ATV

Category: Lajme

  • Policia lëshon kërkesë për bashkëpunim për arrestimin e Enver Sekiraqës

    Policia lëshon kërkesë për bashkëpunim për arrestimin e Enver Sekiraqës

    Përgatiti: Nora Luta

    Gjashtë ditë pasi nuk e gjeti në shtëpi Enver Sekiraqën, për ta zbatuar vendimin e Gjykatës së Apelit, Policia lëshoi kërkesë për bashkëpunim për arrestimin e tij. Këtë e bëri me autorizim të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

    Nga e shtuna e javës së kaluar, Sekiraqa është i paarritshëm për organet e rendit.

    Njohës të fushës së drejtësisë tregojnë se si veprojnë institucionet zakonisht në rastet e tilla për të siguruar prezencën e të dënuarit.

    Nga institucionet ende nuk është konfirmuar e as hedhur poshtë pretendimi i mbrojtjes së Sekiraqës, se ai ka dalë jashtë vendit në mënyrë të rregullt, nëpërmjet njërës nga pikat kufitare, në kohën sa ndaj tij nuk kishte masë sigurie.

    E nëse kjo vërtetohet, sipas juristëve, do të duhej të lëshohej urdhërarrest ndërkombëtar.

    Nga e mërkura, televizioni e ka pyetur Gjykatën Themelore të Prishtinës nëse tashmë ka vendim për urdhërarrest ndaj Sekiraqës, por nuk ka kthyer një përgjigje.

    Disa nga juristët e justifikojnë heshtjen e gjykatës nën arsyetimin se në raste të tilla, çdo informacion mund të pengojë rrjedhën e procedurës.

    Më 3 maj, Gjykata Themelore e dënoi Enver Sekiraqën me 25 vjet burgim për nxitjen e vrasjes së Triumf Rizës, por ia ndërpreu masën e arrestit shtëpiak, duke e lënë të lirë deri në konfirmimin e plotfuqishmërisë së vendimit.

  • Hovenier me porosi për Kurtin: Qeveria të lëvizë para me Asociacionin

    Hovenier me porosi për Kurtin: Qeveria të lëvizë para me Asociacionin

    Ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, ka thënë se Shtetet e Bashkuara qëndrojnë po aq fuqishëm, si gjithmonë, me Kosovën për ta parë atë duke zënë vendin e saj në strukturat evropiane dhe euroatlantike.

    “Shtetet e Bashkuara qëndrojnë po aq fuqishëm, si gjithmonë, me popullin e Kosovës në këtë projekt për ta parë Kosovën duke zënë vendin e saj në strukturat evropiane dhe euroatlantike.

    Gjatë vizitës së saj në fundjavë, nënsekretarja jonë e Shtetit për Çështjet Publike tha se ne besojmë se vendi i Kosovës është në strukturat evropiane dhe euroatlantike. Kjo do të thotë se ne besojmë se Kosova duhet të jetë anëtare e BE-së, Kosova duhet të jetë anëtare e NATO-s, se Kosova duhet të jetë anëtare e Këshillit të Evropës.

    Natyrisht, këto gjëra nuk ndodhin vetvetiu, automatikisht, dhe një pjesë e punës sonë diplomatike është të ndihmojmë qeverinë e Kosovës që të bëjë gjërat e nevojshme për të shtyrë përpara çështjen e anëtarësimit dhe kjo na sjell tani në çështjen e Këshillit të Evropës.

    Siç e thatë edhe ju, javën e kaluar është mbajtur një takim i Këshillit të Evropës, por aplikimi i Kosovës për anëtarësim nuk u përfshi në rend dite. Nga këndvështrimi ynë, është për të ardhur keq. Siç thashë, ne do të dëshironim ta shohim Kosovën anëtare, por kjo do të thotë se Qeveria e Kosovës ndoshta duhet të ndërmarrë veprime shtesë përtej veprimeve të ndërmarra deri më tani në mënyrë që kjo të realizohet. Ne nuk votojmë aty. Këshilli i Evropës është një organizatë ndërqeveritare që nuk përfshin qeverinë time. Ne jemi vëzhgues në të, por këshilla jonë për qeverinë e Kosovës, si dhe këshilla e partnerëve tanë evropianë, ka qenë që t’i bëjë gjërat e vështira që po iu kërkohen, të cilat besojmë se do të jenë në dobi të popullit të Kosovës për të mundësuar anëtarësimin.“

    Por a ka ende shpresë se mund të arrihet qëllimi?

