ATV

Category: Lajme

  • Presidentja Osmani kujton Masakrën e burgut të Dubravës

    Presidentja Osmani kujton Masakrën e burgut të Dubravës

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në 25-vjetorin e Masakrës së burgut të Dubravës, ka thënë se pushteti gjenocidal i Serbisë i vrau 120 të burgosur shqiptarë të luftës dhe të burgosur politikë dhe i plagosi 300 të tjerë.

    Osmani ka thënë se kjo masakër shpërfaqi sikur edhe në shumë masakra të tjera gjithandej Kosovës, egërsinë e pushtetit kriminal kundrejt të burgosurve shqiptarë të luftës dhe të burgosurve politik, të cilët padrejtësisht mbaheshin në burg.

    “25-vjet më parë, prej 19-24 maj 1999, pushteti gjenocidal i Serbisë i vrau brenda burgut të Dubravës 120 të burgosur shqiptarë të luftës dhe të burgosur politik dhe i plagosi 300 të tjerë. Kjo masakër shpërfaqi sikur edhe në shumë masakra të tjera gjithandej Kosovës, egërsinë e pushtetit kriminal kundrejt të burgosurve shqiptarë të luftës dhe të burgosurve politik, të cilët padrejtësisht mbaheshin në burg. Sot, bashkëndjejmë me të gjitha familjet që humbën anëtarët e tyre në këtë masakër, ndërkaq të mbijetuarit i inkurajojmë të vazhdojnë ta mbrojnë të vërtetën dhe të luftojnë për drejtësi. Drejtësi për viktimat dhe kujtim i përhershëm për to”, ka shkruar Osmani.

  • Turma të mëdha mblidhen në Teheran për ceremoninë e varrimit të Raisit

    Turma të mëdha mblidhen në Teheran për ceremoninë e varrimit të Raisit

    Turma të mëdha njerëzish janë mbledhur në Teheran të mërkurën për të marrë pjesë në ceremonitë e varrimit të presidentit iranian Ebrahim Raisi, ministrit të Jashtëm Hossein Amir-Abdollahian, dhe zyrtarëve të tjerë që humbën jetën nga rrëzimi i një helikopteri më 19 maj.

    Lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, i cili shpalli pesë ditë zie, i udhëhoqi ceremonitë, të cilat nisën në Universitetin e Teheranit në qendër të kryeqytetit, ku u mblodhën mijëra njerëz duke mbajtur në dorë portrete të Raisit.

    “O Allah, nga ai pamë vetëm mirë”, tha Khamenei për Raisin. Njerëzit u afruan për t’i prekur arkivolet, afër të të cilave qëndronte presidenti në detyrë i Iranit, Mohammad Mokhaber.

    Arkivolet e Raisit dhe viktimave të tjera të rrëzimit të helikopterit u sollën në Teheran me nderime më 21 maj. Ato u mbështjellën me flamuj iranianë dhe mbi to u vendosën fotografitë e tyre. Mbi arkivolin e Raisit u vendos një çallmë e zezë për të shënuar gjoja prejardhjen e tij të drejtpërdrejt nga Profeti Muhamed.

    Përveç liderëve kryesorë të Iranit, në ceremoni morën pjesë edhe disa personalitete të huaja, përfshirë kryeministrin e Pakistanit, Shehbaz Sharif, dhe një delegacion nga udhëheqësit talibanë të Afganistanit, i udhëhequr nga ministri i Jashtëm, Amir Khan Mutaqqi.

    Ismail Haniyeh, lideri i Hamasit – grupit të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – u pa gjatë transmetimit drejtpërdrejt duke marrë pjesë në ceremoni gjithashtu.

    Irani e ka armatosur dhe mbështetur Hamasin gjatë luftës së tanishme me Izraelin në Rripin e Gazës.

    I pranishëm ishte edhe Sheik Naim Qassem, zëvendëslideri i Hezbollahut, grupit libanez që mbështetet nga Irani.

    Raportohet se turma brohoriti “Vdekje Izraelit”.

