ATV

Category: Lajme

  • Bullgaria sot dërgon 100 ushtarë në Kosovë

    Bullgaria sot dërgon 100 ushtarë në Kosovë

    Bullgaria do të nisë një kontingjent prej rreth 100 ushtarësh në Kosovë, në kuadër të Forcës së NATO-s (KFOR) për mbështetjen e paqes, posaçërisht pas tensioneve midis Kosovës e Serbisë.

    Ndërsa në ceremoninë që do të fillojë në orën 11:00 në sheshin “Georgi Izmirliev” në Blagoevgrad, do të marrin pjesë edhe zyrtarë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes së Bullgarisë.

    “Rreth 100 pjesëtarë të shërbimit ushtarak, kryesisht nga Komanda e Brigadës së 3-të në Blagoevgrad, do të dislokohen për operacionet e Forcës së NATO-s në Kosovë.

    Kontingjenti i Bullgarisë do të angazhohet në aktivitete që synojnë të mbështesin përpjekjet për rivendosjen dhe ruajtjen e sigurisë në Kosovë”, raportoi agjencia bullgare e lajmeve “Novinite”.

  • Pranimi në KiE “mund ta ketë fatin si liberalizimi i vizave”

    Pranimi në KiE “mund ta ketë fatin si liberalizimi i vizave”

    Nëse Kosova nuk bën hapa të menjëhershëm drejt formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, pritja e saj për anëtarësim në Këshillin e Evropës (KiE) do të shndërrohet në një “sëmundje të gjatë” dhe me “kosto të lartë”, thotë Demush Shasha nga Instituti i Kosovës për Politika Evropiane.

    Se a do të bëjë ndonjë hap në këtë drejtim, tash për tash nuk është e qartë. Interesimit të Radios Evropa e Lirë për këtë çështje nuk iu përgjigj as Qeveria e Kosovës, as Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

    Çështja e Asociacionit e la Kosovën jashtë agjendës së Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës më 17 maj, kur edhe do të vendosej për anëtarësimin e vendit në këtë organizatë.

    Kusht i disa vendeve anëtare të saj, përfshirë Francën dhe Gjermaninë, ishte që Kosova ta çonte së paku për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese një draft-statut të diplomatëve perëndimorë për Asociacionin.

    Vetëm 24 orë përpara se të mblidheshin ministrat e Këshillit të Evropës, ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, tha se vendi është duke përgatitur një draft-statut të vetin, bazuar në modelin e një organizate gjermane, për ta dorëzuar në Kushtetuese deri në fund të majit.

    Njoftimi i saj nuk i ndryshoi zhvillimet në KiE, sepse u konsiderua i vonshëm.

    Rrjedhimisht, Gërvalla tha se oferta e Kosovës “e humbi vetvetiu aktualitetin dhe relevancën”.

    REL-i e pyeti MPJD-në nëse kjo nënkupton heqjen dorë nga hartimi i draft-statutit, por nuk mori përgjigje.

    “Mund të ketë vonim, por jo shpëtim”

    Shasha thotë se nëse Qeveria e Kosovës nuk e dërgon draft-statutin në Kushtetuese, siç u zotua, do të ketë pasoja për vetë Kosovën.

    Sipas tij, duke mos bërë hapa konkretë, vendi rrezikon të shkojë drejt një situate të ngjashme me atë të vitit 2016, kur nuk e ratifikoi marrëveshjen për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

    Ratifikimi i kësaj marrëveshjeje nga Kuvendi i Kosovës ishte kusht për heqjen e regjimit të vizave nga BE-ja për qytetarët e Kosovës.

    Për pasojë, thotë Shasha, Kosova i humbi gati 8 vjet, derisa siguroi udhëtimin pa viza nga 1 janari i këtij viti.

    Ai thotë se situatë e ngjashme mund të ndodhë edhe me anëtarësimin në KiE – organizatën lidere në kontinent për të drejtat e njeriut.

    Për më tepër, shton ai, situata mund të ndikojë edhe në kredibilitetin ndërkombëtar të Kosovës dhe ta frenojë atë edhe në proceset e tjera integruese.

