ATV

Category: Lajme

  • Arrestohen dy të rinj për rrëmbimin e një personi në Prishtinë

    Arrestohen dy të rinj për rrëmbimin e një personi në Prishtinë

    Zyrtarët policor të Njësitit të Hetimeve të Përgjithshme në asistim të Njësitit për Reagim të Shpejtë, kanë arrestuar dy persona të dyshuar për veprën rrëmbim.

    Arrestimi i të dyshuarve: A. K., 18-vjeç , shtetas i Republikës së Kosovës dhe Y. S., i mitur, shtetas i Republikës së Kosovës, ka ardhur si rezultat i një pune intenzive hetimore, të cilën zyrtarët policor e kanë nisë menjëherë pas denoncimit të rastit.

    Pjesë e aksionit policor në Prishtinë ka qenë edhe bastisja në dy lokacione, ku është sekuestruar një armë e ftohtë (thikë) e cila dyshohet se është përdorë në rast.

    Aktualisht hetuesit policor në koordinim me prokurorin e shtetit, janë duke kryer veprimet e nevojshme procedurale.

  • ​Haradinaj kujton dëshmorët e Batalionit Gardist “Shkelzen Haradinaj”

    ​Haradinaj kujton dëshmorët e Batalionit Gardist “Shkelzen Haradinaj”

    Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka kujtuar të rënët e 24 majit të Batalionit Gardist “Shkelzen Haradinaj”, duke thënë se ata u bënë mburojë e vëllezërve të tyre prej arme, të plagosur në beteja.

    “Batalioni Gardist “Shkelzen Haradinaj” i udhëhequr nga komandanti Abdyl Mushkolaj, përbëhej nga luftëtarë të dalluar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Dukagjin, trimërinë e të cilëve e njoha në frontet e luftës. Ata u bënë mburojë e vëllezërve të tyre prej arme, të plagosur në beteja”, ka thënë Haradinaj.

    Haradinaj ka shtuar se me dhembje e krenari kujton sakrificën e të rënëve.

    “Me dhembje e krenari, sot dhe përgjithmonë kujtojmë dhe nderojmë sakrificën tyre, flijimin dhe vetëmohimin. Të skalitur në histori emrat e tyre: Arton Mehmetaj, Fehmi Demiqi, Hajrush Demaj, Hysen Mehmeti, Islam Krasniqi, Liman Morina, Metë Krasniqi, Nuredin Gërvalla, Nazmi Gradina, Nimon Musaj, Naim Berisha, Përparim Ferizi, Sali Ferizi, Valiant Ferizi, Përparim Shala dhe Xhavit Islami. Heroizmi i tyre u trashëgoftë”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

  • Tahiri: Kurti duhet të dorëzohet

    Tahiri: Kurti duhet të dorëzohet

    Shefi i Grupit Parlamentar të AAK Besnik Tahiri ka thënë se Kryeministri Kurti duhet të dorëzohet. Ai ka krijuar një pozicion për të negociuar kushtet e dorëzimit me opozitën mirëpo ne këto kushte nuk i pranojmë, është shprehur ai, raporton EO.

    “E patë edhe vet kërkesën që kemi adresu para dy muajve. Siç e tha kryetarja e grupit parlamentar të LVV-së nuk pat deputet për të diskutuar dhe ballafaquar me një Qeveri e cila është kampione e dështimeve të vendit. Kjo Qeveri nuk ka pse ti del qytetarëve përpara, nuk ka pse ti del pensionistëve përpara nuk ka si t’ ju del 80 mijë shërbyesve civilë përpara, nuk ka si t’ ju del përpara pagës minimale, ma e ulëta në Ballkan, nuk ka si t’ ju del përpara zyrtareve publikë që ju rrezikohet siguria juridike, nuk ka ai si t’ ju del përpara as vëllezërve dhe motrave tanë në diasporë që nga korriku i vitit 2023, nuk ka arritur të bëjë një marrëveshje për të ndodhë votimi në ambasada. Kryeministri Kurti duhet dorëzu ka kriju një pozicion për të negociuar kushtet e dorëzimit me opozitën. Mirëpo në këto kushte nuk i pranojmë. Do të presim herët apo vonë kapitullimin e tij përmes dorëheqjes, pra është vetëm vonim se shpëtim nuk ka prej ballafaqimit të kryeministrit me opozitën e të gjithë këto tema. Debati do të ndodhë nuk ka qysh ik protokollit në kryesi dhe ai debat do të jetë ballafaqimi i të vërtetës që ka ndodhur tash e tre vjet e gjysëm. Sot ka qenë një ngjarje për herorin e kombit Shkelzen Haradinaj në Gllogjan, dy deputet kanë mungu nuk ka qenë kryetari Ramush Haradinaj dhe Time Kadrijaj mirëpo unë e kam thirr unë e kom pas fjalën në emër të grupit inicues dhe në emër të grupit parlamentar fjalën e ka pasur Bekë Berisha”, ka thënë ai.