    Ceremonitë e varrimit nisën më 21 maj në qendrën klerikale shiite Kom dhe në Tabriz, kryeqytetin e Provincës Azerbajxhani Lindor të Iranit, ku u rrëzua helikopteri më 19 maj, ku morën pjesë mijëra njerëz.

    Khamenei e emëroi Mohammad Mokhberin, i cili shërbeu si zëvendëspresident i Raisit, në detyrën e presidentit të përkohshëm./REL/

  • Haradinaj: Masakra e Dubravës shpërfaqi qartë gjenocidin e shtetit serb

    Haradinaj: Masakra e Dubravës shpërfaqi qartë gjenocidin e shtetit serb

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka kujtuar masakrën e Dubravës të 22 majit të vitit 1999.

    Haradinaj ka thënë se kjo masakrës si synim kryesor kishte zhdukjen e qenies shqiptare, përmes spastrimit etnik.

    “Nga 19 e deri më 22 maj 1999, shteti serb kreu një akt të përgjakshëm dhe të planifikuar, duke vrarë mbi 130 të burgosur shqiptarë dhe plagosur mbi 200 të tjerë. Masakra e Dubravës shpërfaqi qartë gjenocidin e shtetit serb, ku si synim kryesor kishte zhdukjen e qenies shqiptare, përmes spastrimit etnik, masakrave kudo në Kosovë e dëbimin me dhunë të më shumë se të gjysmës së popullatës nga trojet e tyre”, ka thënë Haradinaj.

    Haradinaj ka shtuar se ideatorët dhe ekzekutorët e këtyre krimeve genocidale janë mbetur të lirë dhe pa u dënuar.

    “Po ashtu, në ato ditë maji të 1999, forcat ushtarake serbe, mbi popullatën shqiptare në Vushtrri ushtruan terror të paparë, duke ekzekutuar burra, gra, pleq e fëmijë, pa dallim. Trupat e 67 nga 68 të vrarëve në rrugën “22 Maji” në Vushtrri, u gjetën në varrezat masive në Serbi mes viteve 2003-2012. Edhe pse këto masakra janë nga ngjarjet më të dokumentuara, me emër e mbiemër, askush nuk është gjykuar për krimet e kryera. Ideatorët dhe ekzekutorët e këtyre krimeve genocidale janë mbetur të lirë dhe pa u dënuar”, është shprehur Haradinaj.

  • Vdes një burrë në QKUK, ra nga një lartësi derisa po punonte

    Vdes një burrë në QKUK, ra nga një lartësi derisa po punonte

    Policia e Kosovës njoftoi se një person ka ndërruar jetë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovë, si pasojë e lëndimeve që mori pasi ra nga lartësia e vendit ku po punonte.

    “Novobërdë 21.05.2024-10:25. Raportohet se viktima mashkull kosovar gjersa ka qenë duke punuar në një shtëpi është rrëzuar nga çatia. Viktima ka pësuar lëndime të rënda trupore dhe është dërguar në QKUK ku ka ndërruar jetë”, thuhet ne raportin policor.

    Tutje, Policia njoftoi se me vendim të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore, për obduksion.

  • Gjendet pa shenja jete një grua në Pejë

    Gjendet pa shenja jete një grua në Pejë

    Një grua është gjetur e vdekur dje në Pejë, njoftoi Policia e Kosovës.

    Në raportin 24-orësh të Policisë thuhet se vdekjen e viktimës e ka konstatuar mjeku kujdestar, derisa hetimet për vdekjen e saj kanë nisur.

    “Pejë 20.05.2024-NN. Është raportuar se është gjetur pa shenja jete viktima femër kosovare. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante ku mjeku kujdestar e ka konstatuar vdekjen e viktimës. Me vendim të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në njoftim.

  • Cameron sot në Tiranë, takon krerët e shtetit shqiptar

    Cameron sot në Tiranë, takon krerët e shtetit shqiptar

    Sekretari i Jashtëm britanik, David Cameron viziton sot Tiranën.