    Formimi i Asociacionit, thotë Shasha, “është i pashmangshëm”.

    “Nga kjo punë, epilog tjetër s’ka. Siç thotë fjala popullore: ‘mund të ketë vonim, por shpëtim nuk ka’. Mund të provohet të bëhen të gjitha manovrat politike, por ikje nga përgjegjësia për ngritjen e Asociacionit, nuk ka”, thotë ai. /Radio Evropa e Lirë

  • Vrasje në tentativë në Prishtinë

    Vrasje në tentativë në Prishtinë

    Një rast i vrasjes në tentativë është regjistruar të hënën në Prishtinë.

    Një burrë ka pësuar lëndime të rënda në këmbë pasi gjatë një përleshjeje është goditur me mjet të mprehtë nga një i dyshuar.

    Viktima sipas mjekëve pas një intervenimi kirurgjik është jashtë rrezikut për jetë, ndërsa i dyshuari ndodhet në arrati.

  • Arrestohet një gjykatës i Supremes në Shkup, dyshohet për ryshfet

    Arrestohet një gjykatës i Supremes në Shkup, dyshohet për ryshfet

    Këshilli Gjyqësor i Maqedonisë së Veriut ka vendosur t’ia heqë imunitetin një gjykatësi të Gjykatës Supreme, i cili u arrestua të hënën mbrëma nën dyshimin se kishte marrë rreth 10.000 euro ryshfet.

    “Gjyqtari është privuar nga liria gjatë kryerjes së veprës penale”, tha Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut (MPB ) në një komunikatë.

    Sipas Policisë, gjykatësi Naqe Georgiev dyshohet për veprën penale “marrje të shpërblimit për ndikim të paligjshëm”.

    Ai dyshohet se kishte premtuar masa lehtësuese në një procedurë gjyqësore ndaj ish-kryetarit të komunës së Novosellës, Boro Stojçev, i cili kohë më parë u arrestua për kontrabandë me lëndë narkotike.

    Këshilli Gjyqësor – që është organi më i lartë gjyqësor për emërimin dhe vlerësimin e punës së gjykatësve – ia hoqi imunitetin Georgievit dhe e miratoi kërkesën për futjen e tij në paraburgim.

    “Këshilli Gjyqësor i hoqi imunitetin gjyqtarit të Gjykatës Supreme të RSM-së, me qëllim të mbarëvajtjes së procedurës penale; aprovoi kërkesën për miratimin e paraburgimit të paraqitur nga gjyqtari i procedurës paraprake në Gjykatën Themelore Penale të Shkupit dhe e largoi përkohësisht gjyqtarin e Gjykatës Supreme nga ushtrimi i funksionit të tij gjyqësor, deri në përfundim të procedurës penale”, thuhet në njoftimin e Këshillit Gjyqësor.

    Arrestimi i gjykatësit të Supremes ndodhi në kohën kur Maqedonia e Veriut po përballet me kritika të shumta për gjyqësor të korruptuar dhe joefikas.

    Përbërja aktuale e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, më 6 shtator 2023 kishte miratuar ndryshimet në Kodin Penal që çuan në lirimin nga ndjekja penale si dhe uljen e dënimit të dhjetëra ish zyrtarëve të lartë të akuzuar për vepra të rënda penale.

    Sipas hulumtimit të opinionit Publik nga Instituti Republikan Ndërkombëtar (IRI), vetëm një për qind e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut kanë besim në pushtetin gjyqësor./REL/

  • Dy vdekje të dyshimta në 24 orët e fundit, Policia po i heton rastet

    Dy vdekje të dyshimta në 24 orët e fundit, Policia po i heton rastet

    Policia e Kosovës ka njoftuar se është duke hetuar dy raste të vdekjeve që kanë ndodhur në 24 orët e fundit.

    Një rast ka ndodhur në Gjilan, ku një burrë ka raportuar se derisa ka qenë në oborrin e shtëpisë, viktimës i ishte keqësuar gjendja shëndetësore.