  • Kusari – Lila: Kuvendi shpërndahet vetëm nëse ka vullnet të të gjithë grupeve parlamentare

    Kusari – Lila: Kuvendi shpërndahet vetëm nëse ka vullnet të të gjithë grupeve parlamentare

    Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Mimoza Kusari-Lila ka folur pas dështimit të mbajtjes së seancës së Kuvendit të Kosovës, ku pritej të diskutohej për tri vjet të qeverisjes Kurti, raporton EO.

    Në fjalën e saj, Kusari ka vlerësuar se Kuvendi mund të shpërndahet nëse ka vullnet të grupeve parlamentare që janë pjesë e Kuvendit.

    “Është e paimagjinueshme të shpërndahet Kuvendi, për një debat për 3 vjet qeverisje ka kaq pak interesim nga deputetët. Jemi në dinamikën e ritmin e mirë të përmbushjes së agjendës legjislative. Vet AAK-ja nuk e kishte kryetarin e partisë, vetëm 3 deputetë ishin prezentë”, ka deklaruar Kusari-Lila.

    Kusari-Lila tha se Kuvendi shpërndahet vetëm nëse ka vullnet të grupeve parlamentare që janë pjesë e Kuvendit.

  • ​BQK anëtarësohet në Shoqatën Evropiane të Shtëpive të Kliringut të Pagesave (EACHA)

    ​BQK anëtarësohet në Shoqatën Evropiane të Shtëpive të Kliringut të Pagesave (EACHA)

    Zëvendësguvernatori i Bankës Qendrore së Kosovës (BQK), Dardan Fusha dhe presidenti i Shoqatës Evropiane të Shtëpive të Kliringut (EACHA), Jose Luis Langa, nënshkruan anëtarësimin e BQK-së në këtë organizatë pas votimit të anëtarëve të saj gjatë Takimit Plenar të organizuar në kuadër të Forumit të Pagesave në Sofje të Bullgarisë.

    Anëtarësimi në EACHA paraqet një hap të rëndësishëm, duke marrë parasysh projektet dhe reformat në proces lidhur me digjitalizimin e shërbimeve të pagesave. Ky anëtarësim ofron një mundësi për të mësuar nga përvojat dhe njohuritë e vendeve të tjera mbi procesin e anëtarësimit në SEPA dhe qasjes në TIPS. Gjithashtu, do të lehtësojë procesin e identifikimit dhe adaptimit të një zgjidhje për procesimin e pagesave të shpejta në Republikën e Kosovës dhe do të lehtësojë qasjen e bankave dhe ofruesve të tjerë të shërbimeve të pagesave në shtëpitë e kliringut në Evropë, duke mbështetur qëllimin strategjik të BQK-së për modernizimin e sistemeve të pagesave dhe integrimin në SEPA.

    Në njoftim thuhet se EACHA ka anëtarë nga 25 vende të ndryshme evropiane, duke përfshirë disa banka qendrore si ajo e Gjermanisë (Deutsche Bundesbank) dhe Italisë (Banca D’Italia), si dhe disa nga operatorët dhe infrastrukturat më të mëdha evropiane të pagesave në pronësi të bankave. Kjo organizatë shërben si një forum për të mbështetur anëtarët e saj në zbatimin e Rregullave dhe Standardeve të Pagesave të Këshillit Evropian të Pagesave (EPC), si dhe për të mësuar nga përvojat e njëri-tjetrit në zhvillimin dhe adoptimin e skemave, sistemeve dhe infrastrukturave të reja të pagesave.

    Për më tepër, EACHA përfaqëson nevojat e anëtarëve të saj në institucionet evropiane, duke mundësuar shkëmbimin e informacionit, diskutimin e çështjeve me interes të përbashkët, rrjetëzimin dhe zhvillimin e standardeve për të promovuar ndërveprimin e sistemeve të pagesave me vlerë të vogël në zonën SEPA. EACHA mban kontakte të afërta me BE-në, BQE-në, EPC-në dhe institucione të tjera evropiane.