    “Natyrisht, ka shpresë se qëllimi mund të arrihet dhe kam besim se në të ardhmen do ta shohim Kosovën si anëtare të plotë të Këshillit të Evropës. Por, dua të theksoj përsëri kjo nuk do të thotë se kjo do të ndodhë automatikisht. Ka disa gjëra specifike që qeveria ende duhet t’i bëjë, që ia kanë kërkuar partnerët dhe miqtë e saj. Më duhet të them se nga këndvështrimi i SHBA-së, këshilla jonë për qeverinë ka qenë të ndërmarrë veprimet e kërkuara nga vendet e tjera në Këshillin e Evropës për të treguar angazhimin e saj të qartë dhe të vendosur ndaj të drejtave të pakicave.

    Shumë anëtare të Këshillit të Evropës i kanë kërkuar Kosovës që të ndërmarrë hapin që të dërgojë draftin e propozuar të BE-së për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës. Dhe lidhur me këtë, mendoj se shumë shtete evropiane kanë sugjeruar se do të jenë të përgatitur të marrin parasysh dhe ta shqyrtojnë pozitivisht kërkesën e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Ne e nxisim ndërmarrjen e këtij hapi, e inkurajojmë Kosovën të bëjë çka duhet të bëjë për të marrë atë votë pozitive. Ne duam të jemi avokues të fortë dhe efektivë për Kosovën, por kjo do të thotë se qeveria duhet të bëjë gjëra që na lejojnë të jemi avokues të fortë dhe efektivë.“

    Hovenier e komentoi edhe deklaratën e Escobarit se Kosova ende nuk i ka plotësuar të gjitha kushtet, duke përmendur Asociacionin.

    “Pra, nuk mendoj se më takon mua të them nëse qeveria e kuptoi apo zgjodhi të mos e kuptojë, thjesht, shpresoj që qeveria njëmend e kupton atë. Dhe ajo që dua është që qeveria të kuptojë janë dy gjëra. E para, Kosova ka shumë miq dhe ata miq duan ta shohin Kosovën në organizata si Këshilli i Evropës, por e dyta, ata miq duan të shohin vendin duke ndërmarrë veprime shtesë në mënyrë që të jenë të bindur për përkushtimin e vendit ndaj të drejtave të pakicave dhe të drejtave të njeriut.

    Një nga mënyrat më të dukshme për të bërë këtë e që e kemi rekomanduar të gjithë , është ndërmarrja e këtij hapi të rëndësishëm të dërgimit të këtij drafti të BE-së të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Gjykatën Kushtetuese. Na duket se kjo është një gjë e rëndësishme për Kosovën, pa iu referuar Këshillit të Evropës, sepse do të ndihmojë për të siguruar mbrojtje të duhur për komunitetin etnik serb në Kosovë, por gjithashtu zhbllokon dhe hap këtë rrugëtimin në të cilin duam ta shohim Kosovën.” – tha ai në RTK.

  • Nënat e Srebrenicës e falënderojnë Vjosa Osmanin për mbështetje

    Nënat e Srebrenicës e falënderojnë Vjosa Osmanin për mbështetje

    Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara ka miratuar rezolutën që njeh gjenocidin në Srebrenicë.

    Për rezolutën kanë votuar 84 shtete, 19 kundër dhe 68 abstenuan.

    Përmes rezolutës, 11 korriku do të shënohet si Dita Ndërkombëtare e Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit në Srebrenicë.

    Rezoluta ishte sponsorizuar nga tridhjetë vende ndërsa propozuesit zyrtar ishin Gjermania dhe Ruanda.