    “Ankuesi mashkull kosovar ka raportuar se derisa ishte në oborr, viktimës i ishte keqësuar gjendja shëndetësore dhe të njëjtin e kishte transportuar në Spitalin e Gjilanit. Nga mjeku kujdestar është konstatuar se i njëjti ka arritur pa shenja jete”, thuhet në raportin e Policisë.

    Me vendim të prokurorit trupi i pajetë i viktimës thuhet se është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

    Ndërkohë një rast tjetër ka ndodhur në Dragash.

    “Lidhur me rastin në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse, ndërsa ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e viktimës. Me vendim të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion”, thuhet në raportin 24-orësh të Policisë.

  • Ministri kroat i mbrojtjes: Situata në Kosovë nuk është ajo që do të donim të ishte, shpresoj që të mos ketë përshkallëzim të konfliktit

    Ministri kroat i mbrojtjes: Situata në Kosovë nuk është ajo që do të donim të ishte, shpresoj që të mos ketë përshkallëzim të konfliktit

    Ministri kroat i Mbrojtjes, Ivan Anushiq, dërgoi dje në mënyrë ceremoniale kontingjentin e 41-të të Forcave të Armatosura Kroate (HRVCON) në operacionin paqeruajtës të KFOR-it në kazermën e Brigadës së Parë të Gardës Tigrat në Zagreb, duke vënë në dukje se kontingjentet e mëparshme, me gjithsej 1,888 ushtarë, u vlerësuan si të shkëlqyera.

    Forcat e 41-të të HRVCON KFOR-it përbëhen nga pjesëtarë të Kompanisë së Këmbësorisë së Motorizuar, Njësisë së Aviacionit, Njësisë ISR, Njësisë së Shtabit, elementëve të mbështetjes kombëtare logjistike dhe inteligjencës dhe ekipit mjekësor. Ai përbëhet nga 131 pjesëtarë të Forcave të Armatosura, nga të cilët tetë janë gra, të cilat do të zëvendësojnë kontingjentin e 40-të, transmeton Hina.

    Anushiqi në një fjalim tha se para disa muajsh ka vizituar kontingjentin e 40-të në Kosovë dhe ka theksuar se ushtria dhe ushtarët tanë janë gjithmonë në gjendje të mirë dhe ndër më të mirët. Ai shprehu besimin se ky kontingjent do ta bëjë sërish.

    Ai u ka theksuar ushtarëve se duhet të mbajnë uniformat dhe shenjat e ushtrisë fitimtare dhe ka thënë se është i sigurt se do ta kryejnë me nder misionin në të cilin do të caktohen së shpejti.

    Në një prononcim për media, ai ka thënë se situata në Kosovë dhe rrethinë “nuk është ajo që do të donim të ishte” dhe se është “jo e kënaqshme dhe jo e mirë”.

    “Nëse situata do të ishte e mirë, nuk do të duhej të dërgonim forca të armatosura në misionin e KFOR-it, shpresojmë që NATO dhe forcat e NATO-s dhe KFOR-it të arrijnë ta stabilizojnë situatën, që të mos ketë tepricë dhe të mos ketë zgjerim të dhunës”, tha ai.

    Ai shtoi se ka pasur disa situata që “ishin kufitare”.

    “Të gjitha ato situata janë shkaktuar nga pala serbe. Për këtë arsye është e nevojshme të ruhet rendi dhe qetësia në atë zonë. Prania e kontingjentit kroat dhe të gjithë atyre që janë në Kosovë sigurisht që na jep të drejtë të mendojmë se siguria në Kosovë do të ruhet”, tha Anushiq.

    Duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari, ai tha se lufta është fjalë e vështirë sepse luftë nuk do të ndodhë, duke thënë se për këtë janë forcat tona – për të ruajtur paqen.

    “Ne jemi një ushtri e gatshme për parandalim, nuk po përgatitemi për asnjë sulm dhe luftë, por për parandalim, duhet të jemi të fortë dhe të fortë për të penguar këdo që mendon se mund të përsërisë vitin 1991 dhe kur flasim konkretisht për Kosovën, sinqerisht shpresoj… edhe në Bosnje-Hercegovinë, që të mos ketë përshkallëzim të konfliktit”, theksoi Anushiq.

