprimit të Khan.

    Franca dhe Belgjika thanë se e mbështesin kërkesën e kryeprokurorit të GJNP për lëshimin e fletarrestimeve për liderët e Izraelit dhe Hamasit.

    Ministria e Jashtme e Francës tha se e “mbështet Gjykatën Ndërkombëtare Penale, pavarësinë e saj, dhe luftën kundër mosndëshkueshmërisë në të gjitha situatat”.

    “Krimet e kryera në Gazë duhet të ndiqen penalisht patjetër në nivelet më të larta, pavarësisht se kush është kryerësi”, tha ministrja e Jashtme e Belgjikës, Hadja Lahbib.

    Ndërkohë, presidenti amerikan, Joe Biden, e denoncoi kërkesën e kryeprokurorit për të arrestuar Netanyahun dhe Gallantin, duke thënë se “çfarëdo që ka dashur të thotë prokurori, nuk ka asnjë paralelizëm mes Izraelit dhe Hamasit.”/REL

  • SHBA-ja e shqetësuar me trajtimin e pakicave në Kosovë, u kërkon liderëve t’i dëgjojnë partnerët

    SHBA-ja e shqetësuar me trajtimin e pakicave në Kosovë, u kërkon liderëve t’i dëgjojnë partnerët

    Zëvendësndihmësja e sekretarit amerikan të Shtetit në Byronë për Demokraci, të Drejta të Njeriut dhe Punë, Nicole Chulick, tha se është e rëndësishme që Kosova të bashkëpunojë me partnerët e saj për të forcuar kandidaturën për anëtarësim në të gjitha institucionet euroatlantike, ashtu si edhe në Këshillin e Evropës (KiE).

    Chulicku i bëri komentet të martën, në një takim me një grup gazetarësh në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Prishtinë.

    Ajo përsëriti se vizioni i SHBA-së për Kosovën është që ajo të jetë pjesë e institucioneve euroatlantike.

    “Ne i bëjmë thirrje Kosovës që t’i dëgjojë këshillat e partnerëve të saj më të afërt, në mënyrë që të garantojë një rezultat pozitiv kur del në një votim”, tha Chulicku.

    Gjatë vizitës në Kosovë, Chulicku u takua me presidenten e vendit, Vjosa Osmani, dhe me kryeministrin Albin Kurti.

    Ajo tha se u ka shprehur atyre disa shqetësime të partnerëve evropianë në lidhje me Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe me rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës, që e ndalon përdorimin e dinarit serb.

    “Kosova duhet të vazhdojë të punojë në këto çështje, t’i adresojë ato dhe të ecë sërish përpara”, tha zyrtarja amerikane.

    “Duke i ditur edhe përgjegjësitë që i ka Banka Qendrore e Kosovës, ne vazhdimisht i kemi shprehur shqetësimet tona për mënyrën e zbatimit [të rregullores]. Nuk kemi ndjerë se ajo e ka marrë në konsideratë mënyrën se si do t’i ndikojë komunitetet, sidomos komunitetin serb. Ndaj, jemi duke e vëzhguar situatën dhe jemi të shqetësuar”, shtoi Chulick.

    Kosova është nën presion nga partnerët ndëkombëtarë për të themeluar Asociacionin e komunave me shumicë serbe, si dhe për të pezulluar rregulloren e BQK-së që e bën euron valutë të vetme për pagesa me para të gatshme.

    Ndërkombëtarët kërkojnë më shumë kohë derisa komuniteti serb të përshtatet me praktikën e re, pasi ai, prej vitesh, ka pranuar pagesa të ndryshme në dinarë nga Serbia.

    “Qeveria e Kosovës duhet të angazhohet më shumë me komunitetet”

    Ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, i pranishëm gjithashtu në takimin me gazetarët, shprehu zhgënjimin e tij me aksionin e djeshëm të Policisë së Kosovës në veri të Kosovës, gjatë të cilit u mbyllën disa institucione financiare serbe.

    Hovenier tha se ky veprim nuk ishte i koordinuar me partnerët ndërkombëtarë dhe, sipas tij, i përshkallëzon tensionet.

    Ai kërkoi nga Qeveria e Kosovës angazhim konstruktiv në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian, duke e cilësuar “si kanalin e duhur për zgjidhjen e çështjeve që kanë të bëjnë me normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”.

    Chulick, në anën tjetër, shtoi se një prej arsyeve përse gjendet në Kosovë, është për të treguar mbështetjen e ShBA-së për një Kosovë demokratike, të begatë dhe multietnike.