    “Kjo platformë do të ndihmoj BQK-në dhe ofruesit e shërbimeve të pagesave në adaptimin e standardeve të BE-së dhe përgatitjen e tregut për integrim me skemat dhe sistemet e pagesave të BE-së. Gjithashtu, do t’i mundësoj BQK-së që të jetë e përfshirë për së afërmi në iniciativat dhe zhvillimet e reja në BE, për mbështetjen e avancimit të tregut të pagesave në Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftim.

  • 25 vite burgim për dy të akuzuarit për vrasjen e 2015-ës në “Bon Vivant”

    25 vite burgim për dy të akuzuarit për vrasjen e 2015-ës në “Bon Vivant”

    I akuzuari për vrasjen në “Bon Vivant”, Masar Gërdovci është dënuar me 18 vite burgim ndërsa për armëmbajtje pa leje me 1500 euro gjobë, kurse Sherif Krasniqi është dënuar me 7 vite burgim për “vrasje në bashkëkryerje”. Për veprën penale armëmbajtje pa leje ndaj Krasniqit, prokurori i shtetit në seancat e mëhershme ka hequr dorë nga ndjekja penale derisa gjykata e ka refuzuar akuzën.

    Aktgjykimi është shpallur të premten në Gjykatën Themelore në Prishtinë nga gjykatësi Avni Syla, raporton “Betimi për Drejtësi”,

    Trupi gjykues ia ka vazhduar masën e paraburgimit Gërdovcit deri në plotëfuqishmërinë e aktgjykimit.

    Nëse Gërdovci nuk e paguan gjobën e shqiptuar, gjykata dënimin me gjobë e shndërron në dënim me burgim. Atij do t’i llogaritet koha e qëndrimit në paraburgim nga 13 tetorit 2014 derisa i njëjti të gjendet në masën e paraburgimit.

    Edhe Sherif Krasniqit do t’i llogaritet koha e qëndrimit në paraburgim prej 13 tetorit 2014 deri më 22 janar 2019, po ashtu nga 18 dhjetori 2020 deri më 13 qershor 2023.

    Gjykata i ka obliguar dy të akuzuarit të paguajnë secili veç e veç shpenzimet e procedurës penale në emër të paushallit gjyqësor në shumën prej 400 euro si dhe në emër të Fondit për Kompensimin e Viktimave të Krimit, secili veç e veç shumën nga 50 euro.

    Palët e pakënaqura me aktgjykimin kanë të drejtë ankese në afat prej 30 ditësh.

    Fjala përfundimtare është dhënë më 20 maj, ku i akuzuari Gërdovci kishte deklaruar se shkaku i thashethemeve lidhur me rastin i kishte vdekur edhe babai i tij.

    Pas ankesave, Gjykata e Apelit rastin e kishte kthyer në rigjykim.

    Më 18 dhjetor 2020, gjykata e shkallës së parë në rigjykim sërish kishte marrë aktgjykim dënues, ashtu që të akuzuarit Masar Gërdovci dhe Sherif Krasniqi, i kishte shpallur fajtorë për vrasjen e rojës në lokalit “Bon Vivant”, duke i dënuar me 24 vjet burgim (së bashku).

    Lidhur me ketë vendim, Gjykata Supreme rastin e kishte kthyer në rigjykim pasi që sipas kësaj instance të akuzuarit Gërdovci dhe Krasniqi, janë shpallur fajtorë për veprime të cilat dallojnë nga ato për çka janë akuzuar.

    Vendimi i fundit lidhur me këtë rast është marrë më 13 janar 2023, ku Themelorja, Gërdovcin e dënoi me 18 vite burgim dhe 1 mijë e 500 euro gjobë, kurse Krasniqin me 7 vite burgim. Apeli e ktheu çështjen në rigjykim më 13 qershor 2023.