    Operacioni i NATO-s KFOR u krijua me rezolutën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara më 10 qershor 1999 dhe detyrat kryesore të pjesëtarëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Kroacisë janë parandalimi i ripërtëritjes së armiqësive, ndërtimi i një mjedisi sigurie. , për të mbështetur përpjekjet humanitare ndërkombëtare, për të siguruar zbatimin e marrëveshjeve të lidhura dhe për të mbështetur zhvillimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës.

    Presidenti Zoran Milanoviç duhej të ishte në ceremoninë e lamtumirës për ushtarët kroatë, por ai e anuloi mbërritjen e tij një orë më parë për shkak të “detyrimeve të paparashikuara”, njoftoi zyra e tij. Në vend të kësaj, Milanoviç dërgoi këshilltarin e tij mbrojtës Ivica Olujiq.

  • Vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë sot do të vazhdojë procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

    Në seancën e sotme pritet të dëshmoi dëshmitari i rradhës.

    Kurse në seancën e 7 majit në çështjen gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së është vendosur që të mos dëgjohet dëshmitari me kodin 02486, dëshmia e të cilit ishte planifikuar që të dëgjohet përmes video-lidhjes gjatë të premtes më 10 maj 2024.

    Sipas kryetarit të trupit gjykues, Charles Smith III, dëshmitë e këtij dëshmitari të dhëna më herët i plotësojnë kushtet që të pranohen si prova pa qenë nevoja që ai të dëshmojë serish fizikisht.

  • Vdekja e presidentit Raisi, iranianët gëzim dhe festa ditën e varrimit të tij

    Vdekja e presidentit Raisi, iranianët gëzim dhe festa ditën e varrimit të tij

    Protestuesit iranianë kanë shprehur “gëzim” për vdekjen e presidentit Ebrahim Raisi, i cili u quajt “Kasapi i Teheranit”.

    Tre iranianë të cilët ruajtën anonimatin e tyre folën për Sky News dhe shprehën ndjesitë e tyre pas vdekjes së presidentit. Një udhëheqës proteste, i cili aktualisht është i fshehur, u shpreh se përplasja e së dielës , që vrau gjithashtu ministrin e jashtëm të Iranit, ishte “i planifikuar paraprakisht”.

    “Mund të mos kemi parë gjithçka, por ka qenë një fakt i njohur për një kohë të gjatë që Raisi ishte një pretendent serioz për të zëvendësuar Udhëheqësin Suprem Khamenei, dhe ndoshta disa nuk donin që kjo të ndodhte. Por në përgjithësi, ky ishte një lajm shumë i mirë”, tha një iranian.

    “Gjithçka që mund të them është se e vetmja gjë që më ka bërë vërtet të lumtur gjatë pesë viteve të fundit ka qenë lajmi për vdekjen e Raisit”, u shpreh një tjetër.

    Koha e Raisit në krye përfshinte protesta të mëdha kundër Mahsa Amini – gruaja që vdiq pasi u arrestua për dyshimin se nuk mbante hixhabin e saj siç duhet.

    Shtetet e Bashkuara thanë se Raisi kishte “gjak në duart e tij” pasi ish-kleriku i linjës së ashpër ishte “një pjesëmarrës brutal në shtypjen e popullit iranian për gati katër dekada”.

    Një student 23-vjeça, i cili ka marrë pjesë në një sërë protestash, tha: Vdekja e Raisit e ka lumturuar shumë popullin e Iranit. Në rrugë njerëzit shpërndanin ëmbëlsira, i buzëqeshnin njëri-tjetrit. Kjo është shkalla në të cilën ky lajm ka përhapur gëzim në mesin e njerëzve.

    Kujtojmë se Irani ka shpallur pesë ditë zie për vdekjen e presidentit dhe ministrit të jashtëm iranian që humbën jetën gjatë përplasjes së helikopterit me të cilin udhëtonin dhe sot do bëhet varrimi i tyre.