    Ajo theksoi se është e rëndësishme që Qeveria të angazhohet në mënyrë më aktive me pjesëtarët e komuniteteve pakicë dhe t’i përfshijë ata në procesin e politikëbërjes.

    “Kosova është shtëpi e shumë serbëve etnikë dhe ata meritojnë t’i mbajnë familjet dhe bizneset e tyre këtu”, tha Chulick.

    Sipas saj, Qeveria e Kosovës duhet të punojë për të gjithë qytetarët e Kosovës, “pa marrë parasysh përkatësinë etnike apo dallimet e tyre”.

    Chulick tha, po ashtu, se ShBA-së i vjen keq që Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – nuk mori pjesë në votimin për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë në komunat me shumicë serbe në veri, më 21 prill.

    “Ne do të donim që ata të përfitonin nga mjetet demokratike që i kanë në dispozicion”, tha ajo.

    Chulick theksoi se ShBA-ja mbetet e shqetësuar nga trajtimi i pakicave në Kosovë dhe tha se do të vazhdojë të punojë në këtë çështje.

    Sipas saj, një nga përfitimet e të qenët pjesë e Këshillit të Evropës do të ishte “respekti më i madh për qytetarët e pakicave dhe gjithashtu qasja në procese ndërkombëtare, përmes të cilave Kosova mund të adresojë çështje të tilla si: përfshirja e pakicave dhe pjesëmarrja e plotë në qeverinë dhe demokracinë e vendit të tyre – për shembull përmes Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut”.

    Javën e kaluar, Kosova mbeti jashtë agjendës së Këshillit të Ministrave të Këshillit të Evropës – ku do të duhej të merrej vendimi përfundimtar për pranimin e saj – për faktin se nuk ndërmori hapa për ta çuar përpara çështjen e Asociacionit.

    E pyetur nëse druan se udhëheqësit nacionalistë në Ballkan do ta shfrytëzojnë vakumin politik ndërkombëtar, që rezulton nga zgjedhjet në BE-së dhe në SHBA, për ta komplikuar më tej situatën në terren, zyrtarja e Departamentit amerikan të Shtetit tha se “oportunistët politikë mund të përpiqen t’i shfrytëzojnë rrethanat ndërkombëtare në dobi të tyre në çdo kohë, por ne jemi vigjilentë ndaj atyre përpjekjeve, jo vetëm këtu në Kosovë, por në mbarë botën”.

    “Është e rëndësishme për ne që të theksojmë se – janë interesa të sigurisë së SHBA-së dhe Evropës – ne mund të varemi nga partnerët tanë dhe ata mund të varen nga ne, pa marrë parasysh partinë politike apo lëvizjen. Ne do të vazhdojmë të kontribuojmë për një Ballkan Perëndimor më të qëndrueshëm, më të sigurt dhe më të begatë dhe ne do të vazhdojmë të punojmë në mbështetje të këtij qëllimi”, përfundoi Chulick./Radio Evropa e Lirë

  • Spanca: Në 2023-ën i kemi dërguar 51 raste në Prokurori, dyshimet janë për mashtrim dhe korrupsion

    Spanca: Në 2023-ën i kemi dërguar 51 raste në Prokurori, dyshimet janë për mashtrim dhe korrupsion

    Auditorja e Përgjithshme e Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA), Vlora Spanca, ka thënë se gjatë vitit të kaluar janë kryer 107 Auditime Financiare dhe të Pajtueshmërisë të pasqyrave vjetore financiare, raporton Ekonomia Online.

    Gjatë raportimit në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike, Spanca tha se ZKA-ja ka arritur t’i përmbush të gjitha kërkesat dhe afatet ligjore për punën audituese me rezultatet përkatëse. Spanca ka thënë se bashkëpunim kanë edhe me Prokurorinë e Shtetit, ku nga viti 2018, kanë dërguar mbi 300 raste të dyshuar për mashtrim e korrupsion.

    Ajo tha se duke kryer auditime dhe publikuar 125 raporte të auditimit të fushave financiare/pajtueshmërisë, si dhe të performancës.

    “Gjatë vitit 2023, janë kryer 107 Auditime Financiare dhe të Pajtueshmërisë të pasqyrave vjetore financiare, objektivë e të cilave ishte të ofrojmë siguri të arsyeshme nëse pasqyrat financiare si tërësi nuk përmbajnë keçdeklarime materiale, si dhe të ofrojmë opinionin e auditimit në lidhje me këto pasqyra. Përveç, opinionit, ne kemi shprehur konkluzionin e auditimit për pajtueshmërinë me legjislacionin e zbatueshëm përkatës. Këto auditime kanë përfshirë të gjitha organizatat buxhetore përfshirë nivelin qendror, nivelin lokal dhe institucionet e pavarura, mandej një numër të konsiderueshëm të ndërmarrjeve publike si dhe projektet e financuara nga donatorë siç janë Banka Botërore dhe DEMOS – projekti Helvetas”, tha Spanca.