    Ai do të zhvillojë takime me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, presidentin Bajram Begaj dhe ministrin e Jashtëm, Igli Hasani, për të diskutuar për marrëdhëniet e bashkëpunimit mes dy vendeve.

    Pas takimit me Ramën, është parashikuar një konferencë e përbashkët në orën 12:50. Në orën 14:30, diplomati britanik do të takohet me Begajn.

    Sërish në fokus do të jetë ndalimi i emigracionit të paligjshëm, thuajse dy vite pas arritjes së marrëveshjes për kthimin e menjëhershëm të qytetarëve shqiptarë ilegalë nga Britania e Madhe.

    Cameron do të shpallë po ashtu një program për anti-korrupsionin dhe luftën kundër krimit të organizuar për sistemin gjyqësor, e cila do t’i shërbejë të dyja vendeve.

    Po ashtu, Mbretëria e Bashkuar do të vijojë mbështetjen për forcat e Policisë shqiptare, në kuadër të zbatimit të reformave për vendin tonë.

    Disa ditë më parë, kryeministri Rama zhvilloi një bisedë telefonike me homologun Rishi Sunak për raportet dhe bashkëpunimin mes Shqipërisë dhe Anglisë.

    Britania ka njoftuar një plan ndërkombëtar, në luftën ndaj emigracionit të paligjshëm, pjesë e të cilit janë bërë 19 shtete.

  • Një tornado e fuqishme shkakton shumë viktima dhe dëme në Ajova

    Një tornado e fuqishme shkakton shumë viktima dhe dëme në Ajova

    Një tornado e fuqishme e ka shkatërruar një qytezë të vogël në Ajova të Shteteve të Bashkuara të Amerikës të martën, duke vrarë shumë njerëz dhe duke lënduar dhjetëra të tjerë, thanë autoritetet të martën.

    Pamjet nga qyteza Greenfield shfaqin rrënimin e madh që ka shkaktuar tornadoja; shtëpi të bëra rrafsh me tokën dhe rrënoja gjithandej.

    Disa turbina të mëdha të erës u rrëzuan gjithashtu.

    “Kjo tornado e ka shkatërruar një pjesë të madhe të kësaj qyteze”, tha Alex Dinkla, zëdhënës i policisë në Ajova.

    “Mund të konfirmojmë se ka shumë viktima nga kjo tornado”, shtoi ai.

    Dinkla nuk tregoi numrin e saktë të viktimave, dhe tha se numri nuk mund të dihet para të mërkurës.

    Së paku dhjetëra njerëz në Greenfield, një qytezë me rreth 2.000 banorë, u lënduan nga stuhia, tha Dinkla.

    Për shkak se spitali i qytezës kishte pësuar dëme nga stuhia, të lënduarit u dërguan në spitalet e qytezave në afërsi për shërim.

    Guvernatorja e Ajovës, Kim Reynolds, tha se do ta vizitojë Greenfieldin të mërkurën.

    “Derisa është shumë herët të dihet ndikimi i stuhisë, përgjigjet do të vijnë orët dhe në ditët në vijim”, tha ajo.

    Shërbimi Kombëtar i Motit i SHBA-së kishte bërë disa paralajmërime për tornado për shumicën e Ajovës dhe për disa shtete në afërsi të martën./REL/

  • Deputetja e PDK-së: Kemi kërkuar shpërndarjen e Kuvendit por kundër janë LDK-ja dhe AAK-ja

    Deputetja e PDK-së: Kemi kërkuar shpërndarjen e Kuvendit por kundër janë LDK-ja dhe AAK-ja

    Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ariana Musliu-Shoshi ka thënë për Ekonomia Online se partia e saj ka kërkuar shpërndarjen e Kuvendit por që kundër kësaj ideje kanë dalë dy partitë tjera opozitare, LDK-ja e AAK-ja.

    Musliu-Shoshi nuk është shumë e sigurt se mocioni mund të kalojë, marrë parasysh votat që kërkohen për të shkarkuar Qeverinë. Andaj, kërkon që kjo çështje të diskutohet nga liderët e partive opozitare.