    Pas miratimit të kësaj rezolute, ka reaguar edhe presidentja Osmani, përmes një shkrimi në platformën “X”, duke thënë se me vendimin e sotëm nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në Ditën Ndërkombëtare të Reflektimit dhe Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë, bota po i jep brezave të ardhshëm një mundësi për të mësuar nga mësimet e nxjerra nga Srebrenica, shkruan atvlive.tv.

    Me këtë rast, nënat e Srebrenicës kanë shprehur mirënjohjen e tyre ndaj Vjosa Osmanit për mbështetjen e dhënë. /atvlive.tv

  • Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miraton rezolutën për Srebrenicën

    Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miraton rezolutën për Srebrenicën

    Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi rezolutën që shpall 11 korrikun Ditë Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit në Srebrenicë.

    Me 84 vota pro ka kaluar Rezoluta për Srebrenicën në mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuar.

    Në këtë votim morën pjesë 193 shtete prej tyre, 19 ishin kundër dhe 68 abstenuan, gjatë votimit vendet nuk patën të drejtën e vetos.

    Me këtë rezolutë 11 korriku do të caktohet si si “Dita Ndërkombëtare e Reflektimit dhe Përkujtimit të Gjenocidit të vitit 1995 në Srebrenicë”.

    Më 11 korrik të vitit 1995, policia serbe dhe ushtria serbe kishte kryer njërën prej masakrave më të mëdha, ku vranë rreth 8,000 burra dhe djem myslimanë boshnjakë.

  • Aksident në magjistralen Prishtinë – Fushë Kosovë, dyshohet për të lënduar

    Aksident në magjistralen Prishtinë – Fushë Kosovë, dyshohet për të lënduar

    Një aksident trafiku ka ndodhur para pak çastesh në magjistralen Prishtinë – Fushë Kosovë.

    Si pasojë e këtij aksidenti dyshohet edhe për persona të lënduar rëndë, raporton ATVLIVE.

    Në aksident janë përfshirë tri vetura, njëra prej të cilave edhe është rrokullisur, derisa në fotografitë nga vendi i ngjarjes shihet se janë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.

    Lajmi në përditësim…

  • Policia shpall në kërkim Enver Sekiraqën

    Policia shpall në kërkim Enver Sekiraqën

    Policia e Kosovës e ka shpallur në kërkim, Enver Sekiraqën, i dënuari për nxitje në vrasjen e Triumf Rizës.

    Në komunikatën e lëshuar, Policia kërkon nga qytetarët e Republikës së Kosovës që kushdo që ka informacion për vendndodhjen e personit të dyshuar, të lajmërojë Policinë apo të lajmërohet në stacionin më të afërt policor.

    Javën e kaluar, Sekiraqa është arratisur nga arresti shtëpiak, pas ndryshimit të masës së sigurisë, ku Apeli një ditë më parë vendosi që të njëjtin ta kthejë në paraburgim.

    Policia ka thënë se pas pranimit të aktvendimit të Apelit për ndryshimin e masës së sigurisë, Enver Sekiraqës i është dërguar ftesa, mirëpo nuk është hasur në vendbanimin e tij.

    LEXONI EDHE:

    25 vjet burgim për Enver Sekiraqa

  • Axha i Lulzim Fejzullahut i pakënaqur me dënimin e dy të miturve

    Axha i Lulzim Fejzullahut i pakënaqur me dënimin e dy të miturve

    Rrahim Fejzullahu – axha i Lulëzim Fejzullahut, ka folur pas seancës ku u dënuan dy të miturit që vranë 18 vjecarin nga Podujeva, muaj më parë.

    Fejzullahu nuk është ndarë i kënaqur me dënimin prej 19 vitesh total për dy të miturit.

    Madje, ai ka thënë se me këtë vendim i ka mbetur plaga e hapur, duke shtuar se nuk i beson drejtësisë kosovare.