    Tutje, Spanca ka deklaruar se Raportet e auditimit për vitin 2023 kanë identifikuar mangësi të ndryshme, disa prej të cilave i veçoi para anëtarëve të këtij komisioni.

    “Në Organizatat buxhetore. Cilësia e raportimit financiar ende vazhdon të mos jetë në nivelin e pritur për shkak se nga 86 auditimet e pasqyrave vjetore financiare, 33 sosh kishin keq deklarime materiale të cilat kanë rezultuar me opinion të modifikuar/kualifikuar. Ndërsa 53 të tjera kanë rezultuar me opinion të pamodifikuar. Megjithatë, krahasuar me vitin e kaluar cilësia e raportimit financiar është përmirësuar për shkak se në vitin 2022 janë 13 organizata buxhetore më pak të cilat kanë marrë opinion të modifikuar. Prezantimi i saktë dhe i plotë i informatave financiare e rrit besueshmërinë e lexuesve ndaj raportimit financiar. Përveç këtyre, ZKA ka evidentuar çështje që lidhen me kontrollet dhe menaxhimin financiar si: Planifikim dhe realizim të buxhetit, rritje e llogarive të arkëtueshme, detyrimet e papaguara dhe kontigjente, pagesat sipas vendimeve gjyqësore dhe përmbarimore, si dhe pasuritë jo financiare”.

    “Te Ndërmarrjet Publike-Cilësia e raportimit financiar edhe pse krahasuar me vitin e kaluar është përmirësuar, ende vazhdon të mos jetë në nivelin e pritur. Nga 11 auditimet e pasqyrave financiare të këtyre ndërmarrjeve, vetëm tek 1 është dhënë opinion i pamodifikuar, ndërsa tek 10 të tjera opinion i modifikuar (7 të kualifikuar dhe 3 të kundërta).

    Punë të mirë, Spanca ka thënë se po bëjnë edhe në adresimin e rasteve me mundësi potenciale për mashtrim e korrupsion. Si rezultat i kësaj, gjatë vitit 2023, kanë dorëzuar në Prokurorinë e Shtetit 51 raste me elemente potenciale të veprave penale

    “Në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe detyrimet tjera ligjore, ZKA edhe gjatë vitit dhe 2023 fokus të rëndësishëm i ka  dhënë trajtimit dhe adresimit të çështjeve më mundësi potenciale për mashtrim e korrupsion. Nga rezultatet e nxjerra në vitin 2023, kemi dërguar në Prokurori të Shtetit 51 raste me elemente potenciale të veprave penale, mashtrimit dhe korrupsionit, si dhe 3 raporte të auditimit në tërësi. Ndërsa, nga viti 2018 kemi dërguar ne Prokurori te Shtetit, mbi 300 raste me dyshime për mashtrim e korrupsion. Nga gjithsejtë këto raste, nga Prokurori i Shtetit në përputhje me marrëveshjen e bashkëpunimit kemi pranuar informata kthyese për 143 raste ( raste janë për vite të ndryshme). Sipas këtyre informatave: janë ngritur vetëm 3 aktakuza, 81 raste janë në proces të hetimit (pra janë ndërmarrë veprimet hetimore) dhe për 59 raste me raport të Prokurorit rastet janë mbyllur”.

  • Osmani përkujton masakrën e Stagovës, thotë se s’do të ndalen për vendosjen e drejtësisë

    Osmani përkujton masakrën e Stagovës, thotë se s’do të ndalen për vendosjen e drejtësisë

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se nuk do të ndalen në angazhimin e tyre për vendosjen e drejtësisë për ata që kanë kryer masakra në luftën e fundit në Kosovë.

    Këtë, ajo e ka thënë përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, teksa ka përkujtuar 25 vjetorin e masakrës së Stagovës së Kaçanikut.

    “25-vjet më parë forcat paramilitare të regjimit gjenocidal të Serbisë, në fshatin Stagovë të Kaçanikut vranë 13 banorë të fshatit. Në këtë ofensivë barbare, forcat kriminale shkatërruan 90 shtëpi nga 180 sa kishte fshati atëkohë. Ende askush nuk është dënuar për këtë krim makabër, ndaj nuk do të ndalemi në angazhimin për vendosjen e drejtësisë dhe për të pasur kuptim liria jonë”, ka thënë Osmani.