    “Si PDK ne kemi kërkuar shpërndarjen e Kuvendit, kemi kërkuar votat nga partitë opozitare që të jemi të gjitha bashkë drejt pra, votës për shpërndarjen e Kuvendit. Tu marrë parasysh faktin që dy partitë opozitare me qëndrimet e tyre LDK-ja dhe AAK-ja janë kundër një vendimi të tillë, atëherë nuk jam e sigurt se a i kemi votat sepse e dimë që kërkohen 80 vota që të bëhet shpërndarja e Kuvendit. Prandaj mendoj që është pjesë e liderëve të partive opozitare që të konkretizojnë se si do të ecim përpara. Mirëpo nëse arrijmë si parti opozitare që t’i kemi votat, patjetër që ka mundësi të shkojmë edhe në zgjedhje, mirëpo nëse nuk ka dakordim në mes partive opozitare e liderëve, atëherë nuk e shoh se si do të jenë votat që të ecin përpara”, ka thënë Shoshi për Ekonomia Online.

    Deputetja e PDK-së ka thënë se janë të vetmit parti që nuk kanë vendosur vija të kuqe me partitë shqiptare dhe se këtë nuk do ta bëjnë as këtë herë.

    “Ne kemi thënë se jemi e vetmja parti e cila asnjëherë në asnjë palë zgjedhje nuk ka pas vija të kuqe me asnjë parti shqiptare. Prandaj është ende shumë herët të diskutohet për një çështje të tillë. Prapë se prapë ne si PDK i kemi organet tona, është Kryesia, është Këshilli Drejtues që paraprakisht e diskutojmë, marrim mendimin dhe opinionin, votën e secilit ashtu siç mendon dhe varësisht nga opinionet e ndryshme, vendimet merren në shumicë e nuk merren vendimet me individë”, ka thënë ajo.

  • Pacolli: Presim opozitën të koordinohet për datën e zgjedhjeve, në të kundërtën e vazhdojmë mandatin

    Pacolli: Presim opozitën të koordinohet për datën e zgjedhjeve, në të kundërtën e vazhdojmë mandatin

    Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, ka thënë për Ekonomia Online se partia e saj është e gatshme për zgjedhje dhe se janë në pritje të një koordinimi me partitë opozitare.

    Pacolli ka deklaruar se nëse opozita dështon ta caktojë datën e zgjedhjeve, partia në pushtet do ta dërgojë mandatin deri në fund.

    “Tani ne e kemi treguar qe jemi të gatshëm kurdo që ka nevojë me shku në zgjedhje, ose kur do që don opozita me shku në zgjedhje, ne jemi të gatshëm dhe mund të shkojmë në zgjedhje. Ne po presim qe të kemi koordinim bashkë me opozitën në mënyrë që të caktohet data e zgjedhjeve, nëse nuk ka koordinim ne e vazhdojmë mandatin deri në fund, sepse është opozita ajo që po kërkon zgjedhje dhe nëse opozita po kërkon zgjedhje të reja, ne jemi në gatshëm të shkojmë në zgjedhje të reja e nëse ata dështojnë që të koordinohen për një datë të caktuar, ne jemi të gatshëm të shkojmë deri në fund të mandatit”, ka thënë Pacolli.

    Të martën, shefi i GP të PDK-së, Abelard Tahiri ka deklaruar se kërkojnë mocion për shpërbërjen  e Kuvendit.

  • Ky është parashikimi i motit për sot

    Ky është parashikimi i motit për sot

    Moti në Kosovë sot pritet të jetë me diell por edhe vranësira kalimtare.

    Sipas parashikimit të Institutit Hidrometeorologjik, në Kosovë pritet të ketë mot me diell dhe vranësira të herë pas hershme.

    Temperaturat minimale kanë shënuar 12 gradë Celsius, ndërsa maksimalja e ditës pritet të arrij në 22 gradë Celsius.