  • Mbi 900 mijë palestinezë janë zhvendosur nga Gaza gjatë dy javëve të fundit

    Mbi 900 mijë palestinezë janë zhvendosur nga Gaza gjatë dy javëve të fundit

    Më shumë se 900,000 njerëz, afërsisht 40% e popullsisë së Gazës, janë zhvendosur në dy javët e fundit, ndërsa bombardimet izraelite vazhdojnë në pjesën më të madhe të enklavës, tha të hënën zëdhënësi i Kombeve të Bashkuara, Stephane Dujarric.

    Sipas tij, bombardimet izraelite janë shoqëruar me inkursione tokësore dhe luftime intensive, veçanërisht në Rafah lindor dhe Jabalya.

    Ai tha se, nga palestinezët e zhvendosur, 812,000 janë nga Rafah dhe mbi 100,000 nga Gaza veriore.

    “Deri më sot, më shumë se 75% e Rripit të Gazës, rreth 285 kilometra katrorë, është nën urdhra evakuimi mes armiqësive në rritje”, tha Dujarric.

    Ai shtoi se zhvendosja në shkallë të gjerë ka rezultuar në kushte të rënda jetese për shkak të mungesës së madhe të strehimoreve, pa tenda dhe shumë pak sende strehimi të disponueshme për shpërndarje.

    Individët e zhvendosur po kërkojnë strehim në hapësira të hapura, ndërtesa të dëmtuara dhe toka bujqësore në Khan Younis dhe Deir al-Balah.

  • ​25 vjet nga masakra e Stagovës së Kaçanikut

    ​25 vjet nga masakra e Stagovës së Kaçanikut

    Më 21 maj bëhen 25 vite nga masakrimi i 13 qytetarëve të pafajshëm në fshatin Stagovë të Kaçanikut.

    Atë ditë me 21 maj u vranë mizorisht 13 qytetarë të Kosovës nga forcat terroriste të regjimit të Millosheviqit duke mos e kursyer as fëmijën 7 vjeçar Fitim Gudaqi. Po ashtu në këtë ditë ranë martirët: Hanife Jaha, Selvije Krivanjeva, Baki Bela, Hanife Gudaqi, Ramush Jaha, Ibush Rrushi, Ramadan Dashi, Fahri Mani, Bahrije Elezi, Sevdije Guri, Hamdi Dashi, Brahim Dashi. Në këtë ditë në mbrojtje të civilëve ra dëshmori Ekrem Gudaqi.

    Masakra e Stagovës është në mesin e masakrave më të tmerrshme që ndodhura në Kosovë dhe që për të ish-liderët e regjimit kriminal të Serbisë në krye me kriminelin Sllobodan Millosheviq u akuzuan nga Gjykata për Krime lufte në Ish-Jugosllavi për krime lufte me seli në Hagë, por që askush nuk u dënua për këto krime makabër!.

    21 maji 1999 pos që solli dhimbje të pashërueshme për banorët e këtushëm, kjo datë do të mbahet në mend edhe për shkatërrimet, djegiet dhe vrasjen e bagëtive.

    Nga 180 shtëpi sa kishte ky fshat më 20 maj, të nesërmen paramilitarët serbë dogjën dhe shkatërruan mbi 50 për qind të tyre, apo përkthyer në numra mbi 90 shtëpi. Pra këto fakte flasin qartësisht për qëllimet e regjimit serbë të Millosheviçit, që ishte jo vetëm zhdukja fizike, por edhe ajo materiale e qenies shqiptare, që përkufizohet si qëllim gjenocidal ndaj një kombi në këtë rast shqiptarëve të Kosovës.

    Me rastin e 25 vjetorit të rënies së dëshmorëve dhe martirëve të rënë më 21 maj të vitit 1999, nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës së Kaçanikut Besim Ilazi në bashkëpunim me OVL-në e UÇK-së në Stagovë mbahet manifestim përkujtimor.

    Manifestimi mbahet me fillim nga 13:30. Pas përmbylljes së manifestimit do të bëhen homazhe në Kompleksin Memorial te Varrezat e Dëshmorëve në Kaçanik.