    “Lulëzimi i ndjerë i ka pasur 18 vite. Kështu që s’ma plotëson mu zemrën – e para – dhe e dyta nuk i besoj shkurt e shqip kësaj drejtësie. Të më pyesësh pse nuk i beson, ky me mbiemër Artioli i ka pasur edhe 10 vepra më herët. Këtu nuk e di sa janë marrë parasysh. Këtu me një fjalë mua ma ka lënë varrën e hapur. Nuk i besoj kësaj drejtësie dhe pikë”, ka thënë Fejzullahu.

  • Pjetër Shalës i vazhdohet paraburgimi

    Pjetër Shalës i vazhdohet paraburgimi

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë është marrë vendim për vazhdimin e paraburgimit për Pjetër Shalën.

    Sipas zëdhënëses së DhSK-së Angela Griep, vendimi është marrë më 17 maj nga trupi gjykues i cili kishte konstatuar se vazhdon të ekzistojë rreziku se Shala mund të pengojë ecurinë e procedurave ose të kryej vepra të tjera penale, raporton “Betimi për Drejtësi”

    “Më 17 maj, Trupi Gjykues urdhëroi vazhdimin e paraburgimit të Pjetër Shalës, duke konstatuar se vazhdon të ekzistojë rreziku se z. Shala mund të pengojë ecurinë e procedurave penale dhe të kryejë vepra penale të tjera. Trupi Gjykues vendosi gjithashtu se vetëm në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara mund të kryhet mbikëqyrja e efektshme e komunikimeve të të akuzuarit”, tha Griep.

    Gjatë konferencës për informimin javor të DhSK-së, Griep tha se është konstatuar se ekziston rreziku që Shala mund të bëjë kërcënime andaj edhe masa e paraburgimit për atë vazhdon të jetë e arsyeshme.

    “Trupi Gjykues rikujtoi se të gjithë dëshmitarët e thirrur nga Prokuroria kanë dhënë dëshmi dhe se janë paraqitur prova shtesë të cilat mund të jenë inkriminuese. Rrjedhimisht, Trupi Gjykues vendosi se ekzistonte rreziku se z. Shala mund t’i realizojë kërcënimet e bëra më parë, veçanërisht duke pasur parasysh atmosferën e përgjithshme të frikësimit të dëshmitarëve në Kosovë. Duke qenë se gjykimi po përparon pa vonesa të papërligjura, Trupi Gjykues konstatoi se koha që i akuzuari ka kaluar në paraburgim vazhdon të jetë e arsyeshme”, tha Griep.

    Ndërsa, për rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Griep tha se janë miratuar redaktime të sugjeruara nga palët në procedurë për transkriptet e versioneve publike për katër dëshmitarë që kanë dhënë dëshmi vitin e kaluar.

    “Në çështjen gjyqësore Thaçi dhe të tjerët, më 16 maj, Trupi Gjykues miratoi redaktimet e sugjeruara nga Prokuroria, Mbrojtësi i Viktimave dhe Zyra për Mbrojtjen dhe Mbështetjen e Dëshmitarëve për transkriptet e versioneve publike me më pak redaktimeve të katër dëshmitarëve të cilët dhanë dëshmi nga fundi i vitit të kaluar. Trupi Gjykues urdhëroi gjithashtu që disa pjesë shtesë të transkriptit të riklasifikohen si publike. Ky proces është pjesë e rishikimit periodikisht të transkripteve dhe parashtrimeve për të garantuar që proceset të jenë sa më publike”, tha Griep.

    Ajo gjithashtu njoftoi edhe për ndryshimin që bëri Prokuroria sa i takon listës së dëshmitarëve.

    “Pas një urdhri të lëshuar nga Trupi Gjykues më 21 shkurt, Prokuroria dorëzoi një “njoftim për ndryshim të dëshmitarëve” për ta thjeshtuar listën e dëshmitarëve të saj. Sipas parashtrimit, Prokuroria nuk synon më të mbështetet në dëshmitë e 10 dëshmitarëve dhe do të kërkojë leje për të parashtruar me shkrim dëshmitë e 13 dëshmitarëve, në vend se t’i thërrasë të japin dëshmi në sallë të gjyqit. Prokuroria konfirmoi se do të vazhdojë të rishikojë rregullisht listën e dëshmitarëve dhe bëri me dije se ata do të mund të japin një njoftim për ndryshime shtesë në tetor të këtij viti”, tha Griep.