    Aktakuza ndaj Masar Gërdovcit dhe Sherif Krasniqit ishte ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë më 7 korrik 2015. Ata thuhet se në bashkëkryerje, kishin privuar nga jeta të ndjerin Rr.U, duke kryer kështu veprat penale vrasje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje. /BetimipërDrejtësi

  • Tahiri: 30 maji është dita e fundit për shpërndarjen e Kuvendit

    Tahiri: 30 maji është dita e fundit për shpërndarjen e Kuvendit

    Kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka përsëritur kërkesën për shpërndarje të Kuvendit dhe shkuarjes në zgjedhje. Ai ka thënë se 30 maji do të jetë dita e fundit për mundësinë e shpërndarjes së Kuvendit., raporton EO.

    Tahiri në konferencë për media pasi dështoi seanca për tre vjet qeverisje të kryeministrit Kurti ka thënë se komunikimi me partitë politikë është intensiv.

    “Puna e Kuvendit ka degraduar deri në atë pikë saqë me zor mund ta mbajmë në jetë edhe një tetë muaj deri te zgjedhjet e rregullta. Mirë është të reflektojmë, t’i hapim rrugë zgjedhjeve të reja në qershor apo korrik. Tash dy javë jemi në komunikim më intensiv, dhe do vazhdojmë në vijim deri te momenti, siç e kemi thënë këtë të enjte do të jetë dita e fundit për shpërndarjen e Kuvendit, apo 30 maji. Nëse deri më 30 maj nuk arrijmë koordinim për shpërndarjen e Kuvendit e humbim mundësinë që qytetarët t’u drejtohen kutive të votimit më 30 qershor apo 7 korrik. Është dita e fundit dhe nuk do t’i ndalim përpjekjet”, ka thënë ai.

  • Stano: BE-ja nuk toleron sjellje që rrezikojnë sovranitetin e Bosnje e Hercegovinës

    Stano: BE-ja nuk toleron sjellje që rrezikojnë sovranitetin e Bosnje e Hercegovinës

    Bashkimi Evropian (BE) nuk toleron sjellje që e rrezikojnë sovranitetin dhe tërësinë territoriale të Bosnjë e Hercegovinës (BeH), pas propozimit të Qeverisë së Republikës Sërpska (RS) për t’u ndarë nga BeH, tha të premten zëdhënësi i bllokut, Peter Stano.

    Të enjten, Qeveria e RS-së tha se në 30 ditët e ardhshme ajo do të krijojë një marrëveshje që do t’i dërgohet entitetit tjetër të Bosnjës, Federatës së Bosnjës e Hercegovinës, për “ndarje paqësore”.

    “Për fat të keq, nuk është hera e parë që dëgjojmë deklarata të tilla. BE-ja është e qartë dhe kjo është përsëritur disa herë. BE-ja dhe të gjitha vendet anëtare e mbështesin sovranitetin dhe tërësinë territoriale të Bosnjë e Hercegovinës“, tha Stano.

    Ai e përsëriti se sovraniteti, integriteti territorial dhe rendi kushtetues i Bosnje e Hercegovinës duhet të ruhet, duke paralajmëruar “pasoja serioze“ për shkelësit e saj.

    Liderët e BE-së vendosën në mars për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Bosnje e Hercegovinën. Ajo e mori statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE në dhjetor të vitit 2022.

    Më herët të premten, Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Sarajevë tha se propozimi i Qeverisë së RS-së për t’u ndarë nga Bosnja e Hercegovina, është i rrezikshëm dhe i papërgjegjshëm dhe se një gjë e tillë “nuk do të nënkuptonte pavarësi, por fund për Republikën Sërpska”.

    Qeveria e RS-së e bëri propozimin për “ndarje” gjatë një mbledhjeje të mbajtur në prag të seancës së Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (OKB) të enjten, ku u miratua rezoluta që e shpall 11 Korrikun Ditë Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit në Srebrenicë.

    Disa vende anëtare të BE-së nuk votuan për miratimin e rezolutës. Hungaria votoi kundër, ndërsa Greqia, Sllovakia dhe Qiproja abstenuan.

    Stano tha se votimi në OKB është çështje individuale e secilit vend anëtar, por shtoi se BE-ja si bllok është e qartë se gjenocidi në Srebrenicë nuk mund të mohohet.

    “Ne, si BE, nuk jemi si anëtar i OKB-së. Sa i përket BE-së, ne kemi qëndrimin e qartë dhe e kemi përsëritur rregullisht çdo përvjetor. Gjenocidi në Srebrenicë nuk mund të mohohet, e as të relativizohet“, shtoi ai.

    Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë e karakterizoi krimin në Srebrenicë si gjenocid në vitin 2007.

