ATV

Category: Lajme

  • Osmani: Miqësitë e përhershme që Rugova ndërtoi, duhet të jenë vizioni ynë i vazhdueshëm

    Osmani: Miqësitë e përhershme që Rugova ndërtoi, duhet të jenë vizioni ynë i vazhdueshëm

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani në 24 maj, që njihet si Dita e Presidentit ka kujtuar ish-presidentin historik të Kosovës, Ibrahim Rugova.

    Osmani ka thënë kjo ditë na kujton vizionin shtetformues të Presidentit Rugova dhe miqësitë e përhershme qe ai i ndërtoi. Ajo ka thënë se ky duhet të jetë vizion i vazhdueshëm i Kosovës, pavarësisht sfidave që u dalin në rrugë.

    “Sot është 24 Maji- Dita e Presidentit, e themeluar nga Presidenti Historik Ibrahim Rugova, ditë e simbolikës shtetërore në Republikën tonë, që na kujton vizionin shtetformues të Presidentit Rugova dhe miqësitë e përhershme qe ai i ndërtoi. Le të jetë ky vizion i yni i vazhdueshëm, pavarësisht sfidave që na dalin përgjatë kësaj rruge”, shkruan Osmani.

  • Policia arreston personin që kishte kërcënuar Përparim Ramën

    Policia arreston personin që kishte kërcënuar Përparim Ramën

    Policia e Kosovës ka arrestuar një person në Prishtinë, nën dyshimin se ka kanosur Kryetarin dhe Kryesuesin e Kuvendit Komunal të Prishtinës.

    Sipas raportit 24 orësh, rasti ka ndodhur gjatë zhvillimit të një diskutimi lidhur me planin rregullues të një lagjeje në kryeqytet.

    “KANOSJE NDAJ PERSONIT ZYRTAR Komuna e Prishtinë 08.05.2024 – 15:00. Më 23.05.2024 pas hetimeve të zhvilluara është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar me dyshimin se i njëjti gjatë zhvillimit të një diskutimi lidhur me planin rregullues të një lagjeje të kryeqytetit, kishte kanosur dy zyrtarë të KK Prishtinë (kryetarin dhe kryesuesin e Kuvendit Komunal).

    I dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në raport.

  • Bosnja paralajmëron notë proteste për vendet që votuan kundër rezolutës

    Bosnja paralajmëron notë proteste për vendet që votuan kundër rezolutës

    Ministri i Jashtëm i Bosnje e Hercegovinës, Elmedin Konakoviq, tha se nesër vendi i tij do t’iu dërgojë notë proteste të gjitha vendeve që votuan kundër rezolutës që shpall 11 korrikun Ditë Ndërkombëtare e Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë dhe dënon mohimin e gjenocidit dhe glorifikimin e kriminelëve të luftës.

    Rezoluta në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork u miratua sot me 84 vota pro, 19 kundër dhe 68 abstenime.

    Konakoviq vlerësoi se po përpiqen të minimizojnë numrin e vendeve që votuan “për”, por theksoi se vetëm 19 vende votuan “kundër”, por “për ne ishte e rëndësishme që rezultati të ishte pozitiv”. Raporti është 4:1 për ata që janë në anën e së vërtetës”, tha ai.

    “Ne besojmë se (ata që votuan kundër) janë në krah të autorëve të krimeve të luftës dhe nuk respektojnë vendimet e gjykatave ndërkombëtare. Ky është detyrimi ynë njerëzor”, ka thënë Konakoviq.

    “Ne pritet të kemi një qëndrim të unifikuar në BeH me ata për të cilët miratohet rezoluta”, se votimi i rezolutës “nuk është një fitore apo një lojë, por një luftë për të pozicionuar të vërtetën ashtu siç e meriton. Për ne është shumë e rëndësishme që sot nuk dëgjuam asnjë që foli kundër fakteve përveç (presidentit serb Aleksandar) Vuçiq dhe se fakti i rëndësishëm është se i gjithë rajoni, përveç Serbisë, ishte në anën e duhur”, tha ai.

    Konakoviq e quajti të pakuptimtë deklaratën e presidentit të Republikës Serbe Milorad Dodik për një “ndarje paqësore” në BeH dhe tha se “institucionet do t’i përgjigjen në mënyrë efektive të gjithë atyre që punojnë për destabilizim.”

    Projekt-rezoluta dënon pa rezerva veprimet që lavdërojnë të dënuarit për krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid, duke përfshirë ata që janë përgjegjës për gjenocidin në Srebrenicë. Ajo gjithashtu thekson rëndësinë e përfundimit të procesit të gjetjes dhe identifikimit të viktimave të mbetura të gjenocidit në Srebrenicë dhe varrimit të tyre dinjitoz, dhe bën thirrje për vazhdimin e ndjekjes penale të autorëve të gjenocidit në Srebrenicë.

    Projekt-rezoluta i kërkon Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara të krijojë një program informacioni të titulluar “Gjenocidi në Srebrenicë dhe Kombet e Bashkuara” për të filluar përgatitjet për 30-vjetorin e përkujtimit në 2025 dhe më tej i kërkon Sekretarit të Përgjithshëm t’u dërgojë një rezolutë të gjithë anëtarëve shteteve, organizatave të sistemit të Kombeve të Bashkuara dhe organizatave të shoqërisë civile, thuhet në projekt-rezolutën.

    Në preambulën e tekstit thuhet se “përgjegjësia penale sipas ligjit ndërkombëtar për krimin e gjenocidit është e individualizuar dhe nuk mund t’i atribuohet asnjë grupi apo komuniteti etnik, fetar apo tjetër në tërësi”.

    Pro projekt-rezolutës, ndër tjera, votuan Shqipëria, Australia, Austria, Belgjika, Bosnja dhe Hercegovina, Bullgaria, Kanadaja, Kroacia, Republika Çeke, Danimarka, Franca, Gjermania, Italia, Japonia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Sllovenia. Kundër, ndër të tjera, votuan Serbia, Siria, Kina, Rusia, Bjellorusia, Hungaria, Dominika, Kuba.

  • IKD: Shteti vazhdon t’i përjashtojë pensionistët nga të drejtat që ua garanton ligji

    IKD: Shteti vazhdon t’i përjashtojë pensionistët nga të drejtat që ua garanton ligji

    Instituti i Kosovës për Drejtësi, ka kritikuar institucionet e vendit për mos realizimin e të drejtave ligjore ndaj pensionistëve, duke mos ua përllogaritur pensionet në bazë të inflacionit, raporton Ekonomia Online.

    Sipas IKD-së, qytetarët e Kosovës, të cilët i kanë mbushur 65 vite jetë, pavarësisht nga historia e tyre e punësimit gëzojnë të drejtën e pensionit bazë.

    “Qeveria e Kosovës ka dështuar të përllogarisë koston e jetesës së mijëra pensionistëve në mënyrë që t’i rrisë pensionet dhe t’i përshtatë ato edhe me inflacionin. Ky mosharmonizim përbën shkelje të të drejtave të qindra mijëra pensionistëve dhe dështim për t’i mbrojtur të drejtat që ua garanton ligji. Qytetarët e Kosovës, të cilët i kanë mbushur 65 vite jetë, pavarësisht nga historia e tyre e punësimit gëzojnë të drejtën e pensionit bazë, politikë pensionale e cila ishte vendosur si masë për zbutjen e varfërisë. Por, përkundër qëllimit të kësaj mase, si mjet jetik në luftën kundër varfërisë dhe mbrojtjes sociale të qytetarëve që kanë mbushur moshën e pensionit, ky qëllim nuk është përmbushur asnjëherë”, thuhet në një komunikatë të IKD-së.

    IKD vlerëson se shuma e përcaktuar ndër vite ka qenë e pamjaftueshme për t’i mbuluar shpenzimet minimale të përfituesve.

    “Për më tepër, institucionet e Kosovës, respektivisht Ministria për Punë dhe Mirëqenie Sociale (MPMS) për vitet e mëhershme, tani Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT) nuk kanë ndërmarrë hapa adekuatë dhe nuk kanë zbatuar legjislacionin në fuqi për caktimin e lartësisë së pensionit. Sipas Ligjit për Skemat Pensionale të financuara nga shteti, MFPT e ka për obligim që për secilin fundvit, t’i propozojë Qeverisë së Kosovës lartësinë e pensionit për vitin e ardhshëm, në pajtim me koston e jetesës dhe inflacionit. Në këtë kuptim, pensionet duhet të harmonizohen me koston e jetesës duke rritur shumën e pensionit që duhet paguar me të njëjtën përqindje bazuar në Indeksin e Kostos së jetesës të vitit paraprak”, thekson IKD.

    Përkundër që është obligim ligjor, IKD vlerëson se MFPT dhe Qeveria e Kosovës nuk propozuan dhe nuk morën vendim në pajtim me Ligjin për Skemat Pensionale të financuara nga Shteti dhe në pajtim me Ligjin mbi Metodologjinë e caktimit të lartësisë së pensionit bazë në Kosovë dhe caktimin e datës për sigurimin e pensioneve bazë.

    “Mospërshtatja e pensioneve duke e përllogaritur koston e jetesës çdo vit është shkelje e të drejtave të qindra-mijëra pensionistëve. Dështimi për t’i përshtatur pensionet me koston e jetesës është një dështim për t’i mbrojtur të drejtat që u ka garantuar ligji. Rrjedhimisht, kjo ka shkaktuar dhe vazhdon të shkaktojë situatë të vështirë jetese për këtë kategori që siguron jetesën bazuar në pensionin e shtetit. IKD, shpreh shqetësimin e thellë për moszbatimin e dy ligjeve themelore të cilat kanë në mbrojtje afërsisht 147 mijë pensionistë të Kosovës, të cilët mund të jenë në kufirin e varfërisë për shkak të mosveprimit të shtetit. Shteti ka për obligim që të ofrojë kujdes shëndetësor, strehim dhe shërbime shtesë për të siguruar standard mesatar të jetesës për pensionistët”, thuhet në reagimin e IKD-së.

    Andaj, IKD, ka kërkuar nga MFPT-ja dhe Qeveria e Kosovës, që të nisë së zbatuari të dy ligjet. Në të kundërtën, për interes publik ne do t’i shfrytëzojmë të gjitha procedurat ligjore që kjo çështje të adresohet.

  • Një foshnje dërgohet pa shenja jete në QKMF-në e Istogut

    Një foshnje dërgohet pa shenja jete në QKMF-në e Istogut

    Një foshnje rreth një muaj e gjysmë është dërguar pa shenja jete në QKMF-në e Istogut.

    Kështu ka bërë të ditur Policia përmes raportit 24-orësh.

    “Në QKMF është sjellë pa shenja jete një foshnje e moshës rreth një muaj e gjysmë. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar mjeku kujdestar. Me vendim të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në raport.

  • Policia shqipton mbi 2 mijë gjoba në trafik brenda 24 orëve

    Policia shqipton mbi 2 mijë gjoba në trafik brenda 24 orëve

    Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit ka shqiptuar 2002 gjoba në trafik.

    Sipas policisë, gjatë kësaj periudhe kohore janë evidentuar disa aksidente në trafikun rrugor, ku 21 aksidente kanë qenë me lëndime, ndërsa 32 me dëme materiale.

    Po ashtu, policia njofton se janë arrestuar 10 persona.

     

  • Sot mbahet seanca e rigjykimit për vrasjen e Marigona Osmanit

    Sot mbahet seanca e rigjykimit për vrasjen e Marigona Osmanit

    Sot do të mbahet seanca e rigjykimit për vrasjen e Marigona Osmanit.