    Griep shtoi se me 22 maj, trupi gjykues ka pranuar në prova deklaratat e pesë dëshmitarëve e po ashtu edhe dy të tjerëve pjesërisht.

    “Më 22 maj, Trupi Gjykues pranoi si prova pesë deklarata të dëshmitarëve dhe dy deklarata të dëshmitarëve, pjesërisht. Konkretisht, Trupi Gjykues konstatoi se prova materiale të caktuara që lidhen me dy deklarata nuk janë të përshtatshme për t’u pranuar si prova.”, tha ajo.

    Griep njoftoi edhe për dëshmitarët që ka thirrur prokuroria e që kanë dëshmuar gjatë kësaj jave në këtë cështje gjyqësore duke shtuar se dy prej tyre ishin pjesëtarë të KFOR-it

    “Në të njëjtën çështje gjyqësore, të martën më 21 maj, dëshmitari i 63-të i thirrur nga Prokuroria, z. Ditrih Klaus-Jensh (Dietrich Klaus-Jensch) dha dëshmi në gjyq publikisht. Sipas përmbledhjes së paraqitur nga Prokuroria, z. Klaus-Jensh shërbeu si oficer në KFOR-in gjerman në Prizren gjatë periudhës përkatëse. Më të njëjtën ditë, dëshmitari i 64-t, Johan Rudolf-Friç (Johan Rudolph Fritsch) filloi dhënien e dëshmisë, po ashtu në seancë publike. Dëshmitari ishte zëdhënës shtypi në KFOR-in gjerman në Prizren gjatë periudhës përkatëse”, tha ajo.

    Në fund, Griep tha se dëshmitari i fundit është i mbrojtur dhe sipas përmbledhjes së lexuar nga prokurorja ky dëshmitar është i afërm i një viktime që pretendohet se është zhdukur dhe vrarë nga Drenoci.

    “Pasi dëshmitari i 64-të përfundoi dje dhënien e dëshmisë, Prokuroria thirri një dëshmitar të mbrojtur. Sipas përmbledhjes që lexoi Prokuroria, dëshmitari është i afërm i një viktime të pretenduar të zhdukjes me forcë dhe vrasjes së paligjshme në Drenoc. Seanca e ardhshme në këtë çështje gjyqësore është caktuar për nesër, të premten, 24 maj, dhe fillon në orën 9:00 paradite”, tha ajo.

    Ndryshe, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, çdo të enjte, në orën 14:30, përmes platformës online “Zoom” mbajnë informim javor ku ofrojnë informacione të përditësuara mbi zhvillimet e fundit lidhur me procedurat gjyqësore dhe veprimtaritë në këtë gjykatë. /BetimipërDrejtësi

  • Republika Serbe kërcënon me ndarje nga BeH nëse miratohet rezoluta për Srebrenicën

    Republika Serbe kërcënon me ndarje nga BeH nëse miratohet rezoluta për Srebrenicën

    Në 30 ditët e ardhshme, Qeveria e Republikës Serbe do të krijojë një marrëveshje që do t’i dërgohet entitetit tjetër të Bosnjës, Federatës së Bosnjës e Hercegovinës, për “ndarje paqësore”, njoftoi kryeministri i RS-së, Radovan Vishkoviq, pas mbledhjes së Qeverisë së Republikës Serbe në Srebrenicë të enjten, më 23 maj.

    Seanca e Qeverisë u mbajt në prag të seancës së Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (OKB), në rendin e ditës të së cilës është edhe rezoluta për gjenocidin në Srebrenicë.

    “Kjo nuk është shkëputje, ndarja paqësore nuk është shkëputje. Ndarja paqësore është e drejtë e garantuar me Kushtetutë. Ne do të ofrojmë atë, nëse na konsideroni komb gjenocidal, që nuk jemi, atëherë nuk kemi pse të jetojmë së bashku”, tha Vishkoviq, pa dhënë detaje të tjera për hapat që do të ndërmarrin.