    Forcat serbe në këtë rajon lindor të Bosnje e Hercegovinës vranë mbi 8.000 burra dhe djem boshnjakë në korrik të vitit 1995.

    Për gjenocidin e kryer, deri më tash, u dënuan më shumë se 50 persona me rreth 700 vjet burg.

    Në mesin e tyre janë edhe presidenti i kohës së luftës i Republikës Sërpska, Radovan Karaxhiq, dhe komandanti i përgjithshëm i ushtrisë së atëhershme serbe, Ratko Mlladiq.

  • Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu deklarohen të pafajshëm

    Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu deklarohen të pafajshëm

    Të pafajshëm janë deklaruar Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu, të akuzuarit për vrasjen e Marigona Osmanit.

    Gjatë seancës të së premtes, Krivaqa para trupit gjykues deklaroi se “Jo nuk e pranoj fajësinë, nuk e pranoj akuzën e prokurorit”.

    Derisa të njëjtën përgjigje pati edhe i akuzuari tjetër, Arbër Sejdiu. “Jo”, tha shkurt ai.

    Gjykata Themelore e Ferizajt, më 4 gusht 2023, e kishte dënuar me burgim të përjetshëm Dardan Krivaqën për vrasje e Marigona Osmanit.

    Ndërsa, Arbër Sejdiun e kishte dënuar me 15 vite burgim për ndihmë në vrasjen e rëndë në bashkëkryerje.

    Por, Gjykata e Apelit me aprovimin e ankesës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj dhe mbrojtjes së dy të akuzuarve, e ka kthyer çështjen në rigjykim.

    18-vjeçarja Marigona Osmani u vra më 22 gusht të vitit 2021, në banesën e të akuzuarit kryesor, Dardan Krivaqa, në qytetin e Ferizajt.

  • Vendimi i Iranit për përkrahjen e rezolutës për Srebrenicën u mor nga ish-kryediplomati që vdiq të dielën

    Vendimi i Iranit për përkrahjen e rezolutës për Srebrenicën u mor nga ish-kryediplomati që vdiq të dielën

    Ndër vendet në të cilat ka pasur interes të madh se si do të deklaroheshin gjatë votimit të Rezolutës për gjenocidin në Srebrenicë ishte Irani, si një vend që ishte mik i madh i Bosnjës dhe Hercegovinës në momentet më të vështira.

    Vendimi që Irani të mbështesë rezolutën u mor nga ministri i Jashtëm që ndërroi jetë para disa ditësh, Hossein Amir-Adollahian.

    Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Iranit, Naser Kanani, në prill të këtij viti konfirmoi për televizionin Sahar se Irani do të mbështesë rezolutën për Srebrenicën, përkatësisht se Ministria ka marrë një vendim.

    Edhe pse nuk pati veprime të rëndësishme diplomatike nga diplomacia e BiH ndaj Iranit, është e qartë se ky vend vendosi moralisht për të mbështetur Rezolutën për gjenocidin e Srebrenicës përpara interesave të veta politike dhe marrëdhënieve me Rusinë dhe Kinën, shkruan sot portali boshnjak Klix.

    Pas miratimit, Amir Saeed Iravani, ambasador dhe Përfaqësues i Përhershëm i Iranit në Kombet e Bashkuara, tha se Irani thekson qëndrimin e tij parimor në mbështetje të paqes, stabilitetit dhe sigurisë në Bosnje dhe Hercegovinë.

    “Vota jonë për Rezolutën e miratuar sot tregon besimin tonë se ne mbështesim dhe bashke ndjejmë me viktimat e gjenocidit në Srebrenicë në 1995. Nderimi dhe kujtimi i viktimave në Bosnje dhe Hercegovinë duhet të bashkojë njerëzit dhe të inkurajojë refuzimin global të krimeve mizore”, tha Iravani.

    Ai shtoi se në solidaritet, Irani nderon gjithashtu “heronjtë tanë të rënë, qytetarët e Iranit, të cilët u vranë për qëllimin e çmuar për të ndihmuar qytetarët e Bosnjës dhe Hercegovinës në ato ngjarje fatkeqe”.

    Kujtojmë, presidenti i Iranit Ebrahim Raisi, ministri i Jashtëm Hossein Amir-Abdollahian dhe shtatë pasagjerë të tjerë u vranë në një rrëzim helikopteri në Iranin veriperëndimor të dielën.