    Seanca gjyqësore ndaj të akuzuarve Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu, është shtyrë për sot me kërkesë të mbrojtësve të tyre.

    Trupi gjykues ka planifikuar që nga ora 10:00 të fillojë seanca gjyqësore në çështjen penale kundër të akuzuarve.

  • Sot përfundon periudha shtesë e regjistrimit të popullsisë

    Sot përfundon periudha shtesë e regjistrimit të popullsisë

    Sot përfundon regjistrimi i popullsisë edhe për komunat në Kosovë të cilat kishin kërkuar shtyrjen e afatit për një javë në mënyrë që të përmbyllin suksesshëm këtë proces.

    Afati i regjistrimit të popullsisë ishte nga 5 prilli deri më 17 maj, ndërsa me kërkesë në disa komuna është shtyrë edhe për një javë, deri më 24 maj.

    Shtyrja e afatit ishte bërë pasi mund të kishte individë, ekonomi familjare që nuk ishin regjistruar, si në Dragash, Prishtinë, Prizren, Drenas, Fushë Kosovë, Skenderaj, Obiliq, Ferizaj, Shtërpcë, Kaçanik dhe Gjakovë.

    Edhe në katër komunat e Veriut, në objektet e komunave zyrat kanë qenë të hapura nga ora 09:00-18:00.

    Në periudhën sa është shtyrë regjistrimi, intervistat janë zhvilluar nga stafi i Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK).

    Ndryshe, nga këtu regjistrimi i Diasporës do të vazhdojë të bëhet përmes Platformës online eDiapsora (https://ediaspora.rks-gov.net/) deri më 31 gusht 2024.

    Pas javës së parë të regjistrimit sipas të dhënave nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), ishin regjistruar mbi 1 milion e 420 mijë banorë.

    Referuar po kësaj periudhe kohore për diasporën ishte kaluar numri mbi 400 mijë që janë regjistruar në formën online.

    Sipas zyrtarëve të ASK-së kualiteti i të dhënave në këtë regjistrim do të jetë shumë më i mirë se në vitin 2011.

    Drejtues të Agjencisë së Statistikave të Kosovës dhe njohës të ekonomisë thonë se vendi ka nevojë për evidencë të mirëfilltë të qytetarëve dhe nga ky regjistrim presin të ketë përmirësim në aspektin ekonomik në vend, hartim të politikave më efektive në investime e po ashtu edhe realizim të të drejtave të qytetareve.

  • ​Rezoluta e OKB-së, Kurti: Për paqe në Ballkan, duhet vërtetuar përgjegjësia e Serbisë

    ​Rezoluta e OKB-së, Kurti: Për paqe në Ballkan, duhet vërtetuar përgjegjësia e Serbisë

    Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka përgëzuar miratimin e Rezolutës së OKB-së, për Gjenocidin në Srebrenicë.

    Në llogarinë e tij në X, Kurti ka shkruar se gjenocidi në Srebrenicë shënon masakrën më brutale të Evropës që nga Lufta e Dytë Botërore.

    E plotë:

    “Për paqe në Ballkan, duhet vërtetuar përgjegjësia e Serbisë dhe nevojiten përpjekje të mëtejshme për të sjellë autorët para drejtësisë”, shkroi Kurti.

    Në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara sot me 84 vota pro ka kaluar Rezoluta për Srebrenicën.

    Në këtë votim morën pjesë 193 shtete prej tyre, 19 ishin kundër dhe 68 abstenuan, gjatë votimit vendet nuk patën të drejtën e vetos.

    Me këtë rezolutë 11 korriku do të caktohet si si “Dita Ndërkombëtare e Reflektimit dhe Përkujtimit të Gjenocidit të vitit 1995 në Srebrenicë”.

  • ​Hovenier: Qeveria e Kosovës të lëvizë përpara me Asociacionin

    ​Hovenier: Qeveria e Kosovës të lëvizë përpara me Asociacionin

    Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, tha se shteti i tij beson se për Kosovën është urgjente që të lëvizë përpara me dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të një draft-statuti për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

    Gjatë një interviste për transmetuesin publik të Kosovës, Hovenier tha se Kosova ka shumë miq që duan ta shohin shtetin pjesë të organizatës të Këshillit të Evropës dhe të shfaqë përkushtimin për të drejtat e pakicave dhe të drejtave të njeriut.

    “Një nga mënyrat më të dukshme për të bërë këtë e që e kemi rekomanduar të gjithë, është ndërmarrja e këtij hapi të rëndësishëm të dërgimit të këtij drafti të BE-së të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Gjykatën Kushtetuese. Na duket se kjo është një gjë e rëndësishme për Kosovën, pa iu referuar Këshillit të Evropës, sepse do të ndihmojë për të siguruar mbrojtje të duhur për komunitetin etnik serb në Kosovë, por gjithashtu zhbllokon dhe hap këtë rrugëtimin në të cilin duam ta shohim Kosovën”, tha Hovenier.

    Kosova dështoi të futej në agjendën e takimit të Komitetit të Ministrave në Këshillin e Evropës të mbajtur në mes të majit në Strasburg, pasi shtetit iu vendos kusht që të lëvizte përpara me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

    Një ditë para takimit në Strasburg, kryediplomatja e Kosovës, Donika Gërvalla, përmes një letre njoftoi Këshillin e Evropës se Kosova synon që të hartojë një draft-statut për Asociacionin dhe ta dërgojë në Kushtetuese deri në fund të majit, në këmbim të pranimit të shtetit në këtë organizatë për të drejtat e njeriut.

    Por, në letrën e Gërvallës thuhej se draft-statuti do të frymëzohej nga një draft i prezantuar kohë më parë nga organizata gjermane Friedrich-Ebert-Stiftung, e jo draft-statuti që iu paraqit Kosovës dhe Serbisë nga BE-ja tetorin e vitit të kaluar.

    Hovenier tha se me sa e kupton ai, kjo ofertë e Gërvallës më nuk është e vlefshme, ndërkaq sa i përket se çfarë draft-statuti duhet Kosova të dërgojë në Kushtetuese, ambasadori amerikan tha:

    “Lidhur me pyetjen se cili draft dhe si dërgohet më tej, kjo është çështje e rëndësishme dhe padyshim që është një zgjedhje sovrane e Qeverisë së Kosovës se çfarë statuti zgjedh të hartojë dhe si e çfarë do të kërkojë të miratojë apo dërgojë në Gjykatën Kushtetuese. Por, do të them se drafti i ofruar nga Bashkimi Evropian – ky draft statut për Asociacionin e komunave me shumicë serbe – ofron një sërë përparësish unike dhe të rëndësishme”.

    Vitin e kaluar, Bashkimi Evropian, si ndërmjetës i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, i prezantoi palëve një draft-statut për Asociacionin, i cili u pranua në parim.

    Po vitin e kaluar, Kosova dhe Serbia arritën një marrëveshje për normalizimin e raporteve, që parasheh edhe sigurimin e një niveli të vetëmenaxhimit të komunitetit serb dhe zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura në dialog.

    Në kuadër të dialogut që ndërmjetësohet nga BE-ja, Kosova dhe Serbia kanë arritur dy marrëveshje për Asociacionin: më 2013 dhe 2015.

    Por, Gjykata Kushtetuese tha më 2015 se Marrëveshja mbi parimet për themelimin e Asociacionin nuk ishte në harmoni të plotë me aktin më të lartë juridik të shtetit. Harmonizimi, sipas Kushtetueses, mund të bëhet përmes akteve nënligjore.

    Megjithatë, Kosova deri më tani nuk ka ndërmarrë hapa drejt themelimit të tij.

    Qeveria e Kosovës është shprehur kundër një asociacioni njëetnik. /rel/