    Presidenti i RS-së, Millorad Dodik, po ashtu mori pjesë në mbledhjen e ekzekutivit.

    Rezoluta, e cila propozon që 11 korriku të shpallet Ditë Ndërkombëtare e Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit të Srebrenicës, si dhe dënon mohimin e gjenocidit dhe glorifikimin e kriminelëve të luftës, u sponsorizua nga tridhjetë vende.

    Propozueset zyrtare të saj ishin Gjermania dhe Ruanda.

    Mbështetje për të, deri më tash, shprehën të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, përveç Serbisë dhe entitetit serb të Bosnje e Hercegovinës, Republika Serbe.

    Zyrtarët e tyre, pavarësisht vendimeve të gjykatave ndërkombëtare, mohojnë se në Srebrenicë është kryer gjenocid kundër boshnjakëve dhe thonë se atje ka ndodhur një “krim i tmerrshëm”.

    Në korrik të vitit 1995, forcat serbe të Bosnjës vranë mbi 8.000 burra dhe djem myslimanë në Srebrenicë.
    Për gjenocidin e kryer u dënuan më shumë se 50 persona me rreth 700 vjet burg.

    Në mesin e tyre janë edhe presidenti i kohës së luftës i Republikës Serbe, Radovan Karaxhiq, dhe komandanti i përgjithshëm i ushtrisë së atëhershme serbe, Ratko Mlladiq.

    Të dy ata u dënuan me burgim të përjetshëm.

    Serbia loboi në mënyrë aktive kundër miratimit të rezolutës për Srebrenicën dhe, një ditë para se të dilte në OKB, Asambleja e Republikës Sërpska miratoi një notë proteste drejtuar vendeve anëtare të Kombeve të Bashkuara, duke kërkuar tërheqjen e rezolutës.

    Kjo, edhe përkundër faktit se në dokument nuk përmendet as Republika Serbe, e as Serbia.

    Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë e karakterizoi krimin në Srebrenicë si gjenocid në vitin 2007.

    Gjykata konstatoi se Serbia nuk ishte përgjegjëse për aktin e as bashkëpunëtore, por deklaroi se ajo nuk bëri asgjë për ta parandaluar atë./rel

  • 10 vjet burgim për njërin e 9 për të miturin tjetër për vrasjen e Lulzim Fejzullahut

    10 vjet burgim për njërin e 9 për të miturin tjetër për vrasjen e Lulzim Fejzullahut

    Departamenti për të Mitur në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj dy të miturve lidhur me vrasjen e 18-vjeçarit në Podujevë. I mituri i parë u dënua me 10 vjet burgim, kurse i mituri i dytë u dënua me 9 vjet burgim.

    Shpallja e aktgjykimit sikurse edhe i gjithë procesi gjyqësor ka qenë i mbyllur për publikun, për shkak se në rast janë të përfshirë të mitur, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    “Betimi për Drejtësi “ekskluzivisht kishte raportuar për dosjen e Prokurorisë ndaj dy të pandehurve për vrasjen e 18-vjeçarit në Podujevë.

    Më 20 janar 2024, 18-vjeçari, L.F., kishte vdekur në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë. Prokuroria, rastin fillimisht e kishte iniciuar si “Vrasje në tentativë”, e më pas është ricilësuar në “Vrasje e rëndë”. Përleshja mes viktimës dhe dy të miturve kishte ndodhur më 15 janar.

    Sipas Prokurorisë, dy të miturit e kishin goditur 18-vjeçarin me shkop, duke shkaktuar lëndime trupore, ku si pasojë e këtyre lëndimeve të marra, viktima ishte dërguar në QKUK.

    Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë më 25 mars 2024 kishte përpiluar propozimin për shqiptimin e dënimit me burgim për të mitur, ndaj dy të miturve për veprën penale “Vrasje rëndë” nga neni 173, par.1, pika.1.4 dhe 1.8 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal.